• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

KOMUNITETI SHQIPTAR, HOMAZHE NË NDERIM TË LIRIJE GOLEMIT

May 16, 2019 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTAR, HOMAZHE NË NDERIM TË LIRIJE GOLEMIT/

Në pasditen e së Enjtes, 16 Maj 2019, komuniteti shqiptar në mënyrë masive, me një pjesmarrje të shumtë, për më tepër se 3 orë, nderoi me homazhe Lirije Golemi(Zajmi), duke i shprehur ngushëllime bashkëshortit Bujar Golemi, vajzës Ingrid dhe djalit Artan Golemi.

Homazhet u organizuan ne Shtepine Mortore-Roslyn Heights Funeral Home ne Long Island, NY.

Për vec vatranëve të degës së Queensit, për të shprehur ngushëllimet shkuan edhe një grup nga qendra e Vatrës I përbërë nga nënkryetari Agim Rexhaj, sekretarja Nazo Veliu, anëtari I Kryesisë Marjan Cubi, anëtarët e Këshillit të Vatrës Lek Mirakaj dhe Mark Mrnacaj, Veiz Belliu, si dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Në emër të Kryetarit Dritan Mishto, të Kryesisë së Vatrës dhe të gjithë vatranëve, nënkryetari I vatrës z. Agim Rexhaj, I shprehu ngushëllimet vatranit Bujar Golemi dhe fëmijëve.

Ceremonia e varrimit kryhet diten e Premte, 17 Maj 2019 10-11.00 .A.M.( 11 A.M. nisja per ne varreza)

Filed Under: Opinion Tagged With: Lirije Golemi-Komuniteti- Bujar Golemi

TIRANIA E SHUMICËS –MENDIME TË HEDHURA

May 16, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Akumulimi i të gjitha pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, në të njëjtat duar, qoftë nga një individ, nga disa ose nga shumë persona — qofshin ato pushtete të trashëguara, të marra vet përsipër pa miratim nga të tjerët, ose të siguruara me votë — me të drejtë mund të thuhet se, në vetëvete, përbëjnë një akt tiranie”. (Xhejms Madison).

“Tirania e Shumicës”, si frazë, është përdorur fillimisht nga Xhejms Madisoni, njëri prej baballarëve të Kombit Amerikan dhe autori kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.  Është një frazë që ka hyrë tanimë në fjalorin politik, kurdoherë që diskutohet për demokracinë, si sistem qeverisës dhe për qeverisjen e shumicës në një sistem demokratik.  Ka të bëjë pra, me një skenar politik ku vendimet e marra në emër të shumicës, preferojnë interesat e kësaj shumice, ose të një grupi oligarkësh të lidhur me këtë shumicë, në kurriz të të drejtave dhe të interesave të individëve ose grupeve të pakicave, që nuk konsideroehn të jenë pjesë e shumicës.  Një skenar të tillë, Xhejms Madisoni do e cilësonte si shtypje aktive dhe të vazhdueshme e të drejtave të pakicës – të krahasueshme, sipas tij, me shtypjet prej një tirani ose despoti.   

Duke ndjekur nga larg krizën aktuale politike të krijuar në Shqipëri dhe debatet rreth saj, sidomos deklaratat e zëdhënësve të qeverisë, të partisë në pushtet dhe të mbështetësve të sajë në media, gjithmonë flitet në emër të shumicës së votave, në emër të popullit, si dikur nën regjimin komunist. Në emër të popullit edhe vritesh kundërshtari.  Kemi shumicën në Kuvend, kemi mandatin nga shumica e shqiptarëve, thonë! Qeverisim vetëm! S’kemi nevojë as për opozitën, as për organizatat jo-qeveritare as për median – ndonëse pozita i ka bërë pothuaj të gjitha këto për veten.  Vetë Ali vetë Kadi!  Në emër të shumicës dhe të demokracisë, mposhtin gjithçka dhe gjithkënd që u bën hije dhe që u del përpara.  Sipas Biblës, edhe Jezu-Krishti është kryqëzuar në emër të shumicës, një turme e cila kërkonte lirimin e dy kriminelëve, në vend të Jezusit.  

Nga autoritetet qeveritare, çdo gjë justifikohet duke thenë se çdo masë dhe vendim i qeverisë merret i bazuar në vullnetin e shumicës – në emër të demokracisë — pasi është kjo shumicë e popullit e cila e ka votuar duke i dhënë besimin për të udhëhequr vendin.  Manipulues dhe abuzues të votës së lirë dhe të demokracisë, i quajnë të tjerët!  Shqipëria është e ndarë në gjysëm.  

Sipas juve – “përfaqsues të shumicës” — kush flet dhe kush duhet të kujdeset për interesat e 50% tjetër?  A janë shqiptarë këta? A nuk meritojnë këta respektin si qytetarë, me të drejta të barabarta?  A nuk meritojnë të gjithë shqiptarët – mbështetës të opozitës dhe të pozitës – të kenë një sistem qeverisës që u garanton të gjithëve të drejtën e lirë të votës dhe kushtet bazë të jetesës, në paqë dhe siguri, sipas modelit tuaj të “demokracisë së shumicës”, në bazë të cilës justifikoni qeverisjen? 

I atribohet Benjamin Franklinit të ketë thënë se, Demokracia është si dy ujqë dhe një qëngj të cilët bisedojnë për të vendosur se çfarë do të kenë për drekë.  Liria, sipas Franklinit, është si një qëngj i armatosur mirë për të kundërshtuar votën e shumicës, ashtu që askush të mos përfundojë në pjatën e darkës, përfshirë qëngjin.  Si demokratë që e konsideroni veten, bazuar në votën e shumicës, ju duhet të bëni ç’mos që të evitohet përforcimi i tiranisë së shumicës mbi pakicën, ashtuqë që ju si uqjër të mos votoni me shumicë që hani për drekë qëngjin. 

Kam dëgjuar nga të moçmit e anëve tona se na paska qenë njëherë një rrugaç e matrapaz i fshatit i cili për pak kohë ishte pasuruar, natyrisht me mjete të paligjshme korruptive – dhe sillej në fshat me mendje të madhe duke u treguar i mençur e i ditur para të tjerëve, deri në një ditë prej ditësh, një plak i urtë i katundit, I lodhur me sjelljet e tija arrogante i thotë atij: mjaft, se ti zëngjin mund të jesh bërë, por zotëni nuk do të bëhesh kurrë.  Tashti edhe ju, mund ta quani vetën demokratë, por demokratë nuk jeni, madje edhe nëqoftse të tillë mund t’u konsiderojnë edhe diplomatët ndërkombëtarë të vendosur në Tiranë – për arsye që është vështirë të merren me mend. 

Oh, për sa u përket ndërkombëtarëve! Unë nuk jam në dijeni ku diplomatët e huaj luajnë një rol aq të rëndësishëm në një vend, siç ndodhë me ndërkombëtarët në Tiranë.  Për këtë gjëndje, natyrisht, se fajin e kanë politikanët shqiptarë, të cilët gjatë viteve i kanë përdorur të huajt duke u ankuar kundër njëri tjerit. Por edhe ndërkombëtarët duhet të ballafaqohen me rolin e tyre të tepruar.  Sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së murit të Berlinit, si në asnjë vend ish-komunist të Evropës lindore e qendrore — shqiptarët ende thërrasin nepër rrugët e Tiranës – ashtu si në vitin 1990-91, “Liri, Demokraci” dhe e “Duam Shqipërinë si e gjithë Europa”.  Kjo ëndërrë është këthyer një një zhgënjim absolut për shqiptarët dhe për kombin në përgjithësi, falë kësaj klase politike që ka sunduar dhe që sundon vendin, gjithmonë në emër të shumicës e të demokracisë së pjesëshme shqiptare.  Për këtë gjëndje fatale me të cilën përballet sot Shqipëria, përgjegjësinë kryesore natyrisht e ka klasa politike shqiptare e këtyre 30-viteve, por edhe diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë, duhet të marrin përsipër përgjëgjësitë e tyre për rolin që kanë luajtur gjatë këtyre viteve — disa më mirë e disa më keq.  Por, të gjithë duhet të reflektojnë dhe të pyesin veten se çfarë mund të ishte bërë ndryshe dhe për më mirë.  Kurrë nuk është vonë të ndryshohet drejtimi. 

Veni re, të nderuar diplomatë, se me çdo rast dhe takim që zyrtarët shqiptarë kanë me ju dhe me udhëheqsit tuaj në kryeqytetet e vendeve që ju përfaqësoni – përfshirë edhe takimet më të fundit siç ishte ai i Berlinit – ata deklarojnë se për të gjitha veprimet e tyre kanë mbështetjen e zyrtarëve më të lartë të Washingtonit, të Parisit, të Berlinit, e kështu me rradhë.  Për çfarë mbështetje bëhet fjalë, nuk e di. Për cilat arritje?  Shikoni se në çfarë niveli ka arritur mosfunksionimi i shtetit dhe qeverisjes.  Është kjo një tragji-komedi që po luhet nga politikanët shqiptarë — para syve të ndërkombëtarëve — që ndoshta mund të argëtoj ata vetë, por të pakën ju mos u bëni pjesë e kësaj loje, duke mbyllur sytë përpara atyre që po ndodhin në vend, ndërkohë që bëni premtime jo reale për përparimet e shënuar në vend dhe për hapjen e shpejtë të negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian. 

Mirë e ka thënë kohët e fundit ish-Ndihmës Sekretari Shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Hojt Ji, se një gjë e tillë, “Jo vetëm që nuk i ndihmon vende që duhet të zbatojnë reformat e nevojshme për antarësim, por njëkohsisht, inkurajon kleptokratët dhe funksionarët e korruptuar që t’u thonë njerëzve se anëtarësimi do të ndodh për dy, tre, pesë vite dhe u jep atyre më shumë oksigjen se sa meritojnë” për të vazhduar në rrugën e gabuar, është shprehur ai gjatë seminarit mbi “Zgjidhjet e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”,  mbajtur në Uashington fund muajin që kaloi.  Fatkeqsisht,  në qarqe zyrtare dhe jo zyrtare, mbredna dhe jashtë Shqipërisë — ekziston perceptimi se ndërkombëtarët në Tiranë, më shumë për rehatllëk të vet e ndoshta ndonjë edhe për interesa të veta personale mbyllin sytë ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri — ndonëse disa thonë se mbi të gjitha, ndërkombtarët duan të ruajnë stabilitetin në vend dhe në rajon, në kurriz të proceseve të integrimit, të zhvillimeve demokratike dhe të të drejtave bazë të shqiptarëve, në përgjithësi.  

Populli shqiptar dhe kombi gjëndet para një këthese me rëndësi historike për të ardhmen e vet.  Sot për sot, në të gjitha trojet shqiptare vihet re një zhgënjim përmasash historike me klasën aktuale politike që sundon gjithandej, kur të merret parasyshë se ç’mund të ishte bërë më mirë në këtë periudhë post-komuniste, po të veprohej ndryshe. Si rrjedhim, e vërteta është se shqiptarëve anë e mbanë toprjeve të veta po u soset durimi me këtë klasë politike.  Nevojitet një fillim i ri! Gjithkund ndëgjohet britma e shqiptarëve drejtuar politikanëve: mjaftë më se na lodhët, ndërkohë që vihet re dëshira e madhe e shqiptarëve kudo, për një ndryshim historik nga kjo rrugë e gabuar e ndjekur tash pothuaj 30-vjetë, e që po mbyt shpresat dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet autoktone të veta.  Është një dëshirë që pret një angazhim dhe përkushtim krejt të ri ndaj vlerave etike dhe shpirtërore të kombit shqiptar.  Është një dëshirë e flaktë për një rrugë të re që të çon drejtë një jete të re, më të drejtë dhe më demokratike, në drejtësi dhe barazi për të gjithë pa dallim dhe jo në tirani prej despoti të një shumice të përceptuar mbi pakicën. Nevojitet një rrugë e re në përputhje me vlerat dhe vetitë e vjetra kombëtare, në interes të të gjithë shqiptarëve pa dallim por edhe në përputhje me vlerat e botës së përparuar në të cilën jetojmë, e pjesës e së cilës pretendojmë se duam të bëhemi.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Tirania e Shumices

Provokimi i fundit i kishës ortodokse Serbe në Fshatin Martinaj të Gucisë

May 16, 2019 by dgreca

Nga Uka GJONBALAJ/

Në Mal të Zi egzistojnë dy kisha-Ortodokse:Ajo autoqefale -Malaziase, që u krijua më 1993, para shkëputjes, edhe me pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia më 2006 e udhëhequr nga Metropoliti Mihajlo i paraquajturi ;”Mirash Dediq” dhe u njoh si bashkësi fetare nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 1999 , por mbetet e panjohur kanonikisht nga kishat e tjera ortodokse.

Është dhe kisha ortodokse Serbe e udhëhequr nga Metropoliti Antillofije,që  mbanë kishat ortodokse në Mal të Zi nën patronatin e saj dhe janë të pakta ato që administrohen nga kisha autoqefale Malaziase.

Sic shihet, ka një farë ngjashmerie me kishën ortodokse Shqiptare në krye të së cilës gjendet Anastas Janullatosi, i sjellur nga Greqia nën pretekstin se nuk kishte pas të 90-tave priftërinj shqiptarë me gradë që ta udhëhiqte kishën ortodokse Shqiptare.

Sic e dimë, në Elbasan ndodhet edhe kisha autoqefale Shqiptare e udhëhequr nga At Nikollë Marku, e përkrahur kryesisht nga diaspora shqiptare.Pra kisha ortodokse Shqiptare lufton që të shkëputet nga ajo Greke dhe ajo Malaziase lufton që të shkëputet nga kisha Serbe.

           Derisa kisha ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk gëzon asnjë përkrahje nga Qeveria dhe shteti Shqiptar unë mendoj se qarqet greke presin që Janullatollasi të vdesë në krye të saj dhe pastaj varri i tij të martirizohet si i shenjtë, të kthehet në vend pelegrinazhi fetar, duke i dhënë shkak kishës Ortodokse Greke për pretendime të mëtutjeshme.

Përkundër kësaj, kisha ortodokse Malaziase përkrahet nga qeveria dhe shteti Malazias, i cili dëboi në dhjetor të 2018, jo pak por 30 murgjë dhe priftërinj të kishës ortodokse Serbe së bashku me familjet e tyre, duke arsyetuar që sipas ligjeve të Ministrisë së Brendshme nuk i plotësojnë kushtet për t’i ktyer shërbimet fetare në Mal të Zi.

E  tëra kjo  shkoi edhe në gjykatën Administrative të Malit të zi e cila shumicën e rasteve i refuzoi dhe ca të tjera janë ende nën procedurë.

Historianët shqiptarë e spjegojnë dukurinë e konvertimit të kishave Katolike Shqiptare në ato Ortodokse gjatë shekujve me ardhjen e Osmanllinjëve dhe kalimin e popullatës nga besimi kristian në islam.

Kjo dukuri pretendohet edhe në shumë kisha Shqiptare në Kosovë duke u nisur nga Manastiri i Decanit, kisha e Pejës, e shumë kisha të tjera ortodokse Serbe, që u ngritën në themelet e kishave katolike Shqiptare.

Rasti më i freskët është ai me kishat e Shasit, ku në një nga shumë kisha që thuhet se ishin në Shas, kisha e Shën Gjonit ndërpreu meshën në kohën e mbretërisë Jugosllave më 1927.Kjo ndërprerje zgjati gjer në 2013 kur dy meshtarët: Don G Grabanica dhe  Don S Filipaj mbajtën meshën në kishën e Shasit dhe në vazhdimësi bëhet  ky rit.

Rasti tjetër ishte në Rumi, në Malësinë Shqiptare,ku kisha ortodokse Serbe me ndihmën e ushtrisë Serbe në fund të viteve 80′ vendosi një kryq që shihej me kilometra të tëra larg dhe në fund të 2018 betonizoi kishën ortodokse serbe, edhe përkundër reagimit të faktorit shqiptar , organet e Ministrisë së Brendshme e arsyetuan kinse me lejet e pronës, kinse të lëshuara që në kohën e princit Nikolla.Në fakt thuhet se shqiptarët janë duke ndërtuar xhami në Malin e Rumisë!

Dhe së fundi të kthehemi te kisha Ortodokse Serbe në fshatin Martinaj.

Plava dhe Gucia  me dekada të tëra ishin nën protektoratin e Vezirit të Shkodrës, natyrisht që aty ka xhami që nga kohërat e vjetra, popullata ishte shumicë e besimit islam ashtu që kisha ortokse serbe thuajse s’kishte fare.

Pas shkëputjes me dhunë të Plavë -Gucisë, që fillojë më 1879, luftën legjendare të Nokshiqit ë gjer me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe vazhdoi me masakrat e 1913-1914-ës gjer te ajo e fundit 1917/18 me krijimin e mbretërisë Serbo Kroato Slovene,

Gjersa gjatë Luftës parë Botrorë, mbrëtëria e  Mali i Zi ishte e preokupuar në konvertimin me dhunë të Shqipatarëve të trevës së Plavë- Gucisë , Pejës me rrethinë në besimin ortodoks, qe në shumicën e rasteve u bën edhe masakra sic qe ajo e Previsë (më18 tetor 1912- 9 mars 1913) që në të dy rastet u masakruan mbi 1300 shqiptarë dhe të ashtuquajtur boshnjakë , menjëherë pas largimit të ushtrisë Turke nga Gucia në Tetor të 1912.

Natyrisht se me krijimin e mbretërisë Jugosllave gjërat ndryshojnë dhe shumica e emigrantëve nga Plavë-Gucia u kthyen në trojet e tyre të djegura dhe të uzurpuara nga kolonistë serb e malzaias, shumica e të cilëve u tërhoqën vetë duke e ditur se ishin në toka të uzurpuara.

Në këtë kohë Kisha Ortodokse Serbe filloi që kishat e braktisura katolike shqiptare t’i uzurpojë dhe t’i konvertojë në kisha ortodokse.

Në Vuthaj asnjëherë nuk u ndërtua kishë edhe pse në këtë kohë i raportohej princ Nikollës( Dr Isa Bica-Masakra e Previsë, gusht 2013; Plavë) se në Vuthaj po ndërtoheshin dy kisha .Vuthajt ishin ne kufirin shqiptar dhe ishte vështirë të ndërtohej kishë.

Dhe qëllimet e tyre vazhduan gjer më 1933 , kur filluan ndërtimin e kishës në pronën e një Martinasit të ikur në Shqipëria;-Omer Cuka Prelvukaj, që ishte vendosur në kohën e mbretit Zog i Parë, si shumë emigrantë të tjerë nga kjo krahinë në Gurëz për t’mos tu kthyer më në vendlindjen e vet.

Ndërtimi i Kishës zgjati për 3 vite dhe shumë shqiptarë u detyruan të ndihmonin në ndërtim dhe pas hapjes më 1936, në mungesë të besimtarve sllavë, i detyronin edhe fëmijët shqiptarë të merrin pjesë gjatë liturgjive të tyre.

Kishës i erdhi fundi kur ushtria e Mbrëtërisë Jugosllave ishte në ikje nga Gjermanët dhe Plavë Gucia si gjithë tokat e tjera Shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë së 1912(Përjashtim bën vetëm krahina e Chamërisë) bashkohen  me shtetin amë shqiptar nën okupimin Italian.

Thuhet se me gurët e kishës u ndërtue shkolla Fillore e Martinajve, dhe kisha nuk është ndërtuar më prej asaj kohe.

Gjatë kohës së Komunizmit religjionet ishin të pa dëshiruara nga ideoligja Socialiste e vendeve të Lindjes, edhe pse ish Jugosllavia ishte më tolerante nga te tjerat, objektet e kultit egzistonin  por ata që ishin anëtarë të PK nuk lejoheshin të ushtronin religjionin.Pas viteve të 90-ta ,përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe nga Veriu i Malit të Zi , vijnë cdo vit për të mbajtur liturgji në themelet e kishës duke i provokuar banorët shqiptarë dhe ca duke përfunduar edhe në gjyqe për kinse pengimit të kryerjes së ceremonive fetare apo pengimin në tentativë për rindërtimin e kishës ortodokse.

Këtë vit ata sërish tentuan më 30 Prill që të fillonin me ndërtimin e kishës,por hasën në kundërshtim me organet komunale që ua refuzuan kërkesën.

Toka ku pretendojnë të ndërtojnë kishën është e regjistruar si pronë e kishës qysh nga viti 1999, gjoja si ” trashegimi ”, cka e nënkupton se  gjithcka është jashtëligjore.

Një logjikë e thjeshtë kundërshton se si ka mundësi kisha Serbe të jetë ”trashëgimtare” e pronës së vllazërisë Prelvukaj?

Duke bërë këtë analizë lindin shumë  pyetje:

E para- Për cfarë i duhet kishës serbe një kishë në fshat ku  nuk jeton asnjë kolonist nga shekulli i kaluar? Natyrisht pas kësaj këmbëngulje qëndrojnë planet gllabruese të kishës dhe shtetit serb, që në shekuj kanë pushtuar dhe synojnë të pushtojnë tokat fqinjve.

E dyta -a munden Martinajt, që po zbehen cdo ditë nga ikja e rinisë dhe vdekjet e të moshuarve, ti përballojnë këto provokime të pandalura të kishës ortodokse serbe?

Dhe së treti- qeveritë tona shqiptare, a mund të bëjnë më tepër në nivele të qeverive që ti parandalojnë këto synime shoveniste të kishës ortodokse Serbe?

Unë besoj se organet komunale të Gucisë nuk do t’i përballojnë ankesat dhe sulmet e kishës Serbe në gjyqet malaziase që me siguri do të jenë në favor të kishës Serbe.

Shfaq opinionin tim se Martinajt duhet të fillojnë që të ndërtojnë një objekt të tyre, në vend të kishës, pasi që janë trashëgimtarë të pronës dhe sic ndodhi në Shas në korrik të 2018 të gjithë Shqiptarët e krahinës së Plavë Gucisë , të dy besimeve dhe tu bëhet thirrje edhe qytetarëve të ashtuquajtur “‘boshnjakë”, që të gjithë së bashku ti kundërvihen të bashkuar kishës Serbe.

Po ashtu do t’i kërkoja mërgatës në SHBA dhe Europë të cilët kanë emigruar nga kjo krahinë, ta ndihmojnë komunën e Gucisë financiarisht, në mënyrë që të dalin fitues në përballjen me legjislacionin dhe institucionet malaziase. 

Uke Gjonbalaj

Staten Island, Ny

Maj 2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Uka Gjonbalaj-Kisha Serbe-Martinaj

LAMTUMIRË DËSHMORI I ATDHEUT, KLODIAN TANUSHI!

May 16, 2019 by dgreca

Tiranë, 16 Maj 2019- Shqipëria ishte sot në zi kombëtare në nderim të majorit Klodian Tanushi, i cili ka rënë në krye të detyrës gjatë një misioni në Letoni. Mbyllja e homazheve i la vend më pas ceremonisë shtetërore. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, teksa shprehu vlerësimin për punën e komandantit të ndjerë, shprehu mbështetjen për familjen, gruas dhe tre fëmijëve. Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, major Tanushit iu dha lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Homazhe u organizuan në Muzeun Historik Kombëtar. Në një ceremoni të veçantë, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe krerët më të lartë të shtetit nderuan kujtimin e tij duke shprehur edhe mbështetje ndaj familjes së Dëshmorit të Atdheut.

“Për herë të dytë në një hark shumë të shkurtër kohe, flamuri ynë kombëtar mbështjell trupin e një tjetër Dëshmori të Atdheut, majorit Klodian Tanushi”, – theksoi Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në nderim të majorit Klodian Tanushi, “Dëshmor i Ardheut”, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit në Letoni.

“Rikthehemi sot në një ceremoni funebre si kjo, për t’i dhënë lamtumirën një ushtaraku, prind i tre fëmijëve, djalë i prindërve dhe një babai prej të cilit trashëgoi sensin e misionit në FA të Republikës, dhe një bashkëshorti që ndahet krejt para kohe nga gruaja dhe familja e tij”, – tha Kryeministri.

Është përsëri shumë e vështirë, vijoi ai, “për të gjetur fjalë që të mbushin zbrazëtinë e këtij momenti për të gjithë ne, por dhe zbrazëtinë që do të mbetet aty, në zemrën e fëmijëve, të gruas, prindërve, të afërmve dhe gjithë shokëve”.

“Klodiani ishte me mision paqeruajtës dhe jetëshpëtues dhe dha jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera të humbisnin. Në një libër të shenjtë, një vetëflijim i tillë për të shpëtuar jetët që do të vijnë quhet vetëflijim për miqtë e panjohur. Ky është edhe thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe jetëshpëtuese të Forcave tona të Armatosura, si pjesë e aleancës së madhe të popujve dhe vendeve të NATO-s”, – tha Rama.

Sipas tij, “është më e lehtë të japësh jetën për njerëzit e dashur në çaste ekstreme, është më e lehtë të merresh nga vdekja kur mësyn armikun sy më sy dhe është më e lehtë të këmbesh gëzimin e jetës së tashme me ikjen në jetën e amshuar, për të lënë të jetojë një njeri i mirë”.

Por është tejet e vështirë dhe besoj edhe sublime, tha Kryeministri, të pranosh që jeta jote mund të ndalojë në çdo çast për të shpëtuar jetë të panjohurish, të pranosh të korresh nga vdekja në një vend që nuk është atdheu yt.

“Duke sheshuar plagën e hapur të minave antinjeri, ti ke pranuar dhe ke dashur të mbjellësh farën e mirë që ushqen jetën. Ky është rasti dhe ky është momenti për t’u përpjekur ta themi atë që për shumëkënd sot mund të duket si e pakuptueshme. Pse një djalë, një prind, një burrë shqiptar duhet të kthehej pa jetë nga një tokë e panjohur? Pikërisht për këtë, sepse sot Shqipëria e shqiptarët dhe FA përmes tyre, janë pjesë e këtij misioni që ka si një vlerë të pakrahasueshme dhe të patjetërsueshme Aleanca Euroatlantike”, – tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “Klodiani i ngjiti shkallët e karrierës një nga një, si një anëtar i denjë i FA-së, njeri i përkushtuar, fisnik dhe tejet i respektuar, gjë që shpjegon përtej dhimbjes njerëzore edhe lotët e panatyrshme në fytyrën e Shefit të Shtabit ndërsa foli për të, apo zërin e mezi përmbajtur të Ministres së Mbrojtjes, e cila e ka njohur dhe personalisht”.

 “Jeta e Klodianit dhe Zarifes dhe qindra të tjerëve që shërbejnë në misione paqeruajtëse flet pikërisht për dinijitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar ditë pas dite, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të FA-së, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi”, – tha Rama.

Sipas tij, “ata na tregojnë se në fakt paqja gjithmonë ka një çmim, na tregojnë se bashkimi ka një vlerë dhe se në një kohë vendimtare për të ardhmen tonë dielli i shqiptarëve lind si gjithmonë nga perëndimi”.

Të dyja palët, tha ai, “i bashkon ana e duhur e historisë”. “Dëshmorët e luftës janë dëshmorët e një përpjekje kombëtare në anën e duhur të historisë. Të ishe dje përballë nazizmin apo fashizmit ishte të ishe i gatshëm të jepje jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë. Të jesh sot në krah të SHBA-së, të të gjitha vendeve të tjera që janë pjesë e NATO-s do të thotë të jesh i gatshëm të japësh jetën duke qëndruar në anën e duhur të historisë”, – tha Rama.

“Ky është një vend shumë i vogël, por përtej shifrave, kontributeve financiare apo njerëzore, të gjitha hapat e përbashkëta kanë një kontribut që nuk mund të matet në mënyrë sasiore dhe na bën të gjithëve tërësisht të barabartë, kontributi i gjakut. Çdo jetë e dhuruar në emër të vlerave dhe parimeve që e mbajnë lidhur si një forcë të pakonkurrueshme NATO-n, është një shëmbëlltyrë e barazisë së kontributeve dhe mundësi për të qenë të gjithë të barabartë në atë pikë ku çdo jetë vlen sa të gjitha jetët e marra së bashku”, – shtoi ai.

Ministrja Olta Xhaçka: Major Tanushi ushtarak model

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e lamtumirës theksoi se “pak ditë më parë i dhamë lamtumirën e fundit nëntetares Zarife Hasanaj, për t’u prehur në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Fatkeqësisht, pak ditë më pas, dhimbja u shtua edhe më shumë. Ndarja nga jeta e kolegut tonë, major Klodian Tanushit, komandantit të kontingjentit shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni, bashkëshortit dhe prindit shembullor të tre fëmijëve është aq e rëndë dhe aq e trishtueshme, sa vështirë të gjesh fjalët e duhura për të qetësuar sadopak dhimbjen në zemrat e të gjithëve”.

“Edhe pse sot, nderimi ynë për Klodin është pa kufi, e dimë që nuk mund t’ia kthejmë atij të ardhmen, që u vra bashkë me të. Edhe pse sot, mirënjohja dhe krenaria për të është pa kufi, përsëri nuk mund të zbusin zemrën e bërë gur të familjarëve dhe sidomos të tre fëmijëve të tij”, – nënvizoi Xhaçka.

Ministrja u shpreh se në këtë dhimbje të përbashkët, jemi pranë familjes së major Tanushit, pranë babait, Basriut, nënës, Lumturijes, vëllait, Ergysit, bashkëshortes, Semihasë dhe pranë Serxhos, Klesios dhe Darlës, që humbën babain e tyre të dhimbsur e të përkushtuar, me premtimin se ata do të kenë të gjithë përkujdesjen tonë, sot e përherë që të rriten me ndjenjën e krenarisë për veprën e babait të tyre”.

“Është shumë e dhimbshme dhe e vështirë edhe për mua, që e kam njohur nga afër këtë ushtarak model dhe që shpresoja se do t’ia dilte mbanë në betejën e fortë që nisi me jetën; për veten e tij, për familjarët e të afërmit e tij, për të gjithë ju që po e nderoni sot këtu. Por ai nuk ia doli, duke na lënë një boshllëk të madh bashkë me dhimbjen për humbjen e pakthyeshme”, – theksoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka tha se “është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin, forcën, seriozitetin, profesionalizmin, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës së ushtarakut model, major Klodian Tanushit, pasi jeta dhe vepra e tij flasin vetë”.

Klodiani, vijoi ajo, zgjodhi t’i shërbente Forcave të Armatosura dhe vendit në një nga sektorët më të vështirë të saj, në strukturën e grupit special të asgjësimit të municioneve, aty ku rreziku për jetën përgjon në çdo hap e në çdo sekondë.

“Zgjodhi të shërbente në këtë repart të vështirë, por me një mision shumë fisnik e human, për të shpëtuar jetë të tjera që rrezikohen nga mjetet shpërthyese. Major Tanushi e përmbushi me nder këtë mision duke sakrifikuar edhe jetën e tij”, – u shpreh Xhaçka.

“Sot, ju prindër, vëllezër e motra, bashkëshorte e fëmijë të Klodit, jeni një familje dëshmori, që në breza do të krenohet me gjakun që dha për popullin e Shqipërisë nga gjaku juaj”, përfudnoi ajo.

Shefi i Shtabit te Pergjithshem, Kollçaku: Tanushi, komandanti dhe ushtari që gjendej gjithmonë në krye

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku gjatë ceremonisë shtetërore në nderim të majorit Klodian Tanushi, theksoi se “për ditë të të tëra ju dhe ne u lutëm dhe mbajtëm frymën dhe me dridhje në zemër shpresuam për Klodianin shprësuam për mrekullinë. Kurrë nuk donim ta shqiptonim, por na ndodhi, trishtimi dhe hidhërimi na zuri përsipër”.

“Tani na duhet të përcjellim Klodianin, tronditja është e pamatë, por jeta na do të mbahemi e të qëndrojmë të fortë. Komandant sot një Forcë e Armatosur dhe çdo shqiptar për ty do të mbajë heshtje, do të qajë e mbajë zi, siç e kanë thënë dhe kolegët e tu të NATO-s, ne kemi humbur një nga tanët, një vëlla nën armë”, – theksoi Kollçaku.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, u shpreh se “nuk i gjejmë dot fjalët për të shprehur dhimbjen, por gjejmë dhe kemi aq shumë për të thënë për punën, shërbimin, përkushtimin dhe angazhimin e major Tanushit”.

“I kudo ndodhur dhe i palodhur në situata nga më të rrezikshmet dhe të nxehta në vend dhe jashtë tij, kudo që e thirri detyra, kudo që e kërkonte nevoja. Kanë aq shumë për të thënë kolegët e tij shqiptarë dhe të aleancës të Klodit njeri, për profesionistin për komandantin. Ai ishte komandanti dhe ushtari që gjendej gjithmonë në krye, sic u gjend me kolegen e tij, ashtu i heshtur i bindur, pa zë pa fjalë e ankesa ai kreu çdo ditë detyrat e tj, shërbimin e tij për dinjitetin e vendit per ti dhënë zë dhe nder Shqipërisë”-, nënvizoi Kollçaku.

Kollçaku tha se “Ti Klodian i paharruar do të mbetesh frymëzimi dhe krenaria dhe nderi i FA, nderi i këtij vendi. Shqipëria dëgjon, shënon dhe nuk harron, vepra e dëshmorëve është amaneti jonë”.

“Ne të rriturit duhet të bëhemi të fortë dhe t’i gjendemi pranë bashkëshortes së Klodianit dhe tri fëmijëve, gjithçka e bëjmë për fëmijët. Klodiani sakrifikoi për ta, për të ardhmen e tyre, ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka për ta, ne nuk do t’ju lemë vetëm”, – tha ai.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, u shpreh “komandant Klodi do të na marrë malli për ty, zërin tënd, për ngrohtësisë tënde fjalën tënd urdhrin tënd, komandën tënde, shërbimi yt do të mbetet i shenjtë, prandaj po të përcjellim në vendin e shenjtë pranë martirëve tek të pavdekshmit e kësaj toke”.(Kortezi -Sipas, Ora News TV, News 24 TV dhe ATSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire- Major Klodian Tanushi

Fotografi të dhunës serbe në Kuvendin e Kosovës

May 16, 2019 by dgreca

20 Vjet me pas shfaqen fotot e tmerrshme;Perdhunimet e tmerrshme te serbeve ndaj femrave shqiptare/


Në axhendëne e seancës plenare të Kuvendit sot janë: Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë; Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë; Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave (Prishtinë) Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës; Caktimi i Ditës së Gjenocidit/

-Prokuroria Speciale do të hapë rast në bazë të fotos së publikuar sot nga deputetja Brovina/

PRISHTINË, 16 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës sot në seancë plenare po shqyrton iniciativën e kryeparlamentarit Kadri Veseli për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.

Në axhendë janë: Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë; Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë; Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave (Prishtinë) Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës; Caktimi i Ditës së Gjenocidit.

 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera.

Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër.

Prokuroria Speciale, fton të gjithë ata që kanë dëshmi të ndryshme, si video, fotografi apo edhe dëshmi tjera të cilat mund të jenë të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të mundshëm të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, ti sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që në një shtet ligjorë provat dhe dëshmitë për krimet të pretenduara dorëzohen së pari në prokurori apo polici e jo përmes mediave apo gjatë debateve parlamentare, përfundon njoftimi i dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Deputetja Brovina paraqiti edhe në seancë një fotografi të një 7 vjeçareje që ka vdekur gjatë dhunimit.

“Kjo 7 vjeçare ka vdekur gjatë dhunimit. E vërteta të mbërrijë aty ku duhet. Ky është gjenocid”, u shpreh ajo dhe shtoi se për këtë foto ka leje nga familja.

Deputetja Brovina, tha edhe se fotografia e publikuar sot ku shihen disa ushtarë serbë duke dhunuar një grua kosovare, është fshehur qe shumë kohë, prandaj ka vendosur ta publikojë sot. Në po këtë foto, prapa gruas ku po përdhunohet ajo janë familjarët e saj.

“Kemi shumë dëshmi që ka pasur gjenocid. Gratë e dhunuara kanë dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës”, tha Brovina.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se është ndjerë i trishtuar me atë çfarë ka parë në fotografi.

 “Zonja Brovina është vetë një e përndjekur dhe viktimë e krejt veprimeve kundër qytetarëve të vendit pra ajo edhe i simbolizon është edhe simbol i këtyre vuajtjeve. E pash atë fotografi ishte shumë…Ne kemi largu ata qe kanë mohu krimet ata që kanë bërë këto krime e kanë vendin në burg. Është me rëndësi që parlamenti sot ka marr vendime të rëndësishme duke vendos bazë ligjorë për gjenocidin e kryer në Kosovë”, tha Haradinaj për median./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Fotografi-Perdhunimet Serbe-Flora Brovina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT