• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2018

Filmi “My Name is Somebody” nominohet për tre çmime

April 6, 2018 by dgreca

1 kamerFilmi “My Name is Somebody” i regjisorit Orges Bakalli nominohet për tre çmime/dyshe artist

 

Filmi “My Name is Somebody” me regji dhe skenar nga Orges Bakalli ka fituar çmimin “Best Cinematography” (Kinematografia më e mirë) nga Genre Celebration Festival 2018 dhe ka marrë tre nominime: “Best Screenplay Narrative Short” (Skenari më i mirë për metrazh të shkurtër), “Best Actor” (Aktori më i mirë) për aktorin e njohur Artan Telqiu dhe “Best Actor” (Aktorja më e mirë) për aktoren amerikane Christina Vinsick. Në rolet kryesore lujanë Artan Telqiu, Christina Vinsick dhe Tony Naumovski. Filmi u përzgjodh të shfaqet në Festivalin prestigjioz të Kanës në Maj 2017.

3 artistet

Orges Bakalli ka lindur në Shkodër por ka ardhur në Nju Jork kur ishte vetëm tetë vjec. Ka filluar të bëj filma shumë herët, edhe ka punuar në projekte të ndryshme që janë shfaqur në Kanalin 13, BRIC TV, Kanal 25 NYC Life, MoMA, BAM, Festivalin e Filmit Shqiptar në Nju Jork, edhe Festivalin e Kanës (Cannes Film Festival).

Orgesi është nominuar për çmimin John F. Outcalt për “Outstanding Filmmaking”, nominuar për çmimin e “Regjisorit me të Mirë” në Brooklyn College Film Festival, edhe është nominuar për NBR Grant për “Outstanding Filmmaking”.

Me 21 prill 2018 filmi “My Name is Somebody” do shfaqet në festivalin Blackbird Film Fest në Nju Jork (www.orgesbakalli.com).

Intervista me regjisorin dhe skenaristin Orges Bakalli

Bisedoi Ermira Babamusta

Na tregoni më shumë rreth vetes dhe fillimet tuaja si regjisor filmash?

 Orges Bakalli: Unë kam filluar karierën time kur kam qënë në shkollë te mesme me një organizatë e quajtur Reel Works. Në Reel Works, kam filluar të punoj për projekte dhe dokumentarë të ndryshëm.

 Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?

 Orges Bakalli: Kam punuar në shumë filma të cilët janë shfaqur në festivale nëpër botë, dhe kanale të ndryshme televisive.

 Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë, skenari, producenti? 

Orges Bakalli: Projekti im i fundit është My Name is Somebody, një film i shkurtër që është shfaqur në Festivalin e Kanës. Filmi tregon historinë e një karakteri që përpiqet të harroj të kaluarën por e kaluara kthehet gjithmonë mbrapa tek ai.

Cilat janë personazhet kreyesore në këtë film dhe aktorët që marrin pjesë?

 Orges Bakalli: Personazhi kryesor, Bruno, luajtur nga Artan Telqiu, është i martuar me Lindën, luajtur nga Christina Vinsick, Ata jetojnë të lumtur derisa një karakter nga e kaluara e Brunos, Toni Naumovski, shfaqet dhe mundohet të shkatërrojë këtë lumturi.

 Flisni për zgjedhjen e aktorëve dhe realizimin e projektit, ku po xhirohet?

 Orges Bakalli: Aktorët që kam zgjedhur ishin shokë të mi, me të cilët kam punuar më përpara në projekte të ndryshme. Karakteri kryesor ka punuar për filmin tim të parë, një nga karakteret kryesore është një artist që unë gjithmonë kam dashur të punoj dhe më në fund na u dha mundësia të bashkëpunojmë.

 Cilat filma të tjera keni realizuar dhe në cilat festivale janë shfaqur?

Orges Bakalli: Filmi im i parë është Made in Amerika, i cili është shfaqur në Festivalin e Filmit Shqiptar në 2013. Filmi më i fundit, My Name is Somebody, është shfaqur në Festivalin e Kanës në 2017.

Cili është filmi apo projekti i rradhës?

 Orges Bakalli: Sapo kam mbaruar së shruari skenarin e një filmi të ri. Është projekti im i parë për një film të gjatë.

Çfarë e bën një film një prodhim të mirë?

 Orges Bakalli: Kur një film është më afër të vërtetës dhe nuk është sipërfaqësor, unë e konsideroj prodhim shumë të mirë.

 Si e vlerësoni ju kinemanë sot? Çfarë roli luan arti dhe kinemaja në shoqëri?

 Orges Bakalli: Kinemaja është një art që ka shumë fuqi dhe mund të abuzohet shumë thjeshtë si propagandë. Unë besoj që regjizori ka një përgjegjësi të madhe për filmin që realizon.

Këshilla juaj për aktorët kur përgatiten për personazhin që luajnë, si ta përvetësojë rolin?

 Orges Bakalli: Unë përpiqem t’i them aktorë që të mendojnë diqka nga jeta e tyre që i ngjason karakterit që do luajnë.

 Çfarë talene të tjera keni?

Orges Bakalli: Pasioni im pas filmit është vizatimi dhe sporti.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen dhe çfarë mund të presim nga ju për vitin 2018?

 Orges Bakalli: Për vitin 2018 shpresoj të realizoj skenarin e shkruar nga unë që tregon historinë e dy vëllezërve të ardhur në New York.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira Babamusta, Filmi “My Name is Somebody”, nominohet, për tre çmime

Rrugët dytësore si relike muzeale

April 6, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Gjatë këtyre ditëve, karshi opinioneve të mia rreth taksës a tarifës në rrugën e kombit…, kam marr shume e-maile, mesazhe ku midis shumë e shumë syresh, më pyesin se po ti, a nuk paguan taksë rruge aty ku jeton? Pse bën kështu? Pse je kundër taksave etj. Po e vërtetë paguaj. Paguaj kur futem dhe kur dalë. Por prapë thelbi nuk është ky në rastin tonë. Dhe krahasimeve sot ka ardhur koha që, tu vihet veshi jo për metaforizëm por si realitet. Çfarë dua të them. Këtu unë paguaj por tarifa nuk është që të më bjeri kokës. Nga ana tjetër rrugët janë disa, e kam fjalën me pagesë dhe pa pagesë. Pra, sikundër ka rrugë me pagese, produkte a investime qofshin këto konçesionare a shtetërore, ka edhe nga ato pa pagesë. Që domethënë, je ti ai që e zgjedh drejtimin. Në punë, tek miku, a në një qytet tjetër mund të shkosh si të zgjedhësh, përmes një rruge me pagesë, por edhe një rruge pa pagesë. Zakonisht rrugët me pagesë janë më pak të rënduara nga trafiku për rrjedhoj arrihet më shpejt destinacioni. Kurse rrugët pa pagesë më të ngarkuara dhe para se të niset gjithkush e di që e pret një lloj trafiku a koha e rrugës do marri ca më shumë. Tani si i bëhet halli kur ti ke vetëm një rrugë. Dhe kur qeveritari jot vendos arbitrarisht, pa asnjë konsultim paraprak për një pagesë e cila vërtetë është e lartë për popullatën aty. Ku kryekëput mungojnë edhe elementet më minimale të komunikimit, siç janë mbikalimet dhe rrugët dytësore. Ose këto pa pagesë. Ne, filluam investimet, por në atë entuziazmin tonë, rrugët dytësore i groposëm, ose i aneksuam. E keni vënë re, që duken si relike muzeale karshi urave të reja të superstradave tona. Pra askush, sidomos qytetarët nuk kanë mundësi zgjedhje. Jam i bindur se, nëse do të kishin, jo vetëm Edi Rama, por cilido kryeministër bashkë me partnerët e tij mund të vinin çfarë takse të donin. Asnjë kuksian nuk do të ngrihej e të protestonte. Por edhe nëse do ta bënin, nuk do kishin këtë solidarizim social.  Dhe të jeni të bindur se fal atyre marrëveshjeve mes Ramës e Bashës, mbi kohën në pushtet , sot ka një mëdyshje që shprehet me plasje shpirti. Se me siguri me një opozitë tjetër, kam parasysh këtu fytyra të merituara, jo të përfolura, që ju kanë lodhur, do e kishin rrëzuar që atë ditë në qafën e Morinit Edi Ramën. Por shqiptarët në përgjithësi, jo vetëm kuksianët aktualisht, nuk kanë mundësi tjetër operimi përmes rrugëve me dhe pa pagesë. Jepjani këtë, se në fund të fundit, janë pjesë e konkurrencës së ekonomisë së tregut. Problemi tek ne qëndron tek arbitrariteti dhe tek insistimi kaq dhe pikë. Shikoni vetëm një detaj, paralel ”ndjesës” së kryeministrit tonë në studion e një televizioni, ai i Kosovës pohonte se nuk kemi pasur asnjë lloj njoftimi a kërkese për të diskutuar rreth taksës së rrugës së kombit, pasi po të kishim do të arrinim një marrëveshje, madje edhe subvencioni për qytetarët shqiptarë të Kosovës. Çfarë mund të presësh më nga një ndarje kaq flagrante e pikëpamjeve dhe interesave ekonomike brenda shteteve të shqiptarëve. Asgjë, veç dështim. Dhe korrupsion galopant që fillon pikërisht me këtë mënyrë të dhunëshme të vendosjes së tarifave dhe taksimit. Ndaj e them se nuk bëhet krahasimi midis nesh dhe rrugëve të botës. Kjo i ka vendosur në shina. Do të shkosh shpejtë diku, paguan. Por komunikimi është shumaplanësh. Jo një rrugë dhe aq.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ilir Levonja, Rrugët dytësore, si relike muzeale

6 Prill 1911- FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

April 6, 2018 by dgreca

Ded Gjo Luli Traboini Pantheon (2)

1 flamuri-i-decicit.DEDË GJO’ LULI (1840 – 1915)/Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; që tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të Parvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë… E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…

Edhe dielli që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë.

Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

107 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Atë Flamur të bekuem, që u shpalos nga gjokset e At Mati Prennushit e At Buon Gjeçaj!..

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

***

  • Shenim nga F. Radovani: Pjesë nga libri i F.Radovanit “DEDË GJO’ LULI”, botue në vitin 2011, me rasen e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Deçiq…

Melbourne, 5 Prill 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 6 prill, Der Geo Luli, Flamuri, Fritz radovani

Flamurin e Deçiqit 107 vjet më parë e solli në Hot Palok Traboini

April 6, 2018 by dgreca

1 Palok Traboini. smallFLAMURIN E DEÇIQIT E SOLLI NË HOT PËRMES DALMACISË PALOK TRABOINI SI SOT 107 VJET MË PARË/

1 Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911 FlamuriMë 6 prill 1911 u ngrit flamuri shqiptar në  Deçiq. Është pikërisht ky flamur në fotografi që historianë poturexhinj dhe lakadredhës të politikës e anashkalojnë jo pa qëllim. Qe ti japin mundësi vetes te sajojnë histori te paqena, ta zëmë siç sajon përralla historiani i politikes se djathte, deputet ne listën e Shkodrës, që thotë se ky flamur është punuar nga terzinjtë e Krajl Nikollës. Ky është mashtrim. Se edhe flamurët na i paskan bërë Krajl Nikolla. Aq më tepër se gjyshi i vet a ndonjë kushëri i tij me mbiemrin Gurakuqi, punonte te sarajet e Krajl Nikollës dhe duan ta vendosin në histori përdhuni. 2 Flamurtaret e Decicit 1911.pt FCBPor histori me histeri nuk shkruhet. Ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën kur u bë porosia dhe pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti. Por kur erdh puna për ta marrë atë flamur, lindi një problem se Kol Ded Gjon Luli nuk shkonte dot se ishte komandat ushtarak i trupave të Hotit që kishte filluar luftën kryengritëse. Atëherë Deda dërgoi për ta marre atë flamur sekretarin e vet Palok Traboini(1889-1951) / familja Çeku nga ku është edhe dëshmori Gjon Ujk Çeku/ fisi Gojçaj /dhe Palok Luc Çeku( Traboini) e solli atë flamur në Hot, te Kisha, dhe ja dorëzoi Ded Gjon Lulit. Deda urdhëroi djemtë luftëtarë ta shpalosnin në një pikë të lartë dhe u vendos në një grumbull gurësh ne Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën.

Bashkë me fotografinë e Flamurit Marubi ka ruajtur edhe një foto shumë të rrallë, një grup luftëtaresh që i ka shënuar Luftëtarët e Deçiqit.. Ne atë fotografi janë Palok Traboini, që solli flamurin, Mirash Luca i Kastratit dhe Gjok Prel Çeku e disa që nuk i njohim e nuk i identifikojmë dot, që edhe ky Gjok Prela me vonë është vrarë në luftë kundër  forcave esadiste. Po këta historianet e sajuar, as fotografitë nuk i marrin si dokumenta. madje as poemën me 1700 vargje që Palok Traboini ka shkruar po atë vit që u bë kryengritja e cila është e botuar tre herë. Është poeme historiko-epike me ngjarje e persona reale. As kësaj nuk ja hedhin sytë se duan vetëm rrena që të kenë mundësi të manipulojnë historinë. Ti sajojnë ngjarjet ndryshe.

Sipas një zbulimi të fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur nga Nikoll Loka viti i saktë lindjes së Palok Traboinit, më 29 mars 1889 si dhe janë gjetur vitet dhe vendet ku ka shërbyer si mësues, në Shkodër e rrethina, në Kosove dhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. Dihet që Palok Traboini që në moshë të vogël është rritur në Shtëpinë e Motrës Tone dhe është martuar me të bijën e saj Katrina Skanjeti -Traboini.

Shkrimet e Palok Traboinit, poema dhe publicistika e botuar në vitin 1910, tek gazeta “Bashkim” e Dom Ndoc Nikës,  janë mbledhur të gjitha në një libër të veçantë dhe janë botuar nën titullin “Flamuri në Deçiq” 2012 ku autor i librit është mësuesi Palok Traboini.

 

6 prill 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Flamuri ne Decic, Kolec Traboini, Palok Traboini

Finalja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja reciproke

April 6, 2018 by dgreca

Kosovë-Presidenti Thaçi kërkon unitet politik për dialogun me Serbinë/

PRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,Presidenti i Republikes Hashim Thaçi, tha:

– Edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë. Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi/

1 Harad ThaciPRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga instituti RIDEA dhe të mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë.Në këtë konferencë, ku të pranishëm ishin shumica e liderëve politikë, presidenti Thaçi ka kërkuar unitet politik për dialogun me Serbinë.Ky është fjalimi i presidentit Thaçi në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”:Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni në fillim që t’i falënderohem Labinotit nga instituti RIDEA dhe Naimit nga instituti BPRG, që na ka bërë bashkë sot në trajtimin e kryetemës së kësaj konference apo të “Skenarëve të ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kjo konferencë është një mundësi e mirë që të shqyrtojmë çështjen kyçe të stabilizimit afatgjatë të Kosovës, atë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Kanë kaluar, siç e dimë, njëzet vjet të plota nga lufta e jonë për çlirim, nëntëmbëdhjetë vjet nga Konferenca Paqësore e Rambujesë, dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtatë vjet nga fillimi i bisedimeve të Brukselit, ndërsa marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura politikisht.

Në të gjitha proceset ndërkombëtare që kanë synuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, udhëheqësia kosovare ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë.Janë humbur, në të kaluarën, dhjetëra vjet pa fajin dhe përgjegjësinë tonë, shumë raste të mira, në mungesë të vullnetit politik të udhëheqësisë së Serbisë, për t’i dhënë fund armiqësive politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, që janë të vjetra më shumë se një shekull.Edhe në vitet e rënda të luftës, edhe në ato të paqes dhe të ndërtimit të demokracisë në Kosovë, edhe në vitet kur u bëmë shtet, ne kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë marrëveshjen e madhe historike me Serbinë.Kjo gatishmëri ka munguar në Serbi.Sidoqoftë, ne jemi sot këtu së bashku, për të folur shumë më tepër për të tashmen dhe të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht për atë që Labinoti, Naimi dhe kolegët e tyre, me një terminologji sportive e kanë klasifikuar si finalen e madhe të bisedimeve të Brukselit.Mendoj se në politikën dhe në shoqërinë kosovare ende kemi një pajtim të gjerë, që duhet kryer punët e papërfunduara në raportet tona me Serbinë dhe duhet arritur marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.Përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obliguese, është interes nacional i Kosovës, që nuk njeh vijat ndarëse qeveritare dhe opozitare.

Në këtë proces, ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbyllur këtë kapitull të rëndë dhe tragjik historik, që t’i hapim udhë Kosovës të jetë shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera në OKB, në BE, në Paktin NATO, kudo.Ne si gjeneratë kemi arritur shumë.Kosova u çlirua. Kosova u bë shtet i pavarur.Por, rrëfimi për Kosovën i këtij brezi, nuk mund të marrë atë trajtën finale pa mundësuar që shteti i Kosovës të jetë anëtar i OKB-së, i BE-së, i Paktit NATO.Prandaj, përmbushjen e këtij qëllimi ia kemi borxh qytetarëve të Kosovës.Sidoqoftë, kur flasim për dialogun e pakryer të Kosovës dhe Serbisë, është gjithashtu e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të zhvilluar tutje bisedime në Bruksel, pa një afat të qartë kohor për rrumbullakimin e tyre, pa një synim të qartë se çfarë përmbajtje duhet të ketë marrëveshja në mes të dy shteteve, pa mekanizmat e qartë ndërkombëtarë që do të garantojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Shpallja e ‘Strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor’, në fillim të muajit shkurt, por edhe shumë procese të tjera që janë të njohura për të gjithë ne, i kanë dhënë më shumë dritë perspektivës së ‘Finales së Madhe’ të dialogut të Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.Në anën tjetër, javëve të fundit, si President i Kosovës kam pas shumë takime, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë kryeqendra perëndimore, me politikanë dhe diplomatë të shteteve kryesore perëndimore, me qëllim që të ofrojë vizionin e Kosovës për fazën përfundimtare të bisedimeve të Brukselit, por edhe për të kuptuar se cilat janë qëndrimet e shteteve që janë partnere të Kosovës në çlirimin, pavarësimin dhe stabilizimin e Kosovës si shtet.Jam i bindur se ka ardhur koha për marrëveshjen e madhe politike dhe historike në mes të Kosovës dhe Serbisë.Kjo më sjellë edhe tek thelbi i kësaj konference, pra cilët janë skenarët e mundshëm përpara?Siç kemi qenë dëshmitarë të gjithë, nuk ka dhe nuk mund të ketë ‘Status Quo’ apo njëlloj gjendjeje të ngrirë në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.Kemi pasur, realisht, në dy vjetët e fundit, përkeqësim dhe jo përmirësim në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mungesë të epilogut të dialogut të Brukselit.Prandaj, konsideroj se skenari i parë nuk i konvenon Kosovës, por as rajonit tonë.Në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë së përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë.Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë kornizë kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

 Sa i përket përmbajtjes së vetë marrëveshjes, ajo tashmë njeh një ‘kod’ të vetin politik dhe diplomatik, me titullin e një ‘marrëveshjeje ligjërisht obliguese’.Për ne në Kosovë, kjo marrëveshje ka peshën e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.Kjo marrëveshje, pastaj me terminologjinë e saj precize dhe të qartë do të duhej të mundësonte që Kosova të bëhej shtet anëtar i OKB-së, i OSBE-së dhe i të gjitha organizatave ndërkombëtare.Marrëveshja ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së, si dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO.Por, pyetja fondamentale që ngritët në këtë rast është se a do të jetë e gatshme Serbia për një marrëveshje të tillë dhe nëse po, atëherë çfarë kompromisi do të kërkojë nga Kosova?

Korrektimi i kufijve, e kam thënë disa herë që është një opsion që bartë me vete shumë rreziqe, të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje.Ne konsiderojmë se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari.

 Më në fund, ne besojmë që BE-ja dhe SHBA-ja së bashku, do të duhej të jenë garantues, jo vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje të madhe, por edhe të zbatimit të saj, me afate shumë konkrete kohore dhe me mekanizma ndërkombëtarë të verifikimit të implementimit të saj.E dimë pra çka duam si Kosovë dhe, po ashtu, e dimë që më nuk mund të shtyhet, as të zvarritet, përfundimi i bisedimeve me Serbinë në Bruksel.Por, nëse këtu do të jem krejt i sinqertë me ju, unë jam i vetëdijshëm për të gjitha rreziqet politike dhe të sigurisë që janë përcjellës të rëndomtë të këtyre proceseve të rënda në finalen e tyre.

Ky do të jetë një proces shumë i vështirë. Por, nuk ka alternativë.Dhe rreziku më i madh i mundshëm, kërcënimi më i madh i mundshëm, është ai i moskryerjes së detyrimit tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.E thashë edhe më herët dhe po e përsëris edhe një herë krejt në fund të fjalës sime.Bisedimet me Serbinë, ashtu siç e kanë bërë bashkë politikën kosovare në Konferencën e Rambujesë dhe në Procesin e Vjenës, do të duhej të na bashkonin edhe tash në finalen e Brukselit.Kjo është zgjidhja më e mirë për politikën kosovare, sepse ky unitet politik është i domosdoshëm nga ana e jonë, për të ofruar të gjitha garancitë e duhura për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes ligjërisht obliguese me Serbinë.

 

HARADINAJ:Finalja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja reciproke/

2 Konferenca-Pjesëmarrës në konferencë edhe ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Greg Delawie/

PRISHTINË, 5 Prill 2018-Gazeta DIELLI/Në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se finalja e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja reciproke.

Kryeministri Haradinaj fillimisht kujtoi masakrat në Kosovë, duke thënë se gjatë gjithë kësaj jave janë kujtuar të vrarët dhe të masakruarit gjatë luftës në Krushë, Celinë, Rezallë, Pastasel, apo edhe në komuna tjera, dhe se askush nuk duhet ta harrojë se Kosova ka ardhur këtu përmes një dhimbje shumë të madhe dhe është Kosova ajo që e ka tejkaluar vetën për t’i dhënë epilog një situate të tillë.

“Nuk është një incident, një ditë, një akt. Janë plagë që janë në zemrën, mendjen dhe në ndjenjat e shumë njerëzve. Kosova dhe institucionet e saj kanë dhënë të gjitha provat për të tejkaluar çdo gjë për të ecur përpara. Atëherë, çfarë ka munguar në këtë proces Kosovë-Serbi për të cilin janë bërë dy dekada dhe nuk po mbyllet? Nuk ka munguar Kosova, sigurt jam”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këtë proces kanë munguar ata që janë vendimmarrës.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se energjia e madhe e Uashingtonit që ka ekzistuar  për ta ndaluar luftën, tani është deleguar te evropianët, e këta të fundit, siç janë të ngadalshëm e të ndarë,  po e ngadalësojnë këtë proces.

Me këtë rast, kryeministri shprehu shqetësimin pse edhe pas dy dekadash çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon  të mbetet e hapur. Ai tha se nuk duhet të na vijë turp për t’ju thënë hapur se nëse nuk kanë kapacitet të kërkojnë ndihmë.
“Nëse Brukseli zyrtar nuk ka kapacitet për ta mbyllur këtë temë le të kërkojë ndihmë, ose nëse nuk dëshiron ndihmë, të na tregojë se çka të bëjmë ne dhe ne shkojmë në drejtimin tonë ashtu sikur kemi ditur ta bëjmë në të kaluarën”, theksoi kryeministri Haradinaj.Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se gjatë kohës sa është në krye të qeverisë ka parë një shpërputhje në energjinë e Brukselit për çështjen e mbetur hapur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë drejtim duhet të ndryshojë diçka.Sa i përket marrëveshjeve, kryeministri tha se disa nga to janë zbatuar dhe janë disa rezultate reale, por në disa të tjera ka ngecje, siç është me marrëveshjen e energjisë.“Këtu shihet dobësia e Brukselit zyrtar. Brukseli zyrtar lejon që të ndodhin shumë veprime jo ligjore në fushën e energjisë, përkatësisht në veri dhe rreth Kosovës, në investime, në transmision dhe nuk e ka fuqinë t’i thotë Beogradit se nuk ka të drejtë të bëjë një veprim të tillë. Ne humbim kohë, veprojmë, punojmë dhe në fund duhet të marrim mjete nga buxheti për të mos lejuar të degradojë gjendja më tutje”, tha kryeministri, duke theksuar se ka kërkuar 4 milionë euro nga BE-ja për të mbijetuar ketë situatë edhe për një kohë. Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se mosgatishmëria e dikujt për ta marrë rolin nuk do të thotë se e ndalë Kosovën, ngase ka pasur edhe etapa tjera kur vendimmarrësit nuk e kanë pasur këtë gatishmëri, por Kosova ka ecur rrugës së vet.

Duke folur për rrugën e Kosovës në të gjitha proceset, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk ka kohë të presë pafundësisht dhe shtoi se nuk ka nevojë për shumë kreativitet sepse finalja e këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke.

“Finalja është një, është njohja reciproke e cila duhet të ndodhë. Kush e ka guximin, fuqinë apo ndonjë instrument le të ndihmojë. Kush nuk e ka, duhet t’i thotë Kosovës shko rrugës tënde, dhe kur e thotë këtë, atëherë shqiptarët në Ballkan duhet ta pyesin vetën se a mund të ecim kështu si jemi apo çfarë duhet të bëjmë. Pra duhet të vijë një ditë e të na thotë dikush vendosni për vete. Ky është një realitet që duhet ta kuptojmë, sepse kanë kaluar dy dekada, 20 vjet në Evropë dhe po na thonë po e vazhdojmë dialogun. Deri kur?!”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se duhet të ketë unitet politik e institucional dhe të gjithë udhëheqësit politik është mirë të jenë pjesë e dialogut.Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri,  ambasadori i SHBA-ve në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, të korit diplomatik të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: finally e bisedimeve, Haradinaj, njoja e ndersjellte, Prishtine-Beograd

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT