• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

TEKI I DASHUR, SHPIRTI YT DO TË ENDET NË PËRJETËSI MES AMERIKËS DHE SHQIPËRISË 

April 14, 2019 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

Dje, e Shtunë 13 Prill 2019, i dhamë lamtumirën e fundit njeriut tonë të dashur, ish të përndjekurit politik Teki Gjonzeneli. Shpirtvrarë, me zemra të coptuara nga dhimbja; bashkshortja Filanda(Didi), djali (Fatmiri), vajza(Monika) mbesat dhe nipat, të afërmit, vëllezërit Murat dhe Memishau, ne miqtë e Tekiut, përmes lotëve tek hidhnim dheun në gropën e hapur, gëlltisnim dhimbjen.
Murati, që ka ardhë nga Arizona, tek i jep lamtumirën vëllait për të cilin ndjehet krenar, përpiqet të artikulojë fjalë zemre, por zeri sikur nuk i bindet; në vend të fjalëve dalin psherëtima dhimbjeje: “Me torba në krah nga kampi në kamp, nga burgu në burg, duke u endur pas meje…Kështu do të mbetesh për jetë në kujtesën time, edhe po qe se rrugët e jetës nuk do të na takojnë përsëri, i dashur vëlla.”… është bashkëbisedimi i dhimbshëm me pasvdekjen e vëllait.
E ka të vështirë Murati t’i lexojë ato pak rreshta që ka shkruar. Tekiu nuk ishte vetëm vëlla për atë dhe Memishaun, pasi ka qenë edhe prind, edhe mentor.
Në kalvarin e jetës së Muratit, Tekiu ka mbajtur familjen Gjonzeneli, që kur ishte 15 vjeçar: “Ngarkonte makina me gur dhe zhavor dhe motra e madhe i mjekonte duart e tij të brishta që kullonin gjak…”
I dridhet zeri dhe trupi, duart nuk i binden të mbajë fletët, por Murati gjenë forcë të shpreh ç’ka i thotë shpirti: Gjatë të gjithë jetës im vëlla, Tekiu, ka luftuar dhe ka fituar. Është rrëzuar por është ringritur përsëri më me forcë, më me kurajo, më me guxim.
Tekiu kishte shpirt njerëzor: I dashur me këdo. Në shpirtin e tij s’kishte kurrë urrejtje, ishte altruist, përherë i gatshëm për të dhënë gjithçka për këdo që ia kërkonte ndihmën. Shtëpia e tij në Nju Xhersi ishte përherë e hapur. Kush erdhi aty dhe nuk iu hap dera? Dhe Tekiu i priste me zemër të hapur e buajri. ..
Për t’i dhënë lamtumirën kanë ardhur edhe përfaqësues nga Federata VATRA, Zef Balaj dhe Asllan Bushati, që përcolli ngushëllimet në emër të Vatranëve. Bushati kujtoi lidhjet shpirtërore të Tekiut me Vatrën dhe Diellin, pjesë e të cilëve ishte që prej më shumë se 10 vitesh. Dhurimi i bibliotekës familjare , tregon respektin e tij për Federatën VATRA dhe vatranët, tha ndër të tjera Bushati.
Mbesa e Tekiut, vajza e Monikes, ndjehet krenare për gjyshin dhe shpreh dhimbjen që do t’i mungojë pas kësaj ndarjeje, por kurrë nuk do ta harrojë gjyshin e dashur. Monika, vajza e Tekiut, shtërngon pranë vetes nënën e dashur dhe qanë në heshtje dramën e saj. Didi, ëshët mpirë nga dhimbja, por qëndron me stoicizëm.
Djali i Tekiut, Fatmiri, arrin ta mposht ngërçin që i është mbledhur në grykë dhe përcjell krenarinë për babain e tij;Natyrisht e ka të vështirë të përcjellë në pak fjali ato çfarë ndjenë për të Atin dhe çfarë ishte jeta e pasur e plot ngjarje e babait të tij. Për të birin, Fatmirin, jeta e të Atit dhe e gjithë familjes Gjonzeneli, ishte e ngjajshme me personazhet e novelave të Dikensit, madje shkrimtari i madh as nuk mund ta imagjononte një jetë të atillë, që kaloi familja Gjonzeneli, ku shtylla e shtëpisë Muhameti, babai u burgos, ndërsa nëna Zonja, u rropat në punë të vështira për t’i mbajtë gjallë fëmijët. Tekiu ishte një nga shtatë fëmijët e mbijetuar në kushte tejet të tmerrshme të diktaturës komuniste të familjes Gjonzeneli dhe iu desh të punonte që në moshën 15 vjeçare. 
Fatmiri edhe pse erdhi fëmijë në SHBA, e ka brenda vetes dramën, që ka përjetuar familja e tij në Shqipërinë komuniste, por ai ndjehet krenar për të Atin, që e fitoi betejën me diktaturën. Jeta e të atit u bë më me kuptim pasi një ditë pati fat; u takua me një grua të bukur(nënën e Fatmirit dhe të Monikës), jeta e së cilës, ishte një paralele e jetës së Tekiut, por ndërsa babai i Tekiut kishte përfunduar në burg, babai i shoqes së jetës, Filandës, ishte pushkatuar! Por të dy ata e përballuan jetën duke sfiduar kushtet e ashpra.
Tekiu dhe Filanda e panë se jeta në Shqipërinë posdiktaturë nuk u garantonte të ardhmen fëmijëve të tyre, ndaj e zhvendosën familjen në emigracion. Dhe ata punuan fort dhe ndihmuan këdo që mundën. Për fat të keq, historia e babait të Fatmirit nuk pati fund të lumtur. Kanceri, që e sulmoi organizmin e tij, ia mori jetën pak nga pak, diët për ditë.
Fatmiri e ndjen dhe e shpreh se babai do t’i mungojë çdo çast, çdo ditë, por ai përherë do ta kujtojë atë si një baba të mrekullueshëm.
***
I vëllai i Tekiut, Murat Gjonzeneli, gjatë fjalës së tij përcjellëse kujtoi: Kur ndërroi jetë nëna jonë iu ndodhën pranë vetëm 8 vetë, dy prej të cilëve ishin varrmihësit, por Tekiu e kishte funeralin plot të Enjten, me 11 prill, tek i dha lamtumirën familja dhe komuniteti. Atë natë ishin aty edhe bashkvuajtësit e tij,edhe pse fizikisht nuk mundën të kapërcenin Oqeanin. Ishte aty edhe ish Kryeminstri demokrat Aleksandër Meksi që gjeti mënyrën për t’i sjellë një buqetë me lule dhe një mesazh zemre në ndarjen me Tekiun që e pat mik; ishin aty me mesazhet dhe homazhet e tyre edhe ish të përndjekurit politikë. I sollën aty edhe kujtimet e Muratit dhe Memishaut: U kujtuan Reshat Kripa, vëllezërit Çoku, edhe Enver Memishaj, edhe Profesor Sami Repishti…Homazhet për Tekiun u kryen nga bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në SHBA. Mjafton të shohësh shkrimet-homazhe të Reshat Kripës, Enver Memishaj, dr. Prenjo Imeraj, Prof. Sami Repishti, shkrimet e gazetes”Dielli”, mjafton të shohësh qindra mesazhe e komente ngushëlluse në rrjetet sociale dhe bindesh se ç’njeri i mirë ishte Teki Gjonzeneli.

***
Lamtumirë i dashur Teki, do ta ndjej mungesën tënde!
Unë nuk arrita të mbaja fjalën time në përcjelljen tënde, edhe pse yt bir Fatmiri dhe vëllezërit e tu, Murati e Memishau, ma kërkuan këtë. Arsyen ti e merr me mend, nuk mund ta përballoja ngarkesën emocionale për shkak të problemeve kardiake, por ti e di, miku im se sa të doja e të respektoja. Isha me fat që një javë para se të ikje nga kjo botë, së bashku me Latifin, ne biseduam gjatë. 
Unë ish me fat që u njoha me ty dhe familjen tënde, i dashur Teki. Ne u bëmë miq që me takimin e parë, kur unë punoja tek Illyria dhe ti erdhe në New Yorker Hotel , ku ishin zyrat e gazetës dhe së bashku me Filandën më besove ditarin “sekret” të xhaxhait të Filandës, Reshat Agaj dhe unë e pranova pa kushte dhe pa shpërblim. Ato fletë të zverdhura, të lëna amanet nga “Vëllai i pengut” përmbanin të gjithë tragjedinë e Gjonzenelëve. Dhe ne arritëm që ditarin të kthenim në libër pasi ia prezantuam më parë lexuesit shqiptaro-amerikan në SHBA, duke e botuar në disa numra si Dossier. Libri u botua dhe ribotua disa herë. Ky libër- ditar na bëri miq. Shkuam në shtëpitë e njer-tjetrit. Po ti nuk u mjaftove me kaq, gjete dhe shtëpinë e prindërve të mi në Lushnje dhe çdo verë kur vizitoje Shqipërinë shkoje dhe i shihje dhe ata, nënën time të paralizuar dhe babanë e sëmur. Gjithmonë më sillje nga Shqipëria lajme nga familja dhe librat e rinj që botoheshin në Tiranë, i bleje në dy kopje. Ti miku im u bëre dhe pjesë e Vatrës dhe e gazetës DIELLI, ku denoncoje plot kurajo neokomunizmin shqiptar dhe mosndëshkimin e fajtorëve të diktaturës, që të dënuan pa faj familjen dhe veten tënde.
Ti miku im, do të jesh i pranishëm brenda qenies time si njeri i dashur dhe i respektuar. Unë do të jetoj me kujtimet e përbashkëta. Këtu, në zyrën e Vatrës, mbi kompjuterin e punës, kam vendosur një Flamur Vlore;punuar në tezgjah nga duar vlonjate, është dhurata që më ke sjellë ti. Sa herë që do të dua të bisedoj me ty do të zbres në bibliotekën e Vatrës, ku është këndi me librat e tua dhuruar Vatrës dhe do të diskutojmë për librat dhe për Shqipërinë. Do të shoh edhe Fotografinë e madhe të Ujit të Ftohtë. Është kujtimi yt!
Lamtumirë! Shpirti yt do të endet mes Amerikës dhe Shqipërisë. I doje të dyja, edhe pse, e dyta ishte treguar NJERKË me Ty!
Lamtumirë, vëlla TEKI!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Teki Gjonzeneli

KUR DI TË PREKËSH ZEMRAT E NJERËZVE

April 14, 2019 by dgreca

-Nga takimi i historianes së shquar, Eleni Kocaqi, me shqiptarë të  Bostonit-/
                                                                                              Nga Fuat Memelli/*
Si rrallëherë në Boston, është ndjekur biseda e historianes së shquar, Eleni Kocaqi, me shqiptarë të Bostonit. Pas vizitave në Arizona,  Chikago, Florida, Ëashington DC, Neë York, Bostoni ishte stacioni i fundit i bashkëbisedimit të saj me shqiptarë të Amerikës. Takimi u organizua nga  Shoqata “Mass.Besa” me përfaqësues, Mark Kosmon dhe Qendra e Pensionistëve “Vatra”, me përfaqësues Agron Gjerasin. Qëllimi i takimit ishte promovimi i librit “Lufta e Trojës, luftë Pëllazgo-Ilire”. Në fillim Vera Gjata (Sheri), kordinatore e veprimtarive në këtë qendër, bëri një sintezë të punës dhe veprës së Elena Kocaqit, autore e 9 librave që i përkasin fushës së historisë së popullit tonë.  Ajo i trajton temat nga ana shkencore dhe jo politike. Me punën e saj kolosale, vazhdoi folësja, Elena konsiderohet nga shumë shqiptarë si pasuri kombëtare. Me mënyrën e saj, ajo po hedh dritë në historinë e mohuar të popullit shqiptar dhe trojeve tona etnike  që nga koha e antikitetit të hershëm.
Në fjalën e vet historiania Kocaqi u ndal në disa nga aspektet kryesore të librit të saj”Lufta e Trojës, luftë Pellazgo-Ilire”. Sipas saj ”ky studim synon të trajtojë  luftën e Trojës në kontekstin historik dhe human, shkëputur nga konteksti mitologjik dhe hyjnor….Kjo luftë është nga më të rëndësishmet në historinë e njerëzimit dhe nga përmasat e asaj kohe, ka tiparet e një lufte botërore”.  Po sipas autores “kjo luftë ishte një konflikt 30 vjeçar midis Trojanëve dhe Akejve, që ishin fise Pellazgo-Ilire. Termi “grek” del qindra vjet pas luftës së Trojës dhe përmendet nga Erodoti si një fis epiriot në Shqipërinë e Jugut. Ndër argumentat që dy fiset kishin origjinë pellazgo-Ilire, autorja përmënd ligjet Trojano –Akeje të dy fiseve që janë të ngjajshme me ligjet zakonore shqiptare, si mikpritja, gjakmarrja, besa dhe betimi, mosheqja e armës së viktimës, mosdëmtimi i kufomës, tradita e qarjes së të vdekurit, etj..”. Për botimin e këtij libri, ajo ka shfrytëzuar 30 botime të autorëve të huaj.
Pjesa e dytë e takimit, me pyetje të pjesëmarrësve  dhe përgjigjet e Elenës, ishte ajo që “ndezi” takimin. Një nga pyetjet  që iu bë folëses, qe ajo për mendimin e saj lidhur me provokimet e shfaqura në festimet e komunitetit grek në Boston dhe disa qytete të tjerë të Amerikës, me rastin e festës së tyre. Përgjigja e saj ishte :” Janë qarqe ekstremiste që i bëjnë  këto veprime antishqiptare. Ata nuk njohin historinë . Veprimet e tyre përbëjnë shkelje të ligjeve amerikane si dhe të drejtave të njeriut. Grekë dhe sërbë kanë mohuar historinë tonë. Politika si dhe Aademia jonëe Shkencave, nuk kanë reaguar për veprimet e tyre antishqiptare. Për veprimet që shfaqen këtu në Amerikë, në rradhë të parë duhet të reagojnë organizatat shqiptare në Amerikë. Ato duhet të kënë një databejz të përbashkët dhe të flasin me një zë”.
“Ne të prisnim dhe ti erdhe. Ne e ndjekim me interes fjalën tuaj në Shqipëri. Me qendrimin  për historinë shqptare, juve jeni bërë një institucion, pasi po mbroni historinë e Shqipërisë” u shpreh një pjesëmarrës nga Fieri. Gazetari Sami Milloshi, theksoi se qendrimi Ambasadës Shqiptare në Amerikë për këto veprime të qarqeve greke, ishte i vakët dhe pa nerv. “Studimet tuaja si dhe të historianëve të tjerë  duhet të përfshihen në botimet shkollore, u shpreh një diskutant tjetër. Juve jeni historine dhe shkencëtare e kurajoze, vazhdoi ai”. “ Unë nuk merem me politikë, merem me argumenta shkencore dhe nuk kam frikë të them fjalën time kudo. Greqia dhe Sërbia harxhojnë miliona euro për të shtrembëruar historinë në Shqipëri dhe Kosovë. Greqia dhe Turqia nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe në vendet e tyre” theksoi Elena Kocaqi.
Dhënia e autografëve si dhe fotot e shumta të pjesëmarrësve me Elenën që arinin shifrën mbi 100, mbyllën këtë veprimtari, nga më të bukurat e shqiptarëve të Bostonit. Këtu kanë ardhur pushtetarë e figura të tjera nga Shqipëria e Kosova, por interesimi që pati në bisedën me Elena Kocaqin, nuk ka ndodhur më parë. Dhe kjo ndodh kur di të prekësh zemrat e njerëzve. Ishte kjo arësyeja që shumë pjesëmarrës i thanë Elenës:  ”Të presim të na vish përsëri”.
Ditën e nesërme, Eleni Kocaqi e shoqëruar nga Agron Gjerasi, bëri një vizitë në kishën e Shën Gjergjit, ose siç quhet ndryshe, kisha e Nolit. Aty u prit nga kancelari i kësaj kishe, At Artur Liolini. Edhe këtu ajo promovoi librin e saj “Lufta e Tojës, luftë Pellazgo-Ilire” dhe bëri foto besimtarë të kësaj kishe.
*Per me shume fotografi-Shihni ne Facebook- Gazeta Dielli

Filed Under: Politike Tagged With: Fuat MEMELLI-Eleni Kocaqi

HIJET E ERRËTA TË SË SHKUARËS

April 14, 2019 by dgreca

“Kujtimi I ditëve të shkuara është gjykatësi I jetës së njeriut. Lum ai që kur sheh mbrapa ndjen fërfëllimën e paqes së një engjëlli, mjerë ai që në çdo vështrim që I hedh së shkuarës vreroset nga një pendim I shterpët”

                                              MAHLMAN (1771 – 1826), poet lirik gjerman

            Ditët e fundit, nëpërmjet disa shkrimesh në gazeta shqiptare, qemë të pranishëm në një përshkallëzim të rrahjes së mendimeve mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Ra në sy, në mënyrë të veçantë, një shkrim i gjatë i një njeriu të lakuar shpesh herë në atë fushë tragjike t’atyre realiteteve të dhimbëshme, që qenë burgjet politike me punën e detyruar në vitet 80, ish komandantit të kampit të Qafë  Barit e më vonë drejtor I përgjithshëm I Drejtorisë së zbatimit të vendimeve penale, Edmond Caja.

            Përballë një filmi dokumentar, të luajtur mbi një nga ngjarjet më të rënda të historisë së burgjeve, asaj të kryengritjes së Qafë Barit, e cila përfundoi me ekzekutimin e dy të dënuarvet, vrasjen pa gjyq të një tjetri e dënimet me shumë vite burg për njëmbëdhjetë të tjerë, Edmond Caja vendos “të thyejë heshtjen e tij 28 vjeçare”. Shkruan një përkujtesë mbrojtëse për t’i u drejtuar opinionit publik shqiptar, duke u përpjekur të hedhë poshtë paditë e kryer ndaj tij prej disa njerëzve, ish të dënuar, por edhe jo të tillë.

            Autori i përkujtesës ka zgjedhur taktikën e sulmit ballor kundrejt të gjithë atyre, të njohur e të panjohur, kryesisht ish të dënuar, si shkrimtari Visar Zhiti, Haxhi Baxhinovski, Kastriot Çaushi, Bedri Blloshmi, Lekë Frroku, por edhe jo të dënuarish si zonja fisnike Fatmira Dine, Agron Tufa, kryetar i komitetetit për zbardhjen e krimeve të komunizmit, Kastriot Dervishi, historian e punonjës arkivash. Merr përsipër një mision të vështirë, që ve në provë aqpeshimin psikologjik i cili, në mungesë argumentash, strehohet në një narçizizëm vetëvlerësues, herë herë të papërmbajtur, që krijon përshtypjen e një vetëhipnotizimi. Ky i fundit vlen për të krijuar një tjetër realitet, për të cilin nuk gjen asnjë përkrahje të hapur, qoftë dhe nga ata ish të dënuar për të cilët mëton se i ka ndihmuar gjatë periudhës së burgut e me ndonjerin prej tyre shkëmben mesazhe nëpërmjet postës elektronike. N’atë proçes që i ngjet kacavjerrjes në pasqyra, atij i pëlqen të kthehet mbrapa në kohë, në moshën e ëndrrave, të mbarimit të shkollës së Sigurimit, për të gjetur në rininë e tij, atë personazhin e dyzuar, njeriun që madje i afrohet mendërisht viktimave të tij të mëvonëshme.

            “Të gjithë bashkëkohësit në shkollën e Ministrisë e dinë se emërimi im ishte poshtërues në raport me nivelin që kisha, ishte ndëshkues për andrallat që në vite ju kisha hapur si zë kritik, ishte riedukues.”

            Edmond Caja, student në shkollën e Sigurimit, në vitet e tmerrshme 1978 – 1982, kur arrestimet e dënimet arritën kuota të pazakonta, i emëruar me punë në Repartin 311 të ministrisë së Brëndëshme, e quan veten një rebel, të cilin e kishin flijuar në moshën 23 vjeçare nën “Dy hektarë qiell, thellë në pyjet e Munellës, Repart riedukimi, punë me të dënuar, edhe këto për një djalë të ri 23 vjeçar, nga Tirana, gjimnazist i “Qemal Stafës”, që dikur luante piano e violinë, dhe luante plot pasion basketboll.”

Kjo është përfytyresa që autori ka vendosur t’i japë që në fillim lexuesit për veten. Se sa pajtohet ky imazh me atë të një oficeri që, në vetëm shtatë vjet, arrin të bëhet njëri ndër kuadrot më të rëndësishëm të ministrisë së punëve të Brëndëshme, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë, vetëm një mëndje e errësuar nga mungesa e gjykimit mund t’a konceptojë. Përfytyresa e dyzuar do t’i shërbente Cajës për t’u shkëputur mendërisht nga e shkuara e tij, por kjo e fundit është shumë e fortë, madje mizore e bart në vetvete dhe një krim të përbindshëm si këputjen në mes të një të dënuari, një veprim në kundërshtim edhe me ligjin të cilit i ka shërbyer.

Ky është makthi që e shoqëron atë dhe atje, në “mërgimin e artë”, në Vendin më të madh e më të zhvilluar të Evropës. Është si hija e Bankos që shoqëron Makbethin deri në fundin e tij, një hije me të cilën ai ka luftuar në heshtje, në brëndësi të tij, larg Shqipërisë me shpresën e vakët që koha të mund t’a fashiste me forcën e saj ripërtëritëse. Ky ishte projekti për veten dhe familjen, i bazuar në një mashtrim, në një copë letër, të nënëshkruar nga ndonjë ish “armik i klasës”, i cili në “demokracinë” pas komuniste mundohej t’i bënte mirë edhe ish xhelatëve të tij. Në atë copë letër me firmë e me vulë “dëshmohej” se ish romantiku i “Qemal Stafës”, kishte qënë një njeri i përndjekur nga regjimi, një dokument që do të besohej nga zyrtarë të Gjermanisë të bashkuar, të ndjeshëm ndaj këtyre rasteve, si pasojë e përvojës së tyre me Stasin e Lindjes së tyre.

Caja nuk flet për jetën e tij mbas ikjes nga Shqipëria. Është një kapitull, për të cilin nuk dëshiron të hapet, mjaftohet me tregimin e një episodi të një padije nga ana e zonjës Dine, të cilën ai e kalon lehtë me një kundërpadi ndaj saj, që  prokurori gjerman e arkivon. Ky i fundit,  duke mos u thelluar në atë që vinte nga Shqipëria, jo “për të bërë padinë e gjyshit të vrarë më 1944”, siç mëton në mënyrë foshnjarake autori, por sepse në sytë e njerëzve të përndjekur për gati gjysmë shekulli nga diktatura komuniste shqiptare, strehimi politik për ish drejtorin e përgjithshëm të burgjeve të regjimit, në një demokraci perëndimore, tingëllon si një anakronizëm i pakonceptueshëm.

Por rasti ishte tepër i veçantë e mbartëte në vetvete të fshehtën e tij. Në lidhje me të z. Kurt Kola tregon një episod domethënës në një shkrim të tij: si kryetar i ish të përndjekurve politikë kohë më parë i kishte kërkuar zyrtarisht ish presidentit Berisha të ndërhynte pranë Shtetit gjerman për dorëzimin e Edmond Cajës në Shqipëri e nxjerrjen para gjyqit për vrasjen e Sandër Sokolit. Presidenti i ishte përgjigjur prerë se ishte interesuar e kishte marrë vesh se personi ishte parë me sy të mirë në vendin ku jetonte. Është shumë treguese kjo dëshmi për të arritur të kuptohet se cilët kanë qënë ligjet e pashkruara që kanë qeverisur të gjithë periudhën e kalesës mbas komuniste në Shqipëri….

Për të ndrequr përfytyresën e tij në postet e rëndësishme që ka mbajtur, Edmond Caja i rrëfehet një ish të dënuari: “ajo periudhë nuk përbën lavdi për asnjë individ… qe një periudhë fatkeqe për ne si brez”. Do të ishte bindëse deri diku një shprehje e tillë në gojën e një ish zyrtari të lartë të majës së diamantit të diktaturës, sikur përkujtesa të ishte një kritikë e hapur e së shkuarës së tij, por ish komandanti i Qafë Barit mundohet të bindë lexuesin se jo vetëm nuk është një ushtrues i dhunës, por që ka qënë një “shenjt” që ka lehtësuar jetët e vartësve të tij, duke treguar episode “bamirësie” mes të burgosurve, të cilët janë thjesht veprime që ishin të detyrueshme për postin e tij zyrtar.

“Shërbeva në një detyrë të vështirë në moshën më të bukur të jetës, e prania e ime aty ku isha, jam i bindur se më shumë ka ndihmuar në lehtësimin e vuajtjeve se sa i ka bërë ato edhe më të padurueshme”.

Është fraza në të cilën hipokrizia dhe mashtrimi arrijnë majën, me qëllimin e keq të bëjë të pabesueshëm të gjithë ata që kanë folur për të, duke treguar paudhësitë deri në krim të tij. Gënjen veten se dikush do t’i besojë, madje arrin të gjejë mirëkuptim  tek të ngjajshmit e tij, të fshehur pas pseudonimeve në komentet me të vërtetë të ndyra në faqet e internetit. Por “harron” se n’atë “bamirësi” një vënd të posaçëm zë vendimi për të mbyllur me llamarina nga jashtë dritaret e burgut, një nismë e tij për t’i mohuar të dënuarvet edhe dritën e diellit në banesën ku flinin.

Kjo prirje për të mos pranuar paditë që i bëhen nga shumë njerëz, pra për të mos zbuluar personalitetin e tij të vërtetë, e shtyn t’armatoset me të gjitha mjetet e mundëshme, kryesisht me armët e shpifjes, të gënjeshtrës, të diskreditimit të atyre që kanë thënë të vërtetën për bëmat e tij. Në këtë drejtim ai i kalon të gjitha caqet e etikës njerëzore e kthehet në atë qënien e tij të lashtë, me ADN e lindur bashkë me të, që i ka nxitur e frymëzuar atë mizori, e cila e bëri të ngjiste shkallët e karierës, deri në majat më të larta të sistemit të dhunës.

Në shënjestrën e tij hyjnë të gjithë, por helmin më të fortë ai e ruan për shkrimtarin Visar Zhiti, një ndër përfaqësuesit më të spikatur të botës sonë letrare, një nder për të gjithë kombin shqiptar. Me pafytyrësinë e një shpifësi, sa të ngushtë në shpirt, aq dhe të varfër në mendime, Edmond Caja i bën Visarit një pyetje: “Pse u trasferua nga Spaçi në Qafë Bari dhe pse në Qafë Bari punoi në ofiçinë?”. Shpreson me këtë pyetje prej leshkoje të verë në vështirësi një njeri që ka ruajtur dinjitetin e tij në provat më të mëdha, më të dhimbëshme e më të mundimshme që jeta i ka vënë përpara. Vobektësia e shpirtit dhe ligësia e tij arrijnë deri aty sa të shpikë dy motive, në stil shqeto komunist, me të cilët ai pandeh se do t’a mposhtëte atë që e quan armikun e tij, sepse në romanin epope “Ferri i çarë” e gjen veten  si personazh, në përmasat e së vërtetës, të cilën ai do t’a varrosë me çdo kusht, por pa mundur të lirohet kurrë prej saj. Ai e din mirë se libri i Zhitit do të vazhdojë të lexohet edhe në t’ardhmen, edhe ndër breza të tjerë, e dëshmia e tij do të mbetet e shkruar  të zezë mbi të bardhë edhe kur ne nuk do të jemi më në këtë botë. E vërteta, si drita e diellit është se asnjëra nga këto padi nuk qëndrojnë. Visar Zhiti ka shkuar në Qafë Bari së bashku me të gjithë të dënuarit e tjerë dhe ka punuar gjithmonë në minierë, pa e ditur as drejtimin nga ishte ofiçina. Për këtë është dëshmitar një kamp i tërë.

Nëse fjalët vetëlavdëruese të Edmond Cajës kanë vërtetësinë e kësaj padie, është e qartë se e gjithë përkujtesa është e mbështetur në mashtrime të pafund që mund të kenë meritën të gënjejnë ndonjë idhtar të diktaturës ende sot, por që nuk mund të hedhin poshtë e të mohojnë paditë nga ish të dënuarit apo njerzit e tjerë që kanë folur për të të bazuar në fakte të vërteta. Po aq pa bazë janë edhe shpërthimet e Cajës kundrejt Agron Tufës e Kastriot Dervishit që, për detyrat që kanë duhet të zbulojnë e të nxjerrin në pah krimet e komunizmit edhe nëse kjo gjë do të shkaktojë shqetësime autorëve apo miqve të tyre, qoftë edhe në nivele të larta të Shtetit. Është një gjë e pazakontë që publikimi i këtyre të vërtetave historike, jo shpifjeve të zakonshme komuniste, por e fakteve të pakundërshtueshme e të dokumentuara të shfaqjeve të ndryshme të së shkuarës të shihet ende me dyshim e të shkaktojë kundërveprime si ata të kohëve të fundit.

“Ky shkrim ishte një borxh që më së fundi e shleva ndaj gruas time të mrekullueshme, fëmijëve të mi që këtu nderojnë jo vetëm familjen por edhe emrin e shqiptarit, nënës time 90 vjeçare…Shlyej një detyrim ndaj miqve e shokëve që jo njëherë këmbëngulnin që unë të flisja”.

Autori mendon se e ka shlyer atë detyrim ndaj familjes së tij, gjë që po t’ishte e vërtetë, pasojë e një pendese të sinqertë, ndoshta do t’ishte bindës dhe i dobishëm. Mënyra që ka zgjedhur ai për të përshkruar e përligjur jetën e tij nuk e plotëson atë qëllim, nuk i davarit retë e zeza të një të shkuare që vazhdon të projektojë hijet e saj ende mbi të tashmen e t’ardhmen e shqiptarëve.

Prill 2019                                                                                Eugjen Merlika      

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika

Lashtësi dhe shkallë e lartë zhvillimi e kulturës sonë popullore

April 14, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Si një popull i lashtë me veti e atribute intelektuale e ndjenjësore të pasura, ilirët krijuan një kulturë popullore materiale e shpirtërore të një niveli të lartë zhvillimi, çka nuk mund ta pohojmë për një kulturë të shkruar. Nivelet e larta të kulturës së hershme ilire përfaqësohen me kulturën e ashtuquajtur Hallstatt, një vend në hapësirat alpine të Austrisë. Antropologu i shquar amerikan C. S. Coon, ka shkruar “Ilirët qenë krijuesit e qytetnimit të hekurit në Euvropën Juglindore, në nji kohë kur emni i Romës dhe i Athinës nuk ishin ndie ende” 1). “Kultura e Hallstatt, shkruan ai, asht lidhë me degën iliriane të gjuhëve indoeuropiane. Kjo asht e para herë në histori që nji gjuhë mund të identifikohet me nji kulturë dhe me nji racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë” 2). Materiale të ngjashme me ato të Hallstatt-it janë gjetur më vonë edhe në Glazinac të Bosnjës, në Prozor të Kroacisë dhe në vendin tonë:  në Koman, në Krujë, në Bukël (Mirditë), etj.

Në lëmije të kulturës shpirtërore ilire, trashëgojmë vepra arti me vlera të shquara artistike, sidomos, në fushën e arkitekturës dhe të skulpturës, në përgjithësi, të ndikuara nga arti helen e më vonë ai romak, por që kanë vulën e origjinalitetit ilir. Për t’u përmendur, ndër shumë të tjera, janë portat e portikët në qytete, varret monumentale të Selcës së Poshtme, amfiteatri i Durrësit, nimfeu dhe monumennti i Agonotetëve në Apoloni, koka skulpturore e hyjneshës së Butrintit, koka e ashtuquajtur e Demostenit, mozaikët e Arapajt, Apolonisë, Durrësit. 3).

Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë dokument të shkruar në gjuhën ilire. Është e tepërt të themi që na mungon një letërsi e tyre e kultivuar, siç e kanë grekët e romakët, edhe pse barabitemi në moshë me ta e edhe ua kalojmë, edhe pse kemi qenë e jemi që në lashtësi komshinj të tyre. Nga shkrimi i tyre njohim toponime, antroponime, disa glosa të vjelura nga autorë grekë e latinë dhe nga rrasat e varreve dhe disa fjalë që janë interpretuar si huazime ilire në greqishtën e vjetër dhe në latinishten. Disa emra të epopeve të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, si Akili, Laerti e ndonjë tjetër, dhe disa leksema që gjenden në këto dy epope janë shpjeguar me shqipen si një nënshtresë pellazgjike ose si fjalë që i përkasin dorianëve, fis ilir që invadoi Greqinë qysh në kohët parahistorike, në periudhën e invadimit të madh të popujve. Përpjekjet e filohelenëve t’i interpretojnë me greqishten, nuk kanë pasur sukses.

Gjithsesi, rrënjët e kulturës sonë popullore lëndore e shpirtërore janë të ngulura thellë në kulturën ilire, sidomos në atë të antikitetit të vonë, kohë e ngjizjes së etnosit arbër. Duke folur për popullin tonë dhe lidhjen e tij gjenetike me ilirët, studiuesi i shquar kroat Sufflay ka thënë: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër kje nji faktor i fortë i historis, i cili njihej me emnin Ilir. Pastaj u zhduk për synin e histori-shkruesit ndër pshtjellimet e gadishullit ballkan, por fshehtasi bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore e folklore të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue në emnin Shqyptar (arbnuer), dha sheje të reja të fuqis së vet krijuese” 4).

A jemi ne thjesht bij fisesh ilire barinjsh të pagdhendur që jetuan të rrasur ndër shpella e pyje të padepërtueshme dhe nuk kultivuan gjuhën e shkruar, apo pozicioni gjeografik i trojeve ilire dhe më vonë i atyre shqiptare solli me vete pushtimet e huaja romako-barbaro-bizantino-sllavo-turke, që i zhdukën shkrimet e tyre – këtë shkenca nuk e ka dëshmuar deri tani. Shtetet e organizuara ilire dhe qytetet e lulëzuara, niveli i lartë i kulturës popullore dëshmojnë një shkallë të lartë qytetërimi, që na bën të besojmë më së tepërmi në hipotezën e dytë.

          Lidhur me këtë çështje, Karl Patsch, në veprën e tij “Ilirët” na ka lënë një hamendësim që ka një kahje objektive, por që nuk mund të mohojë kategorikisht veprimtarinë e tyre në lëmin shkrimor: “Interesat shpirtërore të ilirëve, ka shkruar ai, nuk do të kenë qenë të mëdha, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë e në të pirë” 5). Ndërsa Çabej, duke folur për shqiptarët, ka shkruar: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote” 6). Shënojmë që këtu leksemën mistikë e ka përdorur si prirje ndaj vlerave shpirtërore, siç e përdorin në ndonjë rast të huajt; pra është po ajo që shpreh Patsch për ilirët. Për ta sqaruar më tej këtë çështje, ai ka shkruar: “Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare”. Në një rast tjetër, duke folur për romantizmin në letërsinë e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, ai ka shkruar: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës dhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësuese si gjetiu në Europë” 7).

          E vërtetë është që ne nuk kemi “Iliada”, “Odise”, “Eneida”, etj., po kjo nuk do të thotë që tek ilirët, arbërit dhe shqiptarët e mëvonshëm ka munguar veprimtaria shpirtërore. Impulset e kësaj natyre ata i kanë sendërgjuar në fushën e kulturës popullore, ku ne përfaqësohemi denjësisht. Elemente rëndësore të etnokulturës sonë të lashtë janë studiuar dhe çmuar nga të huajt dhe janë bërë pjesë e thesareve të kulturës botërore. “Vlefta e një populli nuk matet me gjerësinë e tokës e me numrin e frymëve. Kombi ynë, i mbledhur nga një varg kontingjencash të kohëve, në një truall të ngushtë, ka mbetur i vogël, po të mëdha kanë qenë cilësitë e talentet e racës gjatë periudhave historike të vjetra e të reja” 8), ka shkruar eruditi ynë Hasan Dosti. Dihet që çdo popull, i madh a i vogël, gjatë historisë ka jetësuar kërkesat e veta shpirtërore origjinale, që e dallojnë nga popujt e tjerë.

          Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërëse të kulturës shpirtërore, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike. Në mjegullnajat e kohëve nuk kanë humbur rrënjët e krijimit të një etike të fisme humane që e dallon popullin tonë nga popujt e tjerë të afërt dhe të largët, dhe që u ruajt gjatë shekujsh nga breznia në brezni nga të parët tanë, dhe shërbeu për t’u dhënë frymën rregullimit shoqëror të jetës, zakoneve, etj. Tipare të tilla shpirtërore si nderi, burrëria, besa, mikpritja, dhe përbërës të tjerë të siluetës shpirtërore të popullit tonë janë emblematike në historinë shpirtërore të popujve. Ato kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e të huajve që janë njohur me popullin tonë.

          Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive, trashëgim që ka ardhur deri në ditët tona.

Na është dëshmuar kjo kanunësi nëpërmjet të së drejtës zakonore, në të cilën virtytet tona janë dhënë në mënyrë sinkretike me kodin juridik. Elementet e kësaj kanunësie etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë gjeneratorin organizativ themelor të jetës. Siç dihet, fiset ilire qeveriseshin në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale dhe janë treguar konservatorë në ruajtjen e tyre. Zavalani ka shkruar: “Elementi i qindrueshem i shoqnis së atëhershme ishte fisi, i cili vetqeverisej në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale që kanë gjetë ma vonë shprehjen e tyne në Kanunin e Lekë Dukagjinit” 9). Edhe mbas pushtimit romak, ilirët e ruajtën vetëqeverisjen e tyre mbi bazën e së drejtës zakonore, siç na e pohon E. Koliqi në studimin e vet: “E Drejta e Kanunit Shqyptar dhe E Drejta Romake”10). Dhe kështu, kjo “ligjë gojdhânore, e vetmja qi u ruejt gjer sot n’Europë”, siç shprehet ai, ka ardhur deri në ditët tona.

Shqiptarët e ruajtën dhe e pasuruan të drejtën zakonore, trashëguar prej të parëve tanë dhe e ripërtrinë në mesjetë nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur përmbledhur nga Gjeçovi, të Prijësit dhe Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu, mbledhur e kodifikuar nga Dom Frano Illia, dhe nën emrin e “Papa Zhulit”, që më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, u aktualizua dhe u njoh si “Shartet e Idriz Sulit”, të cilat u kodifikuan tash së voni, nën emmrin “ Kanuni i  Labërisë” nga Ismet Elezi.

Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve” 11).

Është për t’u shënuar se në dallim me kanunet e lashta e mesjetare të popujve të tjerë, si p. sh. me Kodin e Hamurabit a me Kodin e Stefan Dushanit, e drejta jonë zakonore dallon për një frymë të lartë fisnikërie, çka tregon jo vetëm një shpirt human, po edhe një shkallë të lartë qytetërimi.

          Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”12).

Vlera të padiskutueshme të një kulture të lashtë, populli ynë ka jetësuar në folklorin tonë, në këngët, vallet, përrallat, fjalët e urta, gjëzat, lojërat, etj. Në të gjitha fushat e saj, krijimtaria e popullit tonë përbën një fond qytetërimi të hershëm, me vlera të larta artistike, dëshmi e një imagjinate të freskët e mbështetur në një përvojë jetësore të pasur dhe të pjekur, dhe të një shijeje estetike të hollë, të një vlerësimi tejet të lartë të së bukurës.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve, në këto fusha, të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtytësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. “Gjatë luftës për ekzistencë me tri nga perandoritë më të fuqishme të kohëve: romaken, bizantinen dhe otomanen, populli ynë krijoi, veç të tjerave, edhe një ‘perandori të katërt’, perandorinë e tij poetike, e cila nuk ka cenuar kurrë kërkend, përkundrazi ka qenë përherë, në tërësinë e saj, një mesazh miqësie për popujt e tjerë”, ka shkruar Ismail Kadare.13). Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

          Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla, një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike dhe të një imagjinate tejet të pasur, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me indianët, arabët e keltët, popujt që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

          E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në prehrin e gjuhëve indoeuropiane, pasurinë, bukurinë, origjinalitetin dhe rezistencën e saj ndaj gjuhëve të pushtuesve.

          Një dëshmi tjetër e gjallë e shpirtit shqiptar krijues artistik është etnomuzikologjia jonë me rrënjë në lashtësitë e antikitetit. “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 14). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 15). Një monument i një rëndësie të jashëzakonshme në fushën e etnomuzikologjisë sonë është iso-polifonia, që UNESCO e ka shpallur “Kryevepër e trashëgimisë popullore të njerëzimit” 16). Burimin e iso-polifonisë, studiuesi Vasil S. Tole e gjen tek “E qara me botë” 17). Të qarët në grupe është i njohur edhe në Shqipërinë e Veriut, ku quhet gjamë.  Një gjamë të tillë, të zhvilluar në ditët tona në Dukagjin,   e ka treguar At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue-II”. Ai e ka cilësuar atë si “doken më të vjetër, pa dyshim parahistorike”18). Udhëtari anglez Th. Hughes ka shkruar në librin e tij “Travels in Sicily, Greece and Albania”, botuar në Londër, në vitin 1820, që në të njëjtën mënyrë si vajtonin me logori gratë gjirokastrite kishte qarë Uliksin Penelopa e tij. 19). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”, ka shkruar muzikologu Beniamin Kruta. 20).

          Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë popullore. Janë të njohura vallet tona, një manifestim dhe përqendrim i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 21). Të magjepsur prej valles kombëtare të palikarëve shqiptarë dhe Çamçes, grekët i bënë ato të tyret.

Një dëshmi tjetër po aq me vlerë e gjejmë te kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike. Nga moria e pafund e kostumeve, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, dhe fustanellën, të cilën Bajroni e pati quajtur “kostumin më të bukur në botë”; prandaj edhe e lakmuan grekët dhe e huajtën, duke e bërë kostumin e tyre kombëtar.

 Kultura jonë popullore ka aq shumë përbërës që dëshmojnë fisnikëri shpirtërore, sa është e vështirë të trajtohen në një artikull. Po bie këtu si shembull lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është krejt e huaj.

Duke menduar këtë shkallë të lashtë e të lartë qytetërimi shqiptar me rrënjë ilire, vetvetiu të shkon mendja tek mungesa e kulturës së shkruar tek ilirët dhe letërsinë sonë artistike të dokumentuar aq vonë. Është e vështirë të pranosh që një popull me këtë potencë shpirtërore krijuese kaq të fuqishmme, një popull që krijoi një psikologji të veten autentike, një normë zakonore të rregullimit të jetës, një folklor aq të pasur, një epos original me vlera të padiskutueshme artistike,  një etnomuzikologji krejt të veçantë, etj., etj., të mos ketë lindur individualitete që të hedhin në letër veprimtarinë e tyre shpirtërore krijuese, atë veprimtari që do të kishte vendin  e vet të merituar në prehrin e kulturës së lavëruar botërore. A nuk patën edhe ilirët kërkesa të tilla shpirtërore si fqinjët e tyre grekë e romakë? Studiuesi Thoma Kacorri ka shkruar: “Megjithëse ilirishtja ka qenë gjuhë e shkruar, ende nuk kemi gjetur ndonjë tekst të saj. Kjo zbazëti duhet mbushur doemos.” 22).

Është jo vështirë, po e pamundur të besosh se ilirët nuk patën një kulturë të shkruar; më e mundshme është të pranosh se historia e gjatë e pushtimeve i bëri të paqena veprat e tyre. Edhe ne bijve të tyre nuk na qeshi fati. Është fakt historik i hidhur që në periudhën e errët 500-vjeçare të sundimit osman shqipja qe gjuhë e ndaluar, e helmuar, e masakruar. Vetëm më 1555 kemi veprën më të vjetër që ka arritur në duart tona në gjuhën tonë “Mesharin” e Gjon Buzukut, gjuha e të cilit dëshmon pa mëdyshje për një traditë shkrimi të përiudhës paraosmane, dhe vetëm më 1836 kemi veprën e parë të letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike, e edhe këtë të shkruar dhe të botuar në vend të huaj.

Referenca

1). C. S. Coon, “The Races of Europe”, p. 182, cituar sipas Tajar Zavalanit, “Histori e Shqipnis”, Botues “Phoenix & Shtëpia e Librit”, Tiranë, 1998, f. 18.

2). C. S. Coon, vepër e cituar, p. 182, cituar sipas T. Zavalanit, vepër e cituar, f. 18.

3). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Shqipëria-Artet figurative dhe arkitektura”, f. 1055.

4). Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët”, II, f. 33-34, Tiranë, 1926. Cituar sipas Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16.

5).“Ilirët” prej Hofrat Dr. Karl Patsch, përkthyem prej Karl Gurakuqit, Shtypshkroja “Nikaj”, Tiranë, 1922.

6). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 27.

7). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 78-79.

8). Hasan Dosti, “Gjashtëdhjet-vjetori i fletores ‘Dielli”, në “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Përmbledhë nga Dr. Med. Hamdi H. Oruçi, f. 187.

9). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 21.

10). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Romake”, sipas “albanovaonline.com”.

11). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, nr. 1 / 2007, f. 42.

12). “Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, Leonard Fox, “Introduction”, p. xix.

13). Ismail Kadare, Vepra letrare 12, “Autobiografi e popullit në vargje”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 58.

14). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

15). Thoma Kacori, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, “Revista Haemus”, nr. 18-20, v. 2003, f. 25.

16). Cituar sipas Prof. Dr. Agron F. Fico, “Isopolifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Illyria”, nr. 1723, dt. 19-21 shkurt, 2008.

17). Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit”, cituar sipas Prof. Dr. Agron Fico “Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit”, “Illyria, nr. 2075, 12-15 gusht, 2011.

18). At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue-II”, Botues “Hylli i Dritës”, 1997, f. 136- 140.

19). Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.

20). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

21). Thoma Kacori, shkrim i cituar, f. 21.

22), Idem, ibidem, f. 26.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton CEFA-Lashtesi

Agim Ramadani, luftëtar shembull shqiptar

April 14, 2019 by dgreca

“Ditët e Shqipes 2019” – Kryeministri Haradinaj:  Sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani/

PRISHTINË, 11 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore – Dita e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”- Dita e rënies së Heroit Agim Ramadani, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2019”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se, sot është një ditë ndryshe, sepse kujtohet një luftëtar shembull shqiptar, një luftëtar që në vlerat e tij njerëzore dhe intelektuale, por veçanërisht në pastërtinë e tij përkushtimi për atdhe është i rrallë, Agim Ramadani.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj theksoi se, përshtypja e tij për Agimin, edhe në kohërat e luftës dhe bindja e tij ishte se, kanë të bëjnë me një luftëtar të rrallë, me një tipar të rrallë të luftëtarit shqiptarë.

“Në Brigadën 138 u bashkuan plot djemtë të zot të kombit, të cilët kishin bërë rrugë për liri, rrugë për të drejtën tonë. Aty janë njerëz të shquar, janë, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu, janë plot të tjerë, por janë shumë dëshmorë, nga të gjitha anët e atdheut që u flijuan në kuadër të kësaj brigade”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, ajo që është më rëndësi të përmendet, është se atë ditë e në atë orë me Agimin ishin edhe Adem Isufi i Cërnicës së Gjilanit, Jeton Veliu i Polacit, Imri Curri i Hanit të Elezit, Ramë Beka i Gushavcit të Mitrovicës, Rrahman Tafa i Caralevës, e Sylejman Shala i Vidishiqit.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishme Epopenë e UÇK-së në Koshare, përmasat dhe efektet që ka dhënë ajo, kryeministri Haradinaj tha se, gjatë gjithë zhvillimit të luftës për liri, ka pasur momente të pikëpyetjeve se si do të rrjedhë lufta. “Në kohën e fillimit të sulmit frontal, pra në çrrënjosjen e vijës ndarëse dhe në heqjen edhe formale të gurit, të kufirit, që e bëri Agim Ramadani me bashkëluftëtarët e vet në atë kohë, edhe atëherë ishte pikëpyetje se si do të vazhdojë rrjedha e luftës nëpër të gjitha zonat e luftimit”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se disa nga këto zona ishin në sfidat më të mëdha të luftës.

“Nisja e sulmit frontal, ashtu si ndodhi në Koshare, e konfirmoi se çka do të ndodhë, u bë e ditur se çka do të ndodhë. Vetëm fakti se një njësi e madhe në numër, në fuqi zjarri, në ekspertizë ushtarake e lufte, e filloi një sulm frontal mbi forcat e okupatorit, e konfirmoi, e mbylli epilogun e luftës”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, kjo epope kishte rëndësi të jashtëzakonshme, sepse i dha siguri rrjedhave brenda të luftës, duke iu dhënë frymë përpjekjeve të luftëtarëve për të mbetur brenda në vazhdimin e luftës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se sot, është e ditur, se betejat në vazhdimësi që kanë ndodhur në Koshare, janë të përmasave që do të mbesin në historinë më të re të shqiptarëve.

“Flijimi dhe rënia në altarin e lirisë, e njerëzve që kishin bërë rrugë deri në formimin e tyre, e atyre që kishin dhënë prova që janë një profil i lartë, po ashtu i jep një peshë dhe dimension të veçantë. Pra flijimi në ditën e sotme i Agim Ramadanit, po ashtu e bënë historinë ”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë Agimi, Salihu dhe dëshmorët e tjerë që i bashkojnë në çdo 9 prill, jo vetëm në Koshare, por kudo që janë në jetë, në respekt të veprës së tyre për liri dhe në respekt të obligimeve që kanë lënë.

Në mbyllje të fjalimit, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka qenë lehtë për të gjithë ata që ishin në vijat e para, në misionin e tyre për të drejtën për të qenë të lirë.

“Të gjithë ata që e kanë dashur me zemër atdheun, e kanë gjetur rrugën. Në çdo kohë shembulli i tyre mund të na ndihmojë që të gjejmë rrugën në shërbim të atdheut tonë. Edhe dita e sotme është një ditë e porosisë për të gjithë ne që të shërbehemi me shembullin e tyre. Lavdi e përjetshme heroit tonë, Heroit të Kombit, Agim Ramadani. Lavdi të gjithë dëshmorëve që kanë rënë për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Në emër “Brigadës 138”, një fjalë e mbajti bashkëluftëtari i Agim Ramadanit, deputeti Anton Çuni, ndërsa në emër të familjarëve të heronjve, foli Jeton Ramadani, i biri i Heroit Agim Ramadani./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Ramadani-Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT