• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INTELEKTUALËT, DIMENSIONI I MUNGUAR I SUBJEKTËVE POLITIKE

September 24, 2020 by dgreca

Diskursi politik–

INTELEKTUALËT,  DIMENSIONI I MUNGUAR I SUBJEKTËVE  POLITIKE–

Në shoqëritë e ndryshme vazhdimisht kanë ekzistuar persona me dinjitët të cilët janë dalluar nga të tjerët përmes ndershmërisë, guximit qytetar dhe profesionalizmit të dëshmuar. Në një kategori të tillë personash  bëjnë pjesë intelektualët, të cilët kanë krijuar autoritetin e tyre  duke mbrojtur parimet shoqërore e jo duke qenë konformist për interesa personale. Ndonëse një kategori e tillë për nga numri është e vogël, vazhdimisht gëzojnë respektin  shoqëror, duke qenë model  për të tjert, ndërsa përjashtim bëjnë mjediset më mentalitet autokratik apo demokraci të pakonsoliduar. 

Shkruan: Nail  Draga

Me qellim për të mbeshtetur ndryshimin shoqëror të pluralizmit  në vendet e ish kampit socialist në fillim subjektët politike janë  mbeshtetur edhe nga intelektualët, duke mos qenë statist, por e kundërta  duke qenë pjesëmarrës  aktiv, sipas kapacitetit dhe mbeshtetjës në forumet politike.  Por,  më kalimin e kohës prania e tyre ka filluar të zbehët, sepse në subjektët politike në sajë të mos funksionimit të demokracisë së brendshme, autoritarizmit e bajraktarizmit u formuan grupime të ndryshme, të njohura si frakcione, që më vonë pasoj në ndarje duke themeluar parti të reja. Kemi të bëjmë me dukurinë e dekompozimit në  skenën politike e cila është bërë dukuri e kohës kudo në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk janë përjashtim.

Sindromi i politikës ndaj intelektualëve

Në sajë të qendrimit  të tyre parimor, dhe në mungesë të respektit të tyre,  intelektual të ndryshëm në heshtje në sajë të edukatës dhe etikës janë tërhequr sepse nuk kanë mundur të pranojnë situatat konfuze dhe grupet e interesave në subjektët politike. Në situatë të tillë nuk ka dilemë së  injorohën  vlerat profesionale, intelektuale dhe autoriteti shoqëror. Madje përvoja e deritashme dëshmon se të tillët subjektëve politike, përkatësisht udhëheqësve të tyre iu janë nevojitur për një kohë të caktuar, deri sa kanë arritur qellimet e tyre. 

Një e dhënë e tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një qendrim utilitar, nga ana e subjektëve politike  përkatësisht  mungesën e respektit, se ka ekzistuar  friga si më parë edhe tash nga autoriteti i tyre profesional dhe shoqëror, sepse të tillët   i kanë trajtuar si konkurent të mundshëm  për stafin udhëheqës së partive  politike. Pra kemi të bëjmë me sindromin ndaj intelektualëve, përkatësisht qendrimin  dhe autoritetin e tyre ndaj rrethanave shoqërore, që bie ndesh me interesat e subjektëve politike në veçanti dhe  pushtetit në përgjithësi.

Zhgënjimi i intelektualëve 

Çdo subjekt politik që ka një strategji të veprimit do të përpiqej që në mesin e tyre  për të pasur përfaqësim intelektual, personalitete më vlera dhe kontribute, që vetëm intelektualët mund ti ofronin. Nga një veprim i tillë do të   përfitonte  subjekti politik  duke pasur vizione dhe alternativa  me të qarta. Por, përvoja e deritashme dëshmon së një numër i konsideruar i intelektualëve janë zhgënjyer, sepse më të arritur objektivat e tyre, subjektët politike në mënyrë përfide  i kanë  mënjanuar ata, nga del se ndaj tyre ekziston një animozitet sepse ata janë parimor dhe të vendosur në qendrimet e parimet e tyre. 

Kemi të bëjmë pikërisht me çështjen e parimeve, që nuk janë të pranueshëm për struktura të ndryshme politike të cilët i kanë devijuar ato, në sajë të  interesave personale apo të klanëve të ndryshme. Një përvojë e tillë është dëshmuar në praktikë pothuaj kudo në kohën e tranzicionit që nuk është në favor të demokracisë dhe vlerave të pluralizmit politik.

Qasje e dyfishtë e subjektëve politike

Por, në sajë të  rrjedhave shoqërore, në pluralizëm jemi dëshmitarë  se subjektët politike kanë qasje të dyfishtë, sepse ndryshe veprojnë sa janë në opozitë e ndryshe kur vijnë në pushtet. Raste të tilla ka mjaft kudo, andaj nuk thuhet kot së pushteti dëshmon  karakterin e personave  në qeverisje. 

Kemi të bëjmë me një situatë të re, sepse me kalimin e kohës   subjektet politike kanë humbur dimensionin intelektual, sepse ka munguar respekti  dhe mbeshtetja e tyre nga subjekti politik në aspektin kadrovik, apo përfaqësues,  për të realizuar objektivat në qeverisje, sepse kanë ardhë në shprehje  interesat personale e klanore e jo ato profesionale  në nivel lokal apo shtetëror. 

Nuk ka si të jetë ndryshe se të tillët  shumë herë janë anashkaluar  për të qenë përfaqësues  madje edhe në këshillat apo komisionet e ndryshme profesionale në nivel lokal apo shtetëror, sepse atyre vendet iu zëjnë të tjerët, të cilët janë afër udhëheqjes partiake, që janë më të pranueshëm, përkatësisht  të degjueshëm. Një veprim i tillë të kujton  kohën e monizmit, madje  duke i tejkaluar në shumë  aspekte, çështje që meriton një qasje të veçantë. 

Veprimet e tilla thënë më së buti  janë aksidentale, sepse intelektualët iu duhën më shumë subjektëve politike, se sa ata atyre, sepse në sajë të kapacitetit të tyre ata  ofrojnë zgjidhje, ide dhe alternativa, që avancojnë çështjet preokupuese në mjedisin përkatës.

Populizmi, militantët dhe matrapazët

Duke marrë parasysh së në shumë subjekte politike aderojnë kategori të ndryshme qytetarësh, duhet theksuar së në fillimet e pluralizmit kemi pasur  të bëjmë me populizmin, dukuri kjo e njohur për vendet më demokraci të pa konsoliduar, ndërsa më vonë kemi pasur një evoluim, që kemi të bëjmë më  kategori të veçantë e ato janë  militantët. Madje këto  vazhdojnë të  jenë ende në modë sepse janë  të zëshëm,  të përshtatshëm dhe praktik andaj  si të tillë janë në pararojë të veprimit politik së bashku më matrapazët, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. 

Në një situatë të tillë nuk ka dilemë së zbehën vlerat intelektuale, profesionale e meritokracia shoqërore sepse në rend të parë janë interesat personale e ato klanore të subjektëve politike. Madje një pjesë e mirë e militantëve janë avancuar sepse  me kalimin e kohës janë pajisur edhe me diploma të fakultetëve të ndryshme, kryesisht ata private, pavarësisht së kanë mungesë të njohurive elementare, por  në sajë të angazhimit dhe “meritave”politike ata punësohen dhe zënë pozita duke dëshmuar së angazhimi politik jep rezultate. 

Politizimi  dukuri me pasoja

Përfundimisht kemi të bëjmë me tranzicionin e tejzgjatur   që veçohet më  krizë politike e morale, ku kuadrat e dëshmuara  me përgatitje shkollore mbesin jashtë procesit të punësimit, përkatësisht të pushtetit, sepse nuk kanë mbeshtetje politike. Raste të tilla ka mjaft kudo në vendet e ish kampit socialist, sepse përkatësia partiake ka më shumë  vlerë së sa diploma universitare, qofshin ata edhe prestigjioze.

Në gamën e gjerë shoqërore, nuk ka dilemë së intelektualët janë në pozitë të pavolitshme, sepse ata më qellim  margjinalizohën, duke mos pasur respektin e duhur, ndërsa e kundërta është me  të vetquajturit intelektual  të cilët me qendrimin tyre  konformist janë të përshtatshëm  për të gjitha pushtetet dhe si të tillë  përmes  subjektëve  politike arrijnë qellimet e tyre personale. Në rrethana të tilla shoqërore, nuk ka dilemë së kemi të bëjmë me politizimin e shoqërisë në tërësi, dukuri e cila ka marrë përmasa shqetësuese duke eliminuar vlerat e dëshmuara, që është fatkeqësi për të tashmën dhe të ardhmën.

( shtator 2020)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dimension i munguar, intelektualet, Nail Draga

Intelektualët …këta mentorë që na edukojnë dhe frymëzojnë me vepra

July 24, 2018 by dgreca

1 Marjana Bulku

Nga Marjana BULKU*/

Shqipëria e paradokseve, e tranzicioneve të shpeshta , të gjata, Shqipëria e krizave , e diktaturave të egra , të fshehta, të kamufluara me mirazhe demokracie sot më shumë se kurrë ka nevojë të ndjehet se sa e pasur është intelektualisht me gjithë varfërinë e saj sistematike politike .Kur hedh sytë nëpër kryqëzime historike ndjen dritën e intelektualëve dhe mendimtarëve që ne për fatin tonë të keq presim të na i referojë politika, partia mëmë, partitë të cilat na e varfërojnë të tashmen edhe të ardhmen.Intelektualët mbartin bagazhin kulturor që ne ia trashëgojmë brezave, janë mendime, studime, përplasje me realitetin e egër peng i politikave të gabuara sezonale që nuk i shërbejnë vizionit kombëtar por udhëheqësve partiakë të momentit që gjithmonë e më shumë bëhet treg politik aspak kombëtar, aspak demokratik. Intelektualët janë të angazhuarit e një shoqërie, që kohën e tyre , mendimin, frymëzimin, ia kushtojnë akteve që prijnë ndryshime të mëdha nga ku më të rëndësishmet e domosdoshme janë ato kulturore.Të arratisur nga realiteti shqiptar ata gjithmonë i investojnë atij duke mos ikur asnjëherë edhe kur fizikisht ndodhen larg. Nuk mundem të ndalem gjatë tek De Rada , Serembe, Fishta ,Koliqi , Çajupi a Frashërit,ata vazhdojnë të iluminojnë por Martin Camaj dhe Faik Konica natyrisht që përbëjnë pasuri të rralla të mendimit letrar, kulturor duke qenë fenomeni ajsberg që vetëm volumin ua dijmë dhe fare pak larminë dhe cilësinë e mesazheve që janë kaq aktuale sot. Është e vështirë të ndalosh në aktet e tyre krijuese vetëm në një shkrim por është një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar se historia e vërtetë shqiptare nuk janë vetëm luftrat e saj, as sistemet e dështuara që politika instaloi , por emrat që i falën vepra asaj , janë ata që edhe pa prezencën e tyre fizike atje krijuan aq shumë dhe lanë pas kolanën e mendimit që vazhdon të frymëzojë e ta mbajë gjallë atë vend që politika intrigon dhe përçudnon çdo ditë. Është e dhimbshme kur ndjek këta emra hite veprash që jetuan larg Shqipërisë me pse dhe brenga, mall e ëndrra , shpresa e dëshira shtegtare.Janë mentorët tanë më të mirë, meteorë,mjafton një observim i veprave kolosale kësaj trashëgimnie që na pasuron edhe në krizat tona sociale e politike pasi ekonomikisht ne gjithmonë në krizë kemi qenë.Histori Shqipërie janë ata që Shqipërinë e bëjnë të njohur çdo ditë atje ku jetojnë e punojnë përmes veprave dhe akteve të tyre, shkrimeve, krijimeve duke e përjetësuar atë, duke ideuar për të duke ia rrëmuar bukuritë , duke ia shplurosur historitë.  A nuk e gjetëm ne historinë e palexuar të Shqipërisë në heronjtë realë të veprave të Mal Berishës ;Charld Telford Erickson dhe Herman Bernstain?! A nuk e dëgjuam dhe ndjemë vëmendjen dhe dashamirësinë amerikane përmes Zërit të Elez Biberajt që më shumë se Zërin e Amerikës sillte shpresën e një zgjimi demokratik që pothuaj ishte shuar . A nuk është një akademi e vërtetë gazetarie, opozitarizmi dhe kronologjie historike dhe mediatike analiza mendimtare e Frank Shkrelit?! A nuk e gjejmë fisnikërinë por edhe mençurinë e thellë tek tablotë historike e analitike të Sami Repishtit?!A nuk ishte unikal Ligji për trashëgimninë kulturore në parlamentin e Ontarios punuar me aq shumë mund e përkushtim nga Dr Ruki Kondaj dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze?!A ka konkretizim më real intelektualizmi patriotik se Vatra 106 vjeçare dhe gazeta e saj  Dielli , më e vjetra gazetë shqip që vazhdojnë të rezatojnë liri e qytetari edhe nën drejtimin vital të Dritan Mishtos e të palodhurit editorialist Dalip Greca?! Kjo është vetëm një pjesëz e historisë sonë kulturore, është vetëm ajo çka unë kam takuar apo ndjekur nëpërmjet Pasqyrës Shqiptare, këtij televizioni prestigjoz të Ilir Lenës në Kanada , apo Albanian Culture Tv në Amerikë aty ku përmes “Një jetë…disa histori ” kemi qënë dhe do të jemi jehonë e botës intelektuale e cila historisë i bën vend çdo ditë përmes kronikave , ngjarjeve që edhe pse jetojnë realitetin e largët flasin shqip dhe ëndërrojnë po ashtu. Qindra vjet nuk e shkulkan ëndrrën dhe shpresën me të cilën të ikurit e parë mërguan. Sepse ky vend i madh është i tillë jo vetëm gjeografikisht, por për dashamirësinë që ka ndaj mendimit, vizionit, idealeve të bukura që humanëve ju ka dhuruar Zoti. Këto krijesa kreative që evolojnë veten dhe mjedisin duke i dhënë rruzullit qytetërime e zhvillime progresive nuk duhet tju ngjajnë fiseve primitive në shekujt modern ku ne jetojmë, përkundrazi ” gjeniu ia lë rrugën hapur gjeniut” është një formulë që e besoj dhe sa më shumë ia ndjej prezencën aq më shumë bindem se mendjet pasurojnë dhe meritojnë vend. Është kjo fytyra e re e intelektualizmit që dashurinë për atdheun din ta shndërrojë në vepra që munden të orientojnë, frymëzojnë dhe pse jo edukojnë kaosin social e politik duke vendosur stade të reja kulturore nëpër gjurmët e mentorëve më të mirë ; intelektualëve.

*Autorja e shkrimit është anëtare e Kryesisë së Vatrës

Filed Under: Opinion Tagged With: intelektualet, Marjana Bulku, mentoret tane

Heshtja nuk tregon urtësi në këtë rast

February 13, 2017 by dgreca

-Intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur/

nga Majlinda BUSHJA/

2 Majlinda Bushja

Nuk ke për çfarë të flasësh më parë, në këto kohë të vështira. Shqetësim ka krijuar grabitja e bankave për të disatën herë, nga ana tjetër vetingu dhe përplasja Llalla –Lu kanë krijuar tensione të vazhdueshme në politikë, në parlament vazhdojnë si serial i radhës, zënkat, dhe disa ditë më vonë kemi protestën e 18 shkurtit të organizuar nga opozita. Ikën dhe 8 thasë me para, jo pak por, 3.2 milionë dollarë citojnë mediat. Të dhënat janë kontradiktore si gjithmonë në media, disa thonë ishin 7 thasë, të tjerat 10, e disa të tjera 8. Fakti që përforcohet gjthmonë e më shumë në këtë vend dhe rast, është kriza e sigurisë.

Në javën që lamë pas, të enjten në mbrëmje, emisioni “Opinion” në televizionin “Klan”, shtroi si temë diskutimi këtë problematik të përsëritur që është vërtetë shumë serioze, ku Fevziu i qau hallin policëve privat që marrin një rrogë prej 18 000 mijë lekësh në muaj, dhe mirë bëri. Ç’janë 180 mijë lekë në ditët e sotme, ku ritmi i jetës aq më tepër në kryeqytet është shumë larg kësaj rroge dhe çmimet krahasuar me vendet e tjera janë të larta. Por gazetari që punon prej disa vitesh në median e shkruar dhe elektronike nuk ja ka qarë ndonjëherë hallin kolegëve gazetarë që keqpaguhen, paguhen me vonesë, apo nuk paguhen fare, apo nuk i hyn gjemb në këmb, ndërkohë këmbët e kolegëve janë mbushur plot, e në rastin më të parë nxjerrin në shesh problematikën. Pothuajse rrallë herë është shtruar kjo temë për diskutim dhe më të guximshmit kanë guxuar të flasin.

Pasi, disa ditë më parë Deutsche Welle publikoi një artikull për gazetarët shqiptar që u pasqyrua edhe në mediat tona me titull: “ Gazetarët e Shqipërisë të pambrojtur”, ku trajtohej problemi i vonesave të pagave, kontratat individuale apo moskontratat fare, puna në të zezë dhe drobitjen e gazetarëve shqiptar në kushte pasigurie për punën dhe ekzistencën e tyre. Ndërkohë që gazetarët ngrenë zërin me forcë për të gjitha shqetësimet e qytetarëve duke vrapuar nga një skaj i vendit në tjetrin në çdo kohë, nuk kanë zë për të drejtat e tyre. Kur puna shkon aty, mbizotëron heshtje, por heshtja në këtë rast nuk është maturi, por nënshtrim. E kur çdo gazetar pajtohet me këtë nënshtrim, me frikën e humbjes së vendit të punës, ai ka pranuar të gjitha presionet e tjera që vijnë si rrjedhojë e së parës. Ndërkohë që flet gjithë ditën për të drejtën e vërtetën, ai, gazetari, fsheh të vërtetën e tij, dhe të drejtën e tij e ka lënë të fundit për nga radha. Mirëpo, askush nuk guxon të flasë e të mbrojë gazetarin, as ai vet, vetveten, e të kthejë faqen e historisë njëherë e përgjithmonë. Të paktët që guxojnë harrohen shpejtë dhe humbasin mes problematikave të përditshme.

Në këtë rast me të drejtë lind pyetja:  Pse duhet të flas Deutsche Welle  për gazetarët shqiptar të katandisur e të pambrojtur ku vet të zotët e punës vegjetojnë duke pranuar realitetin që nuk dihet për sa kohë do të jetë i tillë. E ku protestat s’ekzistojnë e as që merren me mend përveç një protestë të gazetarëve të televizionit A1News, një televizion në vitin e parë të tij. Askush nuk duhet të ketë frikë nga e drejta, nëse e meriton duhet ta gëzosh. Por nëse je gazetar këtu në Shqipëri ke frikë nga e drejta jote, kështu ka ndodhur këto 27 vite, të pas ’90-tës. Heshtja ka qenë e para dhe e drejta ka shkuar pas saj po në heshtje.

Nëse rikujtojmë, një raport të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, 3 maj 2015 , (Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias), shifrat janë tronditëse përsa i përket realitetit. Një realitet i maskuar që sa herë heq maskën të lë pa fjalë nga ku ndër të tjera në raport thuhet; “Në 23 gazeta të përditshme të vendit, vetëm në 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave korrekte në kohë; në 72 televizionet e vendit, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare të punonjësve, nga 71 radiot, vetëm në 8 paguhen rrogat në mënyrë korrekte dhe nga 250 webe dhe gazeta online të çelura pas periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre rezulton një sistem modest pagash. Pra, në 85 % të mediave të vendit gazetarët ose nuk janë paguar në kohë, ose nuk janë paguar fare”. Pavarsisht se, ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që atëherë gjerat nuk kanë ndryshuar. Shkrimi i Deutsche Welle  përforcon edhe njëherë faktin se gjerat nuk kanë ndryshuar. Këto të dhëna nuk përbëjnë lajm për qarqet gazetareske pasi dihen prej kohësh, por askush nuk merr guximin për të ndryshuar gjendjen ku puna të fuksionojë në bazë të rregullave dhe të çmohet me seriozitetin e shpërblimit të merituar. Nëse tregu mediatik është në krizë, nisur nga situata që flet vet sot, atëherë pse nuk duhet ta pranojmë, ku gazetari i paguar keq, apo i papaguar është më gjyhnaqarë se ata policët që janë paguar keq dhe janë të pamotivuar për ta bërë punën mirë. Pasi nuk rrinë bashkë arti i të shkruarit, me këpucët e grisura, por këto të fundit mund të shërbejnë për art. Madje janë tregues që intelektualit të sotëm po “i  griset” dinjiteti dhe durimi, përmes kësaj indiference të stërzgjatur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Heshtja, indiferenca, intelektualet, Majlinda Bushja

Intelektualët ortodoksë: Fushatë tendencioze, mbështesim Janullatosin

July 1, 2014 by dgreca

Lidhja e Intelektualëve Ortodoksë të Shqipërisë ka deklaruar hapur mbështetjen e vet ndaj kryepeshkopit Anastas Janullatos, ndërsa proteston ndaj asaj që e konsideron si fushatë tendencioze, të pavërtetë dhe që cenon harmoninë fetare në vend. “Megjithëse nga ngjarja historike e 1 qershorit ka kaluar afro një muaj, në media vazhdojnë sulme të përsëritura kundër Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe veçanërisht kryepeshkopit. Arritjet e këtij komuniteti nën drejtimin e Kryebariut, u treguan edhe nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kishës Orthodhokse, por edhe të gjithë vendit, Shenjtërimi i Kishës Katedrale ‘Ngjallja e Krishtit’, ku morën pjesë 4 Patriarkë, 4 Kryepeshkopë dhe përfaqësuesit e 4 Patriarkëve Orthodhoksë, me në krye Tërëshenjtërinë e Tij, Patriarkun e Konstandinopojës, Bartholomeu I dhe vlerësimet që ata u bënë këtyre arritjeve”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Intelektualëve Ortodoksë. Lidhja, kujton se në shenjtërimin e Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, morën pjesë gjithashtu Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe personalitete të tjera shtetërore dhe politike, një gjest ky domethënës sipas tyre, se kisha është drejtuese dhe e vetmja përfaqësuese e denjë e Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë. Duke i konsideruar ‘qëndrimet përçarëse nga individë që kërkojnë të nxisin konflikte, si të pabaza dhe të pavërteta”, intelektualët ortodoksë, shprehin edhe njëherë përkrahjen e fuqishme dhe falënderojnë me nderim Fortlumturinë e Tij Anastasi.

Kisha Ortodokse: Nuk e refuzuam bustin e Nolit, po e fyeni/
Fatmira Nikolli/
Mënyra se si u veprua ditën e djeshme, nuk e nderon veprën e tij të jashtëzakonshme për kishën dhe vendin, por e ul dhe fyen atë. Ne dëshirojmë që busti i Imzot Theofan Nolit të jetë në Durrës, sepse aty i takon të jetë”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë sa i takon vënies së bustit të Fan Nolit në kishën “Shën Mëria” në Elbasan, kishë që drejtohet nga At Nikolla Marku (por që nuk njihet nga KOASH).
Prej ditës së shtunë, busti i Imzot Fan Nolit është kthyer në objekt përplasjeje mes Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe shoqatës “Foleja Kombëtare”, që përfaqësohet nga Lida Jorgoni. Jorgoni ka kërkuar vënien e bustit të Nolit në Kishën Ortodokse të Durrësit, ku Hirësi Theofan Noli ishte mitropolit. Por, ndërsa Jorgoni pretendon se bisedimet mes palëve dështuan dhe ajo u detyrua ta çojë përmendoren e Nolit në Elbasan, KOASH pretendoi se ka qenë gjithnjë dakord ta mbajë atë në Durrës, porse nuk iu ka ardhur asnjëherë një kërkesë zyrtare nga shoqata në fjalë.
Përplasja
Prej së shtunës, deklaratat e shoqatës dhe kishës përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Krahas tyre, në meshën e mbajtur të dielën në Elbasan, toneve akuzuese e sqaruese të dy palëve, iu shtuan edhe akuzat e At Nikolla Markut. “Sot Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare që Noli themeloi nuk është e pavarur dhe është e pushtuar nga grekë dhe shovinistë me një të ashtuquajtur Janullatos. Fatkeqësisht, sot kisha nuk është e shqiptarëve, por e shovinistëve vorio-epirotë dhe atyre që kanë bërë gjenocid ndaj shqiptarëve që në Çamëri e në Kosovë. Së bashku me kryepeshkopin serb duan gjunjëzimin e kombit shqiptar nga Ballkani dhe trojet etnike shqiptare…”, – tha të dielën, At Nikolla Marku nga Elbasani. Ndërkaq, ditën e hënë, në një deklaratë për mediat, Kisha ortodokse, Apostull Pavli dhe Shën Asti Durrës, u shpreh se “kemi qenë dhe jemi dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës. Theksojmë se: Ishte organizata ‘Foleja kombëtare shqiptare’ që i ndërpreu bisedimet, për arsyet që ata i dinë dhe për asnjë moment për shkakun tonë. Sigurisht, këto çështje nuk zgjidhen as me pamflete dhe as me ultimatume, por duke dialoguar me të gjitha palët. Për të realizuar këtë ne do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e autoriteteve lokale vendore të qytetit”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatës “Foleja Kombëtare”. Përmes një njoftimi për mediat, kjo e fundit u shpreh se “denoncon hipokrizinë e reagimit të sotshëm të Kishës Ortodokse në Durrës, e cila thotë se është ‘dakord që busti i Imzot Theofan Nolit të vendoset në Durrës’. Nëse priftërinjtë e KOASH-it mendojnë se janë kryebashkiakë, ky është problemi i tyre. Kërkesa e dorëzuar që më datë 18 qershor kërkon që busti të vendoset. ‘Foleja Kombëtare’ nuk ka bërë as pamflete e as ultimatume”. Më tej, shoqata shton se nëse ata (kisha) duan të japin përgjigje pozitive që busti të vendoset në oborr të kishës, ata marrin përsipër të financojnë dhe ndërtojnë një bust edhe më të madh për Mitropolit Theofanin. “Kisha Ortodokse në Durrës, me hipokrizi nuk mund të manipulojë opinionin publik. Le të na thotë që e pranon bustin e Mitropolitit dhe ne do ta financojmë, do ta ndërtojmë dhe do ta çojmë sa më shpejt në Kishën e Durrësit! Foleja Kombëtare, pas kërkesës zyrtare që i ka dërguar, edhe pse e ka refuzuar njëherë, pyet zyrtarisht Kishën Ortodokse në Durrës, nëse do ta pranojë dhuratën tonë, vendosjen e një busti të Mitropolit Theofan Nolit në oborrin e Kishës Ortodokse në Durrës, apo e refuzon sërish kërkesën që ne i kemi dërguar zyrtarisht?” – e mbyllin reagimin e tyre, përfaqësuesit e shoqatës.

Filed Under: Opinion Tagged With: intelektualet, Janullatosin ?!, mbështesim, ortodoksë: Fushatë tendencioze

Artikujt e fundit

  • “Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik
  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT