

Në axhendëne e seancës plenare të Kuvendit sot janë: Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë; Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë; Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave (Prishtinë) Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës; Caktimi i Ditës së Gjenocidit/
-Prokuroria Speciale do të hapë rast në bazë të fotos së publikuar sot nga deputetja Brovina/
PRISHTINË, 16 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës sot në seancë plenare po shqyrton iniciativën e kryeparlamentarit Kadri Veseli për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.
Në axhendë janë: Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë; Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë; Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave (Prishtinë) Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës; Caktimi i Ditës së Gjenocidit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera.
Prokuroria Speciale, njofton që vetëm pas publikimit të fotos nga deputetja Brovina e ka kuptuar për ekzistencën e kësaj dëshmie, pasi që deri me tani për një fotografi të tillë nuk kemi pasur informata, as nga deputetja Brovina e as nga dikush tjetër.
Prokuroria Speciale, fton të gjithë ata që kanë dëshmi të ndryshme, si video, fotografi apo edhe dëshmi tjera të cilat mund të jenë të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të mundshëm të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, ti sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që në një shtet ligjorë provat dhe dëshmitë për krimet të pretenduara dorëzohen së pari në prokurori apo polici e jo përmes mediave apo gjatë debateve parlamentare, përfundon njoftimi i dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Deputetja Brovina paraqiti edhe në seancë një fotografi të një 7 vjeçareje që ka vdekur gjatë dhunimit.
“Kjo 7 vjeçare ka vdekur gjatë dhunimit. E vërteta të mbërrijë aty ku duhet. Ky është gjenocid”, u shpreh ajo dhe shtoi se për këtë foto ka leje nga familja.
Deputetja Brovina, tha edhe se fotografia e publikuar sot ku shihen disa ushtarë serbë duke dhunuar një grua kosovare, është fshehur qe shumë kohë, prandaj ka vendosur ta publikojë sot. Në po këtë foto, prapa gruas ku po përdhunohet ajo janë familjarët e saj.
“Kemi shumë dëshmi që ka pasur gjenocid. Gratë e dhunuara kanë dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës”, tha Brovina.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se është ndjerë i trishtuar me atë çfarë ka parë në fotografi.
“Zonja Brovina është vetë një e përndjekur dhe viktimë e krejt veprimeve kundër qytetarëve të vendit pra ajo edhe i simbolizon është edhe simbol i këtyre vuajtjeve. E pash atë fotografi ishte shumë…Ne kemi largu ata qe kanë mohu krimet ata që kanë bërë këto krime e kanë vendin në burg. Është me rëndësi që parlamenti sot ka marr vendime të rëndësishme duke vendos bazë ligjorë për gjenocidin e kryer në Kosovë”, tha Haradinaj për median./b.j/