• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

50-VJETË MË PARË: ZBRITJA E ANIJES SË HAPËSIRËS …

July 15, 2019 by dgreca

     50-VJETË MË PARË: ZBRITJA E ANIJES SË HAPËSIRËS SË LARTË APOLLO 11 NË HËNË — “NJË HAP I VOGËL PËR NJERIUN/

Shkruan: Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Zbritja e anijes së hapësirës së lartë Apollo 11 në Hënë

Këtë javë, Enti Amerikan i Hapësirës së Lartë, NASA shënon 50-vjetorin e zbritjes historike në Hënë të anijes së hapësirës së Lartë, Apollo 11, me një seri ekspozitash dhe programesh të ndryshme anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, duke filluar nga 16 -20 Korrik.

Ishte pikërisht 16 Korriku i vitit 1969, kur astronautët amerikanë, Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins filluan udhëtimin e tyre historik për në Hënë nga Qendra e Hapësirës së Lartë të NASA-s, Kennedy, në shtetin Florida.   Katër ditë më vonë, me 20 Korrik, ndërkohë që astronauti Collins drejtonte në orbitën e Hënës anijen Apollo 11, dy kolegët e tij, astronautët Armstrong dhe Aldrin zbritën në sipërfaqen e Hënës me një pjesë të vogël modulare të anijes së hapësirës së lartë të mbiemëruar, Shqiponja (“Eagle”), duke i deklaruar Amerikës dhe botës së, “Shqiponja kishte zbritur” në sipërfaqen e Hënës.   Ishte kjo hera e parë në historinë e njerëzimit që këmba e njeriut kishte shkelur mbi sipërfaqen e Hënës.

Astronauti, Neil Armstrong, i pari përfaqësues i njerëzimit që hodhi hapin e parë mbi Hënë, kishte deklaruar se misioni i tyre eksplorues në hapësirë, ndonëse mund të ishte, “Një hap i vogël për njeriun”, për nga rëndësia historike, shkencore dhe teknologjike, ai ishte i vetëdijshëm se suksesi i tyre përbënte edhe një“Hap gjigant për mbarë Njerëzimin”.   Astronauti Armstrong konsideronte pra se se zbritja në Hënë e astronautëve amerikanë, 50-vjet më parë, ndonëse ishte një nismë, ekskluzivisht, e paparë deri atëherë në historinë njerëzore, nuk ishte vetëm një hap i madh drejt eksplorimit të hapësirës së lartë nga Shtetet e Bashkuara, por si i tillë, duhej të konsiderohej edhe si një përfitim i madh për mbarë botën dhe për zhvillimet e ndryshme në shumë fusha të shkencës, teknologjisë dhe komunikimit.

Astronauti Neil Armstrong ka ndërruar jetë në vitin 2012, në moshën 82-vjeçare, por dy kolegët e tij në këtë udhëtim historik në Hënë, Buzz Aldrin dhe Michael Collins jetojnë ende dhe do të ribashkohen të hënën, më 16 korrik për të kujtuar këtë përvjetor, në Qendrën e hapësirës së Lartë Kennedy në Florida – aty ku gjysmë shekulli më parë filloi misioni i tyre për të zbritur në Hënë.   Enti amerikan  i hapësirës së lartë, NASA njofton se—ndër të tjera aktivitete anë e mbanë vendit –përfshirë edhe ato që do mbahen në Washington — dy astronautët e Anijes Apollo 11 do të kenë një konferencë me gazetarët e mbledhur aty për të kujtuar këtë përvjetor historik dhe pastaj do të vizitojnë Qendrën Kennedy, ku do të takohen me ish-drejtuesit e misionit të Apollo 11, si edhe me drejtuesit e misioneve aktuale ARTEMIS, pjesë këto të programit aktual amerikan të hapësirës “Nga Hëna në Mars”, për eksplorimin e mëtejshëm të hapësirës nga njerëzimi.

Zbritjes aktuale në Hënë, Korrikun e vitit 1969, i kishte paraprirë një angazhim kombëtar i ndërmarrë nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy – i cili në një atmosferë të asaj kohe të rivalitetit gjeopolitik midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Shteteve të Bashkuara –në një fjalim para Kongresit të Shteteve të Bashkuara mbi nevojat urgjente kombëtare kishte deklaruar mbi planin për zbritjen në Hënë se, “Unë besoj se kombi ynë duhet të angazhojë forcën dhe burimet financiare për të arritur, para mbarimit të kësaj dekade, zbritjen e astronautëve në Hënë dhe kthimin e tyre në tokë.   Asnjë projekt tjetër i vetëm në këtë periudhë, nuk do të jetë më mbresëlënës për njerëzimin dhe as më i rëndësishëm për eksplorimet afatgjata të hapësirës së lartë, por edhe asnjë projekt tjetër nuk do të jetë më i shtrenjtë dhe më i vështirë për tu realizuar”, kishte paralajmëruar ish-Presidenti John Kennedy., duke shtuar se “Nëse e miratojmë dhe në qoftë se realizohet ky projekt, nuk është se vetëm një njeri do të shkojë në Hënë,por do të jetë i mbarë kombi që shkelë në Hënë, pasi nevojitet bashkëpunimi i të gjithë neve për të bërë  të mundur një gjë të tillë”, kishte deklaruar John F. Kennedy, duke njoftuar zbritjen eventuale në Hënë nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Është e vërtetë se ishte Presidenti Kennedy, ai i cili ndërmori vendosmërisht angazhimin kombëtar – të cilën ai e kishte konsideruar si një urgjencë kombëtare —   zbritjen e astronautëve në Hënë, por projekti për eksplorimin e hapësirës së lartë ka pasur mbështetjen e të pakën katër administratave, republikane dhe demokrate, duke filluar nga Presidenti Eisenhower, si dhe nga Kongresi dhe populli amerikan në përgjithësi, gjatë më shumë se një dekade, vazhdimisht deri në arritjen e këtij objektivi, në Korrik të vitit 1969.   Këtë mbështetje, si dhe krenarinë e amerikanëve për zbritjen në Hënë të astronautëve, e kishte shprehur edhe ish-presidenti Richard Nixon në një bisedë telefonike me anë të radio-transmetimeve nga  Shtëpia e Bardhë me astronautët nga sipërfaqja e Hënës – një komunikim ky që ai e ka quajtur si telefonata më me rëndësi në historinë e njerëzimit –me astronautët Armstrong, Aldrin dhe Collins. Nixoni është shprehur:

“Më mungojnë fjalët që të shprehi krenarinë që të gjithë ne ndiejmë për punën tuaj.   Për çdo amerikan, ky moment duhet të jetë momenti më krenar në jetën tonë.   Por edhe popujt anë e mbanë botës, jam i bindur, se bashkohen me amerikanët për të celebruar këtë arritje të mrekullueshme.   Si përfundim i veprës suaj, qielli dhe hapësira e lartë tani janë pjesë e botës së njeriut në tokë.   Kështu që, ndërkohë që flisni me ne nga anija e hapësirës së lartë në Hënë, na frymëzoni që të dyfishojmë përpjekjet tona këtu në tokë për sjellë paqe dhe mirëqenie në planetin tonë.   Në këtë moment të papërshkrueshëm,  të gjithë popujt e botës janë të bashkuar dhe ndajnë me ju krenarinë e tyre për suksesin tuaj…”, është shprehur ish-Presidenti Nixon.

Ndërsa Astronauti Armstrong duke e falënderuar  Presidentin Nixon, ka shprehur ndjenjat e tij dhe të kolegëve duke thënë:“Është nder dhe privilegj i madh që gjendemi këtu (në Hënë), si përfaqësues jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe të njerëzve paqedashës anë e mbanë botës, të cilët janë të interesuar dhe kuriozë dhe që ndajnë me ne një vizion për të ardhmen”, ka thënë 50-vjet më parë astronauti Armstrong.

Ndoshta pak kush prej nesh është i vetëdijshëm se ishte pikërisht zbritja në Hënë 50-vjet më parë dhe vizioni i këtyre astronautëve amerikanë dhe të tjerëve si ata që ka bërë të mundur sot të gjitha mënyrat e reja të komunikimit që përdoren sot anë e mbanë botës, përfshirë përdorimin e satelitëve që bëjnë të mundur transmetimin brenda sekondash të fotografive, të zërit dhe të sinjaleve, nga një anë e globit në tjetrën.   Kështu që kur të telefononi të afërmit tuaj dhe të komunikoni me ta kudo në botë me anë të telefonit, facebook-ut, facetime ose mënyrave të tjera të komunikimit modern, kujtoni sot tre astronautët amerikanë – Armstrong Collins dhe Aldrin—në 50-vjetorin e zbritjes së tyre në Hënë, pasi ishte ai sukses fillestar që bën sot të mundur, për secilin prej nesh,komunikimin e lehtë me të gjithë botën.   Ky është vetëm një përfitim nga shumë dobi të tjera që vinë nga eksplorimet e hapësirës së lartë, atëherë dhe sot.

                                                  

Filed Under: Histori Tagged With: Frank Shkreli- Apollo 11- Hene-50 Vjet

Guiliani, Liberman & Tom Ridge dhe Iranianet e Tiranes

July 14, 2019 by dgreca

Rreth 3 mijë muxhahedinë që ndodhen në Shqipëri kanë mbajtur një konferencë në ‘qytetin’ e tyre në vendin Tiranë që ndodhe në në afërsi të Manzës, 30 km larg Tiranës dhe që quhet ‘Ashraf 3’.

Në këtë konferencë është shfaqur 3D lufta 120-vjeçare e popullit iranian për liri e demokraci. Ky ishte evenimenti i parë i këtij lloji në Ashraf-3, i cili është ndërtuar gjatë 18 muajve të shkuar nga opozita iraniane duke përdorur burimet e veta.

Udhëheqësja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, u zotua të premten se Irani ndodhet pranë një kthese historike dhe fitorja e popullit dhe rezistencës iraniane kundër regjimit teokratik është e sigurtë.

Maryam Rajavi, e cila është Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ishte folësja më e spikatur në një konferencë në Ashraf-3, ku banojnë mijëra anëtarë të grupit kryesor opozitar iranian, Mujahedin-e Khalq (MEK).

Disa dhjetëra ish-zyrtarë të lartë nga të dyja anët e Atlantikut, duke përfshirë Kryebashkiakun Rudy Giuliani që është avokati personal i Presidentit Trump, Senatorin Joseph Lieberman, Sekretarin Tom Ridge, Drejtorin Louis Freeh, Gjeneralin George Casey, Gjeneralin James Conëay, Michelle Alliot Marie, ish-Ministre e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Francës, Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale në Kolumbi, e cila ka qenë e mbajtur peng; nga SHBA dhe Europa morën pjesë në konferencë.

Në një pjesë të fjalimit të saj, Znj. Rajavi tha, “Sot në Ashraf 3, jemi mbledhur në një Ekspozitë ku shfaqen 120 vite të luftës së popullit iranian për liri. Një luftë me ulje e ngritje të panumërta, me shumë disfata e triumfe, së cilës i kanë dhënë jetë lotët dhe buzëqeshjet e një kombi të lidhur me zinxhirë e të shtypur nga dy diktatura, monarkia e mëparshme dhe pas saj një regjim fetar e tiranik. Por ne jemi duke çarë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”

“Një nga hallkat që mungonte në lëvizjet e mëparshme të popullit iranian ishte organizimi koherent dhe përpjekja e organizuar, së bashku me një forcë të vendosur e të rexhur nga betejat, e cila të ishte e përgatitur për të bërë çfarëdo sakrifice që të nevojitej. Si rezultat, përpjekjet e mëparshme të popullit nuk kanë patur sukses pavarësisht gjithë sakrificave. Dhe sot, Ashraf 3 mishëron rezistencën e organizuar të popullit të Iranit për liri,” shtoi ajo.

Duke iu referuar përparimeve të bëra nga Rezistenca Iraniane, znj. Rajavi theksoi, “Sot, kemi arritur një pikë kthese historike. Një Ashraf i cili është ngritur edhe një herë, krenar dhe i fuqishëm, duke shdritur në zenitin e kësaj Rezistence. Ky Ashraf është riprodhuar 1000 herë në formën e njësive të rezistencës në mbarë Iranin. Dhe një shoqëri shpërthyese e cila nuk ka ndërmend t’i durojë më mullahët, me dëshirën për t’i përmbysur ata…. Populli iranian dhe historia e tyre po çajnë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”

Duke iu referuar ekspozitës së 120 viteve të Luftës për Liri, Kryebashkiaku Giuliani tha, “Është një gjë të dëgjosh emrat dhe numrat, por është krejt ndryshe të shohësh fytyrat e 120,000 njerëzve të vrarë—martirë që kanë humbur jetën sepse gjithçka që donin ishte ajo që na takon të gjithëve si qenie njerëzore: Liria.”

Senatori Lieberman shtoi, “Ju na keni dhënë mundësinë të jemi besnikë ndaj parimeve tona kombëtare, siç thotë deklarata jonë e pavarësisë, ‘të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nën Zotin.’ Po këto të drejta i janë dhënë çdo fëmije e çdo të riu jeta e të cilit është këputur nga ky regjim brutal.”

Gjatë konferencës, personalitetet dëgjuan dëshmi nga anëtarë të MEK të cilët kanë duruar personalisht disa vite torture në burgjet e regjimit, duke përfshirë të mbijetuarit e masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën në Iran, apo kanë qenë viktima të sulmeve terroriste nga proksit irakenë të regjimit iranian.(Kortezi VOAL.ch

Filed Under: Rajon Tagged With: Guliani- Liberman- Iranianet e Tiranes

Kreu i Opozitës Basha priti delegacionin Amerikano-Hebraik

July 14, 2019 by dgreca

Kreu i opozitës shqiptare, z. Lulzim basha ka pritur delegacionin Amerikano-Hebraik te kryesuar nga drejtori Ekzekutiv David Harris. Në njoftimin e PD, kreu i opozitës Lulzim Basha bën të ditur se opozita ka siguruar miqtë amerikan se do vazhdojë betejën ka kompromis dhe se nuk do të dorëzohet para modelit të despotizmit lindor.“Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris.I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet europiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, ka theksuar Lulzim  Basha.

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha- Delegacioni-Amerikano-Hebraik

PESË PAMJE TË URREJTJES KUNDËR VLERAVE TË DEMOKRACISË

July 14, 2019 by dgreca

Nga Shefqet DIBRANI/

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI/

Prolog:

Ende pa e mbushur njëvjetorin e themelimit të LDK-së, ka pas nisur një fushatë e egër linçuese kundër saj, në lojë e patën futur Demaçin, i cili nuk ra në grackë. Pra në vitin 1990 – 1992, pikërisht atëherë kur zyrtaret e tanishëm politik të LDK-së, ishin struktura udhëheqëse të LKJ-së, të tjerët ishin në pelena atëherë kur pshurreshin dhe qurraveshin neveritshëm, sidomos kur i lëpinin qurrat që iu shkonin zvarrë. Edhe tash këta qurranë janë bërë të neveritshëm, të gërditshëm dhe të padurueshëm, sidomos kur mbrojnë dr. Rugovën dhe kur flasin për Rugovizëm! E për ata që shkruajnë do të ishte mirë të mendojnë çka po i lënë pas historisë së tyre familjare, fëmijëve të cilët nuk janë fajtor pse i kanë baballarët kaq të qurravt?!

Duke kërkuar në arkivin tim kam gjetur shkrime të cilat flasin për LDK-në e idealeve të mëdha, (1990-1991). Pra për LDK-në e idealeve tjera, por janë edhe disa shkrime edhe për Demaçin… një personalitet i cili në korrikun e vitit të shkuar shkoi mëtanë ku nuk flitet më.

Nuk po merrem me Adem Demaçin, as me akuzat e tij deri në sharje kundër dr. Ibrahim Rugovës, pasi një pjesë të tyre vet Ibrahim Rugova ia ka falur sa ishte gjallë, por a do ta falte edhe tashti, nuk jam profet për t’ia qëlluar, por një gjë e di se ai ishte i Madh, kurse nesër do të bëhet edhe më i madh se sa po himnizohet sot.

Pamja 1 – Aanti-Rugovizmi

a). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Isa Mustafa nuk do të ishte zyrtar i LDK-së, e le më kryetar i saj. Të gjithë ata që e votuan, për kryetar të LDK-së, për Kryeministër, dhe të gjithë ata që i besuan aq shumë, në thelb janë Anit-Rugovista të papërmirësueshëm.

b). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Hashim Thaçi, nuk ishte bërë Kryeministër as President i Kosovës. Prandaj të gjithë ata që janë struktura të LDK-së dhe e kanë votuar, janë në thelb Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

c). Ibrahim Rugova, ka thënë kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Kullë dhe Çakorr, prandaj të gjithë ata që e kanë votuar për ti lënë këto Troje nën administrimin e Malit të Zi, le më se janë tradhtar, por janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ç). Ibrahim Rugova, ishte për falje dhe nuk shau askënd, të gjithë ata që hakmerren dhe shajnë pa kriter janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

d). Ibrahim Rugova, ishte për gjithëpërfshirje dhe për Elitë Akademike dhe Intelektuale, ata që përjashtuan dhe janë kundër intelektualëve dhe kundër Themeluesve të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

dh). Ibrahim Rugova, e dashti dhe e respektoi DIASPORËN, të gjithë ata që ndëshkuan Diasporën duke e përjashtuar nga proceset e brendshme në LDK, janë kundër zhvillimit të Kosovës, andaj janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

e). Ibrahim Rugova  ishte i madh, prandaj i respektonte të vegjlit, por të vegjlit e sotëm që po e udhëheqin LDK-në dhe Kosovën, i urrejnë të mëdhenjtë dhe nuk i shkelin të vegjlit, andaj nuk falin, ata hakmerren, ata vrasin, prandaj në thelb janë Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ë). Ibrahim Rugova, dallonte për shprehjen e butë dhe elokuente, të gjithë “katunarhanja” e Facebook-ut që nuk dinë me shkruar dhe ata që kurrë në jetën e tyre nuk kanë lexuar një libër, por janë kapërthurur nëpër ministri e në Krye të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm!

Sepse: Rugovizmë është vlerë, është tolerancë, është dashuri për atdheun!

Pamja 2 – Urrejtja kundër Simbolit të Rezistencës

Në këto rrethana, ndryshe vepron qytetari i rëndomtë e ndryshe duhet të veproj intelektuali, e krejt ma ndryshe ata që udhëheqin parti politike dhe Shtetin e Kosovës. Por qëndrimi armiqësor, i ulët dhe primitiv i Kryesisë së LDK-së që u shpreh korrikun e vitit të shkuar, në Ditën e Vdekjes, Varrimit dhe Nderimit që iu bë Adem Demaçit, është koncepti ma antidemokratik që iu ka bërë LDK-së. Ky veprim është ideologjik e LKJ-së që udhëhiqet drejtpërdrejtë nga Isa Mustafa, i cili pas të gjitha shkatërrimeve, humbjeve dhe shëndetit të tij, ka detyrë për ta shkatërruar LDK-në, dhe për ta mbajtur LDK-në sa ma larg Popullit dhe halleve të tij.

Pamja 3 – Injorimi kundër Amerikës

Pamja/Fytyra e LDK-së që u shfaq si urrejtje, si hakmarrje, kundër Adem Demaçit, kur u bë refuzimi klasik në ditën e varrimit të tij,  na u rishfaq në ditën e Gëzimit të Kosovës, me rastin e 20-Vjetorit të Çlirimit të Kosovës, që iu gëza krejt Bota demokratike! Sivjet për këtë DITË të Gëzuar, vendin tonë e vizituan fytyrat më eminente të Amerikës siç ishin Presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, gjenerali i ushtrisë amerikane Wesley Clark dhe shumë të tjerë. Me një fjalë klika titiste e LKJ-së që ka pushtuar LDK-në, (si duket për hatër të Serbisë), përbuzi gjithë përpjekjen dhe ndihmesën e Amerikës në Luftën dhe Paqen e Kosovës. Ata refuzuan të takoheshin me përfaqësuesit e Amerikës, por na shurdhuan duke brohoritur Rroftë Amerika dhe për miqësinë e tyre të përhershme me Amerikën?!

Pamja 4 – JUSUF BUXHOVI

Foli intelektuali Jusuf Buxhovi, Ideatori dhe Themeluesi i LDK-së, foli shkencëtari që bëri vepra shkencore të cilat nuk arriti t’i bëjë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, foli historiani që e shkroi Historinë e Kosovës, atë që nuk arriti ta shkruaj Instituti i Historisë së Kosovës e as Fakulteti i Historisë për më shumë se gjysmë shekulli  veprimtari. Foli shkrimtari më i frytshëm, autori i romaneve historike, që e tha të djeshmen dhe të tashmen në mënyrë artistike, të cilën nuk e ka thënë e as nuk e ka shkruar Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Andaj ky “pokretni juriš” kundër Jusuf Buxhovit jep alarm shqetësues se një “Lëvizje për sulm”, kundër Lirisë së Kosovës dhe vlerave të saj po nis marshin drejt shkatërrimit. 

Pamja 5 – “Pokretni juriš” ose “Lëvizja për Sulm”

Ky farë “Pokretni juriš”, në thelb përmban ideologjinë  “E majtë staliniste”, e cila përmbledh të gjitha llumproletariatin ideologjik dhe strukturat komanduese të krimit politik dhe ekonomik që nuk kanë gjë të përbashkët as me Luftën për Lirinë e Kosovës dhe as me Paqen dhe demokracinë në Kosovë. Kjo strukturë mbështet nga “E majta titiste”, e cila është edhe ma perfide dhe shumë më e rrezikshme se e para. “E majta titiste” përfaqësohet nga Isa Mustafa dhe strukturat e përgatitura në “Riinvest”, të cilët e kthyen frymën hakmarrëse dhe krijuan mosdurimin në LDK, (që tashmë njihet si luftë e karrigeve). Kjo logjikë shkatërruese është e mbështetur nga elementi Jugosllav që udhëheq mediat shqipe në Kosovë dhe i mban nën zapt Organizatat Jo Qeveritare të cilat janë shndërruar në struktura parapolice të krimit dhe bandave të kriminalizuara në Kosovë, andaj heshtin dhe nuk po mbrojnë asnjë vlerë qytetare.

Epilog: 

Urrejtja kundër fjalës së lirë, çuditërisht po bëhet edhe nga ata që mbllaçitin për lirinë e fjalës së lirë?! Në thelb ka urrejtjen kundër vlerave, kundër Elitës Intelektuale, kundër Rezistencës së Adem Demçit, Kundër Filozofisë Paqësore të dr. Ibrahim Rugovës, kundër Luftës së UÇK-së, Kundër Prezencës Amerikane në Luftën dhe Paqen e Kosovës, Kundër kthimit të turizmit në Kosovë, (turizëm të cilin e bënë dhe e zhvillon vetëm Diaspora e saj), dhe në fund  të fundi urrejtja kaq e  madhe kundër Jusuf Buxhovit është urrejtje kundër të gjitha vlerave intelektuale, kulturore, arsimore, pedagogjike, shkencore dhe akademike të një vendi.

Me një fjalë Bandat e Kriminalizuara të Komandantëve me koncepte të së majtës staliniste, të ndihmuar nga e majta titiste, po i qesin marren Luftës Heroike të UÇK-së dhe ia kanë shtrirë zullumin Lirisë së Kosovës.

Veçmas Isa Mustafa, me suitën e tij, ka arritur me ua fshirë trurin Kryesisë së LDK-së, për ta përjashtuar Elitën Intelektuale nga të gjitha proceset. Kjo ideologji e shkollës RIINVEST, (institucion që u themelua në vitet ma të Zeza që kalonte Kosova), nuk ka pasur për qëllim me zhvilluar demokracinë dhe me bërë aleanca me Amerikanët, por është themeluar nga një azilant në emigracion, siç ishte atëherë mr. Isa Mustafa, për t’i përgatitur Serbisë strukturat e besueshme që do ti shërbenin atij sistemi për ta bërë ma mirë zapt Kosovën, dhe për të dëshmuar se “E majta Titiste”  shëmbëllen në miqësinë e tyre me Serbet! 

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Filed Under: Politike Tagged With: Shefqet Dibrani-Pese Pamje-Urrejtja- e majta

DHIMBJET E GJOKSIT …

July 14, 2019 by dgreca

NJË LETËR PËR DIELLIN NGA AUSTRALIA DHE NISJA RUBRIKËS “KËSHILLA MJEKSORE”-DHIMBJET E GJOKSIT/

NGA DR. ZEKRI PALUSHI(MD)-Gold Coast, Australi/

Të dashur bashkatdhetarë, lexues të gazetës ‘DIELLI’,

Falenderoj nga zemra Editorin dhe gazetarin e nderuar Dalip Greca që nëpërmjet rubrikës ‘Këshilla Mjeksore’ m’dha mundësinë e komunikimit me ju,  

Të gjithë e dimë, por unë po e theksoj edhe një herë se: Doktorat ma t’ mirë në botë janë: Dielli, Uji, Ajri, Ushqyerja e shëndetëshme, Pushimet dhe Ushtrimet fizike. 

Megjithatë, unë kam një admirim t’veçante për profesionin mjeksore,-vlerësoj nalt dhe rrespektoj shumë kontributin e jashtëzakonshëm të Mjekësisë Moderrne në zhdukjen e shumë sëmundjeve infektive, zgjatjen dhe përmirësimin e kualitetit jetsore në përgjithësi, dhe n’veçanti,  ruajtjen e dinjitetit njerëzor, dhe paksimin e vuajtjeve shpirtrore e fizike për ato që përballohen me sëmundje të rënda.

Ndryshe nga metodat standarte, -‘Keshilla Mjeksore’ që unë sot kam pregatitur për ju, bazohet në  raste konkretë që unë kam ndesh në praktikën time të përditeshme mjekësore, duke mendu se ndonji nga këto raste, mund të jetë i përngjaishëm me ndonjë nga rastet tuaja, kështu që shkrimet e mija mund të jenë ma tërheqëse si për t’u lexuar e po kështu, ma kollaj për t’i mbajtur mend e orjentuar në rast nevoje.

DHIMBJET E GJOKSIT(KRAHËRORIT)

Pacienti ZP, 49 vjeç, murator, erdhi për një konsultë mjeksore, ku tregoj se mbramë kishte pas dhimbje shumë të forta në mes të gjoksit, që e kishin zgjuar nga gjumi. Këto dhimbje pastaj ishin shpërndarë në të gjithë krahërorin, duke përfshirë edhe qafën,dhe ishin shoqëruar me djersitje, tendencë për të vjellur dhe pak vështiresi në frymëmarrje, por që nuk ndikohej nga frymëmarrja. Këto dhimbje kishin zgjat rreth 40 minuta, pastaj ishin qetësuar spontanisht.

Gjatë marrjes së historisë, pacjenti më tregoj se s’kishte pasë ndonjë problem të rëndësishëm shëndetësor të dokumentuar gjatë jetës së tij, me përjashtim të 3 muajve të fundit që kishte pasë dhimbje gjoksi, që fillimisht i vinin vetëm gjatë ndonjë sforcimi fizik dhe qetësoheshin pas një pushimi 10 minutësh. Ndërsa, gjatë 2 javëve të fundit këto dhimbje i shfaqeshin edhe pas një sforcimi të lehtë dhe vinin duke ju shtuar, dhe gjatë 4 ditëve të fundit, dhimbjet i kishte pas çdo ditë, dhe i kishin filluar në pushim. Pacjenti nuk vuante nga ndonjë sëmundje stomaku apo refluks aciditeti.

Gjatë pyetjeve për historinë familjare, pacienti më tregoj se baba i kishte  vdekur papritmas, në moshën 57 vjeçare, ndërsa nana e tij dhe 2 vëllezërit s’kishin ndonjë histori të veçantë për sëmundje zemre. Vetë pacienti kishte 30 vjet që pinte nga 20 cigare në ditë, dhe kurrë s’kishte pas rast për të kontrollu kolesterolin.

Gjatë kësaj konsulte, pacienti s’pati ndonjë dhimbje, ekzaminimet fizike dhe klinike rezultuan normal, po kështu edhe EKG qe normale, me rrahje të rregullta zemre, 78 për minutë. Presioni i gjakut ishte 126/69. 

Pamvarësisht gjendjes “normale”që konstatova, duke u bazu në historinë e dhimbjeve, mendova dhe gjykova se pacjenti ishte në zhvillim e sipër të një Sëmundje Ischemike të Zemrës  (mungesë e qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit në musculin e zemrës), për të cilën thirra ambulancën. 

Pacienti u shtrua në kardiologji, ku iu fillu një mjekim urgjent me Aspirinë shkrirëse në uji 300mg, Metoprolol 50 mg, dy herë në ditë, Isosorbitde 10mg, tre herë në ditë. 

Pamvarësisht këtij mjekimi, rreth 12 orë më vonë, pacientit i filluan përsëri dhimbjet e gjoksit, ndërsa një EKG  urgjente tregoi ndryshime elektrike, që ishin konsistent me një Angine të Pa-Stabilizueme (nuk po hyj në detaj të shpjegimit të EKGs). Për këtë ju dha menjëherë nitrate sub-lingual(nën-gjuhë), Oksigjen (mund të jetë i dobishëm nëse niveli O2 në gjak figuron nën 94%), si dhe IV (Intra-Venoz) narcotic për të qetësuar urgjent dhimbjen e fortë. Ju banë analizat e gjakut, e veçanërisht Enzimat Cardiake që tregojnë pak-a-shumë për nivelin dhe kohën e damtimit të muskulit të zemrës. Ju ba edhe një radiografi e gjoksit për të përjashtu një zmadhim të zemrës. Duke qenë se pacienti ishte në një moshë relativisht të re, u vendos që të bahet urgjentisht një Angiografi e Arterieve Koronare (Coronary Angiography), për të  përcaktuar anatominë e këtyre arterieve. ANGIOGRAFIA asht një ekzaminim radiologjik i enve të gjakut ku më parë injektohet një lëndë radio- opake kontrasti, nëpermjet saj zbulohet nëse në koronare ka një lesion (bllokim) që mund të korrigjohet në të njëjtën kohë me angioplasty, apo kemi të bajmë me një sëmundje të avancuar të arterieve koronare, si  p.sh, stenoze të coronares kryesore të majtë apo të trija degët kryesore të koronareve (Triple Vessel Disease), e majta e përparshme zbritëse, koronaria e djathtë, dhe koronaria circumlexe, të cilat mund të korrigjohen herët dhe me shumë sukses me një BAIPAS KIRURGJIKAL (Bypass surgery).

Ekzaminimi angiografik i koronareve të pacjentit tim tregoj se në pjesën zbritëse të arteries koronare të majtë kishte një segment të ngushtuar (stenose) të gradës naltë, me mbi 90% bllokim, për të cilën ju ba zgjerim i segmentit të ngushtuar,(angioplasty) nëpërmjet një kateter-balone dhe menjëherë ju instalu një stent (një tub i hollë prej rrjeti metalik). 

Pas k’saj procedure, pacienti im s’pati ma dhimbje, dhe disa EKG të bame në seri rezultuan normal, po kështu edhe kolesteroli e glukoza në gjak ishin brenda limiteve normale. Kështu, pacienti doli nga spitali pa asnjë mjekim. Megjithatë, ai u këshillue që të marrë çdo ditë 100mg aspirinë, për efektin anti-platelet që zotron, (nuk lejon ngjitjen e trombociteve me njëra tjetrën për të formuar tromb/clot).

Në përfundim diskutuam me pacjentin dy shkaqe kryesore që mund të kene kontribu ne Semundjen Koronare të Zemrës së tij:- ‘Vdekjen e Papritur’ e babës së tij, që sigurisht duhet të ketë qenë nga një ç’rregullim vdekjeprurëse i ritmit të zemrës, me prejardhje nga ischaemia, e cila futet në rrisk-faktoret madhore, e që mund  të jetë trashëguese,  dhe PIRJA e DUHANIT, që po ashtu ban pjesë në rrisk-faktorët madhorë. Pacjenti u këshillue që të ndaloj pirjen e duhanit menjëherë, për të cilin ai më premtoj se s’do ta pinte ma kurrë.

 Po kështu, ju këshillua që të kontrollojë YNDYRNAT/KOLESTEROLIN, si dhe nivelin e GLUKOZES/sheqerit në gjak çdo 6 muaj për një vit dhe pastaj çdo vit.

 U kshillu që të paksojë marrjen e yndyrnave të ngopuna (saturated fats), gjalp, mish të dhjamosur, dhjam, vaj palme dhe vaj kokonati, që kanë tendencë që të rrisin nivelin e kolesterolit në gjak

Po kështu diskutuam që pacienti t’i vinte në dijeni dy vllezërit e tij, si dhe fëmijët e tij të rritur, për lidhjen e sëmundjeve koronare me historinë e tyre familjare, si një faktor madhor rrisku për to. Pra ato duhet të konsultohen me doktorrin e tyre, për të gjetur  masa prevenuese.

Në mbyllje të këtij rasti, unë do t’i këshilloja lexuesit e gazetës ‘DIELLI’ që të mos neglizhojnë as një dhimbje gjoksi, dhe të kenë parasysh se ‘Ç’do dhimbje që fillon midis kërthiza dhe majës  hundës, duhet të konsiderohet ‘DHIMBJE ZEMRE’ deri sa të provohet e kundërta’. 

Thirrja e AMBULANCËS, dhe arritja në spital brenda 90 minutavetë parë, asht JETIKE.

Dr Zekri Palushi (MD)

P.S

Në rubrikën tjetër do të diskutojmë një rast me Infarkt akut të zemrës.

Ndërkohë, nëse dëshironi të bani ndonjë pyetje shëndetësore personale, drejtohuni nëpërmjet  adresës elektronike (E-mail-i i redaksisë,gazetadielli@gmail.com që pastaj mund të përcillet në adresën time). 

Mund të komunikoj edhe në anglisht po qe se është më e përshtatëshme për personat që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe..

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. Zekri Palushi- Keshilla mjeksore-Dhimbjet e gjoksit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT