• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Kosova, obelisk viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2001 në SHBA

September 11, 2019 by dgreca

Kosova, obelisk viktimave të  sulmit të 11 shtatorit 2001 në  SHBA

-Kryeministri në detyrë, Haradinaj: Kosova e përjetoi rëndë 11 shtatorin 2001, sulmin mbi miqtë tanë amerikanë/

-Ambasadori i SHBA, Kosnett: Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën që ka marrë nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë/

PRISHTINË, 11 Shtator 2019-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë sot u zbulua obelisku i ngritur në oborrin e Qeverisë  kushtuar viktimave të  sulmit të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot 18 vjet më parë edhe Kosova e përjetoi rëndë sulmin mbi institucionet, mbi popullin, mbi miqtë tanë, mbi njerëzit e Amerikës. Kosova kujton çdo vit në këtë datë të rënët, martirët e kësaj dite dhe njëkohësisht bashkëndjen me Amerikën”,  tha kryeministri në detyrë, i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi bëri  homazhe dhe mori pjesë në zbulimin e obeliskut.

Para figurave të shumta të rëndësishme si vendore por edhe të huaja, kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke kujtuar këtë tragjedi ndaj miqve tanë amerikanë, tha se kjo ditë në Kosovë do të kthehet në traditë dhe se në çdo 11 shtator të çdo viti do të nderojnë të rënët në Amerikë, para se të fillojnë punën institucionet e vendit.

“Sepse i konsiderojmë si tanët, sepse Amerika ishte me ne për lirinë tonë dhe është garancë për lirinë në botë e ne çdo herë do të jemi bashkë me Amerikën për të mbrojtur lirinë. Nderime për të rënët”, u shpreh kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të ftuarve prezentë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, tha se sot është një ditë e zymtë për amerikanët dhe se në shtëpi e kudo nëpër botë kujtojnë me pikëllim humbjen e gati tre mijë njerëzve të pafajshëm, jeta e të cilëve u shua, akt të cilin ai e quajti sulm ndaj civilizimit. 

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën që ka marrë nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit, në Kosovë njerëzit mblidheshin që të marshonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit”, theksoi ambasadori i SHBA në Prishtinë.

Ambasadori Kosnett tha se kjo mbështetje e përzemërt është një konfirmim i një lidhjeje të thellë në mes të njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre nga Kosova.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, bashkë më ambasadorin Kosnett zbuluan pllakën memoriale në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2011 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas zbulimit të pllakës memoriale, kryeministri në detyrë, Haradinaj,  bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh bashkë me të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Kosova-Obelisk-11 Shtatori

NJË ZË NAZI-FASHIST ANTI-SHQIPTAR NGA QENDRA E EVROPËS

September 11, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arriti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqësi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë i deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe popullin serb, por urrej për vdekje Kosovën”) Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiçin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të kthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia, se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Çeke. Deklarata e Zemanit, pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiçit dhe të ish-bashkëpunëtorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviçit – nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë, ashtu edhe sot, përpilohen politikat serbe më anti-shqiptare në takime me përfaqësues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikur At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqësisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaqësuesve të Evropës dhe këlyshëve të Rusisë, si Aleksandër Vuçiç dhe Millosh Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e ‘klyshëve të Rusisë’, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht, me gjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek, Zemani dhe Vuçiçi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhë, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetëses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla, si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës, duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjet nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë, se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiç.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë. Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë, mbi të gjitha, interesat kombëtare, liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejt integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkërendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqësit çek në Serbi. Të njëjtën, të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe t’u paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirëinformuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkëbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë parasysh se ç’thonë dhe ç’mendojnë Vuçiçi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjendja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirë dhe më e sigurt për paqen në Ballkanin Perëndimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar falë – ndër të tjera – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botën, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqësin e duhur me parime morale”.

Fatkeqësisht, në takimet e tij këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Nje ze antifashist- Milosh Zeman

KUJTESA E 11 SHTATORIT

September 11, 2019 by dgreca

Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit/

Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.

Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.

Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida. Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.

Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.

Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.

Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul. Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë.

Kosova përkujton sulmet e 11 shtatorit në SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato kanë pasur ndikim në gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe se amerikanët nuk kanë qenë viktimat e vetme të tyre.

“Njerëz nga 77 shtete kanë vdekur në sulme. Ky ka qenë sulm mbi civilizimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se amerikanët do të kujtojnë gjithmonë mbështetjen që ka pranuar SHBA-ja nga gjithë bota, duke përmendur edhe Kosovën.

“Pas sulmit, në gjithë Kosoën njerëzit janë mbledhur në përkrahje të SHBA-së, kanë ndezur qirinj dhe kanë dhuruar gjak. Disa qytetarë të Kosovës edhe kanë qenë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë amerikane në Luftën Globale kundër Terrorizmit”, ka thënë Kosnett përmes një deklarate.

Përveç tjerash, ai ka shtuar se kjo mbështetje ka qenë konfirmim i lidhjes së fortë të njerëzve të Amerikës dhe popullit të Kosovës.

Gjatë ditës në Prishtinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës është inauguruar memoriali “Kosova kujton”.

Në ceremoni, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.

Si pasojë e sulmit terrorist të 11 shtatorit në Kullat Binjake në Nju Jork kanë vdekur rreth 3,000 persona.

Ky sulm është kryer nga një grup prej 19 islamistëve radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Militantët e Al-Kaidës kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.(kortezi-Zeri i Amerikes-Evropa e Lire)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 11 Shtatori-KUJTESA-President trump

KRAVATA ME KULLAT BINJAKE

September 11, 2019 by dgreca

                              NGA ASLLAN BUSHATI/

Sot është 11 shtator 2019. Kjo datë më sjell në kujtesë momentet, minutat e ditën më të hidhur  në jetën e  qytetit të  NY – 11 Shtatorit 2001. Ditë në të cilën, barbarët sulmuan kryeqytetin e botës, lirinë e tij, qytetarët e pa armatosur, (përfshi edhe familjen time e mu si gjithë njujorkezët). Ata  rrëzuar përtokë kullat binjake që përbënin rrokaqiejt e krenarinë e qytetit. Kjo ishte shumë  e dhimbëshme, madje  e pa krahasueshme me asgjë tjetër në  historinë e këtij qyteti. Gati tri mijë jetë njerzish të pafajshëme  u ndërprenë  në mes nga terroristët, në një kohë  kur Lufta e Ftohtë kishte njëmbëdhjetë vite që kish mbaruar.

Unë punoja në: 125 Barclay street (Unioni 32BJ), në katin e dytë nga ora 5 pas dite deri në 12:30  të natës. Ky pallat shtatkatësh ishte vetëm 100 metra larg (në vijë ajrore) në veri të   Kullës numër një. Sikur sulmi të kishte ndodhur në kohën e punës time, unë sot ndoshat nuk do të isha gjallë e nuk do të mundesha ti  shkruaja këto rreshta. Por fati e deshi që në momentin e goditjes së Kullës parë,  të isha tek sekretaria e  Shkolla “Kolombi” ku studionte vajza ime Arela. U ndodha atje për të dorëzuar një kopje të librezës vaksinave të vajzës, kur në TV  pashë zjarrin në faqen anësore të Kullës. U ktheva menjëherë me makinë në shtëpi dhe e parkova makinën në katin e gjashtë të pallatit parking afër shtëpisë.  Instiktivisht sapo dola nga makina hypa në taracën e parkingut për të parë me sy të lirë Kullën e “plagosur”. Por c’të shihja, një avion tjetër goditi edhe  Kullën tjetër. Zbrita  shpejte nga taraca me ndjenjën e tmerrit në zemër e në shpirt  për të shkuar në shtëpi e për të parë në TV se cfarë po ndodhte në qytetit tonë aq të dashur për ne. Në mendje kisha vetëm sulm terrorist, madje këtë hamendësim pak më parë, ja thashë edhe sekretares së shkollës së vajzës e cila ishte bashkëshortrja e një nënkoloneli amerikan në lirim.

Shkova para televizorit dhe isha tërësisht i shokuar kur  pashë rrëzimin përdhe të të dy gjigandëve të qytetit  shoqëruar me një re  madhore  tymi e pluhuri sikur të ishte një minishpërthim bërthamor. Lotët më shkonin curk e pandalesë me ato që po më shihnin sytë, momente të cilat skam për ti harruar kurrë në jetën time.

Që nga kjo kohë  , nuk shkova  më për të punuar në 125 Barclay street për arsye se jugu i qytetit ishte i mbyllur nga gjëma që kishte ndodhur. Por më 18 janar 2002 na njoftuan të shkonim në punë ku në hyrje të pallatit (building)  na priti Kryebashkiaku i NY Rudi Xhuliani. Na takoi të gjithëve, na falenderoi për punën që po bënim për reabilitimin e shpejtë të qytetit  dhe na porositi të punonim me  masa të rrepata mbrojtëse si syza e maska mbrojtëse .

Kur hyra në katin e dytë , para syve mu cfaq një mjedis i tjetërsuar sikur të isha në një planet tjetër. Nuk kishte mbetur asgjë xham e kornizë dritaresh, asnjë foto, banderolë e afishe muri dhe  pluhuri ishte gati tre- katër gisht i trashë në të gjithë  ambientin. Pluhuri kishte ngjyrë të hirtë me xixëllime  si një minierë xeherorësh.  Vinte një erë e keqe e cila  pa maska në hundë nuk durohej. Na u desh një  kohë jo e vogël, që pallati (32BJ) ta rimerrte veten e të kthehej në gjendjen e mëparëshme.

Parë nga këndshikimi i sigurisë, ky sulm mbi kullate NY e mbi Pentagon,   tronditi jo vetëm qytetarin e thjeshtë në NY e SHBA, por solli traum edhe në të  gjithë botën. Madje ai shembi edhe  bazat e mendimit të  më parshëm ushtarak për luftën kundër terrorizmit, duke e parë tashmë  atë si një metodë e re lufte në kushte të vecanta .  Sulmi solli  me vehte riorganizim të forcave e të mjeteve në SHBA, NATO e shumë vende të botës. Solli harxhim të ri fondesh e mjetesh materiale e monetare  dhe një ndryshim mentaliteti ku bota  dukshëm është më pak e sigurtë edhe nga mjetet e përdorimit të përditshëm. Kjo ndodhi sepse  një mjet i thjeshtë i transportit publik sic është aeroplani i transtportit të udhëtarëve  u kthye në një armë vrasëse masive . Ky mentalitet u përpunu  e u përhap nga mendje njerzore  primitive,  të cmendura, antihumane si Osaman Bin Laden, alkaida etj.  Por më e keqja  është  se ai u këthye në një teori e praktikë, një eksperiencë  shumë negative , të  frikëshme  dhe shumë të  rrezikëshme për të sotmen dhe të ardhmen e krejt njerzimit.

Në kohen që dy gradacelet gjigande gërvshtnin qiellin e NY, pata blerë një gravatë në të cilën ishin  pikturuar ata  në ngjyrat e flamurit amerikan. Këtë gravatë  tashmë e përdoroj vetëm një herë në vit më 11 shtator. Në pjesën e prapme kam ngjitur një shënim”REMEMBER” që në shqip do të thotë “kujtoj”. Sa herë që familjarët, miqt dhe kalimtarët e rastit  shprehin ndjesi për të , unë e kthej nga prapa duke ju cfaqur”REMEMBER”. Këtë zakon të përvitshëm do ta bëj sa te jemë gjallë në kujtim të atyre që humbën jetën dhe në kujtim të qytetit tim të dashur NY.

Filed Under: Featured Tagged With: Asllan Bushati-11 Shtatori

Cosa Nostra Albania….

September 11, 2019 by dgreca

Nga Dritan Demiraj/

Kodi i heshtjes “OMERTA” i “Cosa Nostra Albania”, filloi të thyhet!!! Me gjithë kujdesin e Shtatlartësisë dhe organizatës “Rripjellja” për të mbrojtur anëtarët e “familjeve mafioze”për t’i patur nën kontroll nëpërmjet ligjit të heshtjes apo “Omerta”, frika e vendosjes së “byzylykëve, nxorri protagonist dy ish-ministra të qeverisë “HASHASHI”!!!

Gjatë seancës gjyqësore, ish-ministri i Brendshëm nën hetim Saimir Tahiri thekson se; “Unë, me shkresën e datës 29/10/2013, në kohën që kam qenë ministër i Brendshëm, me datë 29/10/2013, i kam dërguar një shkresë konfidenciale koleges sime, ish-ministres Mimi Kordheli. Në këtë shkresë, e kam vënë në dijeni se radarët e ushtrisë nuk punonin, pasi Policia kishte konstatuar mosfunksionimin e tyre, duke hapur një rrugë të re për trafikun e drogës.”

Por, shoqja Kordheli si gjithmonë e vëmendshme për t’u ekspozuar si “puritane” vrapon në media (News 24 TV), për të larguar përgjegjësitë e saj dhe për t’u mbrojtur nga “gjynahet” e pafundme që i ka krijuar Forcave të Armatosuara dhe Shqipërisë.

Me të ardhur në pushtet, ti anullove në mënyrë të jashtëligjshme procedurën e mirëmbajtjes së Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare me arsyetimin e “mungesës së fondeve”, ku fondet ishin të planifikuara në buxhet por i bëre tualet modern për t’u relaksuar në MM. Pse nuk flisni për proceduara dhe fondin shumë më të lartë që përdorët disa muaj më vonë, duke ia dhënë këtë shërbim një dyqani celularësh, e cila ishte përjashtuar nga procedura dhe duke larguar gjigantin botëror “Lockheed Martin Corporation”

Ju treshja e mamuthëve të korrupsionit në Ministrin e Mbrojtjes (Kodheli – Kraja – Pijaneci Bazo), me skema-proçedura të ngjashme korrupsioni “Cosa Nostra”, keni cënuar sigurinë kombëtare duke nxjerrë totalisht jashtë funksionit sistemin e Monitorimit të Hapësirës Detare.

Gjithashtu, arritët deri aty sa mashtruat disa herë dhe AKPE-in në lidhje me ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e dyanshëm (civil dhe për FA) të sistemeve të radio-komunikimit për shërbime me qarqe dixhitale brenda territoreve ushtarake të FA dhe përdorimin e frekuencave të “pa lejuara” nga subjekti privat për vitet 2014-2015 për interesa përdorimi nga FA.

Për rikujtesë të Mimi Kordhelit dhe për mbarë opinionin kombëtar shqiptar, gjatë kohës që kam ushtruar detyrën e Ministrit të Brendshëm me shkresën datë 31/08/ 2017, ju kam informuar dhe ju kam kërkuar të merrni urgjentisht masa për vënien në funksionim të Sistemit të Monitorimit të Radarëve, pasi sipas konstatimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, sistemi ishte jashtë funksionimit dhe madje prek kohësh, pasi sipas tyre kjo bëhej me qëllim të mos ndalohej trafiku i drogës në vendin tonë, në të cilin dhe ti ke “kontribuar” jo pak.

Deri më sot, opinion publik nuk është sqaruar asnjëherë mbi arsyet e shkarkimit tuaj si ministre, apo meqenëse e pate orientuar gabim kolegun dhe mikun tuaj Tahirin, duke i fikur radarët dhe ai shkoi në rrugë të gabuar apo nuk kishit drita, pasi çelësin e dritave e mbante Damian Gjiknuri i partisë me çunat problematik???

Dhe një këshillë, mos imito në fjalor lartgjatësinë tuaj, duke përdorur shprehjet e rëndomta “gjuajte nën brez” , pasi ju shquheni si “portiere” e stërvitur!!. Ju kujtoj se nëse drejtësia shqipëtare do të vihet ndonjë ditë, nuk do të kishte avokat që të të marrë në mbrojtje, pasi çështja do të ishte e humbur!

“Byzylykët” është mirë ti vajisni që mos tu shkaktojnë dhimbje! Sa për vënien e dorës për betim mbi Kushtetutë të ministrave hajdutë të kategorisë tuaj, e keni bërë Kushtetutën si “shami hundësh!!

Dritan Demiraj

USA.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj-Cosa Nostra-Albania

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT