• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në kujtim të dom Shtjefen Kurtit, Dëshmitar i Kishës Martire

April 29, 2019 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Eugen PEPA*/

Mirëdita të gjithëve !

I nderuari ipeshkëv, monsinjor Dom Dodë Gjergji,

I nderuari monsinjor Don Lush Gjergji,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju faleminderit që keni ardhë të merrni pjesë në promovimin e librit të të Lumit Dom Shtjefën Kurti. Ky libër prej disa ditësh ka edhe çmimin e tij të pare. Është cilesuar si “libri i vitit”, ndërmjet 57 librave të tjerë, në konkursin e shpallur në përvjetorin e 110 të Organit të Shtypit, “Dielli”, i shoqatës pan-shqiptare që kaq shumë ka bërë për tokën amë, VATRA, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kam dëshirë ta filloj këtë fjalë duke reflektuar të gjithë së bashku, ashtu siç filloj ky promovim e siç fillon ky libër me një lutje, që është edhe një poezi e znj. Valbona Jakova, një trashigimtare e dom Shtejfnit ka shkruar për të:

O I LUMNUMI DOM SHTJEFNI

O i lumnumi dom Shtjefni

ti që i lave me gjakun tënd

petkat e tua që të shkëlqejnë

në mbretërinë e Zotit plot dritë,

duke veshur petkun e bardhë të martirit!

Ty që Ati i Gjithëpushtetshëm,nëpërmjet

Shpirtit të Shenjtë që në momentin e konceptimit

Të zgjodhi për misionin fisnik të sakrifikimit,

të vetmohimit, të organizimit, të trimërisë,

të urtësisë, të dashurisë, të udhëheqjes së të

rinjve, të rejave, duke i drejtuar të gjithë me vendosmëri, brezat e ri,

në orientim drejt Dritës,

me hirin e virtyteve të Shpirtit të Shenjtë.

Ty Zoti të zgjodhi për ata e për ne.

Ty që vepra jote të madhështoi pakufi pasi

ke kryer me përpikmëri urdhërat e Zotit

pa iu dorëzuar urdhërave të djallit, të errësirës,

që ishin xhelatët që të masakruan,

pa mundur kurrë që ta kuptonin që po masakronin vetë Krishtin,

që i kundërviheshin Zotit të Gjithëpushtetshëm duke të penguar me dhunë,

ndërsa ti me vetmohim i bindeshe pushtetit të tij të dritës duke i falur,

kur ata i bindeshin egërsisht pushtetit të errësirës, duke mohuar vetë Zotin.

O i Lumnumi Dom Shtjefni,

ty që Zoti i Gjithëpushtetshëm si veten të sakrifikoi,

për t’u bërë shembull për të gjithë ne,

të lutemi të ndërhysh pranë Jezus Krishtit,

që të na japi hirin e bindjes ndaj vullnetit

të tij, ashtu si ta dha ty,

të na japi hirin e besimit të patundur

ndaj tij, të na japi hirin e dashurisë ndaj tij e ndaj

të tjerëve!

O i lumnumi Dom Shtjefëni, ti që je pranë,

Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë,

Ndërhy për ne pranë të Shenjtës Trini e

Lutu gjithmonë për ne !

Amen !

 Me një poezi sepse askush më shumë se poetet nuk mund ta permbledhin me saktë, artistikisht më bukur por edhe konceptualisht më thellë esencen e rrugëtimit njerezor e qiellor të një përsoni që projekti i Hyjit e desh që të lindte me datë 24 dhjetor 1898, të pagezohej me emrin Shtjefën (duke patur pra engjëll mbrojtës martirin e parë të kishës katolike), ti sherbente  Kishës përgjatë gjithë jetës së tij tokësore.  Dhe në konkluzion të rrugëtimit jo të zakontë, të jepte jetën në moshën 73-vjeçare, me disa akuza qesharake ndër të cilat, pagëzimin e një apo disa foshnjeve, të pranuar me krenari nga dom Shtjefni në kryerjen deri në fund të misionit të jetës së tij tokësore.

Është privilegj që mu dha mundesia të them disa fjalë për këtë libër që na jep njohuri të thelluara, dokumentuara për një ndër 40 Martirët e Kishës sonë shqiptare, tashme i lumë, që vazhdon e rrezaton dritë në komunitetin tonë, në Shqipëri e në Kosovë, në Tiranë, Gurëz, Shkodër, Prishtinë, Ferizaj, Shkup edhe sot mbas gati 60 vitesh të kalimit të tij në jetën e amshueme.

Nuk është e lehtë të flasësh për një martir, në një tokë martirësh por edhe persekutorësh, ndër shekuj e tillë, që nga shën Asti Ipeshkëv i Durresit ndër martirët e parë të Kishës, në kapercyellin ndërmjet shekullit të parë e të dytë (*a.d. 100) me Traianin e deri te Dom Shtjefën Kurti (*a.d. 1971), me Enver Hoxhën.

Duket sot e pabesueshme po t’ia tregonim të rinjve, por ja që ka ndodhur disa herë në këtë tokë në këto dy mijë vjet e po mos të kemi parasysh edhe një herë thenien Ciceroniane të 2000 viteve më parë:

“Historia në të vërtetë është dëshmitare e kohërave, dritë e së vërtetës, jetë e kujtesës, mesuese e jetes, lajmëse e lashtësisë”.

Ciceroni, De oratore, II, 9, 36

Mund të përsëritet sërisht !

E dom Shtejfni sot nëpërmjet, nipit të tij Nikolinit, mbesës Valbona Jakova dhe të gjithë pasardhesve të tij na thërret të gjithëve Ne që të jemi dëshmitarë të kohërave tona, siç Dom Shtjefni ishte dhe vazhdon të jetë dëshmitar i kohës se Tij.

E siç do të mund ta argumentoj në rreshtat e mëposhtëm toka jonë ka qenë dëshmitare i të mirës sublime por shpesh herë edhe të keqës më të egër.

Shqipëria vetëm gjysëm shekulli më parë, ishte një vend asokohe me izolimin më absurd të mundshëm, ku e keqja ishte ulur këmbëkryq, masakrat bëheshin ditën për diell, e kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, sanksiononte si askund më parë në botë, antivlerën e ligjeruar, të luftës kundër Zotit dhe ndërgjegjës, si objektiv politik parësor e themelor. Zbatimin e kësaj mizorie politike, marrezie shoqërore, blasfemie të vlerave, Partia ia kishte lënë ta realizonte RINIJA. Brezi i ri pra ose siç quhet ndryshe e ardhmja e atdheut.

Shqiptarët jetonin ne skamje. Propaganda politike tregonte që ishim fanari që shndrinte Europen.

Vendi i ngjasonte një burgu kolektiv ku askush nuk mund të dilte apo të hynte pa leje të autoriteteve shteterore. Aparati i pushtetit komunist dhe në mënyrë të veçantë ‘Sigurimi i Shtetit’ ushtronin nivele të paimgjinueshme të dhunës fizike e morale ndaj të gjitha shtresave shoqërore.

Zoti ishte perjashtuar nga çdo tryeze publike e ‘mbijetonte’ duke sakrifikuar thuajse çdo gje, vetëm në zemrat e popullit të thjeshtë. POR, pamvarësisht këtij rregjimi ideologjikisht ç’njerëzor, popullsia e Shqipërise, shenjë e drejtëpërdrejtë që i lumi Zot nuk e braktis kurr grigjen e tij, shtohej e rritej si kurr më parë në numër.

Maksimumi i kundërvenies ideologjike që arrinin qytetarët e thjeshtë kundër makinacioneve të pushtetit ishte të dëgjoje Sanremon fshehurasi, të zgjasje flokët apo të visheshe pak më ndryshe se të tjerët në një kontekst publik ku shkollën, profesionin, vendin e punës e nga një herë edhe dashurinë e jetës ta percaktonte partia apo organizatat bazë të saja.

Bota e qytetëruar thuajse na kishte harruar ose mund themi na kalonte apo kalonim nga pikëpamja e protektorateve nga një dorë në tjetrën duke ia arritur që ketu tek ne eksperimenti social i komunistizimit të shoqërise të arrinte nivele të paimagjinueshme.

Mjeti me efikas i zgjedhur ishte ushtrimi i dhunës i deklinuar në të gjitha rasat e tij. Metodologjia fatkeqe përkonte me iniektimin në shtresat e ndryshme sociale të propagandave marksiste, leniniste, staliniste, maoiste e mbi të gjitha enveriste.

Rezultati permblidhej në një thenie sa të trishte aq edhe tmerrësisht kuptimplote për situatën në të cilën jetonin shqiptaret:

Bar do hajme dhe doren s’ia shtrijmë askujt.

Ishte nje citat i Enver Hoxhës në një ndër fjalimet e tija të shpeshta drejtuar popullit.

E duhet thënë që historia nuk ishte treguar më bujare as më perpara më këtë tokë të vogël, dëshmitare  shekullore i një kombi që ‘shkelqen’ sipas mendimit tim modest në ekstremitetin e shprehive njerezore, të së mirës e të së keqes, me të njejtën amplitude, sa, nga malet e tij të thepisura, lumenjtë, bien thik në detë.

 Ky vend i vogël në një udhëkryq ndërmjet lindjes e perëndimit pas 500 shekujsh pushtimi otoman e disa tentativa të rreme të të krijuarit një shtet modern bëhet dëshmitar i një prej genocideve më të egër që ishte ushtruar kundrejt një kleri besimtarësh, duke mos kursyer në fakt edhe kleret e besimeve të tjerat për të vetmin ‘faj’:

Se këta klerike ishin shkolluar në shkollat më të mira europiane të kohës,

Ky kler ishte largpamës e shprehej haptas kunder ‘ideologjise marksiste-komuniste’,

 Se ‘drejtonte’ shoqërinë shqiptare, në edukimin e popullsisë, arsimimin e saj dhe e fundit por më e rëndësishmja, kërkonin me çdo mënyrë përhapjen Fjalës së Zotit.

Për një Shqipëri në familjen naturale europiane ishte bindja e atyre që vinin nga një plejade sakrificash njerëzore për themelimin e nje shteti modern perendimor por që morën si shperblim plumbin ballit, duke sakrifikuar edhe jeten, kryesisht, për arsyen e vetme të ushtrimit të misionit të tyre themelor që permblidhej me  sentencen për FE E ATDHE.

Nga ajo plejadë klerikësh ne kemi tashmë 38 të lumë por edhe 2 të tjerë që presin vazhdimin e procesit, e disa të tjerë presin që të gjithë Ne, të mos ti bëjmë peng i harresës por ti kujtojmë brez pas brezi.

Sot gjysëm shekulli më pas, ndaj procesit të stisur për herë të dytë nga rregjimi komunist, ndaj Dom Shtjefnit kemi ‘vetëm’ dy ndjesa publike, përkatësisht një nga prokurori i çeshtjës dhe nga një nga gjykatësit që e akuzuan.

Fundi i jetës tokësore të dom Shtejfnit është sa tragjik aq edhe domëthënës për ne e për të gjithë ata që e jetuan sadopak murtajen komuniste. Ata nuk i thanë pasardhësve as kalimin e dom Shtejfnit në jetën e amshueme. Biles nuk i dhanë atij as  një lëndinë ku të prehej i qetë e ta kujtonin me një tufë lulesh të freskëta e një rruzare, të afërmit, të njohurit, apo të rinjtë e të rejat e komuniteteve të cilëve i shërbej gjatë gjithë jetës.

Për dy vjet biles u tentua të harrohej krejtësisht sakrifica e tij tokësore duke mos i lajmëruar të afërmit as për ekzekutimin e tij por duke i thënë në një mënyrë makabre që atje ku ka shkuar nuk i duhet më ushqimi. Nuk besoj se ka menyrë më nëpërkëmbëse për të lajmëruar dikë për kalimin e një të dashuri të tij në amshim.

 Ky ishte rregjimi komunist, enverist shqiptar, dhe kjo fatkeqësisht është ‘trashigimia’ e tij shpirtërore që ne ende sot vuajme në të gjitha sferat shoqerore në Shqipëri. Tashmë mbas 30 viteve përçudnimi i shpirtit në shoqerinë tonë vazhdon e peshon më shumë se të gjitha mungesat e tjera materiale apo ekonomike.

Mjetet e Hyjit ama jane të panumërta e format e mënyrat e reagimit mahnitëse.

Jeta dhe flijimi i dom Shtejfnit përtej inatit apo poshtrimit komunist u bënë, që në 1973, një ndër ngjarjet e tmerrshme për të cilin shtypi i botës së atëhershme shkruajti më shumë.

U protestua që atëherë nga sivllezerit e tij shqiptaro-amerikan, më në krye Dom Zef Oroshin (Çoku) një tjetër prift që e kishte njohur herët flamen komuniste dhe kishte arritur të çante  rrethimin e bërë enkas për të nga Mehmet Shehu, që premtonte publikisht që do ta paguante me ar cilindo jepte të dhëna për dorëzimin e tij. Dom Zefi ishte arratisur me një peng të vetëm: që nuk kishte arritur të merrte me vete edhe veladonin me të cilin kremtoj i rrethuar nga komunistët, meshën e tij të fundit në Atdhe. Do të ishte ky prifti që ngriti dhe themeloj kishën e parë katolike shqiptare, vite më pas, në New York.

Jeta e dom Shtejfnit vazhdon e është sot frymëzim për të rinj e të reja, nëpërmjet 2 monografi, një dramë e sa e sa takimeve, çmimeve, dekoratave, të të gjitha autoritetve shtetërore ku ai ka zhvilluar aktivitetin e tij.

Duke lexuar librin, mësojmë që Dom Shtejfni rrjedh nga një humus njerëzorë që është ekstrakti më autentik i shqiptarisë. Bartës shekullorë i vlerave më sublime njerëzore e deshmitarë e përçues autentik i ketyrë vlerave brez pas brezi.  

Jeni Ju, katolikët e Dardanisë e të Shkupit nga ku rrjedh edhe shenjtja Nënë Tereza, e që dom Shtejfni i kje at shpirtëror në fëmijërinë e saj në Shkup.

Nënë Tereza, Dom Shtejfni, Dom Nikollë Kazazi, At Pjetër Bogdani, At Luigj Paliq, At Shtjefën Gjeçovi e sa e sa të tjerë katolikë në fe, janë perfaqësues të një komuniteti me një identitet të spikatur patriotik që bartin brenda vetes vlera të qënësishme të kuintesences arbnore që arriti ti mbijetojë pushtimit 500 vjeçar të perandorisë osmane, persekutimit të Kishës, si gjatë tentativës së parë të krijimit të Shtetit Shqiptar, mbas shpalljes së pavaresisë, ashtu gjatë mbretërisë zogiste, e deri te persekutimi i tmerrshem komunist që duhet thënë se nuk ishte ‘vetëm’ shqiptar por që ky i yni padyshim krijoj permasa të veçanta në kapilarizimin e eleminimit të figurave të shquara e në ushtrimin e tejskajshem të dhunës për arritjen me çdo kusht të objektivave të tyre. ASIMILIMIN TOTAL TE ELITES KATOLIKE ARBERORE, TE MBIJETUAR 500 PUSHTIM OTOMAN.

Ata klerike që përmenda por edhe dhjetra e dhjetra të tjerë që për arsye kohe nuk po i citoj, janë pra ata shqiptarë që për virtyt të parë kanë thjeshtësinë, përultësinë, vetmohimin, trimërinë e urtësine e mbi të gjitha arrijnë si pak kush të kthehen në strumente të gjallë të Hyjit e në se nevojitet bëhen edhe me gjakun e tyre MARTIR-DESHMITAR të fesë tonë në JEZU KRISHTIN.

Këta persona me naturalitetin që  karakterizon vetëm instrumentet e Zotit, ndriçojnë nëpërmjet veprës, veprojnë nëpërmjet shembullit e bartin vlera e virtyte që i qëndrojnë kohës brez pas brezi.

Ky ishte dom Shtjefni në përditshmërinë e tij e me këtë rast më lejoni që të falenderoj edhe një herë Nikolinin, mikun e vjetër të tim eti që ma dha mua privilegjin e kësaj fjale në këtë katedrale të re dëshmi që Zoti vazhdon e na don, mbron e bekon këtë tokë që perqafoj krishterimin që në vitet e para të lindjes së tij. Unë besoj se Dom Shtjefni përgjatë gjithë rrugëtimit të tij tokësor, ka qenë një martir (dëshmitar) i gjallë i një kohe të tmerrshme që sot për Shqipërinë po shkon çdo ditë e më shumë drejt normalizimit nga pikëpamja e besimit dhe e lirisë së ndërgjegjës, më të gjitha problemet që fatkeqesisht ende trashigojmë nga e kaluara. Ndej gjithashtu nëpermjet leximit të ketij libri, ketyre takimeve, në Tirane e ketu në Prishtine, që Dom Shtjefni është dhe do te jetë FARA e një epoke të re në lartësimin e Dashurisë se Hyjit në Tokën tonë Shqiptare.

Një gjë të tillë ama nuk mund ta themi në qoftë se thjeshtë ndërrojmë për pak çaste optikën nga ajo lokale në atë globale. Mjafton të citojmë organin e përmuajshëm të shtypit të metropolisë Tiranë-Durrës, të muajit janar, ‘Kisha dhe Jeta’ e do të mësojmë, se në Kishën Katolike në të gjithë botën, në 2018, janë vrarë në ‘urrejtje ndaj fese’, 40 misionare katolike. Janë gati sa dyfishi i të vrareve në vitit 2017.

Të dhëna tragjike të një bote e cila vazhdon e tentohet tmerresisht nga e keqja, POR që secili prej nesh në perditëshmërinë e tij ka për detyrë që duke u nisur nga akte të vogla të frymezohet nga jeta e martirve, këtyre dëshmitarëve të veprës së Zotit në tokë, për një bote më të mirë, më të drejtë e për një të ardhme më të ndritur.   

Ju faleminderit !

Prof. Asoc. Dr. Eugen PEPA

Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’

Durrës

Shqipëri

Mail: eugen_pepa@yahoo.it

Mobile:+355 694079370

*Kumtese e mbajtur ne promovimin e librit në qëndrën Bogdanopolis

Filed Under: Opinion Tagged With: Dom Shtjefen Kurti- Dr. Eugen Pepa

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT