• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

PËRSËRI ANASHKALOHET SHQIPËRIA

June 18, 2018 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi të shtunën se Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, filloi të djelën një vizitë prej pothuaj një jave në Evropë. Në njoftimin e DASH thuhet se kësaj radhe, Ndihmës Sekretari i Shtetit do të ndalet në Bukuresht të Romanisë ku pritet të takohet me udhëheqës të lartë të vendit dhe me analistë të pavarur për të diskutuar mbi sigurimin rajonal dhe për bashkpunimin ekonomik.  Gjatë qëndrimit të tij në Rumani, zyrtari i lartë amerikan për punët evropiane do të kryesojë delegacioni amerikan I cili po merr pjesë në Dialogun e gjashtë amerikano-rumun dhe do të mbajë një fjalim në Universitetin e Bukureshtit.  Pas Bukureshtit, diplomati i lartë amerikan Wes Mitchell do të vizitojë Zagrebin ku do të takohet me 19 qershor me zrytarët  më të lartë kroatë për të biseduar me ta mbi zhvillimete fundit në Kroaci dhe në rajon, duke përfshirë, sipas njoftimit të DASH edhe stabilitetin në rajon dhe sigurinë energjetike.

Nga Kroacia, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë do të niset për në Pragë për të marrë pjesë në Dialogun Strategjik-amerikano-çek dhe do të mbajë një fjalim të sponsorizuar nga Samiti Evropian i Pragës dhe Instituti Globsec. Në vazhdim të vizitës së tij në Evropë, diplomati i lartë amerikan do të shkojë në Bruksel ku përveç takimit me Zevëndës Kryeministrin belg, Alexander De Croo, pritet të diskutojë me zyrtarët e lartë evropian, bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe të mbajë një fjalim në Institutin Carnegie të Evropës, para se të këthehet në Washington.  Një vizitë në Shqipëri nuk pasqyrohet në itinerarin e vizitës në rajon të zyrtarit më të lartë amerikan për Evropën dhe Euroazinë.

Marsin që kaloi, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, si i ri në këtë detyrë, zhvilloi vizitën e tij të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke vizituar me atë rast, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron.  Në Prishtinë, zyrtari i lartë amerikan zhvilloi takime me zyrtarë të laartë të Republikës së Kosovës, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe me përfaqsues të tjerë politikë dhe të shoqërisë civile të Kosovës, ku u bisedua për marrëdhëniet e ngushta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për tejkalimin e sfidave rajonale që do të bëjë të mundur stabilitetin dhe integrimin në organizmat perëndimore.  Edhe kësaj radhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell nuk vizitoi Shqipërinë, megjithëse ishte si të thuash aty në mahallë.

Diplomati i lartë amerikan për çështjet evropiane dhe aziatike as në vizitën e tij të parë në Evropë, nëntorin e vitit të kaluar, nuk e kishte në shënjestër Shqipërinë duke e anashkaluar edhe me atë rast Tiranën, megjithëse vizita e tij ishte kryesisht në kryeqytetet e mëdha evropiane, si Parisi, Londra, Berlini, Vrashava e Kievi, qëllimi i të cilës ishte që të ritheksohej angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës transatlantike dhe ndaj partneritetit amerikano-evropian, nga administrata e Presidentit Trump.

Kuptohet që gjatë kësaj vizite të kryediplomatit amerikan për punët evropiane dhe euro-aziatike në vendet kryesore aleate të Amerikës, të mos përfshihej vizita e tij në Shqipëri, por është pak e vështirë të kuptohet ose të arsyetohet se pse është anashkaluar Shqipëria dy herë gjatë vizitave të këtij diplomati, në rajonin e Ballkanit perëndimor.

A po ndodhë diçka në Shqipëri që po tundë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë duke afektuar kështu negativisht edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikano?  Është e pamundur të mos bëhet pyetja se pse po anashkalohet Shqipëria nga vizita të tilla të zyrtarëve të lartë amerikanë, sidomos kur janë aty për vizita zyrtare në Ballkanin Perëndimor, duke vizituar vendet kufitare me Shqipërinë?  Anashkalimi i Shqipërisë është krejt në kundërshtim me vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë që po ndodhin në rajon dhe i pa shpjegueshëm.  Është një “hap pele”, siç thotë fjala popullore, nga Prishtina, Shkupi ose Athina, por edhe nga Beogradi e Zagrebi, për të shkuar në Tiranë, por duket se është një anashkalim i qëllimshëm.

Duhet bërë gjithashtu pyetja se ndonëse anashkalimi i Shqipërisë nga vizitorë të lartë amerikanë si Dr. Wes Mitchell është i dukëshëm ose më mire të themi është i qartë, është më pak e qartë se cila është arsyeja ose arsyetë që shkaktojnë një anashkalim të tillë?

Këto janë pyetje që duhet të bëhen nga të gjithë ata të cilëve u interesojnë marrëdhëniet e mira midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe për të gjithë ne të cilët kemi shfaqur shqetësim me kohë se diçka nuk po shkon mirë në këto marrëdhënie.  Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk janë në interesin afat gjatë të Shqipërisë, të shqiptarëve në përgjithësi dhe as të paqës dhe sigurisë në rajon.  Nëse zhvillimi normal i këtyre marrëdhënieve po preket negativisht nga flirtimet me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina, ose nga gjëndja e mbrendshme politike në Shqipëri, ie. nga trafikimi i drogës, nga krimi i organizuar e korrupsioni, nga mungesa e sundimit të ligjit, ose nga vet marrëdhëniet personale (ose mungesa e tyre) të udhëheqsve më të lartë të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, kjo mbetet për t’u parë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anashkalohet Shqiperia, Frank shkreli, Ndihmës Sekretari Shtetit për Evropën, vizita

NIPRIT E VATRANËVE TË VJETËR ZAGORITË ANËTARËSOHEN NË VATËR

June 18, 2018 by dgreca

NJË PËRFAQËSI NGA HOSHTEVA E ZAGORISË NË SHBA, MYSAFIRË NË VATËR-/

1 e perbashk ElioRreth tryezes1 librat dorezohen1 Mitrua dyshe1 ag drit kater nga ata

Të Dielën, 17 Qershor 2018, një përfaqësi nga fshati Hoshtevë e Zagorisë, u takuan në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Përfaqësuesi i tyre Koço Sterjo i shkroi editorit të Diellit që më 1 qershor, ku i kërkonte që takimi i hoshtevjatëve të Zagorisë të fillonte në mënyrë simbolike në Shtëpinë e Vatrës në shenjë respekti për paraardhësit e tyre që emigruan në SHBA që në fillim të shekullit XX dhe shumë prej tyre ishin pjesë e Vatrës.

Edhe pse diela ishte një ditë pushimi dhe feste(Father’s Day), edhe pse ishin ndeshjet e Kampionatit Botëror, Kryesia e Vatrës u tregua e gatshme për t’i pritur mysafirët që udhëtonin nga shtete të ndryshme të Amerikës, ndërkohë që kishte dhe hoshtevjatë që ndodheshin në SHBA si vizitorë të përkohshëm tek fëmijët apo të afërmit e tyre.

Mysafirët u pritën nga Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, nënkryetari i Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i Kryesisë Zef Balaj dhe Editori i Gazetës “Dielli”.

Kryetari i Vatrës u uroi mirëseardhjen në Shtëpinë e Vatrës dhe i përgëzoi për këtë vizitë, pikërisht në  Ditën e baballarëve,  në respekt të paraardhësve të tyre, që dikur ishin pjesë e Vatrës dhe punuan që këtu për Hoshtevën e tyre, Zagorinë, Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë. Ishin vatranët ata që i dolën për zot Shqipërisë dhe nuk lejuan humbjen e pavarësisë. Më pas Kryetari shprehu keqardhjen e tij për boshatisjen e fshatit Hoshtevë, boshatisjen e Zagorisë dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të pamundësisë ekonomike për të jetuar në vendlindje.

Kryetari i Vatrës shprehu keqardhjen edhe për  ksuhtet e vështira në Hoshtevë pas prishjes së Urës 200 vjeçare, Monument Kulture  të Hoshtevës. Ai tha se Vatra mbanë qëndrime kritike për çdo qeveri shqiptare që nuk lufton për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, që nxit korrupsionin, që e kthen vendin në urë-kalim për trafikun dhe drogën, që cënon marrdhëniet miqësore me aleatët strategjik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheu i adaptuar i shumë shqiptarëve etj.

Në emër të Hoshtevjatëve ka folur Koço Sterjo, i cili ka falenderuar kryetarin e Vatrës për mikpritjen dhe më pas ka shpalosur historinë e Hoshtevës, emigrimin nëpër botë dhe ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen. Ai tha se hoshtevjatët ndjehen krenarë që përfaqësuesit e fshatit kanë qenë pjesë aktive e Vatrës. Ata kishin krijuar dhe nëj degë të Vatrës në Biddeford, Maine, ku shoqëria hoshteviane që egzistonte atje, në qershor 1912 u bë pjesë e Vatrës.

Në një nga albumet e Vatrës, George Pouleshi-me banim në Montreal të Kanadasë, pjesë e degës së Vatrës atje, bashkfshatar i hoshtevjanëve të Biddeford-it , botoi forgrafinë grupore të 24 hoshteviatëve, që ishin bërë pjesë e vatrës. Në fotografi ishin këta hoshtevjanë: Janaq Mihali, Kristaq Mihali, Stathi Souli, Andon Pali, Stefan Kristani, Rako Kasapi, Gache Pufi, Pandeli Pouleshi, Kicho Andoni, Alex Hilla, Grigor Nine, Dhimitraq Gjika, Mihal Mihali, Kolio Kristani, Jano Qirolari, Lipe Kristani, Vangjel Saqillari, Qirjanko Nder, Lipe Kasapi, Sotir Nine, George Pouleshi, Dhimitraq Andoni, Vasil Saqillari dhe Anastas Konomi.

Hoshtevjatët ndjehen krenarë se njëri prej emigrantët e hershëm nga fshati i tyre,Stathi Suli, arriti që me kontributin e tij të ishte përfaqësues i tyre në Komisionin drejtues të Vatrës për vitet 1917-1918, Komision që përbëhej vetëm nga shtatë vetë- ku kryetar ishte At Fan S Noli, sekretar Loni Kristo, arkëtar Gori Katundi.

Mysafirët i përshëndetën dhe shfaqën qëndrimet e Vatrës për çështjen kombëtare edhe nënkryetari  i  Vatrës Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë Zef Balaj dhe editori i Diellit.

Më pas diskutimet ishin të lira dhe secili shfaqi mendimin e tij se si mund t’i vihet në ndihmë vendlindjes.

Vellezerit Filip dhe Hektor Kristani, me banim në Nju Xhersi, në emër të të atit, Milo Kristani, që është bashkëautor i librit”Hoshteva dhe hoshtevjatët”, i dhuruan kryetari Mishto dy kopje të librit për bibliotekën e Vatrës.

Në fund një pjesë e mysafirëve plotësuan formularët e anëtarësimit në Vatër në respekt  të punëve të mëdha Kombëtare që ka bërë Vatra dhe në respekt të paradhësve të tyre, që panë tek Vatra, mundësinë e shpëtimit të Kombit.

Pas dy orësh takim në Vatër, hoshtevjatët u zhvendosën në një restorant në Bronx, për ti vazhduar atje bisedat.(dg)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Hoshtevjanet, mysafire en Vater

Shkolla Shqipe “Alba Life” perfundoi me sukses vitin shkollor

June 17, 2018 by dgreca

Shkolla Shqipe “Alba Life” New York perfundoi plot sukses vitin shkollor akademik 2017 të -2018-të/

1 deftesat okNga Keze Kozeta Zylo/*

Bukë, krypë, zemër dhe Abetare/

Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut mblodhi në mjediset e shkollës publike amerikane nxënës, mësues, prindër dhe gjyshër për të festuar së bashku përfundimin me sukses të vitit shkollor akademik 2017-2018.

Ka qenë një udhëtim me rrugë jo të shtruara, me shtigje herë të thepisura e herë lakuese, por ne ecim, ecim duke i kaluar së bashku herë me duartë tona të kapura si gjerdan i argjendtë e herë duke i dhënë njeri tjetrit lapsin e artë si shkop për të mos u rrëzuar në ndonjë rrëpirë…  Nga ecja e gjatë mësuam së bashku se:  “Ai që kapet dore për dore dhe lapsin e artë nuk e heq nga çanta udhëve të dijes, udhëve të shkronjave shqipe na bën të sigurtë se nuk humbasim kurrë, ngase 36 shkronjat e Alfabetit shqip janë si llampadarë ndriçues në çdo cep të globit ku ka shqiptarë, aty ku na hodhën fatet e përbashkëta.  36 Shkronjat e Alfabetit Shqip kanë qenë frymëzimi ynë, dashuria e pamasë, sakrifica më hyjnore, bashkimi më i pathyeshëm midis nesh, dhe e dini pse?  Se Gjuha Shqipe është Ashti i Kombit tonë, është palca e shpirtit që së bashku do kemi misionin më të bukur dhe adhurues për t’jua transmetuar ndër brezat tanë.  Ne si mësues e dimë mirë se çdo të thotë dhe se çfarë ndjejmë kur takojmë fëmijë shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë Atdheut se si po e harrojne Gjuhen Shqipe, janë miliona e miliona ndonëse të pa regjistruar, por ne së bashkur i kemi regjistruar si rruaza gjaku në kapilarët e zemrës shqiptare…

Nuk ka më kënaqësi, emocion dhe Shqipëri se të shikosh nxënësit e tu, koleget e nderuara, prindërit dhe gjyshërit të mblidhen së bashku dhe të marrin pjesë në gëzimin e mësimit Shqip këtu në New York, në një nga metropolitanët më të mëdhaja në botë.

Ndonëse fati si shqiptarë na ka shpërndarë në çdo cep të globit, na ka shkëputur fizikisht nga trupi i Mëmëdheut, përsëri ku ka ngulmime shqiptarësh siç ndodh këtu në New York, ka bashkime në grupime të mëdhaja që veprojnë legalisht për t’ju mësuar fëmijëve traditat e mrekullueshme dhe Gjuhën Shqipe.

Një nga këto grupime me plot vizion për ardhmërinë kombëtare është Shkolla Shqipe “Alba Life” që sapo festoi me madhështi 10 Vjetorin e saj në një nga sallat prestigjioze si Symphony Space në Manhattan, në kryeqendrën e botës.

Në mjediset e Shkolles publike amerikane PS:9 në Staten Island, çka shprehim publikisht mirënjohjen tonë të pakufishme për hapjen e dyerve të tyre u mblodhen së bashku shqiptaro-amerikanët e disa lagjeve të Nju Jorkut.

Ishte nje e shtune me gumëzhitje shqip dhe cicërima të ëmbla zogjsh që cicëronin papushim si tinguj pianoje në degëzat si pentagram të pemëve plot gjelbërim përreth shkolles. Atmosfera ishte tejet e këndshme dhe shkolla ishte aromatizuar me erën e gatimeve të amvisave të mrekullueshme shqiptare që dukej sikur sillnin bashkimin e Kombit.  Gatime si fli nga Kosova, tollumba plot ëmbëlsi nga Dibra, byrek përmeti dhe korçe, fërgese tirane, bakllava nga gjithë trojet si Ulqini, Mal I Zi, Kosova, Dibra, Shqipëria, Çamëria dukeshin sikur sollën takimin me gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare të trojeve tona kombëtare…

Eshte emocion dhe krenari të ndodhem midis jush u shpreh zv/drejtoresha e shkollës amerikane në Staten Island, znj. Teuta Ulaj.

I mahnitshëm ky aktivitet shqiptaro amerikan tha shërbestari i shkollës Joe që ka më shumë se 10 vjet që është midis nesh, një amerikan me vyrtyte të larta dhe përkushtim profesional ndaj punë që kryen.

Programin e moderoi plot kulturë zonjusha simpatike Rea Ulaj, mësuese dhe gazetare pranë TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Ajo tha: Përshëndetje të dashur nxënës, prindër, gjyshër dhe mësues,

Ja erdhi dhe dita e mbylljes së vitit akademik shkollor 2017 të – 2018 të dhe ne jemi të lumtur që po e kurorëzojmë me sukses.  Është vërtetë bukur që së bashku me ju sot do ta festojmë në formë aktiviteti në gjuhën Shqipe, pasi gëzojmë, këndojmë dhe kërcejmë së bashku shqip.

Shkolla Shqipe “Alba Life” ka me se të krenohet ajo ka plot 10 vjet që punon dhe ju mëson nxënësve Gjuhën Shqipe.

Ne kemi pergatitur një program dhe le ta fillojmë me Himnin Shqiptar.  Ju ftoj të gjithe të çohemi në këmbë për ta kënduar së bashku.

Pas Hymnit kombëtar shqiptar Rea ftoi themeluesin dhe drejtorin e Shkollës Shqipe “Alba Life z.Qemal Zylo i cili përgëzoi te gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit per bashkëpunimin e ngushtë dhe rrugën e drejtë nëpër të cilën kemi ecur, në rrugën e Rilindasve për të mësuar Gjuhën Shqipe, Gjuhën Hyjnore.

Ndërsa të gjitha mësueset si Entela Muda, Vlera Sela Thaqi, Dr.Valbona Zylo Watkins, Adelina Laçaj, Luljeta Xhediku, Kozeta Zylo, Ardita Miloti Vadahi,  shprehën refleksionet e tyre për punen plot përkushtim me nxënësit e tyre të dashur.  Të gjitha mësueset u mirëpriten me dashuri dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Dr.Zylo Watkins solli suprizën e bukur se ndërsa të gjithë nxënësit do të jenë me pushime, nxënësit e saj të rritur, studentë në kolegj etj, klasë që u hap semestrin e dytë, do të vazhdojnë mësimin shqip edhe gjatë verës, çka u mirëprit me duartrokitje dhe me pikëza loti nga vetë mësuesja e tyre.

Pas fjales së mësueseve u shfaq një vidio rreth Shkollës Shqipe “Alba Life” në 10-të Vjetorin e saj.

Moderatorja e programit Rea Ulaj tha se në këtë aktivitet qershia mbi tortë janë  nxënësit e Shkollës Shqipe të cilëve do t’ju dorëzohet Certifikata për vitin akademik 2017-të 2018-të.

Z.Qemal Zylo së bashku me mësueset iu ka dorëzuar certifikatat të gjithë nxënësve, ndonëse kishte nxënës që mungonin për arsye të fillimit të pushimeve, vizitës në Mëmëdhe etj.

Certifikatëmorën dhe ish nxënës tëtalentuar tëShkollës Shqipe, por qënuk i kanëharruar kurrëlidhjet me shkollën, si Oresti Salillari dhe Liza Jashari të cilët morën pjesëaktivisht nëFestivalin e Shkollave Shqipe. Z.Zylo falënderoi të gjitha mësueset për punën e tyre të palodhur, sidomos në përgatitjen për ceremoninë e 10 Vjetorit të Shkollës Shqipe, koncertin për 10 Vjetorin e Kosovës që hapi siparin e aktiviteteve në New York deklaruar nga ambasadorja e Kosovës znj.Teuta Sahatqija, përgatijen në Festivalin e 5-të të Shkollave Shqipe kun jë falënderim special I shkoi sopranos së shquar Dëshira Ahmeti Kerliu, si dhe kurorëzimin me sukses nga

të TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” në 10-të Vjetor që u bë nga Senati i shtetit të Nju Jorkut përfaqësuar nga Senatori veteran i Senatit të Nju Jorkut Martin Golden i cili dha proklamatën nga Senati me numër të regjistruar 4487, duke e vendosur në librin historik të Senatit.

Po ashtu proklamatë u dorëzua dhe nga ish Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut dhe Këshilltar i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj burri i shsquar i Kombit dhe një përkrahës i fuqishëm i “Alba Life” çka dëshmon për një seriozitet dhe profesionalizëm të Alba Life si dhe është frymëim për të ecur përpara.

Gjyshërit, prindërit me krenari bënin foto dhe gëzonin së bashku me fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre.

Në fund të aktivitetit së bashku të gjithë si një komunitet që na bashkon Gjuha Shqipe, Ashti i Kombit drekuam së bashku me ushqimet qe kishin sjellë amvisat e mrekullueshme shqiptare.  Hmmm, shumë të shijshme thoshnin nxënësit të gjithë për ushqimet që ishin servirur nga amvisat shqiptare.

Eshtë një traditë e mrekullueshme që duhet të vazhdojë pambarim bisedonin shqiptarët me njeri tjetrin të cilët ishin mbledhur për të festuar mbylljen e vitit akademik shkollor 2017-të 2018-të.

Aktiviteti u filmua nga kameramani Todd Watkins, shumë foto u bënë nga Shpëtim Bardhi dhe fëmijët u argëtuan nga DJ drejtuar nga z.Odise Salillari.

Pushime të mbara nxënës të dashur!

16 qershor, 2018

Staten Island, New York

*Per me shume fotografi svigni ne FB(dielli vatra)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Keze Kozeta Zylo, perfundoi vitin shkollor, shkolla Alba Life

Mos Lale se e humbëm Çamërinë

June 17, 2018 by dgreca

1 Çamëria-sot-nën-GreqinëNga Ilir Levonja/

Ky fenomeni i qarkullimit të deputetëve, nuk përbën aspak cenim në mandatin apo statutin e një kuvendari të republikës së Shqipërisë. Megjithëse ofiqet e mandatit në Shqipërinë tonë, janë aq të arta, sa nga përvoja ime aty, mes njohjesh dhe bisedash, kam dëgjuar me veshët e mi të thoshin se e dua mandatin për privilegjet. Kjo vërtetohet kollaj dhe koiçidon me atë që përkitazi transemetonte mbrëmë një kanal televiz i yni, topchanel, mbi privilegjin e doganave në futjen e mjeteve foriseria që sigurisht në bazë të vlerës kanë një taksë të lartë, por që asesi nuk mblidhet, nuk i shkon në favor të xhepit të hallemëdhenjëve qytetarë të Shqipërisë. Ky është një nga krimet e pastra që legjislativi shqiptar kryen haptasi dhe në mes të ditës, në mos gaboj prej vitit 1998 a 1999, vlerë takse e munguar, e cila po të ishte mbledhur me siguri do ta kishte ndërtuar prej kohësh rrugën e Arbrit, atë që Edi Rama ua shpjegonte dibranëve si një vlerë tepër e kripur për buxhetin e shtetit të shqiptarëve. Në fakt nuk është aspak e tillë, por nisur nga ajo edukata e qylit dhe e lëmoshave apo huatë që vdesim të kërkojmë, kështu edhe kësaj here, ku përfliter për një riciklim të parave të drogës etj. Por jemi tek deputetët që qarkullojnë mandatin sikur qejfet e tyre, duke shpërdoruar haptazi votën e një komuniteti. Kjo absolutisht ka ndodhur me të gjithë krahët. Dhe është një nga fëlliqësitë si privilegjet që gëzojnë deputetët në lidhje me doganat, dietat, imunitetin e më the e të thashë. Kjo në Shqipëri njihet si hasanizimi i politikës, për shkak të një pike vlimi që kapi në zgjedhjet lokale të vitit 2015…, kur plot kryetarë bashkish nga të majtë ktheheshin në djathtë ose anasjelltas, vetëm e vetëm për ruajtjen e mandatit. Kjo është arsyeja që sot kemi përshembull Kaçin e zi, blu… apo klanin e zemunit blu. Dhe një lloj shtrydhje të LSI për të ushqyer PS-ën me ”figura” fantazmë si baba Taku. Një lesh e li shqiptarësh që nuk e merr vesh i pari të dytin. Pjesë e kësaj logjike është edhe kjo lëvizje e dy deputeve që veç sharmit, çantave, firmato, ndonjë suporti financiar nga pas, nuk i kanë sjellur asgjë elektoratit veç varfërimit të më tejshëm dhe vetvrasjeve apo vrasjeve për shkak të depresionit dhe pritjeve pa fund. Aq sa sot një urrë shqiptar nuk e ka për dert të vrasi gruan a nënën në sytë e fëmijëve të tij. Ky është një regres social që përkëdhel lukun e ca grave që rrojnë për inat të tjetrës a tjetrit, pa e kuptuar asnjëherë se sa shumë i janë larguar shoqërisë. Se sa shumë e kanë thelluar hendekun mes zgjedhësve. Por është lojë milionerësh, kush po i diskuton humbamenët e votës, ata që nuk duan veten dhe rrojnë me kënaqësinë e veshjes dhe lukut të Remes a Olta Xhaçkës. Sot në fakt dy herë më të lënduar janë çamët. Megjithëse duhet ta kuptojnë se të korrat e qershorit si ky rasti i këtyre dy deputeteve, janë produkte të marrëveshjeve politike që nga çasti kur menduan dhe e transformuan një shoqatë në parti politike. Nga ato marrëveshje ku në vend të së drejtës dhe pronave në Paramithi e gjetkë, përfituan bashkinë e Rrogozhinës (zgjedhjet lokale 2015). Reme nuk ke faj. Je prudukt i shkëlqyer i pafytyrësisë sonë, që gdhihemi të djathtë, drekojmë si të LSI, e ngrysemi të majtë. I asaj kulture bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë. Se ta dish, kur vjen puna për një mëndje kundër, më shumë për të mirën e komunitetit aty në bazë, një anëtar i thjeshtë flet thjeshtë dhe thotë, ore kësaj here unë do votoj ndryshe se më pëlqen ky kandidati, edhe pse nuk i përket bindjeve të mia. Ta dish ja lërojnë nënën me shpulla e pështyma. Kurse ju e bënë publike me kamera, me show etj. Dhe ju duartrokasin… je pjesë e asaj kulture që ligjet bëhen për popullin, taksat për popullin, burgjet për popullin. Kurse imuniteti dhe privilegjet për ju. Më në fund e vuri re edhe profesor Rexhep Qosja, atë milionirizim tuaj, amarolatitetin tuaj përballë varfërisë galoponte që po i ha të gjallë shqiptarët brenda një informaliteti humnerë. E ”humbëm” dhe Çamërinë Reme, është koha e telenovelave turke, Turqisë dhe Erdoganit, e iftareve dhe faljeve publike. Ku çuditërisht edhe vetë një masë e çamëve e shqiptarëve besojnë se do fitojnë të drejtat dhe pronat. Besojnë se do ndreqin shqiptarinë. Me kësi parlementarë mandatesh plot privilegje dhe pa asnjë prapavijë ndëshkimi. Bridh, bëj si të duash…, çfarë të duash, mbi të gjitha ligje për të tjerët veç për veten jo. Ndaj ti nuk ke se si bën përjashtim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mos Lale, se e humbëm Çamërinë

Pulëbardhat e Liqenit Léman

June 17, 2018 by dgreca

 – Nga Elida Buçpapaj & Skënder Buçpapaj/

1 Pulbardha

Ka shumë arsye për të vizituar qytetin metropol të Gjenevës, simbolin e harmonisë dhe multikulturalizmit.

Gjeneva është qyteti i Kalvinit, ku e ka qendrën Kryqi i Kuq.

Gjeneva, metropol ndërkombëtar i diplomacisë, ku ndodhen Kombet e Bashkuara, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi 22 mijë diplomatë e përfaqësues të misioneve permanente dhe një numër i pafund NGO dhe organizatash e organizmash ndërkombëtare, midis tyre edhe APES,L’Association de la Presse Etrangère en Suisse et au Liechtenstein, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejn, ku jemi anëtarë aktivë prej më tepër se 15 vjetësh, njëra nga shoqatat më të vjetra ndërkombëtare të gazetarëve profesionistë, themeluar në 15 Korrik 1928, që këtë vit feston 90 vjetorin e krijimit.

Gjeneva me një popullsi 50 % zviceranë e 50 % me komunitete nga 177 nacionalitete prej gjithë botës, një meltingpot i vërtetë, ku midis tyre jeton edhe një komunitet i madh shqiptarësh, pjesa më e madhe e natyralizuar.

Gjeneva e Liqenit Léman, medaljonit të qytetit, të shkrira e bërë një me njëri-tjetrin.

Për Liqenin ka një poezi të Henri Durand që e quante “Léman, roi de nos lacs”, “Léman, Mbreti i liqejve tanë!”

Emri Léman i Liqenit është përdorur sidomos në kohën e Iluminizmit dhe Revolucionit francez nga Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire. Jean-Jacques Rousseau, autori i Kontratës Sociale, figura më e rëndësishme e iluminizmit, ka frymëzuar me idetë e tij Revolucionin Frëng dhe Kushtetutën e SHBA për shkëputjen nga Kurora britanike.

Liqeni Léman ka formën e një trofte dhe ndahet 60 % me 40 % midis Zvicrës dhe Francës. Aty buron Lumi i Ronës që derdhet pastaj në Mesdhe. Përveç Gjenevës, buzë ujrave të tij shtrihet edhe qyteti i Lozanës, Vevejit, Montrësë etj.

Emri i Gjenevës dhe Liqenit Léman është i lidhur edhe me Shoqërinë Lundruese të Gjenevës dhe Kupën e Artë Mirabo

Shoqëria Lundruese e Gjenevës dhe Kupa e Artë Mirabo – Bol d’Or Mirabeaud

Société Nautique de Genève (SNG) – Shoqata Lundruese e Gjenevës e themeluar në vitin 1872 është e angazhuar me zhvillimin e sporteve të ujit dhe mbështetjen aktive të sportit elitar.
Société Nautique de Genève është një institucion historik, me mbi 3000 anëtarë me mosha dhe prejardhje të ndryshme, që i bashkon pasioni për sportet e ujit.

Shoqëria Lundruese e Gjenevës qëndron aty buzë Liqenit Léman dhe, ndërsa brezat ndërrohen e koha rrjedh, SNG (akronimi Société Nautique de Genève ) identifikohet me plot dinjitet me historikun e emrit që mban.

Shoqata Lundruese e Gjenevës zhvillon aktivitete gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbështetjen e sportit elitar për përfaqësimin e ekipeve të saj në gara për trofe e tituj kombëtare e ndërkombëtarë. SNG mbështet gjithashtu sportistët e rinj elitë për të siguruar vazhdimësinë për një përfaqësim sa më të mirë të ngjyrave të klubit. Për këtë, SNG ka një fond të veçantë për të ndihmuar të rinjtë të cilëve u mungojnë burimet e nevojshme financiare. Atyre u krijohet mundësia të stërviten në gara me vela, kanotazh, skijim ujor etj.etj

Si staf të përhershëm SNG ka 14 punonjës, por si mbështetje ka gjithë metropolin, sipërmarrjen, mediat, vullnetarët, fansat.

Aktiviteti më sinjifikativ i vitit që organizon SNG, si qershia mbi tortë, është Bol d’Or Mirabeau, Kupa e Artë Mirabeaud, që këtë vit festoi 80 vjetorin!

Bol d’Or Mirabeaud – Kupa e Artë Mirabeaud

SNG e organizon Bol d’Or, këtë garë sportive të anijeve me vela në Liqenin Léman, prej vitit 1939.Bol d’Or Mirabeaud është kompeticioni më i madh në rang botëror në një hapësirë ujore të mbyllur sikur janë liqenet. Gara çdo qershor nis në Gjenevë nga Port Noir deri në Bouveret dhe kthim Bouveret – Port Noir Gjenevë. Zgjat 123 km ose 66.5 milje detare. Anijet me vela janë monoskafë ose lloje të ndryshëm katamaranësh.

Në Edicionin e parë organizuar 80 vjet më parë morën pjesë në garë vetëm 26 anije, në Edicionin e 80 të Bol d’Or që u zhvillua prej 8 deri 10 qershor, ku ishim të pranishëm edhe ne, garuan 559 anije që drejtoheshin nga 3000 lundërtarë zviceranë e të huaj nga 14 vende të botës.

Eventi si një festë e madhe nisi të premten, më 8 qershor me konfirmimet e pjesëmarrësve në garë pranë SNG. Po të premten, pas një dreke të organizuar nga Grupi financiar Mirabeaud, prej 12:00 deri në orën 18:30 ishte edhe dita e medias, e kontakteve të gazetarëve me pjestarët e ekipeve, intervistave etj.etj. Një grup gazetarësh do t’i shoqëronin garuesit edhe gjatë garës në liqen. Në mbrëmje u ofrua koktej nga mikpritësi dhe një koncert live në anijen Neptun që gjatë gjithë kohës shërbeu si skenë. Qendra e mediave ishte vendosur në një hapësirë të SNG rrethuar nga xhamllëku nga ku shikohet e gjithë skela dhe po ashtu liqeni ku të nesërmen do të zhvillohej gara.

Në SNG, prej 8 deri 10 qershor, adrenalina kishte arritur kuotat më të larta. Fansat kishin shansin të takoheshin me Skippersat e famshëm, ritakoheshin miq të vjetër, gazetarët ose ishin në kërkim të personazhit ose fiksoheshin nëpër laptopët e tyre. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sipërmarrjeve që mbështetën eventin. Pihej birre e verë, shkëmbeheshin kartvizita, krijoheshin grumbuj tifozësh rreth skudrave të zemrës, shkrepeshin fotot dhe selfiet nga celularët.

Në mëngjezin e 9 qershorit të gjithë ishin aty. Në orën 6:30, garues, gazetarë, vullnetarë, fansa, admirues të pafund dhe fanatikë të zjarrtë të Bol d’Or e të emrave që identifikohen me këtë garë, e cila, tashmë e kthyer në legjendë, formon një trinitet me qytetin e Gjenevës dhe Liqenin Léman, pasi është regata më e rëndësishme në botë e hapsirave liqenore, ku është në garë shpirti luftarak i lundërtarëve, i skippers-ave, ku solidariteti i ekipeve në grup merr kuptim domethënës, si një sfidë sportive për t’u përballur jo vetëm me lundërtarët e tjerë, por për t’u përballur edhe me shiun, stuhinë, me trillet e liqenit të harbuar prej tërbimit apo me një liqen vaj e të palëvizshëm kur Perëndia Eol bashkë me erën kanë marrë arratinë kush e di se ku.

Gara do të fillonte në orën 10:00 me tre të shtëna topi. Ishte një skenë magjike, kur nëpër Liqen u shpërndanë anijet me vela, si tufa gjigande pulëbardhash, duke shfaqur një spektakël të jashtëzakonshëm. Liqeni dremiste, dielli shndriste, ishte një ditë brilante qershori, por era mungonte çka nuk e favorizonte aspak garën.

Skena e e anijeve me vela që krijonin asosacion me pulëbardhat ishin një mrekulli ku merr pjesë natyra dhe njeriu, të gërshetuara me dashuri dhe pasion, që lancon bukurinë e garës, shpirtin sportiv dhe emrin e Bol d’Or.

Bol d’Or nuk do të ekzistonte nëse dashuria dhe pasioni garues nuk do të mbështetej nga qyteti dhe sipërmarrja private. Buxheti i kësaj gare tre ditore që kushtoi mbi 1 milionë franga zvicerane u financua nga sponsori gjeneral, Banka Mirabeaud por edhe nga firma me emër si Hublot, Faigle, BMV, Peroni, Hoteli i famshëm Le Richemmond që mikpriste të ftuarit dhe gazetarët, firma e taksive BMV që lehtësonte lëvizjen e të ftuarve e kështu me rradhë.

Nuk do të lemë pa përmendur 150 vullnetarët që u vunë në shërbim të eventit, që dalloheshin nga tshirt-i nga ngjyra gri në të rimtë me logon e aktivitetit dhe nga dëshira për t’i kontribuar mbarëvajtjes të aktivitetit.

Në garë u përfshinë 559 anije, të llojeve të ndyshme, monoskafë dhe poliskafë, nga ku 301 anije e braktisën garën

Ky është viti i 80 i kësaj gare të bukur në Liqenin Léman që është kthyer në një festë. Kjo garë që nisi 80 vjet më parë, evuloi nga viti në vit, edhe sa i përsa i përket perfeksionimit teknologjik, ashtu edhe shpirtit garues, pjesëmarrjes, duke tërhequr vemendjen jo vetëm të Gjenevës, por edhe të botës, sepse kësaj gare i janë bashkangjitur lundërtarët më të famshëm nga e gjithë bota sikur Ellen MacArthur, Russell Coutts, Loïck Peyron. Ky i fundit në Edicionin e 80-të ishte edhe i ftuar i nderit. Por janë së pari vetë ekipet zvicerane të Bol d’Or që kanë bërë histori dhe janë kthyer në histori, duke fituar trofe jo vetëm në këtë garë, por edhe nëpër kompeticione me famë botërore sikur Alinghi, me pronar dhe drejtues multimilionerin Ernesto Bertarellin, që garon nën flamurin e SNG dhe ka fituar 2 herë trofeun e America’s Cup, në vitin 2003 dhe 2007.

Bertarelli me Alinghin dhe motra e tij Dona Bertarelli me katamaranin Ladycat, seicili me skuadrën e vet, që kanë fituar disa trofe të Bol d’Or, luftuan edhe këtë vit për të fituar trofeun e Edicionit të 80të, por këtë vit fitues doli Mobimo, i drejtuar nga Christian Wahl në kohën 14 orë 14 minuta e 2 sekonda. Në Edicionin Bol d’Or 2017, fitues ishte Alinghi në kohën 5 orë e 11 minuta, ndërsa Ladycat powered by S zuri vendin e dytë, duke arritur një minutë e 34 sekonda më vonë, në kohën 5 orë 12 minuta e 34 sekonda.

E vendosëm kohën e dy edicioneve të fundit për të parë efektin që luan era. Në Edicionin e 80të të Bol d’Or Mirabeaud, që njihet ndryshme me akronimin BOM, era ishte inekzistente, çka bëri që gara të zgjatej dhe fitorja e Mobimo u shënua në orën 00:13 të mesnatës të ditës të djelë. Skuadrat e Okalys dhe Ylliam luftuan deri në fund për vendin e parë, por Mobimo ia doli. Në këtë garë Alinghi zuri vendin e katërt.

Ndërsa pritetej zbarkimi i lundërtarëve në SNG, gjatë gjithë natës vazhdonte festa e shoqëruar edhe nga një koncerti live në skenën e anijes Neptun me artistë të sponsorizuar nga Festivali i Xhazit në Montrë. ( Jazz Festival Montreux) . Dhe kështu zgjati deri në agim ndërsa vazhdonin e ktheheshin garuesit e fundit.

Gara u ndoq live nga mijra e mijra fansa që morën pjesë direkt, ose përmes internetit, në youtube dhe rrjeteve sociale. Në SNG ishte po ashtu një ekran gjigand që përcillte live.

Aktiviteti shkoi mrekullisht, me një mbyllje nostalgjike të djelën në mbrëmje ku u shpërndanë trofetë.

Trofenë e Bol d’Or, kupës së Artë, e fitoi Mobimo, ndërsa organzatorët, të hënën më 11 qershor, nisën të merren me organizimin e Bol d’Or81!

Mbyllja

Në qytezën ku jetojmë në pjesën gjermane të Zvicrës kalojmë shpesh pranë një vile ku na priste me të lehura miqësore një qenush. U bëmë miq edhe me qenushin edhe me të zonjën. Qenushi quhej Alinghi, për nder të skuadrës Alinghi që kishte sjellë trofetë e fitimtarit në Kupës të Amerikës dy herë në Zvicër. Zonja, një fanse e regatave dhe e Alinghit, prandaj ia kishte vënë emrin qenit të saj, ndërsa ne patëm fatin që të merrnim pjesë live në kompeticionin më të bukur të Liqenit Léman ku garuan ekipet aq të njohura si Alinghi, Mobimo, Zen Too, Ylliam, Phaedo2, Safram, Ladycat etj etj. Tani jemi edhe fansa të tyre. Në shtëpinë tonë kemi dy mace me emrat Sushi dhe Nori. Nëse do të mikpresim një maçok të tretë, padyshim që do t’ia vemë emrin Alinghi ose Bom-Bom!

Por e sigurta është se ne do të kthehemi përsëri në SNG, si fansa për të ndjekur gara të tjera.

Ka edhe një arsye më shumë se përse ia vlen ta vizitosh Gjenevën!

Alinghi

 

Fotot janë të fotografit Loris von Siebenthal dhe janë marrë nga faqja zyrtare e SNG.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pulëbardhat e Liqenit Léman, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT