• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

„Fire and Fury“: Kush është autori Michael Wolff?

January 6, 2018 by dgreca

Libri i Michael Wolff me zbulime për presidentin, Donald Trump ka zënë vendin e parë në listën e bestsellerëve në Amazon. Por kush është personi pas këtij libri?1 autori i librit

Të shtunën (06.01), autori i librit që po ndiqet më vëmendje në të gjithë botën, Michael Wolff është shprehur për BBC, se me gjasa libri i tij me zbulime, mund të shënojë edhe fundin e presidencës së Donald Trump, shkruan agjencia Reuters.

Pasi ka punuar 40 vjet si gazetar, Michael Wolff bëhet brenda natës një njeri i famshëm me librin „Fire and Fury- „Zjarr dhe zemërim – brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit”. Libri i tij tregon një Shtëpi të Bardhë disfunksionale nën qeverisjen e keqe të Donald Trump. Interesi për librin e tij është kaq i madh, saqë shtëpia botuese, Henry Holt dhe Company e nxorri botimin më shpejt se pritej, të premten.

Kush është Michael Wolff?

USA Washington Buch Fire and Fury: Inside the Trump White House (Reuters/C. Barria)

64 vjeçari ka qenë gati i panjohur për peizazhin mediatik amerikan. Wolff ka lindur në New Jersey dhe ka studiuar në Universitetin Columbia. Karrierën si gazetar ai e filloi në New York Times si asistent. Ai ka shkruar disa libra, ndër më të njohurit portreti „Moguli mediatik: Bota e Rupert Murdoch.” Edhe Murdoch ishte i pakënaqur, si Trump me prezantimin e portretit të tij. Të habit fakti që Trump i lejoi gazetarit të lëvizë lirisht nëpër Shtëpinë e Bardhë, të pyesë dhe të vëzhgojë. Sipas të dhënave të tij, Wolff ka intervistuar mbi 200 vetë.

Sa i besueshëm është Wolff?

Trump vërtet shpesh i ka emërtuar artikujt kritikë kundër tij si „fake news”, por në rastin e Wolf edhe kolegët gazetarë kanë shtruar pyetjen, se sa vëmendje i kushton ky gazetar të vërtetës. Një artikull i njohur për të është shkruar nga Michelle Cottle. Në revistën politike „New Republic”” ajo shkroi se „vetë Wolff pranon se raportimi konvencional nuk është gjë për të. Ai thith më shumë atmosferën, thashetheme, qofshin këto në party apo në rrugë, sidomos në drekat e shtruara mirë.” Wolff megjithatë është nderuar dy herë me Çmimin National Magazine të SHBA, njërin çmim për një seri të shkruar për luftën në Irak.

Trump e cilësoi gazetarin pas botimit të librit si „dështak total”. Sipas tij ai ka „shpikur histori për të shitur librin e tij të mërzitshëm dhe me gënjeshtra.” „Fire and Fury” është plot zbulime që tërheqin vëmendjen. Madje disa nga komentet më të habitshme vijnë nga vetë Steve Bannon, kryestrategu i mëparshëm në Shtëpinë e Bardhë, që tani drejton sërish „Breitbart News”.

Filed Under: Politike Tagged With: „Fire and Fury“, Michael Wolff

Kosova s’ka kapacitete të themelojë gjykatë për krime lufte

January 6, 2018 by dgreca

Gjykata e KrimeveShfuqizimi eventual i Ligjit për Gjykatën Speciale, besohet se do t’i hapte rrugë krijimit të një gjykate vendore, pavarësisht dilemave nëse Kosova ka kapacitete të mjaftueshme.

Nisma e një grupi të deputetëve në Kuvendin e Kosovës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ende nuk ka zënë vend në agjendat e institucioneve shtetërore. Por, në bazë të deklaratave të disa prej nënshkruesve, nisma mbetet në fuqi dhe mund të aktualizohet, në kohën kur Kuvendi fillon sesionin pranveror të punës.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se iniciativa e deputetëve, aktualisht nuk është duke vazhduar.

Ai ka thënë, po ashtu, se Ligji për Gjykatën Speciale vazhdon të jetë në fuqi që nga miratimi në vitin 2015, i cili kishte pasuar edhe me disa ndryshime të nevojshme kushtetuese.

E, nëse ndodh shfuqizimi i kësaj gjykate, ministri Tahiri thotë se do t’i kryejnë të gjitha obligimet që i takojnë.

“Çfarëdo ndryshimi i këtij ligji, ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet, jemi të obliguar që ta zbatojmë dhe jemi në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të jetë pjesë e agjendës së Kuvendit apo jo”, ka thënë ministri Tahiri.

Një alternativë tjetër e Gjykatës Speciale, nëse ajo shfuqizohet, mbetet edhe krijimi i një gjykate nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Për krijimin e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, ministri Tahiri ka thënë se nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar si Qeveri e Kosovës.

Ndërkaq, pjesëtarë të shoqërisë civile, iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e shohin si aventurë të rrezikshme që rrezikon të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se themeli i një gjykate me seli në Kosovë që do të gjykonte krimet e luftës, bie në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në raport me Bashkimin Evropian dhe shtetin e Holandës.

“Ne nuk duhet të harrojmë faktin që Gjykata Speciale, tanimë është në fazën e fundit të funksionalizimit të saj. Nuk duhet harruar fakti se janë shpenzuar me dhjetëra milionë euro për funksionalizimin e kësaj gjykate, andaj edhe për Kosovën do të jetë shumë e vështirë apo një mision i pamundshëm që të themelojë një gjykatë të tillë në Kosovë”, konsideron Miftaraj.

Kurse, në lidhje me opsionin e krijimit të një gjykate nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Miftaraj thotë se pasojat në këtë rast do të ishin të parikuperueshme.

Ai shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar publikisht se nuk do ta pengojnë themelimin e kësaj gjykate nëse iniciohet nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, e ku rol të madh do të kishin Rusia dhe Serbia, por edhe shtete të tjera që janë kundër shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij, me këtë Kosova do të tregonte se nuk është e gatshme të marrë obligime ndërkombëtare dhe kjo do të ndikonte që shteti i Kosovës të pengohej gjatë anëtarësimit në organizata të ndryshme.Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në fund të dhjetorit tentuan zhbërjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, ligj të cilin e votuan në vitin 2015. Nisma e tyre, u “pezullua” përkohësisht pas presioneve ndërkombëtare.Ndërkaq, në fillim të vitit 2018, disa nga nismëtarët e kësaj ideje, kanë deklaruar se nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale do të rikthehet në Kuvend.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosova s’ka kapacitete të themelojë gjykatë, per krime lufte

6 JANAR 1882-6 JANAR 2018- 136 VJET NGA LINDJA E FAN S NOLIT

January 6, 2018 by dgreca

NOLIADA/1 Noli2
Ese nga Namik Selmani/
6 Janari është ditë e shenjtë për të krishterët. Për shqiptarët një ditë kujtimore se na ka dhënë në jetë një njeri të rrallë një Nol të veçantë ndër më të veçantët e kombit.
Ndoshta ka patur plotësisht të drejtë i madhi Noli kur ka thënë autobiogafinë e tij se lindja e tij më 6 janar e kishte shenjtëruar jetën e veprën e tij të kaluar e të mëvonshme. Nëse do të ishte e vërtetë kjo thënie, të gjithë shqiptarët amerikanë do ia ndërronin emrin e tij dhe do i thonin me atë ndajshtim që i vihet para emrit “Shën Noli”. Po, 83 vitet e jetës së tij që nuk janë më pak e as më shumë për të dhënë portetin e një jetë guximtare, talentin, pasionin, dobinë për vete e për kombin që i përket, pse jo dhe disfatat e betejave të 83 viteve. Kërkoi pa fund shpresat e tij Të duket se në udhëkryqet që kalonte kombi ynë (O, sa shumë udhëkryqe ka patur dhe ka kombi ynë në historinë e tij shekullore!) në vitet ku Noli u bë faktor kombëtar, ai kurrë nuk i humbi shpresat e tij dhe në ato kohë kur E keqja i shfaqej shumë herë me një mijë ngjyra natëndjellëse. Mbase për të na dhënë dhe neve bashkëkombasve të tij të 50 viteve më vonë modelin e një luftëtari pa armë me plumba por na dha dhe moralin më të vyer njerëzor. Mbase ai do të ketë lakuar në një zë të përbashkët me të madhin Branko Merxhanin e kohëve moderne thënien mjaft të saktë e të bukur se “Nëse kombi im i humb shpresat, atëherë do t’i jap të miat”. Arti i rrallë poetik i Nolit e rreshtoi atë në aradhën e parë të historisë së letërsisë sonë, me një poezi tribunale, por jo nga ato poezi që harrohen në minutë, por me poezi që mbeten flamuj në kohëra për mesazhin që përcjellin, për forcën shprehëse, për frazeologjinë që përdor.për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë. Është lirika politike që rrallë e kemi parë në autorë të tjerë dhe që bashkë me labin e meçur Ali Asllanin bënë epokën e saj. Nuk e di të vë në peshorën e Kombit tonë Atë kontribut që ka bërë secili prek dritën e gjerdanuar të shekujve për këtë komb, veç dua të them të shkruaj se Fan Noli nuk mund të mbahej mend vetëm për këmbanat e kishës së Shën Gjergjit në Boston ku ai kaloi një pjesë të madhe jetës së tij. Po kur linte pas gjëmimin e butë të këmbanave dhe shkonte në atë hyrje të thjeshtë ku banonte ai niste punë të tjetra të vyera për mbrothësinë e kombit të tij.
…..Kur erdha për herë të parë në Boston në ditët e para të qëndrimit tim, në atë qytet të bukur dhe me kurorë universitetesh që ia jep tradita e madhe sidomos ajo e Harvardit bëra vizitën e parë në Kishën e Shën Gjergjit. Në mënyrë simbolike bëra dhe një fotografi në altarin ku ai ka bërë meshën e tij Në ato ditët një mik imi, Pavlo Lako që sot nuk jeton më, më dha një dhuratë të bukur të rrallë. Ishte një disk ku ishte fjalimi i rrallë i Nolit. E dëgjova disa herë. Një fjalim që vë në mendime secilin politikan apo dhe njeri të thjeshtë që quhet shqiptar. Thjeshtësia e jashtëzakonshme e tij në veshje, në sjellje, në marrëdhëniet me shqiptarët e amerikanët kishte përballë pasurinë e madhe të mendjes së tij, kishte gjuhëshumësinë që ai kishte në çdo hap jete dhe që do të na linte me të thesarët më të mëdhenj të njerëzimit. Nuk e di se kush do ta konkurronte në anglishten e tij të saktë poetike Nolin në përkthimet e tij brilante të veprave të Shekspirit. Brenda studimit të historisë së politikës shqiptare dhe asaj botërore, ai do të hynte në majat gati të paarritshme me studimin për Beethovenin. Për Beethovenin që do të mbahet mend edhe për sfidën që ai i bëri artit të tingujve me mungesën e dëgjimit të tij me shurdhërinë e thënë pak më shqiptarçe. Kur mbaroi studimin për të ai la pas një thënie të mençur që i shërben të gjithë kohërave të jetuara dhe të pajetuara “Pa karakter të fortë të madh, nuk ka as artistë të mëdhenj” Mos vallë edhe Noli do të ishte me këtë punë të jashtëzakonshme pa asnjë motiv fitimi si bëhen sot në shumë raste në Shqipëri e në Botë një lloj siamezi me atë forcë të me atë ambicje njerëzore që ai kishte në çdo hap të jetës në çdo ditë të saj?? Mos vallë po profetizonte edhe ai pasjetën e tij të mençur, të paharruar që të trazon bukurisht shpirtin dhe imagjinatën, të nxit ambicjen dhe dëshirën për t’i shërbyer kombit të tij? Në jetën e pasjetën e tij ai merr dhe sot sa e sa vlerësime për atë që ka bërë për atë që ka shkruar për atë që ka menduar ai për kombin e tij
…Ai preku dete dhe brigje që rrallëkush nga ata që kanë qenë prijatarë të mendimit të kulturës, të politikës së kombit tone, mund ta kenë bërë . Preku brigjet e Mesdheut, të Afrikës, oqeane, dete. I provoi të gjithë kostumet e profesioneve dhe të pasioneve të rralla që ai kishte për të bërë që më vonë ose dhe në gjallje të tij ai të na krijonte një hulli të re që mund ta quajmë pa mëdyshje NOLIADË. Saga e Noliadës ishte dhe mbeti bash si Sagat e Evropës dhe Amerikës që kudo të nxjerrë hiret e saj të muzeve të skulpturave, të tingujve të vetrinave, të mbushura të rrugëve, të tryezave, të universiteteve. Provoi, edhe pse për pak kohë, kostumin e një kryministri që e pa popullin e tij nga ajo që ai donte të bënte për të dhe që nuk mundi ta bënte kaq gjatë, kaq mirë . Ishte koha që edhe Evropa kishte hallet e saj të shumta. Provoi kostumin e diplomatit dhe fjalët e tij në Paris e në Lidhjen e Kombeve në shërbim me kaq hire mençurie në shërbim të shqiptarizmit e aq më shumë edhe të anglishtfolësve e anglishtshkruesve që e panë dhe e shohin edhe sot e kësaj dite si modelin të një ligjërimi mrekullor që panë se Noli ishte përkthyesi më i mirë në botë për përkthimin e veprave të Shekspirit në gjuhët e huaja. Provoi e veshi edhe këpucët e baltosura të fshatarit dhe me simbolin e “opingës” do të bënte sa e sa shkrime dhe do të jepte zgjidhjet e tij politike. për këtë shtresë sociale të popullit tonë. Me këtë psikolgji ai e deshi po kaq shumë dhe farën e bimës, flladin e pranverës dhe do i përulej me nderim brazdës së tokës dimrave, pranverave. Atje në tavolinën e tij të punës ai vuri pranë njëri-tjetrit Shekspirin dhe Ibanjezin. Vuri Don Kishotin dhe Hamletin. Vuri mjaltimin e poezisë së Khajamit dhe filozofinë e të gjithë kohërave. Se për të gjitha kishte dhe ka nevojë kombi ynë dhe cdo komb që do mbrothësinë. Ani pse në kohën që ai ngjiste maja përkthimi shqiptarët ishin shumica analfabetë. Ani pse Aleksandër Moisiu i madh do të rizgjonte Hamletin në skenat zvicerane, ruse gjermane, amerikane..e nuk do t’i jepte magjisë së skenës shqiptare. Madje në kohët e tij ai donte të mësonte hebraishten. Për këtë dikur ai shkruan: “Katër vitet e fundit po mësoj hebraishten me qëllim që të përkthej Dhjatën e Vjetër nga origjinali dhe për këtë po punoj tani..” Dhe të mos harrojmë se ishte viti 1964 vetëm një vit para vdekjes. Për këtë i madhi Dritëro Agolli shkruan më vonë: “Fan Noli e bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip. E bëri Otellon të zemërohet shqip. Hamletin të pikëllohet shqip. Ai e bëri Omer Khajamin të tallet e të qeshë shqip. Me këtë ai tregoi se gjuha shqipe është nga gjuhët që mund të japë gjithë nuancat e fjalëve e tingujve e gjithë shkallët e mendimit njerëzor.”
Duke takaur e lexuar bashkohësit e tij mësojmë se ai kishte në jetë dy kostume. Me atë më të mirin u varros. O thjeshtësi që sot nuk do ta besonin kurrë politikanët tanë të sotëm!
Në të gjithë vitet e jetës së tij ai do të kishte brenda vetes statusin e emigrantit politik e ekonomik. Në të gjithë botën me shumë gjuhë e me shumë kufinj gjeografikë, emigrantët kanë një status të përbashkët me të gjithë sfidat që ata kalojnë. Dhe e provoi bukur mirë bukën e mërgimit në Athinë, në Egjipt, në Evropë në Amerikë e kudo ai ishte dhe mbeti “gur i shkulur”. Jetoi me hallet e problemet që ka çdo emigrant në botë. Kjo i dha një “pasaportë” humanizmi kur fliste për shqiptarët e Amerikës që ishin emigrantë që punonin aq shumë që e donin aq shumë atdheun e tyre. I erdhi shumë mirë edhe kostumi i klerikut të fesë ortodokse shqiptare në Amerikë. Ai kostum që e bënte atë më shqiptar se shqiptarët. E sërish duke ndjekur këto vite nga vetë imzot At Artur Liolin mësuam se ai jetonte në kushte shumë të thjeshta dhe ishte shembull edhe për të tjerët. Dukej se buzëqeshja e tij e ngrohtë rrezatonte në të gjithë cepat e kishës së Shën Gjergjit. E vetëm pak vite ai jetoi fizikisht në Shqipëri e kjo nuk e pengoi atë që të njihte mentalitetin shqiptar zakonet, traditat, gjuhën, kulturën, fenë. Të mos harrojmë se pikërisht në vitin 1924 në Beratin e bukur që mund të quhet edhe “Qyteti i Tolerancës Fetare” do të ishte prijatar i Kishës Autoqefale shqiptare gjë që do ta mbante të ndezur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hyri në Betejën e Shkronjës së Përkthimit si luftëtari më i fortë dhe si fitimtari më i devotshëm. Në një betejë nga më të bukrat e më afatgjata që ka patur e do të ketë njerëzimi dhe që kërkon. Ngado që shkoi e në çdo prag që hapi e në çdo tribunë ku hipi ai kujtonte Ibrik Tepen e tij që kishte kaq pak shtëpi, por dhe kaq shumë shqiptarizëm. Më vonë në brigjet e Atlantikut në Boston e pikërisht në lokalin me famë shqiptarie të mikut të tij Antoni Athanas ai meditonte për një jetë të re, për jetën që kishte kaluar. E në atë restorant që e kishin vizituar president e gjeneralë, milionerë e njerëz të kulturës së mbarë Amerikës që quhej “ Pier Fori” kishte përherë në çdo ditë të vitit një tavolinë të rezervuar për mikun e nderit Fan Noli ku ai pinte kafenë dhe takonte bashëatdhetarët e tij nga e gjithë Amerika. Aso kohe e ishte thënë prej kohësh atë dyvargësh mençuror që bashkonte shpirtërisht dy kombet tona
Mbahu nëno, mos ki frikë.
Se ke djemtë në Amerikë
Ishte përfundimi më i madh që do të bënte me kaq thjeshtë si dhe largpamësi një intelektual të së parë për marrdhëniet shqiptaro-amerikane të asaj kohe e të kohëve që do të vinin.
Noli na la pas një NOLIADË. Një frymë më të ngrohtë që nuk ta japin as zjarret më të fuqishëm të globit, na dha mesazhin e emancipimit social të përkthimit
Noli na la pas një Maratonomak të ri. Shumë më të fortë se ai i lashtësisë Jo një maratonomak si ai i një piste vrapimi që ka një cak ku e nis dhe ku e mbaron udhëtimin e tij vrapues, po një maratonomak që ka kudo pista të hapura me ambicje të madhe me synime të qarta se ku do nisesh dhe se ku do të arrish. Sa bukur të kishim sa më shumë maratonomakë si Noli që na mungojnë e na mësojnë se jeta është sfidë është luftë është përpjekje aq më shumë jeta e një kombi si yni që e ka patur sakfificën pjesë të jetës së tij, të historisë së tij .. gjer sa të vdes Në vitin 1908 ai i dërgonte një letër mikut të tij Thanas Tashkos një letër ku i shkruante për një dëshirë, për një amanet të çuditshëm që rrallë mund ta dëgjosh diku
Dhe do të luftoj.. gjer sa të vdes
Shpërblimi më i mjaftë do të jetë
Një këngë prej labësh dhe
labëreshash kur të vdes”
Përtej këtij amaneti që ai e kishte bërë më 1908 do ta dëgjonim dhe lexonim një mesazh po kaq të fortë mençuror “të rrojmë me dobi e të vdesim me dobi:” Varri i tij atje në varrezat e Fores Hillit është varri më i thjeshtë nga të gjithë politikanët e kohërave të kombit tonë . Edhe para se të mbyllte sytë e, pikërisht në lutjet e vitit 1960 ai do të shkruante të tjera fjalë monumetale për miqësinë dhe për kontributin e Amerikës në demokracinë e Shqipërisë ‘ Amerika është nëna jonë kombëtare . Ajo na ka dhënë mënyrën amerikane të jetesës, demokracinë dhe barazinë . Zoti e bekoftë Amerikën!”: Është pak të thuash se jemi krenarë me të dhe për të. Për të nuk ka nevojë që të vrapojmë për ta kujtuar, për t’u frymëzuar. çdo ditë e jetës sonë ka nevojë për t’u parë në pasqyrën e Noliadës. Për atë që kemi dhe për atë që duhet të bëjmë. Nuk është nevoja që të shkojmë shpesh në vende të ndryshme të largëta e të afërta për të marrë modele. E kur të gjithë këto modele krijojnë një hulli të re që rrezaton në kohëra atëherë të gjithë duhet të skuqemi në fytyrën e mbushur me dritë ëndrre se nuk ecim në gjurmët e tyre.
Fan Nolin na la pas vetes një VATËR. Një vatër ku në vite e shekuj do të mblidhen shqiptarët e Amerikës, të të gjithë krahinave të kombit shqiptar dhe në gjurmët më të lavdishme të të parëve do ruajnë dinjitetin e kombit.
E përtej tërë kësaj sage moderne dhe aq të vyer na duhet që të mbyllim këtë rrëfenjë eseistike me një rrëfim, monolog, quajeni si të doni, që duket se rrjedh edhe më të vrullshme, me fjalë më të mencura, tronditë se, e më farfuritëse se vetë Nili, në brigjet e të cilit ai shkruante këto radhë. Ne që jemi mësuar ta shohim atë në tribuna mentarie, politike, poetike, kishtare, diplomatike, duket se shohim në të romantikun e përjetshëm. Do të kalonin dhe 62 vjet jetë pas këtij rrëfimi. Do të kalonin 115 vjet deri në ditët tona, po ai të godet me mesazhin dhe dridhjen e zemrës noliane. Shohim një NOL-NIL të përjteshëm “ Gjithë këto mendime në trurin tim dhe asnjë në letër. Flë, po flë shpirti im i plogët si Nili, që u mbyll brenda në shkretëtirë .. Ti, o Perëndi shkolite Nilin tim nga shkretëtira dhe hidhe brënda në oqean, lëshoji të gjithë erërat. Bëje, o Perëndi shpirtin tim të këndojë e të kridhet në melodinë e detit të egërsuar. Të mbytem në shtrëngatë dashurie..”
Dhe vetë Noliada është një Kryedashuri më vete.

Filed Under: Featured Tagged With: 136 vjet, DITËLINDJEN, Fan S Noli, namik Selmani

Kalendar për RD-në e sotshme

January 6, 2018 by dgreca

1-ilir-levonja

Nga Ilir Levonja/

 Më 5 janar të vitit 1991, doli në qarkullim e para gazetë opozitare, Rilindja Demokratike. Ose RD-ja, siç edhe e njohin njerëzia sot. Ato emocione kohe janë të vështira të riprodhohen, por një gjë është e qartë, brezat që i provuan janë me fat. Kuptuan dobinë e ekzistencës së mendimit ndryshe, si pjesë e lirisë dhe të drejtave të individit. Provuan se kur lëvizjet mbartin frymë popullore, shoqërisë i ka mbetur akoma aftësia për t’u përmisuar. Megjithatë unë nuk do merrem me përfundime sociologjike, por tek atmosfera. Ndofta kjo do të ndihmojë në ndijimet e demokratëve për të kuptuar se sa larg masave, është sot demokracia në Shqipëri.

E sidomos PD-ja dhe RD-ja e saj, jo e demokratëve.

Duke qënë se jetoja në një qytet kryqëzim midis jugut dhe veriut, gjithçka vinte e ndërsjellë me autobozët e linjave, trenat, e ato pak makina tregtie. Edhe nga dritarja e autobuzit më kaë thirrur, më kanë kërkuar numrin e RD, pasagjerë të linjave të jugut. Gjithçka vinte përmes valëve të stacioneve italiane, pasi tonat ngjanin me ca garderoba kohe, ku ekzekutive kishte mbetur tashe jeta shablone dhe e vdekur e anormales. Në fakt gjithkush kishte ndijimet e kafshëve të safarit, vesh përpjetë, shikonin qoshet dhe vendet ku mbaronin rrugët që dilnin nga qyteti; gjithkush i druhej gjithkujt, edhe pse gjithkush e kishte kuptuar se kishte nevojë të merrte vesh për diçka ndryshe. Gjithkush kishte nevojë të shikonte të flitej të paktën një here ndryshe për një sekretar partie, a një drejtor ndërrmarrje. Figura të cilat tashmë ishin bërë objekte barcaletash. Ca për arrogancën në emër të partisë dhe ca për injorancën si mode e produkteve nga shkollave të saj, katedrat e të cilave konsideronin shkencë veprat e udhëheqësve. Kështu që nuk ishte e rastësishme që një sekretare me pushtet të kërkonte mbledhje për dhënie llogari të Warinskyt, një tip skllavatori që për një apo dy arsye teknike nuk kishte pastruar kanalet vaditëse. Rilindja e atëhershme që një lloj disku alienësh, një objekt magjik, t’i gëzonte sytë, t’i digjte duart, të shuante etjen, të mbushte sytë me lot e ta bënte ditën mezi të prisje deri tek e nesërmja, a numri i radhës. Në hapat e pluralizmit politik kisht edhe përpjekje absurde për ta ndaluar, por ishte e pamundur.

Kush e merrte në dorë, ndihej kaq triumfator sa nuk do ta kënaqte asnjë bufe, lavatriçe, a frigorifer, gjëra që për kohën ishin dallim klasor, ndikonin deri në fate krushqish, caktonin kufirin midis njeriut të kamur dhe shtresave të varfëra. Ca budallallëqe kohe që ishin pjesë e asaj mendësie me autorizime etj. E për më tepër në një kohë, ku Iphonet ishin endrra të të çmendurve. Megjithatë ato faqe linotipësh nga shtypshkronjat e Tiranës, kishin vlerën që sot e ëndërrojnë vet Iphonet. E kam fjalën për efektin në masë. Madje vet komunistët a socialistët ishin më të përvëluar për të kuptuar efektet e masturbimit nga bëma dhe luftrat e brendshme. Sa nuk është e rastësishme që sot Shqipëria ka për kryeministër një djalë nomlekature, komunisti, madje me termin efekt rilindje, rilindas, rilindje për këtë e atë. Janë të gjitha nga efektet e rilindjes së viteve 1991, nga masat, por që koha i ka atashuar në ca pozita, ku gjithkush mban vetëm me mburrje dhe dekoratat fallco. Pasi efekti tashmë është një nocion i memories. Një pllakë qivuri ku në përvjetorë këta kufomat e lirisë dhe të drejtave të njeriut, të transformimeve imagjinare të shoqërisë, kanë shancin të ngren dolli me gota kristali në emër të saj. Një RD e atëhershme ka qënë më shumë se sa e gjithë zhurma bashkë që bëjnë këta emetues dixhital sot, me përpjekjet e tyre të panumurta anti sociale, si e si të tërheqin vëmendjen e një mase që është krejt e budallepsur brenda hashashit të partive. Atëhere Rilindja demokratike ishte një revolucion masash, 120 mijë kopje, shpërndarë e shitur me shpejtësinë e elektronit. Sot një kavje e vetvetes për shkak të lojrave brenda llojit, pa masat, një kavje që as përvjetorin e saj nuk e kujton në faqet e saj. Madje nuk e di që sot ka ditëlindjen. Dhe kjo është fare e thjesht, është pushtuar nga teknicienët. Dhe mire që nuk del më me letër, se do e gjenim si lëndë të parë për banjot publike. Se ato thirrje nga dritaret e autobuzëve, për të patur një kopje të saj, janë tashmë një vegim.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Kalendar, për RD-në e sotshme

Donald Trump dhe Shqiptarët

January 6, 2018 by dgreca

1 Genc Tirana.jpg

Nga Genc TIRANA/ Kanada/*

Vota e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara pro resolutës që ra ndesh me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit hapi një debat të nxehtë mes politikanëve të dy krahëve të kundërt tek ne dhe mediave që janë të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër përkatësisht me këto grupime politike. Përplasja e tyre në Parlament apo në mediumet përkatëse është praktikë e njohur dhe duket se në esencë ka pak të bëjë me dilemën nëse ne duhet të jemi pro Izraelit apo Palestinës.Çfarë ra më shumë në sy nga debati i fundit ishte numri më i madh i prononcimeve pro apo kundra kësaj vote nga ata që nuk janë të angazhuar në politikë, por gjithsesi shprehen rregullisht dhe kanë një zë në mediat sociale. Madje duket se kësaj here prononcimet pro Presidentit Trump ishin në rritje në një kohë që ishte bërë si e modës që në mediat sociale të ripostoheshin pa rezervë shkrime apo video anti-Trump të huazuara nga mediat e huaja. Duke menduar se Trump bëri plot një vit në dhomën ovale dhe se gjatë kësaj periudhe priteshin edhe qëndrime pozitiviste ndaj tij ngelesh me përshtypjen sikur ne jemi zgjuar nga një gjumë i thellë letargjik.

Në qendër të këtij debati palët vërtiten më tepër rreth pyetjes se pse autoritetet shqiptare duhet të jenë kundra Amerikës dhe duket se anashkalohet një çështje më thelbësore: Përse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë pozicionuar kundër Presidentit të Amerikës Donald Trump? Fakti që ne i jemi mirënjohës popullit amerikan i cili ka qenë historikisht në krahun tonë bie ndesh me qëndrimin tonë kundra Presidentit që amerkanët zgjodhën legjitimisht me shumicë vote.

Pozicionimi anti-Trump i një pjese të mirë të qytetarëve tanë e ka zanafillën në fushatën elektorale të zhvilluar më shumë se një vit më parë ku shumëkush u angazhua emocionalisht si në një lojë ku tifozët bëhen me njërin ekip kundër tjetrit. Ishte disi e natyrshme që pjesa më e madhe u rrjeshtua përkrah Hillary Clinton për faktin që Amerika nën administratën e Presidentit Bill Clinton bëri aq shumë në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në favor të shqiptarëve. Tani që Trump është në detyrën e Presidentit çështja e angazhimit tonë pro apo kundër tij është më delikate dhe kërkon një shqyrtim më të mirë.

Për hirë të vërtetës duhet thënë se prej dy vitesh gjendja e politizuar në Shtetet e Bashkuara është e mbarsur me demagogji më shumë se herë të tjera. Mediat kryesore për shumë arsye mbështetën fushatën e mirëfinancuar të Hillary Clinton. Rrjetet televizive si CNN, MSNBC, etj si dhe shtypi i shkruar New York Times, Washington Post dhe shumë e shumë media në linjë si dhe mediat sociale kanë anatemuar kandidatin Trump dhe vazhdojnë si asnjëherë tjetër në historinë e këtij vendi me të njëjtin intensitet kundër tij edhe tani që ai është President. Nga një studim i Universitetit Harvard rrjetet televizive CNN, NBC gjatë 100 ditëve të para të Presidentit Trump në detyrë transmetuan në 93 për qind të kohës në dispozicin për aktivitetin e tij në mënyrë negative. Në një hulumtim më të gjërë studiuesit vëzhguan se mediat në tërësi përfshirë The New York Times, The Wall Street Journal, The Washington Post etj ishin vetëm 20 për qind pozitivistë dhe 80 për qind negativistë ndaj Presdientit çfarë është shkelje flagrante e parimit të paanshmërisë, raportimit me drejtësi dhe në mënyrë të ekuilibruar që është guri i themelit të mediave të pavarura dhe lirisë së shprehjes.

Kjo makinë e fuqishme propagandistike duket se ka ndikuar në opinionin Evropian edhe më tepër se në Amerikë për arsye të ndryshme. Për rrjedhojë po të njejtin drejtim ka marrë opinioni mbi Trump në Shqipëri, Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare. Në shtypin e shkruar dhe elektronik tonin e për rrjedhim në mediat sociale gjënden me shumicë lajme dhe opinione të huzuara nga mediat amerkane të lartpërmendura si dhe ato të Europës, kryesisht të vendit fqinj Italisë që për fat të keq politikanët aty dhe propaganduesit që i pasojnë vitet e fundit nuk dijnë mirë se ku e kanë kokën e tyre dhe çfarë po ndodh me fatin e qytetarëve në atë vend e jo më të dijnë të drejtëpeshojnë dhe të gjykojnë qartë për Presidentin e Amerikës. Në kushtet e kësaj kakofonie duket se ripostimi i një posti anti-Trump në Facebook hera herës i shoqëruar me një koment ripërsëritës të postit vetë duket si argument i pamjaftueshëm për të marrë një pozicion të qartë e të thelluar mirë kundër tij. Përpara se sa të pozicionohemi e të mbajmë një qëndrim kritik është e udhës të hulumtojmë së cilat janë shtyllat krysore me të cilën kundërshtarët e Presidentit mbajnë ngrehinën anti-Trump. A janë argumentat që përdoren kundër tij të mbështetura mirë që ne të jemi negativistë ndaj Presidentit të Amerikës?

Propaganda kundër Trump u kap fort mbas deklaratave të tij për luftën që i duhej bërë emigracionit të jashtëligjshëm nga Meksika dhe u përpoq ta paraqesë atë si racist e që nuk i donte emigrantët. Është e kuptueshme që prapa kësaj propagande fshihej qëllimi që spanjikët, afroamerikanët dhe pjesa më e madhe e popullsë me ngjyrë të mos votonin Trump. Duhet thënë qysh në fillim se kjo nuk u eci kundërshtarëve të tij, pasi një pjesë e mirë e spanjikëve mbështetën Trump. Nga vëzhgimet e një institucioni të specializuar për zgjedhjet presidenciale Edison Research rezulton se Trump pati tregues më të mirë të votës së spanjikëve se Obama dhe Bill Clinton.

Kjo propagandë ndikoi dukshëm opinionin shqiptar gjithashtu ngaqë në dekadat e fundit një pjesë e mirë e jona ka kaluar përmes emigracionit. Fakti është se Trump nuk kishte në fokus emigrantët në tërësi, por vetëm ata që hynin ilegalisht nga kufiri e që ishin përfshirë në aktivitete kriminale. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve të ardhur në Amerikën e Veriut i janë nënshtruar rregullave të emigracionit dhe kanë ulur shpinën për të punuar ndershmërisht në këto vende dhe tani kanë zenë vend dinjitoz në kalsën e mesme të shoqërisë. Po kështu kanë bërë edhe emigrantë të ardhur në rrugë ligjore nga vende të tjera përfshirë dhe Meksikën, por jo të gjithë. Ka plot prej tyre që kalojnë kufirin dhe përfshihen në aktivitete kriminale që ishin dhe janë në shënjestrën e Trump. Parë në këtë këndvështrim nuk ka pse ne të paragjykojmë një veprim të ligjshëm të deportimit të atyre që shkelin ligjiin dhe dëmtojnë imazhin e atyre që emigrojnë në mënyrë të rregullt. Trump nuk hoqi dorë nga motoja e tij “Amerika e Para” dhe me të drejtë këmbënguli duke përsëritur se përderisa Amerika mbron kufijtë e plot vendeve të tjera në botë nuk ka pse të mos mbrojë kufijtë e sajë. Ku është e keqja këtu dhe pse duhet anatemuar Trump për këtë gjë? Përse duhet të sensibilizohen emigrantët shqiptarë nga ky qëndrim kur mënyra se si kanë emigruar ata është krejt e pranueshme për Trump dhe administratën e tij?

Trump u konsiderua anti-musliman nga kundërshtarët e tij dhe kjo duhet se ka ndikuar ndjeshëm te shqiptarët në vendin amë dhe Kosovë e gjtetkë, përderisa një pjesë e konsiderueshme e jona është e lidhur me fenë islame. Të shtjellosh këtë çështje do duhet së pari të risjellësh në mendje periudhën në të cilën Trump doli me idenë që të ndalohet hyrja në Amerikë e atyre që jetojnë në vendet që nxisin terrorizmin islamik nga ku morri nxitje sulmi kundër tij.

Duke mos nënvleftësuar çfarë President Obama ka pozitive dhe çfarë ka bërë për Amerikën duhet pranuar se në periudhën e presidencës së tij ISIS arriti të pushtonte territor si kurrrëherë ka ndodhur me një organizatë terroriste. Fushata elektorale ku Trump ngrinte zërin po zhvillohej pikërisht kur ISIS priste kokat e qytetarëve Amerikanë dhe Evropianë në mënyrë publike dhe Amerika zyrtare i dënonte këto akte vetëm me retorikë boshe si të ishte një organizatë joqevereritare e jo si shteti më i fuqishëm i botës. Ishte e dukshme se Obama ishte larg nivelit të burrave të shtetit amerikan në raste konflikti. Një pjesë e mirë e elektoratit që ishte lodhur me sjellje prej ‘bura vogla’ të Presidentit të asaj kohe e vlerësuan vendosmërinë e Trump më shpresëdhënëse.

Koha e provoi se në më pak se një vit pasi Trump mori detyrën ISIS u shpartallua duke humbur 98 për qind të territorit që kishte në Irak dhe Siri. Për ironi kundërshtarët e Trump në atë periudhë u jepnin më shumë peshë idesë se terrorizmi nuk ka të bëjë fare me fenë islame. Në esencë kjo gjë është e vërtetë dhe për më tepër Trump nuk mendonte ndryshe. Vetëm se kundërshtarët e tij ia shtrëmbëronin fjalët dhe kërkonin që t’i atribuonin me pa të drejtë nofkën si anti-musliman. Ai ndryshe nga kundërshtarët e tij donte të ishte më i artikuluar dhe i drejtpërdrejtë dhe nuk linte pa përmendur shprehjen terrorizmi radikal islamik, që në fund të fundit nuk fajson këtë fe në vetëvete përderisa këta radikalistë në shumë raste ushtrojnë terror mbi popullsinë muslimane gjithashtu. Në një konferencë shtypi që mbahet mend nga shumëkush në nëntorin e vitit të shkuar ai pohoi se unë e di të flas me një gjuhë politikisht korrekt dhe mund të isha përgjigjur ndryshe pyetjes mbi terroizmin radikal islamik por problemet nuk zgjidhen pa e përmendur se kush është problemi. Ishte pikërisht kjo gjuhë e drejtpërdrejtë që e bëri Trump më të besueshëm për votuesit e që nuk ka pse të mos jetë i besueshëm edhe për opinionin tonë publik.

Akuza që Trump ka bashkëpunuar më Rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale ishte dhe mbetet dhe sot e për një kohë më të gjatë një nga vegjet ku janë kapur fort kundërshtarët e tij. Kjo është tjerrur aq shumë njësoj si me ato kukllat ruse të drurit (матрёшка) që shiteshin sukseshëm në troturaret e qyeteve evropiane vitet e para mbas shëmbjes së Murit të Berlinit, ku brenda kukullës me fytyrën e Gorbaçovit dilte ajo e Berzhnjevit, Hrushovit, Stalinit e me radhë. Në rastin e sulmit ndaj Trump kjo nuk ngjan si lojë kukllash pasi FBI po merret seriozisht me hetimin e çështjes së ngritur aq me forcë nga kundërshtarët e tij.

Deri tani nuk po del që ekziston një marrveshje e fshehtë me rusët që ta implikojë Presidentin Trump. Madje në të kundërtën, përditë e më tepër po del se hetimi i posaçëm i Drejtorit të FBI Robert Mueller nuk po mban erë të mirë. Një pjesë e hetuesve të tij janë direkt të lidhur më Clinton kundër Trump çfarë i ve një pikpyetje të madhe ndershmërisë së hetimit. Është fakt që Peter Strzok, nënkryetari i kundërzbulimit në FBI që para pak kohësh punonte për Mueller në këtë hetim kishte shkëmbyer mesazhe me një avokat ku kritikonte ashpër Trump dhe përmëtepër ka përgjegjësi direkte në zbutjen e përkufizimit të akuzës që iu bë Clinton në mënyrën si ajo kishte vepruar me email-et sekrete. Ky fakt e kompromenton ndjeshëm paanshmërinë e hetimit ndaj Trump. Tjetër fakt që tregon se hetimi kundër Trum është i njëanshëm është se se disa prej hetuesve në ekipin e Mueller kanë dhënë mbi 62,000 dollarë kontribute për demoratët. Punonjësi i FBI që heton Trump, Jeannie Rhee i ka dhuruar më shumë se 16,000 dollarë demokratëve e për më tepër ka mbrojtur Fondacionin Clinton në një padi që i është bërë. Ai ka qenë gjithashtu avokat i Clintonin vetë për ta mbrojtur nga akuzat në çështjen e emaileve. Ben Rhodes, zëvendës këshilltar i sigurimit kombëtar nën Presidentin Obama, gjatë Komisionit Selektues të Shtëpisë së Bardhë mbi hetimin e Bengazit ku akuzohet së tepërmi Clinton është gjithashtu pjesë e grupit që hetojnë Trump. Si mund të jenë të paanshëm këta hetues pra kur i përkasin kryekëput atyre që kanë stisur histerinë kundër Presidentin Trump?

Një sulm frontal kundër Trump ishte dhe mbetet përpjekja për ta zhvleftësuar figurën e tij morale. Pikërisht në ditët e fushatës elektorale tejmase të elektrizuar dolën 19 femra që e akuzonin Trump për ngacmime dhe sjellje të padenja seksuale. Deri tani asnjëra prej tyre nuk e ka provuar dot fajsinë e tij dhe akuzat ngjajnë si të fabrikuara përderisa bëhen pikërisht në ditët që mund ta dëmtonin fushatën e tij e për më tepër janë zbuluar qëllime të hapura përfitimi material. Këto ditë në mediat amerikane përcillet lajmi që avokatja Lisa Bloom ka kërkuar pagesa nga donatorët për femrat që akuzojnë Trump. Zonja Bloom ka deklaruar për gazetën The Hill se i është drejtuar mediave tabloid që botojnë ngjarje rozë që të paguajnë femrat që akuzojnë Trump në shkëmbim të intervistave që ato eventualisht mund të japin. Sipas praktikës së saj avokatore Zonja Bloom merr deri në 33 për qind të parave që marrin klientët e saj sipas kësaj gazete. Më konkretisht sipas gazetës The Hill, avokatja Bloom po ndihmon aktivisht Jill Harth, një nga femrat që akuzojnë Trump, duke grumbulluar deri tani 2300 dollarë në një llogari në linjë GoFundMe.com me pretendimin për të bërë 30000 dollarë për kredinë e apartamentit të saj. Sa të besueshme janë këto femra kur qëllimi i hapur i tyre dhe i atyre që i orkestrojnë nga mbrapa është përfitimi material?

Strategjia tjetër e fushatës së mirëfinancuar të Clinton për të denigruar personalitetin e Trump, që nuk duket se eci gjithashtu, ishte ndërsimi i artistëve dhe këngëtarëve të famshëm kundër tij. Ndryshe nga fushatat e tjera kur artistë seriozë mbështesin një kandidat duke dhënë një koncert për votuesit, kësaj here u zëvendësua me sharje vulgare që më shumë ulën figurën e vetë artistëve e të organizatorëve prapa tyre se sa figurën e Trump. Këngëtari i muzikës Hip Hop, Jay Z në një koncert që dha në favor të fushatës së Clinton rrjeshtoi sharje të ndyra ndaj Trump në mes të mijëra shikuesve që është turp të ripërsëriten në këtë shkrim. Muaj më vonë kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë aktoria e komedisë Kathy Griffin bëri publike një fotografi ku ajo mbante në dorë një imitim të kokës së prerë të Trump që ishte gjithësesi pamje makabër dhe për pasojë një provokim fizikisht i rëndë ndaj Presidentit. Tre muaj më parë prezantuesi i CNN Anthony Bourdain tha publikisht se ai mund ta helmonte Trump nëse ai do të gatuante për të. Komentet dhe shakatë e këtyre figurave publike të nxitura nga kundërshtarët mund të kenë kuptime alegorike por padyshim që i hedhin benzinë zjarrit që i është ndezur Presidentit Amerikan që duhet të na bëjë ne më sy hapur në gjykimin pro apo kundër tij.

Sulmet nga të gjitha anët ndaj Trump lidhen kryekëput me faktin se ai hyri në arenën e politkës Amerikane me premtimin se do të thajë kënetën duke nënkuptuar luftën pa kompromis kundër tërë institucionit politik në Capitol Hill pa dallim si Demokratë ashtu edhe Republikanë. Natyrisht që kjo gjë u bie ndesh interesave të atyre që kanë fuqinë ekonomike në dorë e financojnë luftën kundër tij. Ata e kanë kuptuar se Trump po i mban premtimet që bëri në fushatë. Në një kohë relativisht të shkurtër ai implementoi reformën në uljen e taksave, mundi ISIS, doli nga marrëveshje që sipas tij janë bërë jo në interes të Amerikës e duhen rinegociuar si marrveshja e Parisit për ambientin, marrveshja NAFTA mes Amerikës, Kanadasë e Meksikës, etj, etj. Nëse ai vazhdon kështu duke disiplinuar emigracionin dhe nëse u ve fre kapitaleve amerikane që të eksportohen në Kinë, Meksikë dhe vende të tjera për kundërshtarët e tij fitimet nga fuqia punëtore me çmim të ulët që lakmojnë do të shkojnë poshtë. Kjo e bën që Trump merr sulme nga të dy krahët.

Natyrisht që ne shpiptarët jemi larg këtyre skenave a prapaskenave të fuqishme me shumë aktorë e intersa të ndërthurura në të njëjtën kohë. Veçse edhe ne jemi të prononcuar në grupime e përkatësi të ndryshme politike dhe kjo e bën padashje pozicionimin ndaj Trump jo të lehtë. Fakti që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti hapur anën e Clinton ndaj fushatës elektroale në Amerikë ndikoi që pjesa e elektoratit të majtë shqiptar të prononcohet në një farë mënyre kundër Trump. Çështja është se ndryshimi i pikpamjeve të majta e të djathta në Shqipëri nuk i ngjan shumë atyre në Amerikë. Kur Edi Rama u prononcua kundër Trump pothuajse e gjithë bota mendonte se do të fitonte Clinton dhe shumë burra të tjerë shteti lujatën si në një lojë bixhozi që duke ditur se kush do të zgjidhej kërkonin të fitonin më shumë pikë përpara Presidentit Amerikan të ardhshëm. Fitorja e Trump ia dogji kartën në duar por ky nuk është fundi i botës për politkanët. Shumë burra shteti e uruan Trump për fitoren dhe përpiqen të rivendosin me të marrëdhënje të mira. Nuk është çudi që dhe Zoti Rama të ndjeki të njejtën praktikë. Para ca kohësh ai ka bërë një fotografi duke qeshur me Trump e ndërsa përpara disa ditësh votoi kundër tij pasi niset nga iteresa të caktuara për momentin dhe nesër mund të bierë përsëri dakord nëse intersat ndërrojnë kah. Radarët e politikanëve funksionojnë në frekuenca që shumë herë është e vështirë të kapen nga masa e gjerë. Nërsa ndërgjegja jonë kombëtare që kësaj here është përpara një prove të vështirë morale përballë popullit mik amerikan funksionon me parime të tjera më të larta siç është kodi i nderit dhe Besa.

Genc Tirana

genctirana@hotmail.com(Kortezi-Panorama)

Filed Under: Politike Tagged With: dhe shqiptaret, Donald Trump, Garibaldinet dhe shqiptaret, Genc Tirana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT