• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

PUSHTETI ABSOLUT KORRUPTON ABSOLUTISHT!

July 24, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

“Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegja dhe përgjegjësia morale tij ndaj të tjerëve. Ndërsa në shekullin e kaluar, ish Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjërësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, por edhe të një shteti. Ai citohet të ketë thënë se “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke e konsideruar veten si të gjithëfuqishëm ose të gjithëpushtetshëm.”

Shembuj të ushtrimit të pushtetit absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, duke filluar nga ditët e sotëme, historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar e deri thellë në histori duke filluar me shembuj si perandori Napoleon Bonaparti e deri në kohën kur perandorët romakët e konsideronin veten si zotër të universit të tyre. Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është një siguri më e mirë dhe më e madhe të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua (me fjalë tjera t’i bindësh ata), se sa të kesh edhe një nëndetse tjetër”, duke shtuar se, madje edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, ç’do të thotë dhe çfarë kuptimi ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotëme, pa marrë parasyshë se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar flasim. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë karahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” të shekullit të kaluar. Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe flasin për të ashtuquajturën “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend, por le ti këthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, për aktualitetin e sotëm politik. Sipas përcaktimit të definacionit të frazës do të thotë se pushteti e korrupton njeriun, pakëson vlerat morale të një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij. Ashtu si edhe në shekullin e 18-të, kjo frazë do të thotë gjithashtu se ata që janë në pushtet, shpeshëherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendëruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë me pushtetin në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike, ose rrethit të tyre të ngusht.

Prandaj nëqoftse ndiqet kjo logjikë, sipas disa eskpertëve, arrijmë në përfundimin se individët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre. Përfundimi, prandaj është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, aq më shumë zhduken vlerat e tija morale, si njeri dhe si pushtetar. Kulti i personit, quhej në regjimet komuniste!

Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim të bashkpunojë me ta — përfshirë pakicën politike — për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nepërmjet proceseve ligjore, politike dhe përfaqsuese të një vendi. Por, fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave ose zotësive të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejëtësi – janë sipas ekspertëve – arsyetë kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për sjelljet arrogante të shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigur. Se, mungesa e dialogut dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, si dhe mos ndëshkimi i të korruptuarve po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndërrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”. Por cilat do qofshin arsyet: pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqsisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre pothuaj 30-vjet post-komunizëm, për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin në veçanti, por edhe me të tjerët përtej kufijve, në përgjithsi, në kuadër të integrimeve euro-atlantike. Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta dhe qëtë jenë larg botës së qytetëruar. Sot, fatkeqsisht, shqiptarët po e bëjnë këtë vet, pa ndihmën e të huajve.

Si kurrë më parë, fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Sidomos në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, nepërmjet dialogut kombëtar, të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, t’u tregojnë, “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë vetë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, që kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vërtetën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera”, ka shkruar ai.

Kjo është mënyra më e mirë që të minimizohen dëmet që vijnë, për mbarë shoqërinë, nga të gjithë pushtetarët absolutë të korruptuar dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – të gjithë duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen bazuar në disa standarde morale themelore universale për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve. Ushtrimi i pushtetit absolut pra, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar, dialogut, i mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, KORRUPTON ABSOLUTISHT!, PUSHTETI ABSOLUT

Intelektualët …këta mentorë që na edukojnë dhe frymëzojnë me vepra

July 24, 2018 by dgreca

1 Marjana Bulku

Nga Marjana BULKU*/

Shqipëria e paradokseve, e tranzicioneve të shpeshta , të gjata, Shqipëria e krizave , e diktaturave të egra , të fshehta, të kamufluara me mirazhe demokracie sot më shumë se kurrë ka nevojë të ndjehet se sa e pasur është intelektualisht me gjithë varfërinë e saj sistematike politike .Kur hedh sytë nëpër kryqëzime historike ndjen dritën e intelektualëve dhe mendimtarëve që ne për fatin tonë të keq presim të na i referojë politika, partia mëmë, partitë të cilat na e varfërojnë të tashmen edhe të ardhmen.Intelektualët mbartin bagazhin kulturor që ne ia trashëgojmë brezave, janë mendime, studime, përplasje me realitetin e egër peng i politikave të gabuara sezonale që nuk i shërbejnë vizionit kombëtar por udhëheqësve partiakë të momentit që gjithmonë e më shumë bëhet treg politik aspak kombëtar, aspak demokratik. Intelektualët janë të angazhuarit e një shoqërie, që kohën e tyre , mendimin, frymëzimin, ia kushtojnë akteve që prijnë ndryshime të mëdha nga ku më të rëndësishmet e domosdoshme janë ato kulturore.Të arratisur nga realiteti shqiptar ata gjithmonë i investojnë atij duke mos ikur asnjëherë edhe kur fizikisht ndodhen larg. Nuk mundem të ndalem gjatë tek De Rada , Serembe, Fishta ,Koliqi , Çajupi a Frashërit,ata vazhdojnë të iluminojnë por Martin Camaj dhe Faik Konica natyrisht që përbëjnë pasuri të rralla të mendimit letrar, kulturor duke qenë fenomeni ajsberg që vetëm volumin ua dijmë dhe fare pak larminë dhe cilësinë e mesazheve që janë kaq aktuale sot. Është e vështirë të ndalosh në aktet e tyre krijuese vetëm në një shkrim por është një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se historia e vërtetë shqiptare nuk janë vetëm luftrat e saj, as sistemet e dështuara që politika instaloi , por emrat që i falën vepra asaj , janë ata që edhe pa prezencën e tyre fizike atje krijuan aq shumë dhe lanë pas kolanën e mendimit që vazhdon të frymëzojë e ta mbajë gjallë atë vend që politika intrigon dhe përçudnon çdo ditë. Është e dhimbshme kur ndjek këta emra hite veprash që jetuan larg Shqipërisë me pse dhe brenga, mall e ëndrra , shpresa e dëshira shtegtare.Janë mentorët tanë më të mirë, meteorë,mjafton një observim i veprave kolosale kësaj trashëgimnie që na pasuron edhe në krizat tona sociale e politike pasi ekonomikisht ne gjithmonë në krizë kemi qenë.Histori Shqipërie janë ata që Shqipërinë e bëjnë të njohur çdo ditë atje ku jetojnë e punojnë përmes veprave dhe akteve të tyre, shkrimeve, krijimeve duke e përjetësuar atë, duke ideuar për të duke ia rrëmuar bukuritë , duke ia shplurosur historitë.  A nuk e gjetëm ne historinë e palexuar të Shqipërisë në heronjtë realë të veprave të Mal Berishës ;Charld Telford Erickson dhe Herman Bernstain?! A nuk e dëgjuam dhe ndjemë vëmendjen dhe dashamirësinë amerikane përmes Zërit të Elez Biberajt që më shumë se Zërin e Amerikës sillte shpresën e një zgjimi demokratik që pothuaj ishte shuar . A nuk është një akademi e vërtetë gazetarie, opozitarizmi dhe kronologjie historike dhe mediatike analiza mendimtare e Frank Shkrelit?! A nuk e gjejmë fisnikërinë por edhe mençurinë e thellë tek tablotë historike e analitike të Sami Repishtit?!A nuk ishte unikal Ligji për trashëgimninë kulturore në parlamentin e Ontarios punuar me aq shumë mund e përkushtim nga Dr Ruki Kondaj dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze?!A ka konkretizim më real intelektualizmi patriotik se Vatra 106 vjeçare dhe gazeta e saj  Dielli , më e vjetra gazetë shqip që vazhdojnë të rezatojnë liri e qytetari edhe nën drejtimin vital të Dritan Mishtos e të palodhurit editorialist Dalip Greca?! Kjo është vetëm një pjesëz e historisë sonë kulturore, është vetëm ajo çka unë kam takuar apo ndjekur nëpërmjet Pasqyrës Shqiptare, këtij televizioni prestigjoz të Ilir Lenës në Kanada , apo Albanian Culture Tv në Amerikë aty ku përmes “Një jetë…disa histori ” kemi qënë dhe do të jemi jehonë e botës intelektuale e cila historisë i bën vend çdo ditë përmes kronikave , ngjarjeve që edhe pse jetojnë realitetin e largët flasin shqip dhe ëndërrojnë po ashtu. Qindra vjet nuk e shkulkan ëndrrën dhe shpresën me të cilën të ikurit e parë mërguan. Sepse ky vend i madh është i tillë jo vetëm gjeografikisht, por për dashamirësinë që ka ndaj mendimit, vizionit, idealeve të bukura që humanëve ju ka dhuruar Zoti. Këto krijesa kreative që evolojnë veten dhe mjedisin duke i dhënë rruzullit qytetërime e zhvillime progresive nuk duhet tju ngjajnë fiseve primitive në shekujt modern ku ne jetojmë, përkundrazi ” gjeniu ia lë rrugën hapur gjeniut” është një formulë që e besoj dhe sa më shumë ia ndjej prezencën aq më shumë bindem se mendjet pasurojnë dhe meritojnë vend. Është kjo fytyra e re e intelektualizmit që dashurinë për atdheun din ta shndërrojë në vepra që munden të orientojnë, frymëzojnë dhe pse jo edukojnë kaosin social e politik duke vendosur stade të reja kulturore nëpër gjurmët e mentorëve më të mirë ; intelektualëve.

*Autorja e shkrimit është anëtare e Kryesisë së Vatrës

Filed Under: Opinion Tagged With: intelektualet, Marjana Bulku, mentoret tane

“KOLOMBI” SHQIPTAR, QË ZBULOI AMERIKËN PËR SHQIPTARËT

July 24, 2018 by dgreca

*At Kol Kristofori ndërroi jetë me 26 Korrik 1940. Ai ishte i pari shqiptar që “zbuloi” Amerikën për shqiptarët më 1884.

20264920_255311678301143_2509840410578664397_n

* A e përshkoi rrugën për 57 ditë Kole Kristofor, po aq sa zgjati rrugëtimi i Kostandin Demos, autorit te librit”Shqiptarët në Amerikë”?/

Faik Konica October 1926_The Mayflower log

* Faik Konica: Kol Kristofor ishte dekani për shqiptarët e Amerikës.

20375985_255311821634462_2987714783045021889_n

* A nuk do te ishte mirë që shqiptarët e Amerikës ta përkujtonin këtë datë dhe t’u përcillnin brezave se kur dhe si erdhën shqiptarët e parë në Amerikë?

20264897_255311891634455_6036914112996903772_n

* Duke shfletuar librin e Costantine A. Demo”The Albanian in America”-The First Arrivals-, për të cilin Noli porosiste se duhet ta lexojnë të gjithë shqiptarët ….

20258218_255311648301146_2037695723151470673_ndalip-ok

NGA DALIP GRECA(Dielli-arkiv)/

Dihet se Amerika, u zbulua nga Kristofor Kolombi më 1492.Po shqiptarët, kur e zbuluan Amerikën? Kur erdhi shqiptari i parë në Kontinentin e ri? Kësaj pyetjeje janë përpjekur që t’i japin përgjigje shumë studiues, por askush nuk ka shkuar përtej asaj përgjigjeje që na ka dhënë Kostandin Demo, në libërthin e tij.

Është shkruar “Copy Paste” në shumë gazeta e revista se i pari shqiptar shkeli në Amerikën e Veriut më 1876, por nuk qëndroi këtu,-u largua për në Argjentinë. Po kush ishte ai shqiptar? Si e kishte emrin? Ku zbriti, ku qëndroi, pse iku? Nga ç’rrethina të Shqipërisë erdhi? Gazeta”Kombi” më 1907 na orienton: Kur erdhi shqiptari i parë këtu më 1884, kishte më shumë se 20 mijë shqiptarë, por ata ishin arbëresh. Pra shqiptari i parë erdhi më 1884, dhe jo më herët.
Të dokumentuara gjurmët e shqiptarëve në Amerikë gjenden në librin e Costantine A. Demo”The Albanian in America”-The First Arrivals- publikuar nga Shoqëria FATBARDHËSIA”GOOD Fortune”, Shoqatë e Katundësve, e krijuar që me 20 Nëntor 1908, e cila është një nga më të hershmet dhe më punëshumtat prej shoqatave lokale të shqiptarëve në Amerikë. Në parathënien e librit, që u botua më 1960, pasi ishte botuar më parë si fragmente në gazetën”Dielli”, Kostandin Demo, falenderon Shoqërinë”Fatbardhësia” dhe bashkafshatarët e vet Katundllinj, që patën mirësinë ta botonin këtë libërth të vockël, por shumë të rëndësishëm, si një dëshmues i rrallë për ardhjen dhe jetesën kolektive, 10-15 vetë në një konak, të shqiptarëve të parë në Amerikë, mënyrën e ndarjes së punëve brenda konakut, mënyrën e kursimeve, të gatimeve, të leximeve etj.
“Katundi” i rrahu herët rrugët e mërgimit. Madje ky fshat kishtë në Amerikë edhe Shoqërinë e Zonjave të Katundit, e cila ishte pagëzuar me emrin”DRITA”, e themeluar me 17 Qershor 1928. Edhe kjo Shoqëri e zonjave i kishte vënë vetes të njëjtin qëllim dhe ishte fokusuar, po aty ku ishte fokusuar Shoqëria e burrave ’Fatbardhësia”. Qëllimi i përbashkët, siç shkruhet në Kanunoren e Shoqatës ishte:” Të ndihmojë Katundllinjtë të përparojnë në çdo degë shkollore dhe mendore”.

DY FJALË PËR KATUNDIN DHE KATUNDLLINJTË

Sipas Kostandin Demos, shqiptari i parë që erdhi në Amerikë ishte nga fshati Katund, Kol Kristofor. Demo shkruan:”Mbani mend At Kole Kristoforin, që lindi në Katund më 1860, erdhi në Amerikë 1884, u dorëzua prift më 1917, dhe vdiq në Boston me 26 Korrik 1940, në moshën 80 vjet.”
Këtë fakt historik duhet ta ruajnë në kujtesë brezat e shqiptarëve dhe t’ua përcjellin pasardhësve. Me Kol Kristoforin nis historia e shqiptarëve të Amerikës këtu.
Demo tregon se me bashkëfshatirin e tij Kol Kristofor kishte njohje të afërt.”Ai dëshmon: Ishte i ndershëm, i drejtë, i sinqertë, kurdoherë të ndihmonte, i paepur ne parimet e tij, dhe patriot i fortë. Në fillim të shekullit(XX), në shtëpinë e At Kolës, ne hapëm të parën shkollë private-gratis për cupa. Motra e At Kolës , Sofi, u jepte mësim cupave, njëra prej të cilave ishte motra ime, Sana.Nga librat e shkollës që sillte motra ime në shtëpi, unë mësova të këndonj shqip, dhe mbanj mend dhe sot akoma një vjershë që mësova përmendësh në atë kohë’Fyelli i Bariut”…”
…Po hapim një parantezë për historikun e Katundit: Sipas Demos fshatin Katund i takon krahinës së Korçës. Fshati lindi nga brengat e Vithkuqit, që sot është një fshat në rrethin e Korçës, por që në kohën kur në tokat arbërore u sulën pushtuesit turq,Vithkuqi ishte një qytet i bukur dhe i përparuar. Turqit e shkatërruan Vithkuqin dhe banorët e tij u shpërndanë brenda dhe jashtë Shqipërisë.Një prej banorëve ishte edhe At Demoja, prifti i Vithkuqit, i cili pasi u shpëtoi otomanëve, u vendos në Katund, një vend i rrethuar me male e me ujë të ftohtë.Pikërisht At Demoja njihet si themelues i Katundit. Të tjerë njerëz të njohur të Katundit ishin: Vëllezërit Stoja, Jorgo dhe Zoto Prifti, djemtë e At Thanas Domollarit. Pas ca kohësh në Katund u vendosën edhe të shpërngulurit e tjerë që erdhën nga fshatrat e Zagorisë;Panariti, Selenicës e Pishës, Gjanci etj, të rrënuar nga lufta. Katundi u rrit dhe u bënë shumë shpejt 106 familje.Katundllinjtë bënë shkollë, shumë prej tyre morën rrugët e kurbetit, ku fitonin para dhe dije….Katundllinjtë qenë ndër më të suksesshmit në kurbet dhe i ndihën shumë Lëvizjes Kombëtare këtu në Amerikën e Veriut.Edhe vetë Costantine A. Demo ishte prej Katundi. Ai mbërriti në Amerikë që më 1903. Axhenda e rrugëtimit të tij është tepër interesant. Studiuesi i njohur Petr R. Prifti, ish editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës, në fjalën që mbajti të dielën me 24 mars 1974 në darkën e dhënë për nder të Nini Demos në Pier Four në Boston ka shkruar se Demos iu deshën 57 ditë për të ardhur në Amerikë. Itinerari ishte ky: Nga Katundi, shkoi në Korcë, që andej në Manastir, prej aty në Selanik me tren; me vapor shkoi në Pire, ku priti 8 ditë vaporin për në Napoli, ndërsa në Napoli priti dy javë vaporin për në Amerikë, ndërsa rrugëtimi Napoli-Amerikë i mori 17 ditë.

KOLË KRISTOFOR, SHQIPTARI I PARË NË AMERIKË

Kolë Kristofor, arriti në Amerikën e Veriut, sipas dëshmisë së Demos rreth vitit 1884. Ende nuk është saktësuar data dhe muaji i mbërritjes. Kur e shkroi librin Demo ua la për detyrë të rinjëve që të investigonin për t’i saktësuar këto të dhëna, por ende nuk janë gjetur saktësisht.Nuk dihet saktë as data dhe as muaji i ardhjes së tij, por duhet të ketë qenë mot i ngrohtë, stina e Verës ose e pranverës, sepse natën e parë ai e kaloi jashtë, në natyrë. Kola udhëtoi me një vapor grek dhe zbriti në Boston. Nuk dinte ku të shkonte nga që nuk njihte njeri,kështu që natën e parë në Amerikë fjeti jashtë stacionit të trenit, në stacionin jugor(South Station). Sipas rrëfimit të Demos, Kola e kaloi natën jashtë me disa grekë, me të cilët kishte udhëtuar bashkë.(Kerko per me shume en arkivin e Diellit www.gazetadielli.com))
Ne Foto 1- Libri i botuar nga Kostandin Demo me 1960 i sponsorizuar nga Shoqeria”Fatbardhesia”
2- Ate Kole Kristofor 3- Immigrantet duke zbritur ne Ellis Island(Per shqiptaret Vatra kishte caktur Koste Hotoven,
qe t’i priste emigrantet).4- Ne Qender Fan S. Noli i shoqeruar nga Sotir Peci dhe Kristo Kirka(foto nga arkivi i Vatres). (Lexoje te plote ne gazeten Dielli )

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Kole Kristofor, Kostandin Demo, The Albanias in America

Haradinaj falenderon Fondin Kosovar-Amerikan për Edukim

July 23, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e KAEF dhe ShBA-të për ndihmën që kanë dhënë në krijimin e mundësive për shkollim e të rinjve kosovarë/

3Fondi per ed Haradinaj

PRISHTINË, 23 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Fondit Kosovar – Amerikan për Edukim (KAEF) të kryesuar nga Dale Pfeiffer, themelues i këtij fondi dhe udhëheqës i parë i USAID-it, në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e KAEF dhe ShBA-të për ndihmën që kanë dhënë në krijimin e mundësive për shkollim e të rinjve kosovarë, përmes bursave në nivelin master të studimeve në universitete më prestigjioze amerikane.

“Jemi duke punuar me përkushtim në ngritjen e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, andaj ndihma juaj në ofrimin e mundësive për studentët tanë, që studimet e tyre t’i ndjekin në universitetet më të mira amerikane, do të jetë ndihmë e drejtpërdrejtë në forcimin e zhvillimit të gjithanshëm të vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj tha se programet dhe bashkëpunimet e tilla janë të mirëseardhura për ngritjen e kualitetit në arsim dhe në të gjitha fushat, që do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Fondit Kosovar – Amerikan për Edukim (KAEF), shprehën gatishmërinë e tyre që edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të mirë të shoqërisë në Kosovë.

KAEF deri tash ka mbështetur mbi 95 studentë kosovarë për studimet master në universitete të ndryshme amerikane./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: falenderon Fondin Kosovar-Amerikan, Haradinaj, për Edukim

Bashkim Alushi Tregon për magjinë e pikturës

July 23, 2018 by dgreca

BASHKIM ALUSHI : Ju tregoj se si realizova pikturat kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,FanNoli dhe Nënë Tereza/

1 Alushi a3 Skenderbeu2 Nene Tereza6 Fadil Hasa4 Enrik veizi6 myzeqarka8 Portret10 Rexhep Qosja9 Diktatori

Intervistoi per Dielli-n Fadil SHEHU/FLORIDA/

Piktori fierak Bashkim Alushi, anëtarë i akademisë së arteve europiane, njihet si një nga piktorët më të sukseshëm, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në rritjen e vlerave të reja të pikturës shqiptare.Teknikat e ndryshme në vaj grafikë dhe akrilik, janë vlerësuar dhe në ekspozitën e tij të  hapur  kohët e fundit në Itali dhe së shpejti ekspozitën vetjake në Kroaci.

Pyetje: – Bashkim, keni  vite dashuruar me magjinë që të falë piktura. Si  i kujtoni  trokitjet e emocioneve të pikturave të para?

Pergjigje:- Padyshim që në vitet e fëminisë trokasin shumë pasione.Piktura tek unë starton pikërisht në këtë moshë, por që brenda meje u rrit dhe hodhi shtat gjatë gjithë ecurisë se jetës time.

Pyetje-Mendoni se kjo gjini ju ofroi qysh në vitet e shkollës se mesme, botimin e pikturave të para në disa organe të shtypit të kohës, madje të guxonit të hapnit dhe ekspozita?

Pergjigje: Vërtetë nuk e di. Vazhdimisht kam punuar duke arritur në vitet e para të shkollës së mesme ushtarake“Skënderbej”të botoj piktura me tematikë të ndryshme në organe të shtypit, kryesisht në gazetat“Drita”,“Zëri i Rinisë”,“Luftëtari”dhe revistën“10 Korriku”.

Pyetje: Po ekspozita e parë, ju kujtohet kur e keni hapur?

Pergjigje:- Ekspozita e parë mbetet për mua një nga evenimentet më të veçanta në jetën time.Në vitet studentore kur studioja në degën topografi, u përfaqësova para publikut kryeqytetas me ekspozitën time të parë, e cila u hap në sallën e galerisë së arteve, në pallatin e kulturës në Tiranë.

Pyetje:- Shpesh herë jeni shfaqur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion.Në cilën prej gjinive të këtij trinomi  ndjeheni më mirë?

Pergjigje: Mendoj se të treja këto kanë qenë bashkëudhëtare në ecurinë e udhëve në  krijimtarinë time. Pothuajse në të gjitha ekspozitat e çelura në nivele lokale e kombëtare si dhe konkurse të organizuara nga galeria kombëtare e arteve, jam paraqitur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion, të cilat edhe sot janë të dashura për mua.Më vjen mirë që ky trinom vazhdon të jetoj prej vitesh si një trup i vetëm.

Pyetje:- Ju keni hapur disa ekspozita personale dhe ekspozita me bashkëautor jashtë vendit. Cili ka qenë reagimi dhe vlerësimi nga ana e artëdashësve të huaj?

Pergjigje: Do të veçoja ekspozitën personale në qëndrën “Galiko Institut”në Athinë, ekspozitën  në “Palazzia Camarda” në Fiera Dela Pesca në Romë, duke mos harruar këtu vlerësime maksimale nga mjaftë artëdashës, teksa ndiqnin me kureshtje punimet, si dhe ekspozitat kolektive në Slloveni, Belgjik, Greqi, Zvicër  dhe Kosovë.

Pyetje: Jeni ndër piktorët më të veçantë në lëvrimin me sukses të gjinisë së portretit.Si jeni ndier kur keni punuar nga afër pertretet e Dritëro Agollit,Kadri Roshit,Liri Belishovës,Rexhep Qosjes,Mevlan Shanaj…

Pergjigje: Padyshim që ndjen një kënaqësi por njëherësh obligim të veçantë për këta njerëz, të cilët nga të gjithë njihen si “ikona” që i kanë shërbyer me devotshmëri çështjes shqiptare në Shqipëri dhe kosovë, popujt e të cilave prej vitesh kanë qenë të diskriminuar nga regjimet totalitare.

Pyetje: Në qytetin e Ankonës në Itali ju keni hapur një ekspozitë me portrete  që i kushtohet grave që luftojnë për liri e pavarësi, midis tyre portrete të nënave shqiptare dhe kosovare,Nënë Terezës,Emma Bonino, zvëndëse presidente e  Senatit italin, E.Bonino, presidente e shoqatës “Qytetare të botës”, Mimoza Ahmetaj, si personalitete të njohura me vlera kombëtare e botërore. Si është vlerësuar nga publiku italian  kjo ekspozitë?

Pergjigje: – Mendoj se çdo njera prej këtyre veprave mbart në vetvete motive të fuqishme emocionale dhe shpirtërore si bamirësja e çmimit “Nobel” Nënë Tereza, gruaja e betejave politike Emma Bonino. Në pah del fisnikëria e nënës shqiptare e cila merr një kult të veçantë emocional, ku shprehen dhimbje, krenari dhe lot, duke veçuar këtu, motivet e hidhura të vitit të zi 97, dhe  nënat e përlotura kosovare nga gjenocidi i egër Serb.

Pyetje: Krijimet tuaja dallohen për cilësi të lartë artistike.Çfarë mesazhi sillni nëpërmjet  kompozicionit kryesisht në pikturat  kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,Fan Nolit, Nënë Terezës dhe figurave të  tjera  të shquara shqiptare?

Pergjigje:- Mendoj se këto figura të spikatura duke mos harruar punimet e ndryshme, janë vlerësuar nga auditori shqiptar dhe i huaj,për nivel të lartë në zbërthimin psikologjik të individit,duke ndërtuar karaktere të fuqishme, të cilat në vetvete mbartin forcë,vitalitet dhe jetë.

Pyetje: Zoti Bashkim, në çdo krijim të përfunduar nënshkruani autorësinë tuaj, përse  tek  portreti i shkencëtarit dhe artistit Enriko Veizi, nuk e keni bërë një gjë të tillë?

 Pergjigje: Është  portreti  më i  veçantë  dhe  i  vetëm  që unë e kam bërë një  gjë  të  tillë. Portretin  nuk  e  firmosa,  por  e lashë ashtu të bardhë, ku me shkronja  të   padukshme janë shkruar emrat  e  të  gjithë  atyre  që  do  të  kishin  dëshirën  të  portretizonin  atë. Pra unë dëshiroja të mbetesha anonim. Po, unë e kam bërë Rikun, unë e modelova  portretin  e  tij nga  vetë  mëndja  ime,  si obligim  për  të  gjithë  ata që  jetojnë  përjetësisht. Për ata që nuk vdesin  kurrë. Po unë bëra detyrën time si krijues, për mikun tim, për njeriun fisnik, njeriun e shquar ENRIKO VEIZI.                                                                             

Pyetje:- Krahas“vallëzimt”të penelit prej afro 40-vjet në gishtërinjtë tuaj, pasioni rend dhe drejt përdorimit të spatullës.Çfarë cilësi të veçantë zotëroni në spatull, që krijesa juaj bëhet e besueshme tek auditori?

Pergjigje:- Në lëvrimin pafundësisht në grafikë dhe pikturë, gjatë gjithë jetës në karrierën time qëndron përdorimi i spatullës,e cila brenda vetes mbart energji dhe frymëzim ekspresiv.Gjithëçka ideoj, mundohem ti shpreh nëpërmjet frymëzimit.

Pyetje:- Cili publik ju ka vlerësuar më tepër në ekspozitat e hapura gjatë viteve të fundit?

Pergjigje:- Patjetër  publiku shqiptar, sepse si “zot shtëpie” ai të vendos notën që ti meriton.

Pyetje:- Ç’është arti i pikturës për ju?

Pergjigje:Piktura është natyrë,është qiell,është oqean. . .është jetë.

INTERVISTOI: FADIL SHEHU

Florida, Korrik 2018

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bashkim Alushi, Fadil Shehu, Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT