• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

NDERI DHE NDERSHMËRIA

May 19, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara është traditë që në këtë stinë të vitit, universitetet amerikane të organizojnë ceremoni për të diplomuarit, ndërkohë që zakonisht ftojnë personalitete të njohura nga jeta publike, përfshirë politikanë, biznismenë, por edhe individë të dalluar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, për të këshilluar studentët e sapo diplomuar nga kolegjet dhe universitetet, për jetën që i pret në botën reale.

Universiteti Rajs në qytetin Hjuston të shtetit Texas organizoi një ceremoni të tillë të shtunën që kaloi ku i ftuar si folësi kryesor ishte biznesmeni, filantropisti dhe ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Blumberg.  Z. Blumberg, i cili njihet, përveçse si biznismen dhe politikan edhe si njëri prej filantropistëve më të njohur të kohës tonë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, u foli studentëve të universitetit Rajs në Teksas mbi nderin dhe ndershmërinë, si cilësi tepër të rëndësishme njerëzore për çdo person dhe shoqëri.  Natyrisht, se ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili vite më parë flirtoi me idenë për të kandiduar për president si kandidat i Partisë Republikane, u foli studentëve amerikanë, por që këshillat e tija për rëndësinë e nderit dhe të ndershmërisë, për të jetuar dhe për të vepruar me nder, me drejtësi dhe me ndërgjegje, janë të rëndësishme për çdo person dhe për cilindo shoqëri kudo në botë. Po të kishte nder dhe po të veprohej ndershmërisht, shoqëria ku jetojmë dhe kjo botë në përgjithsi do të ishte një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë ne.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja e juaj”, e filloi fjalën e tij Z. Blumberg duke iu drejtuar të diplomuarve, por dua tu flas, theksoi, ai për domethënjen e fjalëve: “nderi dhe nderëshmëria”.  Ai tha se fjalët “nderi” dhe “ndershmëria” kanë pothuaj të njëjtin kuptim. “Të jesh i ndershëm duhet të kesh nder, e kjo do të thotë të thuash të vërtetën me nder dhe të veprosh nderëshmërisht – madje edhe kur të kërkohet që të pranosh gabimet dhe të pësosh edhe pasojat.”  Zoti Blumberg shtoi se angazhimi ndaj ndershmërisë është një përgjegjësi personale dhe njëherazi edhe një “përgjegjësi patriotike”, siç e quajti ai.  Nderi dhe ndershmëria, janë cilësi të cilat i kërkojmë në udhëheqsit tanë – pra duam udhëheqës të pastër, të moralshëm dhe të panjollosur, vlera këto që janë tepër të rëndësishme dhe që vlerësohen kur një udhëheqës i posedon ato, ishte mesazhi i tij.

Ai përmendi si shembuj të udhëheqsve të ndershëm ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Uashingtonin dhe Abraham Linkolnin, të cilëve nënvijoi ai, jo vetëm që me të drejtë u thuren lavde për arritjet e tyre në përgjithësi, por që historia i njeh tanimë edhe për nderin e tyre personal dhe për qëndrimet e tyre të ndershme dhe të moralshme, në zhvillimet politike të vendit në kohën që ata kanë udhëhequr Amerikën. “Ne shikojmë integritetin dhe moralin e tyre si një pasqyrim i nderit dhe ndershmërisë tonë, si komb”, u tha Z. Blumberg të diplomuarve në unversitetin Rice të Hjustonit.  Duke iu referuar atmosferës aktuale politike në kryeqytein amerikan, Z. Blumberg u shpreh duke thënë se “Ç’ka dreqin ka ndodhur?  Ai citoi ish-senatorin amerikan të ndjerin Patrik Mojnihan, se “Njerzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por jo faktet e veta”, faktet duhet të jenë fakte, për të gjithë.   “Për brezin tim, e vërteta rreth Amerikës – liria, mundësitë për të shkuar përpara dhe begatia që gëzonim – ishin avantazhet tona më të forta në periudhën e luftës së ftohtë. Sa më shumë që komunistët kishin lajme të vërteta, aq më shumë liri kërkonin. Ne e besonim këtë dhe për këtë kishim pasë të drejtë”, duke shtuar se sot fatkeqsisht, shumë prej udhëheqësve në nivele të larta të pushtetit e “shikojnë të vërtetën si një kërcënim” dhe refuzojnë të përballen me të.   Zoti Blumberg tha se, këta udhëheqës, “E kanë frikë të vërtetën. Ata e përgnjeshtrojnë dhe e sulmojnë atë, pikërisht, ashtu siç bënin dikur komunistët.”

“Shoqëritë e lira varen nga qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se gënjeshtrat në radhët e përfaqsuesve të qeverisë, nuk duhet të injorohen.  Kur zyrtarët e zgjedhur me votën e popullit flasin sikur ata janë mbi të vërtetën, ata do të veprojnë edhe sikur janë mbi ligjin. Dhe kur ne si qytetarë tolerojmë mos-ndershmërinë në radhët e pushtetarëve, atëherë pasoja është kriminalizimi i shoqërisë.  Herë të tjera paraqitet si abuzim i pushtetit, e shpeshë herë si kombinim i të dyja këtyre fenomeneve.  Nëqoftse këto dukuri nuk kontrollohen, ato abuzime mund të çojnë në përkeqësimin e institucioneve të cilat mbrojnë dhe mbështesin të drejtat dhe liritë tona dhe njëherazi mund t’u hapin derën tiranisë dhe fashizmit”, këshilloi Majkël Blumberg të diplomuarit e rinjë amerikanë në Teksas.

Por Z. Blumberg tha se “ekziston diçka shumë më e rrezikshme se politikanët e pa ndershëm të cilët nuk respektojnë ligjin – e ata janë grupe të tëra njerzish në një shoqëri, përkrahës të tyre, të cilët mbrojnë dhe justifikojnë çdo gënjeshtër të politikanëve”.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, biznismeni dhe filantropisti i njohur botërisht , Z. Majkël Blumberg përfundoi fjalimin e tij duke i paralajmëruar studentët  kundër shfaqjeve të besnikërisë qorre ndaj partive politike, pasi tha, “Kur njerzit e shikojnë botën si një betejë midis të majtës dhe të djathtës, ata nga natyra bëhen më besnikë ndaj fisit ose partisë se sa ndaj atdheut, ndërkohë që ruajtja e pushtetit dhe jo përparimi, bëhet objekti kryesor i luftës, ndërkohë që e vërteta dhe ndershmëria janë viktimat e para të kësaj lufte”, nenvijoi ai.  Ai u kujtoi studentëve fjalët e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtonit, i cili qyshë atëherë kishte paralajmëruar mbi rrezikun, duke e cilësuar pasionin që njerëzit kanë për partitë politike, “si armikun më të rrezikshëm të demokracisë” dhe si para-ardhës të tiranisë.

Nderi dhe ndershmëria janë me rëndësi për çdo shoqëri, sidomos në radhët e politikanëve.  Majkël Blumberg i foli një brezi të ri amerikanësh dhe i porositi për rëndësinë që bartin për një shoqëri moderne si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderi dhe nderëshmëria, sidomos në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve të këtij vendi.Por edhe për botën shqiptare kishte shumë rëndësi dikur cilësia e njeriut të ndershëm. Urimi, “qofsh me nder” ishte pjesë e përshëndetjes në vatrat tona, aty ku stërgjyshërit tanë na mësuan me ruajtë nderin, burrëninë, besën dhe dashurinë për atdhe, si cilësi dalluese të racës sonë. I takon kësaj breznie politikanësh që të angazhohet ndaj nderit dhe ndaj nderëshmërisë, si virtyte të vjetra të kombit, pikëspari në marrëdhëniet me njëri tjetrin, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me popullin shqiptar. Betohuni se, nepërmjet të vërtetës — me nder dhe nderëshmëri—mbi të gjitha do ti shërbeni interesave të Kombit Shqiptar dhe jo interesave personale dhe të partive politike.  E përsa u përket votuesve shqiptarë, këtë betim dhe përgjegjësi ndaj nderit personal dhe kombëtar të pushtetarëve që keni zgjedhur për tu udhëhequr, duhet tua kërkoni çdo ditë dhe pa kompromis! Këtë e kërkon nderi i shqiptarit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE NDERSHMËRIA, Frank shkreli, nderi

Masakra në Teksas rizgjon debatin për kontrollin e armëve

May 18, 2018 by dgreca

  • CNN:Autori i dyshuar 17 vjecari greko-amerikan Dimitrios Pagourtzis/
  • *17 vjeçari i dyshuar për masakrën në Teksas nën akuza për vrasje me paramendim/

1 TexasTë vrarë dhe të plagosur njoftohen nga një incident me armë zjarri në një shkollë të mesme në Teksas. Në fillim të ditës mësimore një person hyri me armë në shkollën e mesme Santa Fe, jo larg Hjustonit, dhe filloi të qëllonte. Policia thotë se e ka arrestuar personin dhe aktualisht situata është nën kontroll.

Burime mediatike amerikane japin shifra të ndryshme për viktimat. Nju Jork Times njofton për tre të vrarë, bazuar në njoftimet më të hershme të një zyrtari lokal. Ndërsa kanali CNN njofton për 10 të vrarë, 9 studentë dhe 1 mësues, si dhe një numër të plagosurish, mes tyre edhe një polic që shërbente si personel sigurie në shkollë.

Ky është incidenti i tretë me armë zjarri në mjedise shkollore, i regjistruar këtë muaj në Shtetet e Bashkuara si dhe incidenti i 22-të i kësaj natyre që nga fillimi i vitit.

TV CNN njoftoi se autori i dyshuar 17 vjecari greko-amerikan Dimitrios Pagourtzis.

17 vjeçari i dyshuar për masakrën në Teksas nën akuza për vrasje me paramendim/

1 Vrasesi teksas

Prokurorët në Teksas kanë ngritur padi për vrasje me paramendim ndaj adoleshentit Dimitrios Pagourtzis për masakrën dje në një shkollë të mesme. Megjithëse 17-vjeç, ai do të trajtohet në sistemin gjyqësor si i pandehur në moshë madhore, që lë të hapur mundësinë për dënimin me vdekje. Dhjetë vetë humbën jetën dhe mbi dhjetë të tjerë u plagosën në sulmin e fundit vdekjeprurës në një shkollë amerikane. Autoritetet thonë se përveç të dyshuarit Dimitrios Pagourzis kanë ndaluar edhe një individ tjetër si person interesi. Masakra në Shkollën Santa Fe ka rizgjuar debatin mbi dhunën me armë në Shtetet e Bashkuara.

E premtja e djeshme filloi si një ditë tipike në një shkollë të mesme, por shkolla Santa Fe në juglindje të Teksasitu shndërrua shpejt në skenë të një krimi makabër.

“Dëgjova katër ose pesë të shtëna. Nuk e di. Sa e kuptova se çfarë ishte, fillova të vrapoj” thotë nxënësja Paige Curry.

Autoritetet thonë se i dyshuari, 17-vjeçari Dimitrios Pagourtzis hapi zjarr në Shkollën e Mesme Santa Fe pak para orës 8 të mëngjesit të së premtes. Disa njerëz humbën jetën, shumica prej tyre nxënës adoleshentë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, shprehu keqardhje mbi sulmin e fundit të ndodhur në një shkollë.

“Kjo po ndodh shumë shpesh në vendin tonë, për shumë vite, për shumë dekada. Mbajmë zi për humbjen e jetës dhe i japim mbështetjen tonë të gjithëve të prekur nga ky sulm absolutisht i tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se nuk kishte patur shumë shenja se i dyshuari synonte të kryente një akt të tillë, ndryshe nga autori i krimit në Shkollën Marjory Stoneman Douglas. Ai shtoi se armët e përdorura ishin ligjërisht pronë e babait të të dyshuarit.

“Në këtë rast, nuk kishte patur shenja, ose kishte shumë pak shenja se do të bënte një gjë të tillë. Në faqen e tij në Facebook ai kishte vënë foton e një bluze me shkrimin “born to kill (i lindur për të vrarë), por asgjë tjetër. Ai nuk kishte histori kriminale ose probleme me policinë”.

Vrasja në Shkollën e Mesme Santa Fe ndodhi vetëm pak muaj pas masakrës në Parkland, të Floridës, ku humbën jetën 14 nxënës dhe tre punonjës në Shkollën e Mesme Marjory Stoneman Douglas.

“Kjo nuk ka fund. Ne të gjithë duhet të punojmë për të gjetur një mënyrë për të trajtuar problemin, por duke patur parasysh situatën, ne duhet të përgatitemi fatkeqësisht për ngjarje të tilla”.

Pas kontrollit të premten në të dy shtëpive dhe një automjeti që ishte në përdorim të të dyshuarit, policia tha se kishte gjetur pajisje të shumta shpërthyese. Autoritetet, duke cituar ditarin e të dyshuarit, thonë se ai kishte planifikuar të vriste veten pas sulmit.

Masakra në Teksas rizgjon debatin për kontrollin e armëve/

1 masakra debat

Masakra në Teksas shënon rastin e 22-të të vrasjeve me armë në mjedise shkollore në Shtetet e Bashkuara vetëm në këto katër muaj e gjysëm të vitit 2018. Organizata “March for Our Lives” – Marshojmë për Jetët tona që u themelua pas masakrës në Parkland të Floridës ku humbën jetën 17 vetë, shumica adoleshentë, po u bën thirrje pasuesve të saj të mos e trajtojnë këtë ngjarje si një tjetër tragjedi, por të punojnë për një zgjidhje.

Reagime të forta kanë ardhur edhe nga zyrtarë amerikanë, ndër ta sekretarja e arsimit Betsy DeVos e cila shprehu tronditjen e thellë, duke shtuar se këto incidente nuk mund të lejohen të vazhdojnë.

Në median sociale janë përcjellë postimet me fjalët “në lutje e në mendje” për viktimat e tragjedisë në Teksas. Por guvernatori i Teksasit, Greg Abott tha dje në një konferencë për shtyp se lutjet nuk mjaftojnë, duke lënë të kuptohet se do të mbledhë përfaqësues të këtij shteti për të diskutuar një përgjigje ndaj problemit. Aktivistët kundër dhunës me armë po përpiqen që ta bëjnë kontrollin e armëve një ndër temat qendrore të fushatave elektorale për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.

Filed Under: Featured Tagged With: CNN:Autori i dyshuar 17 vjecari greko-amerikan, Dimitrios Pagourtzis, Tragjedi ne Teksas

DIASPORA SHQIPTARE BASHKOHET NË KOSOVË

May 18, 2018 by dgreca

-Konferenca Diaspora Flet bashkon për herë të parë potencialin e Diasporës me Kosovën/
1 cikat hyjne1 diaspora 33 Diaspora flet 11 Kuvendi2 diaspora 12 Behluli
-Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit ahqiptar kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 18 Maj 2018/ Në Konferencën Diaspora Flet, të hapur mbrëmjen e djeshme në  Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, e që do vijojë gjatë katër ditëve – nga 17 deri në 20 maj 2018, Organizata joqeveritare Germin ka bashkuar për herë të parë në Kosovë qindra profesionistë të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare me përfaqësues të institucioneve publike, si nga niveli qendror i qeverisjes ashtu edhe ai lokal.

Organizatorët theksojnë faktin se, Diaspora shqiptare historikisht ka luajtur rol kyç në zhvillimet ekonomike dhe politike si në Kosovë, po ashtu edhe në rajon. Kontributi i diasporës përgjatë krizave në vitet e 1980-ta dhe 1990-ta ishte i madh, prandaj lidhja, avokimi, dhe bashkëpunimi mes diasporës shqiptare dhe Kosovës kishte dhe ka rëndësi të veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar.

Qëllimi i konferencës Diaspora Flet është që të krijojë mekanizma efektivë dhe mundësi për angazhimin e diasporës shqiptare, si grupin më të madh social jashtë vendit, në procese të rëndësishme për vendin e tyre amë por edhe vetë diasporën. Konferenca po ashtu do të shërbejë si një hapësirë për anëtarët e diasporës që të lidhen, të angazhohen dhe të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me institucionet publike, si dhe të avokojnë për të drejtat e tyre ekonomike, shoqërore, edukative dhe politike.

Përbrenda një programi katërditor, që përfshinë folës nga komuniteti i diasporës që kanë ardhur në Prishtinë nga vendet e ndryshme të botës, si dhe pjesëmarrës të tjerë – politikbërës nga Kosova,  rajoni dhe ekspertët më të njohur ndërkombëtarë në fushën e angazhimit të diasporës në vendet e tyre amë, do të trajtohen praktikat globale dhe ndërlidhjet në mes të diasporës, zhvillimit ekonomik e politik si dhe diplomacisë.

Në ceremoninë hapëse, Liza Gashi – zëvendësdrejtoreshë e Germin, ka  përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka ftuar për fjalë rati folësit kryesorë Kingsley Aikins – njeriun që ia solli Irlandës mbi 250 milionë dollarë investime me potencialin e Diasporës, ministrat e Diasporës – të Kosovës Dardan Gashi, të Shqipërisë Pandeli Majko dhe  të Maqedonisë Edmond Ademi.
 
Në hapje të Konferencës Diaspora Flet ishte edhe kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka.

Sot në Kuvendin e Kosovës, kryetari Kadri Veseli ka pritur pjesëmarrës të konferencës dhe përfaqësuesit e diasporës shqiptare të ardhur nga shumë vende të botës.

 Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, kryeparlamentari Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

“Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është”, theksoi Veseli në aktivitetin Diaspora Flet në Kuvend.

Në 19 maj 2018 -Dita e Sektorit Privat, do të bashkojë biznese dhe ndërmarrje nga diaspora të cilët nëpërmjet paneleve të diskutimit do të kenë mundësi të trajtojnë potencialin financiar dhe filantropik ekzistues në Diasporë, dhe mundësitë e krijimit të urave lidhëse me vendet amë.

Në 20 maj 2018 Diaspora në Komuna do të dërgojë përfaqësues të komunitetit të diasporës nëpër komuna të ndryshme në Kosovë për të vlerësuar mundësitë e investimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira për zhvillim të vendit në nivel lokal. Mes tjerash do udhëtohet drejt qytetit historik të Lidhjes Shqiptare -Prizrenit, më të madhin në jug të Kosovës, si dhe drejt qytetit më të madh verior – Mitrovicës.Konferenca Diaspora Flet synon që përtej diskutimit të dalë me rekomandime konkrete dhe plane afatgjata të lidhjes së potencialit të diasporës shqiptare me vendet amë.Germin është organizatë joqeveritare që përdorë teknologjinë dhe kanalet digjitale për të lidhur dhe angazhuar diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të saj amë.Konferenca Diaspora Flet organizohet në kuadër të programit Dialogu i Strukturuar për të Drejtat Diasporës, i financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA), menaxhuar nga Fondi Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

***

VESELI: DIASPORËN NUK DUHET TA SHOHIM SI REMITENCA, POR SI DIJE DHE POTENCIAL PËR ZHVILLIM

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur të premten përfaqësues të diasporës nga shumë vende të botës, të cilët me mbështetjen e kryeparlamentarit Veseli po qëndrojnë në Prishtinë.Takimi është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me organizatën Germin.Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, Kryeparlamentari Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

 Fjalimi i plotë kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar deputetë

Të nderuar bashkatdhetarë, që sot na keni nderuar me prezencën tuaj në Kuvendin e Kosovës

 Mirë se erdhët në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një seancë e veçantë, me të cilën po vendosim një praktikë shumë të dobishme për institucionet e vendit, për qytetarët tanë, e në veçanti për bashkatdhetarët tanë në diasporë. Diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

 Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është.

 Sot, ajo është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë.Ne kemi një diasporë që rrallë ndonjë popull në botë e ka. Lidhjet e saj me vendlindjen janë të fuqishme, por sot rrethanat kanë ndryshuar. Nevojat janë të tjera: tjera sfida kemi përpara dhe kjo nënkupton edhe qasje të reja.Ka ardhur koha që ne të lëvizim përtej të kuptuarit të diasporës thjesht si fuqi e remitencave për familjet tona dhe si kategori e mallit për vendlindjen. Sot, njerëzit tanë në diasporë janë të integruar në trendet më të avancuara të zhvillimit dhe të dijes.Ata janë investitorë dhe menaxherë kompanish të mëdha. Janë drejtorë bankash, e sipërmarrës të suksesshëm. Janë intelektualë, ekspertë e përfaqësues institucionesh shtetërore. Zëri i tyre dëgjohet gjithandej botës, e lista e sukseseve të tyre është e gjatë. Kjo na bënë krenarë.Diaspora jonë përbën një potencial të madh, nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova. Kjo mund të arrihet duke ndërtuar komunikim praktik institucional me njerëzit tanë në diasporë, me idetë e tyre dhe me potencialin e tyre investiv.Ministria e Diasporës, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është duke bërë një punë të mirë, por gjithsesi të pamjaftueshme. Është urgjente që potenciali investiv i diasporës të vendoset si prioritet i lartë në strategjitë zhvillimore të Kosovës. Njëkohësisht, në secilin institucion të vendit, duhet ta vendosim parimin e dyerve të hapura për projektet dhe idetë që vijnë nga njerëzit tanë në diasporë. Në radhë të parë, kjo nënkupton politikën – Zero barriera burokratike për diasporën.Qëllimi ynë final si shtet – është integrimi në strukturat ekonomike, politike dhe ushtarake të botës perëndimore, dhe është përparësi fakti se njerëzit tanë në diasporë jetojnë, veprojnë e krijojnë pikërisht në kushtet e kësaj bote. Janë pjesë integrale e zhvillimit të saj. Sot kemi një rast të shkëlqyeshëm që në Kuvendin e Kosovës të dëgjojmë një pjesë të ideve të tyre.

Ju faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DIASPORA SHQIPTARE BASHKOHET, ne Kosove

Opozita e Bashkuar: 26 maj, protestë e Madhe…

May 18, 2018 by dgreca

*… për të rrëzuar qeverinë e Krimit & Drogës/

  • BASHA:Qeveria Rama është pengesa e vetme per rrugëtimin europian dhe mirëqenien e shqiptarëve….Ndaj i ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 maj në Tiranë, në protestën kombëtare për një Shqipëri të cliruar nga qeveria e lidhur me krimin/1 OPOZITANë një dalje para medias sot me 18 Maj 2018, rreth orës 14.00 Kreu i opozitës Lulzim Basha, në prani të aleatëve të tij, ka ftuar të gjithë shqiptarët, demokratë e socialistë të ndershëm, të marrin pjesë në protestën e madh  kundër qeverisë së Edi Ramës, protestë që do të mbahet të shtunën e ardhshme..

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, pas takimit me aleatët, Bashë është shprehur se është koha që Shqipërinë të mos ja lëmë më në dorë një qeverie mafioze. Basha shprehu optimizmin se të gjithë bashkë mund të ja dalim. Ai bëri të ditur se në datën 26 maj, opozita do të dalë në protestë të madhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Citojmë nga deklarata e Lulzim Bashës:

Nuk ka ndryshuar BE sic gënjeyu sot përsëri Edi Rama. Nuk ka ndryshuar klima.Klima është e njëjta.Nuk hapen negociatat pa luftuar krimin dhe politikanët e lidhur me kriminNuk hapen negociatat pa e ndare qeverisjen nga krimi. Nuk hapen negociatat kur qytetaret e pafajshem plasen ne burg, apo kur Ministri i Brendshem dhe Kryeministri kapin shtetin për të mbrojtur krimin e organizuar dhe vëllain trafikant droge.

Ky ka qene mesazhi i Brukselit dhe vendeve anëtare tash 5 vjet.Ky është akoma më I fortë dhe më i qartë mesazhi i Samitit te Sofjes.Klima nuk ka ndryshuar. As BE dhe as vendet anëtare nuk janë pengesa. Edi Rama është pengesa. Fatmir Xhafa është pengesa. Kryeministri dhe ministrat e lidhur me krimin, për pushtetin dhe pasurinë e tyre në kurriz të shqiptarëve janë pengesa.

Qeveria Rama është pengesa e vetme per rrugëtimin europian dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Ndaj i ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 maj në Tiranë, në protestën kombëtare për një Shqipëri të cliruar nga qeveria e lidhur me krimin.

I ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 qershor në Tiranë për një Shqipëri të cliruar nga qeveria anti popullore e Edi Ramës që ka tradhtuar interesat e njerëzve të thjeshtë duke bashkëpunuar haptas me krimin për pushtetin dhe pasurinë e tij.

I ftojmë të gjithë qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 qershor në Tiranë për një Shqipëri të cliruar nga qeveria anti-europiane që me rekordet e saj të zeza të korrupsionit dhe bashkëpunimt me krimin pengon ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.

Tani është koha të mos e lëmë fatin e Shqipërisë Europiane në duart e qeverisë më anti europiane.

Së bashku do ja dalim!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 26 Maj, Basha, Opozita, Proteste e madhe

Tre Ministrat e Brendshëm të Edi Ramës

May 18, 2018 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ministria e Brendshme në diktaturë ka qenë një nga organizmat më famëkeqe të regjimit, me hallkat e saj përmes të cilave mbante nën kontroll dhe frikë të gjitha strukturat e shoqërisë prej superstrukturës deri tek shqiptarët e thjeshtë. Syri vigjilent për të kapur çdo pakënaqësi që kulmonte me luftën e klasave kundër armikut. Kjo ministri gjithashtu merrej me trafikim të drogave dhe cigareve.

Edi Rama e ka të lidhur fatin e tij me tre Ministra të Brendshëm të Shqipërisë, njëri i kohës të diktaturës dy të tjerë të postdiktaturës.

Ministri i parë, është i fundit ministër i Brendshëm i diktaturës. Gramoz Ruçi, kryetari aktual i parlamentit të Shqipërisë, dora e hekurt e PS që i ka dhënë pushtetin dhe e ka mbajtur në pushtet Edi Ramën.
Pa Gramoz Ruçin, Edi Rama nuk e merrte dot drejtimin e PS.

Për të censuruar opozitën, duke ia mbyllur mikrofonat dhe nxjerrë jashtë salle, Edi Rama i ka dhënë në dorë Ruçit frenat e drejtimit të Parlamentit, siç shihet Ruçi e nxjerr menjëherë jashtë loje jo vetëm opozitën por edhe pluralizmin politik.

Ministri i dytë i Brendshëm i Edi Ramës është një nga vartësit e tij më të bindur. Saimir Tahiri, i njohur si një nga yesman-ët më fanatikë të Edi Ramës. E keni parë sot Erion Veliajn si i thur ditirambe Edi Ramës,  si i përgjërohet, si i gjunjëzohet, si i lëpihet. E njëjta gjë edhe me Saimir Tahirin. Dukej sikur Tahiri nuk merrte dot as frymë pa lejen e bosit të tij, kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama dhe shërbëtori i tij i bindur Saimir Tahiri e nisën mandatin e parë në luftë gjoja frontale me krimin e organizuar, duke eleminuar bastionin e drogës në Lazarat me të ardhura vjetore sipas Guardia di Finanza me rreth 5 miliardë Euro dhe nga ana tjetër duke e kanabizuar gjithë Shqipërinë me parcela droge.

Edi Rama ka qenë avokati mbrojtës i Saimir Tahirit kur polici i antidrogës Dritan Zagani doli me akuza direkte. Dritan Zagani u detyrua të largohet nga Shqipëria, sepse ishte e qartë se jeta e tij ishte në rrezik. Edi Rama nuk i ka ndalur asnjë çast sulmet kundër Zaganit, mbështetur në shpifje të ulta që mund t’i vërtetojë çdo hulumtues.

Rënia e Saimir Tahirit është rënia e Edi Ramës.

Ministri i tretë i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, gjithmonë i përmendur për vëllain e tij të dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg nga drejtësia italiane si trafikant, dënim i pakryer, sepse Agron Xhafaj i kishte shpëtuar duke u kthyer në Shqipëri, ku nuk i ka hyrë asnjë ferrë në këmbë deri në momentin kur opozita solli regjistrime ku ai shfaqej në bisedë me një trafikant droge.

Natyrisht, Agron Xhafaj mund të ekstradohej nga qeveritë Berisha. Gjithashtu Fatmir Xhafaj nuk duhej të priste deri sot, por do të duhej ta kishte ekstraduar të vëllain prej 2002 që kur ishte deputet apo ministër i qeverisë Majko. Nuk mund të pretendojë për Vetting të policisë Fatmir Xhafaj duke e patur të vëllain Agron Xhafajn një wanted nga shteti italian.

Normalisht, sapo opozita doli me regjistrimin, Fatmir Xhafaj do të duhej të jepte dorëheqjen menjëherë deri sa të zbardhej çështja. Nëse ai nuk e jepte dorëheqjen, do të duhej të ishte Edi Rama që ta shkarkonte. Por në vend të shkarkimit, Edi Rama u bë mbrojtës fanatik i Ministrit të tretë të Brendshëm.

Dorëzimi vullnetar i të vëllait të Ministrit të Brendshëm nuk e shfajëson Ministrin Xhafaj, përkundrazi i vërteton të gjitha akuzat e opozitës, ku akuza e parë themelore është se Agron Xhafa i kishte ikur dënimit, dhe kjo përbën një tjetër akt të dënueshëm të tij.

Ndërsa Edi Rama endet në qiellin e Europës nga njëri shtet tek tjetri, opozita sot deklaroi se Dëshmitari X është rrezikuar me jetë nga akt terrorist i njerëzve të Edi Ramës. Ky fakt nuk është vërtetuar, por kërcënimet që ka marrë me jetë Dritan Zagani janë vërtetuar. Dritan Zagani akuzohet nga Edi Rama dhe kërcënohet nga mafia. A nuk është e çuditëshme që  Zagani është nën shenjestrën e kryeministrit Rama dhe mafies.

Vetdorëzimi i Agron Xhafaj në drejtësinë italiane, është rënia e Fatmir Xhafajt dhe rënia e dytë e mbrojtësit të tij Edi Rama, i cili kërcënon me destabilizim, sa herë që ministrat e tij të brendshëm vihen nën akuza me lidhje të drejta apo të zhdrejta me krimin e organizuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, të Edi Ramës, Tre Ministrat e Brendshëm

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT