• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

Analizë mbi programin dhe dështimet e rilindjes mavi

June 24, 2017 by dgreca

dr-ledian-droboniku

Nga Dr. Ledian Droboniku,docent i së drejtës kushtetuese/  Në një tentativë për të dalë prej ligjëratës banale që ka përfshirë vendin, synojmë modestish të hedhim pak dritë mbi shkaqet e vërteta të vazhdimit të rrënimit të shtetit dhe ekonomisë shqiptare edhe këto 4 vite.

Sigurisht në një vend normal, këtë duhet ta bënte opozita. Fatkeqësisht nuk jemi në një vend normal dhe opozita është thjesht një aktor i këtij banaliteti të induktuar. Por si shprehej Markuze: “banal është vetëm projeksioni i filmit për të hutuar turmat, sepse projektori nga pas është i sofistikuar”. E pra nga pas, ekziston një oligarki politike ngritur mbi monopole ekonomike e mediatike që fabrikon një konsensus të rremë mbi miliona shqiptarë.

Nga ana tjetër, një shoqëri nëse do të shërohet, duhet të bëjë mirë diagnostifikimin e sëmundjes, kërkuar shkaqet e jo të mjaftohet me simptomat apo njohuritë sensoriale. Vetëm kështu mund të kuptojmë, se përse rotacioni i emrave apo siglave, është një betejë e rremë nëse nuk krijohet më parë një vetëdijesim kolektiv se kujt i intereson ky status quo? Vetëm pas kësaj përgjigjeje, ndoshta mund të niset një luftë reale për të nxjerrë vendin prej kolapsit ekonomiko-shoqëror.

Merremi me programin e Partisë Socialiste, se partitë e tjera as kanë pasur dhe as kanë një program koherent,  por zhgarravina hedhur kuturu nga ekspertë ekspresi.

Hartimi i programit të Rilindjes para 4 vitesh krijoi shpresën se më në fund tranzicioni do të përfundonte. Vizioni ekonomik dhe politik i atij programi ishte në unison dhe me retorikën antisistem, që udhëheqja mavi po çonte përpara. Pritshmëria u pompua aq shumë, sa interceptoi dhe aspiratat e intelektualëve dhe jo vetëm shtresave të margjinalizuara këto dekada.

Boshti qendror i atij programi ishte punësimi. “Në kundërshtim me ata që pretendojnë se punësimi i plotë është i pamundur, ne synojmë të ofrojmë mundësi punësimi për të gjithë individët e aftë për punë” – recitonte shprehimisht programi (faqja 20).

Për ata që kanë pak njohuri ekonomike (jo vetëm çertifikata shkollash e ojf-je) kjo do të thoshte, se Partia Socialiste më në fund kishte vendosur të bënte partinë socialiste, të përfaqësonte të majtën, pra të varfrit, të braktiste dogmën neoliberiste e të përqafonte vizionin keynesian (kapitalizmin social që privilegjon punën mbi kapitalin, demokracinë mbi elitizmin).

Pikërisht në faqen 13 të programit, shkruhej se: “Shqipërisë i nevojitet një model i ri ekonomik”, kalimi nga një ekonomi importi në një ekonomi prodhimi (faqja 14); reduktimi i pabarazisë ekonomiko-sociale; lufta ndaj monopoleve, privatizimeve dhe koncesioneve (faqja 9 e më tej); zgjerimi i shërbimeve publike (arsimi, shëndetësia, transporti, etj), politika fiskale dhe monetare (faqja 29)

Por nëse ky programi ishte fantastik në letër, po aq spektakolar ishte dhe falimentimi në realitet.

Pas tentativave 4 vjeçare për të parafabrikuar shifra, anatemuar qytetarët e biznesin, vetë Kryeministri pranon 10 ditë para zgjedhjeve, se ai program ka dështuar.

Kritika mavi filloi kundër sistemit, u transformua kundër popullit (dembel, injorant, hajdut, anarkik) dhe së fundmi në prag të zgjedhjeve rikthehet përsëri në një kritikë kundër sistemit në pamundësi për ta ndryshuar atë.

Le të merremi pra me sistemin dhe faktin nëse ka pasur vullnet për ta ndryshuar atë?

Bashkë me kopjimin e programit prej Podemos, kupola mavi, duhet edhe të kishte gjetur ekonomistë të zotë për ta realizuar atë. Por mbi të gjithë njerëz që nuk vinin prej këtij sistemi korruptiv dhe që nuk kishin konflikte interesi.

Formimi i qeverisë (dhe administratës) me personazhe pa vlera e pa integritet, ishte shenja e parë që misioni ishte një tjetër: vazhdimi i status quo-s me privilegje për një pakicë e varfëri për shumicën.

Shqipëria fatkeqësisht nuk ka ekonomistë keynesianë e aq më pak ata që i kanë ndenjur larg qendrave të pushtetit dhe privilegjeve. Konformizmi komunist i la vendin konformizmit neoliberist, nga një ekstrem i majtë në një ekstrem të djathtë, jo shkencarë por teologë që recitojnë dogmën e radhës.

Shqipëria ka një konflikt distributiv të trashëguar nga terapia shock dhe transformimi i ekonomisë në koloni importi, nisur prej Gramoz Pashkos e vijuar nga të gjithë pasuesit e tij.

Ndryshe nga një ekonomi prodhimi – ku pasuria krijohet dhe shpërndahet mes sipërmarrësve në territor, punëtorëve dhe operatorëve të tjerë – në një ekonomi importi, kapitali grumbullohet në pak duar. Kjo spirale e rrezikshme perceptohet nga të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit e vegjël, ku thonë se: “paraja ka hyrë në vrimë të miut”.

Por ky nuk është thjesht një perceptim. Raportet e huaja dhe vetë Bankës së Shqipërisë pranojnë nivelin e ulët të kreditimit në vend, pavarësisht miliardave euro depozita. Ndryshe nga dogma neoliberiste se kursimet barazohen vetvetiu me investimet, realiteti tregon krejt të kundërtën, si kishte shpjeguar në mënyrë magjistrale Keynes.

Pra shqiptarët jo vetëm që “vilen” nga pak duar, por ky kapital as nuk injektohet në ekonominë reale duke prodhuar një skarsitet të parasë dhe vështirësi të bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë, që do të thotë më pak investime e më pak punësime. Me pak fjalë, bankat nuk luajnë rolin e tyre social në funksion të ekonomisë dhe investimeve, si agjentë të zhvillimit të territorit. Në erën e deregulation, ato preferojnë të investojnë në instrumente financiarë duke transferuar miliarda euro jashtë Shqipërisë. Mungesa e kreditimit justifikohet me paaftësinë e sipërmarrësve shqiptarë, klimën e biznesit apo kreditë e këqija. Duke hequr këtë të fundit (si variabël të parëndësishme, sepse bankat janë të mirëkapitalizuara dhe borxhi për dikë është kredi për dikë tjetër, këto në sistemin bankar shqiptar kompensohen) merremi me dy te parat si vërtet shqetësuese.

Vërehet këto vite, një shtim i autoracizmit (induktim i vetëfajësimit të një populli apo një vendi) që është funksional për vijimin e status quo-s, për të transferuar analizën shkencore drejt dogmave dhe instancave metafizike. Shqiptarët duan të punojnë dhe dinë të ndërtojnë sipërmarrje, dhe këtë e kanë treguar në ato vende normale ku sistemi ta lejon këtë gjë. Problemi është një tjetër, që me të drejtë programi i rilindjes adresonte: ekzistencën e monopoleve të importit që po asfiksojnë ekonominë.

Shqipëria pas terapisë shock, krijoi një aristokraci tregtare-financiare e jo borgjezi prodhimi. Në kapitalizëm nuk ekziston konflikti vetëm mes punës dhe kapitalit, por dhe mes borgjezisë së prodhimit dhe asaj financiare. Nëse ekonominë e dominojnë pra monopolet e importit, këto janë të interesuara që prodhimet e tyre mos të konkurrohen prej prodhuesve të brendshëm. Për këtë arsye, duhet që kapitali mos të qarkullojë duke vështirësuar investimet prodhuese. Një kapital që nuk qarkullon, rrit artificialisht vlerën e tij, që pasqyrohet në forcimin e monedhës vendase (si po ndodh vazhdimisht përkundrejt euros dhe dollarit). Një lek i fortë (ndryshe nga ajo çfarë mendon një qytetar mesatar) nuk ndihmon ekonominë kombëtare, por lehtëson importet, pavarësisht se bilanci tregtar thellohet çdo vit. Për të barazuar bilancin e pagesave, qeveria është e detyruar të zhytet në borxhe publike, si ndodhi dhe këto 4 vite. Situata bëhet dhe më eksplozive nëse ky borxh merret në tregun ndërkombëtar duke ekspozuar dhe më tej financën shqiptare. (Borxhi i huaj për detyrimet e qeverisë së mëparshme, në vend që të merrej në tregjet e huaja mund të merrej brenda vendit pasi ishin detyrime mes operatorëve shqiptarë si dhe mund të parcelizohej dhe diversifikohej)

Kuptohet që ky borxh nëse nuk hidhet në sektorin produktiv por shkon për barazimin e deficitit tregtar, nuk bën gjë tjetër se thellon akoma dhe më tej humnerën ekonomike. Përveç borxhit publik, një tjetër minë me sahat (si kudo po shfaqet në Evropën jugore)  është dhe borxhi privat që shqiptarët po kontraktojnë për të financuar konsumin e mallrave të importit. “Bujaria” e kreditimit vetëm për konsum të mallrave të importit, krijon dy herë fitim për vendet e zhvilluara, një herë që na shesin mallrat e tyre dhe një herë të tjetër prej interesave të borxhit që na akordojnë. Për neoliberistët kjo quhet optimalizim resursesh, në fakt është rrënim i aftësive prodhuese dhe sektorëve produktivë të vendit tonë.

Sektor produktiv, nuk do të thotë thjesht infrastruktura, por rindërtimi i impiantit produktiv të vendit. Shpenzimet që bëri qeveria e kaluar, treguan valencën negative të moltiplikatorit të investimeve në GDP e vendit. Pra problemi është shumë më i thellë.

Vendi ka nevojë madje të shkohet përtej keynesizmit, (bazuar në kërkesën e brendshme) duke rritur në radhë të parë aftësitë prodhuese të vendit dhe zëvendësuar pjesërisht ofertën e jashtme me atë të brendshme. Rindërtimi i një impianti industrial të vendit kërkon në këtë fazë, rolin aktiv të shtetit dhe nuk mund të bëhet vetëm me politika fiskale por dhe me ato monetare e valutore si dhe krijimi i instituteve të rindërtimit industrial, bujqësisë apo turizmit.

Ndërsa në Evropë, kjo është tema aktuale e stanjacionit ekonomik, në Shqipëri as nuk flitet për këtë gjë, sikur të ishte një fenomen natyror. Por nëse vendet evropiane kanë një detyrim (vincolo) që rrjedh prej humbjes së sovranitetit monetar, Shqipëria ka ende formalisht sovranitet monetar dhe një Bankë Kombëtare. Them formalisht, sepse ngurtësimi i misionit të Bankës Kombëtare vetëm ndaj ruajtjes së inflacionit (neni 3 i ligjit të bankës kombëtare), është sa jo realist në kushtet e rrënimit të ekonomisë aq sa dhe antikushtetuese.

Kushtetuta ekonomike e Republikës së Shqipërisë sanksionon në nenin 3 se: “inter alias… dinjiteti i Njeriut, të drejtat dhe liritë e tij  dhe drejtësia shoqërore janë baza e këtij shteti”, ashtu si dhe në nenin 59: “shteti synon punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë”. Kjo do të thotë se faktori i prodhimit që privilegjon Kushtetuta është puna, ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur këto dekada ku është privilegjuar kapitali (përqendrim i tij në pak duar) dhe barra ka rënë veç mbi punën. Nga ana tjetër, “fleksibiliteti” i punës, ka prekur fundin, pasi rrogat nuk mund të ulen më tej në kushtet e varfërisë ekstreme. Me rroga të tilla nuk ka kapacitet blerjeje dhe ekuilibri do të vendoset në nivele nënoptimale, me produkte skadente dhe të kancerosura. Një ekonomi e tillë jovirtuoze detyron importimin ose prodhimin e produkteve pa cilësi. Kuptohet kështu që kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me gjoba por me ndryshime strukturore.

Pozicioni që merr shteti mbi paranë nuk është teknik, por politik pasi vendos mbi balancimin e interesave mes kreditorëve dhe debitorëve në vend, mes punës dhe kapitalit,  realizimit të të drejtave themelore dhe drejtësisë sociale. Prandaj dhe pavarsia e bankës së Shqipërisë nga populli shqiptar, nga kontrolli demokratik, e trasformon atë në një pushtet të katërt e pa kontroll ose nën kontroll të financës globale.

Kjo situatë duhet të përfundojë dhe Shqipëria duhet të rimarrë sovranitetin monetar duke bërë politika monetare ekspansive kundër shtrengimit të monedhës në ekonomi. Prandaj dhe Banka duhet të rikthehet në kontrollin e parlamentit dhe ekzekutivit për tu akorduar me ministrinë e financave dhe atë të ekonomisë. Sigurisht kjo gjë duhet të shoqërohet me trasformimin e një shteti oligarkik në demokratik, ku janë qytetarët që kontrollojnë makinerinë shtetëore dhe politikat publike. Vetëm kështu në vend kthehet llogaridhënia dhe mbrojtja e interesit publik prej partive apo lobeve të ndryshme.

Krijimi i impiantit produktiv të vendit nuk mund të bëhet kurrsesi pa një mbështetje monetare, prandaj dhe misioni i bankës qendrore dhe ato të nivelit të dytë duhet të orientohet drejt prodhimit dhe punësimit. Nëse nacionalizmi i bankave (që po ndodh në shumë vende prëndimore) do dukej shumë radikal, të paktën të krijiohen banka publike (për bujqësinë, turizmin apo industrinë) ose të paktën disa prej bankave të nivelit të dytë të kalonin në duart e shqiptarëve. Në këtë mënyrë ulet perceptimi i riskut dhe inkurajohet konkurrenca kredi dhënëse.

Nuk mund të krijosh një ekonomi kombëtare kapitaliste nëse nuk ke në dorë kapitalin. Nga ana tjetër, idea se zhvillimin e vendit do e bënin investimet e huaja, është thjesht një dogmë që është rrrëzuar nga rezultatet faktike. Investimet e huaja edhe kur vijnë tentojnë të orientohen drejt aktiviteteve joprodhuese sepse kërkojnë fitime të shpejta (banka, telekomunikacion, porte, aeroporte, nxjerrje nafte e mineralesh) ose pa vlerë të shtuar (fasoneritë). Kjo lloj strukture nuk na siguron një ekonomi të qëndrueshme. Investimet e huaja janë komplementare dhe vijnë vetëm nëse paraekziston një rrjet prodhimi e infrastrukture që të minimizojë kostot. Këto investime janë afatgjate e kërkojnë ndërhyrjen e shtetit edhe në partneritet me biznesin shqiptar që kërkon prosperitetin afatgjatë të vendit. Shqipëria ndodhet 10 fish nën potencialin e saj ekonomik dhe ka marzh të gjerë zhvillimi, nëse arrijmë të bëjmë bashkë energjitë e sipërmarrësve shqiptarë me ato të diasporës, mbartës të njohurive mbi proçeset prodhuese, kapitalit financiar dhe human. Perspektiva është akoma më pozitive edhe nëse konsiderojmë që Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera, ka pavarsi energjetike, nëse optimalizon impiantin produktiv e shpërndarës si dhe duke rritur kapacitetet e përpunimit të naftës.

Por qeveria nuk kishte ndërmend të bënte asnjë prej këtyre.

Bankat vijuan të rrisin normat e interesit si dhe fitimin mbi depozitat e shqiptarëve. (skandali i me vjedhjen e milionave Bankës së Shqipërisë, ishte një tymnajë për të fshehur miliardat vjedhur popullit shqiptar, pasi ajo nuk ushtron dot asnjë levë fianciare apo kontroll formal mbi bilancin e bankave të nivelit të dytë, apo pastrimit të parave).   Kreditimi shkoi ose për konsum (si shpjeguam më sipër) ose vetëm për “bizneset e kastës” si ka ndodhur këto dekada që nuk reshtin së ndërtuari qendra tregtare e kulla të fildishta, përqark të mjerëve që veç i sodisin si spektatorë.

Mobilizimi i energjive kombëtare nuk mund të bëhet kurrsesi, pa neutralizuar influencën e lobeve të jashtme dhe të brendshme të importit, mbi politkbërjen në vend. Në të kundërt këta do vijojnë të mbajnë peng ndërtimin e një ekonomie prodhimi duke shpërdoruar kapitalin në investime spekulative e pa vlerë.

Nga ana tjetër qeverisja oligarkike duhet të demokratizohej duke gjetur mbështetjen tek sipërmarrësit e prodhimit dhe popullsia e sakfrikuar këto dekada, nëse donte të bënte reformat e shumëpritura.

Por qeveria edhe një herë, nuk luftoi monopolet por u bë palë me to, duke përfituar privilegje financiare përkundrejt politikave deflative apo konçesioneve në favor të  maneve apo çilave të sistemit. Loja vazhdoi të ishte përsëri e njëjta me ca ndryshime lojtarësh. Ndryshe nga ajo çfarë ishte shkruar në program, në vend që të luftonte monopolet e importit (të cilët janë dhe evazorët më të mëdhenj) filloi goditjen e biznesit të vogël duke detyruar shumë prej tyre të mbyllen dhe nxitjen e një vale të re emigrimi.

Masat e austerity (rritje taksash e borxhe, privatizime e reduktim të shërbimeve publike, diktuar vazhdimisht edhe nga FMN dhe BE, që kërkojnë siguri për kreditorët e huaj që tu paguajmë borxhin, kanë hapur një debat të fortë ekonomik në arenën ndërkombëtare sepse penalizojnë ekonomitë e vogla në favor të atyre që nisen të avantazhuara) nën flamurin e luftës ndaj informalitetit, goditën pikërisht shtresat e varfra duke rritur koston e jetesës dhe pabarazinë sociale (si pasqyrohet edhe prej raportit të BERZH 2017)

Pra jo vetëm që nuk u punua në drejtim të krijimit të ofertës, por u godit dhe kërkesa e brendshme bazuar tek konsumi i qytetarëve shqiptarë. Në vend që të riekulibronte pushtetin blerës në favor të shtresave të varfra, qeveria bëri krejtësisht të kundërtën e asaj çfarë u kishte premtuar shqiptarëve në programin  e vet elektoral. Ndër gjërat e para që ndërmori qeveria ishte reduktimi i përkrahjes sociale me pretekstin e pastrimit të abuzimit me listat. Në vend që kjo përkrahje të shtohej ajo ra ndjeshëm. Në vend që të azeronte TVSh-në  për produktet ushqimore bazë, bëri të kundërtën duke shtrenjtuar taksat mbi karburantin apo energjinë elektrike, gjë që u transferua tek rritja e çmimeve dhe që rriti ndjeshëm koston e jetesës për shumicën e shqiptarëve. Kurse lufta ndaj evazorëve të mëdhenj apo skandaleve qeveritare, u transferua në luftë mes të mjerëve në ata që paguanin dhe ata që nuk paguanin. Dhe një herë propaganda goditi në shenjë. Gjobëvënia ndaj të mjerëve u ngrit në modus governandi të një pushteti që uzurponte e jo ti shërbente shtetit dhe objektivave të tij kushtetues.

Tjetër masë rënduese për buxhetin e familjeve do të ishte dhe rritja e tarifave për arsim apo shëndetësi. Ndryshe nga ajo çfarë ishte premtuar në program, refreni ishte i njëjtë duke privatizuar shëndetësinë apo arsimin. Beteja ndaj abuzimit me shkollat private u transformua në privatizimin e atyre që ishin publike në favor të klientëve të kastës dhe oligarkëve të tranzicionit. Mbyllja e shkollave private i ngjasoi luftës ndaj llotove, që thjesht u konsoliduan në një veshje të re. Problem nuk është pronësia publike apo private e shkollës por politikat klientelare që bëhen në kurriz të studentëve dhe familjeve shqiptare. Barra e të cilave u rëndua dhe më tej falë rritjes së ndaj gjobave marramendëse, tarifat e ujit të pijshëm apo kostos së transportit (realizuar në kryeqytet nga siamezi i kryeministrit). Kurse rrogat pësuan ulje të ndjeshme, falë dhe transferimit të kostos së sigurimeve shoqërore mbi punëtorët skllevër. Të gjitha këto e më tepër, goditën pikërisht shtresën e mesme dhe të varfër, duke ulur ndjeshëm konsumin dhe kërkesën në vend.

Biznesi i vogël ishte ai që vuan pikërisht nga rënia e konsumit, sepse për një biznes, më e rëndësishme se taksat është kërkesa për mallrat apo shërbimet e tija. Kundërshtari i tij sot, nuk është punëtori por monopolistët e importit që përqendrojnë pasurinë e mbajnë kërkesën agregate në nivele subsahariane. Prodhimet realizohen për tu shitur e nëse nuk ka fuqi blerëse, çdo reformë mbi taksat nuk ka asnjë sens.

Por jo të gjithë vuajtën këto 4 vite. Monopolet e importit (bizneset më të mëdha në vend) dhe shtresa e pasur u pasurua dhe më tej, gjë që tregohet në rritjen e produkteve të luksit. Premtimi se këtë herë do taksoheshin të pasurit përgjenjështrohet nga raporti i BB-së që cilëson Shqipërinë vendin me padrejtësinë më të lartë në tatime. Nga ana tjetër, korrupsioni zhvillohet në sferat më të larta duke anashkaluar prej detyrimeve pikërisht këto biznese dhe klientët e tyre pushtetarë.

Motoja e psikoramës “përtej të djathtës dhe së majtës” mbeti një slogan, sepse interesat e së majtës kanë mbetur pa përfaqësim, kur të gjitha partitë prej 27 vitesh janë sinkronizuar me dinamikën e kapitalit. Deklarimi hapur, se vizioni i tij ishte kundër sindikatave, (gjë që nuk pranon ta thonë as forcat e djathta) dëshmonte qartë se partnerët e tij nuk janë punëtorët apo biznesi prodhues por monopolistët dhe zotërit e financës.

Turizmi shqiptar, përtej propagandës sistemike, mori goditje të rëndë falë mashtrimit me ligjin për importin e plehrave duke nxjerrë përfundimisht Shqipërinë jashtë hartës turistike rajonale. Zonat më të bukura shqiptare janë privatizuar nga resorte të klientëve të kastës që rezistojnë ndaj një turizmi masiv dhe cilësor.

Përsa i përket bujqësisë apo blegtorisë, jo vetëm që nuk u rindërtuan zinxhiri agronomik e veteriner, por u hoqën dhe subvencionet mbi naftën apo investimet. Kurse problemi i pronës dhe legalizimit mbeti i pazgjidhur pavarësisht show-t televiziv. Zyrat e hipotekave mbetën përsëri fole vemjesh, si pranon së fundmi Kryeministri. Por jo vetëm hipotekat por e gjithë administrata mbeti përsëri militante e injorante duke shkelur juridikisht dhe faktikisht ligjet në vend. Mijëra shqiptarë të mbaruar në perëndim, ardhur pas thirrjeve të demagogut, do të zhgënjeheshin përsëri.

Sektorët strategjikë dhe koncesionet vazhdoheshin të dhuroheshin klientëve dhe lobeve. Vetëm bankers petrolium ka qindra miliona euro pa paguar duke mos konsideruar dëmet mbi natyrën dhe shëndetin e banorëve. Kurse kontrata (si shumë kontrata publike) me SHELL mbi një pasuri kombëtare, si fusha naftëmbajtëse e Beratit, mbahet ende e fshehtë. Far Westi i minierave vijon edhe sot, ku pasuritë e një kombi ndahen e plaçkiten mes lobeve e bandave!

Investimet publike u përqendruan në fasadën e qyteteve duke harruar veprat e papërfunduara. Pezullimi i bashkimit të portit të Durrësit me rrugën e kombit, shkon në favor vetëm të portit të Pireut e kundër interesave shqiptare.

Propaganda është aq efikase sa me 1/5 e punëve publike, në krahasim me qeverinë e kaluar, është krijuar perceptimi i një “qeverie që punon”. Por dhe investimet e huaja, si kurrë më parë, morrin arratinë për në vendet fqinje si Maqedonia, Serbia apo Rumania. Vepra tjetër gjeostrategjike, TAP-i u negociua pa trasparencë e kundër interesave shqiptare e pro atyre greke, si dëshmon shtypi i huaj.

Konsumatori shqiptar vazhdoi përsëri të dhunohej nga prodhimet kancerogjene, manipulimi sasior me karburantin dhe cilësinë, shërbimet telefonike e më gjerë. Kurse pacientët shqiptarë vijojnë të vdesin prej kancerit (vendi i dytë në Evropë pas Moldavisë) ose dhunohen prej mjekëve matrapazë apo kriminelëve të barnave të skeduara. Sulmi ndaj spitalit publik nuk mund mos të shoqërohej pa “lulëzimin” e spitaleve private.

Nuk po merrem këtu (e kam bërë gjerësisht në shkrime të tjera) me shtyllën tjetër të programit: demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë.

Nëse ka një gjë që e karakterizon Kryeministrin në detyrë, është pikërisht etja për pushtet dhe përqendrim të tijin. Deklaratave parazgjedhore se ishte penduar kundër ndryshimeve autarkike kushtetues në 2008 jo vetëm që nuk u realizuan por shkuan dhe më tej duke përqendruar me duar të hekurt pushtetin brenda partisë dhe Republikës. Parlamentarizmi tashmë nuk ekziston më. Ai është zëvendësuar me njerëz besnikë emëruar nga kryetari që noterizojnë çdo akt e veprim të oligarkisë.

Liria e medias u kthye në kohën e Berishës 1, duke u rreshtuar e gjitha përkrah linjës së qeverisë. Ata pak që guxuan ose iu mbyllën emisionet ose direkt televizionet (agon channel). Çensura dhe autoçensura u shtri dhe në rrjetet sociale prej një ushtrie të tërë në funksion të propagandës mavi. Televizioni shtetëror mbeti përsëri në shërbim të partisë e jo popullit shqiptar. Reforma e dixhitalizimit tokësor, u mbajt peng nga oligarkët e mediave private që vijojnë vjedhin qytetarët e shkëmbejnë privilegje me pushtetin. Shoqëria civile u vu totalisht nën kontroll të kastës dhe lobeve të huaja, duke financuar dhe projektuar mediatikisht fytyrat dhe veglat e pushtetit.

Lufta ndaj krimit ishte dekorativ (sepse u morr vetëm me mikro-kriminalitetin, gjobat e makinave dhe portalet online) kurse evazioni në dogana (falë dhe crown agents) apo trafikimi i lëndëve narkotike njohu lulëzim si kurrë më parë.

Niveli i transparencës u zëvendësua me boomin e propagandës, askush nuk mund të shihte e jo më të kërkonte llogari për aktivitetin e qeverisë. Premtimi se INSTAT-i do kthehej nën kontrollin e parlamentit, mbeti një slogan tjetër. Shqipëria vazhdon të mbetet pa sy e pa veshë, pa informacione e pa të dhëna. Në këtë mënyrë, nuk mund të instaurohet kurrë një debat publik, pasi secili ka të dhënat e tij të fabrikuara. Në vend të tij do kemi një banalitet mbi fytyra e thashetheme, si po ndodh këto zgjedhje elektorale.

Kultura dekadente e kësaj kaste, dhunoi më tej kulturën autentike shqiptare, duke kontrolluar çdo galeri apo qendër kulture me njerëz injorantë e diletantë, pavarësisht se mijëra artistë shqiptarë furnizojnë Evropën me art. Trashëgimia kulturore jo vetëm që nuk u mbrojt, por u rrënua që nga Durrësi i Dakos deri tek kalatë, monumentet apo varret e rilindasve shqiptarë. Prezantimi i Shqipërisë në EXPO Milano, ishte një turp i vërtetë për pasurinë kulturore shqiptare.

Një tjetër premtim-mashtrim, ishte vota ndaj emigrantëve dhe mbështetja e diasporës. Por kastës nuk i interesojnë ardhja e njerëzve të pavarur e të çtoksikuar që jetojnë në Perëndim. Mercenarët e tyre, prodhohen që në bankat e gjimnazeve shqiptare deri tek moçalet e universiteteve dekadente, me armata docentësh militantë e injorantë.

Tjetër kalë beteje, e kësaj qeverie ishte vizioni teknologjik, por ai përdoret thjesht për propagandë e fasadë. Raporti i TIU (edhe një herë të huaja) dëshmoi së fundmi se jemi vendi më pak teknologjik në Evropë, pavarësisht qindra konferencave e seminareve pompozë e fallso. Kjo nuk kishte nevojë për dokumentim, nëse hap sytë e mendjen se ç’po ndodh përqark. Me nivele të tilla rroga mjerave, përse duhet që bizneset të investojnë në teknologji duke ulur gapin me vendet e tjera.

Do të mund të zgjateshim pa fund mbi rekordet negative të kësaj qeverie, e cila jo vetëm që nuk frenoi por përshpejtoi rrënimin e Shqipërisë dhe varfërimin e shumicës së shqiptarëve. Ajo morri besimin mbi një program të majtë, por qeverisi mbi një program super të djathtë neoliberist e antikombëtar, duke rritur varfërinë dhe padrejtësinë sociale mes 1% që ka gjithçka dhe 99% që tërhiqet zvarrë! (Raporti 2017 për llogari të OKB-së tregon ninvelin e lumturisë së shqiptarëve më i ulëti në Euopë dhe ndër më të ultit në botë). Kali i drejtësisë, shpikur si alternativ nga kasta, është i rremë sepse këto reforma mund të bëheshin pa nevojën e magjistraturës por vetëm të politikave publike.

Si kudo në Evropë, reformat kundër shtresës së mesme dhe atyre të margjinalizuara, i kanë bërë pikërisht forcat e “majta”. Vetëm kështu populli do të mund të pinte pilulën e hidhur fabrikuar prej lobeve ndërkombëtare të kapitalit apolid. Por forca të majta autentike nuk ka më dhe populli ka mbetur pa përfaqësim. Si mund të jetë i majtë dikush që urren sindikatat e betejat e punëtorëve për rroga dhe punë dinjitoze.

Rilindja mavi vodhi veç emrin prej Rilindjes Kombëtare, në tentativën për të shkatërruar simbolet e lavdisë kombëtare, ku shqiptarët mund ende të frymëzohen për një Revolucion të vonuar.

Rënia e shkollës, varfëria e tejskajshme por mbi të gjitha fuqia manipuluese e medias, krijon iluzionin tek kasta, se do arrijë të përçajë e sundojë pa fund popullin shqiptar. Por, kjo nuk ka për të ndodhur përgjithmonë.

Edhe monarkët në mesjetë, mbështetshin tek forca bindëse e kishës që populli mos të rebelohej e të përdorte dhunën kundër tyre. Kuptuan vonë dhe kjo nuk u shërbeu shumë, kur populli u ngrit dhe gijotina u vu në punë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Ledian Droboniku, program dhe deshtimi, rilindja mavi

Një vështrim përciptas dhe a po shiten e blihen vota në Shqipëri

June 24, 2017 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

1)Janë plot mbi dy million shqiptarë që priten të votojnë. Nëse kjo shifër kap gjasat e një përqindje të konsiderueshme në pjesëmarrje. Shanset i ka opozita. Gjithmonë kur pjesëmarrja është e lart, opozita fiton. Kjo ndodhi edhe zgjedhjet e kaluara kur i fitoi opozita e atëhershme me në krye Edi Ramën. Por nëse përqindja e pjesëmarrjes do jetë e ulët, i vetmi shanc për fitore qëndron tek pozita aktuale. Ose jo një rezultat uauuu midis PS-së dhe PD-së. Pa injoruar aspak LSI-në. Eshtë një garë kokë më kokë mes të majtëve. Por edhe një shanc i madh për të shitur a blerë vota. Një mundësi e artë për kontestime. Vonesat në rezultate, tashmë histori normale në traditën tone zgjedhore.Pra pjesëmarrja e ulët i ka të gjitha brenda. Përveçe vullnetin real të një vote nasash. Dhe kjo do e mbaj vendin akoma në një stanjacion reformash e zhvillimi.Ndaj shqiptarët duhet ta eleminojnë sa më shumë indiferencën. Dhe mos pjesëmarrjen në votime. Eshtë në denim e tyre.

2) Të bëhesh deputet në Shqipëri, duhen nga 9 mijë vota deri në 14 mijë. Kjo varet nga qarku në raport me popullatën. Ndaj listat e partive dominohen nga emra me aktivitet tregtar a prodhues. Pak ka aspirantë nga shkencat e politikës. Fare pak. Dhe për një vend me histori të re në ekonominë e tregut. Kjo është një situate që nuk i shkon për shtat pritshmërisë. Kësiosj fushatat e tyre kanë qënë të përqëndruara në buxhetin personal. Si një meritë a kusht kyç për të qënë në radhët e para të subjektit. Por edhe një mundësi e artë për të blerë vota. Dhe për t’i detyruar njerëzit të mos votojnë sipas dëshirës, vullnetit. Por të kushtëzuar nga nderet e tipit bëje për mua. Ma ke…, ose ta kam borxh. Kjo në Shqipëri konsiderohet normale. Kështu që, gjithkush vazhdon me atë menefregizmin se, hë mo se vote është. Votohet një here në aq e kaq vjet. Pa e kuptuar asnjëherë se ajo vote, sado periferike, sado e vetme, balancon termat në ndarjen e pushtetit. Dhe si e papërgjegjshme është një indeks i artë i kapjes së pushtetit. I marrjes peng. Dhe një vetburgosje me budallallepsje qejfliu se i bëri një nder iks-it apo ypsilonit.

Eshtë një dënim katastrofik i ardhmërisë së fëmijëve. Për shkak të ndërtimit me inat të një shoqërie pa shance të barabarta. Kësisoj përqindjet e ikjes nga vendi, të fëmijëve tuaj do vazhdojnë të ngrihen me suskses të plot. Kjo fal mendësisë fshatarake, bëje për mua.

3) Çfarë ishte fushata e radhës. Krejt e kundërta e fushatave paralele në vendet me ekonomi të zhvilluar. Duke filluar që nga kryeministri dhe rilindja socialiste. E gjitha një zhurmë e tipit të propogandës. Kam bërë, bëra, do të bëj. Dhe krahas kohëve të foljeve, bërë, bëra, bëj… një suferinë sharjesh e nxjerrjesh të palarash për ish aletin e tij. Atë që ia bëri dhuratë vendit dhe qytetarëve si për president. Se sa garant për kushtetutën e vendit, do jetë tashmë një person politik I tillë. Këtë e di vetëm Edi Rama. Dhe nuk e di se si po e kapërdijnë shqiptarët njeriun sharm dhe përfaqësues të tyre në rrang kombëtar e botëror.

Ashtu si shumë traditas të tjerë, të stanjacionit… edhe ky u mor me paraardhësin duke zeruar gjithçka.

Ndërkohë solli dhë risi regresive, si pjesëmarrja e hapur në fushatë e një kryetari bashkije. I cili përmes spoteve televizive, u tregonte shqiptarëve se ndryshimet e kryeqytetit i dedikohen donacioneve nga kryeministri. Kjo është absurde dhe ndodh vetëm në Shqipëri. Dhe nuk e di se si ndihen të qetë qytetarët e Tiranës, karshi taksave dhe të tjera detyrime që ia paguajnë një për një Bashkisë së tyre.

Në këtë hulli qëndroi edhe partia simotër dhe qeverisëse e LSI. Madje lufta më e ashpër është kjo mes vedit. Mes tyre…

E gjitha një vullkan ethesh e përbuzjesh karshi njëri-tjetrit.

Se sa të vërteta janë, mos hezitoni ta besoni. I dine mire, pasi I kanë bërë. Ose ato që ia ngjeshin njëri-tjetrit, janë të vërteta pasi janë në genin e tyre.

Fushatës i mungoj gjëja më kryesore. Programi me libër në dorë. Këtë e pati vetëm Lulzim Basha. Por në ethet e sharjeve dukej dorë e dytë. Aq më tepër me kundërvëniet brenda sojit të djathtë. Megjithatë, ishte i vetmi, pavarsisht listave, i vetmi ai që foli me një program libër. I vetmi që stononte në zellin e sharjeve. Dhe gërrej për shifrat. I vetmi pasi shqiptarët e duan ndryshe fushatën. Ashtu si e bëri Rama me Metën. Me libër shtëpie, jo me libër ekonomie tregu.

Fushatës i mungoi debati real. Ai që në botë realizohet midis profesorëve të universiteteve dhe subjekteve politikë. Drejtuesëve. Ekipeve …Çfarë ata sjellin. Në vend të panelit nga universitetet e vendit. Ishte ai paneli më i mërzitshmi, më i neveritshmi i të gjitha kohërave në Shqipëri. I gazetarëve grupazh që bëjnë pyetje nga një javë të gjatë dhe e vdesin qysh në krye vlerën e debatit real dhe aq të domosdoshëm për parametrat e ekonomisë së tregut.

Kësisoj shqiptarët vazhdojnë të besojnë në forcën e ngjyrës nëpër sheshe. Në garën në numrin në pjesëmarrje nëpër sheshe. Në dekoret e flamujve dhe trendit të liderëve. Asesi se ku u pikon çatia. Asesi në faktin se dhimbja e trupit tend është në trupin tend, jo tek ngjyra dhe flamujt e horizmës.

4) Apo shiten votat në Shqipëri.?.

Eshtë fare e thjeshtë. Sa kohë që keni lista nëpër dyqanet a pikat e shitjes me shumicë. Në rrethina a lagjet tuaja. Nuk ka asnjë diskutim. Votat po shiten e po blihen nga dy here.

E theksuam më sipër se kandidatët vijnë nga bota e tregtisë.

Ia dine marifetet kandarit. Më jep e të jap.

Po i blen edhe ai që akuzon! Po i blen dyfish. Pavarsisht se po arreston. Kjo nuk është asgjë. Dhe mos i shani kot. Nuk është se janë njerëz të pandershëm. Nuk janë qytetarë. Janë product i taktikave të deritashme. Ose frut i demokracisë sonë.

Çfarë të bëjnë? Punë nuk ka. Po edhe atje ku ka, është punë me pare xhepi. Kam do të jap. Nuk kam… nuk të jap. Kur të kem do t’i jap. Dhe ku ta plasi kokën i shkreti. Pronari pi birra me kalecat e policisë së shtetit. Me avokatët a prokurorët që janë bërë si zarzavatet me hormone. Qoshe më qoshe…

Janë produkt i dështimit tone social. Dhe as që iu plas bytha për një vote.

Ndaj paçim fat në demokracinë tonë. Unike për nga lloji.

Filed Under: Opinion Tagged With: e votave, Ilir Levonja, ne Shqiperi, Shit-blerja

Çmimi i dhembshëm i braktisjes

June 24, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

NGA ALMA LIÇO/

E vendosur në dalje të fshatit, në pamjen e parë, ajo dukej një kodrinë si gjithë të tjerat. Ishte qershor, dhe bari i blertë e mbulonte atë anë e kënd. Njëtrajtshmërinë e atij gjelbërimi mahnitës, e ndërprisnin aty këtu pllaka të gurta që dalloheshin prej së largu. Në pjesën fundore të asaj kodrine ishin vendosur varresat e fshatit. Në mënyrë të pashmangshme, ata gurë të heshtur i jepnin asaj mrekullie një pamje të trishtë. Kudo mbretëronte qetësia.  Asnjë blegërimë deleje, asnjë e lehur qeni apo thirrje entuziaste e ndonjë fëmije. Heshtje drithëruese që pasonte lamtumirat që mbeteshin përjetësisht aty. Jetë të ndërprera në mënyrë të natyrshme apo mizore,  ashtu siç ajo përpiqet të rrjedhë me misteret dhe surprizat e paparashikueshme të saj.

Por ajo ditë ishte e pazakontë për atë vend ndarjeje pa rikthim. Ai që po përcillej për në banesën e fundit ishte një fëmijë vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Trupi i pajetë  prehej në një arkivol të vogël, me ngjyrë të bardhë, i cili kishte mbërritur atë mëngjes në aeroportin e Rinasit, nga shumë larg. Fati e solli të isha prezente në atë kortezh të përvajshëm dhe tragjik. Teksa shihja qindra persona të trishtuar, mendoja se të gjitha përjetimet që shënojnë rrugët e jetës, kanë gjuhët e tyre. Por dhimbja e humbjes së një fëmije, flet kurdoherë me gjuhën e lotëve. Ato bulëza të kristalta rrëshqasin mbi fytyra të drobitura e tkurrura nga dëshpërimi, apo tentojnë të gëlltiten mes gulçimave që gati mbyten në pellgun e tyre.

Në mes të qindra të afërmve dhe banorëve të atij fshati, tërhiqnin vëmendjen dy prindërit e djaloshit të pajetë. Ata qëndronin të ngrirë e kërrusur mbi atë arkivol.  Ishin zhytur e ngecur në një botë të akullt, e cila kishte paralizuar çdo qelizë të tyre. Çfarë kishte ndodhur vallë? Në ç’mënyrë ishte ndërprerë jeta e atij fëmije të pafat???

Teksa i shihja të shkatërruar nga dhimbja, mundohesha të kuptoja sa ndikonte ndërgjegjia e vrarë në përjetimin cfilitës të asaj gjëme. Në një farë mënyre, ai fëmijë ishte braktisur prej tyre. Varfëria dhe pasiguria e së nesërmes i kishte orientuar ata prindër drejt atij veprimi ekstremisht të dhimbshëm. Fenomeni që largonte të miturit nga gjiri i familjes, po përhapej si nje epidemi çfarosëse. Në kërkim të një jete më të denjë, një arsimimi dhe të ardhmeje më të sigurt, qindra prindër endeshin rrugëve të Europës, në kërkim të Qendrave sociale të përkujdesjes për fëmijë, duke i braktisur ata pranë mureve rrethuese të tyre.

Kësisoj, pas një udhëtimi të gjatë, ai baba i dëshpëruar, në pamundësi për të ushqyer katër fëmijë, e kishte braktisur atë, të vetëm, si një zog të trembur, në portën hyrëse të një Qendre të tillë. Vogëlushi ishte fëmija i parë i familjes. Në “mënyrë të suksesshme” të njejtin rrugëtim kishin ndjekur qindra bashkëqytetarë. E pse të mos e provonte dhe ai? A nuk ia kishin përplasur derën në fytyrë institucionet shëndetësore, kur kishte kërkuar ndihmë ekonomike për bashkëshorten e sëmurë dhe në pamundësi për të punuar?

Sakaq, strukturat sociale të këtyre Qendrave, i merrnim ata vogëlushë të vetmuar menjëherë në mbrojte, duke iu siguruar atyre çdo nevojë imediate të jetës. Të gjorin fëmijë, prindërit e kishin detyruar të thoshte e përsëriste pothuajse përmendësh, se teksa endej në atë qytet në kërkim të një miku të familjes, pakuptuar ishte shkëputur nga sytë e të atit. Si të thuash, kishte humbur. Në prani të një përkthyesesje, më pas, kishte vijuar të identifikonte veten dhe të afërmit me emra të sajuar. Pesha e gënjeshtrave i rëndonte në qepalla, pa guxuar të shihte askënd në sy.  Kësisoj, mundësia e kontaktimit të familjeve dhe e rikthimit të atij vogëlushi në gjirin e saj, ishte pothuajse e pamundur.

E përfytyroja atë të mitur, të ndrojtur e të ndrydhur nën peshën e braktisjes e të gënjeshtrës, të frikësuar nën trysninë e së panjohurës, të rrethuar nga të huaj, të cilët me gjithë përkujdesjen, mbeteshin persona të panjohur për të. Për më tepër, nuk njihnin aspak gjuhën e tij.

Vallë, si kishin arritur ta detyronin atë fëmijë, se duhej të pranonte të rritej larg dashurisë dhe vëmendjes së prindërve? Një kompromis i dhimbshëm për vogëlushin. As që e kuptonte. Thjesht e kishin mësuar se duhej t’u bindej atyre. Fundja,  ishin ata që vendosnin për të ardhmen e tij.  Ai ishte vetëm një fëmijë dhe nuk mund ta dinte apo perceptonte çfarë ishte e mirë apo e keqe për të.

Ndërsa mendoja me zemër të vrarë për atë braktisje me përmasa tragjike, papritmas m’u kujtua një ngjarje të cilën e kisha lexuar diku. Protagonisti ishte gjithashtu një djalosh, i cili kishte patur fatin që një herë të vetme në jetën e tij, të përjetonte dashurinë dhe vëmendjen e të atit. Në të vertet , ajo kishte qenë një ditë e keqe për vogëlushin, pasi në përpjekje për t’u ngjitur në një peme, ishte rrëzuar e kishte thyer keqas këmbën. Aq shumë e kishte shijuar përkushtimin e të atit, sa pas kësaj ngjarjeje, fëmija i gjorë lutej me gjithë shpirt të thyente sërish ndonjë gjymtyrë…..Ehhhh…..Nuk e di pse më erdhi në mendje kjo histori….ndoshta për peshën e dashurisë prindërore të shqyer e copëzuar.  

Për hir të së vërtetës, nuk kisha asnjë mëdyshje se djaloshi i pafat kishte jetuar gjithë përkujdesjen e nevojshme në atë Qendër, me përjashtim të asaj hyjnores, të pazëvëndësueshmes, asaj ngazëllyeses, dashurisë së familjes. Nuk mund ta dija sa herë ai vogëlush kishte ëndërruar ta zinte gjumi pranë së ëmës, teksa ajo i përkëdhelte flokët. Nuk mund të përfytyroja  sa herë kishte imagjinuar të rendte në lëndinat e fshatit të tij, i ndjekur hareshëm nga vëllezërit më të vegjël. Nuk mund të mendoja sa herë i kishin munguar mësueset që flisnin gjuhën e tij dhe shokët e shkollës.  Por, për fat të keq, ajo që dija ishte se disa muaj pasi kishte mbërritur në atë Qendër, një sëmundje e beftë vdekjeprurëse, e kishte shuar djaloshin fatkeq. I gozhduar në një shtrat spitali, mes aparaturave, ai kishte mbyllur sytë larg familjes dhe personave të tij të dashur.

Nuk kishte qenë aspak e lehtë të gjendej së cilës familje i përkiste vogëlushi. Teksa trupi i pajetë ishte vendosur në morg, proçedura e verifikimit të origjinës, kishte zgjatur rreth tre javë. Njëzet ditë pambarimisht të gjata për të përcaktuar banesën e tij të fundit.

….U shkëputa nga ai refleksion i dhimbshëm, dhe vështrimi im u ndal sërish mbi arkivolin e bardhë dhe dy prindërit e kërrusur mbi të. Sakaq rrezet e diellit ishin pasqyruar në sipërfaqën e tij të shndritshme, duke e ledhatuar lehtas. Ai shkëlqim ngjasonte me një lamtumirë të zbehtë që përpiqej të zbuste trishtimin e humbjes…….Lot….heshtje….dhe…sërish lot….Përmes vajtimit dhe ngashërimave, disa çaste më pas, arkivoli humbi në gropën gllabëruese për t’u prehur përjetësisht në kodrinën e gjelbëruar të fshatit  ku kishte lindur. Disa grushta dheu nga toka e  shkrifët, dhe gjithçka u duk sikur mbaroi…..

Vallë vërtet mbaroi????

Aspak. Peisazhi i dhimbjes dhe lotëve ishte prezent në fytyrat e te gjithë personave të pranishëm në atë ceremoni mortore. Bilanç rrënqethës. Një fëmijë i braktisur në një vend të panjohur. Një jetë e pajetuar, e shuar në një dhomë anonime spitali. Asnjë i afërm pranë, asnjë fjalë e ngrohtë, asnjë përkëdhelje. Dy prindër të dëshpëruar, plagët e të cilëve nuk do të mbyllen kurrë. Varfëri. Mungesë perspektive dhe shprese.  Asnjë përpjekje serioze nga ana e shtetit për të luftuar urinë dhe garantuar minimumin jetik, dhe pasoja…….qindra të dëshpëruar që ndjekin të njejtën rrugë në labirintet e botës….

Deri kur do lejojmë që kjo të ndodhë???

Filed Under: Histori Tagged With: Alma LIÇO, Çmimi i dhembshëm, i braktisjes

Volejboll Meshkuj! Shqiperia gati te preke historine.

June 23, 2017 by Administrator

jani melka

Nga Albano Kolonjari

Ekipi Kombetar ne volejboll per meshkuj eshte shume prane kualifikimit per ne finalet e Euro Liges. Kuqezinjte fituan ndeshjen e pare me Azerbjaxhanin me rezultatin e paster 3-0. Takimi u zhvillua ne Parkun Olimpik ne Tirane. Skuadra e drejtuar nga Jani Melka e dominoi takimin. Seti i pare perfundoi 25-15 per kuqezinjte te cilet pas 28 minutave loje, e pane veten ne avantazh. Skuadra e Azerbajxhanit reagoi ne setin e dyte, i cili ishte shume i dyluftuar, por kuqezinjte arriten te fitonin 25-21 fale lojes se mire te Husaj dhe Qafarena. Seti i trete foli “shqip”. Kuqezinjte fitojne shpejt dhe pa problem 25-19. Tashme kuqezinjve te rrjetes u duhet edhe nje fitore per te kualifikuar me tutje. Diten e shtune, Kombetarja e volejbollit do te luaje perballe Suedise. Kuqezinjte e kane fituar takimin e pare te zhvilluar ne Maqedoni. Nje fitore perballe Suedise do ti jepte kuqezinjeve kualifikimin per ne fazen finale. Ndeshjen e trete Kombetarja jone do te kete perballe kombetaren e Maqedonise.

 

 

Filed Under: Sport

Etika:”Skenderbeu nuk eshte Kampion”

June 23, 2017 by Administrator

skenderbeu 2015-2016

” Nga Albano Kolonjari/

“Skenderbeu nuk eshte Kampion”. Korcaret duhet te dorezojne titullin e fituar ne sezonin 2015-2016. Eshte ky vendimi  i Komisionit te Etikes prane Federates Shqiptare te Futbollit. Me ne fund pas nje odiseje te gjate FSHF dhe Komisioni i Etikes kane arritur te marrin nje vendim. Historia e ka zanafillen e saj ne fundin e sezonit 2015-2016, kur UEFA, vendosi te denojne me nje vit mos pjesmarrje ne Kupen e Europes, skuadren e Skenderbeut. Ne vendin e Skenderbeut me vendim te UEFA-s ne Kupen e Kampioneve  luajti skuadra e Partizanit. Korcaret nga ana e tyre duke mos qene dakord me denimin ju drejtuan Gjykates me te larte sportive KAS, por kjo e fundit la ne fuqi vendimin e UEFA-s. 12-te muaj me pare FSHF i kerkoi UEFA-s dosjen e plote, provat dhe kriteret me te cilat ishte denuar Skenderbeu. Per  me shume se nje vit, pas presionit, mediatik, te tifozeve, por edhe edhe vete UEFA-s qe ndiqte nga larg “Dosjen Skenderbeu”, Komisioni i disciplines prane FSHF vendosi ti heqe titullin Kampioni Skenderbeut per sezonin 2015-2016. Sipas ketij Komisioni , Skenderbeut i zbriten 12 pike ne renditjen e sezonin 2016-2017, por ky fakt nuk e penalizon skuadren korcare te luaje kete sezon ne Europa League. Skenderbeu e mbylli kete sezon ne kuoten e 72 pikeve, dhe me piket e hequar numeron 60 pike, dhe renditet serisht ne vendin  e trete. Drejtuesit e Skenderbeut kane reaguar ashper pas ketij vendimi duke deklaruar se ata do ta ankimojne vendimin.

Pas  nje “lufte” nje vjecare me drejtuesit e FSHF, Legjenda e Kuqe, Partizani prêt tashme te ngreje lart titullin Kampion per sezonin 2015-2016 , por per kete duhet te prese nese skuadra korcare do ta ankimoje vendimin por edhe vednimin e Komisionit te Disiplines prane FSHF, qe tashme ka ne dore vendimin e Komisionit te Etikes. Nga ana tjeter ky vendim ka sjelle nje pershtjelllim tek Legjanda e Kuqe, ish tekniku Italian Andrea Agostinelli :” “Të fitoja titullin do të ishte dicka e rëndësishme, tani pres zyrtarizimin. Natyrisht që ndihem i kënaqur pasi ne që jemi në këtë zanat punojmë për tu vlerësuar, dhe nëse do të fitoja këtë titull do të ishte dicka e rëndësishme”.

 

KOMISIONI I ETIKES

Ne bazë të nenit 17, 18 e vijues të Kodit të Etikës dhe Neneve 16, 68/2, 134 e vijues të Kodit të Disiplinës Sportive

VENDOSI:

  • Deklarimin fajtor të Klubit Sportiv Skënderbeu për komplotim në influencimin e rezultateve të ndeshjeve në kundërshtim me etikën sportive për sezonin 2015-2016;
  • Heqjen e Titullit “Kampion” për sezonin 2015-2016;
  • Dënimin e KS Skënderbeu me gjobë në masën 2.000.000 (dy milion) lekë;
  • Dënimin e KS Skënderbeu me zbritjen e 12 (dymbëdhjetë) pikëve nga klasifikimi për sezonin 2016-2017;
  • Kundër këtij vendimi, lejohet ankim sipas nenit 18 të Kodit të Etikës.

U shpall sot në Tiranë më 23.06.201

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën me dije tifozërine Korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).

Reagimi i klubit te Skenderbeut.

Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i papreçedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të proçedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.

Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ siguron tifozërinë Korçare se ky cënim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanerisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo gërmë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme.

Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar dënjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar!

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, Komisioni i Etikes, Skenderbeu nuk eshet kampion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT