• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2017

FJALIM HISTORIK I SEKRETARIT MATTIS NE QENDREN”GEORGE C.MARSHALL”

June 30, 2017 by dgreca

 

Secretary of Defense James Mattis delivers an address to more than 200 people at a 70th Anniversary of the Marshall Plan Commemoration ceremony held at the George C. Marshall European Center for Security Studies on June 28, 2017. (Marshall Center photo by Karl-Heinz Wedhorn)
Fjalimi i plotë i sekretarit Mattis në Qendrën e Studimeve George C.Marshall/

Një fjalim historik që riafirmon vazhdimësinë e strategjisë 70 vjecare te SHBA, mbështetjen ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë. Ndërkohë hedh poshtë parashikimet dhe skepticizmin e mjaft analistëve e “strategjistëve” në Shqipëri e diasporë për qëndrimin politik, ushtarak e diplomatik të SHBA në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Mattis ne qendren marshall 1

Jim Garamone, Zyra e shtypit e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA/

Përktheu per DIELLI-n Shefqet&Herion Kërcelli/
UASHINGTON, 28 qershor 2017 – Gjatë fjalimit të mbajtur në George C. Marshall, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërtojnë trashëgiminë e George C. Marshall dhe riafirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sistemit të mbrojtjes kolektive të NATO-s.  “Angazhimi i SHBA-ve ndaj garantimit të sigurisë së Nenit 5 të NATO-s, është i palëkundur,” tha Mattis gjatë fjalës së tij, me rastin e 70 vjetorin të Planit Marshall, një plan që shpëtoi miliona evropianë nga uria dhe sundimi sovjetik. Sipas nenit 5, një sulm ndaj një vendi partner të NATO-s, konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve. Nisma e Planit Marshall, nga ishsekretari George C. Marshall, nën mbështetjen e popullit amerikan, siguroi më shumë se 13 bilionë dollarë mbështetje ekonomike, që bëri të mundur rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ushtaraku George C. Marshall, Shtetet e Bashkuara

  1. Marshall u lind më 31 dhjetor 1880 dhe vdiq më 16 tetor 1959. Ai shërbeu si oficer nga Instituti Ushtarak i Virxhinias dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore. Shërbeu në Ushtrinë amerikane gjatë viteve 1920 dhe pa efektet e Depresionit të Madh për bashkatdhetarët e tij.

Kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë më 1 shtator 1939, duke filluar Luftën e Dytë Botërore në pjesën evropiane, Marshall u bë Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane në po këtë ditë. Ai ishte një nga arkitektët e fitores të kësaj lufte, duke ngritur dhe vendosur ne frontet e luftes një ushtri prej 10 milionësh, që në bashkëpunim me aleatët mposhën diktaturat, që sollën vuajtje të pallogaritura në botë. Pasi Marshall u largua nga detyra aktive, ai shërbeu si Sekretar i Shtetit, dhe në atë cilësi ai propozoi Planin e tij Marshall, të cilin e paraqiti gjatë një fjalimi në Universitetin e Harvardit në Kembrixh të Masaçusetsit, në vitin 1947.
Sipas planit, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 13 bilionë dollarë për të ushqyer kontinentin dhe për të investuar në ndërtimin e ekonomive të këtyre vendeve të shkatërruara, në mënyrë që ata të mund të siguronin qytetarët e tyre. Vizioni i Marshall ishte për një Europë të tillë: “një kontinent paqësor, i zellshëm dhe i begatë, i lirë nga tirania, që zotëronte forcën ushtarake për t’u mbrojtur nga cdo agresion”, tha Mattis.

Siguria në Evropë.

Por plani Marshall ishte më shumë se kaq. Ishte koncepti amerikan se siguria në Evropë – në të vërtetë në të gjithë botën – ishte në interesin më të mirë të vendit. “Dëshira për një të ardhme më të sigurt, një gjeneratë që e shihte të lidhur sigurinë e saj me sigurinë e të tjerëve, tha sekretari Mattis. “Ata patën guximin të pranonin të gjitha përpjekjet kolektive që duhej të ndërmerreshin për të shmangur përsëritjen e gabimeve që cuan në Luftën e II-B”. Duke vijuar: “Dhe, nëse liria kërcënohet dhe lufta është e pashmangshme, atëherë duhet të ndërmerren të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”. Brezat pas Luftës së Dytë Botërore kuptuan nevojën e mbrojtjes kolektive; Ata e panë të nevojshme bashkëpunimin me aleatët dhe ndërthurjen e diplomacisë, ekonomisë dhe fuqisë ushtarake për të formësuar botën, theksoi Mattis. “Marshall e dinte kursin historik dhe kushtet nga të cilat varej ecuria e tij”, tha Sekretari i mbrojtjes. Kështu “Plani Marshall lejoi qindra miliona njerëz të mbijetojnë nga paslufta, të jenë të sigurt për nevojat bazë: ushqimin, sigurinë, sundimin e ligjit dhe liritë thelbësore politike”. Deri në vitin 1967, produkti i brendshëm bruto për kokë, i një banori të Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë ishte dyfishuar, vuri në dukje ai. Lufta kishte shkatërruar Evropën. Mbi 14 për qind e popullsisë së para luftës vdiq ose u zhvendos, vuri në dukje Mattis. “Njerëzit tanë përjetuan tmerret që mund të ndodhin kur liria është e rrezikuar, kur paqja dhe civilizimi ndalohen, kur dialogu dështon dhe shoqëritë tona përfshihen në luftë totale”, tha sekretari.

Partneriteti Evropian, Udhëheqja

Plani kërkoi partneritet dhe udhëheqje evropiane – ajo nuk mund të imponohej nga Shtetet e Bashkuara apo organizatat ndërkombëtare, tha Mattis.

Vlerat Perëndimore ja vlejtën të mbrohen. Dhe kjo u bë, duke u bazuar në Planin Marshall për të krijuar institucionet që kanë siguruar stabilitetin dhe paqen në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha sekretari i mbrojtjes.

“Evropa u shndërrua nga një konsumator i sigurisë në një ofrues të sigurisë, diçka që Marshall dëshironte me zjarr, sepse kurrë nuk e kishte parashikuar se Amerika do ta mbante këtë barrë vetëm”, tha Mattis. “Ai e dinte nga përvoja e tij se kjo duhej bërë nga të dy palët, se të dy kishin përfitimet dhe barrën e saj.”

Në 72 vitet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, aleatët evropianë të Amerikës kanë kontribuar në operacione globale të udhëhequra nga SHBA në shkallë të gjerë, tha ai. “Ndër kontributet kryesore përmendim 39,000 pjesëtarë aleatë që luftuan e po vazhdojnë luften me Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe 59,000 aleatë që luftuan me ne në Irak”, tha Mattis. ” Ne nuk duhet të lejojmë që vitet e kaluara që nga viti 1947, të na verbojnë për të parë realitetin e tanishëm. Sic siguruam liri për ata njerëz që u rritën me frikë e jo të lirë, të uritur dhe nga tmerret e luftës botërore, ne nuk mund ti largohemi përgjegjësisë për të siguruar të njëjtat liri brezave të ardhshem “.
Iniciativa evropiane e Risigurimit.

Në fjalim Sekretari Mattsi përmendi angazhimin e SHBA-së për Iniciativën Europiane të Risigurimit, e cila u rrit në 4.8 miliardë dollarë në kërkesën buxhetore të viti 2018 dhe vazhdimin e pjesëmarrjes së SHBA-së në operacionet e ardhshme të NATO-s deri në vitin 2020. “Përtej ndonjë fjale në gazeta, ju mund ta gjykoni Amerikën me vepra të tilla”, tha ai. “Kjo është ajo që ne jemi. Ne – Amerikë, Gjermani, Evropë, Perëndim – rrezikojmë jetën që një fëmijë në Berlin të mund të hajë i qetë; Ne luftojmë terroristët në errësirë, kështu që ata nuk mund të vrasin njerëz të pafajshëm në koncerte. Kombet tona qëndrojnë së bashku si ishuj demokratikë të stabilitetit, në një botë të mbushur me ndryshime. ” Fakulteti i Qendrës Marshall, stafi, studentët dhe tëdiplomuarit mbajnë trashëgiminë e emrave të kësaj qendre, tha Mattis. “Për ju studentët, kur të ktheheni në shtëpi, keni një mundësi të artë për të mbyllur derën e luftës, duke ushtruar autoritetin tuaj moral dhe përgjegjësinë e brezit tuaj për të mbrojtur lirinë”, tha ai. “Vlerat janë vlerat perëndimore – respektimi i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe i sovranitetit kombëtar, liria e fjalës, liria e fesë dhe dinjiteti i njeriut. Këto vlera janë nën rrezik në kontinent. Rusia po përpiqet të mbrojë veten për të minuar synimin e një kontinenti të tërë, për të qenë i lirë dhe në paqe, tha sekretari Mattis.

Marrëdhëniet me Rusinë

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë bashkëpunim me Rusinë. Ashtu siç bën aleanca e NATO-s, “tha ai. “Por Rusia duhet ta dijë atë për të cilën ne qëndrojmë dhe atë që nuk do të tolerojmë: ne qëndrojmë për liri dhe kurrë nuk do të dorëzojmë lirinë e popullit tonë apo vlerat e aleancës sonë që ne i kemi të shenjta”. Duhet të respektojë parimin e barasizë. Sekretari tha se ka miliona njerëz të dekurajuar në Rusi, të cilët kanë nevojë për frymëzim. “Udhëheqësi i tyre që bën shkatërrime përtej kufijve rusë, nuk do të rivendosë fatin apo të zgjojë shpresën e tyre,” tha ai.

Ndërkohë që aleatët e NATO-s do të parandalojë e përballojnë cdo agresion me vendosmëri. Aleanca do të lërë derën hapur për një Rusi që ndryshon nga vija e saj dhe “respekton sa duhet njerëzit e saj për  t’ju përmbajtur ligjit ndërkombëtar dhe kështu të fitojë paqen që ne të gjithë i ofrojmë”, tha Mattis.

NATO po bën pjesën e vet, tha ai, duke dërguar trupa në shtetet e vijës së frontit të Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë për të demonstruar vendosmërinë e aleancës. “Ky është një shembull i thellë i një NATO të bashkuar,” tha Mattis. “Aleanca jonë ka qenë prej kohësh një forcë stabilizuese në Evropë dhe ndihmon konkretisht në ruajtjen e rendit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla. Ajo shërben për të mbajtur paqen dhe për të mbrojtur vlerat e përbashkëta që u frymëzuan e rritën nga iluminizmi “. Bota është në një tjetër sfidë të historisë, tha Mattis.

“Ndaj duart dhe mëndjet tona duhet që ta shtyjnë në drejtimin e duhur fatin e historisë”, përfundoi fjalën e tij sekretari Mattis.

Filed Under: Featured Tagged With: Fjalimi i sekretaris Mattis, Shefqet & Herion Kercelli

Luan Krasniqi, ambasador i organizatës humatinare ndërkombëtare SOS-Kinderdorf

June 30, 2017 by dgreca

Berlin, Luan Krasniqi ist neuer SOS Botschafter
Berlin, Luan Krasniqi ist neuer SOS Botschafter

Nga XHEVAT UKSHINI/

Javën që shkoi në Berlin ish boksieri profesionist me një karrierë mbresëlënëse sportive në arenën ndërkombëtare Luan Krasniqi, fitues i medaljes olimpike, kampion i shumëfishtë europian dhe pretendues për titullin e kampionit të botës në vitin 2005, është emëruar ambasador i SOS-katundit për fëmijë (SOS-Kinderdorf).
Sivjet SOS-Kinderdorf në festën e tij të përvitshme verore në kryeqytetin gjerman e kishte ftuar si mysafir nderi sportistin shqiptar me zemër njeriu për ta shpallur ambasador të tij. Ishte vetë kryetari i kryesisë së kësaj organizate të pavarur, joshtetërore dhe mbikonfesionale Wilfried Vyslozil që ia dorëzoi certifikatën e emërimit ambasador sportistit shqiptar me shtetësi gjermane.“Gëzohem shumë që Luan Krasniqi, prej më shumë se dhjetë vitesh na ndihmon që fëmijëve tu japin guxim për të ëndërruar” tha ndër të tjera kryetari Vyslozil, duke vënë dukje më tej se Krasniqi ka ndihmuar dhe ndihmon edhe tani të rinjtë gjermanë në orientimin e tyre profesional.
Luan Krasniqi punon që prej vitit 2006 për organizatën humanitare “SOS Kinderdorf”. Në fushatën e zhvilluar me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit “6 f shatra SOS për vitin 2006”, Krasniqi kishte dhënë kontributin e tij për themelimin e këtyre fshatërave. Katër vite më parë, në vitin 2013, ai së bashku me shefin e gjigandit të industrisë automobilistike Porsche, Uwe Hück, një thaiboiksier profeisonal që kishte arritur të bëhet dy herë kampion i Europës dhe që fëmijërinë e kishte kaluar në shtëpi fëmijësh, ndërmori aksionin sportiv humanitar të boksit “Blaue Zwecke für gute Zwecke”. Në këtë eviniment sportiv u grumbulluan 50 mijë euro për fëmijët qö strehohen në SOS Kinderdorf-Prishtina.
“Unë i dëshiroj çdo fëmije të ketë mbështetje familjare. Dhe këtë mbështetje e ofron ‘SOS Kinderdorf’ në mënyrë unike”, tha Luan Krasniqi. “Dhe për këtë jam krenar të jem ambasador zyrtar i SOS Kinderdorf” tha me këtë rast Luan Krasniqi.
Si lindi organizata SOS-Kinderdorf? Gjithcka filloi nga një ide: një fëmijë, një nënë, një motër a vëlla, një fshat. Për t’u dhënë një kulm, një shtëpi fëmijëve që kishin mbetur pa prindër gjatë Luftës së Dytë Botërore Hermann Gmeiner themeloi fshatin parë për fëmijë në Imst të Austrisë në vitin 1949. Shtatë vite më vonë, në vitin 1956, themelohet një fshat i tillë edhe në Gjermani, në Ammersee. Sot SOS-Kinderdorf është i pranishëm në 133 vende dhe territore në botë me 2300 institucione. Në Gjermani në 41 institucione të tilla janë të angazhuar mbi 3500 punëtorë që ndihmojnë 95.000 njerëz. Një fshat i tillë për fëmijët shqiptarë që kanë mbetur pa prindër gjatë luftës së Kosovës është themeluar edhe në Prishtinë në vitin 2004. Në këtë institucion gjejnë shtëpinë e tyre edhe fëmijët e braktisur nga nënat e tyre pas lindjes, rreth 30-40 fëmijë të tillë në vit i dorëzohen SOS-Kinderorf-it në Prishtinë nga ana e Klinitkës obstetrike të kryeqytetit kosovar. Luan Krasniqi është kujdesur në mënyrë të vecantë për fëmijët e këtij institucioni, duke iniciuar aksione për mbledhjen e parave në truallin gjerman.
Se c’rëndësi ka kjo organizatë humanitare për shtetin gjerman më së miri e dëshmon fakti që vetë ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel e vizitoi simpoziumin e SOS-Kinderdorf që u mbajt në Salzgitter në Saksoni vetëm tre ditë para se Luan Krasniqi të emrohej ambasador zyrtar i kësaj organizate.
Luan Krasniqi në rolin e ambasadorit në të mirë të kombit të tij në fakt është aktiv që nga vitet 1990 kur u ngrit me shpejtësinë marramendëse të një komete në qiellin e sportit europian dhe botëror. Sukseset e tij në sportin e boksit amator dhe profesional dhe performanca e tij e shkëlqyer mediale, ai flet rrjedhshëm pos gjuhës shqipe edhe disa gjuhë botërore, kishin një vetëvetiu edhe një dimension politik-diplomatik, sepse kur flitej për sukseset e tij flitej njëkohësisht edhe për origjinën dhe problemet e kombit të cilit i përkiste Luan Krasniqi, një pjesë e të cilit jetonte në rrethana apartheidi, i përjashtuar nga cdo e drejtë, përfshirë këtu edhe diskriminimin e sportistëve shqiptarë. Në këtë funksion, të diplomatit, të ambasadorit të Kosovës në Gjermani, ishte edhe disa muaj më parë me rastin e arrestimit në Francë të kandidatit të tanishëm për kryeministër të Kosovës Ramush Haradinaj. Para se ta vizitonte atë atje, ai i shkroi kancelares Angela Merkel dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë patrtiakë dhe shtetërorë gjermanë, me të cilët ai ka njohje personale, me kërkesën që ata të angazhohesin për lirimin e heroit të gjallë të Kosovës, sic e quante ai Ramush Haradinajn.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës duhet të interesohen për këtë legjendë sportit që emrin e shqiptarit e coi deri në majat më të sportit botëror në një prej kohëve më vështira për kombit tonë, në dhjetvjecarin e fundit të shekullit të kaluar.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasador, Luan Krasniqi, SOS-KINDERDORF

BUROKRACI

June 30, 2017 by dgreca

1-astrit_lulushi-300x223

Nga Astrit Lulushi/

Thuhet se një sistem i mirë shkurton rrugën drejt suksesit – kjo ndodh me një burokraci konkuruese ose nën kontroll. Por jo rrallë, burokracitë nuk përballen me konkurrencë reale prandaj veprojnë si çdo monopol tjetër që përdor burimet e veta pa-efikasitet, sepse nuk i duhet të konkurrojë. 

Sociologu gjerman Max Weber ka argumentuar se burokracia e kontrolluar përbën mënyrën më të mirë për organizimin e aktivitetit njerëzor dhe se proceset sistematike dhe hierarkitë janë të nevojshme për të mbajtur rendin, për të maksimalizuar efikasitetin dhe për të eliminuar favorizimet. Por Weber gjithashtu e shihte burokracinë e pakontrolluar si kërcënim për lirinë individuale, dhe se një shtim në burokratizimin e jetës njerëzore mund t’i bëjë individët ta ndjejnë veten si të mbyllur në kafaz. 

Termi “burokraci” rrjedh nga frëngjishtja dhe është kombinim i fjalës franceze bureau – zyrë ose tryezë pune – me fjalën greke kratos – sundim ose pushtet. Shprehja u krijua në mesin e shekullit të 18-të nga ekonomisti Jacques de Gournay dhe kishte kuptim satirik. Gournay kurrë nuk e shkroi atë, por në një letër nga një bashkëkohës citohet: I ndjeri Gournay ndonjëherë thoshte: “Në Francë kemi një sëmundje e cila i jep të drejtën vetes për të shkatërruar francezët, kjo sëmundje quhet byromani.” 

Që nga koha e krijimit, fjala “burokraci” ka zhvilluar kuptime negative. Burokracitë janë kritikuar si joefikase dhe poshtëruese për individin. Pasojat dehumanizuese të burokracisë së pakontrolluar u bënë temë kryesore në punën e shkrimtarit Franz Kafka dhe pjese qendrore për romanet e tij Procesi dhe Kasta.  Burokracia jashtë kontrollit apo buromania pati pasoja tepër të thella tek Kafka, nëse nuk harrohet fakti se për vitet që jetoi (1883 – 1924), ai nuk botoi asnjë roman dhe 90 për qind të krijimtarisë së vet, e dogji –  që mund të kuptohet edhe si zhgënjim në dukje pafund i përpjekjeve të njeriut për të dalë kundër sistemit, dhe ndjekja e kotë dhe e pashpresë e një qëllimi të paarritshëm. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Burokraci

“UNË U RRITA ME DRITËROIN”

June 30, 2017 by dgreca

sadije dritero -Mbresa nga takimi me zonjën , Sadije Agolli/
1 libri diteroit
Nga Fuat Memelli/Boston/1 perkushtimPrej vitesh, por edhe tani që jam në Amerikë, një herë në vit, shkoja për vizitë te shtëpia e Dritëroit. Si të gjithë bujtësit te ajo shtëpi, edhe unë largohesha me mbresat më të bukura, që më linte biseda me Dritëroin si dhe bashkëshorten e tij fisnike, zonjën Sadije. Me vete merja mikpritjen e tyre, dashurinë për njerzit, për Atdheun, thjeshtësinë e tyre si dhe fjalën e mënçur. Dhe, më kujtohej thënia e Dostojevskit:”Në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur”. Por, në qershorin e këtij viti, kur shkova nga Amerika, mungonte i zoti i shtëpisë. Në të majtë të sallonit të tyre të pritjes, aty ku rinte vazhdimisht Dritëroi, ku ka pritur e ka përcjellë sa e sa njerëz, ishte ulur Sadija. Tek e vështroja ashtu të ulur te ai vend, më dukej sikur thoshte : “Vend i Dritëroit nuk është bosh”. Megjithëse e mërzitur nga humbja e bashkëshortit, e njeriut që e deshi aq shumë dhe iu bë krah i  djathtë për 52 vjet, ajo të pret e respekton, si të thuash “dyfish”, sikur don të plotësojë edhe boshllëkun që ka lënë ai. Pas ngushëllimit të rastit për ndarjen nga jeta të Dritëroit, me gotën e rakisë me të cilën dhe ajo të shoqëron,  biseda sillet rreth tij. Kujtimet buisin njëri pas tjetrit.-Unë u rrita me Dritëroin, nis tregon Sadija. Isha vetëm 21 vjet kur u lidha me të. Kaluam së bashku një rrugë të gjatë prej 52 vjetësh. Na lidhi jeta jo vetëm si bashkëshortë, por edhe si dy njerëz që e donin artin dhe letërsinë. Shumë nga veprat e Dritëroit, i kam shtypur unë. Flija 3-4 orë dhe ngrihesha në orën tre të natës për të shtypur  krijimet e tij . Në orën shtatë, nisesha për në punë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm një natë por me qindra netë. Pas viteve ’90, kam shtypur edhe shkrimet e tij për gazetat. I shtypja unë pasi Ditëroi kishte merak se mos gazetarëve u shpëtonin gabime. Jam e qetë se i qëndrova në krah gjithë kohën që kaluam bashkë. Dritëroi e gëzoi jetën.  Edhe kur po ndëronte jetë, ai ishte me fytyrë të qeshur. 2,5 vitet e fundit, pas thyerjes së këmbës, nuk doli nga shtëpia.
3 sadijeUnë kujdesesha për të si për një fëmijë. Dilja nga shtëpia vetëm një herë në muaj, kur shkoja për të marë pensionet. ( Disa ditë më parë , tek pinim kafe te Libraria “Agolli” së bashku me devollinjtë Kosta Nake dhe Fahri Imaku, djali i tyre Artani, na tha se edhe ai dy vitet e fundit nuk kishte ikur me pushime, pasi i shërbente Dritëroit.) Situata që kalonte Dritëroi vitet e fundit si dhe pastaj ndarja e tij nga jeta më stresoi, vazhjdon Sadija, por do të kalojë. Lëmshin e dhimbjes, u mundova ta mbaj në zemër, pasi desha t’i jepja kurajo Elonës, Artanit, mbesave e niprave e njerëzve të tjerë të afërt . Dua të jem e fortë sa të mbaroj disa punë që ka lënë pa mbaruar Dritëroi. Për shembull, ai ka shumë aforizma të pabotuara, të cilat dua t’i sistemoj e t’i botoj.

1 dritero4

 

Sivjet më 14 shtator, kam 75 vjetorin e lindjes, por do ta festoj pa Dritëroin. Në vitin 2015, festuam 50 vjetorin e martesës. Dritëroi, megjithëse jo mirë me shëndet sidomos vitet e fundit, atë ditë ishte i gëzuar. Dhëndri ynë , Luani, na përgatiti një album me foto nga ai përvjetor, të cilat janë për mua një kujtim i çmuar.
 I shoh ato foto ku spikat gëzimi i Dritëroit dhe Sadijes , i fëmijëve të tyre, i nipave e mbesave si dhe miqve të tyre të pranishëm në atë ngjarje. Te albumi si dhe të një stampim i veçantë, spikat dedikimi i Dritëroit për Sadijen:” E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë , unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket , unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture që do të dalë nga kockat e mia”. 13 maj, 2014.
Para se të largohesha, Sadija më dhuroi librin e fundit me poezi të Dritëroit “Prit dhe pak”. Aty ka shkruar edhe dedikimin e saj: “Fuatit, ja dhuroj këtë libër të fundit me poezi të Dritëroit. Po të ishte ai gjallë, do t’ia jepte me shumë dashuri, prandaj ia plotësoj unë dëshirën e tij. Me shumë dashuri, Sadija”. 19 qershor, 2017.
Ka pak ditë që jam këthyer nga Shqipëria në Amerikë. Krahas mbresave të shumta nga takimet me familjarë të mi, me miq e shokë, një vend të veçantë ze ajo e vizitës në familjen Agolli, ze biseda me zonjën fisnike, Sadije Agolli , e cila “ u rrit me Dritëroin”.

Filed Under: ESSE Tagged With: “UNË U RRITA ME DRITËROIN”, Fuat Memelli, Sadije Agolli

ASNJË SUBJEKT I VETËM S’MUND TA FORMOJË QEVERINË NË KOSOVË

June 30, 2017 by dgreca

-KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë/
1 KQZ
 
-Në Kuvendin e Kosovës, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë/
3 votime
 -Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit/
2 Jashari Behlul
 
 -SPECIALE- E akredituar për zgjedhjet nga KQZ, Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 29 Qershor 2017/ Në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve përfundimtare, të saposhpallura sot pasdite zyrtarisht nga KQZ, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë.
Rezultati nuk i mundëson asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve, të Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).
Kryetarja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valdete Daka, derisa shpalli sot Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, fillimisht falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, duke treguar para botës shembullin për zgjedhje të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
 Po ashtu, falënderoi edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.
 Në fund të konferencës, u bë e ditur se duke filluar nga tani fillon të rrjedhë afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 
 Në zgjedhjet e 11 qershorit për Kuvendin e Kosovës, sipas të dhënave të KQZ,  votuan  41.30%  e 1,888,059 votuesve të regjistruar.
Zgjedhjet u monitoruan nga gjithësej 29.264 vëzhguesë vendorë e ndërkombëtarë të akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës. Vëzhguesit ishin 160  nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare, mes të cilave organi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë.
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
 Prandaj, Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, në 22 tetor, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
 Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB.

Filed Under: Politike Tagged With: ASNJË SUBJEKT I VETËM, Behlul Jashari, ne Kosove, S’MUND TA FORMOJË QEVERINË

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT