• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

PROF. DR. GJON BERISHA VIZITOI VATRËN

April 29, 2019 by dgreca

Prof. Berisha i dhuroi bibliotekes se VATRES botimin librin e tij” GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU NË FONDET E ARKIVIT SHTETËROR TË DUBROVNIKUT”, botuar nga Instituti i Historisë, Prishtinë 2018 me nënshkrimin: Për Vatrën dhe Vatranët!-autori./

Të shtunën, 27 Prill 2019, Prof. Dr. Gjon Berisha, historian i njohur i periudhës së Mesjetës, sekretar i Institutit të Historisë në Republikën e Kosovës, vizitoi Vatrën. Ai u prit nga anëtari i kryesisë së Vatrës, njëkohësisht arkëtar i saj z. Marjan Cubi. Editori i Diellit e njohu me rrugëtimin historik të VATRËS dhe gazetës së saj “DIELLI”.

Mysafiri shkroi në librin e vizitorëve mbresat dhe emocionet që provoi gjatë kësaj vizite:” Një ndjenjë e vecantë provon kushdo që viziton VATRËN, këtë vatër të ngrohtë shqiptare, që ngroh zemrat dhe shpirtin e shqiptarëve.Vatra dhe vatranët janë të njohur për kontributin e tyre në fushën financiare, në kontributin kombëtar, politik dhe kulturorë, në ndërtimin dhe rritjen dhe mbrojtjen e Shqiptarisë. ..Kujtesë për të gjithë gjeneratat që kontribuan në Vatër..”.

Prof. Dr. Gjon Berisha.

Prof. Berisha i dhuroi bibliotekes se VATRES botimin librin e tij” GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU NË FONDET E ARKIVIT SHTETËROR TË DUBROVNIKUT”, botuar nga Instituti i Historisë, Prishtinë 2018 me nënshkrimin: Për Vatrën dhe Vatranët!-autori.

Prof.dr. Gjon Berisha edhe pse përfaqëson brezin e ri të studiuesëve të historisë, shquhet për kontribut cilësor në fushën e studimeve historike. Përherë kërkues ndaj vetes, nuk është ndalur për kualifikimin shkencor. Në vitet 2010-2013 ishte në Qendrën e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë në Tiranë. Më 2014, Janar, ai mbrojti doktoraturën me temën : “Arbërorët ndërmjet Kishës Perëndimore dhe asaj Lindore gjatë shekujve XI-XV”, udhëhequr nga Prof.dr.sc.Pëllumb Xhufi.
Ndërkohë që, më 2009 ishte në Universitetin e Zarës në Kroaci, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Informacionit dhe Bibliotekarisë, ku kreu studimet pasuniversitare për bibliotekari dhe informacion (Magjistraturë) dhe fitoi titullin:-Magjistër i Shkencave të Informacionit dhe Bibliotekarisë me temën :“Albanske Novine i časopisi 1848-1912”, udhëhequr nga Prof.asoc.dr.Zoran Velagić.”

Kualifikimit të tij shkencor i kanë shërbyer edhe trainimet në Ceki, Spanjë e vende të tjera.

Këto ditë që ishte në SHBA, Prof. Dr. Gjon Berisha punoi në Librarinë e Kongresit në Washington, në librarinë publike në Nju Jork etj.

Ai vizitoi edhe bibliotekën e Vatrës.
Kënaqësi që e kishim mysafir në Vatër!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Prof.Dr. Gjon Berisha-VATER

Në kujtim të dom Shtjefen Kurtit, Dëshmitar i Kishës Martire

April 29, 2019 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Eugen PEPA*/

Mirëdita të gjithëve !

I nderuari ipeshkëv, monsinjor Dom Dodë Gjergji,

I nderuari monsinjor Don Lush Gjergji,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju faleminderit që keni ardhë të merrni pjesë në promovimin e librit të të Lumit Dom Shtjefën Kurti. Ky libër prej disa ditësh ka edhe çmimin e tij të pare. Është cilesuar si “libri i vitit”, ndërmjet 57 librave të tjerë, në konkursin e shpallur në përvjetorin e 110 të Organit të Shtypit, “Dielli”, i shoqatës pan-shqiptare që kaq shumë ka bërë për tokën amë, VATRA, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kam dëshirë ta filloj këtë fjalë duke reflektuar të gjithë së bashku, ashtu siç filloj ky promovim e siç fillon ky libër me një lutje, që është edhe një poezi e znj. Valbona Jakova, një trashigimtare e dom Shtejfnit ka shkruar për të:

O I LUMNUMI DOM SHTJEFNI

O i lumnumi dom Shtjefni

ti që i lave me gjakun tënd

petkat e tua që të shkëlqejnë

në mbretërinë e Zotit plot dritë,

duke veshur petkun e bardhë të martirit!

Ty që Ati i Gjithëpushtetshëm,nëpërmjet

Shpirtit të Shenjtë që në momentin e konceptimit

Të zgjodhi për misionin fisnik të sakrifikimit,

të vetmohimit, të organizimit, të trimërisë,

të urtësisë, të dashurisë, të udhëheqjes së të

rinjve, të rejave, duke i drejtuar të gjithë me vendosmëri, brezat e ri,

në orientim drejt Dritës,

me hirin e virtyteve të Shpirtit të Shenjtë.

Ty Zoti të zgjodhi për ata e për ne.

Ty që vepra jote të madhështoi pakufi pasi

ke kryer me përpikmëri urdhërat e Zotit

pa iu dorëzuar urdhërave të djallit, të errësirës,

që ishin xhelatët që të masakruan,

pa mundur kurrë që ta kuptonin që po masakronin vetë Krishtin,

që i kundërviheshin Zotit të Gjithëpushtetshëm duke të penguar me dhunë,

ndërsa ti me vetmohim i bindeshe pushtetit të tij të dritës duke i falur,

kur ata i bindeshin egërsisht pushtetit të errësirës, duke mohuar vetë Zotin.

O i Lumnumi Dom Shtjefni,

ty që Zoti i Gjithëpushtetshëm si veten të sakrifikoi,

për t’u bërë shembull për të gjithë ne,

të lutemi të ndërhysh pranë Jezus Krishtit,

që të na japi hirin e bindjes ndaj vullnetit

të tij, ashtu si ta dha ty,

të na japi hirin e besimit të patundur

ndaj tij, të na japi hirin e dashurisë ndaj tij e ndaj

të tjerëve!

O i lumnumi Dom Shtjefëni, ti që je pranë,

Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë,

Ndërhy për ne pranë të Shenjtës Trini e

Lutu gjithmonë për ne !

Amen !

 Me një poezi sepse askush më shumë se poetet nuk mund ta permbledhin me saktë, artistikisht më bukur por edhe konceptualisht më thellë esencen e rrugëtimit njerezor e qiellor të një përsoni që projekti i Hyjit e desh që të lindte me datë 24 dhjetor 1898, të pagezohej me emrin Shtjefën (duke patur pra engjëll mbrojtës martirin e parë të kishës katolike), ti sherbente  Kishës përgjatë gjithë jetës së tij tokësore.  Dhe në konkluzion të rrugëtimit jo të zakontë, të jepte jetën në moshën 73-vjeçare, me disa akuza qesharake ndër të cilat, pagëzimin e një apo disa foshnjeve, të pranuar me krenari nga dom Shtjefni në kryerjen deri në fund të misionit të jetës së tij tokësore.

Është privilegj që mu dha mundesia të them disa fjalë për këtë libër që na jep njohuri të thelluara, dokumentuara për një ndër 40 Martirët e Kishës sonë shqiptare, tashme i lumë, që vazhdon e rrezaton dritë në komunitetin tonë, në Shqipëri e në Kosovë, në Tiranë, Gurëz, Shkodër, Prishtinë, Ferizaj, Shkup edhe sot mbas gati 60 vitesh të kalimit të tij në jetën e amshueme.

Nuk është e lehtë të flasësh për një martir, në një tokë martirësh por edhe persekutorësh, ndër shekuj e tillë, që nga shën Asti Ipeshkëv i Durresit ndër martirët e parë të Kishës, në kapercyellin ndërmjet shekullit të parë e të dytë (*a.d. 100) me Traianin e deri te Dom Shtjefën Kurti (*a.d. 1971), me Enver Hoxhën.

Duket sot e pabesueshme po t’ia tregonim të rinjve, por ja që ka ndodhur disa herë në këtë tokë në këto dy mijë vjet e po mos të kemi parasysh edhe një herë thenien Ciceroniane të 2000 viteve më parë:

“Historia në të vërtetë është dëshmitare e kohërave, dritë e së vërtetës, jetë e kujtesës, mesuese e jetes, lajmëse e lashtësisë”.

Ciceroni, De oratore, II, 9, 36

Mund të përsëritet sërisht !

E dom Shtejfni sot nëpërmjet, nipit të tij Nikolinit, mbesës Valbona Jakova dhe të gjithë pasardhesve të tij na thërret të gjithëve Ne që të jemi dëshmitarë të kohërave tona, siç Dom Shtjefni ishte dhe vazhdon të jetë dëshmitar i kohës se Tij.

E siç do të mund ta argumentoj në rreshtat e mëposhtëm toka jonë ka qenë dëshmitare i të mirës sublime por shpesh herë edhe të keqës më të egër.

Shqipëria vetëm gjysëm shekulli më parë, ishte një vend asokohe me izolimin më absurd të mundshëm, ku e keqja ishte ulur këmbëkryq, masakrat bëheshin ditën për diell, e kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, sanksiononte si askund më parë në botë, antivlerën e ligjeruar, të luftës kundër Zotit dhe ndërgjegjës, si objektiv politik parësor e themelor. Zbatimin e kësaj mizorie politike, marrezie shoqërore, blasfemie të vlerave, Partia ia kishte lënë ta realizonte RINIJA. Brezi i ri pra ose siç quhet ndryshe e ardhmja e atdheut.

Shqiptarët jetonin ne skamje. Propaganda politike tregonte që ishim fanari që shndrinte Europen.

Vendi i ngjasonte një burgu kolektiv ku askush nuk mund të dilte apo të hynte pa leje të autoriteteve shteterore. Aparati i pushtetit komunist dhe në mënyrë të veçantë ‘Sigurimi i Shtetit’ ushtronin nivele të paimgjinueshme të dhunës fizike e morale ndaj të gjitha shtresave shoqërore.

Zoti ishte perjashtuar nga çdo tryeze publike e ‘mbijetonte’ duke sakrifikuar thuajse çdo gje, vetëm në zemrat e popullit të thjeshtë. POR, pamvarësisht këtij rregjimi ideologjikisht ç’njerëzor, popullsia e Shqipërise, shenjë e drejtëpërdrejtë që i lumi Zot nuk e braktis kurr grigjen e tij, shtohej e rritej si kurr më parë në numër.

Maksimumi i kundërvenies ideologjike që arrinin qytetarët e thjeshtë kundër makinacioneve të pushtetit ishte të dëgjoje Sanremon fshehurasi, të zgjasje flokët apo të visheshe pak më ndryshe se të tjerët në një kontekst publik ku shkollën, profesionin, vendin e punës e nga një herë edhe dashurinë e jetës ta percaktonte partia apo organizatat bazë të saja.

Bota e qytetëruar thuajse na kishte harruar ose mund themi na kalonte apo kalonim nga pikëpamja e protektorateve nga një dorë në tjetrën duke ia arritur që ketu tek ne eksperimenti social i komunistizimit të shoqërise të arrinte nivele të paimagjinueshme.

Mjeti me efikas i zgjedhur ishte ushtrimi i dhunës i deklinuar në të gjitha rasat e tij. Metodologjia fatkeqe përkonte me iniektimin në shtresat e ndryshme sociale të propagandave marksiste, leniniste, staliniste, maoiste e mbi të gjitha enveriste.

Rezultati permblidhej në një thenie sa të trishte aq edhe tmerrësisht kuptimplote për situatën në të cilën jetonin shqiptaret:

Bar do hajme dhe doren s’ia shtrijmë askujt.

Ishte nje citat i Enver Hoxhës në një ndër fjalimet e tija të shpeshta drejtuar popullit.

E duhet thënë që historia nuk ishte treguar më bujare as më perpara më këtë tokë të vogël, dëshmitare  shekullore i një kombi që ‘shkelqen’ sipas mendimit tim modest në ekstremitetin e shprehive njerezore, të së mirës e të së keqes, me të njejtën amplitude, sa, nga malet e tij të thepisura, lumenjtë, bien thik në detë.

 Ky vend i vogël në një udhëkryq ndërmjet lindjes e perëndimit pas 500 shekujsh pushtimi otoman e disa tentativa të rreme të të krijuarit një shtet modern bëhet dëshmitar i një prej genocideve më të egër që ishte ushtruar kundrejt një kleri besimtarësh, duke mos kursyer në fakt edhe kleret e besimeve të tjerat për të vetmin ‘faj’:

Se këta klerike ishin shkolluar në shkollat më të mira europiane të kohës,

Ky kler ishte largpamës e shprehej haptas kunder ‘ideologjise marksiste-komuniste’,

 Se ‘drejtonte’ shoqërinë shqiptare, në edukimin e popullsisë, arsimimin e saj dhe e fundit por më e rëndësishmja, kërkonin me çdo mënyrë përhapjen Fjalës së Zotit.

Për një Shqipëri në familjen naturale europiane ishte bindja e atyre që vinin nga një plejade sakrificash njerëzore për themelimin e nje shteti modern perendimor por që morën si shperblim plumbin ballit, duke sakrifikuar edhe jeten, kryesisht, për arsyen e vetme të ushtrimit të misionit të tyre themelor që permblidhej me  sentencen për FE E ATDHE.

Nga ajo plejadë klerikësh ne kemi tashmë 38 të lumë por edhe 2 të tjerë që presin vazhdimin e procesit, e disa të tjerë presin që të gjithë Ne, të mos ti bëjmë peng i harresës por ti kujtojmë brez pas brezi.

Sot gjysëm shekulli më pas, ndaj procesit të stisur për herë të dytë nga rregjimi komunist, ndaj Dom Shtjefnit kemi ‘vetëm’ dy ndjesa publike, përkatësisht një nga prokurori i çeshtjës dhe nga një nga gjykatësit që e akuzuan.

Fundi i jetës tokësore të dom Shtejfnit është sa tragjik aq edhe domëthënës për ne e për të gjithë ata që e jetuan sadopak murtajen komuniste. Ata nuk i thanë pasardhësve as kalimin e dom Shtejfnit në jetën e amshueme. Biles nuk i dhanë atij as  një lëndinë ku të prehej i qetë e ta kujtonin me një tufë lulesh të freskëta e një rruzare, të afërmit, të njohurit, apo të rinjtë e të rejat e komuniteteve të cilëve i shërbej gjatë gjithë jetës.

Për dy vjet biles u tentua të harrohej krejtësisht sakrifica e tij tokësore duke mos i lajmëruar të afërmit as për ekzekutimin e tij por duke i thënë në një mënyrë makabre që atje ku ka shkuar nuk i duhet më ushqimi. Nuk besoj se ka menyrë më nëpërkëmbëse për të lajmëruar dikë për kalimin e një të dashuri të tij në amshim.

 Ky ishte rregjimi komunist, enverist shqiptar, dhe kjo fatkeqësisht është ‘trashigimia’ e tij shpirtërore që ne ende sot vuajme në të gjitha sferat shoqerore në Shqipëri. Tashmë mbas 30 viteve përçudnimi i shpirtit në shoqerinë tonë vazhdon e peshon më shumë se të gjitha mungesat e tjera materiale apo ekonomike.

Mjetet e Hyjit ama jane të panumërta e format e mënyrat e reagimit mahnitëse.

Jeta dhe flijimi i dom Shtejfnit përtej inatit apo poshtrimit komunist u bënë, që në 1973, një ndër ngjarjet e tmerrshme për të cilin shtypi i botës së atëhershme shkruajti më shumë.

U protestua që atëherë nga sivllezerit e tij shqiptaro-amerikan, më në krye Dom Zef Oroshin (Çoku) një tjetër prift që e kishte njohur herët flamen komuniste dhe kishte arritur të çante  rrethimin e bërë enkas për të nga Mehmet Shehu, që premtonte publikisht që do ta paguante me ar cilindo jepte të dhëna për dorëzimin e tij. Dom Zefi ishte arratisur me një peng të vetëm: që nuk kishte arritur të merrte me vete edhe veladonin me të cilin kremtoj i rrethuar nga komunistët, meshën e tij të fundit në Atdhe. Do të ishte ky prifti që ngriti dhe themeloj kishën e parë katolike shqiptare, vite më pas, në New York.

Jeta e dom Shtejfnit vazhdon e është sot frymëzim për të rinj e të reja, nëpërmjet 2 monografi, një dramë e sa e sa takimeve, çmimeve, dekoratave, të të gjitha autoritetve shtetërore ku ai ka zhvilluar aktivitetin e tij.

Duke lexuar librin, mësojmë që Dom Shtejfni rrjedh nga një humus njerëzorë që është ekstrakti më autentik i shqiptarisë. Bartës shekullorë i vlerave më sublime njerëzore e deshmitarë e përçues autentik i ketyrë vlerave brez pas brezi.  

Jeni Ju, katolikët e Dardanisë e të Shkupit nga ku rrjedh edhe shenjtja Nënë Tereza, e që dom Shtejfni i kje at shpirtëror në fëmijërinë e saj në Shkup.

Nënë Tereza, Dom Shtejfni, Dom Nikollë Kazazi, At Pjetër Bogdani, At Luigj Paliq, At Shtjefën Gjeçovi e sa e sa të tjerë katolikë në fe, janë perfaqësues të një komuniteti me një identitet të spikatur patriotik që bartin brenda vetes vlera të qënësishme të kuintesences arbnore që arriti ti mbijetojë pushtimit 500 vjeçar të perandorisë osmane, persekutimit të Kishës, si gjatë tentativës së parë të krijimit të Shtetit Shqiptar, mbas shpalljes së pavaresisë, ashtu gjatë mbretërisë zogiste, e deri te persekutimi i tmerrshem komunist që duhet thënë se nuk ishte ‘vetëm’ shqiptar por që ky i yni padyshim krijoj permasa të veçanta në kapilarizimin e eleminimit të figurave të shquara e në ushtrimin e tejskajshem të dhunës për arritjen me çdo kusht të objektivave të tyre. ASIMILIMIN TOTAL TE ELITES KATOLIKE ARBERORE, TE MBIJETUAR 500 PUSHTIM OTOMAN.

Ata klerike që përmenda por edhe dhjetra e dhjetra të tjerë që për arsye kohe nuk po i citoj, janë pra ata shqiptarë që për virtyt të parë kanë thjeshtësinë, përultësinë, vetmohimin, trimërinë e urtësine e mbi të gjitha arrijnë si pak kush të kthehen në strumente të gjallë të Hyjit e në se nevojitet bëhen edhe me gjakun e tyre MARTIR-DESHMITAR të fesë tonë në JEZU KRISHTIN.

Këta persona me naturalitetin që  karakterizon vetëm instrumentet e Zotit, ndriçojnë nëpërmjet veprës, veprojnë nëpërmjet shembullit e bartin vlera e virtyte që i qëndrojnë kohës brez pas brezi.

Ky ishte dom Shtjefni në përditshmërinë e tij e me këtë rast më lejoni që të falenderoj edhe një herë Nikolinin, mikun e vjetër të tim eti që ma dha mua privilegjin e kësaj fjale në këtë katedrale të re dëshmi që Zoti vazhdon e na don, mbron e bekon këtë tokë që perqafoj krishterimin që në vitet e para të lindjes së tij. Unë besoj se Dom Shtjefni përgjatë gjithë rrugëtimit të tij tokësor, ka qenë një martir (dëshmitar) i gjallë i një kohe të tmerrshme që sot për Shqipërinë po shkon çdo ditë e më shumë drejt normalizimit nga pikëpamja e besimit dhe e lirisë së ndërgjegjës, më të gjitha problemet që fatkeqesisht ende trashigojmë nga e kaluara. Ndej gjithashtu nëpermjet leximit të ketij libri, ketyre takimeve, në Tirane e ketu në Prishtine, që Dom Shtjefni është dhe do te jetë FARA e një epoke të re në lartësimin e Dashurisë se Hyjit në Tokën tonë Shqiptare.

Një gjë të tillë ama nuk mund ta themi në qoftë se thjeshtë ndërrojmë për pak çaste optikën nga ajo lokale në atë globale. Mjafton të citojmë organin e përmuajshëm të shtypit të metropolisë Tiranë-Durrës, të muajit janar, ‘Kisha dhe Jeta’ e do të mësojmë, se në Kishën Katolike në të gjithë botën, në 2018, janë vrarë në ‘urrejtje ndaj fese’, 40 misionare katolike. Janë gati sa dyfishi i të vrareve në vitit 2017.

Të dhëna tragjike të një bote e cila vazhdon e tentohet tmerresisht nga e keqja, POR që secili prej nesh në perditëshmërinë e tij ka për detyrë që duke u nisur nga akte të vogla të frymezohet nga jeta e martirve, këtyre dëshmitarëve të veprës së Zotit në tokë, për një bote më të mirë, më të drejtë e për një të ardhme më të ndritur.   

Ju faleminderit !

Prof. Asoc. Dr. Eugen PEPA

Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’

Durrës

Shqipëri

Mail: eugen_pepa@yahoo.it

Mobile:+355 694079370

*Kumtese e mbajtur ne promovimin e librit në qëndrën Bogdanopolis

Filed Under: Opinion Tagged With: Dom Shtjefen Kurti- Dr. Eugen Pepa

NUK KISHTE BOTA E SHEK. XX SI KLERI KATOLIK SHQIPTAR …

April 29, 2019 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

AT PJETER MESHKALLA S.J.(1901 – 1988)

●1965- E pata pyet njëherë pak mbasi doli doli prej burgut Burrelit i dënuem në 1946: “Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njohun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu mepriftin Don Ejëll Kovaçi? (Don Ejëlli dihet se asht pushkatue me akuza false e shpifje në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga Qeveria Komuniste në 1951).

●At Mëshkalla më dha këte përgjegje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilsue Historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë Kler në Botë. Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Ejllin e ndonjë tjetër, nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po.”

●1967 Mbas një mbledhjes në Kom. Ekz., të Shkodres, me 3 Prill 1967, At Mëshkalla i ka shkrue një leter terroristit Mehmet Shehu, dhe per këte arsye Ai u thirr në Institutin Pedagogjik të Shkodres, ku Ai u “demaskue” dhe u arrestue nga Xheudet Miloti…

●Letër e At Pjetër Meshkallës S.J.

                          Kryetarit të Këshillit të Ministrave

                                       Mehmet Shehu

                                                                                            Tiranë

                        Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.

Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Meshkalla

   në Kryeministri – Tiranë                                   meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

             5 Prillë 1967.

●Shenim nga F.Radovani: Nuk dij se dikush tjeter i ka shkrue një leter si kjo kriminelëve komunist në pushtet! Sot, a e pyet kush veten: “A studjohet prej kujt kjo leter dhe, a ka se shka mësohet nga qendresa e Klerit Katolik Shqiptar perballë Gjenocidit Shek.XX. !?”

            Melbourne 28 Prill 2019.    

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz Radovani-Pjeter Meshkalla

Historia për shqiptarët që shpëtuan hebrenj ndriçohet në New York

April 29, 2019 by dgreca

Prishtinë, 29 prill – Një grua e re hebraike nis udhëtimin drejt një fshati të largët shqiptar, ku zbulon të vërtetën për shpëtimin e familjes së saj nga ata njerëz që rrezikojnë gjithçka për t’ua siguruar strehimin. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u pushtua nga regjimi shtypës komunist. Krejt lidhjet me botën e jashtme u ndërprenë dhe ata shqiptarë e hebrenj që për vite me radhë kishin jetuar si familje, humbën krejtësisht kontaktin. Pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1990, familjarët e dikurshëm filluan përsëri të rivinin kontaktet dhe mes vete shkëmbyen tregime të çmuara, pothuajse të harruara.

Ky është njëri prej rrëfimeve në të cilin bazohet shfaqja kosovaro-amerikane, “Strehim” e dhënë premierë të shtunën mbrëma në New York. Produksioni i përbashkët teatror midis teatrit “Oda” të Prishtinës dhe “Blessed Unrest” të New Yorkut nëpërmjet këtij tregimi, zbërthen historinë jo të njohur nga të gjithë për atë se si Shqipëria dhe shqiptarët jashtë kufijve të saj u shndërruan në shpëtimtarë të hebrenjve. Shteti shqiptar kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe kjo nuk është veç e dhënë statistikore.

Shfaqja nën regji të përbashkët të Florent Mehmetit dhe regjisores Jessica Burr, që zbërthen njerëzoren e kodin e besës që lidh mikpritjen shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve në mesin e tyre, është dhënë në ”Baruch Performing Arts Center” në sallën e mbushur plot. Sipas pjesëtarëve të ekipit, është mirëpritur nga publiku.

Kastën e aktorëve kosovarë të “Strehimit” (Refuge) e përbëjnë aktorët Ilire Vinca, Daniela Markaj dhe Eshref Durmishi, ndërsa ajo amerikane përbëhet nga Nancy McArthur, Becca Shneider dhe Perri Yaniv.

Aktorja Daniela Markaj, që në shfaqje në rolin bazë portretizon Tanën, një vajzë shqiptare, ka thënë se shfaqja është pritur shumë mirë duke u bazuar në duartrokitjet dhe komentet e njerëzve pas shfaqjes.

Sipas saj, për tri net rresht, edhe në parapremierë, edhe në premierë, salla që ka kapacitet prej 200 ulësesh, ka qenë e mbushur plot.(Kortezi:Koha Ditore)

Filed Under: Kulture Tagged With: Histria e Hebrejeve-Shpetimi shqiptar

PREZANTIMI I PARE NE NJU JORK PER PANAIRIN E GASTRONOMISE SHQIPTARE

April 28, 2019 by dgreca



NGA Rafaela Prifti/
Me ftesë të Klubit të Prodhimtarëve të Kosovës dhe Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork në studion e fotografit Fadil Berisha u dha prezantimi i parë i një nisme mbarëkombëtare me temë gastronomike. Përpara hapjes zyrtare të mbrëmjes, mysafirët bisedonin e përshëndeteshin me përfaqësues të shoqatave, funksionarë civil, anëtarë të trupit diplomatik shqiptar dhe biznesmen. Midis të pranishmëve të shumtë ishin nën-Kryetari i Federatës Vatra, Agim Rexhaj dhe bashkëshortja Laura, ish-ambasadori Mal Berisha, restorantori Rifat Kukaj etj. Kryediplomatja e Kosovës në Nju Jork, Ambasadorja Teuta Sahatqija falenderoi pjesëmarrësit e mbledhur për prezantimin e projektit tëmbështetur nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës nëNju Jork. Promovimi i artit e kulturës si produkte vendore hyn nëdetyrat e misionit diplomatik të një vendi, por prezantimi i këtij aktiviteti është i vecantë sepse lidhet me atëpjesëtëtraditës sonëtëcilën e pranojmësi tëmirëqenë, tha ajo. Duke e vlerësuar sofrën e bukës si pjesëtëpandarëtëmikpritjes shqiptare, Ambasadorja Teuta Sahatqija vërejti se “sot ështëme rëndësi tëjemi krenar për traditën tonëtëpasur në gastronomi.” Për restorantorin Rifat Kukaj i cili ka ridimensionuar industrinë e shërbimeve ushqimore nëNju Jork, me hapjen e kuzhinësshqiptare nëpeizazhin kulinar amerikan, ajo tha se krahas me hapjen e restoranteve shqiptare shkojnëedhe produktet e tjera vendore si verat, buka, ëmbëlsiratetj. Ambasadorja Sahatqija prezantoi folësin kryesor dhenismëtarin e projetit, Astrit Panxha, Drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës. “Ideja për tëpromovuar gastronominëshqiptare lindi nga njëgrup profesionistëme gastronomë, ekonomistë, arkeologë, antropologë, tëgatshëm të mobilizojnë energjitëe tyre krijuese për ta vlerësuarkulturën shqiptare të gatimit si dhe për tëkorrigjuar perceptimin e gabuar për shqiptarët,” theksoi ideatori i fushatës. Aty përfshihen studime historike të kronikave të lashta, mbledhje e recetave të gjellëve para ndikimeve otomane, statistika të numrit të pronarëve shqiptarë të restoranteve në Evropë e kontinente të tjera. Për vjeljen e informacionit prej cdo vendi janë ngarkuar koordinator nëvende evropiane si Turqi, Zvicer etj. 
 
Si shembull, ai tha se nga koordinatori në Zvicërkanë mësuar se restoranti mëi mirëme kuzhinëargjentinase nëZyrih është injë pronari shqiptar, e njëjta është e vërtetë për restorantet japoneze nëSuedietj. Nisma synon të ndërroj modelin e praktikuar deritani ku shqiptarët kanëhyrënë gastronomi nëpërmjet gatimeve tipike dhe karakteristike tëkuzhinave tëtjera. Drejtuesi i grupit tëpunës dhe zëdhenësi i fushatës Astrit Panxha shfaqi bindjen se ka ardhur koha qëshqiptarët nëAmerikëdhe nëbotëtëhapin restorante shqiptare dhe tëkrenohen me kulturën e tyre gastronomike. “Si brenda ashtu edhe jashtëvendit, kontakti i parëme njëkulturëkrijohet nga produktet ushqimore, prej aty mund tëlind dëshira tëmësosh dhe njohësh mëshumëdhe nga afër njëkulturëdhe vend tjetër,” u shpreh prezantuesi, i cili i shoqëronte komentet mediapozitiva dhe filmime. Për pjesën “Shqiptarët nëGastronomi” u paraqitën statistika me interes për prezencën e shqiptarëve nëgastronomi kryesisht nëvendet evropiane, ndërkohë që po mblidhen tëdhënat për Itali dhe Greqi ku banojnëshumëshqiptarë. U përmendën disa pronarë si Vëllezërit Seferi me shtatërestorante, birrari, dhe hotel nëGjermani, Pleurat Shabani, fitues i cmimit ndërkombëtar të akorduar nga industria e pijeve për njënga vodkat mëtëmira nëMbretërinëe Bashkuar, por e kërkuar nga Nju Jorku deri ne Moskë; emra të tjerë siBledar Kola, i praktikuar nërestorantet mëtënjohura  si Pied a Terre dhe Le Gavroche nëLondër, dheprofesionistëtë industrisë ushqimore me përvojëtëfituar nëBelgjikëe Itali dhe shumëpronarësi bukëpjekës shqiptarënëtëgjithëish-Jugosllavinë, prodhues tëbirrave etj. Për pjesën “Gastronomia Shqiptare”, u dhanjë vështrim i zgjeruar e temës ku përfshiheshin arti i gatimit, specifikat krahinore të ushqimeve, gastronomia molekulare, antropologjia e gatimeve etj. Sipas zëdhënësit të projektit, Astrit Panxha, synimi është identifikimi ynë kulturor, njësoj sic njihen hebrenjtë për bizhuteritë, turqit për tekstilin, indianët për mëlmesat, ashtu edhe shqiptarët duhet të njihen për gastronominë, pavarësisht vecorive rajonale tëushqimeve. Studiuesit e angazhuar në projetk janë duke gjurmuar menytë dhe recetat familiare të disa specialiteve tradicionale më të hershme se byreku, pitet, flija etj. “Si vend blegtoral, trojet shqiptare kanëtraditëtëpasur të ushqimeve me bazëmishi dele dhe dhie si edhe bulmete tëcilësisësë lartë,” tha prezantuesi. Në mbrëmje u tha se gastronomia shqiptare gjen forma të rejatë shprehjes nërestorante anembanëShqipërisësi tek Mrizi i Zanave dhe Rapsodia, apo nëushqimin e përgatitur nështëpi si rasti i nënësLule nëTheth qënuk pranonte pagesënga turistët, dhe deri tespecialitetet e servirura nga katër motrat gjirokastrite qëgatuajnënësheshin e qytetit.
Folësi u ndal tek një vecori e diasporës shqiptare e cila pranohet si e mirëqenë. Mungesa e qendrave kulturore nëdisa vende si Gjermani apo Nju Jork ka pasur si rrjedhojëfunksionimin e restoranteve shqiptare si institucione tëkomunitetit ku janë kryer veprimtaritë më të rëndësishme si mbledhja e fondeve për luftën nëKosovë, takime me përfaqësues tëdelegacioneve si edhe bisedime me të dërguarit qeveritarë. Prezantuesi theksoi edhe rolin ‘multidimensional’ tëpronarëve tërestoranteve. Ata kanë dhënëkontribut financiar tek vendet nga kanëardhur si Shqipëri, Kosovë. Maqedoni por edhe kanëqenë punëdhënësit mëtëmëdhenj nëvendet ku janëriatdhesuar. Në sferën e restoranteve shqiptare amerikane, Pier 4 iAnthony Athanas është vizituar nga personalitete të politikës, artit dhe kulturës. Për kontributin e tij nëgastronomi dhe ndaj kauzës shqiptare u paraqitnjë video e përgatitur nga ekipi i projektit. Në një bisedë të shkurtër me z. Astrit Panxha pas prezantimit, ipërmendanjë shkrim tëish-editorit tëDiellit, Anton Cefa, ku shkruhej se në restorantin ku i priste dhe i përcillte të gjithë pa dallim, pronari iu paraqitej personaliteteve amerikane me fjalët “Unë jam Antoni Athanas – shqiptar nga Shqipëria.” Bashkëveprimtar i Nolit dhe Konicës, kjo figurë e Vatrës e dinte se identiteti i tij kombëtar dhe profesional ishin të pandara. 
Grupi i punës ka vendosur të jap cmimin me emrin Antoni Athanas në Festivalin e Gastronomisë shqiptare në Berlin.   
Pas prezantimit të zgjeruar të Astrit Panxhës, foli Përparim Rama, arkiteti londinez i projektit Hamam Jazz Bar nëKosovëqënëvitin 2010fitoi vendin e parëpër dizajnin mëtëmirënëbotë. “Ka ardhur koha të jetojmë si shqiptarëpasi kemi jetuar nën influencën otomane, pasi kemi përjetuar ndikimet e kulturave fqinje dhe kemi përftuar përvojat e kuzhinave italiane, franceze, gjermane etj”, tha bashkëthemeluesi i firmës 4M. Projekti i madh gastronomik do të jetëmanifestim ikrenarisë sonë kombëtare në stilin kuptimplotë“Bukë, Kripëe Zemër”, shtoi ai. Sipas tij, thelbi qëndron tek ecja nështeg tëpashkelur jo tek imitimi dhe ndjekja e modeleve ekzistuese.  
Gastronomia shqiptare nuk njeh kufi pavarësisht karakteristikave krahinore. Në këtë vështrim prezantimi i saj në platformë mbarëshqiptare është qasje progresive e mbështetur në taban kombëtar. 
Projekti i paraqitur në Nju Jork në mbrëmjen e dates 26 prill në studion e fotografit profesionist Fadil Berisha do të kurorëzohet me Panairin e Gastronomisë shqiptare në muajin nëntor në Berlin. Prezantuesit dëshirojnë të kenë pjesëmarrje mbarëshqiptare dhe mirëpresin bashkëpunimin me të gjithë.     





Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafaela Prifti-Gastronomia ne NY

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT