-Votimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol ishte sot në axhendën e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, e cila po mbahet në Dubai/
-Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional/
– Ambasada e SHBA: Policia e Kosovës, institucion i integruar plotësisht dhe i aftë…/
– Serbia, Ofensive kunder dhe tentativa korruptimi kundër Kosovës/
PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk mori vota të mjaftueshme sot në sesionin e 87-të të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, e cila po mbahet në Dubai.
Prej atje raportohet se, në rundin e parë pro anëtarësimit të Kosovës në Interpol kanë votuar 76 shtete, kundër 56 dhe 22 kanë abstenuar. Në raundin e dytë të votimit Kosova mori 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Në një deklaratë të Qeverisë së Republikës së Kosovës të sapodërguar sot theksohet:“Sot, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.
Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.
Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti.
Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm.
Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”.
Në vitin 2017, në 30 gusht, qeveria kosovare bënte të ditur se Kosova kishte ftesën të marrë pjesë ne 26 shtator në Pekin në Asamblenë e Interpolit, në cilësinë e vëzhguesit, derisa në mbledhje diskutohej edhe lidhur me procesin e anëtarësimit.
Ndërsa, në 21 shtator 2017 kryeministri Ramush Haradinaj deklaronte se Kosova është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit, por se kishte marrë vendim për shtyrjen e votimit.
“Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate”, theksonte komunikata e dërguar nga qeveria.
***
Ambasada e SHBA: Policia e Kosovës, institucion i integruar plotësisht dhe i aftë
-Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës/
PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dërgoi sot këtë deklaratë:
Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore. Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim.
Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që ti shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie.
***
20 November 2018
STATEMENT OF THE U.S. EMBASSY PRISTINA
The Kosovo Police is a fully integrated and capable institution, with a demonstrated record of helping dismantle international terrorist, cybercriminal, narcotics, arms, and human smuggling networks. “A majority of countries saw this and supported Kosovo’s application to join INTERPOL, in the face of a campaign, led by Serbia, to pressure countries to oppose Kosovo’s bid.. Support for Kosovo’s INTERPOL membership was never about recognition of Kosovo’s independence, but about strengthening global law enforcement cooperation and closing a critical security gap in the Balkans. With this outcome, we all lose.
We continue to strongly support the EU-facilitated Dialogue between Kosovo and Serbia. Now more than ever, both parties should accelerate their efforts to reach agreement on full normalization, which is the only way for both countries to advance on their EU accession paths. Both Serbia and Kosovo need to realize that their paths toward their European future lie through normalization. To that end, we urge them to avoid provocations and work together on a deal.
***
MPJ: Serbia, tentativa korruptimi kundër Kosovës
PRISHTINË, 20 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për mos anëtarësim në Interpol dhe për qasjen shantazhuese të shtetit serb karshi zyrtarëve të Interpol-it dhe disa delegacioneve të vendeve Afrikane, si dhe dënon mësymjen e zyrtarëve të delegacionit të Serbisë në tentativën e tyre të korruptimit përmes mitos për disa nga zyrtarët pjesëmarrës të vendeve anëtare në Interpol.
“Anëtarësimi në Interpol ka qenë proces i përmbushjes së kritereve teknike dhe profesionale, të cilin struktura drejtuese dhe menaxheriale e Interpolit e ka vlerësuar pozitivisht, por Serbia dhe disa nga shtetet me të cilat ajo qëndron në raport të ngushtë, e politizuan”, thekson deklarata e dërguar.Republika e Kosovës falënderon të gjitha shtetet, që votuan pro anëtarësimit dhe do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, SHBA-të dhe BE-në.
“Kosova nuk do të ndalojë së rrugëtuari në procese ndërkombëtare në të gjitha fushat”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme./b.j/
***
LDK-HOTI: NUK DO TË NDALEMI DERISA TË JEMI PJESË E INTERPOLIT
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, më të madhit në Kuvendin e Kosovës, por që është në opozitë, deklaroi sot:
Nuk do të ndalemi derisa të jemi pjesë e Interpolit dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare. Ky është zhgënjim për Kosovën, por edhe dështim për sigurinë në Ballkan. Faj të madh ka edhe diplomacia agresive e Serbisë e rreshtuar kundër vlerave që ngiten mbi gjeopolitikat evro-atlantike në rajon. Të nxjerrim mësim nga ky refuzim sot. Duhet të vazhdojmë të jemi unik në atë që aspirojmë, për t’i bindur të gjithë se jemi konsekuent në ndërtimin e shtetit të Kosovës, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë pa dallime.