• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

Këshilli i Sigurisë vlerëson të qetë dhe stabile gjendjen në Kosovë

January 16, 2018 by dgreca

-Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Hetime intensive në të gjitha pistat e mundshme në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç-/1 Qeveria e KosovesPRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur sot në mbrëmje  Këshillin e Sigurisë së Kosovës, bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet kushtetuese dhe ligjore, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sigurisë në vend.Këshilli i Sigurisë së Kosovës, me përfaqësim të institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, ka vlerësuar situatën në vend, me theks të posaçëm në zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, pas aktit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se autoritetet e sigurisë dhe ato të ndjekjes po zhvillojnë hetime intensive në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme. Organet e rendit kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët, pa dallim, që të ofrojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në zbulimin e kapjen sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se në rast të nevojës për ndihmë dhe ekspertizë në zbardhjen e rastit mund të kërkohet ndihmë profesionale nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, në veçanti nga FBI e SHBA-së.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme dhe se organet e rendit janë duke kryer me përgjegjësi detyrat e tyre në ruajtjen e qetësisë publike dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

Politikani serb Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e sotëm me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, gjendjen në Kosovë, Keshilli i Sigurise, vlerëson të qetë dhe stabile

Së bashku për vitalizmin e VATRËS!

January 16, 2018 by dgreca

FIGURA TË NJOHURA TË ARTIT DHE BIZNESIT SHQIPTAR THELLOJNË ANGAZHIMIN NË VATËR/

1 Gezimi11 ok Frederik1 elmi ok1 Simoni

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka kënaqësinë të njoftojë se:

  1. Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh” ka pranuar të jetë Këshilltar për Çështjet Artistike dhe Kulturore.
  2. Frederik Ndoci “Mjeshtër i Madh” ka pranuar të jetë Koordinator i Përgjithshëm i Veprimtarive Artistike.
  3. Elmi Berisha, President i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për SHBA ka pranuar të jetë Këshilltar për Zhvillimin Ekonomik.
  4. Simon Qafa, pinjoll i familjes së njohur Qafa, Vatran dhe aktivist i respektuar në SHBA, ka pranuar të jetë Anëtar i Këshillit të Federatës.

Federata VATRA falenderon përzemërsisht personalitetet e mësipërme, të cilët janë njëkohësisht edhe antarë të saj prej vitesh dhe i shpreh mirënjohjen dhe besimin e plotë në ushtrimin e detyrave të reja.

Së bashku për vitalizmin e VATRËS.

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Elmi Berisha, Frederik Ndoci, Gezim Nika, Simon Qafa

Eshtë vrarë në Kosovë politikani serb Oliver Ivanoviç

January 16, 2018 by dgreca

– Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënon ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri e vendit, Oliver Ivanoviç/

3 Ivanoviq

-Ambasadori Delawie: Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme/

Ivanoviq

-Media e Beogradit raporton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka ftuar për sot në mesditë “mbledhje urgjente të Këshillit  për siguri kombëtare”/

1 Ivanoviq 2

 –BBC: Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e Ivanoviqit/

1 ok Oliver

PRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Në veri të Kosovës është vrarë sot në mëngjes politikani serb Oliver Ivanoviç. Sipas medias serbe Ivanoviç është qëlluar “me pesë plumba nga prita” në hyrje te shkallët para zyrës së partisë së tij dhe sulmuesit kanë ikur nga vendngjarja me një veturë. Ndërkohë njoftohet se është gjetur një veturë e djegur.

Media e Beogradit raporton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka ftuar për sot në mesditë “mbledhje urgjente të Këshillit  për siguri kombëgtare”.

PRESIDENTI THAÇI DËNON VRASJEN E OLIVER IVANOVIÇIT, KËRKON TË ZBARDHET SA MË SHPEJTË RASTI

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dënon ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri e vendit, Oliver Ivanoviç.

“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.

DEKLARATË E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.

Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.

Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS

Policia e Kosovës dërgoi këtë komunikatë për media: Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

MEDIA:KUSH ISHTE OLIVER IVANOVIÇ?

Oliver Ivanoviq fatkeqësisht nuk u mbijetoi plagëve, deklaroi drejtori i Spitalit në Mitrovicën veriore, Millan Ivanoviq, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se Oliver Ivanoviqit nuk mundi t’i ndihmojë dhe se ai ndërroi jetë nga disa goditjet në pjesën e epërme të trupit.

Ai ka paralajmëruar se më shumë hollësi do të jepen në konferencën e shtypit të orës 10 e 30.

Mediat lokale në gjuhën serbe dhe ato të Beogradit raportojnë për shokun që ka shkaktuar vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”. Oliver Ivanoviqit u vra sot në orën 8 e 15 minuta, deri sa po hynte në ambientet e partisë që drejtonte, në pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton Koha.net.

Raportohet se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë gjetur katër gëzhoja plumbash të revoles, që u përdor me shurdhues, ndërsa vetura “Opel Astra”, nga e cila u shti derisa ishte në lëvizje dhe me të cilën ka ikur dorasi, u gjet e djegur më larg nga vendi i vrasjes.

Po ashtu theksohet se urgjencën e kishte thirrur një fqinje që kishte dalë për të blerë bukë.

Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa Qytetare ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bllokuar zonën ku ka ndodhur vrasja.

Oliver Ivanoviq ka lindur më 1 prill të vitit 1953 në fshatin Rëzniq të Deçanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme të Makinerisë-teknike e ka mbaruar në Mitrovicë. Ka qenë kadet i Akademisë Ushtarake të Zagrebit, por të cilën e braktisi pas tri vjetësh. Ndërkohë kreu Fakultetin e Makinerisë në Mitrovicë, ndërsa në Prishtinë ka diplomuar edhe në Fakultetin Ekonomik.

Ivanoviq ka punuar në ndërmarrjen transportuese “TransKosova” në Mitrovicë, në Fabrikën e pllakave të qeramikës “Mozaik” dhe në përfaqësinë e kompanisë “Hepok të Mostarit (BeH). Nga viti 1991 deri më 1998 ishtre në krye të Qendrës Sportive në Mitrovicë.

Postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Feronikel” në Drenas e ka ushtruar në periudhën deri më 2004, kur bëhet drejtor i, siç e quajnë mediat serbe, Shërbimit Kombëtar për Punësim në Kosovë e Metohi.

Kur më 1999 u formua Këshilli Kombëtar Serb, Ivanoviq bëhet kryetar i Këshillit Ekzekutiv për Kosovën veriore. Nga kjo pozitë u largua më 2001. Kur qeveritë e RFJ dhe të Serbisë formuan Qendrën Koordinuese për Kosovë e Metohi, zgjidhet shef i Shërbimit për zhvillim ekonomik dhe rekonstruksion. Nga viti 2008 ndodhej në postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovë e Metohi. Ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate që tash nuk ekziston. Ishte instruktor dhe refer ndërkombëtar i karatesë. Ka qenë edhe instruktor i klubit të karatesë “Trepça”

Ka qenë i martuar dhe baba i tre djemve, – transmetojnë biografinë e tij mediat serbe.

Pas akuzave për krime lufte mbi shqiptarët në Mitrovicë , Ivanoviq kaloi tri vjet në arrest dhe qe dënuar me 9 vjet burgim. Ndërkohë, instancat përkatëse gjyqësore e lanë të mbrohet në liri, rikujton Koha.net.

SSP Tanin dënon ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviçit
16 janar, 2018 – Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut, Zahir Tanin, është tronditur nga vrasja e Oliver Ivanovic – udhëheqës i initciativës qytetare Liri, Demokraci, Drejtësi – afër zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut sot në mëngjes, dhe dënon ashpër këtë akt.
Ai beson që organet hetuese do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe ato të gjithë familjes së OKB-së, familjes dhe miqëve të Z. Ivanovic,” tha Tanin.

***

Ambasadori i SHBA në Kosovë dënon vrasjen e Oliver Ivanoviç

-Delawie: Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme/

PRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie deklaroi sot se e dënon në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen e dhunshme të Oliver Ivanoviçit në mëngjesin e sotëm, dhe shpreh ngushëllimet më të thella të ambasadës për familjen e tij.

“Thërras në të gjitha institucionet e drejtësisë të Kosovës – veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – që të hetojnë këtë incident shpejtë dhe profesionalisht, dhe që të bijnë kryerësit para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme, dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, shprehet ambasadori amerikan në Prishtinë.

January 16, 2018

Ambassador Delawie’s statement on the murder of Oliver Ivanovic

I condemn in the strongest possible manner the violent killing of Oliver Ivanovic this morning, and extend the Embassy’s deepest condolences to his family.  I call on all Kosovo’s justice institutions – especially now that police, prosecutors, and courts are integrated – to investigate this incident swiftly and professionally, and bring the perpetrators to justice.  We urge all sides to avoid dangerous rhetoric and remain calm at this sensitive time, and recommit themselves to continue the work toward the normalization of relations and improvement of the lives of the citizens of Kosovo and Serbia.

DEKLARATË E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, dënon vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, si dhe ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.Kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore që ky rast i rëndë të zbardhet sa më shpejtë dhe që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

BBC: Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e Ivanoviqit

Korrespodenti i BBC-së nga Beogradi, Dejan Aleksijeviq, gjatë një raportimi direkt, ka thënë se vrasja e Ivanoviqit mund të jetë e ndërlidhur me mafien.“Duket vrasje tipike mafioze. Ivanoviq ka pasur shumë armiq. Ka qenë figure kontroverse”, ka thënë ai, raporton Koha.net.Tutje, Aleksijeviq ka theksuar se Beogradi zyrtar po tenton që për këtë vrasje të fajësojë shqiptarët.“Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët por dihet mirëfilli që veriu i Kosovës kontrollohet 100% nga serbët”, ka theksuar ai gjatë raportimit direkt në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

Filed Under: Featured Tagged With: Oliver Ivanoviq, politisant Serb, Vritet ne Kosove

PERJETESIA E HEROIT KOMBETAR

January 16, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Gjergj Kastrioti

17 JANAR 2018 Plot 550 vjet pa GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBEUN/

Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani per me servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…

Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…

Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.

Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë me shpejtsi,  thërmohet e bahet pluhun.Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe sytë e sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, boll rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…

Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë mjaft i fortë.

Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon… Harapi e devja, të dy jetojnë… Tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma…Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë…

Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë njerëz me ide ateiste dhe materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.

Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?

Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun.

Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”

Jam i sigurtë se këtë mendim për Shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja, me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë fytin e gojën e shkrumueme, atëherë, me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, e i shkrryem në ranë, do të thërriste:

“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”

Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra!

Këto janë fjalët e Krishtit!

Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë…

Se vuejtën gati 550 vjet… si Krishti!

E madje, tue kenë Populli trashigimtar i Gjergj Kastriotit…

E Ti, o Gjergj Kastrioti, shka i le mangut Golgotës n’ ata 25 vjet lufta?!

Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj…

Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë …Po ka njerëz që nuk e dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qefin e interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.

A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?

– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne.., e, mbas tyne janë kristjanizue vendet tjera mosmirnjohse Europjane…

Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte le të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa vuejtje e sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e pafund e katolikëve.

Prof. Zef Mirdita në librin e Tij të çmueshem, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë”(1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën…” A nuk asht edhe ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa?

Kisha Katolike në Shqipni e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë Europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe…” (fq. 166)

Se kush ishte Gjergj Kastrioti, Flamuri i Tij, Atdheu e Feja e Shqiptarve e tregojnë Malet, shpellat dhe gjaku i shkuem rrëkajë nga maja e Bratilës, luftat e pafund të Dedë Gjo’ Lulit, malësorve e bajraktarve që nenshkruen Memorandumin e Gerçës dhe klerikëve që ua mësuen Atyne Formulen “Fe e Atdhe”, me e shkrue dhe me e ruejt në Gjuhen e bekueme Shqipe.

Ma kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e luftat e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, per të cilat disa “shqiptarë” vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin…ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, e po aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen: “Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.).

Po Ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit t’ egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre.”

Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.

Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.

Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti – Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Islamizmi anadollak ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”…Kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.

Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën e u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë prap sot të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin. Një ndër kolosët e Kishës Katolike në Shqipni të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, n’ Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.

Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht dëshmia e pakundërshtueshme e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.

Kisha Katolike në Shqipni, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet.

Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme endè nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës kombtare ndaj kulturës Europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”

Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të mesme si dhe seminar për klerikë katolikë Shqiptarë, ku që në bankat e shkolles fillore asht përdorë gjuha Shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë e do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.

Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë…dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fe e Atdhe”, asht një meritë që na endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera.

Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, e për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndaloni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar t’ “harruem”, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” e, me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona në 1920, si dhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.

Mbas vitit 1941, lidhjet e tradhtarëve tanë me sllavokomunistët, dhe “Jalta e 1945”, ishin dhe janë shkatrrimi i plotë i Atdheut Kastriotit…

KËTU U KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

 

E gjurmët e shkatrrimit i keni nder thëmelet e Kishës së Vaut të Dejës, e hjedhun n’ erë në vitin 1969, në 500 vjetorin e vdekjes së Kastriotit. I keni nder mbeturinat e Vorrit Gjergj Kastriotit në Lezhë, i keni në dokumentat fallco të historisë s’ Akademisë së Shkencave, i keni nder vorrezat greke në Token tonë, i keni në zhdukjen e kolosve të Gegnishtes, që kujtoni se janë zhdukë! Ata janë e kanë me kenë “Gurt’ e Parë, thëmeli i lidhjeve të Pavdekshme me qytetnimin e kulturen e Europës Perëndimore”!

Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona, u ruejt dhe u trashigue me sakrifica nga Populli Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë nga gjoksi i vet tinzisht flamurin e “marksizem – leninizmit” me shpifjet e fallsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë tradhtia e vjeter dhe e re që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se “Shqipnia sot anon nga orjenti…”

Po, Shqiptarët e vertetë kudo që janë në rruzullin toksorë sot BESOJNË:

GJERGJ  KASTRIOTI  SKENDERBEU  ASHT  I  PERJETSHEM !

Melbourne, 15 Janar 2018.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, Perjetesia e Heroit Kombetar

NJOFTIM I FAMILJES MESHAJ-HAP TË PAME ME 28 JANAR

January 15, 2018 by dgreca

1 MeshajRedaksia e Gazetës “DIELLI” ka marrë këtë njoftim nga familja Meshaj:

Njoftojmë familjarët, miqte dhe dashamirët se me datën 28 Janar 2018 hapim të pamen për nënën tonë  Nurije Meshaj, e cila ndërroi jetë me 8 Janar 2018, dhe u varros me 12 Janar.

Familja njofton se e Pamja do të organizohet në Royal Regency, që ndodhet në adresën:

165 Tuckahoe Rd

Yonkers, NY 10710
Orari për të përcjellë ngushllimet është nga ora 10:00 deri ne ora 16:00.
Me respekt djemet : Bajrami, Agimi, Bekimi, Ajdini , Ajeti dhe vajza Aferdita.

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 28 janar, e pame, Nurije Meshaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT