• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

PROJEKTLIGJI KONICA

March 2, 2018 by dgreca

1 agron alibali

Nga  Agron Alibali/

Me 5 janar 1924 Faik Konica u zgjodh deputet i Korçës dhe “mis” i Kuvendit Kushtetues. I ndodhur në krye të Vatrës në Boston, Konica nuk i pranoi detyrat e rëndësishme politike. Me 2 mars 1924 ai hoqi dorë zyrtarisht nga mandati i deputetit.

2faiku

Largësia nga Shqipëria dhe ngjarjet e vrullshme të atij viti i mundësuan Konicës të mbante qëndrime deri diku objektive për gjendjen në vend. Këtë e shohim sidomos tek korrespondenca me Zogun në dhjetor 1924, ku bën thirrje për qetësi dhe vënien mbi gjithshka të interesave të vendit.

Mirëpo gjetje hipotetike në arkivën e tij private mund të hedhin dritë edhe për një veprimtari legjislative të Konicës, të mbetur në embrion. Fjala është për një projektligj tejet interesant për lobimet politike. Edhe ky dokumenti juridik do të shquhej për kthjelltësinë, lakonizmin dhe frymën e interesit publik.

I titulluar shkurt “Nyjat për ndalimin e veprimtarisë lobiste”, projektligji do të përmbante vetëm dy nene, si më poshtë:

“Neni 1 – Ndalohet financimi nga çdo subjekt i Mbretërisë Shqiptare i veprimtarive lobiste të çfarëdolloji, përfshirë konsulencë zgjedhore, të kontraktuar në favor të subjekteve të huaja”.

“Neni 2 – Shkelja e këtij ligji dënohet me gjobë të barasvlefshme me shumën e kontraktuar për shërbimin e lobingut.”

I mbetur në letër, ky projektligj nuk mund të mos na sjellë në vëmendje shumat marramendëse që kanë kontraktuar për veprimtari lobiste politike etj. tre partitë kryesore në vend. Sipas të dhënave të shpallura në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë [www.fara.gov], vlera monetare që tre partitë kryesore harxhuan sëbashkë për veprimtari lobimi në SHBA në periudhën parazgjedhore në vitin 2017 ishte baras me 125,000 dollarë amerikanë në muaj. Nëse këtë e shumëzojmë për katër muaj, atëhere deri në korrik 2017 arrijmë shumën e konsiderueshme prej 600,000 dollarësh. Një kontratë prej 20,000 $/muaj, madje, isht njëvjeçare.

Pyetja e parë që vjen ndërmend është: prej nga dalin këto para? Ligji fillimisht përcaktonte tre burime financimi për partitë politike: (i) kuotat e anëtarësisë; (ii) çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; (iii) ndihma buxhetore. [Ligji për Partitë Politike, Nr. 8580, dt. 17.02.2000, Neni 17]. Vështirë që këto fonde të dalin nga kuotat e anëtarësisë apo ndihma buxhetore. Me ligjin e ndryshuar [Nr. 10 374, dt. 10.02.2011] u krijuan hapësira të gjera përmes termit “fondet jopublike”, ku përfshihen “dhurime financiare, dhurime në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.” Lepuri, pra, fle në ferrnajën e gjerë dhe gjithpërfshirëse të “fondeve jopublike”…

Po kush i kontrollon burimet dhe veprimet financiare të partive politike?

Fillimisht tagrin e kontrollit ndaj financimit të partive në çdo kohë e kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me ndryshimet ligjore ky tagër fatkeqësisht i kaloi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po të mbajmë parasysh ndikimin e thellë të partive politike tek KQZ-ja, është e qartë se mënjanimi i rolit të KLSH-së e ka dobësuar ndjeshëm kontrollin publik mbi financimin e partive politike në vend.

Sipas Nenit 23/1 të ligjit të ndryshuar, “dhurimet regjistrohen në një regjistër të posaçëm, ku shënohet shuma e fondeve të përftuara dhe identifikimi i qartë i dhuruesit, qoftë ky person fizik ose juridik”. Dhe më tej: “Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.” Ndofta mund t’i takonte shtypit profesionist dhe të pavarur shqiptar që të zbardhë deri në fund këtë lumë parash që del nga Shqipëria në mes të ditës me diell…

Pyetja e dytë është nëse këto fonde të majme do të mund të përdoreshin përndryshe për hallet e mëdha të vendit? Dhe si mund të frenohet kjo dalje e pakontrolluar e parave jashtë vendit, ndërkohë që Shqipëria është në krizë ekonomike e financiare?

Dihet se shoqëria shqiptare sot ballafaqohet thuajse në çdo fushë me nevoja të shumta e të jashtëzakonshme. Kemi parasysh këtu shkollat e spitalet sidomos në zonat e thella të vendit, katastrofën urbane e emergjencën mjedisore kudo, gjakmarrjen që ende po korr jetë njerëzish në malet e Veriut etj. Ndërkohë totali i detyrimeve të prapambetura, të akumuluara në periudhën janar 2015 – dhjetor 2016 ka arritur në shifrën 1 miliard e 800 milion lekë. Atëhere, a justifikohen shumat e konsiderueshme që nxjerrin nga Shqipëria partitë politike vendase, duke mbushur kësisoj xhepat e firmave lobiste amerikane me synimin kinse për të marrë sa më shumë vota në Shqipëri?!

Prandaj, do të ishte mëse e mirëpritur ndërmarra e një nisme ligjëvënëse për ndalimin e menjëhershëm dhe përfundimtar të financimit të shërbimeve lobiste prej partive politike. Përndryshe, nën trysninë e opinionit publik, është imperative që kryetarët e partive ta ndërpresin menjeherë këtë praktikë të dëmshme e thellësisht hipokrite, dhe listat e dhuruesve të mëdhenj të deritanishëm të partive politike të bëhen publike sa më parë.

*Shënim: shkrimi mbështetet në një trajtë të argumentit reductio ad absurdum. Konica nuk paraqiti projektligj të tillë ndonjëherë.

Filed Under: Politike Tagged With: agron alibali, PROJEKTLIGJI KONICA

Burrë-shteti i vërtetë Luigj Gurakuqi

March 1, 2018 by dgreca

Me rastin e 93 vjetorit të vrasjes/

2 Luigji Bari1 Luigji GazetaNoli Luigj Gurakuqi

Nga Fotaq Andrea/

Me shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të ri shqiptar, Shqipërisë nuk do t’i mungonin njerëzit e mëdhenj, ata që do përkushtoheshin në veprën e shenjtë kombëtare dhe që e meritojnë katërçipërisht epitetin e lartë “burrë-shteti”. Sipas studiuesit Jean Serisé, “burrë-shteti” i vërtetë është ai që “nuk pasurohet falë pozitës së tij, përthith me shpejtësi realitetin e gjërave dhe i përshtatet rrethanave për t’u ngritur përtej ngjarjeve, në kërkim të përhershëm të së mirës së përbashkët”. Në këtë kuptim, një burrë shteti ka një të shkuar të pasur me veprimtari atdhetare, vepron aktivisht për të realizuar detyrën e lartë shtetërore të ngarkuar dhe përgatit të ardhmen e vendit, qoftë edhe duke “gërmuar varrin e vet”, sipas shprehjes së Serisé-së. Mes burrave të hershëm të shtetit shqiptar që nuk i kanë shpëtuar këtij fati tragjik dhe krimit të egër politik renditet edhe Luigj Gurakuqi, të cilit i njihen me të drejtë aftësi e cilësi të rralla: njeri i kulturës e i shkencës, politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit, liberator atdhetar, liberal-demokrat, e më në fund sipas shprehjes së Nolit “pionier i qytetërimit perëndimor në Shqipëri, shqiptar i flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit, njeri që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri”. Dhe jo vetëm kaq, por edhe më.

Në dhjetor 1921, Elise Aubry, gazetare, publiciste, veprimtare franceze mjaft aktive për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, që mbante lidhje të ngushta miqësore dhe bashkëpunimi me figura të shquara patriotike  të vendit, si Noli, Fishta, P. Evangjeli e Luigj Gurakuqi, i shkruante këtij të fundit pas pranimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve: “Shqipëria u bë! Ja kryesorja pas tërë atyre luftërave dhe sprovave…  Do të ndjeja kënaqësi të madhe personale t’ju shihja Ministër. Sepse askush më mirë nga ju nuk është aq i kualifikuar për të drejtuar vendin tuaj në hapat e tij të parë… Natyra juaj aq e përzemërt dhe e buzëqeshur do t’i sillte menjëherë shumë miq vendit tuaj të dashur… Shqipëria u njoh. Por tani duhet mbështetur prestigji i saj europian, – duhet zhvilluar [nënvizuar nga autorja], duhet që ajo të zërë vendin e saj të vërtetë midis shteteve të tjera ballkanike”.

Dy tipare të veçanta këtu që dallon Elise Aubry te personaliteti i fuqishëm i Luigj Gurakuqit: i kualifikuar për të drejtuar vendin dhe natyra e përzemërt dhe e buzëqeshur. O Zot sa shumë nevojë kemi sot për një çikëz ngrohje zemre, kur politikarucë e palo shtetarë aktualë japin shembullin e egërsisë e të dhunës verbale e gjestikulare, shembullin e mashtrimit dhe korrupsionit, tek janë bërë ndotje vizive, mediatike e morale dhe shkelin me këmbë çdo normë, parim, ligj, tek vrasin natën dhe qajnë ditën.

Dihet që vrasja, në çdo kohë e kudo, e çdo ngjyre dhe natyre qoftë, ideologjike, politike, shoqërore, ekonomike, fetare, zakonore, etj., është thjesht krim, që asgjëson në thelb, njëherë e përgjithmonë  Njeriun-Shenjt, është akt i parikthyeshëm që meriton veç ndëshkim maksimal, pa kurrfarë përligjjeje. Dhe pikërisht, vrasja në Bari të Italisë, më 2 mars 1925, e Heroit të popullit Luigj Gurakuqi, disa herë ministër në kabinetet qeveritare shqiptare të viteve 20, do të ishte në qendër të vëmendjes edhe të shtypit perëndimor të kohës, duke e dhënë në formë lajmi e duke bërë publike emrin e vrasësit me pagesë, Baltion Stambolla. Madje, duke shkuar edhe më tej, kur shtypi italian e francez jepte që në titull edhe akuzën për pjesëmarrje në vrasje ndaj ish konsullit shqiptar në Bari Çatin Saraçit: “Vrasja e Z. Gurakuki. A është konsulli që e ka vrarë?” (Gazeta “Le Rappel”, 11 mars 1925). Por një gazetë italiane do bënte shumë më shumë se kaq: është fjala për organin “Illustrazione del popolo” të 15 marsit 1925 që do të ilustronte me ngjyra dhe në formatin e plotë të gazetës, që në faqen e parë, vetë skenën makabre të vrasjes së Luigj Gurakuqit.

Po botojmë në shtypin shqiptar për herë të parë këtë ilustrim që na ra në dorë kohët e fundit, dhe që e shfaq açik krejt skenën tronditëse, prekëse, emocionuese në shumë drejtime, që ngjall mbi të gjitha revoltë, përbuzje dhe urrejtje për vetë aktin e shëmtuar të vrasjes. Por edhe me një mësim të vyer: vrasja për motive politike ka gjithnjë haraçin e madh që jo vetëm të vë damkën e turpit të Historisë, për të përfunduar në kosh të saj, por sot, në shtetin ligjor, për të përfunduar përjetësisht prapa shtatë penxhereve gjirokastrite apo hekurave.

Ilustrimi ka për autor Alfredo Ortelli-n, piktor dhe ilustrator i shquar, nxënës i Akademisë së Arteve të Bukura të Venecies. Skena përmban tetë personazhe në mjedis urban, përpara hotel “Cavour” – Bari, në një atmosferë të zymtë e të trishtë, ku sundon habia më e madhe e vrasjes me dorë të shpenguar, nga afër, “mu para hundës” apo “a bruciapelo” siç thuhet në diçiturën e ilustrimit dhe konkretisht: “Në Bari, ish ministrit të financave të Shqipërisë, Gurakukit, iu afrua, teksa po dilte nga një restorant ku kish drekuar në shoqëri me disa bashkëpatriotë, një tregtar shqiptar Pietro Stamola, që e qëlloi nga afër me tre goditje revolveri, duke i shkaktuar vdekjen pothuaj të menjëhershme. Vrasësi u arrestua menjëherë”.

Me sa duket nga ilustrimi, vrasësi është duke dhënë goditjen e tretë fatale në gjoks, apo zemër, tek vërehet heroi Gurakuqi me një gjest të fundit që shpreh sa habi dhe dëshpërim (kur për më tepër vrasësi me pagesë Stambolla është djali i tezes së tij!) Heroi është në rënie e sipër në trotuar, me cilindriken që i është shkëputur nga koka dhe i mbajtur me vështirësi nga krahët e trupi nga dy vetë që të mos shembet në tokë. Krejt skena dhe personazhet plot psikologji shfaqin dëshpërimin dhe revoltën e fundit njerëzore në thirrjen: “Hej ti, kriminel, je në vete, çfarë po bën, po merr jetë Njeriu!” Dhe kjo thirrje dëshpërimi edhe sot e kësaj dite nuk po shqitet nga gjokset shqiptare të shamizezave dhe lotët përvëlues, si kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare.

Në faqet e brendshme të gazetës, një ilustrim i dytë jep një foto të Luigj Gurakuqit, fotografuar nga Studio Ficarelli. Po botojmë po ashtu edhe foton e njohur të Nolit me Gurakuqin dy muaj para vrasjes së këtij të fundit, por duke dhënë këtë radhë edhe autorin e fotografisë A. Bruni.

Më në fund, po japim për herë të parë të përkthyer nga frëngjishtja Fjalën e Luigj Gurakuqit në Seancën e pestë plenare të Shoqërisë së Kombeve, më 3 shtator 1924, ora 16 (sipas botimit “Société des Nations – Journal officiel,  Akte të Seancës së pestë plenare, 1924). Sikurse vihet re në fjalë e shkurtër të ish ministrit të Financave në qeverinë e Nolit, theksi vihet në varfërinë, mjerimin, urinë dhe fatkeqësitë natyrore që kishin pllakosur në atë kohë të vështirë në Shqipëri, ku megjithatë autori shpreh besimin se populli shqiptar aspiron dhe vepron për të qenë faktor i rëndësishëm rendi dhe progresi në Ballkan.

Fjala e Luigj Gurakuqit në Seancën V plenare

të Shoqërisë së Kombeve

 Z.Kryetar M. Motta: – Fjala i jepet Z. Gurakuqi, delegat i Shqipërisë.

  1. Gurakuqi (Shqipëri). – Zoti Kryetar, Zonja, Zotërinj,

Nuk kam aspak ndër mend të rishqyrtoj pikat e ndryshme të raportit mbi punën e kryer nga Këshilli i Shoqërisë së Kombeve gjatë periudhës së shkuar. Do ndalesha vetëm – dhe për një çast të shkurtër – në një prej pikave që kanë të bëjnë me ndihmat e dhëna për popullatat shqiptare të përvuajtura nga uria dhe sëmundjet.

Shqipëria, e shpallur e pavarur pas katër shekuj e gjysmë sundimi të huaj, që e kishte lënë vendin në gjendje të mëshirshme, u ndodh e braktisur në fatin e saj dhe duhej të luftonte krejt e vetme me vështirësitë e panumërta, sidomos të natyrës ekonomike e financiare.

Disa muaj pas çlirimit të saj, Lufta e Madhe i shtoi edhe më shumë tërë këto vështirësi dhe kur ajo mendonte se po ngrihej dhe po e merrte veten, ndodhën të tjera fatkeqësi që e penguan së tepërmi ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit.

Gjatë viteve të fundit, Shqipërisë iu desh të vuajë shumë nga uria që shkaktoi thatësira dhe përmbytjet, të cilat shkatërruan pjesën më të madhe të të lashtave. Sidomos popullatat e malit, të varfra e pa strehë, jetojnë sot në pasigurinë më të madhe.

Qeveria shqiptare ka bërë tërë përpjekjet e mundshme për t’u shkuar në ndihmë, por burimet e saj janë mjaft të kufizuara. Pa ndihmën bujare të Shoqërisë së Kombeve, fati i popullatave tona të mjera të malësive do të ishte nga më të llahtarshmit.

Përfitoj nga rasti që më jepet këtu për t’i paraqitur, në emër të Qeverisë shqiptare, Shoqërisë së Kombeve dhe shteteve të ndryshme që morën pjesë në veprën kontribuese për të ndihmuar Shqipërinë, falënderimet tona më të përzemërt dhe shprehjen e mirënjohjes sonë më të devotshme. Populli shqiptar është shumë i prekur nga kjo veprimtari humanitare dhe ndihmë vëllazërore pa interes në drejtim të tij. Ai do të bëjë dhe do të vazhdojë të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme për të merituar edhe në të ardhmen dashamirësinë e lartë të Shoqërisë së Kombeve duke vepruar si faktor rendi dhe përparimi në Ballkan. (Duartrokitje.)

Përktheu  Fotaq Andrea.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Burrë-shteti i vërtetë, Fotaq Andrea, Luigj Gurakuqi

Ikje që nuk ndalen

March 1, 2018 by dgreca

1 Alma LIci MirakajNga Alma Liço/

E ulur pranë dritares, po vështroj me kërshëri flokët e dëborës që vallëzojnë në mënyrë kaotike, duke zbardhur gjithë ambientin  rreth e rrotull.  Rrugëtimi i ngadalshëm dhe pa kthim duket sikur i shformon ato, dhe më pas i përplas lehtas në sipërfaqet ku prekin,  për t’ju bashkuar pa asnjë mëdyshje simotrave të tyre. Eshtë një ditë e zakonshme dimri kjo për Gjermaninë, vendin e begatë që u bë streha e qindra e mijëra bashkëkombësave që u arratisën të dëshpëruar e që mbërrijnë çdo ditë për një jetë ku t’u garantohen të drejtat elementare që duhet të gëzojë çdo qënie njerëzore e epokës që jetojmë. Më shumë se trishtuese.

E mësuar me klimën e Tiranës që gjatë stinës së dimrit mbytet në shi, si dhe me shtëpitë e akullta që nuk arrijnë të ngrohen kurrë, ky fenomen është disi i pazakontë për mua. Të shijoj bardhësinë  verbuese të dëborës, ndërkohë që mbaj në trup një veshje verore, është diçka që nuk e kisha imagjinuar asnjëherë ta provoja. Përjetime të tilla ishin produkt filmash emocionues dhe personazhesh romantikë që lundronin ethshëm në oqeanin e fantazisë. Ja pra që ndodhi. Udhët e Zotit janë të pafundme dhe të mistershme në surprizat impresionuese që rezervojnë. Një portë e errët që mbyllet padrejtësisht, dhe një tjetër që hapet e madhërishme në bujarinë që ofron, në një vend të begatë. Pranë saj qëndron me krahë hapur një person shumë i rëndësishëm për mua. Eshtë dashuria e pajetuar e viteve të herëshme të rinisë, e zvarritur mes lotëve dhe privacioneve të internimit. Si në një cirkuit të mahnitshëm e të pabesueshëm, rrugët e jetës bashkohen sërish, larg Shqipërisë, larg politikës bastarde që aq mizorisht plagosi e shkatërroi pa u ndalur ëndrrat tona.

Si për të qartësuar, dhe deri diku ngushëlluar veten për fenomenin e ikjeve masive, mundohem të risjell kronologjikisht në kujtesën time të lënduar, gjithë ato ngjarje që mizorisht kanë shoqëruar ekzistencën dhe mbijetesën në Shqipëri. Ato vite shprese dhe entuziasmi naiv që u zvarritën në hapësirat e mjegulluara të zhgënjimit, ngjasojnë me ato të qindra mijëra bashkëqytetarëve të tjerë që pësuan të njejtat përjetime. Për fat të keq,  episodet e ndërlidhura tragjikisht, kanë në themel të tyre urrejtjen,  flakjen dhe refuzimin. Ato ngjarje drithëruese përcjellin mohimin e asaj të madhërishmës që Zoti e dhuron vetëm një herë, vetë  JETES.

Me sytë e mallëngjyera të kujtesës dhe imagjinatës, arrij të dalloj një vajzë të vogël hipur majë rimorkios së një makine ogurzezë. Shoqëruar nga zhurma e përbindshme e motorit të amortizuar dhe lëkundjet e pamëshirshme të shkaktuara nga rrugët me gropa, së bashku me familjen e saj, atë ditë të nxehtë shtatori, po udhëton drejt fshatit të internimit. Ajo vogëlushe, e trembur, e përhumbur mes drithërimash dhe dhjetra pyetjesh pa përgjigje, isha unë. Nuk kisha si ta dija se familja ime duhej të vuante internimin e përjetshëm, për “fajin” e vetëm se babai i tim eti kishte qenë kundërshtar i ideologjisë komuniste dhe bëmave të saj mizore, duke e paguar këtë “krim” si mijëra të tjerë, me jetën e tij. Në ato vite të tmerrshme të internimit njezët e tre vjeçar, ku u vra e u varros fëmijëria dhe rinia ime, provova vuajtjen e tejskajshme fizike dhe atë shpirtërore, provova dhe përjetova dhimbjen, përbuzjen, përjashtimin, lotët e pafajshëm e pa shpjegim, provova urinë, etjen, denigrimin, persekutimin.

Shpesh kam pyetur vehten, si i rezistuam gjithë asaj mynxyre me përmasa katastrofike???…Si ja dolëm të mbijetojmë? Vallë, ishte shpresa se ndoshta një ditë fatet do të ndryshonin, apo thjesht inercia dhe forca e vazhdimësisë së jetës që triumfonte mbi barbarinë në mënyrë të heshtur dhe të pashpjegueshme? Ndoshta ishin të dyja bashkë….nuk e di…..edhe sot e kësaj dite nuk kam një opinion të qartë për burimin e forcës së qëndresës, në atë skëterrë të përbindshme, në atë sundim gjakatar, në atë genocid të llahtarshëm, që në emër të një ideologjie të çmendur,  shqiptarët ua shkaktuan bashkëqytetarëve  të tyre.

Me një lloj nostalgjie të pezmatuar, refleksionet më rikthejnë në vitet 1990, kur erërat e lirisë dhe ndryshimit filluan të fryjnë në dyert e bunkerizuara të Shqipërisë. Po shembeshin mure ndarës, po shqyheshin gardhet me tela me gjëmba që izoluan vendin për dyzet e pesë vite nga pjesa tjetër e botës. Një ylber enigmatik dhe joshës ishte çfaqur në horizontin e errët të diktaturës. Mijëra shqiptarë kapërcyen kangjellat e Ambasadave të shteteve perëndimore për t’ja mbathur nga varfëria dhe mungesa e lirisë, mijëra të tjerë u kacavirën me litarë drejt anijeve të ankoruara në portet e vendit. Nuk u mor vesh kurrë numri i atyre bijve të dëshpëruar që humbën përgjithmonë në thellësitë e Adriatikut. Qindra mijëra të tjerë marshuan të uritur drejt maleve, për të mbërritur në shtetet fqinje. Ikje dhe vetem ikje, që kalonin përmes lotëve të nënave që ndaheshin ndoshta përjetësisht nga bijtë e bijat e tyre. Shumë syresh e paguan me jetë këtë aventurë të dëshpëruar. Plumbat e rojeve kufitare i prenë në mes shpresat dhe ëndërrat për një jete më të mirë. Dhimbje dhe lot.

Historia përsëritet në mënyrë cinike. Madje shumë më keq. Nuk ka ndodhur asnjë pushtim barbar, që ashtu si pesëqind vite më parë, të detyrojë shqiptarët të arratisen masivisht nga vendi i tyre.  Bashkëatdhetarët e mi  ja mbathin nga dhuna,  padrejtësia  e varfëria, që në emër të një ideologjie vrastare, shqiptarët ua shkaktuan shqiptarëve. Gjëmë e paprecedentë në kohë “paqeje”. Plagë që nuk mbyllen kurrë.

Ehh….sikur kjo tragjedi me përmasa kombëtare të përfundonte me rënien e rregjimit komunist. Shkërmoqja e sistemit u pasua nga një situatë kaotike e pashembullt. Në arrati nga skamja e tejskajshme dhe mungesa e perspektivës së zonave ku jetonin, qindra, mijëra fshatarë e malësorë, por edhe qytetarë të qyteteve të vogla, zbritën drejt qendrave të mëdha, duke zabtuar toka e troje, e ndërtuar në to shtëpitë e tyre. Ato mbinë në mënyrë të pakontrolluar anë e kënd. Një katastrofë e vërtetë urbanistike, shpërfytyrim i lirisë dhe qytetërimit,  grabitje, dhunim i të drejtës së pronarëve të çpronësuar barbarisht nga komunizmi për të poseduar një ditë pronën e trashëguar nga etërit e tyre, të vrarë apo të kalbur burgjeve të komunizmit. Mungesë e frikshme e funksionimit të shtetit, kaos që shkaktoi mijëra viktima në mbrojtje të një gardhi apo toke.

Pas rënies së asaj diktature të tmerrshme që kishte shkatërruar çdo ekuilibër njerëzor, kisha gjykuar se vendosja e rregullave demokratike, nuk mund të realizohej menjëherë. Në vitet e para të posdiktaturës, e përjetova si diçka normale anarshinë e tejskajshme. Izolimi dhe mungesa totale e modeleve të krahasimit, kishin lënë gjurmët e tyre në paqartësinë e funksionimit të një shteti të së drejtës. Me naivitet, kisha menduar se çdokush mund të kontribuonte në përmirësimin dhe deri diku, normalizimin e asaj situate dramatike. Mjaftonte që ta dëshironte këtë gjë. I përkisja asaj kategorie personash që kishin vendosur të jetonin në Shqipëri dhe të preknin me gëzim të ligjshëm të gjitha ndryshimet e shumëpritura. Prisja dënimin e krimeve dhe kriminelëve që terrorizuan, masakruan, varfëruan dhe përçudnuan një popull të tërë. Pretendoja se nuk do ishte e largët dita kur do të bëhej drejtësi për viktimat e pafajshme që vuajtën brez pas brezi mizorinë e diktaturës. Dëshiroja të ndodhte një fashitje e urrejtjes ndërmjet shqiptarëve, fenomen çnjerëzor që e kishte mbjellë dhe ushqyer në dekada “lufta e përbindshme e klasave”.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Transformimet që po konturoheshin, çdo ditë e më tepër po çfaqeshin si një fasadë me gënjeshtra e mashtrime “demokratike”. Pinjollët e familjeve të nomeklaturës komuniste, u ricikuan në të gjitha institucionet e shtetit. Ata, djajtë e kuq, që vendosën dhe zbatuan diktaturën, veshën lëkurën e qengjit dhe filluan të rrahin gjoksin për demokracinë dhe të rrëmbenin gjithë benefitet e saj. Strategu dhe mësuesi i tyre, Ramiz Alia, kishte parashikuar me detaje hapat cinike e mashtruese që  do të realizonin ndryshimin e sistemit, duke ruajtur dhe trashëguar drejtimin dhe posedimin e pushtetit nga të njejtat duar mizore….Sa dilema, sa kundërshti dhe vuajtje për të arritur në konkluzione të tilla, që përmbysën mizorisht të gjitha pritshmëritë që sjell nevoja për ndryshim.

…………Shkëputem për një moment nga refleksionet drithëruese dhe marr në duar albumin e vogël të fotove, vendosur mbi komodinë. Në faqen e parë të tij ndodhet një foto e tim eti. Pamja e tij fisnike përcjell një buzëqeshje të trishtueshme. Tre vite më parë, në një dhomë të ftohtë dhjetë metra katrorë, në qytetin e Tiranës, mbylli sytë babai im. Ati im i mrekullueshëm e i shumëvuajtur, u largua nga kjo jetë me brengën e madhe të vuajtjeve të pashpaguara.  Ai i dha lamtumirën kësaj bote, ndërkohë që askush nuk i kërkoi falje për gjakun e pafajshëm të të atit intelektual, që u vra barbarisht nga qeveria komuniste. Askush nuk kërkoi ndjesë për vuajtjet e pafundme në kampet e internimit familjar. Askush. Im atë ndërroi jetë në një dhomë të vogël, pa mundur të posedojë asnjë nga pronat e trashëguara, të katandisura në disa dosje mjerane e harta të vjetëruara. Ai mbylli sytë, ndërkohë që të ardhurat e pensionit lëmoshë, nuk i mundësonin as blerjen e ilaçeve.  Ai u largua duke mbajtur mbi shpatullat e tij të munduara, gjithë peshën e urrejtjes klasore që nuk rreshti kurrë së qeni e tillë.  Një urrejtje që vinte nga e njejta ideologji, dhe nga të njejtët persona.  Në emër të “luftës së klasave”, në vitet e pseudodemokracisë ai përjetoi flakjet nga puna të fëmijëve të tij. Në zbatim të të njejtit terror, ata, fëmijët e tij, që u rritën internimeve, duhej të riprovonin sërish hedhjen në rrugë, privacionet, padrejtësinë, varfërinë.

……Ehhhhhhhhhhh……sa dhembje të tjera mori me vehte im atë.

Pasi përkëdhel lehtas foton, e vendos sërish albumin mbi komodinë. Në përkujtim të shpirtit të tij, aty pranë,  ndez një qiri. Dy pika lot më rrokullisen në fytyrë. I le të rrjedhin. Kam nevojë të qaj.   Më ndëshkuan sërish për prejardhjen time antikomuniste. Madje, bijtë e etërve mizore, patën paturpësinë cinike edhe të ma deklaronin.  Absurde, çnjerëzore në kufijtë e të pabesueshmes.

Sakaq dëbora ka pushuar së rëni, duke shtruar një tapet të bardhë rreth e rrotull. Dy ketra të murrmë lëvizin me shpejtësi në degët e një peme që ndodhet karshi dritares, duke krijuar re të vogla të bardha lëvizëse. Këto krijesa të vogla të natyrës janë duke shijuar lirinë e tyre, atë që vendi ku linda dhe jetova për më shumë së gjysëm shekulli, ja mohoi krijesës më të madhërishme të Zotit….NJERIUT.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Ikje që nuk ndalen

NEW YORK: City Hall marks 10th anniversary of Kosova’s Independence

March 1, 2018 by dgreca

By Rafaela Prifti/ Dielli*/

1 Foto 1 City

(Foto: Halil Mula/*

February 27, 2018- US political representatives were joined by high-level government officials of Albania and Kosova and a number of community organizations in marking the first decade of Kosova’s independence. New York City Council Speaker Corey Johnson addressed the participants who were gathered at the Council Chambers decked with the colorful flags of New York, United States, Albania and Kosova. The Color Guard by the NYPD Illyrian Society of Law Enforcement set the ceremonial tone of the event. In attendance, there were a few Vatra members: Marjan Cubi, Mehill Gjuraj, Pashke Maksuti. The Invocation was performed by Father Peter Popaj. The main remarks delivered by Council Member Mark Gjonaj drew attention to the sacrifices of the Albanian-Americans to see Kosova free. During the war of 1999-2000, among the freedom fighters, there were three New Yorkers, known as the Bytyçi brothers who were honored at the celebration. Receiving the Proclamation on behalf of the late brothers were their parents and sibling Ilir Bytyçi, who stated that “whilst his brothers fought for this day to come, justice is not yet done”. In her remarks, Ambassador Teuta Sahatqija, the Consulate General of the Republic of Kosova, expressed optimism for Kosova’s future goals towards joining the UN and EU countries. The second Proclamation by the city was awarded to long time professional photographer and philanthropist Fadil Berisha for his contribution in advancing the Albanian culture and art.

After the presentations, Imam Edin Gjoni conducted the Benediction. Speaking as the event’s honoree, Congressman Eliot Engel assured the audience that the ties between the US and Kosova are long-lasting. The program ended with the performance of the Rozafati Dance Group dressed in vibrant traditional costumes.

Rafaela Prifti

For the full-length coverage of the event please read the Dielli issue of MARCH 2018.

  • Per me shume foto shkoni ne fb dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: 10th anniversary of Kosova’s, City Hall marks, independence, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT