• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli Shqiptar!

February 12, 2019 by dgreca

Nga Magjister Agim Aliçkaj */

1 Agim Aliçkaj

“To be or not to be” – “Të jesh apo të mos jesh” është pyetja më aktuale për Kosovën dhe Kombin Shqipëtarë sot, me rastin e 11- Vjetorit të shpalljes së pavarësisë së “mangët” të Kosovës.

Pavarësia!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, padyshim, ishte ditë e madhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Edhe pse me mungesa të mëdha, ishte e vetmja mënyrë që Kosova, të bëhet e pavarur, dhe të njihet qysh në fillim nga vendet më të fuqishme të botës dhe vendet demokratike perendimore, përfshirë SHBA, dhe të tjera.

Kjo, u pëforcua edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Pa hyrë në një analizë të tij, plani i Ahtisarit përbën në vete koncesionet më të mëdha të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës për t’a arritur pavarësinë. Pas 11 vitesh të kësaj pavarësie, ngjarjet e fundit, fatëkeqësisht na bëjnë më shumë të brengosemi se sa të gëzohemi. Edhe, sa koncesione tjera në dëm të interesave të veta duhet t’i pranojë populli i Kosovës? Me punën këmbëngulese të armikut tonë dhe plotësisht me fajin tonë, Kosova rrezikon të shuhet si shtet.

Bisedimet me Serbinë dhe sanksionet e qeverisë së Republikës së Kosovës

Shtrohet pyetja se çka fitoi Kosova nga bisedimet me Serbinë prej shpalljes së pavarësisë deri më sot ?! Përveç disa çështjeve të vogla që ishin me shumë në interes të serbëve, Kosova, fitoi fusnota dhe zvogëlim të metutjeshëm të sovranitetit. Tashti kemi ardhë në pikën mê kritike të humbjes përfundimtare. Pse duhet të bisedohet me Serbinë kur ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kur ende nuk ju kethen të pagjeturit familjeve shqiptarë në vuajtje të tmerrshme dhe të pafund, kur ende nuk pranon reparacionet për dëmet e shkaktuara. Nëse jemi shtet, pse duhet të bisedohet me Serbinë për çështje të mbrendshme të Kosovës?! A e kemi të qartë se për serbët e Kosovës duhet biseduar me përfaqësusit e sërbeve të Kosovës e jo me Sërbinë. Pse nuk ngritet çështja e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore në nivel të drejtave të minoritetit serb të Kosovës.

Cili shtet demokratik mund t’a mohojë këtë të drejtë?

Sankcionet e fundit ekonomike të Kosovës kundër Serbisë na dhanë krenari dhe shpresë se, më në fund, edhe Kosova e mori veten dhe se edhe ajo “ ka një grusht të fortë”. Kjo, ka edhe një element tjetër shumë pozitiv, edhe pse me mundime, ekonomia e Kosovës orientohet nga Shqipëria dhe vendet tjera mike. Pse tashti duhet t’i nënshtrohemi presionit ndërkombëtare dhe fatëkeqësisht edhe atij të mbrendshëm për tërheqjen e tyre?! Serbia e thotë haptas: “ në pranojmë të hyjmë në bisedime vetëm nëse shqiptarët bëhen të arësyeshem dhe heqin sankcionet, por në kurrë nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës”. Pas kësaj deklarate, çfarë kuptimi ka heqja e sankcioneve ?! Çfare kuptimi kanë bisedimet me Serbinë kur ajo po të tregon që më parë se nuk do të njeh si shtet kurrën e kurrës. Për ma keq, është e qartë se Serbia, përfaqësuesit e Kosovës dhe shqiptarët nuk i njeh as për njerëz e lërë më për bashkëbisedues të barabartë. Sankcionet nuk duhet të hiqen derisa Serbia, nuk i plotëson kushtet e lartëpermendura dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk ka të drejtë morale të ja mohojë këtë të drejtë legjitime Republikës së Kosovës. Pas njohjes së pavarsisë, marrëdhënijet ekonomike dhe ndërshtetërore me Serbinë duhet të rishqyrtohen, varësisht nga interesat e Kosovës dhe të bazuara në reciprocitet të plotë. Historia na mëson se Serbia nuk lëshon pe kurrë me bisedime. Ajo e njeh dhe respekton vetëm forcën dhe presionin e vërtetë ndërkombëtare. Nuk duhet bërë lëshime të panevojshme në dëm të vendit tonë për të ju hyrë në hatër ndërkombëtarëve.

Shkëmbimi i Territoreve

Të dhëmb zemra kur dëgjon disa politikan apo mendimtarë shqiptarë që thonë së populli i Kosovës nuk humbë asgjë me shkëmbimin e teritoreve me Serbinë dhe se kjo punë mund të kryhet “shumë lehtë”. Edhe më keq, ka nga ata që thonë se veriu i Kosovës është edhe ashtu “i humbur”. A është ky naivitet, budallëllek i kulluar, apo diçka tjetër që nuk dua ta besoj?! Edhe pse, me fajin tonë, një pjesë e teritorit të Kosovës kontrollohet nga minoriteti serb, kjo nuk është tokë e humbur pa u dhënë pëlqimi nga populli shqiptar dhe deri sa atë tokë, nuk e shkelë ushtria serbe. Nëse lejohet ushtria serbe të hyje në të, atëhere do të humbet përgjithëmonë. Për ta këthyer, do të duheshin bombardime tjera të Natos, dhe një luftë tjetër, gjë që nuk mund të ndodhë më. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të bëj pazarë me tokën e tij.

Askush!

Shihni shtetin më demokratik në botë, SHBA’të. Një President, që ka fuqi shumë më të madhe se cilido udhëheqës i Kosovës apo çfarëdo shteti tjetër, për dy vjet përpjekjeje, pa pëlqimin e opozitës, ende nuk arriti ta bëjë një murë dhe atë në tokën e vet, për mbrojtjen e kufirit të jugut nga ilegalet dhe trafikimi i drogave. Çfarëdo ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptare gjatë gjithë historisë së tij. Pse duhet të mashtrohet populli ynë i shtrenjtë i Kosovës Lindore, me qëllim të aresyetimit të ndryshimit të kufijve, se do të mund bashkohet lehtë me Kosovën. Serbia kurrë nuk do t’a pranonte këtë, me kurrfarë bisedimesh, vetëm me luftë. Me hyrjen e Natos në Ballkan, luftat kan mbaruar. Pse, për 11 vjet pavarësie nuk e gjetëm mënyrën t’a bëjmë Kosovën Shtet të mirëfillëtë të pavarur dhe sovran? Dhe tashti, në vend se të merremi me mbrojtjen e vëllezërve tanë në tokat e veta, në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, ne edhe mëtutje duhet të mbrohemi në Kosovë?

Përkrahja e SHBA-ve, dhe Shteteve Demokratike Perendimore

Rroli i SHBA’ve në arritjen e rezultatit final për Kosovën është i pa-zëvendësueshëm . Eshtë gjë e njohur, se populli Shqipëtarë i don SHBA-të, me zemër dhe pa hile. Kemi arësye të forta, Amerika(nënkupto SHBA-të) na shpëtoi disa herë nga zhdukja si komb. Ne duhet dhe do të vazhdojmë t’a duam dhe respektojmë Amerikën përjetë. Amerika dhe NATO investuan shumë në Kosovë. Ishin faktor vendimtar në çlirimin, krijimin dhe njohjen e Kosovës si shtet me kufijtë ekzistues. Eshtë absurd të mendohet se do të çojnë dorë lehtë nga përkrahja e Kosovës. Mirëpo, Amerika nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ka shumë punë tjera më të vështira dhe më të rëndësishme. Në duhet vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Nëse jemi të organizuar, të fortë dhe të vendosur, përkrahja nuk do të mungojë. Eshtë i dëmshëm dhe i pabazë tentimi i disa politikaneve që ta përdorin faktorin Amerikan për aresyetim të qëndrimeve të tyre të gabueshme, shpesh antikombëtare siç është shkëmbimi i territorit me Serbinë apo heqja e sankcioneve ekonomike.

“Po thotë Amerika” !
Èshtë shprehja e tyre më e preferuar dhe më e keqëpërdorur për t’jua mbyllur gojën kundërshtarëve. Amerika është gjithëmonë për bisedime, por nuk e urdhëron kurrë një komb t’ja falë territorin tjetrit. Ata që janë marrë me veprime legale lobiste në Amerikë e dijnë shumë mirë, se gjatë këtyre 30 viteve veprimi, ka ndodhë që qëndrimet amerikane, nuk kan qenë në të njëjtën vijë me interesat tona kombëtare. Êshtë dashur të punohet me senatorë dhe kongresmen Republikan dhe Demokrat, për t’a ndërruar qëndrimin amerikan në favor të çështjes sonë të drejtë. Dhe kur e ke çështjen e drejtë, kur punon me zell, përkushtim dhe vendosmëri, Amerika, të përkrahë pa rezervë. Shumë kongresmen dhe senator, luftëtarë të dalluar për të drejta të njeriut e morën çështjen e Kosovës dhe kombit Shqiptarë me zemër. Për të realizuar përkrahjen e plotë të Amerikës sot, duhet plotësuar dy kushte themelore: organizim dhe mobilizim të gjithëanshëm gjithëpopullor në vendlindje dhe përforëcim të veprimeve lobiste në Amerikë. Evropa, është çështje tjetër, është e ngërthyer me interesa të shumta nga të gjitha anët, me influence të madhe nga Rusia. Edhe pse e dinte se çështja jonë ishte e drejtë, Evropa, nuk ka qenë gjithëmonë në anën tonë. Gjermania, Britania, Austria dhe Brukseli, janë duke mbajtur qëndrim parimore. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën sepse jemi pjesë e saj, por pa i dëmtuar interesat tona kombëtare. Dhe, nuk duhet të harrojmë se fati i popullit tonë vendoset në Amerikë.

Në mbrojtje të çështjes kombëtare

A është e mundur që populli jonë të reagojë edhe njëherë si komb, si në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe luftës së Kosovës? Ishte një gjë madhështore. Sot, ka ardhur koha ta bëjmë të njëjtën gjë, të ngritemi të gjithë në këmbë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Të gjithë në mbrojtje të Mitrovicës, me të gjitha metodat e mundëshme demokratike. Duke mbrojtur Mitrovicën, mbrojmë Prishtinën dhe Tiranën, mbrojmë Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, mbrojmë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin, mbrojmë Plavën, Gucinë dhe Tuzin, mbrojmë Çamërinë dhe mbarë kombin Shqiptarë anëkend botës. Eshtë e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikshme, indiferenca e popullit tonë në këto ditë vendimtare për kombin tonë. Duke i shkruar këta rreshta, erdhi lajmi se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund, u prononcua publikisht për situatën. Ishte një deklaratë e qëlluar dhe e fuqishme. Nuk kam informata të plota por shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ku është ASHA e Shqipërisë dhe forcat politike të gjitha trojeve tona, ku janë organizatat jo-qeveritare, ku jan institucionet fetare të një kombi tolerant, ku janë të gjithë tjerët, ku është mbarë populli ynë? Varet nga të gjithë në se a do të fitojmë dhe t’a këndojmë sëbashku këngën “Sa e madhe është Shqiptaria” apo do të humbim me turp dhe të vajtojmë me vargjet e Pashko Vasës “ O moj Shqipni e mjera Shqiptari”.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro Amerikane dhe Anetar i Keshillit te VATRES

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli shqiptar

RILINDJA, GAZETA HISTORI E NISUR PARA 74 VITEVE

February 12, 2019 by dgreca

-Në 12 Shkurt 1945  në Prizren nisi të dalë gazeta historike e tradicionale shqiptare e Kosovës Rilindja, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana/

 1 Rugova 20056 Rilindja3 Rilindja Pavaresia4 Behluli5 Rilindja 20022 Rilindja 31 Dh 2019

 -Gazeta Rilindja në 74 vjetor, në pritje të së drejtës  e ridaljes 17 vjet pas dëbimit nga administrata e UNMIK-ut/

 -Në 23 Tetor 2018 Qeveria e Kosovës mori vendim për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën dhe të realizojnë të drejtat e ligjëshme…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 12 Shkurt 2019/ Në këtë 12 Shkurt 2019 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja do të festonte 74 vjetorin në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë.

Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të jubileut të 20 vjetorit të Lirisë e 11 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 17 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 74 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në shtojcën monografi të gazetës së 22 Shkurtit 2008  “Rilindja 63 vjet – Kosova në Rilindje drejt pavarësisë”.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

 Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohej për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, shkruan në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

 Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

 Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 Shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës shtet i pavarur.

Në këtë numër festiv të gazetës në shtojcën speciale monografi një nga titujt ishte: Presidenti Rugova: Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen. Në këtë shkrim citohet një pjesë e një prej intervistave ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me këtë rast për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit – të 12 Shkurtit 2005, kur në Rezidencën Presidenciale në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të  gazetës tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik  ku ka dalë numri i parë i gazetës. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të

Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjëshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 Edhe në këtë 74 vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi. 

 —

(Autori – kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, GAZETA HISTORI E NISUR, PARA 74 VITEVE, Rilindja

NJË REVISTË SA NJË AMBASAD:E, SA NJË AKADEMI…

February 12, 2019 by dgreca

 SHQIPTARËT E RUMANISË ME ESTETIN LUAN TOPÇIU RISJELLIN TRADITË DHE BASHKOJNË VLERAT/

 Dr. Luan Topciu

– nga Shqiptari i Rumanisë -/

 Revista Albanica

THIRRJE VLERAVE TË SË KALUARËS/

Ditët e fundit ka dalë nga shtypi revista “Albanica”, revistë shkencore dhe kulturore, organ i Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. Emri i revistës ringjallet pas 83 vjetësh. Dr. Anton B.I. Balota, në vitin 1936, botoi revistën „Albanica” në Bukuresht, një revistë që propozonte, atëbotë, të ishte një nismëtare në filologjinë shqiptare. Autori planifikoi të botonte dhe vëllime të tjera, të cilat, përpos problemeve teorike të filologjisë shqiptare, do të ofronin më shumë informacion në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, në lidhje me të kaluarën dhe të tashmen e tyre si dhe tekste popullore apo nga letërsia e lëvruar, të përkthyera në rumanisht, studime përshkruese estetike të tekstit, gramatikën e dy dialekteve të gjuhës shqipe, të shoqëruar me fjalorë etj. Fatkeqësisht, kjo nismë nuk pati vazhdimësi…

Pas 83 vjetësh, me një frymë të re, rimerret ky projekt i pezulluar në histori. Qëllimi i ringjalljes së “Albanica-s” është botimi i teksteve të rëndësishme, shkruar nga autorë rumunë dhe shqiptarë, por edhe nga studiues të tjerë të huaj, në lidhje me komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe personalitetet e tij, rreth gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, rreth Rumanisë dhe marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy gjuhëve dhe kulturave, duke përfshirë histori, letërsi, gjuhësi, antropologji, spiritualitet, sociologji, filozofi, arte etj. Në peizazhin e shtypit shqiptar të Rumanisë, gjatë gjithë historisë së pasur të këtij shtypi, kanë munguar revistat e profilit shkencor dhe universitar. “Albanica” mbledh rreth vetes të gjitha forcat shkencore universitare si dhe forcat krijuese përfaqësuese të letërsisë dhe artit shqiptar. Ajo u drejtohet elitave të Rumanisë, universitarëve dhe studiuesve të këtij vendi, të gjithë atyre që janë të interesuar për të njohur në mënyrë të thelluar kulturën dhe spiritualitetin shqiptar, përtej Shqipërisë së sotme, me historinë, antropologjinë, artin, gjuhësinë, letërsinë etj.

 

ANTROPOLOGJI NË REVISTË

Revista starton me artikullin e historianit të famshëm rumun, Nicolae Iorga, „Shqipëria dhe Rumania”, një ligjëratë e mbajtur në Bukuresht në Institutin e Studimeve të Europës Juglindore më 31 janar 1915. Pas 104 vjetësh botojmë këtë artikull të N. Iorga-s, ku shkruhet me simpati për historinë e popullit shqiptar. Përpos të tjerash, Iorga do të shprehej se: „…do të shihen në ligjëratat e ardhshme lidhjet gjakësore të fisërimit që mund të kenë ekzistuar midis nesh (rumunëve sh.y.) dhe shqiptarëve, ata pasardhës autentikë dhe ekskluzivë nga pikëpamja e pastërtisë, të elementit ilir”.            Dr. Lavinia Dumitrașcu, boton artikullin „Shqiptaro-rumuni Ibrahim Themo”. Studiuesja rumune thekson se Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe etc. Gjithashtu, Ibrahim Temo, i cili u bë senator në Senatin e Rumanisë, kontribuoi për emancipimin e zonës së Dobroxhias, për modernizimin e politikës së Turqisë së kohës etj. Historianët Dr. Constantin Scurtu dhe Dr. Liviu Lungu vijnë me studime që i kushtohen 100-vjetorit të bashkimit të trevave rumune, duke sjellë analiza dhe detaje mbi rrethanat historike që mundësuan realizimin e këtij evenimenti historik.                                              Nga akademiku rumun, Grigore Brâncuș, gjuhëtar dhe albanolog i shquar, botohet studimi „Substrati i gjuhës rumune”. Në argumentimin e tij mbi pjesëmarrjen e elementit trako-dak në formimin e gjuhës rumune, Brancus sjell shembuj të shumtë nga gjuha shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra europiane. Dr. Daniela Carmen Stoica, në studimin e saj „Fusha leksikore e vdekjes në gjuhën rumune dhe shqipe. Përkime leksiko-semantike”, merr në shqyrtim materialin gjuhësor, që është përdorur në studimet sociolinguistike që lidhen me format e të shprehurit të ”vdekjes. Krahasimi në këtë studim bëhet në rrafshin antropologjik dhe në atë gjuhësor.                     Dr. Renata Topciu-Melonashi, në studimin „Besime, doke, supersticione dhe praktika në frazeologjinë rumuno-shqiptare”, evidenton një sërë zakonesh, besimesh e praktikash, të ngjashme tek shqiptarët dhe rumunët, përmes frazeologjisë së krahasuar.                                                                                       Dr. Ina Arapi, në studimin „Shprehje dhe njësi frazeologjike shqiptaro-rumune” bën një përmbledhje të studimeve kryesore në fushën e frazeologjisë shqiptaro‑rumune dhe të rezultateve të arritura në këtë fushë, duke pasuruar fondin e përbashkët frazeologjik me shembuj dhe vëzhgime të reja. Më tej studiuesja merret me klasifikimin tipologjik të përkimeve frazeologjike, duke nënvizuar mekanizmat paralele të formimit frazeologjik në shqip dhe rumanisht. Studiuesja angleze, Margaret Hasluck, me studimin antropologjik „Oedip mbret në Shqipëri” sjell një optikë tejet interesante të hulumtimit të folklorit shqiptar, i cili shndërrohet në një çelës dekodifikues i tragjedisë antike greke. Nga kjo optikë, studiuesja analizon figurën aq të diskutueshme nga Zigmund Freud, siç është ai i Edipit, si dhe të ashtuquajturin „Kompleksi i Oedip‑it”. Analizohen edhe një sërë figurash të tjera të folklorit shqiptar si Fati, Ora dhe Zanat etj. Nga Kristo Frashëri botohet një studim mbi përhapjen e krishterimit në territoret shqiptare; Iniciatori: Apostulli Shën Pali, ndërsa nga Faik Konica botohet një ese mbi fenë e shqiptarëve. Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, në studimin e tij „Disa konsiderata mbi fillimet e krishterimit në Shqipëri”, duke u bazuar në burime shkencore të huaja, flet për fillimet e krishterimit tek shqiptarët, si një nga popujt e vjetër të Gadishullit Ballkanik.  Dr. Erion Piciri, në shkrimin “Shumë buste, pak modele”, analizon një dukuri historike dhe sociale, atë të sistemit të vlerave dhe të mundësisë së rishqyrtimit të tyre, atë të lënies në hije të personaliteteve të vërteta, që duhet të ishin modele për mbarë shoqërinë. Në revistë botohet një intervistë e panjohur e shkrimtarit rumun, me origjinë shqiptare, Victor Eftimiu, (shtator 1970).

I është kushtuar një hapësirë e madhe figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqiptare. Kështu, revista përmban një medalion për Migjenin, shoqëruar nga disa poezi të përkthyera në rumanisht. Nga Ernest Koliqi është përkthyer në rumanisht proza e shkurtër “Miku”, një nga perlat e prozës shqiptare. Nga shkrimtari i shquar bashkëkohor, Visar Zhiti, është botuar një kapitull nga romani „Funerali i pafundmë”. Kurse nga shkrimtari Victor Eftimiu botohet një nga tregimet më të njohura të tij “Një dasmë aristokratike”. 

Një kapitull me vete i kushtohet historisë së letërsisë shqipe si dhe studimeve letrare. Kështu, Dr. Luan Topçiu trajton letërsinë e arbëreshëve të Italisë, që nga fillimet e saj, duke e titulluar studimin e tij: “Rikrijimi i hartës shpirtërore të humbur”. Letërsia shqiptare e arbëreshëve, përpos faktit që ruan matricën kulturore shqiptare, me motivet arkaike ballkanike, është dhe letërsia që karakterizohet nga trajtat e motivet e letërsisë europiane.

KADAREJA SI PËRHERË

Dr. Gustavo-Adolfo Loria-Rivel na vjen me shkrimin: “Më në fund hapet dosja H.“ Studiuesi poliglot shkruan se nuk ka asnjë dyshim se libri i famshëm „Dosja H” i Ismail Kadaresë është një tekst kaplues, plot imagjinatë e dramatizëm, dhe jo më pak interesante janë informacionet shkencore të ofruara.                                                                                                            Dr.Gustavo Loria ka punuar si përkthyes në një grup-pune, nën kujdesin e Universitetit të Harvardit, dhe ka publikuar tekste në shqip, të mbledhura nga Parry Lord. Kritiku rumun i letërsisë  Marius Chelaru, vjen me trajtesën “Gjakmarrja fryma e përgjakshme e fatit”, një studim mbi veprat e Kadaresë, “Prill i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Lulet e ngrira të marsit”. I njohur për preokupimet e tij për letërsinë shqipe, studiuesi ofron një analizë mbi kanunin në veprën e Kadaresë.  Studimet letrare të revistës mbyllen me studimin Neli Naços “Vendet e kujtesës së Mitrush Kutelit”, një sprovë gjeopoetike e argumentuar me metoda moderne të interpretimit të tekstit.

         

*   *   *

Revista ka 250 fq. dhe është ilustruar me vepra të piktorëve të mirënjohur, Gentian Zeka dhe Aurel Acasandrei.

Në datën 12 shkurt, në Muzeun e Letërsisë Rumune u përuruar numri i parë i kësaj reviste shkencore dhe kulturore. Shqiptarë dhe rumunë bashkë u ndjenë si në një festë arti. Në datën 14 shkurt – promovimi i dytë i saj në Muzeun e Historisë dhe të Arkeologjisë të qytetit bregdetar të Rumanisë, Konstanca, me pjesëmarrjen e universitarëve dhe të studentëve të Universitetit “Ovidius”, të historianëve, të komunitetit shqiptar dhe të tjerë të interesuar.      Një promovim i tretë në mjediset e Universitetit të Craiova-s duke sjellë në vemëndjen e faktorëve akademikë këtë prurje të re të ALAR.          Kryeredaktor i revistës “Albanica” është studiuesi dhe kritiku Dr. Luan Topçiu, puna e të cilit është më shumë se një mabasadë, më shumë se një akademi në shpalosjen e Shqipërisë letrare e kulturore në Rumani.                    Drejtor i saj është studiuesi Dr. Radu-Cosmin Savulescu dhe Sekretar i Përgjithshëm i Redaksisë është shkrimtari dhe studiuesi Dr. Liviu Lungu, romanet e të cilit janë botuar dhe në Shqipëri.                                                     “Albanica” synon të bëhet një instrument teorik për të gjithë ata që janë të interesuar për Shqipërinë në hapësirën e Europës jug-lindore, për historinë e lashtë të shqiptarëve, për gjuhën shqipe, për letërsinë dhe artin shqiptar, për marrëdhëniet shumëdimensionale me kulturën rumune dhe atë ballkanike etj, për të parë një Shqipëri të lashtë dhe Europiane, me identitet e me vizione për të ardhmen e përbashkët.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: NJË REVISTË SA NJË AMBASAD:E, SA NJË AKADEMI…, shqiptari i Nrumanise

Territore apo treg në këmbim të njohjes?! Kjo është çeshtja!

February 12, 2019 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u pozicionua dje rreth idesë së Vuçiq, Ramës dhe Thaçit për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Sipas akademikëve, ndarja e vendit është një projekt i vjetër i Beogradit dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Ndërsa sot kreu i kësaj Akademie, Nexhat Daci, përgenjështroi se deklarata e shpallur dje është firmosur prej tij. Hulumtova në internet për të gjet një kryetar të dytë të ndonjë akademie të shkencave në botë, që predikon dhënien e territoreve të vendit të tij një vendi tjetër fqinjë, por më kot. Kurrkund në botë nuk ndodh kjo, ashtu siç nuk ndodh që kreu i një shteti të punojë për tjetërsimin e territorit të vendit të vet. Megjithatë nuk dua të ndalem në këtë. Ajo me të cilën publiku shqiptar është përballur këto dy muajt e fundit ka të bëjë me dy skema të ndryshme për zgjidhjen e konfliktit idis Kosovës e Serbisë si dhe keqinterpretimin e mbështetjes amerikane. Në Kosovë ka tashmë dy rryma politike, të cilat elaborojnë dy skema të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb. Rryma e parë është ajo që kryesohet nga Hashim Thaçi e mbështetet nga Nexhat Daci. Sipas kësaj rryme në dialogun me Serbinë duhet zbatuar skema “Territore në këmbim të njohjes”. Kjo rrymë politike proserbe ka shpallur në publik idenë mashtruese, sipas së cilës “Kush është kundër kësaj skeme, është kundër SHBA-ve”! Dhe duke qenë pengesë taksa e qeverisë Haradinaj për mallrat serbe, kjo kategori politikanësh të marrë peng propogandojnë se “Haradinaj është kundër SHBA-ve, meqenëse ai nuk pranon të heqë ose të pezullojë taksën”! Ndërkaq sot ambasadorja amerikane në NATO Kay Bailey Hutchison, foli ndryshe. Ajo tha se çeshtja e taksës është çeshtje në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e një prej autoriteteve diplomatike më të spikatur të Amerikës përgenjështron gënjeshtrat e Thaçit dhe të tijëve se “Amerika dhe Presidenti Trump na qenkan për heqjen e taksës dhe ndryshimin e kufijve”. Ndërsa sot u dha edhe një dëshmi tjetër pro kësaj teze. Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeu i bëri thirrje Europës që të bashkohet për të përballuar kërcënimin rus dhe kinez. Dhe nëse departiamenti i Shtetit Amerikan i përmbahet kësaj formule të ndalimit të influencës ruse në Europë, atëherë është e sigurt se SHBA-të nuk mbështesin ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse ky ndryshim ka e do të ketë ndikim të kundërt. Kësisoj ngrehina e gënjeshtrave dhe mashtrimit e ngritur nga Rama e Thaçi bie! Rënia e ngrehinës së mashtrimit të autorëve dhe aktorëve të faljes së territorit të Kosovës – Serbisë avantazhon skemën e zgjuar të Ramush Haradinajt: “Treg në vend të njohjes”! Sipas kryeministrit, Kosova mund të japë treg, por jo edhe territore në këmbim të njohjes nga Serbia. Kësaj formule i shërben kërkesa që “Serbia ta njohë Kosovën e kjo e fundit të heqë taksën ndaj saj”! Por pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi, Edi Rama, Nexhat Daci dhe dacër të tjerë të joshur ose të kërcënuar nga Beogradi vazhdojnë me këmbngulje spekullimet e manipulimet për heqjen ose pezullimin e kësaj takse, me qëllim që gjatë periudhës së pezullimit dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, të mund të nënshkruajnë marrëveshjen në dobi të krijimit të Serbisë së Madhe! Spekullimi me amerikanët vazhdon të mbetet pjesë e arritjes së qëllimeve serbo-ruse për Kosovën. Në fakt Vuçiq është në pozicion shumë të vështirë. Ai nuk mori mbështetje publike nga Vladimir Putin për Kosovën. Ndërkaq opozita proteston vazhdimisht kundër arrogancës së tij në qeverisje. Atij i duhet një aksion politik domethënës në dialogun me Kosovën, me qëllim që të rikthejë pozitat e humbura në elektoratin e tij. Këtë shans përpiqet t’ia japë Thaçi dhe Rama, megjithëse dhe këta gjenden tashmë të tronditur në pozicionet që kanë. Rama është i rrethuar nga jashtë dhe nga brenda. Thaçi është i kapur dhe shpejt do të bëhet objekt sulmi nga ana e opozitës së Kosovës. Nëse Kosova thellon konfliktin politik për shkak të skemës së Thaçit për të dhënë territore në këmbim të njohjes nga Serbia, atëherë ajo mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vënia dhe heqja e taksës është atribut i qeverisë. Haradinaj nuk dëshiron që ta heqë atë. Madje ai është i vendosur për të përballuar presionin e stisur të Hashim Thaçit. Megjithatë Haradinajt i duhet edhe më tej të përballojë sulmet, intrigat dhe kurthet e Hashim Thaçit. Këto kurthe e intriga mund të vijnë psh nga bashkëpunimi i presidentit me Lidhjen Demokratike. Sot Abdullah Hoti është shprehur për pjesmarrjen e partisë së tij në këtë qeverisje. Kjo do të thotë që Thaçi punon për të krijuar një mazhorancë tjetër pa shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nëse do të ndodhin zgjedhjet e reja, partia e Thaçit do të shkonte në vendin e katërt pas Vetëvendosjes, AAK-së dhe LDK-së. Për këtë arësye Thaçi është në kërkim të një formule tjetër. Por ajo parti politike që ia jep këtë shans Hashim Thaçit është e destinuar të shuhet njësoj si Partia Demokratike e Kosovës. Këtë do ta dëshmojnë zgjedhjet e reja, kurdo që ato mund të bëhen. Ndryshimi ose përpjekjet për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe heqja e taksës nga një kryeministër tjetër, veç Haradinajt, do të jetë bumerang politik për partitë që do të punojnë për projektin serb të Ramës e Thaçit me moton “Territore në këmbim të njohjes”! Fitorja do t’i takojë skemës së Haradinajt të përkrahur nga Albin Kurti “Treg në këmbim të njohjes”! Tirane, me 12.02.2019

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Territore apo treg në këmbim të njohjes?!

HISTORI: RRËFIMI NGA PARISI I ADILES, MOTRËS SË MADHE TË MBRETIT ZOG

February 12, 2019 by dgreca

RRËFIMI I ADILES, MOTRËS SË MADHE TË MBRETIT ZOG, NË MEDIAN FRANCEZE (1939) : “JAM E LUMTUR QË ARRITA NË FRANCË DHE KAM NDËRMEND TË QËNDROJ KËTU.”/

1 motrat

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Shkurt 2019//

1 adila

“Paris-soir” ka botuar, të mërkurën e 5 korrikut 1939, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me rrëfimin e motrës së madhe të mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Motra e madhe e mbretit Zog është nisur për në Paris

Marsejë, 4 Korrik.

Motra më e madhe e ish mbretit Zog të Shqipërisë, princesha Adile, mbërriti dje në Marsejë me dy vajzat e saj, kunatën e ish mbretit, gjyshen dhe vëllain e vogël të mbretëreshës Geraldinë, kontin Jul Apponyi.

“— Jam e lumtur që arrita në Francë dhe kam ndërmend të qëndroj këtu, tha ajo. Po nisem për në kështjellën e Mayes, pranë Versajës, e cila është marrë me qira për ne. Aty do të vijë edhe vëllai im. Nga Polonia, ai do të shkojë në Londër, ku do të bëjë një qëndrim të shkurtër. Pastaj do të vijë në Versajë.”

Princesha Adile dhe shoqëruesit e saj u larguan nga Marseja për në Paris me trenin e orës 14:40.

*Princeshe Adile (1893-1966) u martua me Emin Bej Agolli-Doshishti dhe paten tre djem ( Salih, Hysein, Sherafedin) dhe dy vajza (Teri, Danush). Ajo iu perkushtua familjes dhe te gjithe bashke jetuan ne Angli. Vitet e fundit te jetes i kaloi ne Paris prane djalit te saj te pamartuar, Salih.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, E TË MBRETIT ZOG, MOTRËS SË MADH, RRËFIMI NGA PARISI I ADILES

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT