• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Asimilim i individit

November 21, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/1 astrit LULUSHI

Individi është pakica më e vogël. Kur nuk i përfillen të drejtat, ai shtyhet me forcë në rrugën e përshtatjes apo asimilimit ose në udhën e kundërshtimit a protestës. Dhe pas kësaj nuk mund të pretendohet se të drejtat e tij janë të mbrojtura nga qeveria ose nga shtypja e shumicës. Një shoqëri e tillë sikur është dënuar të jetojë në një epokë të cilës i mungon arsyeja. Vendi i ngjan një klubi bilardoje, ku lejohet të luajnë, dhe të merren me politikë, vetëm njerëz të ardhur nga prindër të frikshëm, dhe nga ata që kishin frikë të shkruanin, të flisnin, të bashkoheshin dhe të kundërshtonin shkaqet që për momentin ishin të papëlqyeshme, të padurueshme, të pa imagjinueshme madje edhe për çdo vend tjetër komunist.

Nga kjo pikëpamje, është vështirë të parashikohet një demokraci e vërtetë, e pastër, që është pritur për afër 30 vjet. Për shumë vetë, shpresa të tilla po fiken, ndërsa shohin se shoqëria përfaqësohet nga një grup njerëzish me mendje të çimentuara me dije të errëta të trashëguara. Çdo 4 vjet prej tyre del një elitë, e cila krijon qeverinë dhe nuk pranon asnjë kurë për ligësitë e së kaluarës. Një ditë, nuk dihet se kur, një pasion ose interes i përbashkët ndoshta do të ndihet, një lloj komunikimi do të krijohet mes njerëzve për të grumbulluar pakënaqësitë e kundërshtimet, për të sakrifikuar një parti, ose një të padurueshëm. Historia ka treguar se “demokraci” të tilla janë bërë jo rrallë shkaqe të trazirave dhe grindjeve, pasi janë të papërputhshme me sigurinë e individit, ose me të drejtat e pronës. Përgjithësisht ato kanë patur jetë të shkurtër, ndonjëherë me fund të dhunëshëm. Politikanët teorikë, të cilët patronizojnë këtë lloj të qeverisje – shkruante James Madison* – mendojnë se duke ulur njerëzimin në një barazi të përsosur në të drejtat e tyre politike, njerëzit do të bëheshin njëkohësisht të barazvlefshëm dhe të asimiluar.
—
*James Madison (1751-1836), një nga etërit e Kushtetutës amerikane, hartuesi i Billit të të Drejtave, Presidenti i katërt i SHBA-së, dhe kundërshtar i ashpër i pushtetit të centralizuar. Ashtu si Uashingtoni e Jeffersoni, edhe James Madisoni e la presidencën, më i varfër sesa kur u zgjodh.

Sent from

Filed Under: Opinion Tagged With: Asimilim i individit, Astrit Lulushi

KOSOVA, SOT PA VOTA TË MJAFTUESHME PËR INTERPOL

November 20, 2018 by dgreca

-Votimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol ishte sot në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, e cila po mbahet në Dubai/

-Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional/

– Ambasada e SHBA: Policia e Kosovës, institucion i integruar plotësisht dhe i aftë…/

– Serbia, Ofensive kunder dhe tentativa korruptimi kundër Kosovës/

1 Policia-Kosove-22 Policia-Kosove-33 Policia-Kosove4 Policia-Kosove-1

 

 

PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk mori vota të mjaftueshme sot në sesionin e 87-të të Asamblesë së Përgjithshme  të kësaj organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, e cila po mbahet në Dubai.

Prej atje raportohet se, në rundin e parë pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol kanë votuar 76 shtete, kundër 56 dhe 22 kanë abstenuar.  Në raundin e dytë të votimit Kosova mori 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Në një deklaratë  të Qeverisë së Republikës së Kosovës  të sapodërguar sot theksohet:“Sot, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.

Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti.

Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm.

Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”.

Në vitin 2017, në 30 gusht, qeveria kosovare bënte të ditur se Kosova kishte ftesën të marrë pjesë ne 26 shtator në Pekin në Asamblenë e Interpolit, në cilësinë e vëzhguesit, derisa në mbledhje diskutohej edhe lidhur me procesin e anëtarësimit.

Ndërsa, në 21 shtator 2017 kryeministri Ramush Haradinaj deklaronte se  Kosova është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit, por se kishte marrë vendim për shtyrjen e votimit.

“Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate”, theksonte komunikata e dërguar nga qeveria.

***

Ambasada e SHBA: Policia e Kosovës, institucion i integruar plotësisht dhe i aftë

-Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës/

PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dërgoi sot këtë deklaratë:

Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore. Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim.

Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që ti shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie.

***

20 November 2018

STATEMENT OF THE U.S. EMBASSY PRISTINA

The Kosovo Police is a fully integrated and capable institution, with a demonstrated record of helping dismantle international terrorist, cybercriminal, narcotics, arms, and human smuggling networks.  “A majority of countries saw this and supported Kosovo’s application to join INTERPOL, in the face of a campaign, led by Serbia, to pressure countries to oppose Kosovo’s bid..  Support for Kosovo’s INTERPOL membership was never about recognition of Kosovo’s independence, but about strengthening global law enforcement cooperation and closing a critical security gap in the Balkans.  With this outcome, we all lose.

We continue to strongly support the EU-facilitated Dialogue between Kosovo and Serbia.  Now more than ever, both parties should accelerate their efforts to reach agreement on full normalization, which is the only way for both countries to advance on their EU accession paths.  Both Serbia and Kosovo need to realize that their paths toward their European future lie through normalization.  To that end, we urge them to avoid provocations and work together on a deal.

***

MPJ: Serbia, tentativa korruptimi kundër Kosovës

PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për mos anëtarësim në Interpol dhe për qasjen shantazhuese të shtetit serb karshi zyrtarëve të Interpol-it dhe disa delegacioneve të vendeve Afrikane, si dhe dënon mësymjen e zyrtarëve të delegacionit të Serbisë në tentativën e tyre të korruptimit përmes mitos për disa nga zyrtarët pjesëmarrës të vendeve anëtare në Interpol.
“Anëtarësimi në Interpol ka qenë proces i përmbushjes së kritereve teknike dhe profesionale, të cilin struktura drejtuese dhe menaxheriale e Interpolit e ka vlerësuar pozitivisht, por Serbia dhe disa nga shtetet me të cilat ajo qëndron në raport të ngushtë, e politizuan”, thekson deklarata e dërguar.Republika e Kosovës falënderon të gjitha shtetet, që votuan pro anëtarësimit dhe do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, SHBA-të dhe BE-në.

“Kosova nuk do të ndalojë së rrugëtuari në procese ndërkombëtare në të gjitha fushat”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme./b.j/

***

LDK-HOTI: NUK DO TË NDALEMI DERISA TË JEMI PJESË E INTERPOLIT

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, më të madhit në Kuvendin e Kosovës, por që është në opozitë, deklaroi sot:

Nuk do të ndalemi derisa të jemi pjesë e Interpolit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare. Ky është zhgënjim për Kosovën, por edhe dështim për sigurinë në Ballkan. Faj të madh ka edhe diplomacia agresive e Serbisë e rreshtuar kundër vlerave që ngiten mbi gjeopolitikat evro-atlantike në rajon. Të nxjerrim mësim nga ky refuzim sot. Duhet të vazhdojmë të jemi unik në atë që aspirojmë, për t’i bindur të gjithë se jemi konsekuent në ndërtimin e shtetit të Kosovës, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë pa dallime.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul, Kosova ne Interpol, Vota te pamjaftushme

Mbledhës e gjahtarë

November 19, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300

Mbledhës e gjahtarë/

Nga Astrit Lulushi-Washington/

Nëse njeriu ka diçka për të luftuar, ka diçka për të jetuar. Dhe kjo varet se cili është qëllimi. Qëllimi përfundimtar për çdo njeri është të jetojë i qetë. Të gjithë kështu mendojnë, por fillimisht ka qenë ndryshe; qëllimi i errësoi sytë, njeriu harroi veten dhe synimi i vetëm u bë posti. Problemi qëndron si me rastin e gjahtarit dhe mbledhësit: Nëse një person është nisur për në shtëpi dhe gjatë rrugës i del një kafshë e egër ai e sheh si pengesë dhe e vret. Ky është mbledhësi, i cili ka një qëllim final, të mbërrijë në shtëpi. Gjahtari është ndryshe. Ai shkon në pyll për të vrarë, dhe shkon…asgjëkundi. Pyetja që njeriu duhet t’i bëjë vetes është -Jam gjahtar apo mbledhës?
Çdo thuajse 100 vjet njeriu ripërtërihet. Që prej fillimit, miliarda njerëz jane vrarë duke luftuar. Sot njerëzimi kujton kryesisht të vrarët në luftrat e fundit. T’i pyesësh a ishte luftë e drejtë, njerëzit hutohen të përgjigjen – Të marrin anën e partisë apo të kombit – dhe nëse mendojnë pak, kujtojnë flakët e një lufte shfarosëse civile që partia me ushtarët e saj e shtriu deri në kohë paqeje.
Por kohët ndryshojnë, ashtu edhe opinionet. Partizanët e nacionalistët, njëra palë i përket partisë dhe tjetra kombit. Sot ato shihen ndryshe, me dallimin se të parët ende nuk duan t’i lirojnë postet. Mendoni turpin që u rëndon, dhe ata gjithësesi nuk duan ta kuptojnë. Ata që janë të dehur me pushtet nuk mund ta braktisin atë vullnetarisht. Dhe s’ka si të ndodhë në një shoqëri, ku midis marrjes së një posti dhe rrëmbimit të një çante nuk ka ndonjë dallim.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mbledhës e gjahtarë

SHQIPTARËT TË BASHKUAR PËRSËRI NË VATIKAN RRETH GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBE

November 19, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli /

2 papa13 Papa

Çfarë ndryshimi sjellin 50-vjetë. Ndryshim për më mirë!  Ishte viti 1968 kur Kombi shqiptar shënoi 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut.  Shqiptarët e larguar nga Atdheu prej regjimit komunist të Enver Hoxhës, kishin organizuar me ndihmën e Vatikanit dhe të Papa Palit VI, të Arbëreshëve dhe të komunitetit shqiptar të Romës në atë kohë, të kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me Arbëreshët e Italisë, ceremoni në kujtim të Heroit Kombëtar.  Aty, pa dallim feje as krahine, të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan (me përjashtim të regjimit komunist të Enver Hoxhës) – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre për Fatosin e Madh të Kombit, të cilin Papa Pali i VI, me atë rast e cilësoi si, “Të Përgjithëmonshmin e Fisit Shqiptar”.

Ndryshimi me situatën e vitit 1968, kur ceremonitë për shënimin e atij përvjetori atëherë në Vatikan, u organizuan nga diaspora shqiptare me ndihmën e Vatikanit dhe të Arbëreshve – sivjet në vitin e shpallur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare si Viti Mbarë-Kombëtar i Gjergj Kastriotit Skenderbe – organizimi i ceremonive për të shënuar 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit është bërë nga vet ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit.  Veprimtaria në Vatikan është organizuar nga Shefja e Misionit Diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zonja Majlinda Dodaj, në bashkpunim me Vatikanin.  Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe artistë shqiptarë me famë botërore, të cilët në mbrëmje dhanë një shfaqje në Teatrin prestigjoz “Argjentina”, në qendër të Romës, përfshirë yjet e muzikës Dua Lipa, Ermal Meta, Olen Cesari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Rame Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci dhe Erza Muqolli, të cilët morën pjesë në koncertin, “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, të cilin e hapi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.  Përveç  pjesëmarrjes së tyre, njoftimet zyrtare bëjnë të ditur se të hënën, një delegacion shqiptar, përfaqsues të të gjitha feve si dhe një grup autoritetesh të larta kishtare dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Arbëreshët e Italisë, u takuan me Papa Françeskun, në Vatikan, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Vitin Mbarëkombëtar kushtuar Heroit të Madh të luftës kundër otomanëve. Takimi u mbajt në “Sala Clementina” të Pallatit Apostolik, ku thuhet se ndër zyrtarët e lartë shqiptarë ishin të pranishëm, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi me grupin e përfaqësuesve të parlamentit, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e të tjerë.  Lajmet bëjnë të ditur se ndër përfaqësuesit e Shqipërisë, i pranishëm ishte edhe Kardinali Ernest Simoni, i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë, i persekutuar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Imzot Xhorxh Frendo, udhëheqsi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë i tha radio Vatikanit se takimi i Papës me shqiptarët në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe tregon, “Jo vetëm solidaritetin tonë me Papën por edhe solidaritetin e Papës me ne, i cili në këtë mënyrë ka dashur të ndajë gëzimin e tij me ne, me rastin e përvjetorit të Heroit Kombëtar Skenderbeut”.  Të gjithë e dimë, shtoi Imzot Xhorxh Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, se “Papa Françesku ka një afërsi shumë të veçantë me popullin shqiptar”.  Ai përmendi faktin se Shqipëria ishte vendi i parë evropian që kishte vizituar Papa Françesku katër vjet më parë, ndërsa theksoi se të njëjtën gjë mund të themi edhe për Papa Gjon Palin e dytë, përsa i përket afërsisë së tij me shqiptarët, i cili gjithashtu tregonte një interesim dhe dashuri të veçantë për shqiptarët, tha udhëheqsi i Kishës Katolike të Shqipërisë në një intervistë me Radio Vatikanin.

Në intervistën e tij, një ditë para takimit të shqiptarëve me Papën, Imzot Frendo e cilësoi vizitën e shqiptarëve në Vatikan dhe takimin e tyre me Papën, me këtë rast, si të një rëndësie të madhe, “sepse në këtë mënyrë është Shqipëria ajo që po shkon në Vatikan, pasi para katër vitesh ishte Vatikani që erdhi në Shqipëri”, kur në Tiranë u gjënd Papa Françesku, e që ishte vizita e tij e parë në një vend evropian, si udhëheqës i Kishës Katolike.Në takimin me delegacioni shqiptar në Pallatin Apostolik, Papa Françesku priti shqiptarët e ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera, përfshirë diasporën me këtë përshëndetje:

 “Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Papa Françesku tha se Atdheu i Skenderbeut, “Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore, dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”, është shprehur udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike.

Sa kënaqësi dhe mallëngjim për të qenë dëshmitar, megjithse nga larg, i këtij takimi mbarë shqiptar në Vatikan, për të shënuar përmbylljen e Vitit të shpallur Mbarë Kombëtar të Shqiptarëve.  Pikërisht aty në Vatikan, ku 50-vjet më parë u shënua 500-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut me pjesëmarrjen e Papës së atëhershëm Palit të VI dhe shumë shiqptarëve nga të gjitha trojet, por të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë Arberëshët e Italisë. Por Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, për arsye që dihen, nuk mori pjesë atëherë.  Kur bën njeriu një krahasim në histori, është me të vërtetë mallëngjim e ngushëllim për të parë sot pjesëmarrjen e një delegacioni zyrtar të Shqipërisë në një pritje të tillë në Vatikan, e për më tepër që merr pjesë në një ceremoni të tillë, organizuar kryesisht nga Ambasada e Tiranës në Selinë e Kishës Katolike dhe Shefja e saj, Zonja Majlinda Dodaj.  Bashkimi i Shqiptarëve është i mundur, siç u shpreh edhe Papa Françesku para delegacionit të shqiptarëve dje në Vatikan, nepërmjet Gjergj Kastriot –Skenderbeut, “Simbolit të padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar” të shqiptarëve!

Festimet kulminuan me një koncert muzikor me titullin përkatës të rastit: “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, ku morën pjesë disa nga muzikantët më të njohur shqiptarë – koncert ky i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në teatrin e njohur, “Argentina”, në Romë,

 

 

 

Fjalimi i plotë i Papa Françeskut mbajtur para delegacionit Mbarë-Shqiptar, në vizitë në Vatikan për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Skendërbeut — të pranishëm atje në përmbyllje të ceremonive të Vitit 2108, kushtuar nga Shqipëria dhe Kosova, Kujtimit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Gjergj Kastriotit -Skenderbeu.

 

“Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tuaj Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit.  Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI priti   një përfaqësi të shqiptarëve.

 

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i lidhjeje dhe bashkimit kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

 

 

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit.  Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

 

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

 

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se Heroi Kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

 

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

 

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

 

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

 

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë, në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë.  Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

 

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar.  Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.”

Burimi: Radio Vatikani në gjuhën shqip

 

 

Papa Franesku i drejtohet delegacionit të Shqiptarëve

 

 

Imzot Xhorxh Frendo Shefi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me Papa Françeskun

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkohen, Frank shkreli, në Vatikan, shqiptaret

Pope Francis: Albania, a land of ancient and glorious history

November 19, 2018 by dgreca

Pope Francis receives a group of Albanian pilgrims, who are in Rome during the commemoration of the 550th anniversary of the death of national hero George Castriot – known to history as Skanderbeg./

1 pope

By Christopher Wells/

In his prepared remarks to Albanian pilgrims, Pope Francis took the opportunity to greet all Albanians “in the name of the ancient bond of friendship and habitual relations” with the See of Peter.

An ancient and glorious history

Pope Francis noted the “ancient and glorious history” of Albania, remarking that the country is an integral part of Europe, with its own unique culture. “Today,” he said, “we remember and celebrate George Castriot Skanderbeg, an heroic son of a strong and generous people, who defended spiritual values and the Christian name with courage.” Skanderbeg, he continued, “forged the Albanian cultural identity with his deeds, becoming an undisputed symbol of cohesion and national unity.”The Holy Father also spoke of the emigration of many Christians after the death of Skanderbeg, and the subsequent invasion of Albania, and welcomed the presence of Italo-Albanians among the pilgrims.

Renewed commitment to development

“I sincerely hope that this anniversary will not be limited to the celebration of the glory of past deeds,” the Pope said, “but will also be a good opportunity for a renewed commitment of all, institutions and citizens, in favour of an authentic and balanced development, so that the younger generations” will not be forced to migrate.

From coexistence to collaboration and brotherhood

The example of Skanderbeg, Pope Francis said, “has validly expressed the Albanian character.” In particular, he pointed out the “climate of mutual respect and trust” between Catholics, Orthodox, and Muslims. This, he said, shows that the peaceful coexistence of citizens belonging to different religions is a concretely viable path that produces harmony, and frees the best forces and the creativity of an entire people, transforming simple coexistence into true collaboration and brotherhood.”

 

Filed Under: Politike Tagged With: a land of ancient, albania, and glorious history, Pope Francis

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT