• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Fakulteti teknik – stop krimit arkitektonik

March 20, 2017 by dgreca

(Humbja e identiteti urban të Prishtinës dhe Kosovës)/

Shkruan:  arch. Ylber Vokshi -Ylli/*

Ma në fund pas 17 vite në shekullin e ri përjetova një protestë të arkitektëve dhe disa profesorëve me moton “stop krimit arkitektonik “, të cilët janë lodhur me gjithë atë që është duke ndodhur në Kosovë këto vite në fushën e ndërtimit. Shkas ishte ndërhyrja në fasadën e objektit të Fakultetit Teknik,gjegjësisht në degradimin total të një objekti të “arkitekturës brutaliste”, që është gabimi i pa falshëm,të cilin ata që e kanë bërë këtë veprim e kanë pasur obligim ligjor dhe profesional që mos ta bëjnë. E kur kjo vjen nga ata që po na i edukojnë gjeneratat e reja se si duhet punuar duke i respektuar normat,standardet teknike, ligjet dhe konventat ndërkombëtare të ndërtimit apo rehabilitimit,atëherë kjo është shqetësuese dhe kërkohet ndërhyrje urgjente e  strukturave vendimmarrëse në këtë shoqëri, sa nuk është bërë tepër vonë.

Thelbi i problemit është se edhe profesionistët tanë,të instaluar në institucionet e larta arsimore (universitete dhe kolegje),nuk e vlerësojnë dhe nuk e dinë çka është IDENTITETI URBAN I QYTETIT. Nuk ka vetëm vlera arkitektonike objektit në fjalë, i projektuar nga një arkitekt i njohur slloven me nam botëror, që askush nga këndvështrimi i sodit nuk mundet ta kontestojnë. Është vlera historike e objektit me një të kaluar specifike identitare, i ndërtuar para 45 vite (1972) në kohën kur populli shqiptar i Kosovës filloi të frymoi pak ma lirë. Atë duhet gjithsesi ruajtur me disa ikona tjera të kohës si dëshmi të një kohe,e jo në këtë mënyrë vandale ma ia zhdukur identitetin e sajë të krijuar me mund të madh.

U befasova për të mirë me reagimin e një grupi të profesionistëve të rinj,pjesa dërmuese e të cilëve ishin arkitekt të ri dhe student të arkitekturës,të cilët pakënaqësinë e tyre me disa punime ndërtimore në objektin e Fakultetit Teknik u detyruan ta shprehin edhe publikisht në formë demonstrate apo proteste kundër degradimit të objektit. Ishte i vogël numri i atyre që demonstruan por ishte veprim i madh,i pa parë deri me tani për kauzën e drejtë për të cilën protestuan, për ruajtjen e identitetit urban të Prishtinës, gjegjësisht të objektit të Fakultetit Teknik.

Nuk ishte kjo pakënaqësi e ndërlidhur me grupet e ndryshme të interesit, siç ka ndodhur disa herë në këto hapësira tipike të Ballkanit. Arkitektët në vitet e pas luftës,në shekullin 21 kanë ditur publikisht të demonstrojnë “me sukses” edhe kundër licencimit të tyre ,në mënyrë që të ketë rregull dhe ligjshmëri në fushën e ndërtimit në Kosovë, të cilën plotësisht e kanë degraduar duke bashkëpunuar me të keqen.

Askush nuk mundet të jetë kundër rehabilitimeve gjegjësisht rindërtimeve, revitalizimeve,regjenerimeve,restaurimeve arkitektonike dhe urbane,zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë. Është ky proces i pandalshëm nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar, çka ende nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë. Kjo në mënyrë të pa dukshme do të na hakmerret nëse nuk i ndalojmë këto veprime të çoroditura,pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit. Në rastin konkret ka metoda dhe mënyra të shumta se si të izolohet objekti në aspektin termik  dhe akustik e mos të degradohet,ndryshohet pamja e jashtme (fasada) e tij.

Kur në vitin 2010 tentova të sensibilizoi komunitetin profesional të arkitektëve dhe të tjerëve, të reagojnë me ndonjë deklaratë publike,peticion apo demonstrim pakënaqësie lidhur me degradimin e madh të disa komplekseve dhe objekteve me vlera arkitektonike dhe historike,hasa në zërin e shurdhët të atyre që ma së shumti iu përkiste mbrojtja e tyre, arkitektëve që vepronin në numër të  madh në tërë Kosovën.

Shkas ishte ndërrimi skandalozë i fasadës së  hotelit Grand në  Prishtinë mu në qendrën e ngushtë të kryeqyteti,të tëra këto veprime kaluan pa reagimin ma të vogël të arkitektëve dhe intelektualëve të shumtë që veprojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Personalisht isha tmerruar me këtë veprim dhe u detyrova të bëjë një reagim publik personal me një shkrim kritikë i cili pati reagime të shumta e asgjë tjetër. Kjo  tregoi një të vërtetë të hidhët se sa neve dimë dhe çmojmë identitetin urban të krijuar me mund të madh me dekada dhe shekuj. Se si ne dimë me e harruar të kaluarën e cila ma së miri dokumentohet me objekte të ndërtuara në vazhdimësi deri me sot.Nuk është ky rasti i vetëm, kështu është vepruar edhe me disa objekte tjera në Prishtinë, kësaj dukurie të shëmtuar nuk kanë mundur ti ikin edhe shumë objekte në qendrat tjera komunale në Kosovë si:

  • Fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë e cila të jep përshtypjen e një”arrne”të shëmtuar,degraduese nga aspekti arkitektonik,vepër e arkitektit të njohur Juraj Neidhart. Kush ishte ai që e bëri këtë krim arkitektonik,nga mosdija apo me qellim.
  • Bastardimi i objekti të pallatit të shtypit ,(ish Rilindja ), autori i punimit (prof. Konstadinovski),as që e njohu veprën e tij kur ishte në vizitë në Prishtinë.
  • Zhdukja e gjurmëve të ish hotelit “ Iliria “ e me te edhe të një pjese të historisë së Prishtinës,ku u ndërtua një strukturë e re hoteliere (Swiss Diamond).
  • Rrënimin e hotelit të vjetër ”Pashtriku”në Gjakovë, që me aq mund u inkorporua në strukturën e re të qendrës së qytetit.
  • Rrënimin e shumë monumenteve arkitektonike si objektet sakrale (xhamit) e shumë shtëpia banimi karakteristike, monumenteve kulturore,të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pa mohueshme arkitektonike dhe historike,aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut këto vite.

Përse është i rëndësishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën me theks të veçantë në kryeqytet. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë e cila ma së miri identifikohet me objekte, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet, ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe tani me paturpësi në shekullin 21,kjo është e pa falshme.Kjo çështje nuk i përket vetëm një objekti të degraduar me renovimin e tij,është e ndërlidhur me filozofinë primitive jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë,të trashëguar  me dhunë nga pushtuesit e ndryshëm gjatë shekujve të kaluara. Ndryshe nuk ka shpjegime logjike për veprimet vetë shkatërruese tona. A mos jemi “popull i marrë” që me dorën tonë po zhdukim identitetin tonë arkitektonik,urban dhe historik ?Uroi që në të ardhmen të mos kemi ndërmarrje të tilla destruktive,të mos  detyrojmë gjeneratat e reja që me këto forma të shprehin mospajtimet e tyre, pasi vendimmarrësit kosovar duhet të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se një herë e përgjithmonë ka kaluar koha kur kanë bërë çka kanë dashur në fushën e Planifikimit Hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës. Janë të obliguar të zbatojnë format bashkëkohore të komunikimit, me pjesëmarrjen aktive të komunitetit në proceset vendimmarrëse me transparencë të duhur.  Kërkohet të ketë veprime konkrete për të ndryshuar situatën e krijuar e jo të jemi indiferent ndaj identitetit urban,si deri me tani duke i lejuar këto veprime të dëmshme  për të gjithë ne.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

20 mars 2017                                                                                   arkitekt i pavarur

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Fakulteti teknik - stop, krimit arkitektonik

Shqiptaro-amerikanët, të tretët për remitanca në Shqipëri

March 20, 2017 by dgreca

Emigrantët shqiptarë po e shpëtojnë Athinën nga kriza/

Në kulmin e krizës ekonomike që ka pllakosur Greqinë, janë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ata që kanë shpëtuar nga kolapsi total tregun imobiliar. Lajmi u bë public më datën 19 mars 2017, nga qendra ndërkombëtare e studimeve imobiliare “PEV Research Center”. Sipas studimit të kësaj qendre, emigrantët shqiptarë gjatë viteve 2015-2016, vlerësohen si blerësit më të mirë të banesave. Shqiptarët paguajnë me para “KESH”, banesa të ndërtuara 20-40 vite më parë, në zonat e qendrës së Athinës dhe qyteteve më të mëdha të vendit. Ekspertët e tregut të banesave deklaruan se familjet shqiptare, të përbëra prej 3 ose 4 personash, me të ardhura mesatare, janë targeti i preferuar i agjencive imobiliare vendase, pasi sipas tyre, kjo kategori interesohet për blerjen e një banese për të strehuar familjet e emigrantëve, të cilët investimin në blerjen e një banese me çmim nga 20 deri në 100.000 euro, mund ta përballojnë duke e paguar me para në dorë, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar bankave, ku mundësia e kreditimit është pothuaj zero. Kjo kategori është më shumë e interesuar që të investojë paratë e fituara nga puna në emigracion, për shkak të përfitimeve të ulëta nga interesat bankare, ose pasigurisë së lartë në bankat vendase, duke “shpëtuar” edhe prej qirave mujore që vërtiten nga 250 në 400 euro në muaj. Ekspertët thonë se, emigrantët shqiptarë kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre jashtë sistemit bankar gjatë kohës së krizës, që arriti deri vendosjen e kontrollit bankar, çka iu dha përparësi në negocimin e çmimit të një banese, duke paguar pothuaj tërësisht vlerën në KESH, e duke shmangur kështu pagesat nëpërmjet bankës. Sipas kërkimit të qendrës “PEV”, rezultoi se emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ishin edhe dërguesit kryesorë të remitancave me plot 480 milionë dollarë të dërguara nga Greqia, nga Italia emigrantët shqiptarë kanë dërguar 100 milionë, nga SHBA, 81 milionë dhe Turqia me 4 milionë.

Shënim i “Dielli-t”: Nga studimi shihet qartë se shqiptaro-amerikanët janë të tretët në dërgimin e remitancave në Shqipëri.

Por, ajo që është shqetësuese, është fakti se pamvarësisht këtyre dërgesave që mbajnë në këmbë buxhetin dhe disa banka në Shqipëri, bashkë me të dhe ofiqarët e burokracinë shtetërore, emigrantët shqiptarë nuk kanë mundësinë e ushtrimit të votës?!

Pse nuk rikthehet tradita e viteve 1920-’30, ku shqiptarët në SHBA, kishin deputetët e tyre në parlamentin shqiptar? Është evidente përfaqësimi i diasporës e emigrantëve shqiptarë më deputetët e tyre, konkretisht në SHBA, Angli, Gjermani, Belgjikë-Francë, Itali dhe Greqi. Sa për rregjistrimin e procedurat, e bën shumë shpejt e lehtë diaspora dhe kandidatët e saj, e ja jep gati Ambasadave Shqiptare në këto vende.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Athina, Emigrantët, SHQIPTARO-AMERIKANET

EKSPOZITA E PARE ARTISTIKE:FOTOGRAFIA “MARUBI” SHKODER

March 20, 2017 by dgreca

2-Marubi1-300x147

GR-Galeria e Arteve– Stamford (CT)/

1 Repishti-300x212Nga Sami Repishti/

 Stamford, CT.- Te premte mbas dreke, në Galerinë e Arteve, pronë dhe iisiativë e bashkëadhetarëve tonë, çiftit Z. dhe Zonja George Pali, u hap ekspozita e fotografisë së mjeshtrave të mëdhaj Pietro dhe Kel Marubbi, dhe e pasardhësit të tyne Gegë Marubbi, pronë e“ Fototekës Marubi” Shkodër, dhe e huazueme nga Galeria e Arteve të Stamfordit. Galeria hapi dyert për publikun –shqiptar dhe të huej-, me 17 mars 2017, dhe ashtë akoma në proçesin e organizimit edhe ma profesional.

Kjo ekspozite “Life in Images” permban mbi 100 fotografi te koleksionit Marubi, dhe çfaqet per te paren here ne SHBA. Ndermarrja ashte rezultati i nji bashkepunimi ne mes te Museumit Marubbi, Ministria e Kultures, Tirane, Shqiperi dhe GR Art Gallery ne Stamford, CT. Ekspozita ashte nji nji sukses qe mundeson pamjen e nji bote fantastike te gjanave, e pame nga lenset e tre gjeneracioneve te fotografeve te familjes Marubbi. Galleria GR Art Gallery ashte e vendosun ne adresen: 1086 Long Ridge Road, Stamford, CT. 06903.

Pa dyshim, ky gjest i kulturuem i çiftit Pali na mbushë me gëzim dhe plotëson nji nevojë të madhe: gjetjen e nji lokali të përshtatshëm për njohjen e elementit shqiptar artdashës, kudo që banon ai, e që kontribuon në fushën e arteve vizuale, njeni nga të cilët ashtë edhe fotografia. Megjithëse ekspozita nuk ka ba reklamimin e zakonshëm për këte ngjarje me randësi për bashkësinë tonë shqiptaro-amerikane, vizituesit ishin të shumtë dhe pa asnji përjashtim, entuziastë për nji punë të këtillë. Për pjesëmarrësit u shtrue edhe nji buffet i pasun. Ceremonia u rregjistrue nga sherbimi i Zërit të Ameriks¨ dhe u transmetue në emisionin e mbramjes të ditës së shtundë.

***

Kush ashtë “Marubbi”(tashti Marubi) firma ma e njohun e fotografisë shqiptare?

Themeluesi i saj, Pietro Marubbi (1834-1903) arkitekt, amator fotograf nga Piacenza e Italisë, me orientim garibaldin, emigroi në Shkodër,(1850), ku ushtroi mjeshtrinë e fotografit.

Punimet e para i shohim rreth viteve 1858-1859, vite të turbullta në Shqipëri të karakterizueme me lëvizje e kryengritje të vazhdueshme anti-otomane. Piero Marubbi rregjistroi në film fazat ma të randësishme të kohës së tij: kryengritjen e Mirditës (1876-77), ngjarjet e viteve 1878-81 të Lidhjes së Prizrenit; viteve 1912 dhe pavarësinë e Shqipërisë etj. Fotografitë e tij u përhapën në gazeta të Europës, dhe ndihmuen fuqimisht me terheqë vemendjen e botës së jashtëme mbi gjendjen e mjerueme të vendit tonë, dhe forcimin e idesë së nji shteti autonom në katër vilajete me shumicë popullsie shqiptare –Shkodër, Shkup, Manastir dhe Janinë- si hapi i parë drejt çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe themelimit të shtetit të pavarun shqiptar, të njohun ndërkombëtarisht..

Në Shkodër, italiani Pietro Marubbi zuni vend të përhershëm, dhe themeloi familjen e tij. Nga miqësia me familjen e Rrok Kodhelit, i Zadrimës,Shkodër, ai i bindi prindët dhe mori pranë vetes dy djelmtë e Kodhelit: Matia dhe Mikeli (shqip Kel) që ma vonë mori emnin Marubbi, dhe që ashtë personi krysor.  Kel Marubbi (1870-1940) mbas vdekjes së plakut Pietro, themeloi dhe drejtoi “Studio Marubbi” që luejti rolin e saj historik për ma shumë se 100 vjet.

Ska dyshim që Kel Marubbi ka ushqye ndjenja atdhetarie të forta për nji Shqipëri të lirë, sepse vetëm nji qendrim i këtill  hapë atij rrugën për kontakte dhe bashkëpunim me udhëheqsit e Rilindjes sonë kombëtare, në përpjekje të përbashkët me luftue planet dhe aksionet anti-shqiptare të otomanëve, serbëve, grekëve, dhe klikave shqiptare pro-turke.

Kel Marubbi kishte nji armë të fuqishme: fotografinë! Me kameran e tij dhe me profesionalizmin që e karakterizonte, ai rregjistroi personazhe e ngjarje tashma historike, si dhe i vuni ata në dispozicion të shtypit të huej, dhe perfaqsive të hueja në Shqipëri. Ky dokumentacion vizual i Kel Marubbit ka ndergjegjsue shumë personalitete konsullore të vendeve europiane në raportet e tyne pranë qeverive përkatëse. U krijue kështu nji opinion ma i saktë në këto Qeveri për gjendjen e vertetë në vendin tonë, dhe që ndihmoi denoncimin e propagandës otomane për keqtrajtimin e popullsisë shqiptare. Kjo vlen edhe ma shumë sidomos mbas firmimit të marrëveshjes “Kultus-protektorat”, kur qeveria austriake e Vjenës fitoi të drejtën e njohun ndërkombëtarisht per mbrojtjen e hapun të popullsive të besimit të krishtenë. Në nji atmosferë të këtill u sigurue mbrojtja e klerit katolik shqiptar, dhe filloi hapja e shkollave shqipe pa pengesa qeveritare, sidomos nga urdhënat fetare jezuit dhe françeskan, krysisht ne qytetin e Shkodrës (nga e cila përfituen edhe shumë studentë të familjeve myslimane).

“Me aparat në dorë e pa iu trembur syri,” shkruen studjuesi shkodran Prof. Kaheman Ulqini,” ndoqi e fotografoi ngjarje të randësishme të figurave të tyre të shquara”. Njerëz dhe akte që do të kishin humbë për jetë sikur të mos kishte qenë puna e vullneti atdhetar i të ndjerit Kel Marubbi: “kryengritja e Mirdites,(1877-78), Lidhja e Prizrenit (1878-81), ngritja flamurit në Deçiq (6 prill 1911) ngritja  flamurit në Vlorë (28 nandor 1912) nga patriotë shqiptarë si Pashko Vasa, Abdyl Bej Frashëri, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemal Bej Vlora e të tjerë, si dhe pamje të jetës së përditëshme të qyteteve tona në ato vite.

Merita e të ndjerit Kel Marubbi ashtë edhe aftësia e tij me ngritë nivelin e fotografisë në nivel artistik që përjetëson vepren e tij. Kjo aftësi e ban artin e tij nji vepër klasike. Edhe aty ku ka vuejtje e mjerim e dhimbje ai gjenë elementin thelbësor, dhe me dritë-hijet e rreshtueme me mjeshtri, ai ngren figurën, ose skenën në nivel të së përherëshmes. E na, e nderojmë!

Fotografia e nji cilësie të këtill nuk ashtë thjeshtë nji kopjim i realitetit. Arti krijohet kur i nisun nga objektivi real, krijon nji realitet të ri, saktësisht objekte artistike, të  aftë me dhanë në nji mënyrë ose nji tjetër që quejmë “kenaqesi” (fr. delectation). Fotografia ashtë njena nga lamijet ku krijohet “realiteti i ri” që bahet, me kalimin e kohës, klasik. Filozofi anglez Francis Bacon shkruente: “arti, ashtë njeriu që i bashkohet natyrës”. Dhe: “Objektet reale, natyra, nuk kanë vlera preçize. Arti ashte përgjigjja e nevojës sonë me gjetë për objektin nji vlerë preçise”.

Prof. Ulqini ka të drejtë kur shkruen:” Me veprimtarinë e Kel Marubit fotografia shqiptare u ngrit në nivelin e artit”! Ajo përjetësohet!

Arti (latin: ars-artis) në parim ashtë nji nevojë esthetike “me zbulue” ate që na rrethon. Ashtë nji veprimtari e jona që synon vetëm krijimin e së bukurës, pa asnji qellim tjetër politik ose ekonomik; përndryshe, ashtë “bastardhim” ose “shitje për fitim” (nji orientim shumë i theksuem në botën tonë materialiste). Kjo nevojë për të bukurën plotësohet me krijimtari nga artisti i pakënaqun me mos-persosmëninë e realitetit që jeton; atëherë, artisti gjen frymëzimin me transfigurue realitetin në nji ‘krijim’ që i qëndron kohës, dhe merr përmasat e randësisë klasike.

Vepra e të ndjerit Kel Marubbi u vazhdue nga djali i tij i ndjeri Gegë Marubbi, i cli ruejti me shumë kujdes “pasurinë” prej rreth 150.000 negativave me vepra të shqueme. Në vitin 1970, familja ia “dhuroi” Shtetit…ashtu si këshillonte koha! Kjo “pasuri” së bashku me koleksione të tjera, formoi “Fototekën e Shkodrës” “sot nji institucion i posaçëm, e qendër e randësishme dokumentacioni për historinë, kulturën, dhe artet tona.”

Shprehja “talent” për aftësinë e Kel Marubbit nuk ashtë e drejtë, sepse “talenti” ashtë zakonisht inteligjenca e nji mjeshtrie. Per Marubbin duhet përdorë shprehja “gjeni”, naltësia e sentimenteve dhe e mendimeve tona që arrijnë pikën e revelimit, zbulimit të së panjohunës, me nji akt të njiherëshëm dhe të fuqishëm, që nuk përfill pa-aftësinë që e rrethon, dhe pengesat  që e kundërshtojnë!

Profesori francez, François Germain, e përmbledh kështu: “…Njeriu nuk ashtë kurrë me të vertetë i kënaqun nga bota e realitetit; dëshirohet nji farë kompensimi, ndjehet nevoja me korrigjue botën, ose me imagjinue nji univers tjetër që të ushqej nji prirje ose nji personalitet me dispozicion të kënaqshëm, në se ka mundësi, për nderpremje , dhe për të gjith njerëzimin”.

Fatmirësisht, kjo veprimtari u zhvillue në të njajtën kohë me ate të arkitektit dhe fotografit-piktor Kolë Idromeno (1860-1939), shkodran ashtu si Kel Marubbi, dhe si ai, refugjat i ikun nga qyteti shqiptar i Artës (sot në Greqi) i persekutuem nga autoritetet otomane. Nga Marubbi, ai kultivoi prirjen e tij për art. Ai ka meritën e organizimit të së parës ekspozitë kombëtare të “Arteve të thjeshta (Tiranë,1931). Idromeno ka ekspozue edhe në Budapest (1900)) dhe në Neë York (1939) e vende tjera. Kompozimi “Dasma Shkodrane” dhe portreti “Motra Tone” jane dy kryevepra të verteta arti në pikturë, dhe njihen mirë si në Shqipëri ashtu edhe në disa qarqe artistike të jashtëme.

E gjith kjo veprimari tregon edhe nivelin e zhvillimit kulturor të qytetit të veriut në vitet kur Shqipëria flinte gjumin e randë të mbrapambetjes së shkaktueme nga shkëputja me Europën. Fatkeqsisht, kjo Shkodër, qendër kulture e arti, u shtyp keqas nga  nji rregjim që nuk çmonte vlerat dhe meritat e  ktij qyteti të civilizuem.

Urojmë që çifti Pali, organizatorët e GR Art Gallery-Stamford, të vazhdojnë traditën e tyne të përkahjes së artit shqiptar në Amerikë, edhe në vitet e ardhme. sidomos me përkrahjen e artistëve të rij e premtues. Amen!

———————————————

Note: Marubi Collection is a UNESCO ëorld heritage photographic archive of over 150.000 original negatives depicting scenic landscapes and daily life in Northern Albania betëeen 1850-1940. These historical documents, mostly unedited ëorks and predominantly on silver bromide glass plates, serve a visual memory of the Albanian people’s national identity and cultural evolution.

The collection ëas complied over three generations by Pietro,  Kel and Gege Marubi. Pietro Marubi escaped from Italy and founded the photography studio in Shkoder, Albania in 1850. His earliest photographs gained international acclaim, as they ëere published in French, British and Italian journals. Pietro’s assistant Kel, and later on his son Gege, continued the Marubi legacy of capturing the customs ad traditions of Northern Albania.

Today, this breathtaking collection housed at the national Photo Museum in Shkoder, Albania, makes its debut in the United States at the GR Art Gallery in Stamford, CT. The ëorks presented here portray men and ëomen from all  social classes in their daily life at the end of the 19th century. They reveal a people anchored to their traditions, fierce guardians of their identity, set against the backdrop of the flourishing city of Shkoder.

(Muzeu Kombetar i                 GR                                         Ministria e Kultures

Fotografise Marubi)               Art Gallery                           Tirana, Albania

======================================================

Filed Under: Opinion Tagged With: “MARUBBI”, EKSPOZITA E PARE ARTISTIKE:FOTOGRAFIA, Sami repishti, shkoder

MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT, U PERKUJTUA NE VATER

March 19, 2017 by dgreca

1 Pellumb Lamaj2 dalipi salle2 Kryetari i vatres11 me salle-8 dalip me leter*Për herë të parë shfaqet në publik Autopsia e trupit të Mithat Frashërit, që u nda nga jeta në mënyrë misterioze me 3 tetor 1949 në Hotelin “Winthrop”,që ndodhej në 47th Street & Lexinton Avenue, në Manhattan, Nju Jork./

3 te perndjekurit10 Idrizi7 Eduard17358643_1594811517214450_9083750301890978611_o17310352_1594810707214531_3446389057330791581_o

Nga Dalip GRECA/Fotot: Dritan HAXHIA/

5 grup adem9 idriz ed pellumb11 Beashkim18 tavol Mithat14 TV Interv

Me insiativën e ish të burgosurit politik Pëllumb Lamaj, që përjetoi ferrin e Spaçit për më shumë se 11 vjet, autor poezish, essesh dhe i dokumtarëve historikë, si dhe një grupi nacionalistësh, grupim i Ballit Kombëtar, si dhe të përndjekurish politik, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” kanë organizuar të Shtunën me 18 Mars 2017, në Sallën e Vatrës, takimin përkujtimor kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit,studiuesit, publicistit, shkrimtarit, diplomatit, politikanit, avokatit të shqiptarizmës, Mithat Frashëri, fryma e fundit e Frashërllinjëve.

12 esati me Mujot13 Marjan15 grup me mua17359008_1594814920547443_8887313193726089328_o14 dr Gjoni Historiani

Veprimtaria Përkujtimore është organizuar me rastin e përvjetorit të Lindjes së Mithat Frashërit, 25 Mars 1880-Mars 2017.

117 Bajo17358698_1594818250547110_8582827574090385411_o17358747_1594807687214833_3884149601270423311_o17359475_1594812127214389_4984104038625773618_o17359227_1594810463881222_3217273360538641949_o

Përmes kumtesash të shkurtëra, dokumentesh, fotografish, janë zbardhur edhe disa nga misteriet e fundit të jetës së Mithat Frashërit, si dhe janë bërë kritika të ashpra  për abandonimin dhe harresën, që i ka bërë shteti dhe klasa politike shqiptare kësaj figure madhore kombëtare në 25 vjet tranzicion. Eshtë përsëritë, edhe një here në këtë takim përkujtimor,  kërkesa se është detyra e shtetit shqiptar që të kthejë në Atdhe eshtrat e Mithat Frashërit,që Jetën ia kushtoi Shqipërisë deri në rrahjen e fundit të zemrës.

Takimin përkujtimor e ka hapur Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i cili pasi ka përshëndetur organizatorët dhe pjesmarrësit, ka vlërësuar figurën e Mithat Frashërit dhe është ndalur në marrëdhëniet e Tij me Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Dr. Buçaj tha se Mithat Frashëri, sipas rekordeve arkivore dhe sipas  ish editorit të Diellit, autor i Historisë së Vatrës, Refat Gurrazezi, Mithat Frashëri u zgjodh në mungesë Kryetar i Vatrës më 1918,(por nuk mundi të udhëtojë për në SHBA për shkak të Luftës së I Botërore, po ashtu  Mithat Frashëri u emërua nga Vatra “delegat” në Zvicër, dhe së treti Mithat Frashërin e lidh me Vatrën, Fushata e madhe e “Huasë kombëtare”, e realizuar nga Vatra më 1920-1921, fushatë ku u mblodhën 198 mijë dollar nga Vatra dhe Mithat Bej Frashëri ishte i dërguari i Qeverisë së Sulejman Delvinës.

Më pas dr. Gjon Buçaj ka prezantuar moderatorin e veprimtarisë përkujtimore, Editorin e Gazetës “Dielli” Dalip Greca. Editori,vlerësoi figurën e Mithat Frashërit,figurë që u baltos për 50 vjet dhe ende vazhdon të mbetet e pavlerësuar nga qeveritë dhe politika shqiptare, duke tentuar që të hedhin mbi figurën eminente pluhur harrese dhe indiference.Qeveria e sotme e vlerëson Mithat Frashërin ende nën këndvështrimin e Epopesë së Ballit Kombëtar të Shefqet Musarajt.Eshtë koha që cdo shqiptar të clirojë shpirtin nga mëkati i së djeshmes. Indiferenca e sotme ndaj Mithat Frashërit është më shumë se sa mëkat.

Moderatori ftoi studiuesin, ish gazetarin e Zërit të Amerikës, anëtarin e Këshillit Drejtues të Vatrës, z. Idiz Lamaj, për të sjellë për të parën herë para publikut autopsinë e vdekjes, e cila zbardh vdekjen misterioze të Mithat Frashërit me 3 tetor 1949 në Hotelin “Winthrop”,që ndodhej në 47th Street & Lexinton Avenue, në Manhattan, Nju Jork. Autopsia mbanë firmën e dr. Fisher.Në autopsi janë egzaminuar organet: Truri, stomaku, mëlçia, veshkat etj. Kjo autopsi tani ndodhet në Arkivin e Vatrës.

Moderatori përcolli skriptin e një emisioni radiofonik të përgatitur nga studiuesi Idriz Lamaj për Zërin e Amerikës me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së Mithat Frashërit, trasmetuar me 8 Gusht 1989, ku vlerësohej figura e Mithat Frashërit si shërbestar i Kombit, si autor veprash letrare, historike dhe shkollore, si përkthyes, dhe bibliotekar i shquar, si politikan e diplomat. Në reportazhin e Lamajt vlerësohej kontributi i Mithat Frashërit si Kryetar i Kongresit të Manastirit, dhe anëtar i Komisionit për caktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me kryetar Atë Gjergj Fishtën. Mithat Frashëri ishte deputet i Shkupit në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërkohë që u emrua Ministër I Punëve Botore në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Veprimtari i komunitetit, Eduad M. Dilo, pejsmarrës i përhershëm në veprimtaritë kushtuar Mithat Frashërit, në kumtesë e tij tha: Erdhi përsëri ky përvjetor përkujtimi i trishtuar, i brengosur, së Atdheu ynë akoma nuk është bërë Atdhe i vërtetë i Shqiptarëve! Erdhi i brengosur se Eshtrat e ” Babait të Shqiptarizmës” pushojnë akoma larg vendit që e lindi,  edhe pse  tërë jetën ia përkushtoi vetëm Atdheut dhe Kombit, por Atdheu ende e quan të huaj përderisa e ka braktisur. Mithat Frashëri shkriu gjithë pasurinë për të pasuruar e ndriçuar Kombin, e Atdheu nuk ka 2 metër katror vend të pushojë aty, e të gjithë të venë të përulen e ta nderojnë, të mësojnë se si duhet bërë detyra ndaj Atdheut! I dekoruar e cilësuar “Nderi i Kombit “, Atij i mohohet Atdheu! -Paradokse vetëm Shqiptare!

Dr. Skënder Murtezani, Kryetar i degës së Vatrës në Queens, vlerësoi figurën e Mithat Frashërit dhe prezantoi veprimtaritë e vatranëve të Queensit për këtë figure madhore Kombëtare. Ai solli edhe hulumtimet e bëra rreth udhëtimit të Mithat Frashërit nga Londra në Nju Jork, duke sjellë në arkivin e Vatrës edhe kopje të biletës së udhëtimit.

Moderatori përcolli edhe një fragment nga esseja e shkruar me rastin e këtij përvjetori nga studiuesi Anton Çefa, ish Editor i Diellit. Në esenë”Mithat Frashëri:”Partia ime është Shqipëria”, shkruhej:” Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.

Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm…”

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm ish të përndjekurish politik si: Pëllumb Lamaj, Esat Çoku,Hasan Bajo, Edmond Sejko, Vëllezërit Fatmir, Eqrem, Novruz Mujaj me të birin. Vëllezërit Mujaj kishin sjellë për arkivin e Vatrës Dekretin e presidentit Nishani, që dekoronte Pjestarët e kompanisë 4000, pjesë e të cilit ishte luftëtar aktiv edhe babai i tyre Sefer Mujo Luarasi dhe xhaxhai i tyre, Aldo. Eqerem Mujo, pjesmarrës në ceremoninë dekoruse të organizuar në Presidencën e Shqipërisë, tha se ndjehen krenarë që babai i tyre ishte një ndër ushtarët e Shqipërisë Etnike, dhe patën si frymëzues Mithat Frashërin.

Me pas modertaori ka prezantuar ish të përndjekurin politik Pëllumb Lamaj, që kaloi 11 vitet e rinisë së tij në burgun famkeq të Spaçit, një kritik i rreptë i skenarit të Katovicës, zbatuar verbërisht në Shqipëri, kritik i të gjitha qeverive, njeriu që ka marrë përsipër të ndriçojë me shpenzimet dhe kontributin e tij figurën e Mithat Frashërit.

Në fjalën e tij të shkurtër Pëllumb Lamaj, vlerësoi jetën dhe veprën madhore prej patrioti të pastër të Mithat Frashërit, sakrificat e tij si shërbestar i Kombit, kontributin e madh në Kulturën shqiptare, shërbimi ndaj popullit shqiptar, ku ndriçon roli i avokatit të madh në mbrojtje të popullsisë Çame, kontributi ne ngjarjet e Pavaresise, ku mbajti post Ministri, i pari që dha dorëheqje; lufta kundër Komunizmit dhe themelimi i Ballit Kombëtar dhe më pas përzgjedhja e tij në krye të Komitetit Shqipëria e lirë, e para qeveri serioze në mërgim pas Luftës së Dytë Botërore’. Mithat Frashëri, nuk lejoi që në Shqipëri të zbatohej skenari sllav për vetëvrasjen mes shqiptarëve, duke e shpërndarë Ballin Kombëtar dhe duke marrë në moshë të thyer rrugën e vështire të Mërgimit, sërish si Shërbestar i Kombit.

Lamaj e ka përjetësuar figurën e MITHAT Frashërit  në Dokumentarin” MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT “, e realizuar me shpenzimet dhe kontributin e vet krijues.

Unë, kaq i pata mundësitë,kaq munda të bëj, të tjerët le ta bëjnë më mire, tha ai para se të shfaqej dokumentari ” MITHAT FRASHERI, FYTYRE E KOMBIT“.

Për 45 minuta të pranishmit ndoqën shfaqjen e dokumentarit, një kopje të të cilit, autori Pëllumb Lamaj,ia dhuroi arkivit të Vatrës.

Krahas Kryetarit të Vatrës ishin të pranishëm edhe zv.Kryetari Asllan Bushati, anëtarët e  Kryesisë Marjan Cubi dhe Skënder Murtezani, anëtarët e Këshillit  të Vatrës Bashkim Musabelliu dhe Zef Përndocaj. Nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe historiani Pjetër Ivezaj dhe shkrimtarja e gazetarja nga Kosova Ajete Beqiri.

Veprimtaria u filmua nga Televizioni Kultura Shqiptare në Nju Jork, me pronar Adem Belliu.

Kontribut për veprimtarinë dha Dritan Haxhia me Video Photography Tani Studio, që ndodhet në adresën: 778 Lydig Ave, Bronx, NY 10462

Phone: (646) 468-8482

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dritan Haxhia, FYTYRE E KOMBIT, Mit'hat Frasheri, U PERKUJTUA NE VATER

Teuta Arifi, në karrigen e Nikolla Poposkit?

March 19, 2017 by dgreca

“Politikania e cila në Qeverinë e re të Maqedonisë mund të jetë ministre për punë të jashtme”- kështu gazeta serbe “Politika” në numrin e saj të fundit e prezenton intervistën me kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi dhe shton – Arifi pohon se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni nuk etikenton asnjë shtet të rajonit, e sa Serbinë, transmeton FLAKA.

teuta-arifi-890x395

Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv në Maqedoni akoma nuk janë formuar dhe nuk dihet se kur do të nodh kjo, shkruan “Politika”.BE, SHBA dhe NATO çdo ditë bëjnë presione ndaj presidentit Gjorge Ivanov ta dorëzojë mandatin për të formuar Qeveri të re nga ana e përfaqësuesve të shumicës së re parlamentare të Zoran Zaevit.

Për Ivanovin, megjithatë kjo temë është e mbyllur dhe ai kthehet te punët e shtetit në vend dhe jashtë vendit. Populli akoma proteston dhe e mbron vendin nga Platforma e Tiranës, shkruan gazetari në pjesën hyrëse të intervistës me Teuta Arifi. Por, LSDM dhe partitë e koalicionit të shqiptarëve me durim e përgatisin seancën konstituive të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën duhet të zgjidhet kryeparlamentari, kurse VMRO-DPMNE instiston për zgjedhje të reja.Për situatën në Maqedoni, për atë se si kanë rrjedhur bisedimet paszgjedhore dhe për vetë dokumentin i cili quhet shqiptarë ose Platforma e Tiranës, për “Politika” flet nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi, e cila me siguri karrigen e kryetares së komunës do ta ndërrojë me karrigen e Ministrisë së punëve të jashtme, thotë “Politika”.

Në paralajmërimin e kësaj gazete në ueb faqen e saj elektronike për intervistën me Teuta Arifin, për atë shkruan se ajo flet rrjedhshëm angjisht, frengjisht, italisht, maqedonisht, turqisht, kurse intervista është zhvilluar në serbisht në kabinetin e saj në Tetovë, që dëshmon se e njeh edhe serbishten. FLAKA

Filed Under: Politike Tagged With: në karrigen, Poposkit, Teuta Arifi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT