• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

Profile poetike-Anton Çefa

June 21, 2018 by dgreca

Nga Anton Çefa/

1 anton Cefa

Nën kupola shpellash/

(Atë Pjeter Bogdanit)/

Mbi Atdheun natë e gjatë,/

e ngrirë,/

prushi i fjalës feks/

në errësirë./

Nën kupola shpellash strukesh viteve,/

mbi tryeza rrasash, si  mbi tabernakuj,/

ua shpupurish thinjat fjalëve plaka,/

në kujtesë të kombit jeh të ri u kallë./

Mbjell filiza prilli/

n’zagna dijesh,/

sharton sytha flake/

n’brazda gjaku./

Shprish shkrumbin e netëve

nën kupola shpellash,

qumshti i hanës të ban dritë nga qielli,

Gjysmëhëna të kërcënon nga toka.

  • “Mos e leni gjuhën e dheut me u vdarë

lëshon vikamën në “Çetën e profetëve.”

“Më ka zënë shqipja”

(Fan Nolit)

Fjala shqipe si zjarri i shejtë

në gjoks të digjte.

Gjuhët e botës te fjala shqipe.

Me zjarr të shejtë ngroh e ndriçon

skutina të errta gjoksesh të plogshta.

Të zuni shqipja me anarkitë,

na zuni ne zi e ma zi,

antropofagë, kolltukufagë

zi e ma zi.

Ku ta ve epitafin ?

(P. Gjergj Fishtës)

Ku ta ve epitafin, bre burrë i dheut ?

Shkërbetë pa vorr të lanë,

po i gjalli vorr nuk ka,

se vorri gropë harrimi asht

e Ti harrim nuk njeh.

Thonë:

Afshi i zjarrtë i zajeve e ka mbajtun gjallë

e flladi i verës e ka flladitun zhegjeve,

thonë

në stinë të ngrime e ka ngrohun rrezja e diellit

e valët e Drinit ashtin ia kanë lëmue.

E vërteta asht

se zemra e kombit e ka përjetësue.

A s’ia ndigjon pezmin

kur shanë e shilon Europën

tue ba mriz në logun e zanave ?

E për nji lule vjeshte

lotin pikon, t’ madhnueshëm ?

A s’e sheh atë copë qielli

që si çati e kaltër

Atdheut i rri përsipri ?

Atje, po,

hidhet në vallet e Parrizit.

Po shpesh e ma shpesh

tu kulla e Gjetës e  gjen,

apo pranë sofrës  së ngurtë

lahutës i bie n’ malësi,

kuvend të urtë

ndan me pleqnorë kanuni.

Zbardhun nga brengë e fjalës

(Prof. Eqrem Çabejt)

Krrusun nga peshë e fjalës

Ballin rrudhë mbi shpatet e maleve,

mbi pëllambët e fushave

mbledh vetullat,

zbardhun nga brengë e fjalës.

“Sa të gjalla emërtimet ilire!”

Këtu korrigjon Majerin,

aty miraton Joklin.

Fjalët e shqipes

Në rrathët e ullijve të premë nga kohnat.

“Sa e re Formulë e Pagëzimit!”

Mbi nji gur vorri nji sufiks asht zbehun

Në natën e gjatë me gjysmëhanë,

Këtu shkëlqen ende si smeraldi

Syni i dritës indoeuropiane t’nji rraje.

Gatuen bukën e trojeve

Në magjen ilire

Mbi brumin e ardhun të shqipes.

JU S’KENI  EMNA

Martirëve të diktaturës

Ka humbë shkëlqimin në gropën e përbashkët

plot lagështi,

bardhësia e eshtnave.

Kohës i shkojnë mornica në trup.

Me duer që dridhen prej dëshire

po i marr eshtnat tuej, miqtë e mi,

po i vendos në gropën e qelqtë të gjoksit,

altar i dhimbjes.

Prej andej do kundroni

kaltërsinë e andrrave të vrame

nga duer vllaznore.

Nji kunorë lutjesh ju ve  te kryet

dhe kryqin e mundimeve tuaja.

 

Ju s’keni emna,

lavdi asht emni juej

Ike mbas dyersh mermeri              

                   (Frederik Rreshpes)

Ike mbas dyersh mermeri

e rrasash të ftohta,

i le muret e vetmisë së botës.

I heshtun në nji botë të huaj.

për ty mbajnë jazë

zogjtë e drujtë,

të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.

Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës

nën shinat qi s’pushojnë.

Me nji ndriçim dëshire

          (Shokut tim, Faruk Myrtajt)

Me nji ndriçim dëshire

mbi hijet që randojnë mbi mue

stinësh t’harrueme,

kërkoj nji shok, nji mik

e mendja m’shkon tek ti,

zemra më rreh pa pritmas

se jeta s’asht e vorfën

kur ke nji mik si ti.

 

Vertet nji pajë të fisme

Stinëve u jep miqësia.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, profile Poetike

TAKIMI I HOSHTEVJATËVE NË VATËR

June 20, 2018 by dgreca

Nga Koço Sterjo /

Ashtu siç ishte planifikuar, më 17 Qershor, në Bronx të Nju Jorkut, u zhvillua Takimi i një grupi të vogël numerikisht të hoshtevjatëve të SHBA dhe vizitorëve të ardhur nga Atdheu.
Ky Takim u iniciua nga bashkëatdhetari dhe bashkëfshatari ynë, z. Mitro Saqëllari, aktualisht në Tiranë edhe me detyrën e Nënkryetarit të Shoqatës Atdhetare- Kulturore “Zagoria” dhe u mundësua nga organizatorët: Filip Kristani e Koço Sterjo si dhe vetë pjesëmarrësit.
U listuan për këtë Takim gjithësej 30 vetë, nga të cilët u njoftuan 25 dhe ishim në pritshmëri nga publiku edhe të emrave të tjerë që mund të na kishin shpëtuar nga kujtesa. Në Takim morën pjesë 13 vetë. Nuk arritëm dot të gjenim adresat apo numrat telefonikë të Koço Dilos, Robert Priftit e Liljana Puleshit (bashkëshortë) si dhe u kujtuam me shumë vonesë për Vasil Saqëllarin dhe Eduart Tartarin, të cilëve, personalisht, iu kërkoj ndjesë.
Në Takim morën pjesë: Dhimo Nasi, Aristotel Ndreko, Adelina Duri, Filip Kristani, Hektor Kristani, Vladimir Telo, Katerina Telo, Mitro Saqëllari, Mirela Saqëllari, Artemis (Telo) Baçi, Alfred Baçi, Elio Qirko dhe Koço Sterjo.

NGA “VATRA”…
“VATRA” e ka me vete emrin se ç’ ndjen njeriu, kur e viziton Atë…Po sa mirë ia kanë gjetur emrin: Shtëpia e “VATRËS”! Sa mirë që e kanë pagëzuar kështu! Shtëpi dhe Vatër- dy elementë të qenësishëm historikë e jetikë për shqiptarin…
Ndjenjat që përfton njeriu, kur viziton Shtëpinë e “VATRËS” në Nju Jork, janë të njëjta me ato, kur shkon pranë sheshit, gllanikut e oxhakut të Vatrës në Shtëpinë tënde të Vendlindjes…(Dy “Oxhakët” e mëdhenj të “Vatrës” nuk i gjetëm dot fizikisht më këmbë, por i gjetëm dhe i gjen, jo vetëm nëpër fotografitë e stërmëdhaja nëpër muret e kësaj Shtëpie, por në çdo milimetër të saj dhe kudo ndër zemrat e shqiptarëve të Amerikës dhe të të gjithë Shqipërisë…)
Ishte kënaqësi e papërshkruar të vizitoje “VATRËN” e të gjithëve. Editori i gazetës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, ndoshta dhe të të gjithë shqiptarëve, i nderuari z. Dalip Greca, e kishte hapur Derën e Shtëpisë shumë kohë përpara orës së lenë të Takimit, orës 12:00 të mesditës. Kur unë e vëllezërit Kristani mbritëm aty, në 11:30, Z. GRECA bisedonte me Dhimo Nasin. Dhimo Nasi ishte hoshtevjati i parë i këtyre viteve që “bëri këmbë” te “Vatra” jonë. Dalip Greca është një atdhetar i njohur, intelektual i spikatur e gazetar i kompletuar për kulturën gazetareske. Ai e filloi Ciceronin që me të parin dhe e përsëriti atë me seicilin prej nesh që vinte me diferencë kohe në takim deri në orën e caktuar. Dhe, më në fund, e përsëriti atë për të gjithë në një përmbledhje të historikut të “Vatrës”, shoqëruar me spjegimin e të gjitha foto-ve që vishnin muret.
Për mua që e kisha për herë të parë një vizitë të tillë dhe i kisha drejtuar kërkesën Editorit në fjalë, edhe për faktin se ishte ditë pushimi, e diel, feste dhe kampionati botëror të futbollit, ishte e papritur ardhja pas pak e Zëvendës Kryetarit të “VATRËS”, z. Agim Rexhaj, nga Kosova, me të cilin pata një bisedë shumë të ngrohtë, para takimit “zyrtar”. Dhe akoma më e papritur, kur në orën 12:00, në orën e zenitit të Diellit, ia behu para nesh vetë Kryetari i Organizatës më të Madhe Panshqiptare të Amerikës, z. DRITAN MISHTO, i shoqëruar nga Anëtari i Kryesisë, z. Zef Balaj.
Ishte kënaqësi e veçantë të dëgjoje në bashkëbisedim MISHTON, këtë djalë të ri, intelektual dhe energjik, ish Konsullin e Shqipërisë në Nju Jork. Ai e mori fjalën i pari dhe na uroi mirë se ardhjen. Foli shkurtimisht për “Vatrën” dhe misionin historik të saj e realizimin e tij, qysh nga themelimi në vitin 1912 si dhe detyrat për të ardhmen e rëndësinë e mbushjes së radhëve të saj me fuqi të reja.
Më tej, Mishto po zbritte, si pa kuptuar, drejt Zagorisë e Hoshtevës, duke na lenë të kuptonim se i njihte problemet shqetësuese atje, pothuajse, po aq si ne. Foli me ndjenjë dhembjeje e shqetësimi për udhët e rrënuara, rënien e monumenteve të kulturës, si rasti i Urës së Hoshtevës dhe që mund të përsëritet te Kisha në qendër të Fshatit,…etj. halle të mëdha të atjeshme. Dritan Mishto erdhi në Takimin tonë me një djalë të ri, student në SHBA, që ne nuk e njihnim. “Ju solla,- tha Ai,-fidanin më të ri të Hoshtevës. Quhet Elio Qirko. Është djali i Kiço Qirkos…” Dhe, më tej, spjegoi lidhësinë që kishte ai vetë me djalin e Jorgo Qirkos, që e njihnim të gjithë. Dikush aty përsëriti një sentencë që e kisha dëgjuar për herë të parë nga djali im i vogël, pas vizitës në shtëpinë tonë të kushëririt tim nga Argjentina, Nicolas Bochides: “Thonë mirë: Sa e vogël është Bota!”
Pas përfundimit të fjalës së Tij të koncetruar, Z. MISHTO ia dha fjalën Koço Sterjos, njerit prej organizatorëve të takimit, i cili, pas falnderimeve të rastit, shpalosi një prezantim të shkurtër të Hoshtevës historike dhe emigracionit të saj drejt Amerikës, qysh prej fillimeve të shekullit XX, duke vënë në dukje se lidhjet e këtij fshati me Amerikën janë evidente edhe nga vetë “goja” e shifrave, ku, nga një provincë kaq e vogël, në lartësitë e maleve të Çajupit, Dhëmbelit e Nemërçkës, vetëm në harkun kohor 1900-1939, kanë emigruar 101 vetë. Shumë prej tyre themeltarë dhe antarë të “Vatrës”. Një pjesë dhe drejtues të lartë të saj apo të degëve të saj nëpër Amerikën e Veriut. Prezantuesi u tregoi pjesëmarrësve, prej faqeve të librit “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, fotografinë e qershorit 1912, që paraqet 24 burra hoshtevjatë, dalur në qytetin Bidford të shtetit Mein (Biddeford- Maine). Gjithashtu, Editori i “Diellit”, Z. Dalip Greca, e shfletoi këtë fotografi nga njeri prej Albumeve të “Vatrës”.
Referuesi në fjalë e shtriu paraqitjen për të gjithë Zagorinë e zagoritët kontribues të “Vatrës”, mbështetur në dy librat që kishte marrë me vete: “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, të bashkautorëve Llukan Saqellari e Milo Kristani, dhe “Zagoria, zakone dhe tradita”, të autorit Evjen Peri, duke përmendur figurat më të njohura të saj: STATH SULI, Stath Andoni, Ilia Andoni, Stefan Lesho, Lipe Kasapi, Xhorxh Puleshi, Stath Kondi, Sokrat Nashi, Qirjako Bita, Vangjel Stefani, Perikli Suli etj. Koço Sterjo u tha drejtuesve më të lartë të “Vatrës” sot se mësuesi i pari i fshatit tonë, Stath Puleshi, u dërgua me mision prej “Vatrës” për të hapur shkollën e parë shqipe në Zhej, Hoshtevë, Konispol e gjetkë. Po ashtu, nga faqet e librit, u bë e njohur një faksimilie e kontributit të zagoritëve në ato vite për “Vatrën” si dhe pjesë të shkëputura nga gazeta “Dielli” e 23 shkurtit 1923: nekrologjia e vdekjes së “antarit të nxehtë të Vatrës nga Hoshteva” Qiro Pepe. Disa prej këtyre çasteve të përmendura u konsumuan para fjalës së prezantimit “zyrtar”.
Pas këtij prezantimi, Kryetari Mishto ia dha fjalën z.Mitro Saqellari, mysafirit të sapoardhur nga Shqipëria, i cili falnderoi drejtuesit e “Vatrës” për gjetjen e kohës në këtë ditë pushimi dhe feste dhe impenjimin e tyre për të qendruar e spjeguar pranë nesh. Ai foli për rëndësinë e antarësimeve të reja zagorite në këtë Organizatë Shqiptare kaq të madhe si dhe në Shoqatën e krahinës. “Vatra,- tha ai,- do bëjë dhe politikë, politikën kombëtare, atë që le mangut qeveria. Ashtu siç e ka bërë dhe në vitet ’20 të shekullit të kaluar për mbrojtjen e kufijve të Atdheut.”
Kryetari kërkoi dhe fjalën e vizitorëve të ardhur direkt nga fshati, ku Katerina Telo foli për shqetësimet që has fshati e krahina si dhe përpjekjet e tyre atje e të të gjithë njerëzve për kapëcimin e vështirësive të panumurta, të cilat janë sa objektive po aq dhe subjektive.
Në diskutime morën pjesë edhe Dhimo Nasi, Agim Rexhaj, i cili bëri një ekspoze të “Vatrës” qysh nga fillimi dhe momentet kryesore të ndihmesës së saj për Kombin etj., Zef Balaj etj. Midis tyre, u vu në pah ideja që misioni i shoqatave të tilla, si “Vatra’, “Zagoria” etj. të natyrave të pavarura, realizohet më së miri, kur ato ngrihen mbi krahët politikë të momentit…
Në përfundim të fjalimeve të Takimit në “VATRA”, fjalën e mori Editori i “Diellit”, i cili rezume-në historike të “Vatrës” e shoqëroi me tregimin dhe spjegimin e fotografive më kryesore të shpallura dukshëm e zmadhuar krenarishëm në të katër muret e Shtëpisë.
Momentet më sinjifikative të Takimit te “VATRA” ishin:
1. Me të hyrë në zyrën kryesore, përballja me një foto të madhe në mur, ku në Komisionin Qendror të “Vatrës”, në vitet 1917-1918, dallohet edhe emri e pamja e atdhetarit të madh hoshtevjat STATH SULI.
2. Nga shfletimi i Albumit të “Vatrës”, 1953-54, ku patrioti Xhorxh Puleshi (George Pouleshi) ka vendosur fotografinë e famshme hoshtevjate të 1912 , me 24 burra, u spjeguam zotërinjve drejtues të “Vatrës” lidhjen mes emrave të fotos dhe pjesëmarrësve të ditës së sotme. Midis tyre, Filip Kristani është gjyshi i këtyre dy djemve që shihni sot këtu: Filip dhe Hektor Kristani. Po ashtu, edhe Anastas Konomi është stërgjyshi i tyre nga nëna. Mitro Saqellari,- u thashë,- që është duke ardhur këtu, ka patur emigrantë në Amerikë gjyshin e vet Mitro Saqellarin dhe 3 vëllezërit e tij: Rakon, Vangjelin dhe Anastasin. Pikërisht, Vangjel Saqellari është në këtë foto. Këta me mbiemër Kasapi janë dajo të mëmës sime dhe të tjerë me këtë mbiemër-kushërinj të parë të joshës sime.
3. I gjithë sfondi i mureve të kësaj Shtëpie i mbushur me fotografi madhore të Nolit e Konicës dhe shumë të tjera, ku pasqyrohen veprimtaritë më të fuqishme të “ Vatrës” ndër vite, na ktheu në nxënës.
4. Mikpritja tipike shqiptare e të gjithë drejtuesve të Shtëpisë dhe fjalët e tyre të mençura.
5. Në fund të Takimit, inxhinier Filip Kristani i dhuroi Kryetarit të “Vatrës”, Z. Dritan Mishto, dy kopje të librit “Hoshteva dhe hoshtevjatët”, në emër të autorëve të librit.
6. E fundit fare, një sërë fotografish me të gjithë pjesëmarrsit.

Dhe… të mos harrojmë, të dashur bashkëfshatarë, edhe një herë, pjesëmarrjen e Elio Qirkos…, mesazhin domethënës që ajo përcjell ndër breza!…

Mirutakofshim herësh të tjera më shumë dhe më mirë!(Vijon)

Filed Under: Featured Tagged With: Koco Sterjo, ne Vater, TAKIMI I HOSHTEVJATËVE

WORCESTER MA- ME DARDHARËT E SHOQËRISË “BLETA” NË PIKNIK

June 20, 2018 by dgreca

OLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERAOLYMPUS DIGITAL CAMERA2 Usteri

WORCESTER MA- ME DARDHARËT E SHOQËRISË “BLETA” NË PIKNIK

Nga Thanas L. Gjika/

Banorët e fshatit Dardhë me punën, mikpritjen, me karakterin e tyre të logjikshëm e të gëzueshëm, me këngët e vallet, i kanë dhënë këtij fshati një emër të bujshëm, që ka tërhequr dhe tërheq gjithë shqiptarët. Për shkak të këtyre karakteristikave të banorëve të saj dhe të ndihmave të mërgimtarëve të shpenzuara me mençuri, ky fshat arriti që në vitet 30-të të shekullit XX-të, të bëhej një qendër turistike ku kalonin pushimet shumë korçarë, madje dhe shqiptarë nga krahina të tjera. Në këtë drejtim Dardha la pas çdo fshat tjetër të krahinës, por dhe Voskopojën dhe Vithkuqin, këto dy ish-qytete që kanë pasur e kanë pamje natyrore shumë të bukura, deri diku edhe më të bukura se ato të Dardhës.

Banorët e parë të Dardhës ishin shqiptarë të grumbulluar nga fshatra e qytete të ndryshme për të mos u konvertuar në fenë e pushtuesit. Bashkëjetesa midis tyre ka arritur një mirëkuptim e fqinjësi për t’u lakmuar. Në historinë gati 400-vjeçare të këtij fshati, nuk është shënuar asnjë vrasje midis banorëve dhe as midis banorëve dhe vizitorëve. Mirëkuptimi dhe respekti ka sunduar dhe vijon të sundojë edhe sot midis dardharëve kudo ku jetojnë nëpër Shqipëri dhe në mërgim. Duke qenë një fshat i madh malor me toka të pakta, rrethuar me pyje të shumta, banorët e tij ushtruan që herët krahas bujqësisë e blegtorisë edhe zanatin e druvarit e të sharrxhiut. Së pari ata filluan mërgimin sezonal duke punuar si druvarë e sharrxhinj nëpër zonat rreth e rrotull deri në Greqi, e më vonë morën edhe rrugët e kubeteve të largëta, midis të cilave pëlqyen më shumë Rumaninë dhe Amerikën.

Karakteristikë e mërgimtarëve dardharë ka qenë prirja e tyre për t’u organizuar në shoqëri me programe mirëbërëse për fshatin e tyre. Këtu në SHBA ata e krijuan shoqërinë e parë më 1905. Një vit më vonë ishte dardhari Sotir peci që filloi botimin e gazetës “Kombi” së parës gazetë shqipe në SHBA me manaxher dardharin tjetër Gjolekë Konda. Ishin dardharët ata që ndihmonin më shumë se mërgimtarët e tjerë financimin e gazetës, krahas mbledhjes së ndihmave për të ndihmuar rregullimin e rrugëve brenda fshatit, e rrugës Dardhë-Korçë, vorrezat e fshatit, ujësjellsin dhe çezmat, shkollën shqipe, etj.

Më 1984 dardharët e Shqipërisë zhvilluan një sesion shkencor për historikun e fshatit dhe pastaj i mblodhën e i botuan kumtesat e atij sesioni. Zonja Adriana Koruni (Stefani) dhe z. Vaskë Bruko i kanë pasqyruar disa të dhëna kryesore të këtij historiku në website-in <Dardha.org>, ku përmenden shumë fakte me vlera njohëse, si rritja e fshatit gjatë shek. XIX-të në gati 500 shtëpi, përdorimi i 148 mbiemrave familjarë, përmendja e emrave të dardharëve më të shquar të mërgimit në SHBA, si William Gregory, astronauti që shpalosi flamurin shqiptar në Kozmos, Kosta Isak, Josif e Vasil Pani, Kosta Raci, Thoma Nasi (kompozitor dhe dirigjenti i Bandës VATRA), Thoma Vishnja, Kostë Mangëlli, Ilo Zdruli, Misto Millona, etj.

Aty mësova se dardharët e rinj Petro Vishnja, Thoma Nasi, Koli P. Kaçauni, Gaqi L. Qano, Nikolla K. Isak, Vangjush Çika, u diplomuan nëpër shkolla të larta amerikane dhe e nderuan veten dhe Shqipërinë duke shërbyer në punë të ndryshme. Dardha ka nxjerrë dhe disa piktorë e fotografë, nga familjet Zengo, Sulidhi, etj.

Shoqëria më jetëgjatë e dardharëve të SHBA-ve ka qenë shoqëria “Mbleta” e cila u krijua nga riorganizimi i shoqërive të mëparshme në vitin 1918 dhe vijoi veprimtarinë e saj për gati 70 vjet deri nga fundi i viteve 80-të të shekullit të kaluar.

Në vitet e para mbas ndërrimit të sistemit, dardharët që jetonin në Tiranë krijuan shoqërinë “Shpresa”, kurse dardharët që erdhën këtu në SHBA krijuan shoqërinë “Bleta” në respekt të shoqërisë “Mbleta”, me kryetar z. Sotir Pani. Rifilluan përsëri takimet për të nderuar shkrimtarë, gazetarë, etj, mbrëmjet dhe ja tani dhe pikniket e dardharëve. I paharruar do të mbetet ing. Jani Melka (1940-2004) si një nga veprimtarët më aktivë të këtyre rifillimeve.

Disa vjet më parë, gjatë drejtimit të kësaj shoqërie prej Prof. Dhimitër Skende u ndërmor mbledhja e ndihmave financiare për rindërtimin e kambanores së Kishës së Shën Gjergjit, këmbanore e cila u prish prej regjimit komunist kur u krijua kampi i pushimit të punëtorëve në Dardhë. Kryetari Skënde, i ndihmuar dhe prej shokut të afërm Frank Zdrulit, siguroi bashkëpunimin për këtë nismë dhe të besimtarëve të kishës “Fjetja e Shën Marisë” Worcester MA, sidomos të të ndjerëve Father Spiro Page dhe ing. Philip Giantri; Mitropolitit të Korçës Imzot Johan Pelushi. Nga ky bashkëpunim u arrit grumbullimi i shumës së nevojshme, e cila u dërgua në fshat. Me këto pare u  rinovuan disa ambjente të kishës së Shën Gjergjit dhe u rindërtua këmbanorja e re në formën e saj origjinale. Sot kjo kishë është kthyer në një simbol besimi për banorët dhe vizitorët e Dardhës.

* * *

PIKNIKU I 16 QERSHORIT 2018

Më 16 qershor shoqëria “Bleta” sipas lajmërimit që kishte shpërndarë në facebook dhe me telefona, mblodhi tek pika çlodhëse “Purgatory  Chasm” në Auburn MA anëtarë dhe miq të shoqërisë për të kaluar disa orë së bashku. Organizatorët e piknikut, Dhimitër Skende, Frank Zdruli dhe Klodi Melka, shkuan që në ora 8:00 AM, lajmëruan zyrtatët e pikës turistike dhe zunë vendin me më shumë tavolina pranë parkingut kryesor. Parkimi i makinës kushtonte $ 5:00 për gjithë ditën.

Njerëzit filluan të mblidhen aty nga ora 9:00. Shumë prej tyre erdhën me gjithë fëmijët të moshave të ndyshme. I papërtuari Klodi Melka mblodhi shkarpa dhe i vendosi mbi qymyrin e gurit, e ndezi zjarrin dhe priti me durim derisa u krijua prushi për pjekjen e mishrave.

Ndonëse ishte ditë kur kishte ndeshje të kampionatit botëror, aty erdhëm nja 50 dardharë nga Massachusets dhe Conecticut, burra e gra, disa me prindërit e disa me fëmijët.

Filluan lodrat me topa, bisedat në grupe, pastaj Jani Kotnani me kitarën e tij krijoi një grup që ia mori këngëve korçare. Kiço Zdruli, si zakonisht u muarr me filmime me aparatin e tij. Ai xhiroi mjaft momente nga bisedat e grupeve, këngëtarët, pjekësit e qofteve, salçiçeve, hamburgerve, tryezat e ngrënies etj. Me materialet që ka grumbulluar Kiçua, në të ardhmen duke bashkëpunuar me z. Sotir Millona mund të krijojnë një film dokumentar për veprimtaritë e dardharëve në Amerikë.

Në filim unë u takova me z. Dhimitër Skënde dhe gjatë bisedës me të mësova disa të dhëna të panjohura për Father Spiro Page (1930-2014), shqip i thoshim Atë Spiro Paze. Ai ishte prifti që shërbeu më gjatë në kishën tonë “Fjetja e Shën Mërisë”. Father Spirua ishte bir i familjes dardhare Paze, dhe ishte prifti i fundit i shugurar prej Peshkop Theofan Nolit në vitin 1962. Ai shërbeu gjithsej 52 vjet si prift orthodoks shqiptaro-amerikan. Nga këto vite ai shërbeu në kishën e Ustërit mëse 30 vjet dhe meriton ta përkujtojmë veçmas në ndonjë nga takimet e shoqërisë “Bleta” dhe t’ia vendosim foton në sallën e poshtme të kishës ashtu si kemi vendosur dhe foton e Atë Thimi Theodosit. Nuk dua të le pa përmendur edhe faktin se kisha orthodokse shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” u projektua prej dy arkitektëve dardharë, vëllezërit Isak.

Më tej u hap biseda për shoqërinë “Vatra”. Dhimitri është nënkryetar i degës së kësaj shoqërie për qytetin Ustër (Worcester MA), kurse unë kryej detyrën e sekretarit. Dhimitri thirri të vëllanë e tij, z. Koço dhe i propozoi të bëhej anëtar i “Vatrës”, sugjerim të cilin ky e pranoi dhe premtoi se do ta dorëzonte çekun brenda muajit qershor. Pastaj iu drejtua z. Vaskë Bruko, por ky tha se nuk dëshironte të bëhej anëtar i “Vatrës”, mbasi kjo shoqëri nuk është thjesht një shoqëri patriotike e kulturore, por shpesh merret dhe me politikë. Mesa duket qëndrimi i djathtë i “Vatrës” nuk i pëlqen këtij dardhari…

E lamë Vaskën dhe iu afruam zjarrit ku futëm disa nga ushqimet tona për t’i ngrohur sepse i kishim marrë të gatshme nga shtëpia.

Njoha aty disa dardharë që nuk i kisha njohur më parë si djaloshin Kristi Pina (Raci) student për Computer Science, mekanikun Mondi Ballo nga Zheji, i cili është dhëndër në Dardhë. Ky më njohu me djalin e tij simpatik Tomin, për të cilin tha se e kishte marrë me revan procesin e amerikanizimit dhe lexonte shumë pak shqip…

Më interesoi shumë njohja me z. Sotir Karamelo nga Sinica, martuar dhe ky me një vajzë Dardhe. Sotiri më prezantoi me djalin e tij Janin, gjimnazist. Më intrigoi mbiemri Karamelo dhe e pyeta Sotirin a e kishte fis Thoma Karamelon. Me disa fjali ai më tregoi se ky kushëri i tij kishte qenë një nga ata gjemnazistët e Liceut të Korçës që bashkë me Raqi Qirinxhiun dolën partizanë. Disa vjet mbas luftës, Thomain e dërguan në Bashkimin Sovjetik për t’u specializuar si punonjës i Sigurimit. Mirëpo, ky pasi u kthye në atdhe, kur pa shkelje dhe krime që kryheshin prej punonjësve të Sigurimit u pendua që i kishte hyrë asaj rruge dhe u shpreh kundër politikës së partisë shtet. U dënua dhe pasi kreu shumë vjet burg dhe internim u lirua më 1990…

Kur i shpreha dëshirën për të mësuar më shumë për këtë komunist të ndershëm, që guxoi ta shprehte pendesën e vet hapur, Soriti më tha se ishte shkruar një libër për jetën e Thomait dhe do të ma japë ta lexoj. U ndamë pasi i mora shënim numërin e telefonit dhe e falenderova për gadishmërinë për të më dhënë librin.

Më tej në një tavolinë ku disa gra po provonin lakrorët e njëra tjetrës, takova zonjën Elsa Gjino (Peci), ish-bashkëshorte e gjeneralit Vaskë Gjino, një nga kuadrot më të përgatitur të ushtrisë sonë, por që Enver Hoxha e dënoi padrejtësisht me grupin e Beqir Ballukut. Elsa ka dy djem të martuar e me fëmijë, por ata janë dhënë pas punëve dhe familjeve të tyre dhe nuk afrohen nëpër veprimtari të shoqërisë dardhare edhe pse anëtarët e kësaj shoqërie, si dhe gjithë ne të tjerët, kemi nevojë për të mësuar nga jeta e tyre në internim, ku humbën vitet më të mira të rinisë së tyre pa asnjë shkak. Bisedat me ta do të ndihmojnë për çlirimin e shumë njerëzve që vuajnë ende nga nostalgjia ndaj sistemit komunist…

Aty nga ora 2:00 PM e mori fjalën Frank Zdruli, i cili doli  përballë tavolinave dhe dha disa mendime për të ardhmen e shoqërisë. Midis tjerash ai tha:

“Këtë piknik e organizuam me rastin e 100-vjetorit të shoqërisë “Bleta”.

          Shoqëria civile amerikane dhe ne si pjesë përbërëse e saj kemi kaluar shumë etapa emancipimi dhe zhvillimi. Në të njëjtën kohë shoqëria Shqiptare në atdhe, si pasojë e një shpërfytyrimi dhe degjenerimi gjatë viteve të diktaturës çnjerëzore, sot gjendet në nje amulli të plotë korruptimi dhe degradimi. Gjithashtu nëqoftëse 100 vjet më parë shqiptarët kishin nevojë për një rindërtim të institucioneve shtetërore dhe të një shteti kombetar, sot rruajtja e identitetit shpirtëror dhe territorial shqiptar nuk dëmtohet nga armiqtë e jashtëm por nga vetë papergjegjesia e elitës drejtuese brenda vendit dhe vendimeve të papërgjeshme që po e shtysin vendin në një greminë në mes të Europës spekulative. Sot ne Amerikanët me origjinë shqiptare, pas tre a kater breza emigrimi, shikojmë vetëm një mundësi për të risjellë në vend integritetin kombëtar shqiptar. Kjo mundësi qëndron në organizimin dhe veprimin tonë si Amerikano Shqiptarë për të ushtruar një trysni të plotë kundrër këtij degradimi, që po vijon të dëmtojë thellë dhe të pengojë integrimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri te civilizuar perëndimore. Ne sot punën dhe kohën tonë të çmuar, nuk mund ta harrxhojmë vetëm ne piknike dhe festivale shqiptare, por do t’i vemë në funksion të rruajtes dhe përtëritjes së traditave dhe trashegimnisë shqiptare duke shpalosur integritetin tonë amerikan në lidhje me çeshtjen shqiptare. Përpjekjet tona si Amerikano Shqiptarë do të jenë për të sjellë drejtësi në gjithë padrejtësitë që vijojnë kundrejt nesh si dhe anashkalimet e legjislaturës dhe rregulloreve ligjore nga administratat e shtetit Shqiptar dhe Amerikan. Gjithashtu do të vlerësojmë arritjet dhe kontributet e komuniteteve tona respektive në ecurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë Amerikane.

          Qytetaria Amerikane e jona nuk është një kartë udhëtimi me avion por është dëshmi e integrimit që ne mund dhe duhet t’ua u trasmetojmë dhe shqiptarëve të Shqipërisë në përpjekjet e tyre për drejtësi.

          Ky është i vetmi koncept që mund të drejtojë Shqiptarët drejt demokracisë së vërtetë dhe mund të realizohet vetëm kur ne Amerikanët me origjinë Shqiptare do të vlerësojmë si duhet interesin dhe integrimin tonë në këtë shtet të Lirisë si Amerikanë dhe më tej duke e rruajtur këtë interes mund t’ia transmetojmë edhe shoqerisë në Shqipëri për ta nxjerrë në rrugën e integrimit të vërtetë.

Së fundi, tha z. Zdruli, kryesia e shoqërisë “Bleta” mendon që në vjeshtë të organizojë një mbrëmje fondmbledhëse për rindërtimin e tremit rreth kishës së Shën Gjergjit, sepse muret e saj po dëmtohen nga lagështira.”

Më tej vijuan lodrat, këngët, të ngrënat e të pirat me shëndete dhe bisedat. Shumica u shpreh se do të ishte mirë që shoqëria “Bleta” ta caktonte çdo vit një ditë të djele për organizimin e piknikut, sepse bashkimi i njerëzve në të tilla ambjente i afron më shumë dardharët e këtushëm dhe miqtë e tyre, sesa mbrëmjet nëpër restorante…

 

Filed Under: Featured Tagged With: E SHOQËRISË “BLETA”, ME DARDHARËT, NË PIKNIK, Thanas Gjika

DEMOKRACITЁ E BRISHTA EVROPIANE

June 20, 2018 by dgreca

1-Eugjen-Merlika-225x300

Shkruar nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/ Nё ndodhitё politike t’Evropёs sё sotme ёshtё e lehtё tё lexohet njё pёrkim i veçantё i ngarkuar me shumё mёsime. Pёrkimi ёshtё ai ndёrmjet krizёs sё zvaritur (por tani jo dhe aq) tё regjimeve demokratike evropiane dhё, nё tё njёjtёn kohё, tёrheqjes sё Shteteve tё Bashkuara nga teatri i kontinentit tё vjetёr. Nuk ёshtё njё pёrkim rastёsor. Nё fakt, ashtu sikurse qe vetёm fitorja e anglo – amerikanёve, por nё thelb kryesisht e Sh.B.A., qё nё 1945 pёrcaktoi ardhjen n’Evropё tё regjimeve tё qёndrueshme demokratikё, kёshtu sot duket se ndodh njё dukuri e njёjtё nё kah tё kundёrt. Largohet prania e Shteteve tё Bashkuara nё kontinent dhe jo rastёsisht, nё pёrkim me kёtё largim, demokracitё evropiane janё gjithёnjё e mё shumё nё hall tё madh.

Shumё shpesh harrojmё se n’Evropё demokracia – demokracia liberale e hapur kundrejt tё drejtave shoqёrore, qё ёshtё ajo pёr tё cilёn po flasim – nuk ka patur njё jetё tё thjeshtё. Ёshtё mjaft nё dyshim, sa pёr tё filluar, qё mendimi i madh, i zhvilluar nё kontinent qё nga Platoni tek Heideggeri, ka qёnё pёr tё shumё i dobishёm : e po kёshtu fetё e Kishave mё tё mёdha tё saj, duke filluar nga ajo katolike. Qё nё fillim, zhvillimi i saj politik u gjend nё luftё me pushtete tё lashta, tradita tё ndritura dhe hjerarki tё pёrforcuara; rrezikohej nё çdo hap nga radikalizma shoqёrore vёshtirёsisht tё zotёrueshme.

Ka ndodhur kёshtu, qё mbas disa sukseseve tё rёndёsishёm tё shekullit XIX, dyzetvjeçari i parё i Nёntёqindit evropian, pa demokracinё nё tёrheqje pёrparuese, tё paaftё tё grumbullonte rreth vetes njё miratim tё mjaftueshёm t’i kundёrvihej kёrcёnimit tё ideologjive kundёrdemokratike tё sё djathtёs e tё sё majtёs. Ishte e paracaktuar tё provonte njё humbje mbas tjetrёs, deri nё mёnxyrёn pёrfundimtare tё 1940-ёs. N’atё datё, vetёm dy qoshe tё Evropёs kontinentale, Zvicra e vogёl dhe Suedia mbaheshin ende nё liri. E lёnё nё vetvete historia evropiane kishte shkuar nё njё pёrfundim tё kёtillё.

Ёshtё e dobishme tё mos harrojmё. Ҫfarё do tё kishte ndodhur nёse mё 1940, nuk do tё ishte qёndresa e vetmuar e Britanisё sё Madhe kundёr Gjermanisё naziste, aleate me komunizmin stalinian (dhe kёtё duhet tё kujtojmё: Stalingradi erdhi mbrapa, vetёm mbasi Hitleri sulmoi BRSS), e mё pas hyrjen vendimtare tё SHBA nё luftё? Ҫfarё fundi do tё kishte patur demokracia n’Evropё?

Pёr fat ato gjёra qenё. Fitorja anglo – amerikane dhe prania e gjatё e SHBA nё kontinent – krejt tjetёr nga “Yankee go home!”, e gёrthitur prej vitesh nga shumё bashkatdhetarё tanёt pa tru, deri pardje – kanё qenё vendimtare pёr tё bёrё tё mundur lindjen dhe/ose pёrforcimin e regjimeve politike nё tё cilёt kemi jetuar nё mbasluftёn e gjatё (e sё fundi, pёr tё çliruar Evropёn e Lindjes). Pёr regjimet tona demokratikё, me qёndrёn demokristiane e tё majtёn socialdemokrate, nё cilёsitё e protagonistёve tё plotfuqishёm, me ideologjitё e sё djathtёs dhe aktorёt e tyre shoqёrorё tё lёnё rreptёsisht mёnjanё, dhe me miratimin masiv, tё siguruar nga shpёrthimi i kapitalizmit tё konsumit, nga rritja e pagave dhe nga politikat keyneziane. Edhe gjithё kjo e ndёrthurur nё mёnyrё vendimtare nё marrёdhёnien me SHBA, e mbrojtur nё botё nё çdo drejtim nga mburoja amerikane.

Por pikёrisht marrёdhёniet me SHBA, janё marrёdhёnie qё pashmangshmёrisht po shkojnё drejt drobitjes sё tyre, qё çdo ditё shpejtohet. Nga Bushi i fundit punё pa mbaruar, tek presidenca e tepёr ngordhalaqit Obama, deri tek ajo tuafe e me huqe e izolacionistit-proteksionist Trump, prej kohёsh dy brigjet e Atllantikut nuk bёjnё gjё tjetёr veçse tё largohen. Prej kohёsh Amerika duket se ka vendosur tё tёrhiqet nga kjo pjesё e botёs (e jo vetёm). Sigurisht ёshtё ende NATO, por tashmё e prirur pёr tё qenё vetёm njё organizёm thjesht ushtarak. Njё organizёm qё nga ana tjetёr – pa atё lidhjen e brёndёshme qё sigurohet nga njё bashkёndarje e vёrtetё e vlerave, pa perspektiva e shpresa tё pёrbashkёta, e molepsur nga besimi shumё i pakёt dhe nga mosmarrёveshjet nё rritje tё pёrbёrёsve tё saj, e dobёsuar nga dobёsimi i pёrgjithshёm i drejtimit amerikan – edhe nё rrafshin ushtarak nuk ёshtё mё ajo e njё kohe.

Evropa, pra, ёshtё e vetme, mbas Brexit ёshtё ende mё e vetme nё kontinentalitetin e vet. Nё kёtё vetmi rikthehen nё skenё gjithё karakteret e kundёrta tё gjeopolitikёs sё saj. Kthehet shtyrja e fuqishme hegjemonike e Gjermanisё, gjithmonё nё vёshtirёsi kur bёhet fjalё pёr t’i dhёnё njё formё tё qёndrueshme tё miratuar kёsaj hegjemonie, gjithёnjё e mё shumё e prirur drejt lindjes. Kthehet dёshira jashtё mase dhe e shpёrndarё e Francёs, pёrjetёsisht e pavendosur rreth objektivit pёr tё zgjedhur. Kthehet nё Lindje e mbi Balltik masa kёrcёnuese ruse. Kthehet nё jugё thyeshmёria e drejtimit mesdhetar, e zbuluar  ndaj rreziqeve tё reja e tё lashta qё vijnё nga Afrika e Veriut dhe nga Lindja. Kthehet madje edhe dinamizmi turko – ottoman drejt Ballkanit, sot mё i fuqishёm nga forca e rish ungjillizimit islamik.

Nё gjithё kёtё kuadёr zotёron thёrmimi i ideve, i qёllimeve, i vullneteve. Evropa ёshtё e pranishme e heshtur dhe e palёvizёshme para shfaqjes sё shqyerjeve tё saj, e pavendosmёrive tё saj. Nё kёtё Evropё tё lёnё nё vetvete e nё historinё e saj kthehen – me bashkёfajёsinё e gjёndjes ekonomike tё kundёrt: por jo gjithkund e jo nё pёrmasё tё tillё tё rёndё – kthehen veçanёrisht demonёt e historisё sё saj tё shkuar, qё nё dyzetvjeçarin e saj tё parё tё tmerrshёm tё Nёntёqindit, ndihmuan njёherё pёr shёnuar dёshtimin  e demokracisё nё kontinent. Kthehen krenaritё dhe sedrat kombёtare, ngasjet etniçiste, pёrshkeshmёria e lehtё nga demagogjia e masave, kundёrparlamentarizmi, pёrçmimi i politikёs dhe i partive. Kthehen mitet e komplotit tё pёrhershёm tё “financёs sё lartё”, kujdesi i acaruar pёr “pastёrtinё” dhe “natyrёn”, sot tё risjella nё versionin ekologjik, e mё pas njё farё parimi pёrçmues pёr institucionet ndёrkombёtare (nga Fondi Monetar tek Oms, tek Bashkimi Evropian), pёshtjellimi intelektual i shtresave tё mesme, e sё fundi protesta kundёr padrejtёsive tё tregut e kuptuar mё shumё si protestё kundёr globalizimit. Siç shihet janё demonё tё lakueshёm si nё drejtim tё djathtё ashtu si dhe n’atё tё majtё (edhe qeveria Di Maio – Salvini ёshtё , nё llojin e saj njё qeveri kuq e zi : jo rastёsisht pikёrisht ashtu siç ndodhi dikur, n’epokёn e dёshtimit tё demokracisё nё kontinentin tonё.

Sigurisht mund tё ngushullohemi  duke menduar se historia nuk pёrsёritet kurrё dy herё. Por nga asnjё anё nuk ёshtё shkruar se mbas sё keqes nuk mund tё vijё njё e keqe akoma m’e madhe.

“Corriere della Sera”, 18 qershor 2018  E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: DEMOKRACITЁ, E BRISHTA EVROPIANE, Eugjen Merlika

Kosova dhe Serbia në finalen e dialogut

June 20, 2018 by dgreca

-Të dielën e 24 qershorit 2018 do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë/

 -Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Nuk kemi çka t’i druhemi dialogut dhe as epilogut të tij/

 Thaci-Vucic

-Presidenti u bën ftesë publike subjekteve politike për përfshirje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

 -Takimi i katërt i presidentëve Thaçi e Vuçiç, 30 raunde kryeministrore…Historia e dialogut Kosovë-Serbi në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 20 Qershor 2018/ Të dielën e 24 qershorit 2018 do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kështu deklaroi sot në konferencë shtypi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas ftesës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel. Presidenti i Kosovës u ka bërë thirrje publike subjekteve politike që të bëhen pjesë e ekipit negociator.“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të këtij dialogu është arritja e marrëveshjes ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Jam i bindur që ka ardhur koha, që pas bisedimeve të cilat në një mënyrë apo tjetrën po zgjasin tash e njëzet vjet, që të nënshkruhet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën do të përfundonte një epokë tragjike, mbi njëshekullore, në raportet në mes të dy shteteve dhe popujve”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka thënë se nuk kemi çka t’i druhemi dialogut dhe as epilogut të tij.“Si shoqëri dhe politikë e Kosovës, kemi pasur guximin, dijen, organizimin e duhur, pajtimin në mes nesh, si në Konferencën e Rambujesë, ashtu edhe në Procesin e Vjenës, që përmes negociatave dhe luftës së drejtë ta arrijmë çlirimin e Kosovës, e pastaj ta mundësojmë edhe shpalljen e pavarësisë, respektivisht krijimin e shtetit të Kosovës. E di, gjithashtu, që na presin bisedime të vështira, sepse tani synojmë që ta përmbyllim këtë proces duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike dhe politike me Serbinë. Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO, për ta siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Kosova edhe në këtë fazën finale të dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka theksuar se do ta ketë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që janë thellësisht të interesuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Gjithashtu, ai ka thënë se edhe BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të interesuara më shumë se asnjë herë më parë, që të arrihet marrëveshja për normalizim, si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në BE.I pari i vendit ka shtuar se në bazë të mandatit kushtetues, si President i Republikës së Kosovës e ka obligim kushtetues që të përfaqësojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, respektivisht t’i prijë këtij dialogu deri në fund.“Çështja e dialogut me Serbinë dhe e arritjes së kësaj marrëveshjeje ka gjithsesi karakter të interesit nacional dhe shtetëror për Kosovën. Për këtë shkak, mendoj që nevoja për arritjen e kësaj marrëveshjeje i tejkalon mandatet politike tona të përkohshme, shkon edhe përtej raporteve aktuale midis partive qeverisëse dhe atyre opozitare, duke i bërë jorelevante relacionet afatshkurtra midis politikanëve dhe partive kosovare. Kjo çështje na takon të gjithëve. Është interes i të gjithë neve dhe i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

 Për këtë shkak, ai ka thënë se ka theksuar shumë herë në javët dhe muajt e kaluar, që është e domosdoshme që të krijojmë një delegacion gjithëpërfshirës të Kosovës, të përbërë nga përfaqësuesit e partive politike, shoqëria civile, mediat, ekspertët e fushave të caktuara dhe të punohet bashkërisht.“Mendoj se një gjë e tillë do ta bënte këtë proces shumë më transparent, shumë më kredibil dhe përfundimisht më të pranueshëm dhe të zbatueshëm në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Jam i gatshëm për t’i trajtuar të gjitha idetë dhe propozimet të cilat do të na bëjnë sërish bashkë, si politikë dhe si shoqëri, për t’u përballur si duhet me sprovën që na pret tash e tutje”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se koha është duke ecur shpejt dhe kërkohet përgjegjshmëri në këtë proces.“Unë jam i sigurt se Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë në çdo rrethanë dhe do të dalë fituese në këtë proces, i cili është i dizajnuar në mënyrë të tillë, që në fund dhe në rast të arritjes së marrëveshjes, të gjitha palët e përfshira do të përfitojnë. Ky nuk është një proces që do të prodhojë humbës. Prandaj, dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se procesi do të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe unë do të mbrojë interesin e Kosovës, ashtu siç e kam bërë gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se thirrja që në delegacionin e Kosovës të përfshihen të gjithë akterët është thirrje institucionale, e ndershme dhe meriton një përgjigje afirmative.Ndërsa, nëse do të  ndodhë një gjë e tillë dhe deri në çfarë shkallë mund të arrijë krijimi i një delegacioni gjithëpërfshirës, presidenti ka thënë se kjo mbetet të shihet.

 Në çdo rrethanë, kreu i shtetit ka thënë se dialogu do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme, kurse marrëveshja përfundimtare eventuale do të kalojë nëpërmjet institucioneve tona shtetërore, të cilat do të vendosin për ratifikimin e saj.Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i  të dielës së 24 qershorit 2018 do jetë i katërti, ndërsa i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova dhe Serbia, në finalen e dialogut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT