• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

TRAGJEDIA E GREHOTIT”ZBARDHET” NË VATËR

September 12, 2017 by dgreca

2 lule
-U përkujtuan 36 dëshmorët nacionalsitë dhe Komandanti i tyre Hysni LEPENICA, rënë me 14 Shtator 1943, kundër pushtuesëve italianë/1 salle

Në organizimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”,në mjediset e selisë së saj, në Bronx, NY, të Dielën e 10 shtatorit(2017) u organizua pasditja përkujtimore kushtuar 36 Dëshmorëve nacionalistë(komandantë çetash të Ballit Kombëtar) dhe Komandantit të tyre, Hysni Lepenica.1 front
Veprimtarinë e moderoi Editori i Gazetës”Dielli”, Dalip Greca. Ai ftoi të pranishmit që me një minut heshtje të nderoheshin dëshmorët nacionalistë, që për 50 vjet ishin shpallë tradhëtarë.1 dritani
Më pas u ftua Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, që të të përshëndeste të pranishmit. Z. Mishto falenderoi z. Pëllumb Lamaj dhe ish të përndjekurit e pranishëm, që edhe këtu në mërgim japin kontributin e tyre për zbardhjen e Historisë. Kryetari i Vatrës e falenderoi z. Lamaj për bashkëpunimin me Vatrën në organizimin e disa veprimtarive kushtuar nacionalistëve shqiptarë dhe ish klasës së të përndjekurëve politikë, ende të paintegruar , të pashpërblyer plotësisht, moralisht dhe financiarisht, nga shteti shqiptar. Z. Mishto tha se Vatra edhe në të ardhmen do të organizojë veprimtari të tilla për zbardhur historinë e vërtetë të shqiptarëve, e cila edhe 26 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdon të shkruhet dhe interpretohet politikisht, duke i trajtuar nacionalistët si tradhëtarë, e fitimtarët si heronj.1 front
Pëllumb Lamaj, e falenderoi Kryetarin e Vatrës për bashkëpunimin dhe e uroi për detyrën e tij në krye të Federatës historike, në krye të vatranëve dhe uroi sukses gjatë mandatit të tij. Duke iu referuar ngjarjes së 14 Shtatorit 1943, masakrës së Grehotit,ai tha se historianët komunistë e kanë shtrembëruar dhe keqinterpretuar ngjarjen tragjike, ku mbeti i vrarë heroi nacionalist, komandanti i Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica dhe 36 komandantët e çetave. Komunistëve nuk u interesonte, që ta zbardhinin ngjarjen,tha ai, sepse do të dilte në dritë tradhëtia e tyre, si shkaktarë dhe bashkëpunëtorë me italianët.

Cila është e vërteta e kësaj ngjarje, ku u luajt preludi i vëllavrasjes dhe nisjes së “Luftës Civile” në Shqipëri, term që i tmerron historianët komunist edhe sot?
Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, Divizionit”Peruxhia” në Gjirokastër iu kërkua të dorëzoheshin tek forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës, ose tek forcat nacionalçlirimtare, të kryesuara nga Bedri Spahiu, me ndërmjetësin e britanikut Tilman. Por Gjenerali italian Kiminello nuk pranoi të bashkohej me forcat nacionalçlirimtare, as të dorëzonte armët pa u inbarkuar në Sarandë. Nacionalistët, duke e pasë Gjirokastrën dhe Sarandën zonë të tyre të influencës, ua premtuan sigurinë, nën shoqërimin e tyre derisa të hipnin në anije. Por, nga ana e tyre partizanët , në fshehtësi e luajtën lojën e tyre.Kështuqë me 14 Shtator 1943, kur shkuan Forcat Nacionaliste me në Krye komandantin Hysni Lepenica, për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i shoqëruar italianët e për t’i përcjellë deri në port, sipas marrveshjes,-ata u goditën papritur nag ushtarët italianë dhe mbetën të vrarë 36 komandantë nacionalistë dhe Komandanti i tyre, Hysni Lepenica.
Sipas z. Lamaj, por edhe sipas zbardhjes të së vërtetës përmes vetë dëshmisë së italianëve dhe të anglezëve, nxitës të kësaj masakre u bënë krerët e LNÇ si Bedri Spahiu, Shefqet Peçi dhe Shemsi Totozani, që ndodheshin pranë shtabit të divizionit italian”Peruxhia”, në kazermat e Grehotit. Këto akuza vërtetohen edhe nga dëshmitë e oficerit anglez, Tilman, si dhe të oficerit italian Giovani Bonomi, të pranishëm në vendngjarje.
Për të zbardhur këtë tragjedi u shfaq për të pranishmit dokumentari”Grehot 1943″ realizuar nga vëllezërit Pëllumb dhe Engjëll Lamaj.
Kësaj veprimtarie iu bashkua edhe Akri Çipa, poet, analist,që kryen studimet pasuniversitare(MASTER) në Columbia University.
Veprimtaria u ndoq edhe nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikan e përfaqësuar nga shkrimtari Mhill Velaj me zonjën si dhe u filmua nga TV Kultura Shqiptare me z. Adem Belliu, “FOCUS” i gazetarit Robert Papa, dhe “RAY SHOW” i poetit Ramiz Muja.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, dritan Mishto, Pellumb Lamaj, Tragjedia e Grehotit, zbardhet ne Vater

Ku duhet të jem unë?

September 12, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse  në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës  por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim  të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi,  por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re.  Ndaj u bashkova me ta. Së bashku me mua me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë të shtresës sime.

Kaluan 27 vjet nga  përmbysja  e  madhe. Hedh vështrimin  në  spektrin  politik  shqiptar.

Siç e kam theksuar edhe më lart, qysh në  ditët  e  para  të  përmbysjes  së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën.  Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh disa ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe atij online. Sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu  bëj edhe unë. Nëpërmjet medias online jam njohur me shumë intelektualë që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Një fenomen i habitshëm filloi të shfaqet në skenën politike shqiptare. Pas gati tre dekadash të kthimit të sistemit, një ekzemplar i sistemit të përmbysur, propozohet për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Fjala ështrë për një ish-ministër, një ish-sekretar i parë rrethi që mban mbi shpatullat e tij vrasjen e katër marrtirëve në Shkodër më 2 prill 1991, që u bë organizatori i bandave rebele në 1997-ën, që në vitin 1998 iku me bisht ndër shalë në Greqi duke u veshur si grua. Është fjala për Gramoz Ruçin. Këtë propozim e bënë një parti që pretendon se është shkëputur nga mentaliteti komunist, megjithëse si datë themelimi të saj ka ditën e kongresit të fundit të ish- Partisë së Punës. Këtë propozim e bënë Edi Rama që e quan veten një reformist perëndimor dhe që ka shëtitur shumë shtete europiane. Por Gramoz Ruçi nuk është hera e parë që propozohet në një detyrë kaq të lartë. A nuk ka qenë ai Kryetar i Grupit Paralamentar të Partisë Socialiste? Në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm nuk dihet se ku do të përfundojë.

Ky fenomen nuk është i vetmi në Shqipëri. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo  madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e  krijuara për vetingun apo reformën në drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që do të kryejnë këto reforma.

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar.  Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar.

Një veprim të tillë nuk mund ta pranonin ata që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre tmerret e atij sistemi. Ata u ngritën në protestë. Midis tyre, natyrisht, isha edhe unë. Me ta u bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit nuk kishin synim të digjnin apo të thyenin xhama. Nuk kishin shkopinj dhe hunj për të qëlluar organet e rendit si organizatorët e 21 janarit 2011 që dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Megjithatë organet e rendit, për turpin e tyre, u munduan ta pengojnë këtë protestë duke u munduar t’i largojnë sa më larg nga salla ku ishte mbledhur kuvendi që do të zgjidhte kryetarin dhe duke mos ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën ku zhvillohej protesta.

Megjithatë protestuesit folën. Nuk kishte protokoll të caktuar. Oratorët dilnin njeri pas tjetrit pasi donin të shprehnin atë që u thonte zemra. Ata i bënë thirrje partive politike që të hedhin poshtë propozimin monstruoz. I bënnë thirrje opozitës dhe në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike të bllokonte kutinë e votimit dhe të mos e lejonte atë. Në fund, me mbarimin e punimeve të kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike  dhe disa deputetë të saj u bashkuan me protestuesit. Folën deputetët. Foli edhe kryteari. Të gjithë u deklaruan kundër zgjedhjes së individit të sipërpërmendur në krye të kuvendit.

Isha kurioz të dija se çfarë qëndrimi kishin mbajtur deputetët e djathtë në kuvend. Të them të drejtën u zhgënjeva kur pashë lajmet në televizion. Prisja që deputetët demokratë të mos i lejonin ata të shumicës të votonin. Prisja në mënyrë të veçantë që deputetët demokratë, përfaqësues të shtresës tonë, të dilnin para kutisë së votimit për të penguar votimin.  Prisja që deputetët demokratë të bojkotonin votimin, ashtu siç bënë deputetët homologë të LSI-së. Por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, demokratët morën pjesë në votim dhe, çuditërisht, dy prej tye që nuk ka rëndësi se kush janë, votuan pro kandidaturës së Gramoz Ruçit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, nëpërmjet një deklarate, tha se votimi ishte i manipuluar. Nuk dua ta hedh poshtë këtë pohim por dua t’i drejtoj një pyetje:

  • Kur kishit vendosur të votonit përse nuk dërguat përfaqësuesit tuaj  në  komisionin  e

numërimit të votave për të penguar këtë manipulim?

Por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë krytarin e partisë time të uronte dhe shtrëngonte dorën Gramoz Ruçit kur ne protestonim kundër tij dhe kur vetë ai,  kur mbaroi kuvendi, në fjalën e mbajtur në protestë u deklarua kundër. Pashë një antagonizëm në këto dy veprime të tij. Një veprim të tillë nuk e bëri as ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha.    Kjo gjë më solli para syve edhe shumë raste të tjera të tilla të Partisë Demokratike. Këto janë për shembull lënia në harresë e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”  apo raste të tjera që i kam përshkruar edhe në shkrimin tim të fundit më datën 26 gusht 2017, botuar në gazetën “Panorama”. Atë shkrim e bëra për t’i treguar partisë time rrugën që duhet të ndjekë në drejtim të të përndjekurve politikë. E bëra pasi konstatoj se shumë prej tyre po largohen pikërisht për këtë arsye.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte 46,72%, ndërsa kanë votuar për PD-në 28,81% e pjesëmarrësve domethënë 13,46% e listës së votuesve në Shqipëri. Unë jam i bindur se pjesa dërmuese e atyre 53,28% që nuk morën pjesë në votim janë të djathtë të zhgënjyer. Kjo gjë duhet korigjuar sa më parë dhe një nga pikat që duhet parë seriozisht është shkëputja nga mentaliteti i së kaluarës që vihet re herë pas here në PD.

Duke qenë në dilemë për sa  më sipër më lind pyetja:

  • A jam në pozitat e duhura? Ku duhet të jem unë?

Në konditat e sotme e kam shumë të  vështirë  të  kthej  përgjigje.  Vetëm  një  gjë  dua  të

them. Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhjetat. E di që nuk do të mund  ta arrijë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Partizani, përveç muskujve, duhen edhe ca… mend

September 11, 2017 by Administrator

Fatmir1

Opinion!

Nga Fatmir Meneri.

Të kuqtë e filluan në mënyrën më të shëmtuar kampionatin. Shkohet deri në ekstreme të tilla figurative, pasi skuadra ishte e paralajmëruar vetëm pak muaj më parë në të njëjtin stadium e nga e njëjta skuadër, që asokohe i dha nokautin ëndrrës së Partizanit për titull. Këtu nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim: Hiqi kapelen Laçit, djemve luftarakë, pse jo, dhe të talentuar të kësaj skuadre, presidentës stoike të Laskës dhe pa dyshim një trajneri si Stavri Nica që mirëvendosi e drejtoi me përkushtim e inteligjencë bardhezinjtë në fitoren, sinjal për  gjithë mjedisin e Superiores.

Në premierën e tij, pasi i kishte gostitur të tërë një ditë më parë me: “Mjaft me përralla, Partizani për titull!”, trajneri Iuliano hodhi në fushë skuadrën e tij. Krejt të tij, apo për të qenë më të saktë, krejt të tyre, duke nënkuptuar dërgatën italiane te të kuqtë. Me pretendimin se e njihte kundërshtarin, kishte vendosur që Bathën ta linte në stol, me idenë e një mesfushe më krijuese. Por, ajo që demonstroi pikërisht kjo mesfushë e ideuar prej tij – natyrshëm që duhen justifikuar blerjet – të paktën në 45 minutat e para krijoi fare fare pak. Madje, me përjashtim të modelimit të një goditjeje këndi, fantazia e loja kombinative, të detyrueshme për të çarë rrjetën e dendur laçiane në gjysmëfushën e tyre, nuk u panë kërrkund. Edhe në të dytën, pavarësisht se goli i të ardhurve shkundi, përveç shtimit të marshit (gjë që mund të ishte projektuar që në pjesën e parë, për të kërkuar ndryshe e me presion zhbllokimin e rezultatit) pak ngjyra u shtuan. U shtua nervozizmi, ndërsa, si për dreq, edhe fati iu vu kundër.

Por, ajo që la shije të hidhur ishte lënia në stol e kapitenit Hoxha. Pa hyrë fare në punët e brendshme të klubit, madje duke i dhënë të drejtë apriori drejtuesve e vetë zotit Moxhi, pra, pa e dëgjuar fare ç’mund të pretendojë portieri dhe se cila është e vërteta e tij, ndëshkime të kësaj natyre nuk është se të japin automatikisht të drejtë (Duket si një seri e dytë e asaj që ndodhi në Kombëtare me Cikalleshin e trajnerin Panuçi). E para, dhe këtë dikush duhet t’ua thotë të ardhurve nga përtej detit, Partizani, edhe historikisht, për shkak të gjenezës së tij si skuadër ushtarake, ka qenë një model disipline. E dyta dhe më e rëndësishmja: dërgata italiane e trajneri Iuliano janë këtu edhe për të na mësuar si të sillemi, por në radhë të parë paguhen për t’i mësuar lojtarët si ta fusin atë të uruar top te porta kundërshtare dhe si të mos e lejojnë atë të mallkuar top të futet në portën e Partizanit!

Jo thjesht për parantezë: në fund të çdo viti shkollor, në dëftesën që merrej, shkruhej edhe për sjelljen e nxënësit. Zakonisht ndeshje fjalë të bukura si, “ka marrëdhënie të mira me shokët e shoqet e klasës”, “respekton mësuesit”, “merr pjesë në aktivitetet jashtëshkollore”, etj. Por, konsideratat shkruheshin në fund të dëftesës. Sipër ishin notat. Kur ngelje në klasë… të rrofshin fjalët e bukura për sjelljen!

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Fatmir Mneri, partizani

Presidenti Thaçi në Uashington

September 11, 2017 by dgreca

1 Thaci

-Nënshkruan marrëveshjen  mes Kosovës dhe MCC-së/

Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar te dielen e 10 shtatorit nga Prishtina për në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me koordinatorin nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, Petrit Selimi.

Presidenti Thaçi të martën, më 12 shtato, në emër të Republikës së Kosovës, do të nënshkruaj marrëveshjen  mes Kosovës dhe MCC-së, në prani të shumë kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë, të cilët e kanë mbështetur Kosovën tash e sa dekada.Kjo marrëveshje prej 49 milionë dollarëve amerikan do të fokusohet në dy fusha: Sundimi i Ligjit dhe Efiçenca në Energji, përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme që do të implementohen përgjatë 4 viteve.

Është kjo ceremonia e parë në historinë e MCC-së, që nënshkruan një marrëveshje të tillë në Kongres.

Kosova është parakualifikuar për programe të MCC-së, në nëntor të vitit 2015, me qëllim identifikimin  e fushave të mundshme të investimeve transformative për rritje ekonomike, zvogëlim të varfërisë si dhe për krijimin e  vendeve të reja të punës në Kosovë./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Uashington, Presidenti Thaçi

KOSOVA, NË KRAH TË SHBA-së

September 11, 2017 by dgreca

1 qeveria

-Kabineti i ri qeveritar zhvilloi mbledhjen e parë. Kryeministrit Ramush Haradinaj, në mbledhjen e parë të Qeverisë, në shenjë solidarizimi me popullin amerikan për sulmet e 11 shtatorit shprehu bashkëndjenjën me popullin amerikan.  “Kosova solidarizohet me popullin amerikan dhe me Amerikën në këtë ditë, dhe do të jetë çdo herë përkrahëse e koalicionit botëror kundër terrorizmit dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të jetë në krah të ShBA-së”, tha kryeministri Haradinaj/

1 Qirinj ZKP-12

*Kryeministri Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Pacolli ndezën qirinj në përkujtim të 11 Shtatorit/

1 ZKP-15 qirinj2

PRISHTINË, 11 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/Nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, kabineti i ri qeveritar i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sonte mbledhjen e parë të rregullt, në të cilën është bërë konstituimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është shqyrtuar Programi i Qeverisë. Kryeministri Haradinaj ka hapur mbledhjen duke iu drejtuar kabinetit qeveritar me urimin për punë të suksesshme në detyrat dhe përgjegjësitë e pranuara.
Ai ka shprehur bindjen e plotë se angazhimi i të gjithëve do të rezultojë me sukses.
Kryeministri Haradinaj, në mbledhjen e parë të Qeverisë, në shenjë solidarizimi me popullin amerikan për sulmet e 11 shtatorit shprehu bashkëndjenjën me popullin amerikan.
“Kosova solidarizohet me popullin amerikan dhe me Amerikën në këtë ditë, dhe do të jetë çdo herë përkrahëse e koalicionit botëror kundër terrorizmit dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të jetë në krah të ShBA-së”, tha kryeministri Haradinaj.
Pika e parë që u diskutua ishte programi qeverisës i Republikës së Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se besimi që i është dhënë për të udhëheq me Qeverinë përbëhet nga shumë parti politike, nga komunitetet etnike dhe detyrë e saj është që ato orientime programore qeverisëse të kthehen në program qeverisës të mirëfilltë.
“Kjo Qeveri nuk do të kthehet mbrapa vetëm për t’u ankuar sa keq ka punuar dikush, por do të shkojë përpara dhe e vetmja që na duhet ne janë informatat nga ministritë se si mund ta bëjmë diferencën për më mirë në këtë vend”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të mos nisen nga logjika për të fajësuar ata që kanë qeverisur përpara, por të nisin punën me logjikën se çka mund të bëhet më mirë nëpër sektorë veç e veç.
Kryeministri Haradinaj tha se do të punohet çdo ditë deri në orët e vona. “Orientimi ynë është që të hënën e ardhshme t’ia dorëzojmë Parlamentit, popullit të Kosovës programin qeverisës”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj para kabinetit qeveritar foli edhe për zgjidhjen e preokupimeve për qytetarët, për rritje ekonomike të vazhdueshme, reale dhe të qëndrueshme, për sundimin e ligjit dhe rendit, që arsimi dhe shëndetësia të përmirësohen, kurse bujqit dhe ndërmarrësit të mos mbetën të vetmuar.
“Perspektiva jonë për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar dhe  për njohje, është jo e lehtë, por do të jemi bashkë dhe do të punojmë ngushtë  edhe me partnerët tanë”, tha ai.
Kabineti qeveritar, me dy abstenime, mori vendim për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Kryeministri Haradinaj tha se për këtë hap është konsultuar me partnerët politikë.
“Meqë Komisionit i ka skaduar mandati unë i propozoj Qeverisë shkarkimin e këtij komisioni i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe kam kërkuar që profesor Shpejtim Bulliqi të udhëheq me këtë komision. Ai do të marr përgjegjësitë për të krijuar komisionin e ri dhe t’ia sjellë Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi dhe ne ta kemi të qartë se si të veprojmë më tutje dhe si ta avancojmë këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se bartësit e institucioneve shtetërore kanë komunikim të mirë me Podgoricën zyrtare./b.j/

Kryeministri Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Pacolli ndezën qirinj në përkujtim të 11 Shtatorit/

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, sonte në Sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet kanë ndezur qirinj në përkujtim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2001, në Qendrën Botërore Tregtare në New York.

“Duke qenë thellësisht falënderues për atë çfarë Qeveria e ShBA-së dhe populli bujarë amerikan ka bërë për lirinë e Kosovës, pavarësinë dhe shtendërtimin, populli i Kosovës dhe Qeveria e tij, do të mbështesë gjithnjë dhe pa hezitim SHBA-në, në luftën kundër terrorizmit global dhe do të qëndrojë paluhatshëm përkrah popullit amerikan në ditë të vështira, por edhe në gëzime e festa”, ka thënë kryeministri Haradinaj me këtë rast.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, kosova, NË KRAH TË SHBA-së

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT