• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2018

Atë Shtjefen Gjeçovi – dëshmues i fazës arketipale të psikologjisë etnike të popullit tonë

September 27, 2018 by dgreca

1-Gjecovi-300x225Me rastin e 145-vjetorit të lindjes/

Nga Anton Çefa/

Atë Gjeçovi lavroi në disa fusha të dijes e të artit, por kur na përmendet në kujtesë emri i tij, si një lapidar shkëqimtar na përfytyrohet Kanuni, vepra monumentale e kulturës sonë popullore.Merita e tij në kodifikimin e Kanunit qëndron në faktin se ai ka rregjistruar jo vetëm ligjet e së drejtës zakonore, por edhe “ligjet” e etikës”; duke na vijëzuar një hise të dorës së parë të psikës sonë etnike, strukturën morale të shoqërisë kanunore, e cila në të njëjtën kohë është struktura më e hershme e etikës morale të popullit tonë. Tek ajo pasqyrohet gjithashtu qenia dhe qenësia e një ideali të fisëm etik. Duke na dhënë kodin e hershëm juridik dhe ngjizur me të kodin etik të frymëzuar nga ideali etik, Gjeçovi na paraqiti para botës jo vetëm si një popull i lashtë e fisnik, po edhe i qytetëruar. Në primitivizmin e vet jetësor, populli ynë vuri ligje për të rregulluar jetën e vet shoqërore, dhe një populli që krijon ligje dhe që ushqen një ideal etik është vërtet i  qytetëruar.

(Marr leje të bëj një “ndërkllapa”. Atë që bëri Gjeçovi në fushën e së drejtës zakonore, e bënë më vonë në fushën e artit folklorik mbledhësit dhe botuesit e parë të këngëve të kreshnikëve, At  Bernardin  Palaj dhe At Donat Kurti,  të cilët i  “kodifikuan” ato, duke i  dhënë formën e plotë të një eposi. Ky monument i dytë madhor dhe madhështor i kulturës  sonë popullore mbas Kanunit pasqyroi në fushën e artit psikologjinë etnike të popullit tonë, atë psikologji  që kishte pasqyruar Gjeçovi tek  Kanuni.)

“Ligjësia” psikologjike në veprën e Gjeçovit është fryma, shpirti, virtyti, ndërsa kanunësia e së drejtës është lënda, trupi, ligji. Nga virtyti lind ligji, virtyti është fryma që i jep jetë ligjit. Ligji pasqyron karakterin, virtyti e dëshmon atë. Kështu, nga Gjeçovi ne mësojmë përbërës me vlerë të psikologjisë sonë etnike drejtpërdrejt dhe tërthorazi; drejtpërdrejt nëpërmjet parashtrimit të tij të lëndës dhe tërthorazi nëpërmjet ligjeve kanunore.

Ndryshimi mes ligjit kanunor dhe normës morale qëndron në pasojat e tyre. Pasojë e shkeljes së ligjeve të së drejtës është gjyqi, dënimi; ndërsa shkelja e “ligjeve” të virtytit, mosrespektimi i tyre nuk ka gjyq, ndëshkim, por ka thjesht dënimin moral: turpin. Gjeçovi në KLD e ka sqaruar këtë çështje, duke e cilësuar shkeljen e virtyteve si shnjerëzim ose duke folur për “të falmen”, kur thotë: “Je i lirë me mbajtë burrninë tande, je i lirë me u shburrnue”.

         Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, po marrim si shembull besën, ku duket i  qartë dallimi mes ligjit kanunor dhe normës morale.Gjuhësisht, leksema besë është një fjalë homonimike; ajo emërton dy dukuri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra: besën si zakon i së drejtës kanunore dhe besën si normë morale.

Si normë e së drejtës, “besa asht një vade (periudhë kohe) lirije e sigurimi qi shpija e të vramit i ep dorërasit të tij, tuj mos i ndjekë për gjak perkohsisht e mje (deri) në vade të caktueme” . Ndërsa si virtyt ajo është thjesht mbajtja e fjalës së dhënë.

Besa si doke kanunore nuk funksionon vetëm, ajo kërkon të shoqërohet me benë. “Beja asht nji sjellje besimtare, per mjet së cillës nieri, tue dashtë me dalë së keq prej nji zhgarkimi të dhunshem, do të përkasë me dorë nji shej besimi, tuj e grishë emnin e Perendis në dishmi të së vertetës.”. Ndërsa si fjalë e dhënë, ajo është e vetëmjaftueshme; nuk ka nevojë për benë e as për ndonjë kusht tjetër. Me fjalë të tjera, për  ngrënien e fjalës së  dhënë  nuk  fajësohet e ndiqet tjetri penalisht. Pasojat janë vetëm shpirtërore: turpi a koria, a në mënyrë metaforike: faqja e zezë.

*

         Përballë Çabejt, Konicës, Anton Harapit, që kanë bërë objekt të veçantë studimi psikologjinë etnike të popullit tonë; Barletit, Bardhit, Bogdanit dhe pothuajse të gjithë shkrimtarëve e publicistëve të Rilindjes dhe të Pavarësisë,  dhe mjaft të huajve, prej të cilëve po përmend Valentinin, Cordignano-n, studiuesin dhe përkthyesin në anglisht të Kanunit, Leonard Fox, studiuesin  japonez Kazuhiko Yamamoto, studiuesin amerikan George Fred Williams, e ndonjë tjetër që kanë dhënë mendime në këtë lëmë studimore, Gjeçovi zë një vend të veçantë, si dëshmues i strukturës etike të popullit tonë në fazën e saj arketipale, në një hapësirë të gjerë kuptimore, dhe duke u bërë kështu refernca e parë dhe më e rëndësishme për këtë fushë shkencore.

Kjo strukturë etike arketipale përfshin virtyte të tillasi burrëria, nderi, besa, ndorja, falja, mikpritja, dhe, për rreth kësaj bërthame, një varg tiparesh humane të tjera si ndjenjat e ngrohta e të pastra familjare,kulti i prindërve dhe, përgjithësisht, i të parëve, bujaria, nderimi i veçantë për të vdekurit, dashuria e pakufishme për vendin, ndjenja e mosnënshtrimit ndaj të huajit, armikut,një dëshirë e etshme për të jetuar të lirë, gatishmëria deri në vetmohim për t’i mbrojtur trojet dhe lirinë prej të huajve, karakteri luftarak, trimëria, heroizmi, nderimi dhe një ndjenjë e veçantë për armën, qëndresa në sprova të vështira përballë armikut, krenaria kombëtare, individualizmi, konservatorizmi, që profilizojnë identitetin shpirtëror të popullit tonë.

Natyrën arketipale të strukturës sonë etike e kanë vënë në dukje edhe shumë studiues të huaj. Leonard Fox ka shkruar: “Shumica e ligjeve të pasqyruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit janë në fakt arketipe legale, që janë ruajtur nga periudha  ekstremisht arkaike të qytetërimit njerëzor”. Ai e ka vlerësuar Kanunin si “shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, karakter që mishëron një moral të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten  dhe për të tjerët”. Ndërsa studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto, i pari studiues nga kontinenti aziatik që ka bërë objekt studimi të drejtën zakonore shqiptare dhe i pari që, duke e shqyrtuar në rrafsh krahasues me traditën mitologjike japoneze dhe me strukturën etike të shoqërisë homerike, të pasqyruar tek “Iliada” dhe “Odisea” dhe tek tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, e ka trajtuar atë si sistem vlerash etike të një shoqërie pagane transhendentale  dhe, duke polemizuar me hipotezat e mëparshme për problemin e zanafillës së etikës në shoqërinë njerëzore, e ka cilësuar atë si fazën fillestare të organizimit shoqëror të një shoqërie ku mungon shteti.

Lashtësinë e sistemit të vlerave etike të Kanunit tonë, natyrën e tyre arketipale, Yamamoto e ka çuar deri në pragun zanafillor. Mbasi ka kritikuar teoritë e Hobbes-it, Rusoit, Niçes dhe Gerardit për origjinën e rendit shoqëror, dhe, lidhur me të, për stadin më të hershëm të psikologjisë njerëzore, ai ka shtruar hipotezën që struktura etike shqiptare e pasqyruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit përbën fazën e parë të etikës njerëzore.

*

Ku qëndron vlera aktuale e trajtimit të strukturës etiko-morale arketipale të shoqërisë së hershme shqiptare nga Gjeçovi? Ndërsa kanunësia e së drejtës ndryshon me ndryshimin e rrethanave shoqërore, kështu që sot nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e së drejtës kanunore, gjë që perëndoi që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, psika e pasqyruar tek kanuni dhe sidomos ajo hise e saj që ne e quajmë strukturë etike është më e qëndrueshme, më konservative. Sadoe dobësuar nga rrethanat historike të pavolitshme, ajo është ruajtur në vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë.

Historikisht  ka qenë kjo traditë që e ka mbrojtur shqiptarin nga tëhuajsimi, ky  synim i përgjithmonshëm dhe kjo përpjekje e vazhdueshme e pushtuesve të huaj, dhe do të jetë sot e kësaj dite fondi shpirtëror me të cilin do t’i rezistojmë rreziqeve që paraqesin tendencat globaliste  të kohës së sotme.

Në mënyrë të veçantë, në periudhën e regjimit komunist, me imponimin e ideologjisë komuniste, kjo trashëgimi e vyer u sulmua nga diktatura me të gjitha format e mundshme, jo vetëm me plane e programe të planifikueme, pleniume e kongrese të bujshme, por edhe me dhunë. Siç ka shkruar Sami Repishti: “Pushkatohej ai që shtëpinë e konsideronte të Zotit dhe të mikut, burgosej e vritej ai që ruante nderin më shumë se jetën, torturohej mizorisht ai që burrnisht nuk pranonte me shpifë për shokun ose të panjohurin, internohej  shqiptari që mbajti besën e dhënë ose bashkëshorti, sidomos gruaja, që nuk tradhëtonte burrin.”
         Është në natyrën e shqiptarit që ta ndjejë veten më të lirë, më të plotësuar, më të realizuar, në gjirin e këtij tradicionalizmi instinktiv e njëheri gjallërues që priret gjithnjë nga e reja, drejt një perspektive premtuese të së ardhmes.

Sot e kësaj dite, është kjo traditë sa e fisme aq origjinale që na jep mundësinë të paraqitemi denjësisht para popujve të tjerë.  “Pohimi ‘Jam shqiptar!’, ka shkruar Koliqi, mbetet pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore.”

Problemi i njohjes, i ripërtritjes dhe i kultivimit të vlerave pozitive të traditës dhe i shmangies së tipareve negative është faktor i nevojshëm dhe i domosdoshëm në zhvillimet e jetës shpirtërore dhe po aq një mjet i rëndësishëm në strukturimin e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore, artistike, etj., të një populli. Njohja e substancës etike përbën një vlerë imperative. Njohja e kodit etik popullor dhe, në rastin tone, ripërtritja e tij është parakusht për ndërtimin e një filozofie të jetës kombëtare, të një edukate kombëtare të breznive të reja dhe, po ashtu, një parakusht për t’i vënë themele të sigurta ligjshmërisë shtetërore.

Në rrethanat tona të sotme, është e nevojshme dhe e domosdoshme të synojmë dhe të përpiqemi për një ripërtritje shpirtërore të popullit, në funksion të vetëdijësimit të tij lidhur me detyrat për ndërtimin e një jete qytetare të qëllimshme të frymëzuar nga idealet e larta atdhetare  e shoqërore, dhe sidomos të një demokracie të shëndoshë, të cilën klasa politike nuk ka arritur dhe nuk ka dashur ta vërë në jetë. Pa këtë ripërtritje, pa këtë vetëdijësim, nuk mund të bëhet fjalë për një integrim në qytetërimin perëndimor, për t’i bërë tonat ato vlera të shëndosha që e karakterizojnë atë dhe që konsistojnë në ndërgjegjësimin e çdo qytetari për përgjegjësinë ndaj vetes, shoqërisë dhe atdheut, për çdo gjë që ndodh me të dhe rreth vetes së tij.

Është detyrë e ditës që në gjithë veprimtarinë tonë shoqërore e kombëtare të shkëlqejë gjithnjë ideali etik i etnosit tonë i mbrujtur ndër shekuj. Sepse ideali etik është atributi shpirtëror qenësor, njësia që e ushqen dhe i jep formën e njëmendtë idealit kombëtar; ai nuk është thjesht jehonë e një realiteti të dikurshëm, e një të kaluare historike, por, dhe kjo është kryesore, ai është e duhet të jetë një synim i dorës së parë për të ardhmen, një ideal që duhet të vezullojë gjithnjë mbi hapësirën shpirtërore shqiptare dhe, sidomos, mbi atë ngastër të saj të shenjtë që ne e quajmë shkurt ndërgjegje kombëtare dhe që është aspiratë dhe njëheri krenari, vetëmohim dhe njëheri heroizëm për secilin prej nesh. Kur misionari aktiv i Foreign Office-s, Edmund Spencer, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1847, shprehej:“Shqiptarët tregojnë çdo virtyt social që dallon banorët e vendeve më të qytetëruara” ose kur F. S. Douglas që, si shoqërues i lordit anglez Frederik North, vizitoi Ali Pashë Tepelenën , më 1811, shkruante: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh”, ata sigurisht kishin parasysh ndërtesën fisnike shpirtërore të popullit tonë dhe, në vijë të parë, atë ideal që i jep dritë asaj ndërtese, idealin e lartë etik të popullit tonë, si faktor parësor për ekzistencën e një kombi, njëmendësinë shpirtërore që përbën njësinë e matjes, etalonin që formëson dhe përcakton dimensionet e një kombi. Një popull që e humb atë shkon drejt shkombëtarizimit; dhe, në ditët tona, e përpin globalizmi ndërkombëtar. “Shpirti dhe gjenia kombëtare, ka shkruar Noli, janë ato që e ndajnë (dallojnë) një komb nga tjetri, dhe këto duhen mësuar dhe lëruar, në qoftë se një komb s’do vdesë. Orën që i humbi, është i vdekur”, sepse “pas vdekjes morale, vjen vdekja fizike.”  Prandaj, problemi i strukturës morale etnike, i idealit etik që e përshkon atë, si përbërës i qenësishëm i një ndërgjegjeje të shëndoshë kombëtare, është i lidhur ngusht me fatet e popullit dhe të atdheut.

Duhet të pranojmë që populli ynë sot po përjeton një krizë të thellë morale tepër të rrezikshme për të sotmen dhe sidomos për të radhmen. Nuk mund të çlirohemi prej saj, nëse nuk përpiqemi të përtrijmë atë çka ka mbetur prej tharmeve shpirtërore të së kaluares, të ripërtrijmë ato çka janë venitur apo shuar krejt dhe të hedhim sytë drejt së ardhmes, duke u përpjekur për  fisnikërimin e njeriu tonë.

Megjithëse edhe në këtë periudhë që po futet në histori me etiketën e një tranzicioni deshtak drejt një demokracie të vërtetë, shoqëria shqiptare nuk arriti të jetësojë një ripërtëritje aq të dëshiruar të traditave të vyera shpirtërore, populli ynë, që i ka bërë ballë përpjekjeve shekullore asimiluese të të huajve shumë më të fuqishëm se ai; ky popull që ka ruajtur gjuhë e zakone, ky popull që ka plazmuar një individualitet etnik original, duke u kapur me xhelozi pas traditave, ky popull është i aftë për një zgjim shpirtëror të tillë që, duke bërë të veten atë çka të mirë na ofron qytetërimi perëndimor, i filtruar gjithnjë në filtrën e psikës  sonë, të ripërtërijë atë substancë etike të fisme të trashëguar prej të parëve dhe të dëshmuar nga Gjeçovi. Është pikërisht kjo traditë e qenësishme shpirtërore kushti ekzistencial i mbijetesës  dhe i afirmimit tonë me dinjitet në gjirin e kombeve të tjera.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Ate Shtjen Gjecovi, dëshmues i fazës arketipale

Protesta në Prishtinë – shansi i humbur i LDK-së…

September 27, 2018 by dgreca

….fitore e pastër e Vetëvendosjes!/29 Shtator proteste

Nga Enver Bytyçi/ Pasnersër, me fatën 29 shtator 2018 në orën 14.00, Lëvizja Vetëvendosja do të organizojë në kryeqytetin e Kosovës protestën e parë kundër presidentit të vendit Hashim Thaçi. Disa elementë të kësaj proteste, e ndryshme nga të gjitha protestat e derisotme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, mund të jenë: 1. Organizatorë të protestës – Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti. 2. Pjesmarrës në protestë: Anëtarët, simpatizantët dhe gjithë shqiptarët që e kanë të shënjtë atdheun dhe territorin e tij. Pjesmarrës do të jenë edhe anëtarët e Lidhjes Demokratike, të partive në koalicionin qeverisës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo krerët e tjerë të opozitës ose të pushtetit. 3. Protesta adresohet kundër planeve të presidentëve të Serbisë dhe të Kosovës, përkatësisht Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për ndarjen e territorit të vendit. 4. Qëllimi i protrestës është të ndalohet çdo mundësi për bisedime për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, gjë që përkthehet në ndryshim kufijsh. 5. Vendi i protestës është sheshi kryesor i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Por në këtë protestë ka edhe disa risi: 1. Opozita e Kosovës e ka lënë Vetëvendosjen të vetme në organizimin e saj. Ndërsa Lidhja Demokratike i ka shpall luftë kryeministrit të vendit, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur papajtueshmërinë e saj me presidentin e Republikës, Hashum Thaçin, për (mos) ndryshimin e kufijve dhe mbrojtjen e territorit të vendit. 2. Lidhja Demokratike nuk i është bashkuar protestës për mbrojtjen e territorit, sepse kërkon të shfrytëzojë situatën dhe konfliktin midis kryeministrit dhe presidentit me qëllim marrjen e pushtetit! Kjo do të thotë se LDK bëhet mbështetje e presidentit Thaçi për ndarjen e vendit! Pra për LDK-në ka rëndësi pushteti, për Vetëvendosjen e Albin Kurtit ka rëndësi tërësia territoriale e Kosovës! 3. Lidhja Demokratike e Kosovës me qëndrimin e saj kundër ose asnjanës ndaj protestës potencon se “Institucionet e shtetit janë të rëndësishme” dhe beson se Kosova mund të ketë institucione pa territor! Absurde! Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë del në mbrojtje të shtetit të Kosovës e njëkohësisht territorit të saj, ndërkohë që vitet e shkuara ka zhvilluar disa protesta me moton e mosnjohjes së institucioneve të vendit! Ky është një kapërcim i madh në vetëdijësimin e saj! 4. Këto zhvillime në opozitën e Kosovës dëshmojnë se LDK dhe Vetëvendosje po ndërrojnë rolet, po zhvendosen në pozicione të panatyrshme ose të kundërta me atë çfarë ato janë proklamuar në të kaluarën! 5. Nga protesta e të shtunës del e fituar Kosova, pas saj Lëvizja Vetëvendosje dhe do të humbasin presidenti i Kosovës dhe aleatët e tij në Lidhjen Demokratike! LDK-së do t’i duhet shumë kohë t’i bindë qytetarët se nuk lufton për pushtet, por lufton për shtet e mbrojtjen e atdheut. LDK nuk mundi të kapë trenin e për pasojë do të vonohet! Çdo vonesë e saj do ta rrënojë besimin që ka te zgjedhësit në Kosovë. 6. Kam qenë kritik i Albin Kurtit, por me protestën dhe qëndrimet e qarta e të drejta të tij në mbrojtje të territorit të Kosovës ai nuk meriton kritika, përveçse vlerësimit maksimal të qytetarëve! Nëse Albin Kurti vazhdon ta përmbushë detyrën e tij në këtë objektiv, ai do të tejkalojë çdo vështirësi që mund t’i vijë për të qenë së afërmi kryeministër i Kosovës! Atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kuptojë se treni i humbur është edhe shans i humbur! Tirane, 27.09.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Protesta në Prishtinë, vetevendosja

SOT NE WASHINGTON- SHBA në linjë me Kosovën

September 27, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj takoi përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan/
1 zyra e Engel2 kryem kong5 shterngim duaresh
WASHINGTON, 27 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/*
Përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan u zotuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në linjë me Kosovën për t’i çuar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për vendin që kontribuojnë në të mirën e rajonit dhe më gjerë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare ShBA, sot në Washington ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga Kryesuesi Ed Royce dhe anëtarët e Komitetit Eliot Engel, Thomas Suozzi, Dan Donovan, Michael McCaul dhe Joe Willson.
Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Kosovës dhe SHBA-së, Kryeministri Haradinaj shprehu dëshirën që këto raporte të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë shumë për Kosovën në të gjitha periudhat vendimtare për historinë e vendit tonë. Shpreh mirënjohjen e thellë për gjithë ndihmën e pashoq të tyre. Populli ynë është përjetë falënderues për angazhimin tuaj për ta çliruar Kosovën dhe për ta ndërtuar atë”, tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj pasi njoftoi përfaqësuesit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan për të gjitha të arriturat në vend, kërkoi nga ata që të vazhdojnë ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën, në konsolidimin e jashtëm dhe në sjelljen e investimeve të huaja direkte në vend./b.j/(per me shume fotografi nga takimet shkoni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, ne Linje me Kosoven, SHBA

Kosova synon të arrijë marrëveshje në Ballkan

September 27, 2018 by dgreca

Thaçi nuk ndalet-Editorial në „Financial Times“/

 1-thaci

Shkruan: Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës*/

Këtë vit Kosova festoi 10 vjetorin e pavarësisë së saj. Është kohë e përshtatshme për festë dhe reflektim për popullin tonë dhe aleatët tanë. Kosova është një demokraci e re, e qëndrueshme dhe e begatë, që synon të bashkohet me BE-në dhe NATO-n si shumica e fqinjëve dhe partnerëve të saj. Por, rruga përpara është e gjatë dhe e mbushur me pengesa.

Ne besojmë që Kosova është treguar një partner i besueshëm ndaj BE-së. Ne i ndajmë të njëjtat qëllime. Jemi angazhuar në mënyrë aktive në dialog me Serbinë, një proces që unë jam krenar që e udhëheq për shumë vite. Atyre që u kujtohen luftërat e tmerrshme të viteve 1990, do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj përpjekjeje. Kosova ka qëllime dhe pritshmëri të qarta nga përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu duhet ta çojë Kosovën dhe Serbinë drejt njohjes formale të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të plota diplomatike me njëra-tjetrën. Kosova duhet të ketë një rrugë të qartë, të barabartë dhe të papenguar të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.

Kosova do ta ruajë sistemin e tanishëm politik si një republikë unitare. Ajo është efektive në integrimin e të gjitha komuniteteve dhe siguron se ata mund të udhëheqin jetën e tyre të përditshme. Ne nuk do të shqyrtojmë eksperimente që do të bënin rrëmujë nga rendi kushtetues.

Deri sa Kosova dhe Serbia të zgjidhin dallimet e tyre, ne nuk do të jemi në gjendje t’i bashkohemi BE-së. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme për mua që të arrijmë një traktat ligjor të detyrueshëm të paqes me Serbinë. Njerëzit e Kosovës do të kenë një të ardhme më të ndritur dhe më të mirë si pjesë e familjes së madhe euroatlantike.

Për Kosovën nuk ka alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne nuk kemi një Plan B, as nuk jemi duke e kërkuar një të tillë. Dritarja e mundësisë për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e hapur, por ajo është duke u zvogëluar. Potenciali për të tjerët për të përfituar nga vakumi dhe paqartësitë është i madh. Për këtë arsye unë jam angazhuar sërish me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje kreative që do të sjellin një marrëveshje të drejtë dhe përfundimtare. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme që mbulon dy dallimet aktuale dhe pikat potenciale të konfliktit të ardhshëm. Ne nuk do të pranojmë marrëveshjet e përkohshme apo vazhdimin e status quo-s.

Një çështje tensioni mbetet kufiri midis dy vendeve tona. Është shkruar shumë për këtë javëve të fundit. Disa prej tyre edhe gjëra të panevojshme nxitëse. Dëshiroj të qartësoj këtu diçka. Historia e Ballkanit nuk është ajo e marrëveshjeve, por e mosmarrëveshjeve. Ne kemi një shans për të ndryshuar këtë kurs.

 

Ashtu siç i kemi vendosur kufijtë tanë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të duhet të adresojë kufijtë tanë shtetërorë. Duke vepruar kështu, ne besojmë se çdo korrigjim kufitar duhet të bazohet në parimet e forta të ligjeve ndërkombëtare dhe vlerave tona të përbashkëta.

Së pari dhe më kryesorja, një korrigjim kufitar nuk duhet të bazohet në parimin e ndarjes etnike. Ne nuk duam të ndajmë dy popujt tanë. Është e panevojshme të thuhet se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të shoqërohet me garanci të forta për mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të të gjitha komuniteteve që mbeten në vendet tona përkatëse, duke përfshirë ruajtjen e monumenteve fetare.

Së dyti, ne nuk po kërkojmë të krijojmë kushtet për ndryshimin e kufijve kudo në rajon, si shembull me Shqipërinë, pavarësisht asaj që disa thonë. Kosova kurrë nuk ka qenë precedent. Ajo do të mbetet si një rast Sui Generis. Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane. Ligji ndërkombëtar i lejon shtetet sovrane të përcaktojnë kufijtë e tyre, siç ato e shohin të arsyeshme, dhe vendimet tona nuk kanë asnjë ndikim ndaj ndonjë shteti tjetër.

Aktualisht, tensioni mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i lartë. Historia e BE-së tashmë ka treguar se kufijtë e rënë dakord së bashku me një vizion të përbashkët të një të ardhmeje paqësore dhe bashkëpunuese mund t’i bëjnë kufijtë shtetërorë më pak të rëndësishëm. Ne duam që ky model të funksionoj edhe për ne. Një kufi i pranuar reciprokisht, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë përfundimtare, do t’i lejojë Kosovës dhe Serbisë të hedhin themelet për një marrëdhënie më të hapur dhe një të ardhme më paqësore.

 

*Ky editorial i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është botuar në „Financial Times“.

Filed Under: Editorial Tagged With: Editorial, Financial Times, Hashim Thaci

EVROPA TOKЁ E LAKMUAR

September 27, 2018 by dgreca

Panebianco

Nga Angelo Panebianco/“Corriere della Sera”/

1-Eugjen-Merlika-225x300

Pёrktheu pёr Diellin:Eugjen MERLIKA/

            I drejtohemi mё shumё shёmbёllesave historike kur kohёt turbullohen, kur shkimen pikat e referimit tё zakonshёm, ato qё mё parё pёrdornim pёr tё ndёrpretuar botёn. Kёrkohen, nё historinё e shkuar, çaste e gjendje tё krahasueshme, pёr aq sa ёshtё e mundur me rrethanat e pranishme, me shpresё tё gjindet njё busull qё tё na ndihmojё neve tё drejtohemi. T’a zёmё se Steve Bannon, ish ortaku i Donald Trump-it e teoriku i nacional – populizmit, dhe mendimi i tij (ai qё shumёve  prej nesh na duket njё distopi, njё utopi  e keqe) pёr njё Evropё tё rihedhur nё garёn mes Shtetesh, plotёsisht sovranё, do tё fitojnё. T’a zёmё se nё zgjedhjet e ardhёshme pёr Parlamentin evropian do tё vёrtetohet fitorja e madhe zgjedhore e nacional – populistёve. T’a zemё se do tё rritet kushtёzimi i ushtruar mbi qeveritё gjermane nga Alternativa pёr Gjermaninё, njё lёvizje kundёr tё huajve (dhe kundёr Evropёs), sot partia e tretё nё Bundestag, qё nё Francё rёnia e pёlqimit popullor pёr Macron-in  do t’a bёjё pёrsёri tё besueshme sfidёn lepeniste, qё n’Itali do tё ngulin rrёnjё nacional – populistёt, sot nё fuqi, e qё lёvizje tё tilla do tё vazhdojnё tё fuqizohen gjithandej. Bashkimi Evropian, larg kalimit tё krizёs sё sotme, do tё kishte pak mundёsi tё merrte vehten. Le tё pёrfytyrojmё , sё fundi, se lidhjet ndёr – atllantike (edhe pёr shkak tё ripohimit tё njё mandati tё dytё  presidencial tё Trump-it, mbas dy vitesh), do tё vazhdojnё tё dobёsohen.

Nёse gjithshka u tha mё sipёr do tё sendёrtohej, cilёs hyllёsie historike duhet t’i drejtohemi pёr t’u rrekur tё kuptojmё gjendjen e re evropiane? Mund tё kuturisim qё nё kёtё rast Evropa do tё gjindej nё kushte tё krahasueshme me ata tё Italisё nё gjysmёn e parё tё Pesёqindёshit: nё harkun e kohёs qё shkon nga 1494, vit i zbritjes nё Itali tё mbretit tё Francёs, Karli VIII, deri nё 1559, viti i traktatit tё paqes tё Cateau – Cambrésis. Gjatё gjithё asaj periudhe, me pushime tё shkurtёra, Franca e Spanja (Franca dhe Perandoria Habsburge nёn Karlin V, nga 1519 deri nё 1556,) luftuan pёr kontrollin e Italisё. Sherret mbaruan mё 1559 me ngadhnjimin e Spanjёs, qё siguroi mbizotёrimin, nga Mbretёria e Napolit nё Milano, nё njё pjesё tё mirё tё Gadishullit.

Italia mbas 1494 ishtё bёrё tokё e lakmuar nga fuqitё evropiane sepse kishte dy karakteristika (qё i gjejmё edhe n’Evropёn e sotme): ishte e pasur nё burime ekonomike dhe nё prestigj dhe ishte politikisht e copёtuar, e ndarё nё Shtete shemra, tё paaftё tё formonin njё front tё pёrbashkёt kundёr orekseve t’atyre fuqive. Nё njё vepёr klasike kushtuar “Historisё sё republikave italiane” mё 1832, historiani dhe ekonomisti Sismondi shkruan: “Nё fund tё shekullit XV zotёrinjtё e kombeve francez, gjerman e spanjol u tunduan nga begatia e mrekullueshme e Italisё, ku grabitja e vetёm njё qyteti u premtonte atyre herё herё mё shumё pasuri se sa mund t’i xhvatnin miliona vartёsve. Me pretekstet mё tё kota ata mёsynё Italinё e cila, nё dyzet vite lufte, herё pas here u shkatёrrua nga gjithё ata popuj qё mundёn tё depёrtonin nё tё. Grabitjet e kёtyre barbarёve tё rinj shkaktuan zhdukjen e begatisё qё i kishte joshur ata ”.

Le tё mbajmё parasysh tani rastin e njё Evrope “tё shprishur”: fundi i hegjemonisё sё Shteteve tё Bashkuara, fundi i integrimit evropian, kthim i plotё nё Evropёn e Shteteve kombёtare tё pa lidhura – siç kanё qenё deri tashti – nga ajo hegjemoni dhe nga ai integrim. Tё pёrfytyrojmё gjendjen mё ngjyrё trёndafili, njё skenar nё tё cilin tё mos jenё tё pranishme, nё ndryshim nga çfarё ndodhi nё Italinё e Pesёqindit, kundёrshtitё e armatosura (edhe se e dijmё se gjatё kufirit mes Vendeve tё Natos dhe zonave tё ndikimit rus, shpejt a vonё mund tё shpёrthejnё pёrplasje tё rёnda). Evropa gjithsesi do tё jetё tokё e lakmuar e fuqive tё mёdha. E para qё do tё pёrfitonte nga rёnia e hegjemonisё amerikane dhe ndalimi i njёhershёm i integrimit evropian, natyrisht do tё ishte Rusia (e cila, sё bashku me disa miq tё saj evropianё, po punojnё me zell pёr atё pёrfundim). Do tё synonte tё zёvendёsonte Shtetet e Bashkuara nё rolin e lordit mbrojtёs t’Evropёs. “Asgjё e keqe” thonё ata qё nuk kuptojnё se çfarё pasojash do tё kishte mbi shoqёrinё nё tё cilёn bёjnё pjesё e mbi vetё jetёt e tyre, kalimi nga hegjemonia e njё fuqie demokratike e liberale nё atё tё njё Shteti iliberal. Merrni me mend: ekspertёt e Rusisё mendojnё se Putini ёshtё mё i miri qё gjindet nё sheshin e atyre anёve. Pasuesit e tij, pёr pjerrje autoritare dhe prirje imperialiste, do tё jenё me gjasё, mё tё kёqinj.

Por Rusia nuk do tё kishte fushё tё lirё. Do tё haste pengesa nё veprimin e  tё tjera fuqive tё mёdha. Edhe se politikisht tё kufizuar, jo mё nё gjёndje tё ushtrojnё njё hegjemoni tё pakundёrshtueshme, Shtetet e Bashkuara, sigurisht nuk do tё braktisnin krejtёsisht fushёn: do tё kёrkonin gjithsesi tё kundёrshtonin trysninё ruse mbi Evropёn. Pastaj ёshtё Kina me synimet e saj perandorake, rruga e re e Mёndafshit, e gjithshka tjetёr  me investimet e saj tё mёdha jo vetёm nё Azi dhe nё Afrikё, por edhe nё Mesdhe e n’Evropё.

Evropa e pasur dhe e ndarё do tё bёhej pre (tё shpresojmё sё paku, paqёsore) e garёs ndёrmjet fuqive tё mёdha tё sotme. Nё njё Evropё tё ndarё do tё rindizeshin shumё shemёri, deri tani (mbas 1945) vetёm tё fashitura: ndoshta kundёrshtia e fortё mes Italisё dhe Francёs mbi Libinё paralajmёron njё fazё tensioni ndёrmjet evropianёve pёr çёshtjet mё tё ndryshme. Nga ana tjetёr, rifillimi i tensioneve do tё lehtёsonte, kryesisht nё Vendet evropiane mё pak tё fuqishme, lindjen e grupeve partiake ose tё rrymave tё partive, tё lidhura me fille dyfishe me njёrёn apo tjetrёn fuqi tё madhe rivale. Nuk po zemё nё gojё faktin qё nё njё Evropё tё ndarё, dhe tokё mёrgimi nga Lindja e Mesme, do tё shtoheshin akoma mё tepёr prania dhe aftёsia e ndikimit tё ndonjё fuqie (autoritare) tё asaj zone.

Elitat europeiste  apo kozmopolite qё mendonin se n’Evropё Shteti kombёtar tashmё ishte tejkaluar, kanё bёrё gabime tё mёdha. Kanё lehtёsuar kundёrveprimin  sovranist. Evropa duhet tё mbajё parasysh gjallёsinё kёmbёngulёse tё Shteteve kombёtarё. Por evropianёt qё pёsojnё yshtjen e kushtrimit nacional – populist duhet tё dijnё mirё se çfarё çmimi do tё paguajmё tё gjithё, nёse ai projekt do tё sendёrtohej.

“Corriere della Sera”, 24 shtator 2018    E pёrktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Evropa, toka e lakmuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT