• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Haradinaj, nga vizita në Amerikë kthehet në Kosovë

September 27, 2019 by dgreca

PRISHTINË, 26 Shtator 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas kthimit nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një konferencë për media, tha se në Nju Jork është takuar me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, i ngarkuar për Ballkanin, që nënkupton çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është takuar edhe me Përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen.


“Me z. Palmer ishte pjesa bilaterale Kosovë-Amerikë, rajoni dhe sfidat që na presin në të ardhmen, mundësia e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se për tema të njëjta ka biseduar edhe me z. Heusgen.

Në SHBA, kryeministri në detyrë Haradinaj ka takuar edhe bashkatdhetarët, të cilët i ka nderuar për angazhimin e tyre të vazhdueshëm për të mirën e Kosovës.
“Ata vërtet meritojnë falënderim, sepse e kanë lartësuar të drejtën e shqiptarëve në Amerikë, njëkohësisht i kanë ndihmuar Amerikës që ta kuptojnë këtë të drejtë dhe të na përkrahë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Duke e komentuar vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se vizita e tij atje ka qenë shumë e rëndësishme për t’i qartësuar pozicionet e Kosovës si kryetar qeverie, por edhe si lider politik i vendit, qëndrime të qarta, tashmë më të njohura dhe më të respektuara kundër lëvizjes me kufij dhe kundër ndarjes.


“Ka qenë me rëndësi edhe tash me qenë atje pasi edhe presidenti Vuçiq, edhe Serbia dhe gjithë të tjerët janë jashtëzakonisht aktiv. Njëkohësisht ka qenë me rëndësi që të flasim edhe për pamundësinë që Kosova të adoptojë ndonjë model sikurse Bosnja në të ardhmen. Pra ka qenë tepër e rëndësishme me qenë atje, sepse është moment kur bëhen shumë komunikime dhe nëse të gjithë ata shkojnë prej këtyre komunikimeve pa ndonjë pikëpamje të duhur, atëherë zhvillimet po marrin një drejtim të gabuar dhe më vonë po është shumë vështirë korrigjimi i tyre, si rasti i mëhershëm i idesë së shkëmbimit të territoreve ose ndërrimit të kufijve që nuk ka qenë lehtë përballja me atë ide”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.


Në përgjigjen e kryeministrit në detyrë Haradinaj dhënë gazetarëve në konferencën për media, rreth fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, tha se është gabim drejtimi që ka marrë presidenti Vuçiq dhe se ideja që ne duhet të marrim njohje duke dhënë diçka, ende është në tavolinë. “Mirëpo ai nuk është duke e penguar Kosovën, por ai po e pengon Serbinë dhe kështu nuk do ta lejojë ecjen përpara të vendit të tij drejt BE-së apo ndonjë zhvillimi tjetër duke e penguar Kosovën dhe se këtë ia kanë bërë me dije në Berlin, por edhe në Nju Jork”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se projektet për ndarje dhe lëvizjen e kufijve kanë dështuar dhe do të dështojë edhe projekti i ndonjë Dodik Republike nëse dikush merr drejtim të gabuar.
Ndërkaq, sa i përket taksës, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se taksa mund të jetë ndërrimi për njohje./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj-SHBA-Prishtine

Reformatori Damo Tërmeti

September 27, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën”. Këto janë fjalët e Damian Gjiknurit, ministër në atë kohë, tashmë negociator a kryesues i bisedimeve në një tryezë të gjerë me inisiativën e Europës për reformën zgjedhore. Nuk ka paradoks më të madh kur dëgjon dhe shikon që bash ky Damian Gjiknuri është kryenegociatori për reformën zgjedhore. Jemi totalisht paradoksal dhe nuk e di se përse ankoheni për kushtet që vë parlamenti gjerman. Nuk e di përse kërkoni fajin tek opozita etj. Apo dilni studiove dhe i quani të plotësuara të gjitha këto kushte, i quani lehtësisht të mundshme për t’u plotësuar kur një deputet gjerman klith në mes të natës se nuk na gënjeni dot duke dënuar me shpërdorim detyre një ministër të implikuar në kanabizimin e vendit. Dhe ndjesë për fjalorin por a ishte ky Gjiknuri që thërriste në telefon, -”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën”?

Pra ia kishte lëruar nënën blerjes së votave, ishte ky që doli gafil në video përgjimet e Bild-it, apo jo? Ndërkohë a e dini se në bazë të legjislacionit shqiptar, vjedhja e votës përbën shkelje ligji dhe është e dënushme. Dhe ju e pranoni pikërisht një të kapur flagrant në shkelje të ligjit si negociator. Dhe pretendoni të shkoj vaj çelja e negociatave duke ofruar persona të tillë për negociata reformash?! Jemi kryekëput absurd dhe nuk e di se ku e gjejmë këtë forcë paturpësie për t’i folur njerëzve. Përfshi këtu së pari vet Damianin, së dyti kryeministrin dhe së treti opozitarizmin që ulet e negocion me të denoncuarin për vjedhje vote. Dhe nuk e di akoma më keq se auditori se si i dëgjon këta tipa, se si pretendojnë se do ndreqin vendin me kësi tipash.

”I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus”.

Janë fjalët e kryenegociatorit për reformën zgjedhore, nuk janë fjalët e mia. Pa u futur më në atë përgjegjësinë individuale, të ndjesës, a hapjes së krahut. Vendi jonë është i mbytur nga pseudointelektualët, nga fallciteti i kollareve dhe kostumeve. I kemi me shumicë. Për më tepër e kemi kulturë shtetërore këtë, që një mjekër e parruar një pistoletë në brez, një qylaf dhe jemi burra shteti. Së fundi ricikluam dhe shallvaret dhe atletet adidas. Pra pa ju futur kësaj, por duke u kujtuar se akoma ju mbajnë nervat me kësi surrogatosh, që këtej kapen me presh në dorë, këtej bëjnë progresistin. Si i duroni, sinqerisht nuk e kuptoj. Eshtë një absurd kolektiv që po na shpërbën si komb, si atdhe, si vend.

Nga ana tjetër çirremi studiove për të amdinistruar meritën se kush po ia çel rrugën vendit për t’u bërë pjesë e Europës. Nga Edi Rama i pari që i thotë shqiptarëve se do futemi se ai e ka mikeshë Angelën. Pastaj nga rilindasit e tjerë që hiqen sikur janë të hapur për bashkëpunim dhe se ata kanë pasur të drejtë kur kanë bërë votime monopartiake etj. ”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën” ”I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus”. Janë fjalët e negociatorit të reformës zgjedhore, i gjeni kudo, zë i kulluar. Një shtetar shqiptar i mandatuar për votën tuaj. Pika reformave shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Reformatori- Damo Tërmeti

FERRI I RAMËS DHE FERRI I DANTES

September 27, 2019 by dgreca

           Thonë se pas ardhjes nga Gjermania kryeministrit tonë të ndritur i ka shkrepur të bëjë një shfaqje gala, nga ato që ai i ka shumë qef, në qëndër të Tiranës. Kjo i është bërë kaq fiksim, sa që ka urdhëruar ministren e kulturës dhe drejtoreshën e “Operas” të venë në një skenë masive “Ferrin e Dantes”. Shfaqja kërkohet urgjentisht t’i paraqitet popullit të vet më datë 18 tetor. Të gjithë po vrasin mëndjen dhe Tirana zien nga thashemnaja, pse ky fiksim i kryeministrit me Ferrin. Disa duan të thonë që kjo lidhet me fundin e qeverisjes së tij. Disa të tjerë, për një “Rilindje” të re të qeverisjes së tij pas ardhjes nga Gjermania, por kjo është një Rilindje ndryshe, Rilindje që del nga Ferri. Disa dashamirës të tij shprehin keqardhjen dhe thonë: Po pse xhanëm zgjodhi Ferrin dhe nuk zgjodhi parajsën?!!! Çfarë dreqin do me Ferrin? Jo për për gjë, por na ndjell ters dhe na fut drithmat. Ka të tjerë, që si më të mençëm që janë, thonë se ky, zdapi i gjatë, ka pasur një ëndërr apo një makth të fshehtë që nuk ja ka treguar njeriu, as bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Kush është ajo do të bëheni kureshtar ju. Po jua themi, se tani ka dalë edhe sekreti. Ky ka menduar dhe dëshëruar në mënyrë të ethshme, ku shpesh nuk e zinte gjumi as natën, deri në realizimin e saj të çmendur: O e çoj këtë vend dhe këtë popull në Ferr, o s’gjej derman.

        Zotat kur e kanë marrë vesh këtë çmenduri janë zëmëruar dhe kanë thënë: kush është ky që do të marrë atributet tona? Hajt se ja ndreqin ne ‘samarin’. Po e çojmë këtë të parin të shohë Ferrin, para se se ky të çojë popullin e tij. Thirrën Danten nga Parajsa, atje ku i prehet shpirti i ndritur, dhe meqënëse ai është ekspert i fushës për Ferrin, i kërkuan, që mundësisht, t’u tregonte se në cilët Rrathë të Ferrit ta çonin këtë  “me krisje n’kok” të shqiptarëve. Dantja, pasi pyeti gjërë e gjatë për këtë dhe qeverisjen e tij, bëri një relacion të hollësishëm, të cilin ua paraqiti zotave. Fatmirësisht, nga burimet tona, që rrjedhin pas burimeve të nja dy TV kombëtarë, na ra në dorë edhe ne një kopje  e këtij relacioni “Top Sekret”. Po ua tregojmë.

                                                                               “Top sekret”

                                        R E L A C I ON

        Pas një verifikimi të kujdesshëm dhe të hollësishëm konstatova me keqardhje se ky robzoti, alias kryeministër i shqiptarëve, ka aq shumë gjynahe dhe mëkate sa që asnjë nga rrathët e Ferrit nuk do ta pranonte dot i vetëm. Për këtë nevojitet një bashkëpunim dhe koordinim i të Nëntë Rrathëve të Ferrit, që çuditërisht përputhet me nëntë kushtet që ka vënë Gjermania për të, ku ky robzoti duhet t’i kalojë me rradhë ato duke përfunduar tek i nënti, tek i cili do të qëndrojë përfundimisht dhe do të gjejë rehat, kur Ju, Zotat, do t’i bëni të mundur kalimin në botën tjetër. Edhe Karonti, taksixhiu i Ferrit, është mjaft i kënaqur, pasi kur ta kalojë me barkë për në Ferr, ky do ta paguajë mirë, pasi zotëron miliona Euro nga PPP dhe konçesionet. Tani, sipas bëmave të tij, po i parashtroj me rradhë vendqëndrimet dhe vendkalimet e mundshme të tij në honet e Ferrit.

        Meqënëse i lartëpërmenduni, zotnia e tij ka dashtë që të bëhet mbret dhe të ketë haremin e tij, si strehë të parë i caktoj Rrethin e Dytë të Ferrit, ku si gjykatës do të ketë jo ata që kalojnë vettingun në tokë, por vetë Minosin, Kryetarin e Gjykatës së Lartë të  Ferrit.

        “ Atje Minosi i zi hungron, tërbohet, te praku shqyrton fajet nji nga nji, gjykon, dënon sa herë me bisht qarkohet. Kur ndonjë shpirt i keq i del karshi, vetiu ai çka në zemër nis me nxjerrë; edhe gjykatësi, që mkatet di, peshon ku duhet flakë ai shpirt i bjerrë; bishtin per trup ia lidh aq herë, sa t’ketë ndërmend me e zbritë te rrathët poshtë në Ferr…”[1]

        Meqënëse nga investigimet e bamuna m’del se i lartëpermenduni ka pasur një babëzi të madhe për pasuri e katandi, si strehë të dytë i caktoj Rrethin e Katërt të Ferrit.

        “ Sa tallje e shkurtë janë t’mirat toksore, që Fati ka në dorë, po e sheh bir vetë; për to perleshet skota njerzore. Se i gjithë ari , që ish o mund të jetë nën diell e hanë, për shpirtnat e dërmuem nuk vlen një ças me i ba të qetë…”[2]

         Meqënëse nga investigimet e bamuna m’del se i lartëpërmenduni në momente krize pushteti dhe mendore ka shfaq shenja të kjarta tiranie, si strehë të  tretë i caktoj Brezin e Parë të Rrethit të Shtatë të Ferrit.

        “…ku n’gjak të ndytë tue u zi vikatshin shpirtnat e dënuem. Pashë aty njerëz der n’vetlla zhytë; Kentauri (Kironi) tha: “Tiranë këtu ke plot, që tue plaçkitë çuen jetën e tue mbytë; çdo dhunë barbare laknë këtu me lot” …”[3]

        Meqënëse nga investigimet e bamuna m’del se i lartëpërmenduni, pa pyet njeri dhe në kokshkrepje të vet, me fodullëk dhe pordhacllëk, ka kryer veprime të vetëdijshme kundër natyrës: Ka betonizuar Tiranën dhe gjithë Shqipërinë; ka dhënë koncesione, ose nuk i ka ndalur ato të dhëna nga paraardhësi, për HEC-e në vendqëndrimet tuaja të dashtun zota, si në Alpet dhe malcina në veri dhe jug  të Shqypnisë, tuj shkatërru ato që keni ndërtu ju me aq mund; duke mbyll burimet e zanave dhe shtojzovalleve nëpër tuba të fshehtë, gjë për të cilën ka marr mësime nga djalli; me vullnet të lirë vendosa që ky robzoti e ka hak të zbresë edhe një brez ma poshtë në honet e Ferrit, pra në Brezin e Tretë të Rrethit të Shtatë.

        “Ja bisha me të mprehtin bisht të gjatë që malet çan, rrxon ledhe t’armatueme, ajo që përlyn botën me lëngatë!” Shëmbllesa e turpshme e njimtisë arriti, me kokë e trup përmbi shkambij tue u rrasë…Me njeri t’drejtë ftyra i kishte gjasë e mirsi të prunjtë nxirrte në pah, gjithë pjesa tjetër-gjarpën i pamasë;…”[4]

        Kemi mbrrit në Rrethin e Tetë të Ferrit ku në dhjetë Lugje janë mbshtjell të gjithë ata që mishërojnë gjthë veset e skotës njerzore, ku edhe ky, i paudhi që na asht dhanë n’kqyrje, asht shok i tyne si: Mashtruesit dhe rrufjanët, simoniakët, batakçinjtë, hipokritët, hajdutët, mbjellsit e dasive, fallsifikuesit e fjalëve (demagogët) dhe gënjeshtarët.

        “Simon o magjistar, ndjeksa qyqarë, gjanat e Perëndisë ju nuk i keni për hir dhe mirësi, por grabitqarë për ar e për argjend po na i shkërdheni…kshtu ftyra u kishte dalë në shpinë; tue ecë sëprapthi rruga duhej ba,-para me kqyrë ua kishin heq mundsinë…pa qa si të qëndroja nga shëmtija që pamja njerzore kish pësue, ku papushim rrëkajë u rridhnin lotë për lugtë shpinës n’vithe tue kullue…kshtu, jo me zjarrm,-me forcë të Perëndisë,-e trashë vishtullore n’pellg valonte nga njani bregte tjetri e zeza pisë (zifti,katrani)…N’daç me shpëtue nga çapojtë tanë e kryet mos qit mbi pisë (zift i valuem) as sot as mot. Ia ngjitën me ’j qind krraba e në atë rrëmujë i thane: “tash vallzo ti zhyt e mbyt; fshehtas ashtu, n’mujsh me ia hjedhë kuj.”…e ai byth’n e vet e kishte ba buri…Pashë dy, që u ngritën ndejë tue u mbështet si dy tava mbi zjarr vendosun ngjit, n’dregza t’neveritshme trupin krejt…si i pashë të dy tue u krue me t’madh tërbim, kah mishi u hante n’mënyr barbare, në u dhashtë veçse lënurja lehtësim! Lëkurën e zgjebosun shkulnin fare, si t’qërosh me thik ndo’jher të ngjan krap o peshk tjetër me ma t’forta pare (luspa)…”[5]

        Në përfundim, nga investigimet e bamuna m’del se i lartëpërmenduni, pasi të futet thellë e ma thellë në tetë honet e Ferrit duhet të ndalet në fund të këtij pusi të zi, në Rrethin e Nandë të Ferrit. Po për këtë, për të arritë fundin, duhet të ndalet në disa breza:

  • Mashtruesit e atyne që të besojnë (Populli dhe votuesit).
  • Tradhëtarët e miqve dhe të bamirësve.
  • Tradhëtarët e pushtetit hyjnor dhe atij toksor.
  • Tradhëtarët e Atdheut

        “…kur thellsia e mendimit puqet me forcë brutale e ligësi, asnjë shpëtim s’i mbet njerëzimit…Oh, sa u trondita thellë, kur pashë me sy se tri ftyra n’atë kokë ishin rradhitë! (Luçiferri, Satanai me tri kokë, Cerberi ) Ngrica Koçitin mbarë e akullote, gjashtë sytë (Juda Iskarioti, Bruti dhe Kasi) e mdhej vajtonin pa pushue, e nga tri mjekrat – gjak e jarg e lote. Nga nji kobtar me dhambë rrinte tue blue në gjithsecilën gojë, mulli si t’ishte hatashëm të tre shpirtnat tue mundue…Ai shpirt atje që për tmerr ndëshkohet, asht Juda Iskariot – kryet – mbrenda në gojë, e jashtë me këmbë tërbohet. Nga dy tjerët, që u varet koka e mjerë, njani asht Bruti, jashtë të zezës gojë ka mbetë, shih si shkapetet e s’bërtet njëherë…”[6].

        Ky është relacioni i përgatitur nga Dantja, të cilin ai menjëherë ua dorëzoi zotave. Tani pritet që vendimi suprem të merret nga ata.

        Kuptohet, që dashamirësit e shkëlqesisë së tij, kryeministrit tonë të ndritur, mund të më thonë. Po ti kush je që na caktoke rradhë për të tjerët?  Ti nuk kë bërë ndonjë mëkat? Unë u përgjigjem me përvujtni dhe u them, se edhe unë jam një rob i perëndisë, me plot gjynahe dhe mëkate. Pastaj, rradhën nuk e caktova unë, por Danteja. Mëkati im i vetëm është se gjeta këtë dreq relacion sekret.

        Por unë nuk jam as politikan dhe as kryeministër. Megjithatë, mos kujtoni se e kam lënë veten pas dore këtë punë. Kam dy vjet që i kam bërë kërkesë me shkrim Shën Pjetrit (pasi më kanë thënë se ky duhet zënë mik për të komunikuar me zotat) ku i kërkoj me përulësi, që mundësisht, kur të më vijë rradha për në atë botë (dhe duke përfituar nga rasti, i kërkoj që të më çojë jashtë rradhe) të më çojë në Ferr. Pse, edhe ti do të shkosh në Ferr?!! Mund të më thoni ju.  Po, po,  u  përgjigjem unë. Madje me qejf të madh. Se po të ishte ndryshe, kuptohet, që nuk do të bëja kërkesë.

        Tani, nëqoftëse jeni kureshtar, po u tregoj edhe një sekret, apo hollësi. Rrethin e Ferrit ku unë kam dëshirë të prehem. Në kërkesën time Shën Pjetrit, kuptohet me mik, i kam kërkuar të më çojë në Rrethin e Parë të Ferrit. Jo se është më mirë, pasi Ferri –Ferr- mbetet. Por nisur edhe nga fakti, se këto tridhjetë vjet, këta të mavrisurit, politikanët tanë, ua kanë bërë jetën ferr të gjithë shqiptarëve. Pra kuptohet, që ne jemi ambientuar me ferrin dhe nuk duam në vend tjetër. Nëqoftëse tek i pari janë zënë vendet, atëhere, mundësisht tek i gjashti, që më kanë thënë se ka vende të lira.

        Tani përsëri ju mund të thoni: Pse tek i gjashti dhe jo tek ndonjë tjetër? Përgjigja është e thjeshtë, se rrathët e tjerë janë dinga dhe mëkatarët janë bërë kapicë. Ndoshta, edhe ndonjë nga ju, që më pyesni, e keni vendin tek ndonjë nga ata. Psh, meqënëse unë asnjëherë nuk kam qënë konformist, apo servil dhe lajkatar, siç thotë populli; nuk më çon njeri në Rrethin e Tetë. Atje shumë mirë mund të venë ata që e mbajnë në këmbë këtë kryeministër, lajkatarët, servilët dhe gjithë oborrtarët e tjerë.

        Ja se çfarë thotë Danteja për këtë skotë të urryer të racës njerzore, të cilën e vendos në Lugjen e Dytë të Rrethit të Tetë të Ferrit:

“Si myku ngjeshej brigjeve për t’gjatë avulli i dendun që nga fundi afshon-t’vinte me vjellë tue pa e tue nuhat…Mbrijtëm aty e pamë në  atë humnerë njerz zhyt në m…, thue se këtu kanë shfrye gjirizet e mbarë botës menjëherë…”Miklimet m’hodhën n’këtë gjiriz t’pështirë, kjo gjuhë kurr s’më pushoi lajka të qesë.”[7]

Petro Dangëllia   dt.26.09.2019


[1] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG,2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi Ferri,K.V,v.4-12,f,46

[2] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009, Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.VII,v.61-66,f,57

[3] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.XII,v.101-106,f,82

[4] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.XVII,v.1-12,f,105

[5] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.XIX,v.1-4,f,115;K.XX,v.13-24,f,120;K.XXI,v.16-18,50-54,139,f,125,126,129;K.XXIX,v.73-84,f,171. 

[6] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.XXXI,v.55-57,f,182; K.XXXIV,v.37-38,52-57,61-66,f.197-198 

[7] Dante Aligeri,“Komedia Hyjnore”.Bot.Shq.Argeta-LMG, 2009,Përkth.lat.Pashko Gjeçi, Ferri,K.XVIII,v.106-108,112-114,125-126,f,113-114;  

Filed Under: Analiza Tagged With: Petro Dangellia-Ferri-Dante-Edi Rama

NJERIU DHE…

September 27, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Njeriu, që nga koha kur fillon të kuptojë, ndiqet nga kundërthënie e paradokse; ai mendon se një ditë do të vdesë, por sillet sikur nuk do të vdesë kurrë; kur e sheh veten si qenie shpirtërore, ai është vërtetë i pavdekshëm, por nëse e mendon veten si materie, ai në fakt sheh vetëm gjysmën e vetvetes.
Njeriu provon kaq shumë gabime, kaq shumë pakënaqësi dhe kaq shumë dështimeve, dhe nuk është i gatshëm të pranojë përgjegjësitë e veta të jetës, e cila mbart me vete nevojën e vetë-analizës, vetë-korrigjimit dhe vetë-përmirësimit. Pa këto gjëra ai qëndron në dy këmbë, ecën në kohë, por nuk shkon gjëkundi.
Megjithatë, njeriu mund të bëjë çdo gjë. Fjalët ‘lehtësi’ e ‘vështirësi’ sikur janë krijuar nga një shtytje e brendshme e mistershme (gjuha), dhe duken si shpikje për ta zmbrapsur e thyer atë. Sepse natyra a kushdoqoftë krijuesi, kurrë nuk kërkojnë të pamundurën nga njeriu, as nuk i japin atij barrë që s’mund ta mbajë. Por atij i duhet të bëjë përpjekje të vetëdijshme për të përmirësuar veten.
Njeriu është një shpirt i mishëruar (frymë e futur në trup). Para mishërimit ai (shpirti) ekzistonte i bashkuar me format fillestare të ideve rreth së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë; duke u ndarë prej tyre, shpirti mishërohet, duke e ruajtur dëshirën për t’u kthyer; idea e para-ekzistencës, e intuitës së paqartë të njeriut për një botë tjetër, lind pikërisht nga kjo dëshirë e shpirtit për t’u mishëruar në botën fizike dhe kthimit të tij përsëri në botën shpirtërore pas daljes nga trupi ose pas vdekjes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi- Njeriu dhe...

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN

September 27, 2019 by dgreca

 SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MIKE POMPEO ANASHKALON SHQIPËRINË DHE KOSOVËN/

Nga Frank SHKRELI/                                           

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) sapo njoftoi zyrtarisht se javën që vjen Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë Ballkanin disa vende të Perëndimor.   Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, kryediplomati amerikan do të fillojë turnerun e tij me një vizitë në Itali dhe në Vatikan dhe pastaj do të ndalojë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, duke e përfunduar vizitën në atë pjesë të Evropës me një vizitë edhe në Athinë të Greqisë.   E gjithë kjo vizitë do të zgjasë nga 1 deri me 6 tetor.

Sipas njoftimit të DASH, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga Shtetet e Bshkuara dhe nga Vatikani, në bashkpunim me disa organizata fetare, ku dhe pritet që Mike Pompeo të mbajë një fjalim me atë rast.   Si pjesë e vizitës së tij në Vatikan, Kryediplomati amerikan do të pritet n[ jk[ audience private nga Papa Françesku dhe do të takohet me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardianlin Parolin dhe me Sekretarin përgjegjës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Kryeipeshkvin Gallagher.

Në Romë Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë Presidentin Italian, Mattarella, Kryeminsitrin Conte dhe Ministrin e jashtë të Italisë, Di Matteo.   Siç dihet, Sekretari Amerikan i Shtetit është me origjinë italiane dhe gjatë qëndrimit të tij në Itali ka vendosur të vizitojë edhe krahinën Abruzzo, prej nga ka prejardhjen familja e tij.

Nga Italia, Kryediplomati Amerikan do të udhtojë për në Ballkanin Perëndiomor, duke u ndaluar në Podgoricë të Malit të Zi, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Gjukanoviq, me Kryeministrin Markoviq dhe me Ministrin e Jashtëm malazez, Darmanoviq.  Nga Podgorica, Mike Pompeo do të shkojë në Shkup të Maqedonisë së Veriut për bisedime me Presidentin e atij vendi, Pendarovski, me Kryeministrin Zaev dhe me zyrtarë të tjerë maqedonas.  Nga Shkupi, ai udhton për në Athinë ku edhe atje do të takohet me udhëheqsit më të lartë të Greqisë, Kryeministrin Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe Ministrine Mbrojtjes Panagiotopoulos.

Ndonëse gjatë këtij turneu, Sekretari Amerikan i Shtetit nuk do të jetë jo më larg se “një vrap pele” nga Tirana dhe Prishtina, për një arsye ose për një tjetër ka vendosur që të mos ndalojë në truallin shqiptar.  Unë besoj se arsyeja–se pse Sekretari Pompeo nuk do të shkojë në Tiranë dhe në Prishtinë– është ngërçi politik dhe gjëndja e mbrendshme kaotike politike, jasht kontrollit, për sa kohë tani në Shqipëri dhe deri diku edhe në Kosovë.   Jam i bindur se zyrtarët amerikanë u kanë thënë troç udhëheqësve më të lartë shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës se çfarë pritet prej tyre, për një vizitë të tillë — në takimet që patën në Nju Jork me diplomatët e lartë amerikanë, Mathew Palmer dhe Philip Reeker, ditët e fundit, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  

 I vetmi lajm pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, nga këto takime, ishte njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të zgjerojnë shkëmbimin e studentëve dhe studiuesve përmes Programit Fulbright.

Mos u vini vesh fotografive të botuara në portalet zyrtare të udhëheqsve të Shqipërisë dhe të Kosovës me zyrtarët amerikanë në Nju Jork dhe as mos i vini vesh as informacionit të botuar prej tyre dhe prej mediave pro-zyrtare të tyre, në të cilat flitet për bisedimet miqësore e të suksesshme, por nuk thonë asgjë për ato që mund tu kenë thënë atyre zyrtarët amerikanë.  Unë jam i bindur se Philip Reeker dhe Mathew Palmer, të pakën nga pikëpamja amerikane, ua kanë njehur një nga një “detyrat e shtëpisë” që duhet të bëjë kjo klasë politike në trojet shqiptare, nëqoftse me të vërtetë janë serioz, për bërjen një herë e mirë të reformave demokratike, të cilat do të çojnë, më në fund, Shqipërinë dhe Kosovën drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe në integrimet e përgjithshme euro-atlantike.

Nuk është mjaft të thuhet se gjatë bisedimeve, ata u siguruan se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat demokratike dhe rrugëtimin evropian të shqiptarëve, siç u shprehen zyrtarët shqiptarë, pas bisedimeve me diplomatët amerikanë.   Shtetet e Bashkuara kanë qenë në favor të kësaj politike tash 30- vjet, jo vetëm ç’prej shembjes së komunizmit, por edhe shumë më përpara.   Pyetja është nëse ju — kjo klasë aktuale politike – jeni të vullnetshëm dhe të gatshëm për një gjë të tillë.   Deri më sot, Tirana dhe Prishtina zyrtare, me veprimet e tyre, fatkeqsisht, e kanë treguar se nuk janë të gatëshëm as nuk kanë vullnetin e nevojshëm, as nuk janë serioz të ndërmarrin përgjegjësitë dhe detyrimet që u takojnë, për një rrugëtim të tillë, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e ish-vendeve komuniste të Evropës dekada më parë.

Anashkalimi i Tiranës dhe Prishtinës nga Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo, gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën që vjen, nuk është i pari anashkalim i tillë nga zrytarë të lartë amerikanë.   Gjatë vitit të kaluar dhe më heret, ka pasur raste të tjera që diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë nuk kanë vizituar kryqytetet shqiptare, megjithëse kanë vizituar shtetet fqinje aty afër.  Është pak e çuditshme kjo, pasi politika amerikane tenton gjithashtu që të trajtojë një politikë rajonale kur është fjala për Ballkanin Perëndimor.  Por, arsyen se pse Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo nuk po viziton Shqipërinë e Kosovën gjatë turneut të tij në Ballkanin Perëndimor javën e parë të tetorit, mos e kërkoni në portalet zyrtare as në fejsbukun e zyrtarëve më të lartë shqiptarë, të cilët takimet me zyrtarët e lartë amerikanë në Nju Jork i përshkruan (të ilustruara me fotografi) si të suksesëshme dhe miqësore, ku sipas tyre mund të konstatohet se nuk ka asnjë problem në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.   Besoj se ky nuk është një pasqyrim i vërtetë i bisedimeve dhe as i gjëndjes së marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve.  Ka një ndryshim të madh midis atyre që thuhen në publik dhe bisedimeve serioze që zhvillohen me dyerë të mbyllura.

Arsyen e anashkalimit të Tiranës dhe Prishtinës nga kryediplomati amerikan Pompeo gjatë vizitës së tij në Balllkan, kërkojeni në kollapsin ose shembjen e përgjithshme të rendit politik, sidomos në Shqipëri.   Kërkojeni në ngërçin politik shqiptar, në të dy anët e kufirit.  Kërkojeni në mungesën e normalitetit të gjëndjes së përgjithshme politike.   Kërkojeni, por jo vetëm, në trafikimin e drogës, në krimin e organizuar e në korrupsionin që ka përfshirë të gjitha nivelet e shtetit, të qeverisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.   Kërkojeni, sidomos, në mungesën e sundimit të ligjit!   Kërkojeni në zbrazjen biblike të trojeve shqiptare, sidomos nga të rinjtë dhe të rejat shqiptare të cilët konsiderojnë se kjo klasë politike nuk u jep asnjë shpresë as përspektivë për një jetë normale në atdheun e tyre.   Jam i sigurt se në “ngrirjen” aktuale të zhvillimit normal të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane po ndikojnë jo pak –duke u prekur ato negativisht edhe –flirtimet e udhëheqsve shqiptarë, – si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë — me influenca të huaja, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina.  

Jeni ende me këmbë në kapërcyell.  Uluni nga kapërcelli, ose këndej ose andej!

Gjëndja aktuale e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithësi, duhet të shqetësojë të gjithë ata të cilëve me të vërtetë u interesojnë marrëdhëniet e mira midis dy kombeve tona.   Është një gjëndje e papranueshme, për të cilën disa prej nesh, shumë më heret, kemi shfaqur shqetësimin tonë.   Por ja, fatkeqsisht, ku jemi sot, shqetësimi po vërtetohet.   Koha është tani që ky rrugëtim aktual i pa dëshirueshëm në marrëdhëniet e “ngrira” amerikano-shqiptare, të ndryshojë para se të jetë vonë.   I takon kësaj klase politike të veprojë, sa më shpejt, aq më mire që këto marrëdhënie të vendosen në shinat e duhura. Marrëdhëniet e ngrira midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve nuk janë në interesin afat shkurtër dhe as afat gjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe as të shqiptarëve në përgjithësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Mike Pompeo-Ballkan-Jo Shqiperi e Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT