• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

Dështim i plotë i Pandeli Majkos në Michigan

February 4, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/Takimi i shumëpritur i Qeverisë së Socialistëve në Diasporë mori goditjen e parë. Megjithse militantë të PS bënë me qindra telefonata për të mbushur një nga sallat e Troy Community Center, organizuesit u shtrënguan të përfundonin në një klasë të vogël prej pesëdhjetë personash, përfshi këtu kameramanët dhe gazetarët. Sqaroj se, komuniteti i shqiptarëve në Michigan, numëron mëse 200 000 persona që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet. Diaspora në Michigan preferoi ta injoronte totalisht takimin e Majkos, që përveçse një farsë politiko-mediatike nuk premtonte shprehjen e ndonjë ideje apo vizioni lidhur me raportet e ardhshme të shtetit shqiptar me pjesët dhe potencialin e shkëputur nga trungu. Për më tepër, Diaspora shqiptare këtu në Amerikë, e tradhëtuar nga vota e shtetit të origjinës kundra USA në OKB, kishte të drejtën të mbante qendrim ndaj Ministrit të “Diasporës”, si antar i atij kabineti që ka katandisur në nivelin më të ulët marrëdhëniet mes dy shteteve që prej shembjes së diktaturës. Ky qendrim, bëhet kuptimplotë kur kujton se në Amerikë jetojnë më se gjysëm milioni shqiptarë, të cilët, duke qenë nënshtetas dhe të betuar për flamurin amerikan, ndjehen historikisht në mënyrë legjitime si ura kryesore që mban të lidhura këto marrëdhënie. Para takimit në Troy Community Center, Majko u mundua që të bënte takime kortezie në institucionet fetare dhe ishte habitur për formën dhe nivelin e lartë të organizimit, duke parë me sytë e tij, që shqiptarët në Amerikë, edhe për shkak të një tradite tashmë kohëgjatë por edhe sepse kanë ndjekur modelin amerikan, janë shumë më përpara nga qeveritë e Shqipërisë në shumë aspekte, dhe përveç respektit dhe një programi demokratiko-gjithëpërfshirës, nuk presin asgjë tjetër nga shteti i tyre. Ata janë organizuar rreth institucioneve fetare dhe partive tradicionale nacionaliste pa ndihmën e askujt. E vetmja “ndihmë” e qeverive komuniste ka qenë futja elementeve  përçarëse në diasporë.

Në Troy Community Center, Majkos iu bënë disa pyetje që e vunë “me shpatulla për mur”. Atij iu kërkua llogari për votimin e shumicës parlamentare që la jashtë procesit elektoral diasporën, cilësuar si një akt pushtetmbajtës në një demokraci që vetquhet bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë takim të Majkos, ish-zv/Kryetari i të Burgosurve Politik, Gjon Kaçaj, e akuzoi atë për rikthimin e simboleve komuniste, për heshtjen ndaj 29 viktimave që vdiqën me 9 Janar 2004 në kanalin e Otrantos, për vrasjen e të riut Ben Delaj nga RENEA në sy të prindërve dhe murgeshave me këshillë të Pandeli Majkos. Kaçaj, duke analizuar qëllimin e vërtetë të vizitës së ministrit, e pyeti: “A keni ardhur këtu me fytyrën e ëngjëllit, të diallit apo të Judës, dhe a do të jeni dhe ju me Ramën, Tahirin në rrjetën e Ambasadorit Lu?”. Majko u mundua t’i dredhonte pyetjes së tij, por Z. Kaçaj, i tha se ai nuk kish kthyer përgjigje për pyetjet duke e shtrënguar atë të kthehej në mënyrë të papritur duke pohuar: “Kam bërë gabim!”

Tjetër veprimtar në diasporë (pjesëmarrës me 2 Prill 1991 dhe ish-Kryetar i Unionit Studentor i Universitetit Luigj Gurakuqi), Valentin Lumaj, kërkoi nga antari i kabinetit që qeveria shqiptare të tregohej serioze në marrëdhëniet me shtetin amerikan që të mund të gëzonte statusin për të negociuar mbi fatin e emigrantëve të palegalizuar, të cilët, në rrethanat aktuale rrezikojnë të deportohen. Z. Lumaj, pyeti: “Zoti ministër, siç e thatë, ekziston një numër i madh emigrantësh të papajisur me leje qendrimi, sidomos këtu në USA. Nuk e di a jeni në dijeni për një fushatë deportimesh të ndërmarra nga administrata amerikane për emigrantët pa leje qendrimi. Ju si ministër i diasporës, a keni mundësi nëpërmjet pozitës apo kanaleve tua politike të ndërhyni në shtetin amerikan që të ndalet ky deportim i shqiptarëve dhe paisja me dokumentacion? Unë e kuptoj pozitën tuaj të vështirë, pasi qeveria shqiptare është pozicionuar kundër administratës së Presidentit Trump”. Në sallë plasi një ilaritet, që e vuri Pandeliun në vështirësi, sa u detyrua t’i ndërpriste fjalën Z. Lumaj: “Shqiptarët në Amerikë nuk duhet të mendojnë apo të kenë frikë se qendron një përçarje mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane… Mos merrni për bazë një gafë apo një qendrim emocional të çastit të kryeministrit!”. Pasi e kuptoi shkarjen e tij, Majko iu lut kameramanëve me nënqeshje, që mos të publikonin fjalët e fundit, se mund t’i sillnin problem me shefin e tij…

Pyetjet që pasuan, ishin të porositura, pyetje mikluese socialistësh, të cilët u munduan ta gicilonin nën këpucë.

Takimi u mbyll me një dështim të plotë, së pari për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, nja tridhjetë socialistë, pesë gazetarë dhe ndoshta po aq kurreshtarë e demokratë… Por sigurisht, dështimin takimit ia garantoi vetë ministri, me një vizitë pa motiv, pa axhendë institucionale, pa mesazh dhe pa ndonjë dokument paraprak, duke e trajtuar ngjarjen më shumë si një vizitë private apo turistike.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj, Dështim i plotë, i Pandeli Majkos, ne Michigan

Humbi jeten tragjikisht Alexander Delic

February 3, 2018 by dgreca


1 Alex Delic

Ne Foto:Alexander T. Delic – 22 tetor 1996 – 3 shkurt 2018/

Humbi jeten tragjikisht Alexander Delic, djali i Toles (Nikolles) Mark Pjeter Zefit nga Shen Gjergji i Ulqinit. Familjes dhe tere farefisit dhe Dedajve te Shkrelit, ngushllime per kete humbje te madhe. Alexander paste drite ne amshim. Familjes Zoti u dhashte force.

Me hidhërim të madh dhe me zemër të thyer lajmërojmë komunitetin shqiptar se me datën 3 shkurt 2018 tragjikisht humbi jetën në New York, në moshën 21-vjeçare

ALEXANDER T. DELIC

Djali i Nikoll (Tola) Mark Pjetër Zefit, nga Shën Gjergji i Ulqinit.
Funerali do të jetë ditën e marte, më 6 shkurt 2018, në Yorktown Funeral Home, 945 East Main Street, Shrub Oak, NY 10588, nga ora 2 deri në 9 të mbrëmjes.
Mesha e shenjtë do të kremtohet ditën e mërkure, më 7 shkurt 2018, duke filluar nga ora 11, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, 361 W. Hartsdale Avenue, Hartsdale New York 10530.
Mbas Meshës, trupi i të ndjerit do të varroset në varrezat Gate of Heaven Cemetery, në adresën 10 W. Stevens Avenue, Hawthorne, NY 10532.
Famullia “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushëllime Familjes. Alexander pastë dritë në amshim.(Our Lady of Shkodra)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Alexander Delic, Humbi jeten tragjikisht

Fadil Berisha, “Mërgimtari i Vitit”

February 3, 2018 by dgreca

New York-Fadil Berisha pranon çmimin Mërgimtari i Vitit/

1 Fadil Berisha

-Fadil Berisha pranon çmimin Mërgimtari i Vitit nga Ministri Gashi: “Çmim që kam afër zemrës”/

New York, 3 Shkurt 2018 – Gazeta DIELLI/ Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike njëkohësisht dhe zv. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Dardan Gashi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në ShBA, ka takuar artistin dhe fotografin e mirënjohur, Fadil Berisha. Së bashku me Konsullen e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatçiu në ambientet e Konsullatës, Berishës ju nda edhe çmimi traditional “Mërgimtari i Vitit”.
“Bashkatdhetarët tanë si z. Fadil Berisha janë duke i dhënë imazhin më të mirë kombit shqiptar nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Me punën e tyre dhe sukseset e jashtëzakonshme të arritura jane bërë shembull i integrimit dhe promovimit të vlerave të kombit tonë”, tha Ministri Gashi.
Ndërsa Berisha, puna e të cilit flet vëllime i emocionuar tha: ‘Kam fituar shumë çmime – por ky është më i dashuri sepse është afër zemrës”.

Fadil Berishës retroaktivisht për kontributin e tij në promovimin e kulturës shqiptare në botë dhe sukseset në lëminë e fotografisë i më 2 gusht të vitit 2017 i është ndarë çmimi “Mërgimtari i Vitit”, çmim i përvjetshëm që ndahet në bazë të Rregullores 2/2016 MeD për Ndarjen e Çmimit Mërgimtar i Vitit.

Gjatë vizitës në ShBA, Ministri Gashi do të realizojë takime me komunitetin shqiptar në New York dhe Ëashington si do të realizojë takime me Kongresmenë, State Departamentin e ShBA dhe Odën Amerikanë të Ekonomisë – Drejtorinë për Evropë. /b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: “Mërgimtari i Vitit”, Fadil Berisha

Astrit Lulushi, një bir i shquar i Diasporës shqiptare në SHBA

February 3, 2018 by dgreca

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

(Sprovë për jetën dhe veprën e Astrit Lulushit)/

Nga Prof. Thanas L. Gjika/
1 astrit Lulushi
Ne Foto:Astrit Lulushi me Ilirianen ne dasmen e vajzes Romina.Thanasi/
Kur fillova të lexoja disa vjet më parë shkrime të Astrit Lulushit te forumi “Alb-shkenca”, te gazetat “Illyria” e “Dielli”, etj, më tërhoqi menjëherë mënyra e tij e të shkruarit qartë dhe shkurt. Mu kujtua Faik Konica. Ky tipar i përbashkët i tyre buron nga fakti se kthjelltësia në të shkruar vjen nga qartësia e mendimeve.
Para meje, shkrimet e Lulushit janë vlerësuar prej disa penave autoritare si Prof. Sami Repishti, Fotaq Andrea, Dashnor Kokonozi, Faruk Myrtaj, etj. Për të shkruar këtë portret biografi për këtë autor prodhimtar, të thukët dhe të thellë, u lidha me të dhe pas leximit të vëmendhëm të veprave ia fillova me të diskutimit të mendimeve, për të realizuar këtë sprovë ku përpiqem të nxjerr në dukje momentet trimërore të jetës së tij dhe vlerat kryesore të krijimtarisë.
Gjithë të arratisurit politikë që nga viti 1944 deri më 1991 pas largimit nga atdheu, edhe pse propaganda komuniste i mallkoi si armiq dhe i dënoi me heshtje, nuk e harruan popullin dhe atdheun, por e vunë në fokus të punës së tyre. Ata nuk pushuan së luftuari për shëmbjen e diktaturës komuniste, për demokratizimin e vërtetë të jetës së popullit shqiptar dhe lirinë e shqiptarëve të Ish Jugosllavisë. Dhe duhet të kemi parasysh se me Shqipëri e popull shqiptar këta atdhetarë nuk kishin parasysh thjesht Shqipërinë londineze dhe popullin e saj, si mendonin, flisnin e shkruanin zyrtarët, politikanët, shkrimtarët dhe artistët që i shërbenin diktaturës komuniste. Me Shqipëri, këta atdhetarë kishin e kanë parasysh Shqipërinë e vërtetë, atë të plotën, që përfshin gjithë popullin që flet gjuhën shqipe pavarësisht se ku jeton. Të tillë koncept për Shqipërinë dhe popullin shqiptar ka dhe Astrit Lulushi.
Kjo mençuri e këtyre intelektualëve atdhetarë ka ndikuar edhe te shumica e intelektualëve që emigruan për arsye ekonomike pas vitit 1992, për t’i parë e trajtuar problemet e botës shqiptare në plan të gjerë e jo si Shqipëri londineze, ose Kosovë shtetth i pavarur.
* * *
Astrit Lulushi, gazetar në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), është autori i shumë artikujve, analizave, eseve, autor i gjashtë librave me shkrime origjinale dhe i një vëllimi me përkthime të 63 soneteve të Shekspirit. Si pak kush, ai realizoi ardhjen në SHBA më 1985 duke kryer i vetëm një arratisje të rrezikshme. Ai u lind në lagjen Laprakë të Tiranës më 8 tetor 1953. Babai i tij Reshati (1916-1994) ishte lindur në Libohovë, kishte mbaruar “Shkollën Tregëtare” të Vlorë dhe në fund të vitit 1943 kishte dalë partizan. Mbas mbarimit të Luftës Antifashiste ky ish partizan u vendos me banim në Tiranë. Mirëpo për shkak se vëllai i tij, Skënderi, kishte marrë pjesë në Luftën Antifashiste në radhët e “Ballit Kombëtar”, nuk iu dha ndonjë post ose detyrë si ekonomist i kualifikuar që ishte, por u la të punonte si llogaritar i thjeshtë. Më 1945 Reshati u martua me vajzën Seadet, (shkurt Seo, 1926-2011) nga familja Çene e Nepravishtës, fshat afër Libohovës. Nga kjo martesë u lindën gjashtë fëmijë, pesë djem e një vjazë (Jaho, Eduardi, Astriti, Gëzimi, Liliana dhe Alberti). Seoja ishte bijë e një familjeje që i kishte dhënë një dëshmor Luftës Antifashiste. Vëllai i saj i vetëm në moshën 14-vjeçe ishte bashkuar me forcat partizane kur ato kaluan nëpër Nepravishtë dhe në fund të vitit 1944 atë e inkuadruan në forcat e Brigadës së VIII, e cila u dërgua për çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Ai u vra në luftimet kundër forcave gjermane për çlirimin e qytetit Vishegrad të Bosnjës në janar 1945.
Për të përballuar nevojat e jetës, Seo më 1957 hyri në punë në fabrikën e këpucëve aty në Laprakë, si punëtore. Më 1968, kur filloi të lindëte shpresa për të hedhur një hap drejt përmirësimit të jetës me punësimin ose shkollimin e lartë të djalit të madh, ndodhi një goditje e papritur. Forcimi i luftës së klasave, u shtri edhe në familjen e Reshat Lulushit. Këtij ish partizani e kunat dëshmori, këtij babai të gjashtë fëmijëve, filloi t’i përmendej dendur fakti se vëllai i tij ishte dënuar prej pushtetit popullor. Lufta e Klasave forcohej. Djalit të tretë, Astritit, i cili atë vit mbaroi shkollën 8-vjeçare, nuk iu dha e drejta për të ndjekur ditën një shkollë profesionale. Kështu Astriti u detyrua të regjistrohej në shkollën e mesme pashkëputje nga puna.
Më 1970, lufta e klasave solli pasoja të tjera: Reshatit iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit llogaritar dhe u dërgua të punonte si punëtor në Kombinatin Ushqimor. 
“Në familjen tonë në mbrëmje, tregon Astriti, bisedohej shpesh për padrejtësitë që po na bëheshin, për trajtimin si familje me biografi të keqe. Këto biseda ma shtonin pakënaqësinë e cila dalngadal në mendjen time u kthyen në urrejtje ndaj zyrtarëve dhe sistemit politik. Im atë, për të më dhënë kurajo e për të më nxitur që të studioja sa më shumë, më thoshte shpesh: ‘Nuk të mëson shkolla, po jeta, prandaj puno e studio vetë sa më shumë!’
Pasi mbarova shkollën e mesme, shkoja te libraria e librit universitar, atje blija dispenca të shkencave që më pëlqenin. I lexoja me vëmendje dhe kur takohesha me shokët e mij studentë diskutoja me ta dhe vija re se kisha zotëruar njohuri që ata kishin marrë duke ndjekur fakultetet e ndryshme ditën. Të tilla takime më mbushën me besim e optimizëm, se një ditë do të punësohesha në ndonjë punë që më pëlqente. Mirëpo të tilla shpresa mbetën ëndrra.”
Astriti punonte si mekanik tek “Uzina Enver” dhe studimet si autodidakt i bëri pasion e natyrë të dytë. Nuk la pa lexuar asnjë roman të letëresisë sonë dhe të letërsisë botërore që ishte përkthyer, studioi dhe shumë libra të disa shkencave si gjuhë, letërsi, shkenca natyrore e histori. Më 1973 ai mbaroi shërbimin ushtarak dhe rifilloi punë tek uzina prej ku ishte larguar. Atë vit ai u njoh me zonjushen Iliriana Shishka që sapo kishte mbaruar gjimnazin. Familja e saj ishte me origjinë nga fshati i vogël Gërmenj i Skraparit, vendbanim i krijuar prej banorëve të shpërngulur nga fshati Gërmenj i Kolonjës. Mbas pesë vjet njohjeje çifti realizoi martesën, kur dhëndëri ishte 25-vjeçar dhe nusja 24. Iliriana kishte zotëruar zanatin e rrobaqepses dhe punonte në Ndërmarrjen e Punim Veshjeve (NPV).
“Mbas një vit martese u shtuam me vajzën Romina, gëzimi i parë i familjes, vijon Astriti. Pas tre vjetësh pune “vullnetare” për ndërtimin e pallatit krahas punës në uzinë, e pas shumë përpjekjesh e ankesash në ndërmarrje e lagje, mezi më dhanë një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Në maj të vitit 1985 na lindi djali Stiven, por ky gëzim i dytë, për shkak të pakujdesisë së mjekut gjatë lindjes, u kthye në një fatkeqësi, sepse djalit i shkaktoi paralizë cerebrale (celebral palsy). Kjo goditje ma shtoi zemërimin dhe urrejtjen ndaj regjimit.”
Vdekja e diktatorit në prill të atij viti ngjalli shpresa tek Astriti si te shumë të rinj se diktatura nuk do të vijonte gjatë. Ndërkohë duke e parë Ilirianën se me sa përkushtim po sakrifikohej për të rritur dy fëmijët dhe sidomos për të mposhtur vështirësitë e djalit, këtij babai të ri iu hap një plagë në zemër. Ideja se sëmundja e djalit mund të shërohej jashtë shtetit, u bë një shtytje tjetër për të menduar se arratisja ishte e domosdoshme me shpresë për të rregulluar një ditë fatin e familjes.
“Më 12 korrik 1985 i thashë Ilirianës se do të shkoja në Sarandë të shikoja mundësinë për të gjetur një kabinë plazhi, rifillon Astriti. Kisha shokë, që ishin dhe ata të pakënaqur nga regjimi dhe që ishin të gatshëm të arratiseshin, por unë nuk njoftova asnjë prej tyre, duke menduar se mos kapeshim dhe i merrja në qafë. Kështu, pa njoftuar askënd, të nesërmen u nisa me tren dhe pastaj vijova me autobuzët e linjës dhe mbërrita në Sarandë nga ora 6 pas dite. Shkova nga kabinat e plazhit, shëtita anës detit ku gjeta një vend jo larg hotel turizmit ku mendova se ishte vend i përshtatshëm për të nisur aventurën time drejt lirisë. Pasi u sorollata disa orë, shkova te vendi në mesnatë. Nxora pompën e biçikletës që e kisha lidhur te kofsha, fryva kamardaren e biçikletës që e kisha mbajtur të palosur e mbështjellë nën sjetull. U zhvesha. Rrobat i lashë nën një gur. E mbështolla kamardaren dy herë rreth belit dhe u futa në ujë për të luftuar i vetëm për jetë a vdekje. Me zë të brendshëm i thashë vetes: ‘Ndihmomë o Zot të arrij gjallë në Korfuz!’
Mirëpo, dritat e Korfuzit dukej sikur po më largoheshin. Herë pas here motobarkat shqiptare të patrullës kufitare kalonin rreth 800-1000 metra larg. Njëherë njëra m’u afrua nja 500 metra. Dritat e saj më verbuan sytë. Mu kujtuan ata dy djemtë që kishin vrarë tre javë më parë ushtarët e këtyre motobarkave, si më treguan tek kafja, të cilët i kishin tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Sarandës pas një kamioni. Mu rrëngjeth mishi, mu bë sikur dhe mua po më tërhiqnin zvarrë si shembull për të tmerruar popullin. Ndalova notimin, futa kokën nën ujë e qëndrova pa lëvizur. Pas pak nxora vetëm kokën për të marrë frymë… Zhurma dhe dritat e motobarkës filluan të dobësoheshin… Fillova të notaja përsëri, por i trembur…
Erdhi mëngjezi, Korfuzi ende ishte shumë larg. Notoja e pushoja, por lodhja bënte të vetën. Fillova të shihja mirazhe. Mu tha goja për ujë, më dukej se nuk do të arrija gjallë, se do mbetesha atje midis ujrave, si një kufomë pa vlerë. Fat i madh që në detet tona nuk ka peshkaqenë. Herë pas here e humbja mendjen për minuta të tëra… Anijet shqiptare të patrullimit nuk po dukeshin më. Isha përtej ujrave neutrale. Ndjeva një farë gëzimi, por lodhja po më bezdiste, krahët sikur më ishin prerë. Nga pasditja ndjehesha krejt i raskapitur, isha gati pa ndjenja…
Kur hapa sytë pashë një si anije të madhe jo larg meje. Fërkova sytë se mos shihja ndonjë mirazh. Anijen, madje dhe pasagjerët i dallova qartë. Mblodha fuqitë dhe fillova të thërrisja për ndihmë. Pasagjerët nuk e kishin mendjen. I shtova thirrjet dhe fillova të lëviz krahët për të tërhequr vëmendjen e tyre. Dhe ja njëri më pa dhe i nxiti të tjerët të shihnin drejt meje. Ata u kthyen nga unë dhe filluan të më shikonin. Zëri im i brendshëm klithi: ‘Rrofsh o Zot që më shpëtove!’
Më morën me një barkë e më shpunë në bord, më veshën, më vizitoi doktori. Donin të më ushqenin, por goja e stomaku im ishin mbingopur me kripë e nuk pranonin asnjë lloj ushqimi, as kafen. Kapiteni më sqaroi se anija ishte anije turistike greke me emrin “Lidia”. Më propozoi të më dorëzonte në Brindizi të Italisë ku po shkonte dhe unë pranova. Në dokumentet e rastit që mbusha sqarova se u largova nga Shqipëria sepse isha i pakënaqur nga regjimi politik dhe se kërkoja strehim politik në Amerikë. Në Brindizi u përsërit procedura e mbushjes së dokumenteve. Më dhanë disa pare xhepi dhe biletën e trenit për në qytetin Latina pranë Romës, ku ishte kampi i refugjatëve të ikur nga vendet komuniste të Europës lindore.”
Ramiz Alia, tashmë numëri një, donte të krijonte idenë se diktatura po zbutej. Prindërit e Astritit pensionistë që jetonin me fëmijët e pamartuar nuk u prekën. Prindërit dhe familja e Ilirianës, gjithashtu. Edhe Iliriana me fëmijët vijuan jetën, natyrisht të trembur, në po atë banesë dhe në po atë punë. Prindërit, motra e vëllezërit e mi e mbanin afër Ilirianën dhe fëmijët.
Dëshira e Astritit që regjimi diktatorial në Shqipëri të përmbysej sa më shpejt, u realizua pas 5-6 vjetësh. Në fillim të korrikut 1990 populli i pakënaqur u hodh mbi muret e ambasadave të huaja në Tiranë për të ndihmuar në shëmbjen e diktaturës. Iliriana me Stiven në krahë dhe Rominën për dore, së bashku me Albertin e Jahon, dy nga vëllezërit e Astritit, ishin mes banorëve që u hodhën të parët mbi muret e Ambasadës Italiane. Pas gati një viti ata arritën në SHBA. U realizua ëndrra e bashkimit familjar. Ditë gëzimi të papërshkrueshme. Më pas erdhën me familjet e tyre dhe vëllezërit e tjerë dhe motra e Astritit. Të gjithë këta, që nga viti 1991 gëzojnë jetën e lirë në SHBA, ku shfrytëzojnë mundësitë e këtushme për të jetuar një jetë gjithnjë e më të mirë, natyrisht duke luftuar për të arritur suksese në konkurencën amerikane.
Romina, atëhere 11-vjeçe, vijoi shkollimin dhe tani është diplomuar për shkenca politike nga “George Mason University”. Ajo u martua më 2011 dhe tani ka një djalë me emrin London, 6-vjeç. Kurse Stiven, i ndihmuar edhe prej nënës së tij dhe mësuesve, vijoi luftën kundër efekteve të paralizës cerebrale. Por ëndërra e tij për të ecur vetë nuk u arrit, e megjithatë ai nuk e ndërpreu luftën në këtë drejtim, si dhe përpjekjet për shkollim. Me rastin e largimit të tij nga jeta më 28 maj 2017, në moshën 32-vjeçare, gazeta “Washington Post”, midis tjerash shkroi:
“Steven Lulushi… donte të bënte gjithça. Nga të mësuarit rreth jetës për ta jetuar vetë jetën. Ai i gëzohej matematikës dhe kishte një mendje kureshtare, një zemër të madhe plot dashuri, ishte i kujdesshëm dhe shqetësohej për ata që donte. Dashuria e tij për muzikën, filmat, sidomos komeditë dhe notin, ishte e njohur nga ata me të cilët kalonte kohën. Ai u diplomua nga shkolla fillore “Marumsco”, nga shkolla 8-vjeçare “Indipendence” dhe nga shkolla e mesme “Woodridge”. Steven ndoqi programet e arsimit për shkencat kompjuterike… ai e jetoi jetën e tij si një person i harmonizuar duke e pasuruar jetën e të gjithë atyre që e njihnin.”
Astriti pas kalimit të asaj jete të vështirë dhe peripecive të arratisjes, kur erdhi në SHBA ndjehej i etur për studim dhe punë. Në fillim u vendos në Boston MA, ku kreu për dy vjet studimet për gjuhën angleze. Më 1987 filloi punë si gazetar për përgatitjen e programit në gjuhën shqipe në “Radio Monte Karlo” në Ohio. Pas dy vjetësh filloi punën si gazetar në “Radio Zëri i Amerikës”, ku filloi të shfaqë gjithnjë e më dukshëm aftësitë e veta si gazetar e analist duke shkruar për shkencën, artin, letërsinë, mbi figura të shquara të diasporēs, etj, si dhe të botonte edhe në gazeta të ndryshme të diasporës e në revista interneti. Kështu filloi të bëhej gjithnjë e më i njohur…
* * *
“Kalendari Historik…” – një enciklopedi e vërtetë
Vepra madhore “Kalendari Historik…” e Astrit Lulushit është shkruar duke iu drejtuar njëheresh si lexuesve dhe dëgjuesve, sepse ajo mund të lexohet prej nesh, por edhe mund të dëgjohet në emisionet radiofonike në hapjen e ditarit çdo mëngjez. Jeta e njeriut është e vështirë dhe shumë e ngarkuar, por ushqimi i mendjes është gjëja më e rëndësishme, dhe ushqimin për të e gjejmë në libra, sidomos në libra të llojit enciklopedik.
Kur e pyeta autorin, si të lindi ideja për të hartuar një libër me kaq shumë të dhëna? Ai më sqaroi:
“Një ditë duke lexuar, u ndesha me shprehjen: “Mos u anko se nuk ke kohë, sepse të njëjtën kohë 24 orëshe ka patur edhe Ajnshtajni”. Sikur u përmenda, dhe thashë me vete, këto fjalë u drejtohen të gjithëve, natyrisht dhe mua. Hodha sytë mbi librat e shumtë që kisha rreth meje dhe mendova, prej tyre mund të nxirret diçka e koncentruar dhe t’u jepet e gatëshme kujtdo që lexon a fillon të lexojë. Dhe vendosa; çdo ditë, mbas pune, në shtëpi punova nga 2-3 orë dhe brenda vitit e ndërtova këtë kalendar, që shqiptarëve u mungonte. Dhe doli për bukuri, falë edhe shtëpisë botuese TIRANA TIMES dhe kujdesit të mikut tim Jorgji Qirjako.”
Çdo njeri, thotë populli, nuk ngopet me dituri, pare dhe lavdi. Sa më shumë të dish, aq më shumë kërkon të mësosh; sa më shumë pare të kesh, aq më shumë kërkon t’i shtosh; sa më shumë të të lëvdojnë e nderojnë, aq më shumë ndere dhe lavdi kërkon. Dhe pikërisht për të shtuar dijet e njeriut janë krijuar dhe kalendarët historikë me të cilët fillojnë emisionet e shumë radiostacioneve në gjuhë të ndryshme.
Edhe radiot e televizionet shqiptare duhet të fillojnë me të dhënat e “Kalendarit Historik…” që ka përgatitur Astrit Lulushi në 1202 faqe, për 365 ditët e vitit. Të ngazëllen mprehtësia logjike e autorit dhe vullneti e pasioni prej kërkuesi enciklopedist. Këtu gjendet esenca e ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur çdo ditë të vitit në mbarë globin dhe në mbarë botën shqiptare. Aty mëson thelbin e ngjarjeve më kryesore që kanë luajtur rol në historinë e njerëzimit dhe të popullit tonë. Jepen bëmat dhe jetëshkrimet e njerëzve të shquar (meshkuj e femra), shkencëtarë, politikanë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, piktorë, skulptorë, fotografë, kineastë, aktorë, ushtarakë, etj që nga koha antike deri në ditët tona. Shumë prej këtyre zërave janë të pajisur me fotografi ose riprodhime pikturash, herë herë dhe me sentenca njerëzish të mëdhenj.
Për ta bërë sa më të lehtë kapjen e ideve të shkrimeve të veta, ky autor në “Kalendarin Historik…” dhe në të gjitha përmbledhjet, si dhe në librin me sonete të Shekspirit, ka futur shpesh herë riprodhim piktuarsh nga veprat e artit botëror, falë përzgjedhjes së kujdesshme nga mjeshtri i punimeve grafike Roland Lelaj në Kanada. Ne nuk do të ndalemi në këtë aspekt me vlerë të këtyre veprave, duke ua lënë studiuesve të artit të pikturës të japin mendimet e tyre.
Botimi i një vepre të tillë ka qenë shumë i nevojshëm, sepse leximi i materileve të saj ndihmon shumë më tepër sesa dëgjimi i tyre në radio e televizion, mbasi leximi ndihmon përmes përqendrimit dhe rileximit për të pasuruar më thellë njohuritë dhe botëkuptimin tonë, gjëra që ndikojnë në përsosjen tonë si qenie njerëzore të moralshme.
Thënë shkurt “Kalendari Historik…” i Astrit Lulushit, është një vepër shumë e vlefshme enciklopedike e cila duhet të hapet e lexohet çdo mëngjez para fillimit të punës prej të gjithë shqiptarëve, sepse aty gjenden të dhëna me vlerë që nuk gjenden në kalendarë të tjerë dhe as në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” vëll. 1-3, botim i Akademisë së Shkencave të viteve 2008 – 2009, hartuar prej një ekipi të madh bashkëpunëtorësh shkencorë dhe redaktuar prej shumë studiuesish me tituj shkencorë.
* * *
Demokrati i vërtetë e dënon, nuk e justifikon diktaturën komuniste
Në Shqipërinë diktatoriale u nxit dhe u ndihmua nga shteti lindja dhe zhvillimi i një kulture servile që justifikonte, mbronte dhe propagandonte politikën dhe bëmat e partisë shtet. Kurse kultura demokratike, ajo që përpiqej të ecte në rrugën e traditës së hapur prej rilindësve dhe intelektualëve demokratë të mëvonshëm, u nënvleftësua, madje jo rrallë u dënua si kulturë borgjeze e me ndikime të huaja.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri po konkurojnë dy mendësi. Njëra justifikon dhe mbron shumicën e veprave të letërsisë, artit e shkencës që u krijuan gjatë kohës së diktaturës dhe tjetra kritikon shumicën e këtyre veprave të letërsisë dhe artit të realizmit socialist dhe të shkencës servile që mbronte pushtetin diktatorial. Mendësia që justifikon e mbron veprat e kohës së diktaturës përfaqësohet prej atyre krijuesve dhe studiuesve që i krijuan veprat e tyre gjatë kohës së diktaturës për ta mbrojtur e lëvduar atë. Ata e bëjnë këtë krim të ri sepse nuk duan të pranojnë që kanë gabuar, që kanë kryer krim ndaj popullit me veprat e tyre servile ku shtrembëruan të vërtetën. Kurse mendësia që mban qëndrim kritik ndaj shumicës së veprave të kohës së diktaturës, përfaqësohet prej intelektualëve demokratë (shkrimtarë, artistë, studiues) që vijnë nga radhët e ish të përndjekurve të ndërgjegjes, të arratisurve dhe prej atyre që në kushtet e reja përpiqen të evoluojnë drejt lirisë e demokracisë.
Në këto 28 vjetët e fundit, mendësia e dytë po merr përmasa gjithnjë e më të gjera dhe po i shton radhët me kuadro të rinj që po formohen në Europën Perëndimore, në Amerikë, por edhe brenda vendit. Kurse mendësia që justifikon e mbron shumicën e veprave të krijuara gjatë diktaturës komuniste nuk po i shton dot radhët e veta. Ajo po i humbet gjithnjë e më shumë njerëzit e vet, megjithë përkrahjen që u japin qarqet partiake dhe qeveritare socialiste, pasardhës të PPSH-së.
Me veprat e veta, Astrit Lulushi dëshmon hapur se është një ndër intelektualët më aktivë të mendësisë demokratike që kritikon krahas diktaturës komuniste edhe shumicën e veprave që u krijuan gjatë sundimit të saj si vepra të realizmit socialist.
Në librin e parë me shkrime analitike, artikuj, ese, etj me titull “Pak Ndryshe” (TIRANA TIMES, 2010, 492 f.) që po ndalemi këtu, Lulushi e quan shëmbjen e kupolës komuniste më 1991-1992 “thjesht dështim i një sistemi ekonomik që me kokëfortësi qëndroi deri në falimentim të plotë politik e moral”. Mirëpo sipas ligjeve ekonomike shton ai “një person a ndërmarrje që falimenton, nuk ka të drejt të zotërojë pronë e pasuri pa paguar më parë borxhet, shpenzimet a humbjet si rezultat i shpërdorimeve që çuan në dështim” (f. 255-256).
Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri, ku ish komunistët e ish sigurimsat besnikë të kupolës së vjetër, brenda një nate ndërruan emrin në socialistë dhe duke vjedhur e trashëguar pasurinë e popullit u gdhinë pasanikë të rinj pa detyrime, kurse të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve nuk iu dha dëmshpërblimi a kompesimi që meritonin.
Lulushi depërton dhe në histori dhe jep shpesh herë shpjegimin e tij të ndryshëm. I tillë është rasti i sakrificës që bënë disa atdhetarë (midis të cilëve ai nënkupton Mustafa Merlika Krujën, Xhevat Korçën, Qazim Koculin, Rexhep Mitrovicën, Lef Nosin, Patër Anton Harrapin, etj). Këta burra të pjekur në rrethanat e pushtimit fashist e nazist pranuan të mernin pjesë në krijimin e qeverive shqiptare bashkëpunëtore me pushtuesin. Këta njerëz të njohur për atdhetarinë e tyre që nga Rilindja, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, etj, sqaron Lulushi, duke e vlerësuar pushtimin si të përkohshëm, sakrifikuan gjithça nga vetja me synimin që të ruanin atë që do të mbetej për gjithmonë: atdheun dhe popullin. Kurse komunistët, të cilët atdhetarët e mësipërm i quanin “të papjekur e çiliminj” duke flijuar gjithça në shërbim të një ideali të huazuar, u treguan të paaftë e të papërgjegjëm kur morën në duar fatet e atdheut e të popullit duke shkaktuar dhimbje e viktima të panevojshme e duke shkelur e shkatërruar çdo vlerë të traditës, përfshi Besën (f. 55).
Aftësia e këtij autori për të karakterizuar shkurt epoka të ndryshme historike të popullit tonë të bën për vehte. Kështu duke shkruar për gjysmën e dytë të shekullit XX-të, të quajturën “epoka e diktaturës së proletariatit”, ai sqaron se ajo filloi me gjendjen e mjeruar të trojeve shqiptare, pavarësisht se në cilin shtet bënin pjesë. Me mijëra ishin vrarë, burgosur, internuar nga shqiptarë të rinj në moshë e ide, të cilët po tregoheshin po aq të pamëshirshëm sa ishin treguar pushtuesit e hauj më parë. Jeta njerëzore po shpërdorohej. Luga e florinjtë që u premtua gjatë L2B u zëvendësua me metal pa vlerë. Ideali i ri, komunizmi, kishte marrë pamje të rëndë dhe për t’u dukur jo i frikshëm, filloi të propagandonte të ardhmen, së cilës po i besonin të rinjtë. Kështu, të rinjtë jetonin në të ardhmen, ashtu si të moshuarit në të kaluarën; por njerëzit, shumica detyroheshin të jetonin në të tashmen dhe e tashmja ishte ferr. Mijëra besimtarë ideologjikë dhanë jetën për këtë utopi, mijëra të tjerë jetuan me shpresë se prej saj do të rridhte dritë. Sa shumë bij të revolucionit u dënuan si dhëndurë të “reaksionit”. Shumë vepra shkrimtarësh, poetësh, kompozitorësh u grisën e u bënë karton.
“Dhe kur ideologjisë i erdhi fundi, përfundon autori, të parët dolën ata që asgjë nuk kishin mësuar (pësuar) dhe asgjë nuk kishin harruar. Çfarë komedie, kjo tragjedi, me të qeshura e lot të hidhur” (f. 66).
Një shpjegim origjinal i jep ky analist edhe fenomenit “komunizëm”, për të cilin ai jep mendimin se është i njëjtë me dogmën fetare, por meqenëse marksizmi nuk e njeh Zotin, u quajt ideologji dhe jo fe (f.141). Eksperimenti komunizëm shpuri në ideologjizimin e shtetit, një fatkeqësi e njëjtë me rastin kur shteti fetarizohet. Shtetet e lira perëndimore shkuan përpara, sepse ato ishin të ndara si nga ideologjia dhe nga feja.
Për zhurmën që po bëhet në Shqipëri për rishikimin dhe rishkrimin e historisë, ky analist jep mendimin e tij thjesht e qartë: “historia duhet shikuar e treguar ashtu si ka ndodhur”. Me guximin e tij prej qytetari të lirë, ai pohon se komunistët nuk kishin si qëllim të mirën e atdheut, por marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, prandaj krimet e tyre ishin aq mizore ndaj njerëzve dhe ndaj historisë (f. 147). Më tej ai vijon arsyetimin si historian dhe tregon se pas ardhjes në pushtet komunistët e rishikuan historinë dhe e rishkruan duke i modifikuar ngjarjet në atë mënyrë që vetëm ata të delnin si shpëtimtarë të gjendjes dhe fateve të atdheut. Për çdo dështim të politikës së tyre ata fajësonin armiqtë e vjetër (borgjezë, nacionalistë e intelektualë perëndimorë) dhe kur këta u mbaruan sepse i kishin burgosur, internuar, ose ishin arratisur; u desh që të krijoheshin armiq të rinj të cilët përzgjidheshin nga radhët e vetë PPSH-së. “Në kërkim të gjetjes me doemos të një armiku për dështimet, përfundon Lulushi, komunistët u bënë armiq të vetvetes” (f. 149).
Në përpjekje për të zbërthyer karakterin e Mbretit Zog I, Faik Konicës e Fan Nolit dhe të diktatorit Enver Hoxha, Lulushi pasi sqaron se vetëm njerëzit me virtute janë ata që kanë miq, shton: “Mbreti Zog, disa herë objekt atentatesh, mbante rreth vetes një numër oborrtarësh. Enver Hoxha kishte bashkëfajtorë. Noli e Konica me shkrime e veprime treguan se edhe pse ndonjëherë nuk pajtoheshin, ishin njerëz me ndjenja e virtute, prandaj mbetën miq deri në fund” (f. 276).
Në veprën “Pak ndryshe” shpaloset dhe pasioni i autorit pas kritikës letrare. Ai shpesh ndalet e vlerëson vepra të letërsisë sonë e të hauj, si romanin “Qyteti i ministrave” të Faruk Myrtaj, romanin “Trans” të Dashnor Kokonozit, romanin në anglisht “Balkan Caesar” të gazetarit shqiptaro-amrikan Peter Lukas pjesetar i L2B, vëllimin poetik “Mungesa e hirtë” të Pjetër Jakut, librin me kujtime të At Zef Pllumbit “Rrno për me tregue” në botimin anglisht “Live to Tell”, ku Zef Pllumbin ai e cilson i pari me fjalët “babai i historisë së përndjekjes komuniste” (f. 81).
Nuk mbetet pa u vlerësuar prej këtij kritiku edhe tregimi psikologjik “Thurje e pakryer” i Fatmir Terziut, kritik e shkrimtar që ka vite që po bën emër në Londër në fushën e letrave shqipe.
Edhe pse kanë kaluar shumë vjet pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri ka mjaft shqiptarë që fryhen me veprat e tyre dhe të artistëve të tjerë të realizmit socialist të cilët, megjithë përçudnitë luftojnë të mbajnë pjedestalin e njeriut të shquar. Shkrimtari Robert Martiko për t’i vënë në lojë të tillë pseudoartistë e pseudointelektualë të pamoralshëm, krijoi romanin “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” të cilin Lulushi e vlerëson lart si roman-satirë, orvellian, dantesk, volterian(f. 277).
Çudia dhe turpi vijojnë në Shqipëri edhe sot pasi kanë kaluar disa vjet nga botimi i këtij romani dhe nga vlerësimi i tij prej Lulushit. Atje ish artistë, ish shkrimtarë, ish kineastë e ish studiues të kohës së diktaturës në vend që të kërkojnë të falur për veprat që krijuan gjatë kohës së diktaturës, vijojnë t’i mburrin e lëvdojnë për të mos lëshuar pjedestalin ku i vendosi dikur partia shtet. Të tillë krijuesve, ky analist ua bën të qartë burimin e turpshëm të frymëzimit të tyre tek libri “Zhgënjime sporadike” (2012), ku sqaron se nën diktaturë krijuesit krijonin nga frika se mos dështonin, se mos mbeteshin prapa kolegëve, se mos quheshin të paaftë dhe mund të humbnin shpërblimet (f. 136-137).
I ndërgjegjshëm se sado të vonohet gjyqi kundër krimeve të komunizmit si regjim dhe si art e letërsi që helmoi popullin, një ditë ka për të ardhur, prandaj Lulushi shpreh bindjen e vet që në librin e parë: “sa më e rëndë diktatura, aq më shumë kohë duhet për t’u shkëputur prej saj fizikisht, shpirtërisht e mendërisht dhe se një ditë sado e largët, me kthimin në realitet do të kërkohet edhe gjykimi i së kaluarës” (f. 480). Ky mendim i tij i botuar më 2010 përkon me mendimet që Prof. Sami Repishti shprehur më 10 prill 2015 për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës i vrasjes, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, kur e tregoi faktin e shfarrosjes së 300.000 hebrenjve në kampin ku punonte si llogaritar, nuk shprehu pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët se ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdeshmimin e terrorit që pa me sytë e tij edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarrosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit nga frika e dënimit, thotë Repishti. Dhe ne marrim me mend se si do të gjykohen prej gjykatësve dhe prej vetë nipërve të tyre të ndërgjegjësuar kriminelët komunistë dhe gjithë ata që shkaktuan masakrimin e popullit tonë nën diktaturën komuniste, jo vetëm nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe internimi, por dhe në veprat letrare e artistike…
Lulushi ka ndjekur dhe botimin e veprave shkencore, monografive, etj. Midis tyre ka ndalur në vlerësimin e studimit monografik të Tomë Mrijaj “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës, martire e Kosovës” (2004), ku ndriçohen jeta dhe bëmat e njërës prej heroinave të luftës kundër komunizmit dhe të luftës për lirinë e Kosovës. Propaganda komuniste i dënoi shumë heronj të tillë duke i mbuluar, duke i lënë në harresë, gjë që shpuri në humbjen e shumë heronjve. Tani që komunizmi u shkërmoq dhe Kosova u çlirua të tillë heronj me vlera të dyfishta duhen nxjerrë në dritë. Dhe këtë punë ka kryer me sukses z. Mrijaj me studimin e tij.
Një monografi tjetër tek e cila ndalet studiuesi është dhe “Fotografia një grusht diell” e Qerim Vrionit, ku përshkruhen disa fotografi shumë të realizuara, të cilat komunikojnë ide për kohën kur janë fiksuar, si një histori e shkruar me anë të dritës.
Më tej Lulushi vlerëson dhe studimin anglisht “Montale and Dante” të Prof. Arshi Pipës, ku ky studiues shqiptar i doli në mbrojtje me sukses poetit italian Montale ndaj sulmeve që iu bënë si imitues i Dantes.
Mendje enciklopedike, kritiku Lulushi nuk le jashtë vëmendjes as antologjinë voluminoze 750 faqshe të shokut të tij të rinisë, Fotaq Andrea. Ky pas një pune shumëvjeçare solli në shqip librin “Pena të arta franceze për shqiptarët 1332-2007”, ku janë mbledhur me kujdes pjesë nga korifejtë e letrave, artit e të kulturës europiane ç’ kanë shkruar gjatë 700 vjetëve për shqiptarët si njerëz, si luftëtarë, si artistë, etj. Në fund autori i shkrimit kërkon që Andrea ta kishte pajisur veprën me një tregues emëror për ta bërë më të lehtë orientimin e lexuesit.
Pasi e kemi lexuar dhe ne këtë antologji duam të vemë në dukje faktin e hidhur se nga shkrimet e vizitorëve të huaj dhe të shkrimtarëve të shquar francezë, bie në sy se karakteri i shqiptarit gjatë pesë shekujve të sundimit osman nuk u prish aq shumë sa u prish gjatë 50 vjetëve të sundimit të regjimit komunist. Kjo ndodhi sepse sunduesit osmanë e shfrytëzuan territorin tonë vetëm si minierë për rekrutim luftëtarësh dhe u kënaqën duke ia ndërruar besimin fetar 70 % të popullit, kurse regjimi komunist e sundoi çnjerëzisht popullin shqiptar duke ia shkelur traditat, besimin fetar, nderin e moralin e krijuar gjatë mijëvjeçarëve.
Si studiues i letërsisë, Lulushi është i interesuar të vlerësojë në librin e tij të parë edhe veprën letrare të shkrimtarit tonë të shquar, Isamil Kadaresë, për të cilin në artikullin “Dilemat e krijimit” thekson: “Për Kadarenë, shqiptarët bashkohen në një mendim për nivelin e lartë artistik të veprave të tij. Pastaj duke bërë pyetjen se kush përfitoi më shumë prej artit të Kadaresë: i shtypuri, tirani, apo vetë autori, artikullshkruesi sqaron: që të tre përfituan, ku, si në një kaleidoskop, që duke u rrotulluar, sejcili mund të shohë anën që do; të vuajturit dritën, tiranët vetëshkëlqimin dhe autori udhën për të jetuar” dhe duke e konsideruar këtë problem një “nyjë gordiane”, që nuk mund të zgjidhet saktë sot për sot, përfundon duke dhënë një si prerje me shpatë: “nga arti i Kadaresë është kultura që përfitoi” (f.72).
Vlerësimet pozitive që shkrimtari dhe kritiku amerikan Xhon Apdajk (John Apdike) i bëri botimit anglisht të veprës “Kronikë në gur” të Kadaresë, e entusiazmuan Lulushin dhe ai u dha vend në shkrimin “Kronika dhe spirale”.
Figurat e artit botëror me origjinë shqiptare si fotografi Gjon Mil dhe aktori Xhon Belushi, zenë vend të rëndësishëm në përmbledhjen e parë të Lulushit. Ai jep hollësira nga jeta e tyre dhe vlerësimet që u kanë bërë personalitete të kritikës e letërsisë botërore.
Gazetar i formuar, Lulushi sqaron se gazetat partiake në Shqipërinë paskomuniste bashkë me luftën e ashpër politike për marrjen e pushtetit me çdo kusht, tregojnë se monizmi nuk i përket historisë, por është prezent. Janë dukuri paradoksale botimi i gazetës “Zëri i Popullit”, ish organ i PPSH-së dhe tani si organ i PS-së edhe botimi i gazetës së Partisë Demokratike me emrin “Rilindja Demokratike”, kur dihet se në Shipëri nuk ka ekzistuar kurrë jeta demokratike që të pretendohet se tani kemi një rilindje të saj (f. 100).
* * *
Përgjergjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë
Përmbledhja e dytë me analiza, ese, përsiatje dhe skica e Astrit Lulushit quhet “Ndjenjë realiteti” (2011, 165 f.). Për të ka shkruar parathenien prozatori, poeti dhe kritiku i talentuar Faruk Myrtaj. Ky, midis tjerash vë në dukje se autori i këtij libri e la atdheun në kohën e territ, u rrit në Perëndim dhe iu kthye vendlindjes si qytetar i botës. “Titulli intelektual – konkludon Myrtaj – s’ është nxitimi për të marrë dekorata apo çmime, gara mes rivalësh, beteja si sedërli ballkanik, por përgjegjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë” (f. 9).
Dhe si intelektual i klasit të lartë, Lulushi na tërheq vëmendjen të gjithëve të mos e kalojmë jetën kot: “Pema njihet nga frutet e saj, njeriu nga ajo që bën, së pari si qenie shoqërore – punëtor, politikan, qeveritar, parlamentar – pastaj si qenie intelektuale – krijues, shkencëtar, poet, shkrimtar” (f. 25). Kur vjen fundi, njerëzit që u përpoqën gjatë jetës t’i sfidonin dallgët që nga bregu, nuk u lenë pasardhësve asgjë si trashëgim dhe këta duhet ta fillojnë gjithëçka nga e para. Ky mësim, përfundon autori, duhet pasur parsysh si për individët dhe për popujt.
Në Shqipërinë paskomuniste krimet e komunizmit, vë në dukje ky analist, zyrtarisht nuk janë gjykuar, pa le pastaj të dënohen. Kjo, ka ndodhur sepse shqiptarët e përndjekur e të shpronësuar, për të cilët Lufta e Ftohtë u fitua, janë mënjanuar nga pushteti. Këto forca shoqërore do ta kishin marrë me dëshirë ndryshimin dhe dënimin e diktaturës komuniste, kurse ish komunistët, ish sigurimsat dhe bijtë e tyre që zunë postet qeveritare, pranuan t’i bëjnë ndryshimet dhe dënimin e krimeve të komunizmit të detyruar nga Europa Perëndimore dhe Amerika. Këtyre forcave kjo detyrë u ka shkaktuar e u shkakton pakënaqësi, sepse nuk janë të motivuar për realizimin e tyre (f. 30).
Shumë shkrime të Lulushit kanë karakter filozofik. I tillë është shkrimi “Ditën me qiri në dorë”, ku autori bën që në fillim pyetjen: “Çfarë përparësie ka nderi, fama, pavarësia, nëse nuk përdoren për të çliruar një komb a njerëz nga ankthi, shqetësimet a mundimet e jetës së përditëshme” (f. 35). Dhe duke synuar të fshikullojë pasanikët e rinj, përmend thënien e filozofit të lashtë grek Diogjenit: “Shumë mund të bëhen të pasur, por pak të virtutshëm” (f. 36).
Duke shkruar për dëmet e izolimit të Shqipërisë gjatë regjimit komunist, Lulushi shpreh mendimin se gjatë 45 vjetëve të sundimit komunist, Shqipëria humbi dy breza, “njëri që u shtyp dhe tjetri, të cilit iu mohua ndryshimi apo u edukua shtrembër” (f. 44).
Fati i Astrit Lulushit është mjaft i ngjashëm me atë të Prof. Isuf Luzaj, studiues, shkrimtar, poet e personalitet i vlerësuar në Amerikë, por i dënuar si armik në Shqipërinë komuniste për shkak të arratisjes së tij. Pas shkërmoqjes së komunizmit përsëri Isuf Luzaj zihet në gojë shumë pak në Shqipëri dhe akoma më pak popullarizohet dhe vlerësohet vepra e tij. Disa vjet më parë studiuesja Mimoza Hysa vlerësoi jetën dhe veprën e këtij personaliteti të kulturës shqiptare dhe midis tjerash ajo bën pyetjen “Pse?” nuk është futur ky personalitet i kulturës sonë në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH) të vitit 2009. Kjo pyetje dhe vlerësimi që i bën studiuesja, e nxiti Lulushin të vlerësojë punën e kurajën e saj.
Nga ana jonë do të shtonim, se midis radhëve të të arratisurve politikë ka dhe shumë personalitete shqiptare si Frank Shkreli, Elez Biberaj, Astrit Lulushi, Sergio Bitici, Idriz Lamaj, Prof. Nexhat Peshkpia, Dr. Fuat Myftia, Prof. Nuçi Kotta, Don Anton Kçira, Dom Zef Oroshi, Zoi Shyti, Dr. Agim Leka, etj që meritojnë të futen si zëra më vete në rastin më të parë të ribotimit të FESH.
Mendësitë politike të shoqërisë shqiptare të pasdiktaturës, vëren Lulushi, kanë ndryshuar shumë pak nga koha kur ekzistonte vetëm një parti. Tani, në kohën me shumë parti, sejcili beson se partia e vet është më e mira. Kjo është mendësi e njerëzve që mendojnë se çdo gjë fillon nga vetja. “Kohët kanë ndryshuar, përfundon ai me tallje, por jo njerëzit që ende jetojnë të ardhmen në kohën e shkuar” (f. 65).
Shumë njerëz të pandershëm mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste rrëmbyen pronat e të shpronësuarve ose të shtetit. Këta tipa, në shkrimin “Ndjenjë realiteti”, shkrim që i ka dhënë titullin librit, Lulushi i godet me urtësinë e tij: “Vetëm barbarët në kohët e lashta, njerëzit pa kulturë në kohën tonë, nuk janë në gjendje të dallojnë se zhvatja e vendit (atdheut, Th. Gj.), uzurpimi i pushtetit, vjedhja e votës, grabitja e pronës, shpërdorimi i idesë, mendimit, ndjenjës dhe besimit; hyjnë në të njëjtën kategori me krimin ordiner” (f. 109).
Shqetësim e ka ky autor faktin që populli shqiptar gjatë diktaturës ngrinte dolli në çdo gosti, thurrte lavde për zgjedhën; kurse lirinë hapur e dënonte, e në heshtje e adhuronte, por kur liria erdhi nuk diti ta vlerësonte. Iu duk si prangë e re në duar të sapozgjidhura. Kjo ndodhi shton autori, “Sepse liria e vërtetë vjen kur dëshira bëhet mishërim… Liri nuk do të thotë as ditë të shkujdesura, netë të qeta, jetë pa halle, por kur të gjitha këto janë të pranishme dhe njeriu del mbi to, duke këputur zinxhirin me të cilin ka lidhur veten…” (f. 125).
Në këtë libër trajtohen dhe probleme shkencore si vizita e njeriut në Hënë, ndikimi i Sigmund Frojdit në trajtimin e çrregullimeve nervore, mësimet e Nënë Terezës, koha si koncept, etj.
Vëzhgime kritike për vepra të ndryshme letrare ka dhe në këtë përmbledhje. I pari libër letrar ku ndalet ky autor është vëllimi me tregime “Dimër në luginën e Drinit” të Hasan Kostrecit (2009), autor i ri i pasvitit ’91. Prej kësaj përmbledhjeje del ideja se Shqipërisë i duhen në udhëheqje njerëz që nuk duhet t’u ngjajnë baballarëve e as gjyshërve, pra pushtetarëve të këtyre 74 vjetëve.
Më tej ndalet në vëllimin me sonete të poetit të dënuar Uran Kostreci, vëllait më të madh të Hasanit, përmes të cilit ngre problemin e letërsisë poetike që u krijua nëpër bugjet e Shqipërisë diktatoriale dhe që tani doli në dritë me vlerat e saj, nderi i letërsisë shqiptare.
Sami Repishti me veprën autobiografike “Nën hijen e Rozafës” është objekt i një shkrimi tjetër ku vlerësohen jeta, talenti prej rrëfimtari dhe humanizmi i Prof. Repishtit. Duke nxjerrë idenë kryesore të veprës, Lulushi sjell moralin e fabulës së Ezopit: “Ata që vullnetarisht i japin pushtet një tirani nuk duhet të befasohen kur një ditë ai ta përdorë këtë pushtet kundër tyre” (f. 90).
Vetëm liria është mot i kthjellët
Vëllimi “Kujtesë lirie” (2013) është një përmbledhje me poezi dhe shkrime në prozë (analiza, ese, vëzhgime, etj), pasuruar dhe me riprodhim pikturash cilësore të artit botëror.
Në vitin 2011 në Tiranë, të përndjekurit politikë dhe të shpronësuarit e kohës së diktaturës organizuan një grevë urie për të detyruar qeverinë t’ua kthente si duhej pronat e t’u jepte shpërblimet që u përkisnin për kohën e vuajtjeve nëpër burgje e internime. Indiferenca e qeverisë e shtyu njërin prej tyre të kryente vetëflijimin duke u djegur me benzinë. I shqetësuar nga kjo ngjarje, Lulushi u ndal dhe e vlerësoi aktin dhe ndërkohë kritikoi shoqërinë shqiptare që nuk e shfrytëzoi atë për të ndezur një lëvizje sociale për të luftuar korrupsionin shtetëror. Ai theksoi se mosshfrytëzimi i këtij rasti, ishte një humbje historike për shoqërinë shqiptare, sepse vetëflijimi është si kryeveprat artistike, të cilat nuk mund të prodhohen me kërkesë, ato janë të paimitueshme dhe të papërsëritëshme (f. 62).
Propagandës qeveritare që trumbetonte sukese në fushat e ndryshme të jetës, analisti i vë përballë thënien e filozofit të lashtë, Sokratit: “Pa pasur drejtësi, çdo gjë që arrihet është e padobishme” (f. 71).
Edhe pse larg atdheut, Lulushi si atdhetar i vërtetë e ndjek me vëmendje jetën kulturore dhe artistike të atjeshme. Ai shikon se në kushtet e paskomunizmit janë shtuar emrat e autorëve, artistëve dhe botimet, mirëpo emrat e krijuesve të realizmit socialist të kohës së diktaturës dhe njerëz me emër të asaj kohe, janë ata që kryesisht zenë vendin kryesor me fotografi, shkrime e intervista nëpër gazeta dhe emisione televizive. Këta vlerësohen me çmime dhe dhurata edhe sot. Kjo, shton ai, shtyn të mendohet se:
1. “Realizmi socialist mbizotëron artin aktual;
2. Krijuesit e dikurshëm të librave a skenarëve propagandistikë kanë përqafuar realizmin individual;
3. Periudha e lirisë nuk është në gjendje të prodhojë krijues më të mirë se koha e censurës;
4. Ish shërbyesit e propagandës, të cilët mbajtën më këmbë diktaturën më të ashpër në botë deri në minutën e fundit ende shërbejnë;
5. Krijuesit e vlerësuar bëjnë pjesë në të njëjtin klan a kriptoshoqëri” (f. 75-76).
Duke pasur parasysh faktin se ky shkrim titullohet “Dyshim” dhe fillon me shprehjen: “Zhvillimi është ndryshim…”, kuptohet ideja që do të komunikojë autori: Në Shqipëri përderisa nuk ka ndryshuar gjë, nuk ka zhvillim të vërtetë ndonëse vendi është mbushur me pallate, lokale, hotele e rrugë të reja…
Edhe në këtë vepër ka disa artikuj kritikë për vepra letrare. Një ndër to është romani autobiografik “Jetë nën diktaturë‘” i Hasan Kostrecit. Mbyllja e tij me largimin e familjes së autorit nga atdheu mbas shkërmoqjes së diktaturës, tregon se e keqja nuk ka marrë fund, prandaj shpëtimi kërkohet duke ikur (f. 78).
Vëllai i Hasan Kostrecit, Urani, njeri i burgosur e internuar për 25 vjet, e gjeti frymëzimin për të hartuar poemën e tij satirike “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Ribotim ONUFRI, Tiranë 2011) te realiteti shqiptar i viteve 1991-1992, kur ish-ët e diktaturës u mënjanuan nga pushteti. Disa vargje, si parandjenjë, poeti i kishte filluar që në burg, por u përfundua në vitin 1995. Ajo u shkrua dhe pati sukses si një kundërpërgjigje ndaj poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.
“Një roman kafkian” e quan Lulushi artikullin që i kushton romanit filozofik “Atdhe tjetër” (MILOSAO, 2012) të Faruk Myrtaj, i cili jeton në Kanada prej vitit 2003.
Të gjithë e dijmë se një nga anët negative të politikës së brendshme të diktaturës komuniste ishte mbajtja e popullit nën terror, nën presionin e frikës. Frikë prej pushtetit, i cili të arrestonte dhe për një fjalë goje dhe frikë prej së huajës. Këto dy frikëra u degëzuan si kancer metastazik, thotë Lulushi, dhe kështu u krijuan frikë nga tjetri (edhe nga më i afërti), frikë nga e vërteta, frikë nga e drejta, frikë nga të menduarit, nga të krijuarit me frymëzim. E kjo situatë konkludon ai “ishte tharrje shpirti” (f. 90).
E keqja, thotë Lulushi, shpesh herë vjen nga lart (nga numëri një) si gjë e vogël, por po të mos e kundërshtojë populli, ajo rritet dhe sjell pasoja katastrofike. Ai sjell shëmbullin e Hitlerit. Ky filloi të arrestonte disa hebrenj, shumë të tjerë i dëboi nga Gjermania si të padëshirueshëm, ata që mbetën i internoi në kampet e shfarrosjes. Populli gjerman nuk u ngrit t’i kundërshtonte këto masa çnjerëzore ndaj qytetarëve gjermano-hebraike dhe Hitleri vijoi rrugën e tij, pushtoi Çekinë, Poloninë, u shtri gjithnjë e më shumë drejt Lindjes e Perëndimit duke shkaktuar miliona viktima dhe duke e bërë Gjermaninë dhe popullin gjerman simbol të së keqes. Po ashtu edhe diktatori shqiptar, Enver Hoxha, sapo erdhi në pushtet filloi të arrestonte e të vriste pa gjyqe ose me gjyqe falco disa intelektualë e klerikë të formuar në Perëndim, shtetëzoi pa shpërblim pasurinë e tregëtarëve, shpalli kulakë dhe i dënoi fshatarët që punonin më shumë, etj dhe populli shqiptar nuk kundërshtoi, por i pranoi këto raprezalje si masa revolucionare që bëheshin për të mirën e tij. Kështu e keqja nuk njohu ndalesë dhe arriti sa çdo shqiptar të kishte frikë nga hieja e vet dhe ta duartrokiste diktatorin për çdo veprim e vendim edhe kur vriste e priste ish partizanët, shokët e tij ministra e kryeministra, me synimin që t’ia linte pushtetin bashkëshortes së tij pa rivalë, po të rrethuar me puthadorë.
Kritika ndaj popullit gjerman dhe atij shqiptar është e dukshme për mosveprim kundër së keqes nën diktaturë. Mirëpo autori ndalet deri këtu dhe nuk e vijon vështrimin kritik ndaj dy qëndrimeve të ndryshme që mbajtën këta dy popuj pasi kapitulluan diktaturat. Gjermanët e dënuan diktaturën naziste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij, dhe shkuan përpara. Kurse shqiptarët nuk e dënuan diktaturën komuniste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij. Një e keqe e re filloi t’i shfaqej popullit tonë pas ardhjes së ish komunistit Sali Berisha në pushtet. Ky me gojë shante gjithçka që lidhej me diktaturën dhe diktatorin, por pronat nuk ua ktheu të shpronësuarve; në poste qeveritare nuk ngriti të përndjekurit, por shokët e tij ish komunistë e shërbëtorë të rregjimit të vjetër, lejoi korrupsionin, blerjen e votës, etj. Pikërisht këtu duhej sjellë e përmendur kritika që është bërë në ndonjë shkrim tjetër ndaj popullit shqiptar për mosngritje të zërit kundër të keqes së re që filloi të vinte nga lart pas vitit 1992 dhe vijon t’i vijë edhe sot nga pushtetarët e korruptuar.
Lulushi preket nga fakti se trashëgimia letrare e krijuar prej të përndjekurve e të arratisurve nuk vlerësohet si duhet në Shqipërinë paskomuniste. Kështu që ai e priti me entusiazëm dhe e vlerësoi punën e Iliriana Sulkuqit e Kolec Trabohinit për grumbullimin dhe botimin e vëllimit poetik “Kujto Poetin” (ADA 2011), ku u riprodhuan nga 4-5 poezi të 40 poetëve që patën humbur jetën prej diktaturës. Për disa krijime të poetëve Lazër Shantoja, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Arshi Pipa, etj studiuesi jep vlerësimet e veta.
Njeri, që u detyrua të arratisej sepse nuk gjeti drejtësi, respekt e vlerësim në atdhe, Lulushi i kthehet herë pas here përvojës së jetës politike, pushtetit të Shqipërisë diktatoriale për t’ua hapur sytë nostalgjikëve të diktaturës e diktatorit. Ai sqaron se në atë kohë marrja dhe ruajtja e pushtetit u bë i vetmi qëllim për numërin një të shtetit, kurse ideali u zbeh, pushteti u bë mjet në shërbim të vetes, ideologjia thjesht formë, sepse ajo që i bën gjërat të rëndësishme është përmbajtja dhe përmbajtja e vërtetë e ideologjisë ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit. Forcë shtytëse u bë dëshira për pozitë dhe jo besimi në ideal. Më tej analisti Lulushi vijon: “Komunisti mesatar ishte jo fanatik por thjesht karierist cinik, i cili bënte atë që i duhej për të fituar një pozitë të favorshme, apo një cilësi më të lartë jete” (f. 129). Në atë regjim, Sigurimi i Shtetit ishte i domosdoshëm për funksionimin e regjimit, për krijimin e një shoqërie plotësisht të tejdukshme, të kontrolluar.
* * *
Mediokritet e paradokse
Vëllimi “Zhgënjime sporadike” është një vëllim ku autori ka përmbledhur poezi deri te faqja 90 dhe deri te faqja e fundit (190) analiza, përsiatje, ese, vëzhgime, etj.
Si krijues, gazetar dhe analist Lulushi e ka kuptuar thellë situatën krijuese nën diktaturë dhe jep shpjegimin e tij origjinal: “...gjatë diktaturës, thuhet se u bë përparim në art e kulturë, ky rezultat erdhi jo nga shpërthimi, frymëzimi ose liria e krijimtarisë (kusht për kryevepra e kryemjeshtra), por ishte pasojë e frikës së dështimit, frikë e pandërprerë nga humbja e lirisë, derisa kjo frikë u bë forca shtytëse “motivuese”. Dhe kështu, këmbëngulja, virtut në kohë lirie, me frikë dhe pa talent, u bë ves nëpërmjet të cilit mediokriteti arriti një farë “suksesi”, që vijon ende të vetëmburret” (f.135-136). Dhe duke kaluar te koha e sotme, autori sqaron se mediokriteti i djeshëm vijon sepse nuk po përfillen shumë arritje të reja në letërsi, art e shkencë meqenëse këto nuk sjellin fitime.
Lulushi me arratisjen e tij bën pjesë në ata shqiptarë që arritën ta shkelnin frikën që ushqente tek ne regjimi. Kurse ata që mbetën brenda dhe krijuan kokulur duhet të pranojnë se bënë një kompromis me diktaturën për të jetuar më mirë, si dhe të shtyrë edhe nga indoktrinimi ideologjik. Thjesht ky kompromis ishte pasojë e mungesës së burrërisë dhe e formimit të keq. Kurse vetëmburrja e sotme e shumë ish krijuesve me veprat e asaj kohe dhe moskërkimi i të falurit për veprat e helmuara me ideologjinë komuniste, burojnë nga fakti se këta nuk duan të pranojnë paburrërinë dhe formimin e keq artistik e shkencor të djeshëm. Frikën nën diktaturë mund ta pranojmë si dukuri njerëzore, kurse frikën e sotme për të mos pranuar gabimet e së djeshmes dhe vetmburrjen, i konsiderojmë mungesë morali, pra plotësisht të dënueshme.
Jeta intelektuale në SHBA si gazetar kurioz që ka lexuar e lexon shumë në anglisht, Lulushi ka njohur momente të këndëshme edhe nga jeta e artistëve të mëdhenj dhe ndalet të na tregojë momente pikante nga bashkëpunimi i artistëve të mëdhenj: fotografit Gjon Mill me këngëtarin e aktorin Frank Sinatra dhe shkrimtarin Pol Sartri (Jean Paul Sartre). Këtë ai e bën që të na zbulojë karakterin dhe profesionalizmin e lartë të fotografit me origjinë shqiptare. Sinatra e shprehu me vargjet e një kënge të tij: “Shprehu guximshëm / me pak humor / dhe dyert hapen” (f.101). Kurse Sartri ndalet e shruan më gjatë, midis tjerash dhe: “Milli është njeri kurth. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje” (f. 156).
Ndonëse ky vëllim i Lulushit ka më pak shkrime se vëllimet e tjera, ai edhe këtu u ka lënë vend shkrimeve kritike për të vlerësuar krijimtarinë e disa krijuesve shqiptarë si Uran Kostreci, Faruk Myrtaj dhe poetit Sami Gjoka që shkuan anglisht. Thirrjet e Sami Gjokës studiuesi i quan “thumbuese, të ashpra… i drejtohet botës që të dëgjojë atdheu” (f. 166).
Ndoj (Tony) Prendushi, një shqiptar i arratisur që jetonte një jetë të qetë në Kaliforni, kur mësoi se shqiptarët në atdhe dolën nga sundimi komunist shumë të varfër, u bëri thirrje miqve të vet, mblodhi ndihma dhe shkoi në atdhe ku me shpenzimet e veta jetoi e punoi disa vjet si humanist e bamirës për shpërndarje ndihmash midis të varfërve. Pas vitesh ai e rrëfeu veprimtarinë e tij bamirëse në atdhe në librin “Paqe dhe dashuni” (CAMAJ – PIPA, Shkodër 2010, 200 f.) shoqëruar me parathënie të Prof. Repishtit. Lulushi ndalet dhe tregon jetën e këtij shqiptari, sakrificat e tij dhe pasi vlerëson librin, na drejtohet tërthorazi ne lexuesve që jemi të dobët në këtë drejtim: “për bamirësi dhe humanizëm, dy fusha të gjera ndjenjash njerëzore, sado të punohet, kurrë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft” (f. 132).
Gazetari i VOA, Ilir Ikonomi, shkroi e botoi librin “Faik Konica – Jeta e tij në Uashington” (ONUFRI Tiranë 2011, 377 f.), një biografi shkencore e letrarizuar, përmes së cilës u zbuluan më tej mençuria ndriçuese, sjellja elegante, intuita për kompromis e Faik Konicës. Dhe Lulushi, koleg i autorit shkroi recensionin e vet, ku shpalosi arritjet e këtij studimi duke vlerësuar bashkëpunimin Konica – Zogu – Noli, grindjet dhe pajtimet midis tyre. Recensioni mbyllet duke kaluar te pasojat e ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri: “regjim politik – pa asnjë mirëkuptim a ndjenjë tolerance – i cili shmangu ose asgjësoi njerëz me nivel dijesh dhe përbalti njohuritë e trashëguara, duke shpallur armik të vetët dhe gjithë botën” (f. 147).
Si atdhetar shqiptaro-amerikan, Lulushi e ka njohur nga afër punën dhe vlerën e Shoqërisë “Vatra”, prandaj në 100-vjetorin e saj shkroi: “Federata “Vatra” i ngjan një besëlidhjeje – Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Konferenca e Pezës (para se të tradhëtohej) – të gjitha të krijuara në pika kthesash historike, dhe pasi përmend disa nga punët e saj atdhetare kulturore, kritikon qeverinë e sotme shqiptare që nuk interesohet për këtë institucion, më të lashtin e atdhetarisë dhe e ka lënë “Si një të moshuar pa pension – Monument Kulture që nuk mbrohet nga shteti shqiptar” (f.114).
Njeri i sakrificave dhe i punës, Lulushi nuk i duron dot njerëzit me karakter të dobët, të cilët shquhen për mashtrime, grabitje të të mirave të të tjerëve, etj. Të tillë tipa ai i ka demaskuar tek shkrimi “Qyqet…”. Me të dhëna të mbledhura nga enciklopeditë për jetën e zakonet e zogut qyqe, autori na jep mundësi të nënkuptojmë sa të ulët e të rrezikshëm janë njerëzit që kanë tipare të ngjashme me këta zogj, pa përmendur fare fjalën njeri: “Si grabitqarë kanë frikë vetëm nga të vetët. Kjo tregon sa të rrezikshëm janë. Vetëm toka e djegur shpëton prej tyre. Me një fjalë, janë të pashpirt, kryesisht për shkak se pëlqejnë veten pothuajse po aq sa të tjerët i urrejnë” (f. 153).
Shkrimi “Qyqet…” nuk është thjesht një ese për jetën e karakteristikat e zogut qyqe, por është një skicë letrare me kuptim metaforik, çka dëshmon se së shpejti prej këtij autor mund të kemi dhe krijime të tjera letrare, gjë që e ka parashikuar dhe miku i tij Dashnor Kokonozi te parathënia e librit të parë.
Duke menduar për ngjarjet e viteve 1992-1993 dhe 1997, Lulushi përgjithëson: “Luftë deri në shkatërrim, këtë kah marrin përpjekjet kur mungon besimi” (f. 157). Kur përfaqësuesit e dy krahëve të politikës shqiptare i përdorin fjalët përparim dhe përparimtar duke i futur në thonjza kur i referohen bëmave të krahut tjetër, analisti ngul këmbë: “diçka shqetësuese duket se ka ndodhur; njerëzit kanë humbur besimin në idenë e përparimit, pa të cilën shoqëria nuk është në gjendje të ndryshojë a përmirësohet si një e tërë, prandaj, konkludon ai, ia vlen të mendohet për rikthimin e tij” (f. 159). Pra rikthim në fillimet e pluralizmit shqiptar, çka do të thotë që partitë kryesore politike të braktisin planin Katovica e të rifillojnë një rrugë e re…
* * *
Poet dhe përkthyes
Astrit Lulushi shpesh herë i ka shprehur ndjenjat dhe mendimet e veta edhe pëmes vagjeve poetike. Ai është i pari në gjuhën shqipe që ka sjellë përshtatjen e 63 soneteve të Shekspirit jo sipas rrugës tradicionale: përkthim besnik i formës së soneteve (me 13 rreshta të ndarë në katër strofa (dy strofa me katër vargje dhe dy strofat e tjera me tre vargje), ku zbatohet rima: abab, baba, ded, ede.
Me vëllimin “63 Sonete të Shekspirit” (Toena 2014), Lulushi nuk është një përkthyes, por një shqipërues, si e quan ai vetë. Në poezitë koresponduese që kanë strofa, rreshta, rima dhe gjatësi të ndryshme vargjesh, sillen shqip idetë kryesore të këtyre soneteve duke ndjekur një rrugë të re, të cilën ai e ka dhënë në vargje:
“Rend, varg, metrikë, / nuk kam respektuar, veçse shijen e mendimit / lexuesit për t’ia dhuruar” (f. 14).
Kjo punë shqipërimi është e njëjtë me atë të Ilia Ballaurit, i cili na solli në shqip dy kryeveprat e Homerit duke mos respektuar llojin e vargut homerik, varg i bardhë pa rimë i pandarë në strofa dhe me gjatësi të caktuar. Ballauri i solli në shqiip poemat “Odisea” dhe “Iliada” me lloje të ndryshme vargjesh shpesh herë me rimë dhe të ndarë në strofa me gjatësi të ndryshme vargu brenda strofës.
Ashtu si lexohen rrjedhshëm dhe shijohen këndshëm poemat e Homerit të shqipëruara prej Ilia Ballaurit, ashtu lexohen dhe shijohen edhe këto 63 sonete të Shekspirit. Duke mos e pasur përgatitjen teorike dhe njohjen e anglishtes në nivelin e duhur, nuk po ndalemi në analizën e këtyre soneteve.
Poeti Astrit Lulushi duke qenë tip mendimtari, edhe në poezi krijon vepra me ide të thella erotike, shoqërore e politike prej të cilave lexuesi pasuron botën e tij të brendshme, por jo rallë tronditet sepse e gjen veten të kritikuar.
Shqipëria paskomuniste, tek poezia e gjatë “Ç’ është Shqipëria” përshkruhet me nota kritike që të kujtojnë Migjenin dhe Konicën: “Munduar në udhë të re, / tani më hallemadhe je, / më shumë rrudha se ç’ duhej, / dhuratë nga plangprishësit i ke. / Të kanë shpëtuar, “e lirë je, / pa frikën e vdekjes”, thonë / bijtë, e ty, ndërsa grinden, / nën çati rrjedh shi e lot” (f. 15).
Sejcili nga ne duhet të ndjejë përgjegjësi për këtë gjendje të atdheut sot me më shumë halle, sepse po të punonim të gjithë me përkushtim për evoluimin tonë dhe për ta ndihmuar Shqipërinë, kjo nuk do të ishte kështu si është. Poeti i veçon dhe i rëndon më tepër bijtë e talentuar, që dikur fituan emër me veprat e tyre të politizuara e sot jetojnë larg halleve të atdheut e të popullit: “Ku janë poetët piedestalistë / të kohës flamë “Enver-Parti”? / Tani sindroma e heshtjes i ka zënë / poetikisht të mos shprehin më / të thellat ndjenja për Shqipëri? / Nëse të tillë ikin nga kjo botë, / jo me dhe, por me turp / do të mbulohen.” (f. 18).
Fatkeqësisht këta “poetë piedestalistë” vdiqën e po vdesin pa u përpjekur të kuptojnë fajin e tyre dhe më keq akoma, pasardhësit e tyre po vijojnë t’i lëvdojnë e t’u ngrenë pjedestale të rinj, duke ndjekur rrugën qorre të Nexhmie Hoxhës që vijon pa turp të hymnizojë bashkëshortin e saj diktator.
Lulushi 32 vjeçar dha shëmbullin e trimit duke u arratisur, por për jetën e tij të deriatëhershme e fajëson veten: “Moshë e re, shkop magjik / i të verbërit, që isha unë, / vuajtjet s’doja t’i shihja. / Shumë dhimbje nënçmoja, / para së keqes heshta, / humbëtirën si horizont / unë zgjodha” (f. 25).
J eta larg familjes plot pesë vjet pa asnjë lidhje letrash, e bënte poetin si të dehur në ecje e në sjellje me të tjerët: “Më mungon buzëqeshja jote / edhe pse tani është ndryshe / ti je në zemrën time / nuk do të lë të ikësh / këtë duhet ta ndjesh. / Në pritje të thirrjes tënde / i penguar me këmbët e mia / nëpër rrugë eci dhe njerëzit / ndalen e sikur më pyesin: / “ç’ të ka ndodhur?’, dhe unë: “Me dashuri jam dehur!” (f. 40).
Cikli me poezi kushtuar dashurisë në distancë është mjaft i plotë. Kredon e vet ky poet e shpreh te poezia “Krijues” me fjalët: “Artisti nuk do të krijonte / po të ndrydhej e stepej / nga ideja se nuk do vlerësohej, / pasi mediokrët do ta gjykonin. / Krijimi është një hap përpara, / kur të tjerët rrinë në vend, / a mendojnë të ecin mbrapa, / të struken, mbyllen, ngrysen, / sikur botës po i vjen fundi, / harrojnë se është fundi i tyre” (f. 44).
Realizimi artistik i krijimeve poetike të Lulushit meriton vëmendje.
* * *
Thënie të arta të Astrit Lulushit
Astrit Lulushi si enciklopedist, analist, studius e kritik arti e letërsie, për të karakterizuar dukuri të jetës, ngjarje dhe personalitete historikë, përdor sentenca nga njerëzit e shquar, por shpesh herë krijon dhe vetë thënie që vlejnë të mësohen e shfrytëzohen si thënie të arta.
Nga libri “Pak ndryshe”:
Duke satirizuar kohën e diktaturës dhe vitet e pasdiktaturës së Shqipërisë, Lulushi krijon gjë a gjëzën e tij: “25 vjet mburojë e Krishtërimit, 45 vjet fanar i komunizmit, aktualisht përgjërues i Islamizmit në Europë. Kush është?” (f.17)
“Frika e padituria janë burimi i hakmarrjes” (f.21)
“Kur një popull sundohet me dhunë e diktaturë, viktimat e para, pas njerëzve, duket se janë vlerat e traditës”. (f. 54)
“E kaluara sado e keqe, kurrë nuk duhet harruar, shpërfillur a ndryshuar” (f. 67).
“Të botosh shkrime dhe libra me ide që sfidojnë ato ekzistuese do të thotë ta kesh kuptuar lirinë” (f. 85).
“Një komb nuk është i shquar vetëm sepse është i lashtë, por edhe sepse dija e kultura e tij ka rrjedhur pa ndërprerje” (f. 167).
“Miqësia është bashkim shpirtrash. Ky bashkim si martesa, ndonjëherë është i divorcueshëm” (f.275).
“Të realizosh diçka do të thotë të ngrihesh mbi të zakonshmen” (f. 351).
“Toleranca është sukses i madh i njerëzimit… me tolerancën njerëzimi arrin të ndjejë vetëqenien duke njohur, prekur, kuptuar veten e njëkohësisht duke harruar gabimet e njëri-tjetrit” (f. 425).
“Jo çdo kafshë mund të zbutet, jo çdo ish tiran mund të pendohet dhe jo çdo politikan mund të reformohet” (f. 444).
“Nuk ka njeri që të mos e urrejë padrejtësinë” (f. 479).
Nga libri “Ndjenjë realiteti”:
“Me gëzim festohet çdo përvjetor i rrëzimit të shtatores së diktatorit, por që një tiran vërtet të bjerë, njerëzit më parë duhet të sigurohen që pjedestali brenda vetes së tyre të jetë shkatërruar” (f. 11).
“Të gjithë njerëzit nuk mund të bëhen pronarë, por askush nuk duhet të jetë i shtypur a skllav” (F. 19)
“Botë pa dhimbje nuk mund të ketë, por pa vuajtje të panevojshme po” (f. 9).
“Zhvillimi është dalje nga status-quoja ose veprim që i largohet së shkuarës” (f. 23).
Jjo çdo periudhë e kaluar mund të quhet e prapambetur” (f. 23).
“Vdekja e një personi i ngjan kohës së shkuar. Të dy nuk kthehen më, por prej kësaj ikjeje ndriçohet mendja e të gjallëve” (f. 26).
“Ddiabolikët sundojnë, vetëm të mirët qeverisin (f. 49).
“Nuk duhet harruar se zhvillimi është i pashmangshëm, si frymëmarrja rit i domosdoshëm (f. 50).
“Kush nuk pranon mendimin ndryshe, ndryshon vetëm në kohë nga ata, që opozitarët i quanin tradhëtarë dhe në rastin më të parë i vrisnin” (f. 65).
“Zemërimi është përgjigje ndaj kërcënimit” (f. 83).
“Zemërimi është si zjarri, jashtë kontrollit djeg e dëmton, i përmbajtur mbron e ngroh, pra ves e virtyt, si çdo gjë në vetvete, e mirë dhe e keqe” (f. 83).
“kur s’ mundesh të thuash një fjalë të mirë nuk është keq të mos flasësh fare” (f. 103).
“E mira ndeshet rrallë dhe shpesh është e vetmuar” (f. 103).
“Kur shumë njerëz bëhen të paaftë, paaftësia kthehet në sëmundje shoqërore” (f. 104).
“Gjithmonë ka njerëz trupmëdhenj, por prapë të vegjël (si shpirt, Th. Gj.), të pasur por të humbur, njohës por të cekët” (f. 106).
“Mendimi është çelësi i ndryshimit” (f. 109).
“Ashtu si njeriu mëson çdo ditë edhe çmësimi a heqja dorë nga idetë e vjetra bëhet diçka e përditshme” (f. 119).
“Asgjë nuk mund ta prishë kaq shumë njeriun, asnjë forcë nuk mund ta hedhë atë në vorbullën e rrëmujës së mendimit… sa… pasioni i njëanshëm” (f. 121).
“Natyra është shembull i përsosmërisë… Prandaj njerëzit e mëdhenj janë të natyrshëm, ndjehen kur mungojnë, besohen e adhurohaen, shembulli i tyre ndiqet…” (f. 161).
Nga libri “Kujtesë lirie”:
“Zhvillimi është ndryshim, është proces, siç është dija, e cila nuk ka fund, ajo kurrë nuk arrihet, por vetëm ndiqet” (f. 75).
“Atje ku gjithçka është kolektive, indiferentizmi ose qëndrimi soditës është natyrë e dytë; individi, puna, prona, vendi e të gjitha shpërdorohen” (f. 79).
“Urrejtja tjetërson” (f. 90).
“Urrejtja është pasojë e frikës, por edhe e krijon atë” (f; 90).
“I ftohti e lufton njeriun duke ia marrë dëshirën për të rezistuar” (f.91).
“Krenaria i ngjan udhëtimit në kohë – pa këmbë në tokë – ku njeriu përpiqet të zhbëjë gabimet dhe pengon të jetohet e tashmja” (f.103).
“Të kesh mendim të mirë për veten, s’është keq, por të krenohesh i shtyrë nga dëshira për t’u bërë i njohur para të tjerëve a mbi të tjerët, është kotësi” (f. 103).
“Tek e vërteta nuk arrihet duke u zgjatur a përdredhur” (f.105).
“Punët e mira janë ato që kryesisht fillojnë nga më e vogla, më e thjeshta, nga një qelizë apo shkëndijë që lind, ushqehet, rritet derisa lë ndikim të pashlyeshëm” (f. 107) “Pa një trashëgimi, çdo gjë është e varfër” (f. 111).
“Dashuria i urren përllogaritjet” (f.115).
“Që një shoqëri të jetë e mirë, individët e saj duhet të ndihen të lirë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht” (f. 117).
“Motori shoqëror [në diktaturë] ishte jo besimi në ideal, por dëshira për pozitë” (f. 129).
“Që një problem [shoqëror a politik] të zgjidhet, duhet shtruar hapur dhe hapje do të thotë sinqeritet” (f. 138).
“Çdo gjë që ndihmon sadopak ia vlen të provohet.” (f. 138).
“Truri është vërtet thesar, por jo kur kyçet” (f.140).
“Lakmia është gropë e thellë pa fund, që e shteron fuqinë e personit në përpjekje të mëdha, por pa e arritur kurrë kënaqësinë” (f.145).
Nga libri “Zhgënjime sporadike”:
“Sa shumë gjëra humbet njeriu kur përpiqet të duket e të fryhet” (f. 103).
“Kush tërhiqet pas së bujshmes kur e kapërcen atë e kupton kotësinë” (f.103).
“Diktatura e fortë, punë e njerëzve të dobët” (f. 138).
“Diktatorët bëhen nuk lindin” (f. 148).
“Idetë nuk kanë kufi. Si rrjedhim prej tyre, të paktën në parim, duhet të përfitojë e gjithë shoqëria. Në rast të kundërt idetë janë thjesht mashtruese” (f. 159).
“Besimi i lojit fanatizëm prodhon të keqe pa kufi” (f.181).
“Eshtë krenaria boshe që sjell zbrazëti, ose anasjelltas, etje, thatësirë, ku ndjenjave u vihet fre, ngrihen mure izolimi, ku njeriu mendon se mbrohet, por pengohet të dallojë, të njohë, të komunikojë,e shijojë të mirat që i ofrohen” (f. 190).
* * *
Konkluzion
Astrit Lulushi është një autor me vlera të shquara, por fatkeqësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, krijimtaria e tij është shumë pak e njohur.
Ministritë e kulturës e të diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duhet të koordinojnë fondet për të botuar disa seri me antologji ku të mblidhen artikuj, ese, përsiatje, kritika e skica dhe disa poezi të Lulushit dhe të shumë krijuesve e analistëve të shquar të diasporës. Kjo seri do të jetë një ndihmë e madhe për ngritjen e nivelit kulturor e moral të masave të lexuesve e sidomos të nxënësve të shkollave të mesme e të larta.
Kurse veprën dyvëllimshe “Kalendari Historik…” ua rekomandojmë këtyre ministrive ta botojnë të plotë sa më parë për ta pasur e shfrytëzuar mësuesit dhe nëpunësit e zyrave të ndryshme dhe ata të zyrave të larta qeveritare.

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi, I DIASPORËS, një bir i shquar, Thanas L Gjika

SHQIPNIA E FISHTËS

February 3, 2018 by dgreca


1 agim Desku ok
Cikel poetik nga AGIM DESKU /

 SHQIPNIA E FISHTËS/ 

1 fishta ok

Koha e Fishtës më takon nëse më pagëzojnë emrin e Gjergjit /

Ç῾më vie çdo çast kohë e kokë  /

E Fishtës /

Dhe kohë e shqipes /

Në kokën time të krisur. /
Ç῾kohë e krijoj njeriun prej dheu 

Të njëjtë me emrin e zanave 

Eh, kohë e Shqipnisë ma thoshte Fishta 

Lindi dhe rriti në këtë tokë veç hyjni. 
Dhe sot sikur dëgjoj këngët e Malëcisë kryeneqe 

Ku lindja dhe vdekja ngjajnë me Shqipninë e Fishtës. 
Qofshin lavdue trimat kur kishin lidhë besë e fe 

O do rrojmë faqebardhë ,o do vdesim të tanë për atdhe. 
Koha e Fishtës më takon nëse më pagëzojnë emrin e Gjergjit.  

MOS NDALO KARVANIN  E JETËS 

-Qentë le të lehin 

Karvani ecën-  

Bota nëse përmbyset është një e arritur e tij djallëzore 

E njeriut që s´ka tani fuqi të jetoj në gjuhën e zotit as të kombit 

Të vetmit miqt e tij janë qentë kur lehin sipas dëshirave korbaiane 

Çudi pse jeta ime i rri si hije nga frika se unë jam përandor i fundit. 

 

Nuk e kanë thënë kot të parët e mij nga përvojat e hidhura të etjes për dije

Dhe karvani i fisit tim ecte mes të lehurat e qenëve pa frikën se kafshojnë djajtë 

Eci edhe unë kopshtit të Edenit sebashku me shiun shuajmë etjen e trëndafilave 

E di sa herë jam i sharë dhe i vrarë në mijëra copëzash mish qeni. 

-Qentë le të lehin 

Karvani ecën 

Ecë edhe ti miku im,zërë jetën para se ajo të të mallkoj gjuhën e shpirtit prej një demoni. 

Ose vdis para se deti të të fundos bashkë me diellin që ta fali dritën e syve . 

Jeto si palaço i pavlerë dhe i pa nderë e mjerë kombi im për emrin e djallit që ke marrë. 

MA QËNDISË FLAMURIN E BASHKUAR  

Ç´më bëhet sikur njeri uhumbi arsyen e jetës se shenjtë

Dhe toka fuqinë për t´i mbajtur mbi krahë të vetë 

Me demonët asnjë fjalë më nuk na lidhë me gjuhën e zotit 

Përandorët ishin të fundit që u zhdukën nga jeta ime. 

 

Kam bërë be se nuk dua të jetoj në asnjë atdhe të huaj 

Tokës se Gjergjit i kam borxh lindjen dhe vdekjen burrërore 

Gëzimet dhe hidhërimet në çdo kohë i kemi ndarë mes veti 

Dhembjet e plagëve ia kemi shërue njeri-tjetrit. 

 

Asnjëherë nuk e kemi pranue zhdukjen si fund i rëbelimit 

Lumë ai det që ndalon fundosjen e zërave titanikiane 

Jam gati të shndërrohem në simfonitë e funeralit mortor 

Të luftëtarës që di të qëndisë flamurin e bashkuar. 

Ç´FSHIHEN PAS DJAJËVE 

Ç´zëra gjarpërinjësh u zunë me Apokalipsin 

E di në ç´shpirt e fytyra djajësh kohën e shndërrojnë 

Thonë se janë të gjallë herë të vdekur pa asnjë varr toke 

Zotin e luta të di përse të njëjtën kohë lindëm heronjë. 

 

Çfarë të duhej koha e lindjes se kësaj fare të keqe 

Toka për njëqind vjet nuk shërohet nga hellmimi kur e shkelin 

Si të besoj se perënditë kanë krijue njeriun dhe djallin  

Në të njëjtën kohë pa hile. 

 

Nuk kam më fuqi të jetoj nën gurët sebashku me gjarpërinjtë 

Me kohën time dhe të perëndive secili tani merremi nëse sonte del hëna 

Ndoshta për fjalën time kujdesen zanat e malit  

Dhe betejat që ende s´kanë përfundue për tokën dhe diellin. 

 

SOFRA 
Ç´më vie në mendje një ëndërr 

Kur ulëshim në një sofër gjithë zemër 

Këmbëkryeq kur ngritnim dolli për diell e miq 

Për liri dhe tokën pengë e lënim kokën. 
Ç´fuqi na kishte fjala kur bashkoheshim në një sofër 

Të tëra mbrëmjet kishin hare dhe vetëm gëzim 

Fytyrat na fluturonin të buzëqeshura pa asnjë hidhërim 

Vëllain e quanim vëlla dhe nënën -Nënë e babain-Baba. 
Në mua sofra ka gjuhën e artit dhe krenarisë  

Për fjalën dhe besën kur jemi veçue nëpër botë 

Sa herë kemi thënë ,PO, asgjë nuk ka ndryshue 

Vdisnim edhe ferrit kurrë miqt nuk i kemi tradhëtue. 
Të bashkohemi prapë në sofrën e shqipeve na është thënë 

Nëse duam të kemi fuqi bashkimi dhe bekimin e tokës nënë 

Në një Shqipëri të vetme ku zoti do të na bekoj 

Ndryshe pa fajin e gjakut të derdhur,ah mos të na mallkoj. 

Ç´HIJE MË NDJEKIN PAS 

(Të zhdukurit kthejnë në pikturë) 

Nuk ka dehje që më bindë se ti nuk je më 

Dëshmitare e kam fytyrën tënde prej engjëlli 

Ta njoha ecjen nëpër mbrëmjen me hënë 

Jam i sigurtë se hapat e trimit tim ishin. 

Sonte më duket u bëra beteja më e ashpër  

E luftëtarit të një mijë e njëqind ëndrrash 

Për sa vjet dritë cili u larguam nga njeri-tjetri 

Kujtimet e jetës se bukur vallë kështu harrohen. 

 

Sonte nuk kam fuqi ta ngritim gotën sebashku me ty  

Në betejat dhemb për dhemb u shndërrove në gjeneral 

Më thanë se asgjë nga lufta më nuk më mbeti 

Përse nuk ta di varrin as funeralin. 

 

Cili sonte hyri pa trokitur në portën time 

Varg loti i syve të mij të vërbuar u bë 

Koka nuk më zë më asnjë ëndërr dimri 

Gjithë jeta ime sonte në pikturë ndalon. 

LUFTO MBI SHPATËN E SATANIT 

Më fal zoti im pse nuk t´u fala kur më shumë se jetës ty të ngjava . 

Ç´më duhet dashuria kur nuk di për plagët e njëind betejave 

Dhe jetën e ferrit kur peng e lash për të bukurën e detit. 

 

Ndalo për një çast në kujtimet që na ngritën afër diellit 

Vdekjes se djallit ju kanë gëzue edhe demonët 

Mos e merr si të vërtetë shkopin e tradhëtisë që të ulët pranë 

Lufto dhe fito mbi shpatën e satanit nëse e do shpetimin nga vdekja. 

Mos e merr si të vërtetë shkopin e tradhëtisë që të ulët pranë 

Dashuro si një luftëtare që ia ka fal gjymtyrët atdheut pa kthim në jetës 

Nëse jeton më mua mendoje flakën e diellit ku atje të ngriti si mbretëreshë  

Në një gotë pijmë dhe dehemi deri sa jetën askush nuk mund të na burgos. 

Të dytë e kemi kohën të fitojmë mbi edhe shpatën e Satanit 

Kështu do e mbrojmë vetën por edhe tërë një botë nga tradhëtarët e kohës 

Që nuk zgjedhin mjete as fiijime në errësirën e pafund perandorësh. 

 

Vdisni për pesë pare të fytyrës se ndyrë kur ngjani në buzëqeshjet e ulkonjave 

Tokën do të na shkërdhejnë nëse na shohin kah e vrasim zhdukjen e djallit 

Vdisni për pesë pare të fytyrës se ndyrë kur ngjani në buzëqeshjet e ulkonjave 

Se nuk i pendohemi vdekjes se fjalës të dhënë kur e nënshkrova me gjuhën e perëndive. 

Më fal zoti im pse nuk t´u fala kur më shumë se jetës ty të ngjava . 

 

PËRSE ËSHTË DIELLI LARG 

(Mbesës sime Kiarës) 

Sa larg e sa afër më rri dielli  

Flakën e ndajmë në grimca të krisura 

Ç´mallë ndjejmë për gjuhën e shqipeve  

Kur e flasim me mbesë në fluturim.  

 

Edhepse më rri larg nga toka e artë 

Shqipërinë e kemi dëshmitare të gjuhës se shejtë 

Pagëzimin e emrave të rrënjëve të Durrahut 

Kush na mallkoj që u tretëm metropoleve evropiane. 

 

Cilët shekuj s´do të flasin kurrë me ne 

Perse ndonjëherë u bëmë edhe argat të dreqit 

Etjen dhe urinë çdo herë i kishim si bukën dhe krypën 

Por jetuam me zemrat e mirëditorëve dhe malësorëve. 

 

Në të njëjtën kohë u bëmë heronjë të jetës atdhetare 

Vitët ma të bukura të jetës i shndërruam në legjenda për plisin 

Vetëm kur e falëm besën undjemë se jemi pakëz shqiptarë 

Ah,si lotët nuk na lënë të vërtetën kurrë pa e thënë. 

 

Çfat na është shkrue nga perënditë e tokës dhe detit 

C´ilët nga ne diellin e kemi me larg se të gjitha dashuritë 

Ç´faj na është thënë pse të dielave nuk bëmë lutje për dritë 

As zotin nuk e dijmë a e patëm mik apo pse nuk ju falëm çdo ditë. 

BABA  

Baba,sonte ç´më tregojnë yjet  

Shkëlqejnë më mirë këtë mbrëmje. 

Pikturën e fytyrës tënde e shoh në ozon 

Ëndrra më fton nepër shkallët e olimpit  

Të të takoj baba. 

 

Sa afër jam me sytë plotë lot malli 

Sonte kemi ndarë kohën të jemi pranë njeri-tjetrit 

Me fjalët tërë një jetë betejash të fituara . 

 

E mbaj në mendje frymën me ngrohtësi dielli  

Kur më porosite,bir,atdheu nuk i ka njëqind fytyra . 

Nëse e do jetën me nder sikur babai që të do 

Jeto vetëm më fytyrë atdheu pa asnjë betejë të humbur. 

 

Baba,tani edhe unë jam baba dhe jetën e ndajmë përgjysmë 

Ti jeton dy jetë më shumë se secili nga ne të gjallët. 

Gjyshi i ëndrrave të mia që aq shumë i kam pritur 

Roni,Kiara,Aurela,Dreni,Dea janë pëllumbat në fluturim. 

 

Baba,më fal që nuk shkrova për burgun e Auhvicit 

Kur lufta të mori dhe për pak u gjende i vdekur i gjallë. 

 

Betejat më shumë i kisha për bukën e gojës  

Se si mëshira ju vishej qenëve dhe patronës Merkel. 

Janar 2018@DESKU  

PS-Në vitin 1945 babai ishte një nga shumë shqiptarët e intërnuar në Kampin e Aushvicit,ku për fat të liruar sebashkume grupin e të burgosurve nga Kosova. 

 

 

 

 

 

 

 

 

FRYEJ ERË 

 

M´i merr fjalët nëse i kam të mëkatit 

Edhe atëherë kur mendon se kisha fytyrë bajlozi 

Më mirë prangosëm të mos iku më larg se urrejtja. 

 

Fryej erë 

M´i kujto një nga një takimet e betejave 

Humbjet i di vetë se i kam plagë shpirti 

Dëshmitar e kam vetëm zotin  

Dhe fatin tim të luftës. 

 

Fryej erë 

Edhe atëherë kur ma gjen trupin  

Në mijëra grimca fjalësh 

Ma dërgo në foletë e zanave 

Mbështjellur me trëndafilat e Kopshtit të Edenit. 

 

Fryej erë  

Se s´kam më fjalë për të dhënë 

Më dërgo një stuhi cunamësh 

M´i fshijë nga faqja e dheut kujtimet e hidhura. 

 

Fryej erë 

Edhe takimet e djajëve më janë duhur t´i rikujtoj 

Ju i besuat këngës se hutinit kur këndon melodi mortore. 

 

Në çfarë t´i besohet kohës kur ajo është vetë e pakohë 

E kisha ndërrue veten me erën të fryej diçka nga shpirti im 

Diellin e kisha zbritë në tokë në një kuvend burrash. 

 

Fryej erë 

Tokën e diellin t´i bëjë bashkë para se të fundosëm unë apo Titaniku 

Sa larg fryen oj erë e nuk fryen brenda jetës që ma tradhëtuan demonët. 

 

Fryej erë 

E di për sa kohë jetuan perandorët jeta m´u bë ferr i Dantës 

Ju besoj vetëm atyre që i besojnë vetes më shumë se perëndive 

Një ditë do të zbritni në legjenda si Doruntinë e fatit tim. 

 

 

 

E KRISUR Ç´MË RRI KOHA 

 

Koha dhe koka si nuk më ndryshojnë fare 

Ç´më rëndonë lloje fjalë rrugësh 

I mbetur në udhëkryqe larg jetës  

As i gjallë as i vdekur jetoj në rrëfimin tim. 

 

I kam thënë mirëmëngjes gjarpërit 

Ndoshta njëri nga ne  u vërbua 

Sa i besoja vetes dhe rojeve të folesë sime 

Më dhemb nëse vazhdon si ikje nga betejat. 

 

Luftëtarët janë vetë bekimi i zotit për fitore 

Kurrë nuk e ndjejnë humbjen e betejave për jetë a vdekje 

Emri yt të mbanë në mbretërinë e yjeve 

Atje ku sebashku me diellin falni jetës gjallëri. 

 

Cilës fjalë i beson, të betohëm se nuk e mbaj natyrën e mëkatit  

Jetën e dua vetëm si një pikë ujë të detit kryeneq të kujtimeve të hënës 

Që kurrë nuk di të ndalët duke fundos bajlozët e tij të krisur 

Sa e krisur më rri koha kur furtunat e zhdukin tej gjuhës se zotit. 

 

Çfarë çmendurie i mori miqt që humben miqt e shenjtë të jetës 

Koha nuk ishte fajtore pse u bënë më demonë se vetë demonët 

Ndoshta një ditë riktheheni edhe në perandorë të zi 

Ky është atdheu që flakën ja vutë secilës anë të shejtë. 

 

Tani si të rri më kohën që ju e vratë bashkë me udhët ngado që ecni 

I vutë zjarr edhe emrit tim ma tretët atje ku miza brenë hekur 

Kështu ju i zgerdhiheni atdheut gjoja vdiqet në ëndrra për jetën e tij 

Ah,asnjë kohë kurrë mos e takofsha sikur sot që jetoj në kohën e juaj të pakohë. 

 

NË DYSH 

 

Më shumë se vetë betejat jam bërë çlirimtar 

Nuk kthej më në kohën e vrarë 

A nuk është pak ndarja e zotnave në dysh. 

 

Me botën kurrë nuk arrita ta njoh veten 

Pse duhet njoftuar për fuqinë e legjendave 

Që i kam dhënë dheut të kësaj toke. 

 

Në vetëvrasje urrejtjen kurrë nuk e kisha menduar 

Dikush nga varri u ngrit ta vras diellin 

Të tjerët vrapojnë pas palaçove perandorësh 

Asgjë në jetë nuk është si më parë e vërtetë. 

 

NË Ç´KRAH DIELLI 

 

Sa të madhe ma bën jetën dielli kur edhe unë jam bir atdheu. 

 

Në ç´krah dielli m´i pave krahët e shpuar përtej syve tuaj 

A nuk mjaftuan çmenduria e shpatave të pesëqind shekujve sultanësh 

Përtej njërës histori ,plagët m´i vënë në historinë tjetër  

Ende nuk e njeh as nuk e ka shkrue bota në një nga legjendat e zanave. 

 

Edhe njëqind herë nëse lindi vdekjen ia kam borxh këngës se heroit 

Me diellin kurrë nuk mund të matëm në asnjërën kohë kalërimi 

Luftëtar u bëfsha me fytyrë Davidi dhe me zemër Orfeu 

Sa të madhe ma bën jetën dielli kur edhe unë jam bir atdheu. 

 

Derisa luftëtarit tim nuk i përulën në secilën lutje dhe të falim uratë 

Kam frikë se të tjerët na e marrin bashkë me emrin e e kësaj toke të artë 

Me Gjergjin jam shndërrue në një dhembje dhe fitore të përbashkët ,çdo çast 

Asnjëri nuk vdesim pa njeri-tjetrin si Gjergj e Agim çdo ditë e natë. 

 

Me mua askush mos të barazohet pash diellin që ti ma fale 

Ngrohtësinë e tij e di se në cilin varg të tokës më rri më mirë 

E kam takuar vetëm njëherë në jetë kur më shpetuan nga ferri 

Kur menduan se vdekjen ma kishin përgatitur si bukën e ujin. 

 

Vdesin vetëm palaçot që tërë jetën e kanë vrasëse të zotnave 

Unë që rri në kopshtin e luleve dhe ujiti çdo trëndafil me lotin e shpirtit 

Me fjalën që zanat e mbajnë në gji edhe motrat tona suliote dikur në lashtësi  

Për fytyrë trimëreshash u hodhën shtatë pash nën thellësitë titanikiane. 

 

Në ç´krah më rri dielli, aty më rri jeta ,një e vërtetë që dhemb e shemb 

Perandorë dhe demonë në një fjalë ngjajnë si dikur të pabindurit e ferrit 

Në ç´këngë sot më shumë ju takoj mbrëmjeve kur s´ka hënë as yje   

Të gjitha udhët një ditë a do të kenë kryqzim të në zotit a rrugë pa krye. 

 

Mjerë ai që ma shanë dhe ma vranë atdheun e heronjve të plagëve të se vërtetës. 

 

OBELISK 

 

Jetën në katër sy e dua 

Të njëjtën ma thua edhe ti  

Kur për një çast shndërrohesh 

Në flakë dielli. 

 

Vdekjes kurrë nuk i iku  

Nëse jeta ime i takon 

Fytyrës se babait . 

 

Njëqind herë  

Është më e i gjallë 

I atdheut tim. 

 

IM ZOT 

(Rikujtojmë Presidentin,I.Rugovën) 
im zot 

M´i fal fjalët  

Që i shërojnë shekujt 

Të cilat ende na rëndojnë  

Mbi supe . 
 

Im zot 

Më fal përqafimin  

Që ëndërr më rri  

Buzëqeshja e jote. 
 

Im zot 

Më prijë lindjeve 

Se vdekjet ia kam fal atdheut. 
 

Im zot 

Më fal bekimin e Shqipërisë 

Pa plagët dhe lotin e nënave. 
 

Im zot 

Brezat e mij 

Mbetën flakë e Prekazit 

Në njëqind vjet  

E di  

Prapë ju lindë kjo tokë. 

 

 

ÇFARË FSHEH HESHTJA 

 

Një zot e di çfarë fsheh njeriu i sotëm në shpirtin e tij 

Askush nuk e njeh më mirë se unë ish mikun e dollive festive 

E di edhe në cilin det derdhet ferri i tij që na groposë më thellë se Titaniku. 

 

Për  luftëtarët e di çfarë ruajnë në gjirin e tyre më ka thënë babai im 

Betoheshin në sofrën e shqipeve dhe në gjakun e bekimit të atdheut 

Nuk çuditëm pse heshtja varros ëndrrat e rikthimit të heronjve. 

 

Të vetmit heronjtë e ruajnë vdekjen si heshtje për lavdinë e legjendave 

Ndarjet me lotin e nënave e vëjnë jetën e tyre mbi fuqinë e perëndive 

Asgjë nga dhembjet që nuk e kanë gjuhën e rikthimit të Gjergjit tim. 

 

Heshtjen e mallkofshin ëndrrat e tokës se vrarë 

E di përse tornadot më shumë se kurrë vrasin pafajësitë e zotit 

Në stuhi më kanë shndërrue deri edhe emrin tim. 

 

Ndoshta bëra faj nëse për tokën e fala edhe kokën  

Të vërtetën e jetës mos e fsheh nga asnjë perëndi a njeri. 

 

Të rikujtoj baba pse nuk vdiqe edhe kur të shndërruan në ferr të Aushvict.  

 

HESHTJA 

 

Mijëra vjet përmbys dritën 

Pa fuqi të dal nga dhembja 

Plagë më vdekjepruese e jetës. 

 

Nëse ka shërim  

Vetëm pas vdekjes. 

 

Çfarë t´u thueht syve 

Kur heshtja i vërbon. 

 

 

NATA E SHEKUJVE TË RËBELUAR 

 

Më e gjatë se njëmijë vjet dritë larg diellit ishte nata e shekujve rëbel 

Më e shkurtë se kënga besës se rikthimit të Aga Ymerit. 

 

Mbrëmë në apartamentin e hënës ç´më zunë peng 

Më  duhej të bëhesha njeriu më i krisur në jetë 

Tani sa e kisha dhënë fjalën që më peshoj shumë shtrejtë 

Nuk kisha fuqi rebelimi as të vëj një fytyrë djalli. 

 

Para heshtjes që vjellte zjarr dhembjesh e dorëzova shpatën e vetëvrasjes 

Sa ju besova gurëve edhe kështu të thyer në grimca atomësh 

Sa e gjatë dhe sa e shkurtë ishte stuhia e tornados 

Ktheva të shëroj plagët e luftërave në natën e rikthyer të shekujve. 

 

Më ftuan në mbrëmjen e poratve të hapura të Venedikut 

Në ekspozitën e pikturave më të bukura se vetë Mona Liza 

U deha kur ngrita dollinë për flakën e ndezur të diellit 

Im zot më fal pse nuk u bëra më i krisur se Adami. 

 

Tani tërë jetën e jetoj me urrejtjen pse nuk e kafshova mollen e Evës 

E di se ç´faj bëra në natën më të gjatë të shekujve në rikthim 

Mëkat për engjëjt pse ma zhdukën fytyrën e djallit nga shpirti im 

Ndoshta në rëbelimin e tij do e gjëja udhën më të shpejt drejt diellit të lirisë. 

 

MA FAL KOHËN E HERONJVE 

Kohën e heronjve të atdheut nëna ime e mbante në gji. 

 

Heronjtë a lindin heronj 

Tradhëtarët a lindin tradhëtarë 

Demonët a lindin demonë 

Perandorët a lindin perandorë. 

 

Cilët janë heronjtë që lindën dhe u rritën heronj 

Tradhëtarët besoj se e morën emrin që ju takon 

Demonët linden dhe vdesin demonë 

Perandorët u ngritën mbi fatin e njerëzve në perandorë. 

 

Kohën e heronjve të atdheut nëna ime e mbanë në gji. 

 

Një mijë vjet dritë është rruga për t´u ngritë në heronj 

Tradhëtarët janë faqja e zezë e marrja tepër e kombit 

Mjerisht përse zoti ende nuk i mallkon apo nuk shohin më larg vetes 

Sa keq për tokën që çdo ditë e shkelin këmbët e tyre fatzeza. 

 

Demonët janë vetë bajlozët që rrëmbejnë të bukurën e detit 

Janë vetë gjuha e mallkuar e kombit dhe fytyrat korbiane 

Nga legjendat dolën si humbës të shpatave të sulltanëve  

Mos i ngroh më o diell as ti hënë mos ju falë kurrë buzëqeshje. 

 

Ku mbetën perandorët që ikën një nga një me fytyrë zezonash 

Me cilat fytyra do të ikin perandorët e kohës sime ku ferr ma bënë jetën 

Të jetohet në një kohë pa perandorë dhe klyshë të tyre a e thot edhe zoti 

Falma këtë kohë të shoh se as vend për varr nuk do të kënë,as deti s´do i merr. 

 

PENG 

 

Puthjen ia lash peng luftëtarës se njëqind betejave të lavdisë 

Me mua u morën gjinjtë e saj të më vërbojnë sytë e diellit 

Me djajtë nuk e deshta kurrë ndërrimin e emrit të vërtetë  

Kaq larg urrejtje fitova nga demonët kur fjalën nuk e tradhëtova. 

 

Nëse kam lindur për të qenë njeri i lirë 

Më shumë e dua lirinë tënde o njeri i shenjtë 

Zotin të dytë duhet ta kemi në mos tjetër për atdheun  

Ndoshta unë apo fisi im luftarak një ditë jetojmë për betejat e lirisë. 

 

Nga Gjergji për brezaat e mij e dua uratën dhe pagëzimin e tij 

Nëse do e ndërroja emrin me një emër që më ngjanë në fytyrë atdheu 

Asnjë nuk do më shkonte më për shpirti sikurse i bukuri Orfeu 

Tërë jetës peng i mbeta pse kurrë nuk e kam thënë tërë të vërtetën. 

 

SERISH GURËT E NUSËRISË  

 

Ndalova sonte serish  tek gurët e nusërisë 

Sa tërë një jetë atdheu peshojnë këta shkembinj të lirisë 

Këtu e fali Tanagra shaminë e beqarisë 

Ç´hyjëri u bë e lutjeve për tokën dhe diellin. 

 

Edhe njëherë m´i the gurët e ndarjes o diell 

Në mijëra grimca atomësh vetëm në heshtje mos i le 

Të ja thej fjalët që më nuk i meritojn metropolet evropiane 

Së këta gurë më  krijuan mua dhe jetën e gjallë në tokë. 

 

Sonte prapë u takova më lule bogjuret 

Dikur anë e kend të shpërndara deri në ozon 

Sot aroma e tyre kenaqë njerëzimi kur feston 

Janë nga toka pellazge që ruhen nën gurët e mij. 

 

Le t´i falim prapë botës sikur që i falëm mendjen e lirë 

Edhe atëherë kur këtu u thyen shpatat e sulltanëve dhe secilit djall 

Le të më fal nëna ime uratën e gurvëve gjithë ar 

Që më pagëzuan më emrin e luftëtar Gjergjian. 

 

Nepër këta gurë nuk kaluan asnjë perandorë 

U thyen në shpatat që kryeqëzuan më ne 

Ende ka edhe pak dëmonë që faqën e zezë ia qesin kombit 

Ngado që shkelin dhembje dhe plagë tokës i sjellin.  

 

SIMFONITË E PRITJES 

 

Sonte nuk mund t´i zë tërë tingujt e erës 

Simfoni krijova kur biente shi  

Papritmas krijova sytë e pikturës 

Nuk vëra emra Mona Lizash të huaja. 

 

Sa emra shqipesh kam gjetur në gorët e Durrahut 

Tanagrën  e kanë krijue hyjnitë e tokës dhe diellit 

Të këtë parë bota hyjërinë pellazge nga Itaka 

Gjashtëmbëdhjetë shekuj para Krisht kur foli shqip. 

 

Me simfonitë e zanave jemi rritur si popull i lashtë 

Në listën e Don Zhuanëve të Venedikut e lexova veten 

Puthjet kurrë nuk na shpetonin pa ia fal muzës 

Ditën e re e filloja pasi kam shenuar kujtimet në ditarin e jetës. 

 

Gurët dhe tokën tani ma ruajnë hyjnitë pellazge 

Le të çmendet bota sa herë të do 

Thellë ma fundosen Titanikun bajlozët e saj 

Nuk ka fuqi që na ndalon të jetojmë me zotnat dhe yjet. 

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Agim Desku, SHQIPNIA E FISHTËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT