Libri i Michael Wolff me zbulime për presidentin, Donald Trump ka zënë vendin e parë në listën e bestsellerëve në Amazon. Por kush është personi pas këtij libri?
Të shtunën (06.01), autori i librit që po ndiqet më vëmendje në të gjithë botën, Michael Wolff është shprehur për BBC, se me gjasa libri i tij me zbulime, mund të shënojë edhe fundin e presidencës së Donald Trump, shkruan agjencia Reuters.
Pasi ka punuar 40 vjet si gazetar, Michael Wolff bëhet brenda natës një njeri i famshëm me librin „Fire and Fury- „Zjarr dhe zemërim – brenda Shtëpisë së Bardhë të Trumpit”. Libri i tij tregon një Shtëpi të Bardhë disfunksionale nën qeverisjen e keqe të Donald Trump. Interesi për librin e tij është kaq i madh, saqë shtëpia botuese, Henry Holt dhe Company e nxorri botimin më shpejt se pritej, të premten.
Kush është Michael Wolff?
64 vjeçari ka qenë gati i panjohur për peizazhin mediatik amerikan. Wolff ka lindur në New Jersey dhe ka studiuar në Universitetin Columbia. Karrierën si gazetar ai e filloi në New York Times si asistent. Ai ka shkruar disa libra, ndër më të njohurit portreti „Moguli mediatik: Bota e Rupert Murdoch.” Edhe Murdoch ishte i pakënaqur, si Trump me prezantimin e portretit të tij. Të habit fakti që Trump i lejoi gazetarit të lëvizë lirisht nëpër Shtëpinë e Bardhë, të pyesë dhe të vëzhgojë. Sipas të dhënave të tij, Wolff ka intervistuar mbi 200 vetë.
Sa i besueshëm është Wolff?
Trump vërtet shpesh i ka emërtuar artikujt kritikë kundër tij si „fake news”, por në rastin e Wolf edhe kolegët gazetarë kanë shtruar pyetjen, se sa vëmendje i kushton ky gazetar të vërtetës. Një artikull i njohur për të është shkruar nga Michelle Cottle. Në revistën politike „New Republic”” ajo shkroi se „vetë Wolff pranon se raportimi konvencional nuk është gjë për të. Ai thith më shumë atmosferën, thashetheme, qofshin këto në party apo në rrugë, sidomos në drekat e shtruara mirë.” Wolff megjithatë është nderuar dy herë me Çmimin National Magazine të SHBA, njërin çmim për një seri të shkruar për luftën në Irak.
Trump e cilësoi gazetarin pas botimit të librit si „dështak total”. Sipas tij ai ka „shpikur histori për të shitur librin e tij të mërzitshëm dhe me gënjeshtra.” „Fire and Fury” është plot zbulime që tërheqin vëmendjen. Madje disa nga komentet më të habitshme vijnë nga vetë Steve Bannon, kryestrategu i mëparshëm në Shtëpinë e Bardhë, që tani drejton sërish „Breitbart News”.