NGA ASLLAN BUSHATI/
Sot është 11 shtator 2019. Kjo datë më sjell në kujtesë momentet, minutat e ditën më të hidhur në jetën e qytetit të NY – 11 Shtatorit 2001. Ditë në të cilën, barbarët sulmuan kryeqytetin e botës, lirinë e tij, qytetarët e pa armatosur, (përfshi edhe familjen time e mu si gjithë njujorkezët). Ata rrëzuar përtokë kullat binjake që përbënin rrokaqiejt e krenarinë e qytetit. Kjo ishte shumë e dhimbëshme, madje e pa krahasueshme me asgjë tjetër në historinë e këtij qyteti. Gati tri mijë jetë njerzish të pafajshëme u ndërprenë në mes nga terroristët, në një kohë kur Lufta e Ftohtë kishte njëmbëdhjetë vite që kish mbaruar.
Unë punoja në: 125 Barclay street (Unioni 32BJ), në katin e dytë nga ora 5 pas dite deri në 12:30 të natës. Ky pallat shtatkatësh ishte vetëm 100 metra larg (në vijë ajrore) në veri të Kullës numër një. Sikur sulmi të kishte ndodhur në kohën e punës time, unë sot ndoshat nuk do të isha gjallë e nuk do të mundesha ti shkruaja këto rreshta. Por fati e deshi që në momentin e goditjes së Kullës parë, të isha tek sekretaria e Shkolla “Kolombi” ku studionte vajza ime Arela. U ndodha atje për të dorëzuar një kopje të librezës vaksinave të vajzës, kur në TV pashë zjarrin në faqen anësore të Kullës. U ktheva menjëherë me makinë në shtëpi dhe e parkova makinën në katin e gjashtë të pallatit parking afër shtëpisë. Instiktivisht sapo dola nga makina hypa në taracën e parkingut për të parë me sy të lirë Kullën e “plagosur”. Por c’të shihja, një avion tjetër goditi edhe Kullën tjetër. Zbrita shpejte nga taraca me ndjenjën e tmerrit në zemër e në shpirt për të shkuar në shtëpi e për të parë në TV se cfarë po ndodhte në qytetit tonë aq të dashur për ne. Në mendje kisha vetëm sulm terrorist, madje këtë hamendësim pak më parë, ja thashë edhe sekretares së shkollës së vajzës e cila ishte bashkëshortrja e një nënkoloneli amerikan në lirim.
Shkova para televizorit dhe isha tërësisht i shokuar kur pashë rrëzimin përdhe të të dy gjigandëve të qytetit shoqëruar me një re madhore tymi e pluhuri sikur të ishte një minishpërthim bërthamor. Lotët më shkonin curk e pandalesë me ato që po më shihnin sytë, momente të cilat skam për ti harruar kurrë në jetën time.
Që nga kjo kohë , nuk shkova më për të punuar në 125 Barclay street për arsye se jugu i qytetit ishte i mbyllur nga gjëma që kishte ndodhur. Por më 18 janar 2002 na njoftuan të shkonim në punë ku në hyrje të pallatit (building) na priti Kryebashkiaku i NY Rudi Xhuliani. Na takoi të gjithëve, na falenderoi për punën që po bënim për reabilitimin e shpejtë të qytetit dhe na porositi të punonim me masa të rrepata mbrojtëse si syza e maska mbrojtëse .
Kur hyra në katin e dytë , para syve mu cfaq një mjedis i tjetërsuar sikur të isha në një planet tjetër. Nuk kishte mbetur asgjë xham e kornizë dritaresh, asnjë foto, banderolë e afishe muri dhe pluhuri ishte gati tre- katër gisht i trashë në të gjithë ambientin. Pluhuri kishte ngjyrë të hirtë me xixëllime si një minierë xeherorësh. Vinte një erë e keqe e cila pa maska në hundë nuk durohej. Na u desh një kohë jo e vogël, që pallati (32BJ) ta rimerrte veten e të kthehej në gjendjen e mëparëshme.
Parë nga këndshikimi i sigurisë, ky sulm mbi kullate NY e mbi Pentagon, tronditi jo vetëm qytetarin e thjeshtë në NY e SHBA, por solli traum edhe në të gjithë botën. Madje ai shembi edhe bazat e mendimit të më parshëm ushtarak për luftën kundër terrorizmit, duke e parë tashmë atë si një metodë e re lufte në kushte të vecanta . Sulmi solli me vehte riorganizim të forcave e të mjeteve në SHBA, NATO e shumë vende të botës. Solli harxhim të ri fondesh e mjetesh materiale e monetare dhe një ndryshim mentaliteti ku bota dukshëm është më pak e sigurtë edhe nga mjetet e përdorimit të përditshëm. Kjo ndodhi sepse një mjet i thjeshtë i transportit publik sic është aeroplani i transtportit të udhëtarëve u kthye në një armë vrasëse masive . Ky mentalitet u përpunu e u përhap nga mendje njerzore primitive, të cmendura, antihumane si Osaman Bin Laden, alkaida etj. Por më e keqja është se ai u këthye në një teori e praktikë, një eksperiencë shumë negative , të frikëshme dhe shumë të rrezikëshme për të sotmen dhe të ardhmen e krejt njerzimit.
Në kohen që dy gradacelet gjigande gërvshtnin qiellin e NY, pata blerë një gravatë në të cilën ishin pikturuar ata në ngjyrat e flamurit amerikan. Këtë gravatë tashmë e përdoroj vetëm një herë në vit më 11 shtator. Në pjesën e prapme kam ngjitur një shënim”REMEMBER” që në shqip do të thotë “kujtoj”. Sa herë që familjarët, miqt dhe kalimtarët e rastit shprehin ndjesi për të , unë e kthej nga prapa duke ju cfaqur”REMEMBER”. Këtë zakon të përvitshëm do ta bëj sa te jemë gjallë në kujtim të atyre që humbën jetën dhe në kujtim të qytetit tim të dashur NY.