• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe Vjosa Osmani

September 7, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/

Me 6 tetor 2019, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.Lidhja Demokratike e Kosovës kandidoi znj.Vjosa Osmanin për kryeministre të Qeverisë së Kosovës. Referencat e saja të larta profesionale, shkencore, politike dhe dëshmia patriotike e rekomandojnë atë si kandidaten më të mirë  për kryeministre, për çka meriton mbështetjen e shumicës së  trupit elektorial të Kosovës.

Të dhënat e saja biografike tregojnë: Vjosa Osmani e ka kryer fakultetin juridik në Prishtinë me sukses të shkëlqyeshëm, si dhe studimet për master dhe doktoraturën në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë nga Universiteti i Pitsburgut: me Çmimin “Excellence  For The Future Aëard” dhe me Çmimin Sheth Internacional Achievement Aëard”, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut. Po ashtu është ligjeruese në dy Universitete: Prishtinë dhe  Pitsburg.

Ajo ka qenë shefe e stafit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu; pjesë e palës shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës. Për tri mandate deputetja më e votuar e Palamentit të Kosovës. Si politikane është e treguar: e aftë, objektive, guximtare, vizionare dhe e vendosur për  ruajtjen dhe mbrojtjen e  tërësisë territoriale të Kosovës dhe të sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës. Në angazhimin e saj politik është treguar luftare energjike kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa në anën tjetër, është ithtare për ndërtimin dhe funksionimin konsekuent të pushtetit ligjor dhe kushtetues.

Ka qenë Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investme strategjike; kryetare e Komisionit për integrime Evropiane; nënkrytare e Komisionit për Reforma kushtetuese në Kosovë.

Ajo nuk ka hipoteka nga e kalura e luftës së Kosovës,  kundra saj nuk mund të ngritet, aktakuza apo aktpadi për krime të luftës, e që është me rëndësi për ndërkombëtarët që politika shtetërore e Kosovës të lirohet  nga komandantët e luftës. Nga personat e tillë, tashmë janë  të lodhur dhe qytetarët e Kosovës, meqenëse për sfidat e kohës së re bashkëkohore dhe për ndertimin e shtetit modern të Kosovës, është i nevojshëm një profil tjetër i ri i kuadrave – ekperteve të dëshmuar në fusha të ndryshme, me vizone dhe mundësi të reja.  

Më në fund znj.Vjosa Osmani i takon moshës së re, andaj ka dhe energji fizike dhe intelektuale të konsiderueshme, si dhe cilësi karizmatike për të drejtuar Qeverin e Kosovës  dhe të zhvillimit të Dialogut, Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellët shtetërore. Gjithë ashtu, zgjedhja e saj për kryeministre, paraqet dhe një akt me rëndësi të barazisë gjinore dhe të emancipimit politik më të madh të gruas  shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Nike Gashaj-Vjosa Osmani-Zgjedhjet ne Kosove

……nëse/

September 7, 2019 by dgreca

Rudyard Kipling*/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Nëse kokën tënde e ruan
Kur të gjithë rreth teje
Të vetën e humbasin
Dhe të fajësojnë ty,
Nëse i beson vetes
Kur të gjithë të dyshojnë,
Pa harruar se je
Nën dyshimin e tyre;

Nëse mund të presësh
Dhe të mos lodhesh duke pritur,
Ose i gënjyer,
Mos u merr me gënjeshtra,
Duke qenë i urryer
Mos i hap udhë urrejtjes,
Dhe megjithatë,
Mos u duk shumë mirë,
As mos u trego i mbimençur;

Nëse mund të ëndërrosh –
Mos e bëj ëndërrën zotin tënd;
Nëse mund të mendosh –
Mos e bēj mendimin qëllimin tënd,
Nëse mund të takohesh
Me triumfin dhe shkatërrimin
Trajtoji të dy njësoj;

Nëse dëgjon të vërtetën
Të Shtrembëruar nga kamxhikët,
Ose shikon gjërat
Që të dhanë jetën, të prishura,
Mblidh veten dhe ndërto
Me ato që të kanë mbetur;

Nëse fitimeve e grumbulluara
Një ditë i humbet të gjitha
Nis përsëri në fillimet e tua,
Dhe kurrë mos nxirr një fjalë
Për humbjen që ke pësuar;

Nëse forcon zemrën
Dhe mendjen tënde
Për të dalë nga fatkeqësia
Shumë kohë pasi ajo zhduket
Kështu vazhdo
Edhe nëse asgjë nuk ke
Përveç Vullnetit që të thotë: ‘Qëndro!’…..

—-
*Joseph Rudyard Kipling (1865 – 1936) gazetar anglez, shkrimtar i tregimeve të shkurtra, poet dhe novelist. U lind në Indi, ku u frymëzua për shumë nga krijimet e tij.
Reputacioni i Kiplingut ka ndryshuar me klimën politike dhe shoqërore të epokës. Kritikat ndaj tij vazhduan për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. George Orwell e shihte Kipling si “imperialist agresiv”, i cili ishte “moralisht i pandjeshëm dhe estetikisht i pështirë”.
Kritiku letrar Douglas Kerr shkruan: “Kipling është një autor që mund të frymëzojë mosmarrëveshje pasionante dhe përcaktimi i vendit të tij në historinë letrare është larg nga zgjidhja….Ai njihet si i pakrahasueshëm, interpretues i diskutueshëm i mënyrës sesi u përjetua perandoria britanike. Kjo dhe një njohje në rritje e tregimtarisë së tij të jashtëzakonshme, e bëjnë Kipling një forcë për t’u llogaritur” (Kerr)

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi-...nëse/Rudyard Kipling

HISTORIA E FSHEHTË E KRIZËS SË QEVERISË…

September 7, 2019 by dgreca

  • PO TË MOS KETË QËNË NJË E PAPRITUR?/

Nga FRANCESCO VERDERAMI/ PERKTHEU:EUGJEN MERLIKA/

            Po nëse “kriza më e marrë e botës” të mos ketë qënë një e papritur? Të mos ketë gjetur asnjërin të papregatitur? Sepse duke ripërshkuar muajin që ka ndryshuar rrjedhën e politikës dhe ngjyrën e qeverisë, dallohen kaqë shumë tregues sa që është e vështirë të mos ngrihen në prova. Salvini prishet formalisht me grilinët më 8 gusht, kur tashmë kishin ndodhur shumë gjëra.Më 16 korrikverdh-jeshilët ishin ndarë në votimin mbi kryesinë e Komisionit evropian. Zgjedhja e popullores von der Leyen me ndihmën e PD dhe L5Yje nuk quhej atëherë si akti i lindjes së një shumice të re, por mbas më pak se një jave (më 22 korrik) demokrati Franceschini i lëshonte Corrieres një intervistë, në të cilën pohonte se “Pesëyjet janë të ndryshëm nga Lega”, e i bënte thirrje Kontes dhe Fikos duke thënë se “së bashku mund të mbrojmë disa vlera”.

            Zjarri pengues i Di Maios dhe Rencit linte të hamendësohej se kishte qënënjë e shtënë me fishek mësimor.  Por dy ditë më vonë në Senat kryeministri, veç fjalëve për Salvinin dhe Russiagate, lajmëronte se”në atë kuvend do të kthehej  nëse do të kishte një ndërprerje të parakohëshme të detyrës së tij”. “Konte kërkon vota për një shumicë të re, siç kërkohen kërpudhat në Trentino”, komentonte drejtuesi i Legës. Ai nuk mund  të mos dinte se çfarë po ndodhte e, mbi të gjitha, se si do të kundërvepronte Konte-ja kur më 8 gusht do t’i kërkontedorëheqjen për të shkuar në votime: të shtirej si i habitur para se t’u kërkonte parlamentarëve”të ngrinin b…” e të ktheheshin në Romë për të votuar propozimin e mosbesimit, ishte pjesë e lojës.

            Kështu “kriza më e marrë e botës”duket sot si një krizë e drejtuar, sepse në fakt “ka qënë një bejleg – siç tregon një përfaqësues i rëndësishëm i PD – ndërmjet dy basteve: nga njëra anë Salvini që vinte bast se nuk do të arrinim në kohë për të ndërtuar një shumicë të re; nga ana tjetër ne që për atë shumicë kishim filluar të punonim, duke vënë bast se Salvini do të hapte krizën brënda verës”. Me që bëhej fjalë për dy baste përfundimi nuk ishte i parashikueshëm. Dhe ecja nuk ishte në vijë të drejtë. Në PD Zingaretti ishte i tunduar nga zgjedhjet, mbasi mendimi i tij ishte se Salvini do t’i kishte fituar ato, por do të thyente kokën me Financiaren. Në parti u desh t’a bindnin se “nuk mund të rrezikonin të shihnin një Itali të orbanizuar”. Jashtë partisë Prodi e D’Alema, Veltroni dhe Amato e bombarduan me telefonata. “Mirë”, ishte përgjigjur më së fundi sekretari i PD: “Por me një kusht: më parë duhet të flasë publikisht Renzi”. Dhe Renzi më 11 gusht, tri ditë mbas hapjes së krizës, u shpreh në Corriere: “Do të ishte çmënduri të votohej menjëherë”.  

            Ja se çfarë e alarmon Salvinin, që pasi ka kërkuar votimet dhe “fuqitë e plota” për të qeverisur, ndruhet se do t’a humbasë bastin e fillon të miklojë përsëri Di Maion. Sepse balli tjetër, ai grilini, është i ndarë. PD nuk i mjafton vetëm Fiko, që don të mbarojë “makthi populist i së djathtës”, por është në pakicë përpara Di Maios dhe Casaleggio-s, kundërshtarë të një marrëveshjeje me demokratët që “do të shkaktonte revolucionin ndërmjet militantëve tanë”. Në këtë pikë hyn në fushë Grillo, roli i të cilit do të jetë përcaktues. Më 20 gusht Konte ngjitet në Quirinale për dorëheqjen, mbas takimit të grilinëve të dy ditëve më parë në banesën e themeluesit të Lëvizjes. E din që është i rish ngarkuari me zemër i L5Y, i fortë me fjalën e tij në Senat që në pak orë ka 12 milionë kontakte: një rekord pamjesh.

            Në këshillimet, është 23 gusht, Salvini provon kartën e dëshpërimit dhe propozon Di Maion si kryeministër i mundshëm i një qeverie të re verdh-jeshile. Por Grillo e ka hapur brazdën dhe Konte më 24 gusht e mbron: “Kurrë më me Legën”. Dhe posa Di Maio provon të ndërrojë rrugë  mendon Grillo t’a fshikullojë: “Mjaft më me pika programi që dyfishohen si pikët e Standës”. Ja si lind qeveria më e prirur nga e majta në çastin që Italia duket më e anuar djathtas. Nuk është e sigurtë që Konte-dy do të arrijë deri në fundin e natyrshëm të legjislaturës, por basti (një tjetër) është që legjislatura do të arrijë në fundin e saj të natyrshëm.

            “Corriere della Sera”, 5 gusht 2019        E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Historia e Fshehte-Kriza Qeveritare-Eugjen Merlika

PREOKUPIM I VAZHDUESHËM PËR STATUSIN E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

September 6, 2019 by dgreca

Nga Dr.Nail  Draga/

Pas rënies së sistemit monist  në  lidhje me shqiptarët në Mal të Zi  nga autor të profileve të ndryshme shkencore, artistike e kulturore opinionit i janë prezantuar  botime të fushave të ndryshme. Kemi të bëjmë me botime shumëdimensionale në  kohën e pluralizmit, duke dëshmuar se kemi të bëjmë më autor të cilët në monizëm e kishin të mohuar një mundësi të tillë   për rreth pesë dekada. Në  gamën e gjerë të  botimeve nuk kanë munguar edhe ata nga fusha e publicistikës duke sjellur risi në trajtimin e çështjeve përkatëse sidomos  mbi pozitën e statusin e shqiptarëve në këtë mjedis.  

Pas librit të parë “Diaspora dhe vendlindja” botuar në vitin 2011, kohë më parë Xheladin Zeneli i paraqitet opinionit me librin me të ri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar”. Kemi të bëjmë me një përmbledhje të artikujve publicistikë, të cilat autori i ka shkruar dhe botuar viteve të fundit në mediat e shkruara apo portalet e rrjetëve sociale. 

Vet titulli i këtij botimi është intrigues për lexuesin sepse kemi të bëjmë kryesisht me pjesëtarët e popullit shqiptarë në Mal të Zi, të cilët kanë sfiduar rrethanat shoqërore të kohës për të mbijetuar në hapësirën e tyre etnogjeografike. Dhe një çështje e tillë vazhdimisht ka qenë dhe mbetet  preokupuese për studiues profileve të ndryshme, ku nuk mungojnë botimet  edhe nga fusha e publicistikës. 

Ndonëse i larguar nga vendlindja ai nuk ka qenë statist sepse interesimi i autorit për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi ka vazhduar edhe në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork në  mjedisin e ri ku është vendosur në fund të vitit 1991.Një veprim i tillë paraqet rast të veçantë, jo vetëm për diasporën por nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një person me qasje intelektuale, andaj edhe artikujt, analizat  dhe komentet e publikuara në mediat e shkruara apo portalet e ndryshme,  dëshmojnë seriozitetin dhe  shqetësimin e vazhdueshëm, çështje kjo preokupuese për autorin e këtij libri.

Qasja e autorit është shumëdimensionale sepse vetëm si e tillë mund të trajtohet çështja shqiptare në Mal të Zi edhe në kohën e pluralizmit. Pa mohuar të arriturat të cilat janë pothuaj kozmetike, autori trajton identitetin e shqiptarëve në aspektin arsimor, kulturor, informativ e ate politik. Janë këto fusha të cilat mund të shkruhet gjatë  dhe me argumente, që dëshmojnë për pozitën  dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. 

Si rrallë kush deri më tash autori në disa tekste thekson  Deklaratën për Drejtat e Popujve Autokton  e miratuar nga Organizata e Kombëve të Bashkuara, çështje kjo e cila nuk është marrë në shqyrtim asnjëherë nga asnjë parti politike nacionale te shqiptarëve në Mal të Zi. E dhëna së një Deklaratë e tillë vlen vetëm për në shqiptarët si popull autokton në Mal të Zi, ka peshë të veçantë, andaj meriton analizë të veçantë, që duhet të jetë obligative edhe për Malin e Zi. Nga ana tjetër duke e marrë parasysh se ne shqiptarët jemi i vetëm  popull me përkatësi jo sllave, është një argument plus, që shqiptarët këtu duhet të kenë  tretman të veçantë, si qytetarët e një vendi multinacional e multigjuhësor, por me specifikat e veta kombëtare. Një veprim i tillë, do të ishte digë qasjeve mohuese të qeverive në Mal të Zi, si në të kaluarën edhe në ditët tona, sepse ka tendenca të asimilimit kombëtar dhe të atij politik. 

Duke lexuar artikujt e ndryshëm në këtë libër, del qartë shqetësimi i autorit në aspektin politik,            ku shqiptarët me një numër të vogël banorësh kanë numër të madh të subjektëve politike, të cilat gjoja janë formuar për avancimin e çështjes shqiptare në këtë vend. Ndërsa pas tyre viteve në pluralizëm, çdo gjë është transparente dhe e qartë për çdo kend, se disa subjekte politike janë formuar për interesa të ngushta personale e klanore, që nuk është në favor të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa mungesa e një platforme të përbashkët politike për çështjet jetike në nivel shteti  është dëshmi e mungesës së seriozitetit ndaj çështjes shqiptare në këtë mjedis. Andaj, nuk është  për tu çuditur së shqiptarët në zgjedhjet shtetërore dalin jo të unifikuar në një listë zgjedhore, por në disa të tilla, nga del se kemi rezultate dëshpruese, pa përfaqësim dinjitoz në parlamentin e Malit të Zi.

Autori po ashtu trajton edhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, në sajë të kontakteve me personalitete të rëndësishme të jetës politike në SHBA, çështje kjo e cila ka një vazhdimësi, duke filluar me kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane z.Joseph Dioguardin, por edhe kongresmen e senator të nderuar të senatit e kongresit amerikan. Duhet cekur me këtë rast dëshminë në Kongresin Amerikan me 30 tetor 2003, të udhëhequr nga kongresmeni dhe miku i shqiptarëve Tom Lantos, ku folës ishim tre shqiptarë nga Mali i Zi. Duke marrë parasysh se statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, është duke ngecur, jo sipas dinamikës së dëshiruar, sepse nuk ekziston vullneti politik i pushtetit,  faktori ndërkombëtar mbeten gjithnjë adresë e obligueshme, sidomos për mjediset me demokraci të pakonsoliduar.

Madje, çdo artikull i prezentuar në këtë botim paraqet një temë të veçantë që meriton analizë sepse kemi të bëjmë me një mjedis i cili vuan nga mentaliteti i kohës së monizmit, ku ndonëse në pluralizëm ende mungon  kapaciteti dhe vullneti politik i pushtetit për avancime demokratike sipas standardëve ndërkombëtare.

Pikërisht duke marrë parasysh çështjet e trajtuara të cilat kërkojnë zgjidhje këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë e ne veçanti ata që janë pjesë e strukturave të ndryshme politike, sepse kanë informacione të natyrave të ndryshme që janë të nevojshme për takime kur diskutohet për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. 

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një libër të shkruar nga një autor i cili edhe vet ishte pjesë e fillimeve të pluralizmit  politik në Mal të Zi,  dëshmon seriozitetin në qasjen e çështjeve të cilat janë preokupuese për shqiptarët në këtë mjedis në të kaluarën dhe në ditët tona.

Libri “Shqiptarët në Mal të Zi-popull i rrezikuar”i shkruar nga bashkëvendasi ynë i cili jeton në diasporë, është shembull se si duhet  trajtuar çështjet e identitetit, në këtë kohë te tranzicionit shoqëror  të kohës së pluralizmit, duke mos qendruar pasiv, por aktiv sikurse të jetonte në vendlindje, që paraqet rast të veçantë  në diasporën shqiptare.

Andaj, duke marrë parasysh ate qe u tha më lartë  këtë libër e vlerësojmë  një kontribut me vlerë për ndriçimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, ku autori prezanton pikëpamjet  dhe jep  rekomandime për avancimin e çështjeve përkatëse ku e them pa hezitim se  do të jetë i mirë se ardhur për opinion e gjerë shoqëror.

Dr.Nail  Draga

(Lexuar më rastin e përurimit të librit  në Ulqin, me 12 gusht 2019)*Xheladin Zeneli, SHQIPTARËT NË MAL TË ZI-POPULL I RREZIKUAR,Botoi: Art Club, Ulqin, 2019

Filed Under: Histori Tagged With: Nail Draga-Shqiptaret ne Mal te Zi-Xheladin Zeneli

Kur njeriut i vritet liria, prona, e drejta dhe e vërteta, ai përjeton vdekjen shpirtërore…

September 6, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/

SHENIM/

Duke lexuar disa gazeta që botohen në Shqipëri dhe komentet që u shtohen shumë artikujve, nuk ka si të mos mendojë njeriu se shumë ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe bij të tyre nuk duan të kuptojnë se gjatë kohës së diktaturës u kryen shumë krime të panevojshme që duhen dënuar. Ata nuk e kuptojnë se nuk është krim vetëm kur vritet padrejtësisht një njeri, por edhe kur njeriut i vritet liria, kur i merret prona që e ka vënë me punën e djersën e disa brezave, kur i mohohet e drejta dhe e vërteta. Kur njeriut i vritet liria, prona, e drejta dhe e vërteta, ai përjeton vdekjen shpirtërore që është e barabartë me vdekjen fizike. Diktatura komuniste ua vrau shumicës së shqiptarëve liritë dhe të drejtat njerëzore (lirinë e besimit, lirinë e fjalës, lirinë e lëvizjes, lirinë e organizimit të partive politike, lirinë e tubimit, të grevës, etj). Me të tilla krime diktatura komuniste vrau moralin dhe shkatërroi sistemin e vlerave njerëzore në ndërgjegjen e shqiptarit. Prandaj “njeriu i ri i socializmit”, që përbën pjesën dërmuese të klasës së sotme politike, që sundon Shqipërinë me metoda neokomuniste, është një qenie pa moral, që nuk përiqet për të dënuar krimin komunist, por lufton kryesisht për interesat e veta, interesa që janë të lidhura me klanin Hoxha që e krijoi dhe e ndërdor (manipulon).

Në një të ardhme të afërt të gjithë këta shqiptarë që nuk duan t’i njohin e t’i dënojnë krimet e komunizmit, do të ngjallin neveri tek pasardhësit e popullit tonë, madje dhe te pasardhësit e tyre, sepse Shqipëria do t’i bashkohet Europës dhe shqiptari do të ketë një mentalitet europiano-perëndimor, që është i kundërt me mentalitetin komunist e neokomunist…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Thanas Gjika-Vrasja e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT