• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Arrihet marrëveshja për krizën ne Shqipëri

May 17, 2017 by dgreca

“Platforma McAllister Plus” – Arrihet marrëveshja për krizën ne Shqipëri/

basha_rama_ok_21495063864Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha arritën sot në orët e para të mëngjesit një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike. Të dy udhëheqësit kryesorë u takuan kokë më kokë në mbrëmje për më shumë se tre orë. Ata dolën së bashku përpara mediave për të njoftuar arrijtjen e kompromisit, por pa dhënë detaje. Zoti Basha tha se marrëveshja ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platforma McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje dy ditë më parë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Basha tha se marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës. Të dy më pas u ndanë duke shtrënguar duart me një gjest sportiv dhe aspak protokollar, si shenjë e një marrëveshjeje që i kishte kënaqur të dyja palët.

Ndonëse për afro tre muaj këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, opozita pranoi dje një tërheqje, përfshirë dhe nga disa kërkesa të tjera, duke deklaruar se është plotësisht dakort me propozimin e integruar të paraqitur ditën e hënë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Një propozim i cili përfshinte të ashtuquajturën “Paketa McAllister” si dhe propozimet që më pas kryeministri Edi Rama bëri në dy takimet që ai pati me zotin Basha, ku oferta e shumicës kushtëzohej me përfshirjen e opozitës në komisionet parlamentare që do të duhet të përzgjedhin anëtarët e strukturave të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Siç saktësoi dhe një deklaratë e koalicionit opozitar, përgjigja për zotin Hoyt Yee, duhej të ishte vetëm një ‘PO’ ose një ‘JO’, dhe se çdo propozim shtesë do të konsiderohej refuzim. Opozita deklaron se ka thënë ‘PO’, përfshirë dhe votën për Vettingun. “Duke pranuar propozimin e integruar McAllister Plus të paraqitur nga zoti Hoyt Yee, i cili nuk përfshin shumë nga kërkesat tona thelbësore, opozita ka dëshmuar vullnetin dhe mirëbesimin për të punuar drejt një zgjidhje politike që do t’u garantojë shqiptarëve kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës”, thekson deklarata e koalicionit opozitar, duke shtuar se “tani është koha që Zoti Rama të thotë ‘PO’, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm”.

E majta duket se nuk ishte dakort me shtyrjen e datës së zgjedhjeve e cila sipas “Paketës McAllister” mund të jetë 16 korriku. Në një deklaratë të sajën Partia socialiste akuzoi opozitën për “abuzime mediatike në një proces serioz dhe delikat për të kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes”, theksohet në tekst, ndërsa më pas shton se PS është angazhuar për arritjen e një rezultatati pozitiv që sipas saj do të thotë “garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të kushtetutës dhe ligjit”.

Në një letër dërguar kryeministrit, zoti Basha ritheksoi pranimin e propozimit të integruar të paraqitur nga zoti Hoyt Yee dhe i bëri thirrje atij që të konfirmonte publikisht “pranimin pa kushte të propozimit amerikan”. Kryeministri është përgjigjur shkurtimisht përmes një postimi në Twitter, duke i kërkuar kreut të opozitës që të lerë letrat publike dhe të fokusohet te oferta që ka në tryezë.

Por fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Ambasadori amerikan Donald Lu pati dje një takim gati dy orësh me zotin Basha, ndërsa menjëherë më pas takoi për afër 20 minuta kryeministrin Rama. Në mbrëmje, me nismën e dy partive opozitare, Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, u mblodh një tryezë e krerëve të forcave politike, ku të pranishëm ishin si kryeministri edhe kreu i opozitës.Takimi zgjati për afër 1 orë, pas të cilit dy drejtuesit kryesorë politik, Rama dhe Basha, vijuan bisedimet kokë më kokë mes tyre, pa dëshmitarë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: arrihet marrveshja, Rama-Basha

“Bamirësia nuk të bën të varfër”

May 17, 2017 by dgreca

Grupi Ideartë me nismën “Bamirësia nuk të bën të varfër”/

unnamed (3)unnamed (2)unnamed (5)1 fitusja

Nga Ermira Babamusta/Grupi rinor vullnetar “Ideartë” ka nisur disa nisma bamirëse për qytetin dhe banorët e Peqinit. Konceptuar nga Ermir Cani dhe themeluar nga një rrjet shoqëror në vitin 2015 shoqata Ideartë ka organizuar disa aktivitete social-kulturore për të ndihmuar qytetarët e Peqinit.

Çdo vit organizohet nisma “Bamirësia nuk të bën të varfër” ku të rinjtë e grupit dhe të tjerë kontribojnë me financa dhe mënyra të tjera, për të ndihmuar familjet në nevojë që të festojnë fundvitin. Prioritet ka qenë edhe nxitja për lexim me nismën “Librat Janë Pasuri”. Me ndihmën e Shtëpisë Botuese “Onufri” bibloteka e qytetit u pasurua me 300 libra.

“Falenderojmë përzemërsisht drejtorin e Shtëpinë Botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri për përkrahjen e idesë sonë dhe ndihmesën e menjëhershme e cila nuk u kursye, sapo u informua rreth grupit tonë rinor dhe projektit mbi librat. Biblioteka u pasurua me 300 libra, në dispozicion prej disa muajsh të qytetarëve libërdashës,” tha Ermir Cani, një nga themeluesit e grupit.

 “Krijimi i grupit tonë fillimisht nisi nga një rreth shoqëror, ndanim të njëjtat mendime dhe duke parë që jetonim në një qytet historik dhe plot vlera, menduam se si mund t’i investonim aftësitë dhe mundësitë tona modeste në Peqin. Këtu lindi “Ideartë” që dëshifrohet në ide të arta, secili që ka një ide të bukur e prezanton dhe ne mobilizojmë forcat për ta jetësuar këtë ide. Disa nga aktivitetet tona janë: maratona me biçikleta që tashmë është bërë e përvitshme, bamirësi në fundvit për ti dhënë mundësinë familjeve më në nevojë për të festuar njësoj. Gjithashtu prioritet kemi edhe nxitjen e të lexuarit prandaj kemi bërë donacion nëbibliotekën e qytetit tonë rreth 300 libra,” shtoi Ermir Cani.

 Në 3 tetor 2016 u organizua për të dytin vit radhazi “Maratona me Biçikleta”, nga grupi rinor “IDEARTË” në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, Bashkinë dhe Policinë e qytetit. Gara me biçikleta u zhvillua midis nxënësve të dy shkollave “Demir Godelli” dhe “Adem Bedalli” me propozim nga “Ideartë” dhe me mbështetje nga mësuesit e fizkulturës: Brikena Kosta dhe Bledar Zyba.Ideartë u themelua në vitin 2015 si nismë e përbashkët nga grupi i të rinjëve, përkatësisht: Izaora Çollaku, Doralda Dushku, Denajda Dervishi, Hermes Gjinishi, Aldo Kajo, Entela Çela, Ogerta Gripshi, Brunilda Dubali dhe Ermir Cani. Disa nga anëtarët e tjerë janë: Brikida Çollaku, Franko Kateshi, Alessia Vogli, Rikardo Vogli, Renis Resuli, Eridana Sulkja, Armand Dranga, Rigers Haremija, etj.

 “Të shfrytëzosh energjitë, idetë, potencialin individual për të pasuruar jetën social-kulturore të qytetit tënd me histori të lashtë, por që aktualisht dashur padashur është pluhurosur nga një petk monotonie e rutine që lë për të dëshiruar, për të parë fytyra të vendlindjes tënde që shndërrisin lumturi nga aktivietet tona, mendoj se është shpenzimi më me vlerë i kohës! Ndaj jam munduar gjithmonë të ndjek çdo takim të grupit. Më i preferuari ndër organizimet tona, për mua, deri tani është pasurimi i bibliotekës së qytetit me rreth 300 libra falë përkrahjes së pakusht që na ka ofruar z. Bujar Hudhri, drejtor i SHB “Onufri”. I kemi dhënë kështu mesazhin të rinjve, e jo vetëm, për të përqafuar librat, dijen, të bukurën! Ne “Ideartët” jemi grup vullnetarësh dhe mirëpresim çdokënd që dëshiron të kontribuojë pakëz me idetë dhe aktivizimin e tij për gjallërimin e Peqinit, për tu ndierë mirë, për eksperienca të pakrahasueshme, për të lënë një gjurmë,” tha Izaora Çollaku, një nga themelueset e grupit “Ideartë”.

Filed Under: Sociale Tagged With: “Bamirësia nuk të bën të varfër”, Ermira Babamusta

RAMUSH HARADINAJ: HERO NË LUFTË, HERO NË PAQË

May 17, 2017 by dgreca

1 Ramush Haradinaj

Nga Frank Shkreli/Pas lirimit të tij nga një gjykatë franceze ku mbahej nën akuza të trilluara nga bashkpuntorët e ngushtë të kriminelit Sllobodan Millosheviç që sot udhëheqin Serbinë, Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë globit për mbështetjen që i dhanë gjatë qëndrimit të tij në Francë.    Gjatë përballjes së tij me akuzat fals të Serbisë për krime lufte, Z. Haradinaj ka gëzuar gjithmonë, sidomos në rastet më të vështira të jetës së tij, mbështetjen e pjesës dërmuese të shqiptarëve, si mbrenda ashtu edhe jashtë Kosovës.  Më kujtohet se ishte viti 2005 dhe unë ndodhesha në Prishtinë me një delegacion, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Ipeshkvi i atëhershëm katolik i Kosovës, i ndjeri Mark Sopi kishte kërkuar një takim me mua, vetëm e vetëm, për të biseduar për rastin Haradinaj dhe për të çkëmbyer ide se ç’ishte e mundur për të ndihmuar Ramush Haradinajn në atë kohë, si komunitet shqiptaro-amerikan por edhe për të ushtruar influencën tonë në qarqet e politikës amerikane, në mbështetje të tij.  Përkrahja për të dhe për familjen e tij ishte e fortë atëherë dhe është edhe sot në radhët e shumicës së shqiptarëve kudo.  I vetdijshëm për këtë mbështetje, Z. Haradinaj është shprehur se lirimi i tij kohët e fundit nga gjykata franceze, nuk ishte vetëm një fitore për të, por siç e ka cilësuar ai, ajo ishte edhe një fitore e të “drejtës shqiptare”, duke thënë se “shqiptarët sot kanë fituar” gjithashtu, ndërkohë që falenderoi të gjithë shqiptarët kudo për përkrahjen e dhënë, duke deklaruar se, “Kurrë nuk është boll të punosh për vendin tëndë”.

Ramush Haradinaj luftoi për Atdhe, familja e tij flijoi për Atdhe dhe tani ai ka vendosur që të mos pushojë së punuari për Atdhe.  Si kryetar i Aleancës për Ardhëmërinë e Kosovës, është njoftuar se Z. Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës i koalicionit të posa njoftuar (PDK-AAK-NISMA), në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në atë vend.  Pas këtij njoftimi, Z. Haradinaj shënoi në faqën e tij elektronike fejsbuk se si kandidat për kryeministër të Kosovës, ai zotohet se jo vetëm do të punojë për Atdheun, por u premton zgjedhësve se duke punuar për Atdhe ai, “Do t’a nderojë Atdheun”.

“Besimin e dhënë në luftë e kam nderu edhe te bashkëluftëtarët edhe te populli im; Besimin e dhënë nga Presidenti Rugova e kam mbajt me nder; Me besimin e dhënë sot, do ta nderoj atdheun!  Na priftë e mbara”, është shprehur Z. Haradinaj në faqen e tij elektronike fejsbuk.

 Arrestimin e fundit të Zotit Haradinaj në Francë në bazë të trillimeve serbe kundër tij, e pata cilësuar në një shkrim me atë rast, si një urgjencë kombëtare, sepse ishte një padrejtësi kombëtare ndaj luftës dhe të drejtës së shqiptarëve për liri, demokraci dhe pavarësi.  E tillë edhe ishte. Ishte një ndalim i padrejtë, pasi Z. Haradinaj është përballur sy patrembur dhe si burrat, dy herë më parë me Tribunalin Ndërkombëtar duke nderuar veten dhe kombin me qëndrimin dhe trimërinë e tij, për t’u përballur me drejtësinë.  As ndalimi i tij i fundit dhe as gjykimi i tij në Francë nuk mund të përfundonte ndryshe veçse me lirimin dhe shpalljen pafajsisë së tij.

E kam thënë shpesh se shqiptarët duhet të zgjohen nga kllapia mbas sundimeve kriminale dhe të mbrapshta për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm, nëqoftse duan të shënojnë përparimet e nevojshme për shekullin 21.  Duhet të marrin fatin në duart e veta dhe të ndërmarrin një fillim të ri politik, duke kërkuar nga përfaqsuesit e tyre të zgjedhur, që mbi të gjitha, t’i shërbejnë Atdheut sepse “Shqiptar më ka falë Zoti” ka thënë Haradinaj gjatë një interviste.   T’u shërbejnë   interesave të popullit e jo interesave partiake e personale, ndërkohë që, si pasojë, shqiptarët po largohen masivisht nga trojet e veta, falë mjerimit ekonomik dhe konflikteve politike.  Zgjedhjet, normalisht do të duhej të shërbenin për një fillim të ri, duke përfshirë njerëz të ri në politikë me programe dhe ide të reja, me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe me përkushtim serioz ndaj shërbimit publik, gjë që fatkeqsisht nuk ka ndodhur në këto 27-vjetë post-komunizëm, as në Shqipëri as në Kosovën e pavarur.

Zotit Haradinaj, siç dihet, ka shërbyer si Kryeministër i Kosovës për një kohë të shkurtër prej 100-ditësh në vitin 2005, që në të vërtetë nuk ishte e mjaftueshme që të bënte ndryshime të mëdha, por ama ishte një kohë e mjaftueshme që të bindte disa vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm se, siç më pat thënë një ish-zyrtar amerikan në atë kohë për Kryeministrin Haradinaj, se si udhëheqës, “He is a doer, gets things done”. “Ai e bën punën, i kryen punët”.  Kjo është trashëgimia e tij për atë kohë tepër të shkurtër që pat shërbyer si Kryeministër i Kosovës, madje edhe në sytë e të huajve.

Besoj se Z. Haradinaj i njeh mirë miqtë dhe armiqtë e Kosovës.  Besoj gjithashtu se ai është i bindur se Kosovës i nevojitet gjithnjë miqësia e ndërkombëtarve, sidomos mbështetja e vazhdueshme e miqëve tradicionalë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por shqiptarët në përgjithsi, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, nuk do t’i merr kush seriozisht nëse vazhdojnë të veprojnë të ndarë e të përçarë politikisht, në dëm të interesave madhore të kombit.  Për zgjedhsit shqiptarë, është koha për t’u zgjuar, para se të bëhet vonë.

Rezultati i zgjedhjeve të ardhëshme në Kosovë duhet të bindë jo vetëm popullin e Kosovës por edhe miqtë e Kosovës se politikanët që do të qeverisin vendin në vitet e ardhëshme, do të venë interesat e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj mbi përfitimet personale dhe partiake. Votuesit e Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë presin nga udhëheqsit e ri të Kosovës që do të zgjidhen me 11 qershor — që ashtu siç është shprehur edhe Ramush Haradinaj — se duke punuar seriozisht për interesat e Atdheut, me punën e tyre, ata njëkohsisht  do “të nderojnë edhe Atdheun”, por edhe miqtë të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe kombit shqiptar.

Se cilët do jenë udhëheqsit e ri që do të qeverisin Kosovën katër vitet e ardhëshme dhe nëse ata do të jenë të tillë që duke punuar për Atdhe, nderojnë Atdheun, natyrisht është në dorë të zgjedhsëve dhe varësisht votës së tyre me 11 qershor.  Zoti Ramush Haradinaj paraqitet si një alternativë dhe kandidaturë serioze për Kryeministër të vendit në zgjedhjet e ardhëshme në Kosovë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, HERO NË LUFTË, HERO NË PAQË, Ramush Haradinaj

Basha: Vlerësim për katolikët, fushatë shpifjesh nga Kryeministri

May 17, 2017 by dgreca

Para se të futej në Kryesinë e Kuvendit në takimin e me krerët e partive parlamentare për krizën politike, kreu i PD Lulzim Basha reagoi ndaj asaj të cilës iu referua si një fushatë shpifjesh që synon të përçajë kombin.

Bëhet fjalë për një deklaratë të tij lidhur me komunitetin katolik. Basha sqaroi se qëllimisht është stigmatizuar ky komunitet dhe keqpërdorur konstatimi i tij lidhur me kandidimin  e personave me rekorde kriminale nga kryeministri Rama në veri të vendit.Ai akuzoi Ramën si përgjegjës të kësaj situate por dhe fushatës së shpifjes nga e cila u distancua. Ja Prononcim i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:

Prej disa ditësh një fushatë shpifjesh, dezinformimesh me frymë përçarëse kombëtare ka nisur nga e njëjta mendje e prishur, e cila, me ndihmën e veglave të veta të verbra ka muaj dhe vite që dezinformon dhe përpiqet të përçajë shqiptarët.

Duke marrë shkas nga një intervistë e imja, ku konstatova problemin e rëndë të personave me rekorde kriminale në pushtet, kjo fushatë dezinformimi ka stigmatizuar një ndër komunitetet fetare në Shqipëri, komunitetin katolik. Dua së pari, të refuzoj me përbuzje shpifjet e ulëta, barbare, të cilat adresojnë në gojën time përkatësi fetare për kriminelët. Dua ta them fare qartë se qëndrimi im nuk ka qenë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se konstatimi se në zonat më antikomuniste të Shqipërisë, për shkak të shtypjes dhe terrorit ndaj një komuniteti me lidhje të veçanta me Perëndimin, komunitetit katolik, zona që tradicionalisht votojnë djathtas, Rama zgjodhi të kandidojë persona me rekorde kriminale, ndonëse në komunitetin katolik nuk mungojnë si në çdo komunitet tjetër profesorë, artistë, sportistë, njerëz të nderuar, përfaqësues të vlerave më të mira që mbart ky komunitet. Ky informim dashakeqës bëhet edhe më cinik, sepse mbart me vete një frymë përçarëse me një komb, i cili mund të mos krenohet me politikën dhe politikanët dhe shfaqjet e teatrit të kukullave dhe karagjozllëqet, por duhet të krenohet gjithmonë me frymën e pastër të harmonisë dhe dashurisë së shqiptarëve me njëri-tjetrin pavarësisht se nga ku kanë vendosur t’iu luten Zotit, nga kishat apo xhamitë.

Dua t’iu shoh në sy dhe t’iu them: Të dashur besimtarë katolikë! Me ju që kam ndarë në kishat tuaja dhe në shtëpitë tuaja Krishtlindje dhe Pashkë, vlerësimi im dhe i Partisë Demokratike për komunitetin tuaj është një vlerësim i patundur jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme të qëndresës antikomuniste dhe të mbështetjes tradicionale për Partinë Demokratike, por për faktin se keni qene ne momente shumë të vështira të historisë sonë, një urë lidhëse me Perëndimin. Pata fatin ta ndaj këtë mendim me Papa Françeskun kur e prita në Tiranë si kryetar Bashkie.

Dhe nuk do të harroj kurrë se përmes mbështetjes suaj, qëndresës suaj dhe vlerave tuaj, keni dëshmuar se shqiptarët si një popull që e kanë marrë përmes rrugës apostolike të Shën Palit besimin e Krishtit, vazhdon të mbështetet fuqimisht në ato vlera tashmë të sekularizuara, që quhen vlerat europiane, dhe për të cilat Partia Demokratike dhe unë luftojmë dhe do të luftojmë vendosmërisht. Ndaj duke hedhur poshtë me përbuzje këtë fushatë shpifjesh dhe denigrimesh, duke treguar me gisht autorin, i njëjti, i cili po me të njëjtat mënyra u mundua të ngjallte terror në protestën e opozitës, mbetem i vendosur për të luftuar për të drejtat e katolikëve, të ortodoksëve, të myslimanëve, të ungjillorëve dhe çdo besimtari të Zotit dhe çdo jo-besimtari sipas zgjedhjes së tij apo të saj, në një Republikë të Re, ku të drejtat tuaja të jenë të garantuara dhe përfaqësimi juaj të jetë në dorën tuaj dhe jo në dorën e politikanëve të papërgjegjshëm që zgjedhin të poshtërojnë shqiptarët përmes emërimit të kriminelëve në detyra shtetërore.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Basha: Vlerësim, për katolikët, shpifje nga kryeministri

Presidenti Nishani, i ftuar në Universitetin e Oxfordit

May 17, 2017 by dgreca

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, ka qenë i ftuar nderi nga  Presidenti i “Oxford Union”, Michael Li./

1 Nishani Oxford2 Nishani oxford

Kreu i shtetit shqiptar mbajti një ligjëratë në Universitetin e Oxfordit, kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, rolit dhe kontributit të shqiptarëve në rajon, procesit të integrimit evropian situatës dhe gjendjes së paqes e sigurisë globale dhe kontributit të Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe sfidat me të cilat përballet brezi i ri në ditët e sotme.Në ligjëratën e tij, Presidenti Nishani duke vënë në dukje se të ftuarit e mëparshëm kanë qenë figura të shquara në të gjitha fushat e jetës, politikanë, akademikë, artistë, veprimtarë shoqërorë, u shpreh se: “Ajo që më bën edhe më shumë të nderuar është fakti që këtij auditori i është adresuar edhe një shqiptare shumë e madhe, Nënë Tereza, e cila që prej shtatorit të vitit të shkuar është Shën Tereza e Kalkutës. Dëshiroj që edhe të përgëzoj Unionin e Oxfordit për rolin që luan për orientimin e debateve në tematikat më të mprehta të kohës. Ndaj dhe unë sot do të dëshiroja të ndaja me ju dy çështje që mendoj se janë thelbësore, si për vendin tim, ashtu edhe për sigurinë tonë të përbashkët.”

Gjithashtu ai vuri në pah faktin se Ballkani i njohur dikur me termin “fuçi baruti e Evropës”, tashmë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, shpërbërjes jokonsensuale të ish-Jugosllavisë dhe konfliktet etnike që e shoqëruan, por sidomos pas fitimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: “hapi një kapitull të ri. Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit u përfshinë në dialog me njëri-tjetrin. Axhendat e tyre u orientuan drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Shqipëria ka mbështetur e vijon të mbështesë fort dhe qartazi ecjen përpara të rajonit dhe po jep kontributin e saj konkret dhe shumë domethënës për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.”

“Situata post-zgjedhore në Maqedoni është e tensionuar dhe forca të ndryshme politike kërkojnë ta devijojnë krizën politike dhe ta transferojnë në domenin e rrezikshëm ndëretnik. Po kështu, situata në Bosnje-Hercegovinë, është larg të qenit një shtet normal. Vetëm vijimi me vendosmëri i rrugës së reformave të thella dhe i orientimit euroatlantik dhe Evropian i vendeve të rajonit, deri në anëtarësimin e plotë në këto organizata, do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, si dhe çliruar nga metafora e ‘fuçisë së barutit’. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s në rajon, dhe këtë e sheh si përgjegjësi dhe mundësi për të kontribuar sa më shumë të mundet e me të gjitha kapacitetet e saj që rajoni, mos të vërë më në pikëpyetje paqen, por të rrisë sigurinë e bashkëpunimin. Sigurisht, që këtu në Mbretërinë e Bashkuar, çështja e integrimit evropian merr një vëmendje e ngarkesë të veçantë në këto momente, por për Shqipërinë dhe shqiptarët, e besoj edhe për vendet e tjera të rajonit, mbetet projekti strategjik më madhor. Por sigurisht që çështja nuk është vetëm se, kur këto vende do të kenë mbushur kriteret dhe standardet për të qene vende anëtare, por edhe kur vetë Unioni do të jetë gati për t’i pranuar.” – nënvizoi Presidenti Nishani.

Duke folur për situatën e përgjithshme globale të paqes dhe sigurisë si dhe sfidat nga terrorizmi me baza fetare dhe ekstremizmi i dhunshëm, Presidenti Nishani vuri në dukje se: “Hapësira të pasigurta e shumë pika të dobëta kanë rritur mundësinë që shoqëria njerëzore dhe garancitë e deritanishme për vlerat tona të përbashkëta, të jenë seriozisht të kërcënuara. Turbulencat e fuqishme ekonomike, në shkallë shumë më të gjerë se krizat e mëparshme, ndryshimet klimatike, konfliktet dhe luftërat lokale me implikimet e rrezikshme etnike, fetare e rajonale, po e dëmtojnë shumë strukturën e sigurisë sonë, si dhe po prodhojnë kriza të tjera shumë më të rrezikshme e të paparashikueshme.

Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e këtij kërcënimi brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë. Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit. Ndërsa në nivel rajonal është rritur bashkëpunimi me vendet fqinje për shkëmbim informacioni dhe koordinim veprimesh.

Shqipëria ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë. Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur fort Shqipërinë në procesin e demokratizimit të vendit, në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve shtetërore, si dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Një bashkëpunim shumë të mirë për çështjet e sigurisë, ka mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, bashkëpunim ky që ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më shumë.” – tha Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani tha se është e rëndësishme për brezin e ri që të marrë përsipër përgjegjësitë e të rrisë rolin e të ngrejë zërin e vet, duke ushtruar trysni pozitive ndaj aktorëve vendimmarrës të shoqërisë duke filluar që nga politikanët, intelektualët, media, shoqëria civile që të jenë të përgjegjshëm, në mënyrë që këto sfida të përballohen me sukses e të tejkalohen, duke theksuar se: “brezi i ri duhet inkurajuar se këtë mund ta arrijë vetëm nëpërmjet arsimit cilësor, kontributeve në politikë, ekonomi, shkencë, kulturë si dhe duke u frymëzuar nga shembujt pozitivë të harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar, ku Shqipëria dhe shqiptarët ofrojnë një shëmbull dhe rast unik vlerash të provuara historikisht në këtë drejtim. Brezi i ri, ju dhe bashkëmoshatarët tuaj jeni të përkushtuar ndaj zhvillimit të shoqërisë suaj, vendit tuaj dhe botës e vlerave të civilizimit. Ajo që është më e rëndësishme është ndjenja juaj e përgjegjësisë dhe e përfshirjes në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët.”

Në përfundim të ligjëratës së Tij, Presidenti i Republikës zhvilloi një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me studentët, profesorët dhe akademikët e pranishëm, duke iu përgjigjur një serie pyetjesh mbi tema të ndryshme si integrimi i Shqipërisë dhe arritja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, situata aktuale politike dhe rëndësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, zhvillimi dhe promovimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e botës, nevoja që brezi i ri të pajiset me shpresë, mundësi reale e të prekshme dhe arsim cilësor për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet, etj.

Filed Under: Kronike Tagged With: i ftuar ne Oxford, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT