• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

“Gjyqi Special” kundër Agron Tufës…

May 7, 2019 by dgreca

… Si rraqet e vjetra e akuzuan në grup si ballist, fashist e fshatar…./

Nga Ergys MERTIRI*/

Agron Tufa dhe Instituti që ai drejton u bënë objekte të një sulmi të organizuar në shtyp nga një armatë njerëzish, kryesisht ish-persekutorë e shërbëtorë të regjimit komunist, të rreshtuar sot në mbrojtje të trashëgimisë së tyre politike.

Siç ndodh gjithmonë në këto raste, Tufa u bë shënjestër e një goditjeje në turmë, dhe për këtë u thirrën nën armë një mori rraqesh të vjetra dhe të reja, mbeturina të një sistemi qesharak të dështuar, për të hedhur secili gurin e tij kundër atij që guxon të zbardhë krimet e së kaluarës. Hijenat sulmojnë gjithmonë në grup dhe, të strehuar në turmë, kafshojnë më fort, me të gjithë mllefin e poshtërsisë së tyre të ndezur nga hija e fajit që i shoqëron ngado.

Sulmi u nis fillimisht nga Spartak Braho, një rrangallë e vjetër e aparatit kriminal të regjimit, ende në detyrë, që vazhdon të jetë, nuk dihet për ç’merita, përfaqësues i popullit në parlament. Ironikisht, ai kërkoi shkarkimin e z. Tufa, pasi paskësh botuar një listë ku paraqiten një sërë drejtuesish të çetave partizane, të cilët kanë kryer krime gjatë luftës. Kjo u pasua nga një breshëri shkrimesh, akuzash mbi dhe nën brez, e deri te bejte bajate shkrimtarësh soc-realistë me një këmbë në varr, përfshi këtu edhe profesorë universitetesh, ish-deputetë, e madje edhe të rinj neokomunistë me aksione politike në Shqipërinë e rilindur – të gjithë me të njëjtën ironi e cinizëm linçues, pa asnjë argument, duke akuzuar një institut pse thotë disa të vërteta të dokumentuara mbi luftën partizane. Sipas tyre, të vërtetat nuk u dashkan thënë dhe zbardhja e historisë njolloska “lavdinë e kësaj lufte”!

Në mënyrë qesharake dhe shtazarake, z. Tufa u akuzua për fashist, nazist, ballist, përçudnues i vlerave të kombit e deri edhe për fshatar. Në dialektikën e katundarllëkut,rët e ardhur në Tiranë për shkak të lëvizjes së lirë të pas viteve ’90 (të cilët u përfaqësokan nga z. Tufa) janë barbarë e shpellarë, ndërsa ata që i zbriti partia për të bërë zap e për të shtruar në hu popullin e kasabasë, janë të qytetëruar e të kulturuar! Në dialektikën e trushpëlarjes së tyre, ai që urren komunizmin duhet të jetë patjetër fashist e nazist. Për shkak se z. Tufa ka aq higjienë etike dhe njerëzore sa të urrejë trashëgiminë e krimit që shkatërroi e degjeneroi një komb të tërë, ai akuzohet për fashist e rrjedhimisht edhe për kolaboracionist në tentativë, për mbrojtës të pushtimit nazist e madje edhe të holokaustit. Në mos një Nurenberg, një gjyq special si ato të “Komandantit Legjendar” e ka hak!

Në fakt, pothuajse të gjithë ata që hodhën grushtin e tyre të baltës janë njerëz që jo vetëm i kanë ndyrë duart, në një mënyrë apo një tjetër, në regjimin e kaluar, por edhe sot e kësaj dite janë të angazhuar në apologjinë e krimit, duke relativizuar fëlliqësinë që prodhoi e vazhdon të prodhojë ai regjim. Paturpësia shkon deri aty sa, megjithëse disa prej tyre, si Sevo Tarifa p.sh., që shpreh vlerësim për Enver Hoxhën dhe e konsideron atë komandant legjendar, ata të gjithë bashkojnë zërin në të njëjtin kor në emër të luftës ndaj armikut të klasës. Ideja se z. Tufa mund të jetë potencialisht një kriptofashist i maskuar është një problem shumë më i madh për ta sesa nostalgjia idiote dhe malinje e “bashkëluftëtarëve” të tyre ndaj një trashëgimie terroriste si enverizmi.

Ndërsa shfaqen të përdëllyer për hebrenjtë e masakruar në dhomat e gazit në Aushvic, këta antifashistë të indinjuar nuk shfaqin kurrfarë ndjeshmërie për kasaphanat e komunizmit në kampin e Tepelenës apo në burgjet e Spaçit dhe të Burrelit. Ata nuk gjejnë asnjë moment ndjeshmërie dhe solidariteti njerëzor për faktin që ende sot, pas 28 vjetësh, viktimat që baballarët e tyre i ekzekutuan pa asnjë faj nuk kanë ende një varr për t’u qarë nga të afërmit. Ata nuk kanë asnjë fjalë për të thënë kur sot e gjithë ditën edhe kur ndonjë i persekutuar arrin të gjejë një punë në shtet, gjen aty si shefa ish-persekutorët e tij. Ata nuk shqetësohen pse krimet nuk janë dënuar, pse dosjet nuk janë hapur, pse të vërtetat nuk thuhen, por shqetësohen pse nuk po ia njohim disa merita ish-kriminelëve që na përçudnuan si popull. Shqetësohen se po mohojmë luftën e tyre për çlirimin e vendit, të cilin më pas ata vetë e përdorën për robërimin e tij në mënyrën më të egër. Duhet të kesh pësuar një deformim të thellë mendor e human, që të arrish deri në atë pikë sa të mbrosh me kaq tërbim një trashëgimi që qelbet erë kaq shumë sa kjo!

Zbardhja e krimeve të luftës nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është një punë e dokumentuar dhe e botuar në një libër, i cili mund të debatohet, por kurrsesi të sulmohet e linçohet publikisht. Dokumentimi i fakteve mbetet gjithmonë një punë e lavdëruar dhe nuk mund të njollosë asnjë pjesë të historisë sonë. Populli shqiptar i periudhës së luftës nuk përfaqësohet nga krerët e PKSH-së, ndaj të vërtetat e hidhura që shoqërojnë atë parti nuk cenojnë aspak vlerat kombëtare. Në të vërtetë, ata që ndiehen të cenuar prej këtij angazhimi janë pikërisht pinjojtë e një trashëgimie politike kriminale që erdhi më pas, apologjinë e së cilës po e bëjnë prej kohësh zëra të tillë si ata që sot sulmojnë institutin. Fakti që ata kanë kurajë të bëhen bashkë dhe të ngrenë zërin për të sulmuar të vërtetat që zbardhen është dëshmi e dështimit të shoqërisë sonë për t’u çliruar nga e kaluara e hidhur që ata përfaqësojnë.

* Exit.al

Filed Under: Analiza Tagged With: Ergys Mertiri-Gjyqi Special-Agron Tufa

PËR VATRËN PROAMERIKANIZMI I SHQIPTARËVE MBETET I SHENJTË

May 7, 2019 by dgreca

– Federata Pan shqiptare e Amerikës VATRA u taku me deputetin demokrat (Me mandat të dorëzuar) Endri Hasa- *

Të Dielën në mesditë, 5 Maj 2019, deputeti demokrat i Elbasanit( por që e ka dorëzuar mandatin) Endri Hasa, vizitoi selinë e VATRËS. Ai u prit nga Kryetari i Federatës Pan shqiptare të Amerikës VATRA, Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij.

Kryetari Mishto ia uroi mirëseardhjen mikut të tij deputet, duke i prazantuar bashkëpunëtorët pjesmarrës në takim, ndërkohë që deputeti Hasa shoqërohej nga avokati Hasan Metuku, ish këshilltar ligjor pranë ish Kryeministrit Sali Berisha, në vitet 2009-2013.

Kryetari Mishtoi e ka njohur mysafirin me veprimtaritë dhe qëndrimet e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dhye marrdhëniet e saj me Uashingtonin zyrtar. Ai shfaqi mendimet e Vatrës se opozita Shqiptare duhet të luftojë më shumë për proamerikanizmin e shqiptarëve dhe të ketë platformë të qartë, dhe se nuk do të bëjë gabimet e mazhorancës qeverisëse, e cila ka “guxuar” që të ngrejë dorën dhe të votojë kundër qëndrimit amerikan në forumet ndërkombëtare, sic ishin rastet në OKB. Për Federatën VATRA proamerikanizmi i shqiptarëve është i shenjtë dhe merr rëndësi të dorës së parë. Asnjë politikan, as një forcë politike, as një qeveri, nuk ka mandat që të luajë me këtë ndjenjë të shqiptarëve. Vatra prej 107 vitesh ka luftuar fort për marrëdhënie të ngushta dhe miqësi me Amerikën dhe ka qenë e mbetet avokatja e kësaj miqësie, dhe këtë kauzë të paarardhësve tanë vatranë ne e konsiderojmë të shenjtë. Veprimet antiamerikane të kësaj mazhorance që qeveris vendin, për Vatrën, përbëjnë provokim ndaj miqësisë shqiptaro-amerikane dhe provokim ndaj shqiptarëve të Amerikës.

Në fjalën e tij, deputeti Hasa, falenderoi kryetarin e Vatrës, dhe pjesmarrësit në takim, për mikpritjen. Më pas ai paraqiti gjendjen aktuale të krizës shqiptare, ku pozita dhe opozita janë ballëpërballë; njëra me të gjitha pushtetet e kapura, e mbrojtur me polici të shumfishuar, dhe tjetra e bashkuar me qytetarët në rrugë, të cilët ndjehen të varfëruar, të pambrojtur, të papunë, dhe nuk shohin rrugë tjetër për të kërkuar të drejtat e nëpërkëmbura nga qeveria me një Drejtësi në kolaps, pa Gjykatë Kushtetuse, me prokurore “të përkohshme” dhe me një kryeminsitër që i ka të gjitha vulat në dorë, qeveria e të cilit lundron në korrupsion. Ai paraqiti platformën e opozitës së bashkuar dhe argumentoi se përse ajo e sheh të pamundur pjesmarrjen në zgjedhje me kryeministrin dhe qeverinë aktuale.

Z. Hasa iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve duke sjellë detaje nga platforma e opozitës, e cila kërkon një qeveri tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme.

Më pas kryesia e Vatrës së bashku me mysafirin u bënë pjesë e veprimtarisë që u organizua në Ditën e Lirisë Shqiptare në Westchester, kushtuar dëshmorit dhe pishtarit të Demokracisë Nik Mrnacaj, ku deputeti përshëndeti dhe u duartrokit.

  • Per me shume fotografi shiko ne Facebook Gazeta DIELLI

Filed Under: Featured Tagged With: Deputeti Endri Hasa-Vatra-Dritan Mishto

Papa Françesku i lutet Nënë Terezës

May 7, 2019 by dgreca

Në ditën e sotme të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku shkoi në Shtëpinë-Memorial të Nënë Terezës dhe i drejtoi një lutje shenjtes shqiptare të bamirësisë, të cilën po jua propozojmë të plotë më poshtë.

Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit.

Papa u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtes. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës. Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësojnë 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dha botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin. Ja urata e plotë:

O Zot, Atë i Mëshirës dhe i çdo të mire

të falenderojmë për dhuratën e jetës

dhe të karizmës së shën Nënë Terezës.

Përmes Provanisë tënde të pamasë e thirre

të dëshmojë dashurinë hyjnore

ndër më të varfërit e Indisë e të botës.

Ajo diti të bëjë të mira për më nevojtarët,

sepse pa në çdo burrë e në çdo grua

fytyrën e Birit Tënd.

E butë dhe e përvujtë ndaj dikimit të Shpirtit Tënd,

u kthye në zë lutës i të varfërve

dhe i të gjithë atyre

që kanë uri dhe etje për drejtësi.

Duke e bërë të vetën britmën e Jezusit në kryq,

“Kam etje”,

Nënë Tereza ia shuajti

etjen Jezusit në kryq,

me vepra dashurie të mëshirshme.

Të lutemi ty, o shën Nënë Terezë,

o nëna e të varfërve,

të lutemi për ndërhyrje të veçantë e për ndihmë,

këtu, në qytetin tënd të lindjes,

ku e kishe shtëpinë.

Këtu more dhuratën e rilindjes

në sakramentet e besimit të krishterë.

Këtu i dëgjove fjalët e para të fesë

në familje dhe në bashkësinë e besimtarëve.

Këtu fillove t’i shohësh

e t’i njohësh njerëzit nevojtarë,

të varfërit e të vegjlit.

Këtu mësove nga prindërit t’i duash

më nevojtarët e t’i ndihmosh.

Këtu, në heshtjen e kishës

dëgjove thirrjen e Jezusit për ta ndjekur

në misione si rregulltare.

E këtu po të lutemi: ndërhy pranë Krishtit

që edhe ne të marrim dhuratë hirin

për të dëgjuar me vëmendje dhe kujdes britmën e të varfërve,

të atyre, që privohen nga çdo e drejtë:

të sëmurët, të mënjanuarit, të fundmit.

Ai i Lumi na dhashtë hirin ta shohim

në sytë e atyre, që na vështrojnë

sepse kanë nevojë për ne.

Na dhashtë një zemër, që di ta dojë Zotin

e pranishëm në çdo burrë e në çdo grua,

që di ta njohë ndër ata

të cilët pësojnë vuajtje dhe padrejtësi.

Na dhashtë hirin të jemi, edhe ne,

shenjë dashurie e shprese në kohën tonë,

që ka kaq nevojtarë, kaq të braktisur,

kaq të harruar e kaq emigrantë.

Bëj që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë,

por të jetë e frytshme dhe e vërtetë,

që të mund të japim

dëshmi të besueshme në Kishë,

e cila e ka për detyrë

t’u predikojë Ungjillin të varfërve,

çlirimin të burgosurve, gëzimin të pikëlluarve,

hirin e shëlbimit, të gjithëve.

O Shën Nënë Tereza lutu për këtë qytet,

për këtë popull, për Kishën e tij

e për të gjithë ata, që duan ta ndjekin Krishtin

si dishepuj të Atij Bariu të Mirë,

duke bërë vepra drejtësie, dashurie,

mëshire, paqeje dhe duke shërbyer,

si Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer,

por për të shërbyer e për të dhuruar jetën për shumë vetë,

Krishti, Zoti ynë.

Amen

07 maj 2019, 12:49

Papa: Nënë Tereza na ndihmoftë ta dëgjojmë me vëmendje britmën e të varfërve

Gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, Papa i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja dashurie”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve. Pas lutjes, takimi prekës me 100 të pastrehë, të asistuar nga Motrat Misionare të Bamirësisë dhe bekimi i gurit të parë për Shenjtëroren kushtuar Nënë Terezës.

R. SH. Vatikan

Një nga çastet më prekëse të kësaj dite në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht vizita e Papës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të këtij shtegtimi të 29-të apostolik, ashtu si Shën Gjoni XXIII. Do të jetë një ndërtesë moderne, që do të përurohet në vitin 2019 e do të ketë edhe një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. Pjesa e parë e kësaj etape nisi me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës, ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Nënë Terezës e, natyrisht, edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, me tri rregulltare, Papa lartoi lutjen në nderim të  Shenjtores shqiptare.

Mbi altar ishte ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare. Bashkësitë fetare të pranishme, sipas njoftimit të Kishës vendase, ishin: bashkësia ortodokse maqedone, e përfaqësuar nga metropoliti i Shkupit, Stefani; bashkësia islamike, nga ulema Sulejman Rexhepi; bashkësia ungjillore metodiste, nga pastori Michail Cekov; bashkësia hebraike, nga Berta Romano Nikolic. E nuk është rastësi që, në këtë vizitë, morën pjesë të gjithë liderët fetarë: këtë Grua të vogël- tejet të madhe – që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen e Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Gjatë lutjes për nder të Nënë Terezës, kanonizuar në vitin 2016, Papa iu drejtua Zotit me fjalët prekëse:

“Të falënderojmë o Zot – u lut – për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia përkujtimore, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qenë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, ndjeu së pari zërin e Jezusit! Zoti po e thërriste për ta ndjekur pas në jetën rregulltare si misionare – kujtoi akoma Papa në lutje. – Pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, Françesku iu lut Shqiptares së Madhe të ndërmjetësojë pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të  shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nevojtarit:

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet – përfundoi Papa – për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Takimi me të varfërit dhe bekimi  i gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës

Në përfundim, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë, Urdhër i themeluar nga Nënë Tereza. Eprorja vendase, motër Tekla, i drejtoi një përshëndetje Atit të Shenjtë:

 “Jemi ndërmjet të varfërve më të varfër – kujtoi – e, në vijim, përsëriti fjalët e paharrueshme të vetë Nënë Terezës: ‘Të varfërit janë njerëz të mëdhenj’; kanë kombësi, gjuhë, fe, përvojë të dhimbshme e tronditëse të ndryshme, por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”.

Shumë prekëse edhe dëshmia e Sonjës, një gruaje të asistuar nga motrat, që foli para Papës, duke mbajtur përdore vogëlushen e vet. Vajzë-nënë, ajo pati shpresuar të kishte një vatër familjare, por mbeti në mes të rrugës së madhe. Në pritje të foshnjës. Nga përvoja e saj u ndje fort dhimbja e thellë, por dhe mirënjohja, edhe më e thellë, për motrat që – theksoi – pa më pyetur fare ç’feje i përkas – e unë jam ortodokse – më hapën portën e zemrën, mua e bijës sime. Kur duhej të vendosja ta mbaja fëmijën apo ta abortoja – vijoi – zgjodha jetën, ngaqë e dija se Zoti është këtu, me ne, se Ai nuk na braktis kurrë”.

Fjalë prekëse, edhe sepse e bëjnë të dukshëm frytin e një morie jetësh të dhuruara për dashuri, fryt që lexohej qartë në sytë e ndritshëm të të varfërve të pranishëm në takim, të cilët Papa i përshëndeti një për një. Dëshmi tjetër, e prekshme, emocinuese, kjo, për t’u treguar se nuk janë të harruar. Se ka kush i kujton!

07 maj 2019, 14:17 (Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: Papa Francesku-Lutet-Nene Tereza

65 VJET BEKTASHIZËM SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA

May 7, 2019 by dgreca

                                                 Shkruan: Frank Shkreli/

 Në një kronikë nga Zëri i Amerikës të hënën, mësohet se se Teqeja e parë Bektashiane shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbushi 65 vjet.  Siç dihet, Teqeja Bektashiane e themeluar më 15 Maj, 1964 ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe është themeluar nga Baba Rexhebi, njëri prej udhëheqësve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, të shekullit të kaluar.  Si shumë shqiptarë të njohur të tjerë të gjeneratës së tij, Baba Rexhebi u largua nga Atdheu, ashtu që të shpëtonte nga përndjekjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, siç e pësuan shumë klerikë të tre feve kryesore të shqiptarëve dhe në vitin 1964 themeloi Teqenë në shtetin Miçigan të Amerikës, aty ku ishin vendosur shumë familje shqiptare,  të arratisura pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist në Shqipëri.

Dihet se dy karakteristika dalluese të Bektashizmit janë misiticiymi dhe liberalizmi. Baba Rexhebi citohet të ketë thënë se, “Bektashizmi është një sekt liberal i fesë Islame, i frymëzuar nga ndjenjat më të thella të vullnetit të mire dhe vëllazërimit midis njerëzve.”  Në këtë frymë, Baba Rexhebi kishte hapur edhe Teqenë në Tejler të Miçiganit, duke u premtuar të gjithëve, pa dallim se, “Dyert e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasysh fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre.  ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri.  Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyert e hapura për të gjithë.  Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqën, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.”

Kjo frymë hapjeje dhe përfshirjeje ndaj të gjithëve vazhdon të pasqyrohet edhe sot në 65-vjetorin e saj — nga Teqeja shqiptare në Miçigan, aktualisht  e drejtuar nga Dervishi kësaj Teqeje, Eliton Pashaj.  Ashtu si edhe qendrat e tjera fetare në shqiptare në Shtetet e Bashkuara, edhe Teqeja ka luajtur rolin e saj fetar, natyrisht, por edhe ka shërbyer si qëndër atdhetare për të gjithë, pa dallim partie, feje ose krahine.  Dervishi aktual u shpreh kështu për Zërin e Amerikës: “Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri. Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin, qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre.”

Ashtu siç ishte traditë qyshë nga koha e Baba Rexhebit edhe për shënimin e këtij përvjetori, Teqeja kishte mbledhur komunitetin dhe përfaqsuesit fetarë të tij, që së bashku të festojnë këtë përvjetor të rëndësishëm për të gjithë komuniotetin shqiptaro-amerikan – jo vetëm nga pikëpamja fetare, por edhe nga pikëpamja atdhetare.  Sipas, VOA-s, për këtë rast, nga Shqipëria kishte ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi, ndërkohë që të pranishëm ishin gjithashtu edhe Imam Shuajb Gërguri përfaqësues i komunitetit mysliman dhe Dom Ndue Gjergji, përfaqësues I komunitetit shqiptar katolik në Miçigan, i cili kujtoi lidhjet dhe trashëgiminë që kanë lënë pas tre para-adhësi të tyre hd e lidhjet me Teqenë shqiptare në Tejlor të shtetit Miçiganit . “Ne me këtë komunitet, na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj, të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prenkë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore.  Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare.  Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë: feja, atdheu.  Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët, tanë jemi një.”

Shprehjet atdhetare dhe njerëzore të klerikëve tanë shqiptarë, sidomos për botën e sotme të ndarë dhe të përçarë nga pikëpamjet e ndryshme politike dhe fetare, kanë pasqyrua, historikisht, dhe vazhdojnë të pasqyrojnë ndër vlerat më të mira tonat, si shqiptarë dhe si fetarë.

Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Miçigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për 65 tani, për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin.  Këto mesazhe, në të vërtetë, nuk nevojitin komente shtesë pasi flasin vet vet edhe në këtë 65-vjetor – duke shprehur filozofinë dhe duke theksuar veprat e Bektashizmit, bazuar në paqë e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë. Për 65 vjet tani, Teqeja Bektashiane – e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, i përndershmi Baba Rexhebi, ka shëndritë si një yll dritë bashkpunimi e pajtimi midis shqiptarëve. Falë shembullit të Teqesë Bektashiane, themeluesit të saj Baba Rexhebit dhe pasuesve të tij, veprimtaria dhe bashkëpunimi prej dekadash midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqësve të tyre në Amerikë, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë Kombin tonë dhe jo ta dëmtojnë.

Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qendre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995, për fat të mirë, jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde kundër fesë të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.  Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshir klerikët bektashianë. 

Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën regjimin komunist të Enver Hoxhës saqë sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Miçigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi arbitrarisht të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët e të gjitha feve. Por ishte Baba Rexhebi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri.  Ai meriton kredinë, pasi ishte motori shtytës i veprimtarisë dhe i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi. Gëzuar 65-vjetori i themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

NGA FESTIMET NE TEQENE E BABA REXHEBIT

Filed Under: Emigracion Tagged With: Frank Shkreli-65 vjet-Teqeja Bektashiane-SHBA

U NDERUA NIK MRNACAJ DHE VEPRA E TIJ…

May 6, 2019 by dgreca

-NË DITËN E LIRISË SHQIPTARE NË NEW YORK /

Edhe pse e Diela e 5 Majit 2019 ishte një ditë me shi dhe erë të fortë, shqiptarët e Amerikës shkuan masivisht në veprimtarinë e organizuar në Ditën e Lirisë Shqiptare, ditë që i kushtohet, simbolit të demonstrateve antikomuniste Nik Mrnacaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë dhe Flamurin shqiptar, sjell cdo fillim Maji, në një ndër parqet më të bukur të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester, jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe të liderëve politik.

 Kjo ditë e vecantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e  nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për dhunën e përgjakshme që ushtronte shteti komunist shqiptar kundër familjeve nacionaliste,bijtë e bijat e të cilave i burgoste burgjeve të diktaturës komuniste , ndërsa vetë familjet i internonte masivisht në kampet e internimit. Edhe pse familja Mrnacaj ishte e arratisur nga Shqipëria, pjesa e mbetur në Shqipëri, u burgos e u internua. Tipik ishte rastii Nikollë Mrnacaj, i cili u burgos dy herë, ndërsa familja u internua dhe vuajti për vite të tëra kampeve të internimit. I riu nacionalist, antikomunisti Nick Mrnaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mrnaçaj,ishte në krye të demonstratave të shqiptarëve të Amerikës, që kërkonin të sensibilizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mungesën e të drejtave dhe të lirive njerëzore në Shqipërinë komuniste dhe rrisnin përpjekjet për t’i hequr maskën udhëheqësve komuniste që tentonin të mashtronin perendimin, me anë të Misionit diplomatik në New York. Nik Mrnacaj humbi jetën pasi kthehej nga demonstrata antikomuniste e organizuar në Detroit me 22 Janar 1990.

Veprimtaria e 5 majit 2019 u organizuar nga Familja Mrnacaj, Shoqëria Kulturore-Artistike Kelemendi dhe Counti Ekzecutive  Westchester , ndërsa moderatorë ishin Sokol Smalaj dhe Valbona Preldakaj.

Shkurt Kronika: Hymnet Kombëtare i ka kënduar Mikela Nonaj. Lutjen fetare e ka përcjellë Djakon Marash Shkreli. Vperimtarinë e ka nderuar dhe famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj. Kanë përshëndetur: Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z. Joseph DioGuardi, County Egzekutive z. George Latimer, kandidati për major në Mt. Vernon, z. Ernest Davis, Kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës  Dritan Mishto, Deputeti demokrat i Kuvendit të Shqipërisë (që ka dorëzuar mandatin) Endri Hasa dhe në emër të familjes Mrnacaj,ka falenderuar folësit, pjesmarrësit, Mikel Mrnacaj, i biri i Nik Mrnacaj…

Këtë veprimtari përkujtimore dhe nderuse e mbështeti edhe Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA, ku përvec kryetarit të saj z. Dritan Mishto, morën pjesë nënkryetari Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Zef Balaj, Marjan Cubi me zonjën, editori me zonjën, Pashk Maksuti, Mihill Velaj(njëkohësisht kryetar i Shqoatës së Shkrimtarëve shqiptar-amerikanë), Gjergj Ivanaj e të tjerë. Vatra, pas takimit që pati në selinë e saj me deputetin Endri Hasa, e ftoi atë, që të bëhej pjesë e veprimtarisë përkujtimore kushtuar Nik mrnacaj, ku ai u prit me duartrokitje.

Në fund të veprimtarisë, familja Mrnacaj ftoi pjesmarrësit që të ngrinin Flamurin kuq e zi në shtizën e parkut, përkrah flamurit amerikan, ku do të qëndroi për një javë. Familaj Mrnacaj ksihet sjellë për pjesmarrësit, ushqime dhe pije. (Të plotë shkrimin do ta lexoni në Diellin e Printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: NIK MRNACAJ-5 MAJ 2019

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT