• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Tegu kombëtar i shqiptarëve

September 21, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Webe dhe ithtarë të Edi Ramës kanë filuar të hedhin ca foto nga i ashtuquajturi stadiumi kombëtar Qemal Stafa. Punimet janë në përfundim e sipër dhe gjithçka po merr formë. Kjo si sukses i radhës në atë luftën frenetike të pushtetit me institucionet e ”degraduara” apo të mbytura nga shurra dhe merimangat. Mirëpo kur ndalesh e u hedh një sytë fotove, sikur të dhëmbin brinjët, a sikur të mbydhet syri vet a sikur të hyn një halë mu aty, bash në zemër të vështrimit. Dhe vetiu të del nga goja ajo shprehja e vjetër e plakave, pika mendjes tënde, mendjes tuaj, pse stadium i thoni ju këtij? Dhe ta marrësh me mend atë olen rrethore të shkallëve nëpër stadiumet e botës kur luajnë ekipet e mëdha, ku zhurmon bota e futbollit. Ajo e tilla që sot është bërë medikament, një lloj përtëritësi për jetën, duke mundur deri katastrofat botërore si luftrat. Po i ka mundur me pjesëmarrjen njerëzore dhe deliruar për mirë në ca orë entuziazmi që quhet jetë. Pas kësaj që shohim i bije që oleja e shqiptarëve kur të shënojë kombëtarja e tyre, do përplaset pas mureve të tegut mbi kokë, që duket sikur po i rrëzohet barit përsipër etj. Sado që në botë sot shpallen qartasi përpjekjet për modernizimin a ndërthurjen me tregun, prapë në masën 99% stadiumet janë nën konteksin e tyre klasik. Madje edhe ata që kanë sfumuar pistën e garave të vrapimit a elementeve të tjerë të kulturave sportive, kam parasysh këtu lojrat olimpike etj., prapë e kanë ruajtur formën tradicionale, atë rrethoren e olesë. E për më tepër kur bëhet fjalë për një simbol kombëtar. Nuk e di se nga na buron kjo ndjenja e bastardimit, aq sot të ndodh të mbytesh nga malli për atë atmosferë kur kombëtarja nën një qiell të hapur mundte Belgjikën, shënonte Arben Minga, dhjetori i vitit 1984. Mjerë ai komb që ka fatin t’i bjeri për pjesë një arkitekt i cili përpara se të skicoj një arenë kombëtare, nuk shikon ndeshjet më kulmore të vendit. Asaj kohe një unazë rrethore njerëzish horiste dhe brenda zemrave tona nanuritej hapja me botën dhe si bota. Kishim kohë që ishim të mbyllur dhe një mendje administrative na kish dënuar të mos luanim me fqinjët se na turpëronin me gola. Prandaj e thashë më sipër se futbolli, stadiumet kanë mundur deri dështimet sociale botërore. Tek ne kontribuoj fuqishëm në freskimin e plagëve shekullore nga otomanizmi, luftrat, dasimet dhe gërrëvërret perverse politike.

Kësisoj turpërohej partia, prishej imazhi. Sado modernitet të hedhim, sado xhama, ajo atmosferë njerëzore nuk ka për tu përsëritur më, nuk e ka shancin, a e dini përse, sepse vetvrasja kombëtare është bash mision po aq frenetik i pinjollëve faqe parruar me poture dhe ppp-të e pordhëve të plevitosura. Të paktën ata arkitektët e diktaturës e ruajtën me fanatizëm tërësinë e kulturave a bërjen të mundur të aplikimit të sporteve të tjera. Tek ky ta gëzoni, futboll, hoteleri, zyra, tavolina birre serhixhinjë me byzylykë floriri. Nga kjo të lë të kuptosh se një masakrim po kaq tegçe e pret edhe teatrin kombëtar. Si rrjedhojë investimet bajate të shtetit shqiptar nuk janë asgjë tjetër, por mure dasimesh. Stadium kombëtar?! Se si më duket, shtrembërohem kur e shoh, sikur më mbyllet një sy vetiu etj. Po jetojmë një kohë që realitetin e kemi veç tek memorja e kokës. Një kohë që po na mbyt me budallenjtë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Tegu kombëtar- i shqiptarëve

KUJTESE-Nje kurs veror i gjuhes franceze

September 21, 2019 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI*/

Nje kurs veror i gjuhes franceze, pervoje e bukur jetesore ne skenen nderkombetare/

Mbresa e kujtime/

Nga Sadik ELSHANI/ DIELLI

Kur isha duke vazhduar studimet ne Universitetin e Zagrebit, kisha vendosur qe gjate pushimeve te veres te shkoja ne nje vend perendimor per te mesuar nje gjuhe boterore, anglisht, ose frengjisht. Meqenese kurset verore ishin me te lira ne France, atehere u percaktova per frengjishten. Shkova ne Institutin Francez ne Zagreb dhe mora nje broshure per kurset verore qe zhvilloheshin ne France. Ata me rekomanduan nje kurs qe organizohej ne qytetin Menton ne Bregdetin Azur, sepse drejtues i atij kursi ishte profesori Raymond Warnier (1899 – 1987, une atehere nuk e kam ditur vitin e tij te lindjes)), lektori i pare i gjuhes frenge ne Universitetin e Zagrebit (1921) dhe themeluesi i Instituti Francez ne Zagreb (1922). Po ashtu, me thane se ai kujdesej dhe i ndihmonte shume studentet qe vinin nga ish Jugosllavia. Regjistrimet per keto kurse beheshin me heret, por meqenese kisha vendosur ne momentin e fundit, nuk kishte me kohe per regjistrime. Vendosa te shkoja, nese kishte vend do te rrija, nese jo, do te kaloja ca dite pushimi dhe do te kthehesha prape. Duhet theksuar se une nuk dija fare frengjisht, ne shkolle kisha mesuar rusisht. Para fillimit te ketij udhetimi isha mjaft i emocionuar, pak i shqetesuar, pasi ishte hera e pare qe po udhetoja jashte kufijve te ish Jugosllavise, apo siç thonim ne atehere: ne boten e jashtme. Gjate udhetimit, kur treni po hynte ne stacionin kryesor te Milanos, Milano Centrale, me kapluan emocione te papershkrueshme, sepse ai stacion paraqitej ne fillimin e filmit “Roko dhe vellezerit e tij” (“Rocco e i suoi Fratelli”, 1960) te regjisorit italian, Luchino Viscontit (1906 – 1976), njerit nga filmat e mi me te dashur te te gjitha koherave. Ishte pra ajo skena kur familja Parondi nga Jugu i Italise po arrinte ne Milano per nje jete me te mire, po arrinte pikerisht ne kete stacion. Pas nje udhetimi te gjate me tren, mberrita ne Menton dhe shkova ne bashki, se ajo ishte adresa qe e kisha ne broshure dhe vetem e thoja emrin e profesorit Warnier. Ata me çuan ne nje lice ku do te mbahej kursi dhe aty takova profesorin Warnier, nje burre i gjate me floke te thinjura dhe me moshe diku rreth te tetedhjetave. U pershendetem – ai fliste nje kroatishte shume te paster, kishte nje kujtese te jashtezakonshme. Kembyem fjalet qe kembehen ne raste te tilla dhe me tha se nuk kishte problem per vendosjen time. Une shkova nja dy – tri dite perpara se te fillonte kursi dhe isha studenti i vetem. Profesoret ishin aty dhe po pergatiteshin per fillimin e kursit. Nje profesoreshe me tha se zonja e profesorit ishte polake. Mire thashe, permes rusishtes dhe kroatishtes mund te komunikoja me te gjtha gjuhet sllave. Nipi i profesorit kishte ardhur nga Parisi per t’i kaluar pushimet dhe shoqerohej me mua. Nje dite me tha se gjyshja e tij donte te me takone (une ende nuk e kisha takuar ate). Ajo me te birin dhe nusen e tij ishin ne plazh dhe ne shkuam t’i vizitonim. Edhe zonja e profesorit ishte ne moshe ralativisht te shtyre dhe po me fliste kroatisht. Une u habita, sepse e dija qe ishte polake. E pyeta se prej nga ishte dhe ajo me tha se ishte nga Zagrebi dhe quhej Vera. I tregova se ç’me kishte thene profesoresha franceze, ndersa ajo me tha se, francezet i ngaterrojne vendet e Lindjes. Per mua kjo ishte nje befasi e kendshme. Meqenese une studioja ne Zagreb, atehere biseduam per Zagrebin, gjendjen ne Jugosllavi, Kosove, etj. Me kalimin e diteve une isha bere shume i afert me ta, gati si anetar i familjes se tyre. Gjate bisedave me ta mesova shume per jeten e tyre dinamike, mjaft te angazhuar e interesante. Ata kishin qendruar ne Zagreb gjer ne vitin 1935, pastaj Profesori kishte shkuar ne Portugali si drejtues i Institutit Francez. Ne vitin 1947 ka qene themelues dhe drejtor i pare i Institutit Francez ne Budapest. Ne vitet e 50-ta te shekullit te kaluar ka qene atashe kulturor prane ambasades franceze ne Brazil. Ne Zagreb ishin shoqeruar e miqesuar me eliten kulturore e intelektuale te Kroacise se atehershme, sidomos kishin patur shume miqesi me skulptorin kroat me fame boterore, Ivan Meshtroviq (1883 – 1962), piktoret e bashkuar rreth grupit “Zemlja” (shqip, Toka) te udhehequr nga piktori i njohur kroat, Kersto Hegedushiq (1901 – 1975). Shume piktoreve kroate, profesori Warnier u kishte siguruar bursa per te studiuar ne France. Bursa u kishte siguruar edhe shume piktoreve te rinj braziliane. Ata kishin qene ne shume vende te botes, por Zagrebin e mbanin ne zemren e tyre. Profesori Warnier kishte diplomuar gjermanistiken ne shkollen e njohur ku eshte shkolluar elita francize: L’ Ecole Normale Superieure, Ai gjithashtu ishte nje njohes shume i mire i Ballkanit, studiues me autoritet i poetit francez, Guillaume Apollinaire (1880 – 1918).

                  Pjesemarresit e atij kursi vinin nga shumica e shteteve te Europes dhe disa vendeve tjera te botes. Ne periudhen 1978 – 1987 kam marre pjese gjashte here ne ate kurs dhe kam qene shqiptari i vetem. Gati per te gjithe isha shqiptari i pare qe ata kishin pare ndonjehere. Une ne fillim (1978) kisha shkuar gati pa ditur asnje fjale, prandaj ne ato fillime e kisha shume te veshtire komunikimin. Perveç librave, me duhej te shoqerohesha edhe me pjesemarresit tjere per te patur me shume mundesi per te ushtruar gjuhen franceze. Si te thuash, isha bere si “i perkeledhuri” i atij kursi, te gjithe mundoheshin te me tregonin diçka, te me mesonin ndonje fjale, shprehje te re. Ata e dinin qe vija nga ish Jugosllavia (jam lindur e rritur ne Kosove), por habiteshin kur u thoja se isha shqiptar. Atehere me duhej t’u spjegoja pak historine tone per t’i sqaruar gjerat. Pra, ne baze te “njohurive” te mia te gjuhes franceze, une u caktova ne klasen e fillestareve, ndersa pasdite e ndiqja edhe kursin special per fillestare, Audio – Visuel. Gjithmone librat e mi doracake i merrja me vete, ne plazh, shetitje, shoqeri, etj. Mundohesha te perfitoja sa me shume ne ate kurs, por nganjehere koka sa nuk me pelciste nga ngarkesa e madhe e fjaleve dhe shprehjeve franceze. E shfrytezoja bukur analogjine e gjuhes franceze me ate latine qe e kisha bere per dy vite ne gjimnaz. Profesoresha ime, zonja Andree Guignaud, ishte nje profesoreshe nga po ai qytet, nje zonjw mjaft e sjellshme e me plot kulture – zonje tipike franceze. Ajo e njihte shkelqyeshem edhe gjuhen gjermane, sepse vinte nga krahina e Alzasit. Trupin pedagogjik te atij kursi e perbenin shume profesore te universiteteve te njohura, te cilet ishin specialiste te gjuhes dhe letersise franceze dhe qe kishin pervoje me studentet e huaj. Kishte profesore te Sorbonws, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), Helsinkit, etj. Pas profesorit Warnier, drejtor per nje vit ishte profesor Georges Matore (1908 – 1998), profesor i Sorbones, njeri nder leksikologet me te njohur francez, themelues dhe drejtor i Institut des Hautes Etudes d’ Interpretariat. Per mua ishte shume domethenese pjesemarrja ne kete kurs, ne mesin e shume te rinjve dhe njerezve te moshave me te vjetra, nga shume vende te botes, te mateshe, te krahasoheshe me ta, me nivelin e tyre kulturor e arsimor. Aty e kam pare se ne shqiptaret, sa u perkiste mesimit te gjuheve te huaja ishim shume me te talentuar, me kembengules, nuk ishim fare prapa pjesemarresve nga vendet me te qyteteruara. Vendet tona ndoshta nuk mund te krahasoheshin perkah zhvillimi i gjithmbarshem, por individet, po. Prandaj, ne raste te tilla nuk duhet te ndihemi fare te kompleksuar, ta ulim koken. Per nje djalosh 22 vjeçar nga Suhareka/Theranda e Kosoves kjo ishte nje pervoje e vlefshme jetesore, nje perjetim qe veshtire mund te shprehet me fjale.

Disa tema te papritura shqiptare

Mengjesin, dreken dhe darken e hanim ne kuzhinen shume te mire te liceut. Kete kohe e shfrytezonim per te biseduar, per t’u njohur me mire me njeri – tjetrin. Aty ushqeheshin edhe profesoret tane si dhe çifti Warnier. Nje profesoreshe nga Sarajeva qe njihej me ta me heret e sillte nje grup te madhe studentesh. Une isha shqiptari i vetem. Nje dite ne nje nga keto biseda po bisedonim per udhetimet e tyre ne vende te ndryshme. Zonja Warnier u kthye nga une dhe me tha se kishin qene edhe ne Shqiperi. Po si, e pyeta une, kur udhetimi per ne Shqiperi ne ate kohe ishte shume i veshtire, edhepse Shqiperia kishte marredhenje relativisht te mira me Francen, krahasuar me vendet tjera perendimore. Ajo me tha se kishin qene para Luftes se Dyte Boterore, sepse nje miku i tyre ne ate kohe po bente germime arkeologjike ne Shqiperi. Leon Rei (1877 – 1956), i thashe une. Ajo me pyeti me habi se ku ia kisha degjuar emrin atij. I tregova se emri i tij permendej ne librin “Historia e popullit shqiptar” dhe se ai ishte arkeologu i pare qe kishte bere germime arkeologjike ilire ne Shqiperi. Pastaj ajo tregoi sesi kishin udhetuar me makine neper rruge te paasfaltuara, kishin pare gra te mbuluara me ferexhe, etj. Per shkak te moshes, profesori Warnier fliste shume pak, por pasi perfundoi zonja e tij, ai shtoi se gjate qendrimit te tyre ne Shqiperi ishin takuar edhe me Lumo Skendon. Une nga habia u shtanga kur degjove emrin e Lumo Skendos, sepse e dija qe ai ishte siemri (pseudonimi) i Mit’hat Frasherit (1880 – 1949), intelektualit, shkrimtarit, diplomatit, publicistit, atdhetarit te pashoq, kryetarit te Kongresit te Manastirit, birit te Abdyl Frasherit. Ne ne shkolle, ne oret e gjuhes shqipe e kishim permendur per ato qe shkrova me lart dhe per prozat e tij te bukura poetike. I tregova profesorit per figuren e Lumo Skendos dhe vendin qe ai zinte ne letersine dhe kulturen tone kombetare, edhepse ne ate kohe kur ne po bisedonim, emri i tij nuk permendej fare ne Shqiperi. U habita edhe per faktin sesi profesori ende e mbante ne mend emrin e tij, edhepse nga takimi i tyre kishin kaluar gati 55 vite. Me siguri, biseda e tyre do te kete qene ne nje nivel te larte intelektual. Dhe ja une tani po bisedoja me njeriun qe i kishte shtrenguar doren Mit’hat Frasherit. Pastaj profesori tregoi se ne librarine e Lumo Skendos kishin blere ca libra te vjeter. Dihet mire se ne ate kohe Mit’hat Frasheri kishte patur nje librari – biblioteke shume te pasur. Meqenese ra biseda per Shqiperine une i pyeta se nese kishin degjuar per Aleksander Moisiun. Profesori beri nje levizje te ngadalshme me koke ne drejtim te zonjes se tij, sikur donte te thoshte se ajo ka per te thene diçka. Ajo kishte marre nje shikim, nje pamje te fytyres sikur ishte tretur diku ne kujtime dhe shume e habitur me pyeti: “Po ti ku ke degjuar per te?!” Sigurisht i eshte dukur e cuditshme qe nje djalosh nga Kosova kishte degjuar per nje aktor qe kishte gati 45 vite qe ishte ndare nga kjo bote. Une i thashe se kisha degjuar e kisha lexuar shume per te, pasi ai ishte aktor i lindur nga prinder shqiptare dhe ai ishte i vetedijshem per prejardhjen e tij shqiptare. Ajo u shpreh me shume habi: “Shqiptar?!” Une pastaj nder te tjera i tregova per kerkesen e Moisiut qe i kishte bere Zyres se Gjendjes Civile ne Durres per te marre shtetesine shqiptare dhe deklaraten e tij se ai nuk donte te vdiste si aktor gjerman. Pasi u bind, ajo ma ktheu: “Ja, jam para vdekjes dhe nuk e paskam ditur kombesine e Moisiut!”. Ajo pastaj tha se per per shkak te mbiemrit te tij Moissi, atehere ishte perhapur fjala se ai ishte hebre, prandaj edhe ishte perndjekur nga nazistet. Me tutje ajo vazhdoi: “Kur kemi qene te rinj, me babain shpesh shkonim nga Zagrebi ne Vjene per te pare ne teater shfaqjet ku luante Moisiu. Dhe kur kthehesha ne Zagreb, per nje jave, apo djhete dite nuk doja ta hapja gojen e te flisja me njeri, vetem qe zeri i Moisiut te mos me dilte nga koka”. Kjo shprehje e Zonjes Warnier ngerthen ne vete jo vetem karakteristikat fizike te zerit te Moisiut, por edhe emocionet qe ai ngjallte dhe mbresat qe vuloste te adhuruesit e teatrit, mbresa qe ishin bere pjese e jetes se tyre. (Per kete episode e kam bere nje shkrim te posacem: Zeri i Aleksander Moisiut sipas nje deshmie origjinale ten je adhurueseje te tij”, botuar ne disa gazeta e portale elektronike).

Romanet e Ismail Kadarese, befasi e kendshme per profesoret e mi franceze

E dija qe disa vepra te Ismail Kadarese ishin perkthyer frengjisht ne fillim te viteve te 70-ta dhe ai gezonte nje popullaritet te lakmueshem ne France, sidomos me romanin e tij, “Gjenerali i ushtrise se vdekur”. Pas disa ditesh pasi isha sistemuar ne ate kurs dhe pasi tani njiuheshim deri diku me profesoreshen time, i tregova se ne kemi nje shkrimtar te njohur me emrin Ismail Kadare, veprat e te cilit ishin perkthyer ne gjuhen franceze dhe nga kurreshtja e pyeta se a kishte degjuar per te, apo kishte lexuar ndonje liber te tij. “Jo”, me tha, ende nuk kishte degjuar per Ismail Kadarene. Pas disa ditesh kur m’u dha mundesia e pare, dola per ta vizituar qytetin. Qyteti i vjeter shtrihej ne nje koder, me ato rrugicat e ngushta me kujtonte qytetet shqiptare, Prizrenin, Beratin, Gjirokastren, kuptohet, pa detin. Prane detit kishte nje shetitore te gjere e te bukur me plot restorante e hotele. Qyteti vlonte nga turistet. Mua me teper me interesonte te gjeja nje librari, dhe ja diku afer qendres se qytetit e pashe nje. Menjehere u futa brenda dhe fillova te kerkoja veprat e Ismail Kadarese. Ajo ishte nje librari relativisht e vogel, por per kenaqesine time, aty e gjeta romanin “Gjenerali i ushtrise se vdekur” (“Le general de l’armee morte”), nje botim i formatit “liber xhepi” (“Livre de poche”). Ne kete format ne France botoheshin librat qe ishin shume te popullarizuar me lexuesit. dhe qe shiteshin shume (“bestseller”). Ja pra, nje nga ata libra ishte edhe “Gjenerali i ushtrise se vdekur”. E bleva te vetmen kopje qe ishte ne ate librari dhe ia dhurova profesoreshes sime. Pas ca ditesh, pasi e kishte perfunduar se lexuari romanin, ajo me tha se kishte mbetur e mahnitur; se ishte nje roman i mrekullueshem, nje rrefim krejt origjinal per luften dhe tmerret e saj, shkruar me nje stil te lart, figuracion mjaft te pasur dhe se kishte kohe qe nuk kishte lexuar dicka te tille. Ndersa per Ismail Kadarene tha se ishte nje shkrimtar mjaft i talentuar me shije te holle artistike e imagjinate te pasur. Pastaj ajo me tha se kishte mbetur e befasuar qe nje shkrimtar i kalibrit te tille dhe nje veper aq cilesore si “Gjenerali” te vinte nga nje vend i vogel e i izoluar si Shqiperia e atyre viteve, vend per te cilin ajo gati nuk dinte asgje. Kuptohet, pastaj vinin me radhe bisedat per Shqiperine, shqiptaret, historine, artin, kulturen, traditat shqiptare. Vepra e Kadarese ishte nje pikenisje e mire per biseda te tilla.
Me vone kur m’u dha rasti e vizitova edhe Nicen qe eshte qyteti me i madh dhe qendra e atij rajoni dhe kuptohet, qe edhe librarite i kishte me te medha se ato te Mentonit. Aty i gjeta te gjitha veprat e Ismail Kadarese qe ishin botuar gjer atehere: “Keshtjella” qe ne frengjisht ishte botuar nen titullin “Daullet e shiut” (“Les tambours de le pluie”), “Kronike ne gur” (“Chronique de la ville de pierre”), “Dimri i madh” (“Le grand hiver”) dhe vepra te tjera dhe ato qe do te perktheheshin me vone nder vite. Pervec profesoreshes Guignaud, librat e Kadarese ua dhuroja edhe profesoreve te tjere si dhe disa miqve te mi. Qe te gjithe e shprehnin adhurimin, vleresimet me te larta per Kadarene dhe veprat e tij dhe te gjithe e shihnin si nje kandidat potencial per Çmimin Nobel. Veprat e Kadarese per ta ishin nje zbulim i kendshem, u kujtonin Kafken. Zonja Guignaud u be nje adhuruese e Ismail Kadarese dhe vepres se tij. Kur Kadareja shkonte here pas here ne France dhe jepte ndonje interviste ne televizionin francez, profesoresha menjehere me shkruante per kete: “Mbreme zoti Kadare ka dhene nje interviste ne televizionin francez – ishte i mrekullueshem”.

I solla sot keto kujtime per romanet e Ismail Kadarese, jo per ta mburrur veten, sepse nuk kam bere asgje, por vetem per te shpalosur krenarine qe une ndjeja si bashkekombas i tij, kenaqesine time kur e shihja nga afer sesi vleresohej nje shkrimtar shqiptar ne nje mjedis aq te kulturuar, nga njerez qe ishin specialiste te gjuhes dhe letersise franceze. Vlerat e verteta jane perfaqesuesit, ambasadoret me te mire te nje kombi dhe ne te gjithe duhet te perpiqemi qe te krijojme vlera e te bejme perpjekje qe t’i perhapim ato vlera ne te gjitha menyrat brenda mundesive tona.

Mentoni, “Margaritari i Frances”

Kursi ne fjale zhvillohej ne qytetin e vogel, Menton, ne Bregdetin Azur, mu ne kufi me Italine. Per bukurine dhe magjepsjen e tij e quajne “perle de la France” (margaritari i Frances”).  Qyteti i vjeter shtrihet ne nje koder, me ato rrugicat e ngushta me kujtonte qytetet shqiptare, Prizrenin, Beratin, Gjirokastren, kuptohet, pa detin. Prane detit ka nje shetitore te gjere e te bukur me lulishte te bukura, plot restorante e hotele. Qyteti ne muajt e veres vlon nga turistet. Mentoni me bukurine e tij, mikroklimen shume te pershtatshme vazhdimisht i ka terhequr shume personalitete te kultures dhe artit, aristokrate. Nder personalitetet me te shquara qe lidhen me Mentonin eshte poeti, dramaturgu, regjisori, romancieri, artisti pamor, kritiku dhe piktori i njohur francez, njeriu i shume talenteve, Jean Cocteau (1889 – 1963). Ne fortesen ne portin e Mentonit, Bastion, ndodhet muzeu qe e mban emrin e tij. Ai e ka zbukuruar me pikturat e tij Sallen e Martesave (La Salle des Marriages) ne Bashkine e Mentonit. Eshte shpallur Qytetar Nderi i Mentonit. Nje here ceremonia e ndarjeve te diplomave eshte zhvilluar ne kete salle. Zakonisht ndarja e diplomave ne perfundim te kursit behej ne Villa Maria Serena, nje ville e bukur me nje kopsht botanik magjeps me bime tropikale e subtropikale. Kjo ville eshte ndertuar per nje pjestar te familjes se projektuesit te Kanalit te Suezit, Ferdinand de Lesseps (1805 – 1894). Mentoni eshte i njohur per rritjen e limonave speciale, te nje cilesie te larte, ndersa ne shkurt te çdo viti organizohet Festivali i Limonit, tani edhe ngjarje e njohur nderkombetarisht.

Provenca, Rajoni magjeps i Frances

Provence eshte njeri nder rajonet me te popullarizuara turistike ne jug te Frances, i njohur per llojllojshmerine e peizazheve, vreshtat, ullishtet, fushat e livandes, fshatrat piktoreske, traditat, vererat, ushqimet dhe motin me diell. Ne shekullin e XIX-te dhe ate te XX-te shume aristokrate, personalitete te shquara boterore, shkrimtare, artiste, piktore te njohur, jane vendosur ne Provence te terhequr nga klima e bute dhe qartesia e drites, drite e paster pa pluhur. Vlen te permenden disa nga keta piktore te medhenj: Paul Cezanne (1839 – 1906), Vincent Van Gogh (1853 – 1890), Auguste Renoir (1841 – 1919), Claude Monet (1840 – 1926), Henri Mattisse (1869 – 1954), Pablo Picaso (1881 – 1973) e shume e shume te tjere.

Bregdeti Azur (Cote d’Azur) apo siç njihet edhe si Riviera Franceze eshte nder rajonet me te njohura turistike ne bote, i njohur per ujin e kaltert te detit, plazhet, qytetet e bukura: Nica, Kani, Antibes, Mentoni, Saint Tropez, Principata e Monakos e shume e shume qyteza e fshatra piktoreske me arkitekture tipike mediterane, te cilat vazhdimisht kane teerhequr dhe vazhdojne te terheqin njerezit me me ndikim ne politike, shkence, art e kulture (disa i permendem pak me lart).

Diteve te shtuna organizoheshin ekskurzione per pjesemarresit e kursit dhe ky ishte nje rast i mire per t’i vizituar keto vende te bukura, qytez tipike mesjetare, manastire me doreshkrime te rralla, muzeume e galeri te shumta. Ne Antibes kemi vizituar Muzeun – galeri, Picaso, ku ishin te ekspozuara mjaft vepra arti te piktorit te famshem: piktura, grafika, skulptura. Nje vizite frymezuese ishte edhe vizita e fshatit piktoresk, Eze, i njohur per kopshtin ekzotik, por edhe me i njohur per “Shtegun e Niçes” (filozofi gjerman, 1844 – 1900). Niçe ka qendruar shpesh ne kete fshat nga kodrat e te cilit duket nje pamje e mrekullueshme e bregdetit. Ai ka ecur neper kete shteg qe fillon ne fshat e vazhdon neper kodrinat perreth dhe thuhet se gjate ketyre shetitjeve Niçe eshte frymezuar per ta shkruar pjesen e trete te librit “Ashtu fliste Zaratrusta”, se pari e ka perpiluar ne koke e pastaj e ka hedhur ne leter.

Ne shtepine e Renoirit

Por per mua vizita me mbreselenese ishte vizita ne shtepine e piktorit te njohur te impresionizmit. Pierre Auguste Renoir ne Cagnes-sur-Mer. Renoiri ka jetuar ne kete shtepi nga viti 1907 e deri kur ka vdekur ne vitin 1919. Kjo eshte nje shtepi madheshtore dykateshe prej guri e vendosur ne kodrinat mbi qytet, me nje kopsht te bukur te mbushur plot me ullinj, portokalle dhe bime te tjera. Eshte nje pamje mjaft frymezuese dhe piktori e ka paraqitur disa here ne pikturat e tij. Ne muret e dhomave jane te varura pikturat e tij. Dhoma me e dukshme, me mahnitese eshte ateljeu madheshtor i Renoirit ne katin e pare, me oxhakun karakterisik prej guri. Ne qender ndodhet kembaleci i piktorit, brushat dhe bojerat, karroca prej druri ku eshte ulur piktori per te pikturuar, sepse kah fundi i jetes ai nuk ka mundur te levizte vetem. Veshtire pershkruhen ndjenjat qe te kaplojne kur ndodhesh ne nje mjedis te tille, kur imagjinon se aty vite me pare ka qendruar njeri nder piktoret me te njohur te kohes se tij. Kudo, ne shtepi dhe ne kopshtin perreth bien ne sy, ndihen gjurmet dhe shijet artistike e estetike te Renoirit.

Edhe diçka per ne fund

Ka çka te shkruhet me teper per kete pervoje te bukur jetesore, keto rajone te bukura te Frances, historine qe ato ngerthejne e ruajne ne vete, rajon ku jeta vlon me tere fuqine e saj shperthyese. Qendrimi ne ate kurs vertet ishte edhe nje pushim intelegjent, “Les vacances intelegent”, siç e quanin pjesemarrjen ne kete kurs, studim, pushim, argetim, kulture, histori… Ah, ai shkelqimi i diellit, uji i kaltert i Mesdheut, miqesite e shumta, vitet e rinise!…

Profesori Warnier ka nderruar jete me 1987, zonja e tij disa vite me vone. E ndiej veten shume te lumtur, shpirterisht shume te pasur qe kam njohur dhe kam patur miqesi me njerez te kalibrit te tille. Per nje djale nga Suhareka/Theranda, nga Kosova, kjo do te thote shume. Sidomos per keto tema shqiptare qe pershkrova me lart. Atehere as qe me ka shkuar mendja se do te degjoja rrefime te tilla ne ate kurs veror te gjuhes franceze. Nganjehere jeta ruan shume te papriturat te kendshme! Permes Facebook-ut pas dyzet vjeteve kam vendosur kontakt me nipin e profesorit Warnier, i cili tani jeton ne Quebec – Kanada. Atehere ishte nxenes i shkolles se mesme, tani ai eshte bere gjysh. Po,ashtu, pas dyzet vjeteve  kam vendosur kontakte me dy miq te mi, nje egjiptian dhe nje japoneze qe atehere ishin te fejuar. Egjiptiani ishte me i perparuar se ne, ndersa e fejuara e tij dhe une ishim ne klasen e fillestareve dhe shoke banke. I kujtuam ato kohera te largeta, çaste te lumtura, thuajse nuk ishim ndare kurre. Kujtimet mbesin, miqesia vazhdon…

Philadelphia, gusht – shtator 2019

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Histori Tagged With: Sadik Elshani-Kujtese-Kursi i gjuhes franceze

Tërmeti në Shqipëri, Kosova shpreh solidaritet

September 21, 2019 by dgreca

  • Tërmeti, 109 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara, dhjetra të lënduar/

Tërmeti në Shqipëri, Kosova shpreh solidaritet dhe ofron ndihmë/

Kosova shpreh solidaritet me Shqipërinë dhe ofron ndihmë pas tërmetit të fuqishëm që e goditi dhe u ndie edhe në rajon.Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se, me shqetësim ka marrë lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri.“Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe ua ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situates”, deklaroi. Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, shprehet presidenti Thaçi.Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se Kosova bashkëndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës.
“Menjëherë pas këtij lajmi, i kam shprehur shqetësimet dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, shkruan Haradinaj.

***

Tërmeti, 109 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara, dhjetra të lënduar

Në Shqipëri, tërmeti i fortë që goditi sot pasdite vendin pasdite, pak pas orës 16.00, ka shkaktuar dëme në të paktën 109 banesa dhe 7 pallate kryesisht në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet që ishin dhe më pranë epiqendërs, në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit. Sipas të dhënave të para zyrtare paraprake, të bëra të ditura nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, deri rreth orës 20.00, “raportohet për 68 persona të lënduar, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për lëndime të lehta, që kanë ardhur kryesisht si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar qytetarët në momentin e tërmetit, dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë larguar sërish për në banesat e tyre. Disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet mjekësore të ambulancave pranë vendeve të tyre të banimit”. Më vonë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, shkon mbi 100.Sipas zonjës Xhaçka, dëmet në banesa e pallate “në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për krisje të mureve apo dëme të tjera të këtij niveli ndonëse në ditët në vijim serioziteti i këtyre dëmtimeve do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren”. Nuk kanë munguar megjithatë dhe raste si ai në Fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë, ku gurët dhe tullat e fasadës janë shkëputur duke shkatërruar plotësisht dy makina që ishin parkuar pranë godinës.Lëkundja e parë e fortë e tërmetit “më i madhi i rregjistruar në 30 vitet e fundit”, sipas sismiologëve, u pasua me dhjetra të tjera me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës, qytetarët përjetuan frikë e panik për orë të tëra. Ata kanë dalë me shpejtësi na banesat e tyre për të qëndruar në rrugë e sheshe. Në fakt një pjesë e mirë e të plagosurve, janë lënduar pikërisht në ikje e sipër me nxitim, për të dalë nga banesat e tyre. Në një rast, një person ka pësuar frakturë të këmbës pasi është hedhur nga kati i dytë i banesës, ndërsa një tjetër, është përplasur nga një makinë ndërsa tentonte të kalonte rrugën me shpejtësi.Strukturat e emergjencave civile, policisë, zjarrfikëseve, si dhe strukturat shëndetësore, kaluan menjeherë në gatishmëri. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhej në Frankfurt, në pritje për të udhëtuar drejt Nju Jorkut ku do merrte pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, njoftoi anullimin e udhëtimit dhe kthimin në atdhe. “Në orën 23.30 Kryeministri ka thirrur një mbledhje të qeverisë për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit”, njoftoi ministrja Xhaçka.Presidenti Ilir Meta nga ana e tij, vizitoi prefekturën e Durrësit për të parë nga afarë gjendjen dhe për të diskutuar me autoritete vendore për situatën dhe masat e marra.(Info kortezi VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Termeti ne Shqiperi-Solidarizohet Kosova

NJË SHKOLLË PËR TË FORMUAR ADMINISTRATORËT PUBLIKË

September 21, 2019 by dgreca

Nga MILENA GABANELLI dhe LUIGI OFFEDDU/

E përktheu nga Corriera della Sera Eugjen Merlika /

            Tashmë italia ka një qeveri të re. Dhe urimi është gjithmonë i njëjti: qoftë më e mirë se paraardhëset. Luigi di Maio është ministri i Jashtëm, pra do të mbarështojë politikën tonë me pjesën tjetër të botës. Për këtë detyrë do të ishin të domosdoshme dy këkesa bazë: të njohë së paku anglishten e të ketë njohuri mbi bashkëlidhjen e fuqive. Shkruajti se Pinochet-i sundonte Venezuelën (ishte një diktator kilian). I dërgoi një letër Le Monde-it duke shkruar se Franca, e lindur nga revolucioni i 1789-ës, kishte një “traditë mijëvjeçare demokratike”. Në Shanghai e quajti për dy herë “Ping” presidentin kinez Xi Jinping. Le t’I quajmë si gafa, por sigurisht niset keq. Dje komenti i agjensisë Hsinhua, nga Pekini ( me të cilin kishte marrë ndonjë zotim mbi Rrugën e Mëndafshit) dhe e përhapur nëpërmjet AdnKronos-it ka qënë ky: “zgjedhje e pazakontë, i padiplomuar kurrë, kompetenca gjuhësore shumë të kufizuara, ka treguar interes të pakët për çështjet globale në jetën e tij publike”. Gjithshka e vërtetë, por mbasdite komenti në faqet e agjensisë shtetërore kineze ishte zhdukur.

            Ndërmjet politikanëve tanë  njohja e gjuhëve është e mangët (“frëngjishte shkollore” pohon për shembull ministri i ri i Zhvillimit ekonomik, Stefano Patuanelli), ashtu sikurse edhe përvojat e kompetencat profesionale. Nuk janë të detyrueshme. Shumica e përfaqësuesve të popullit lind në politikë dhe rritet brënda saj. Një dentist duhet të studjojë së pakë gjashtë vjet e të marrë një diplomë, më parë se të mund të limojë një dhëmb.; një arkitekt nuk mund të ngrerë katër miure pa patur diplomë dhe përgatitje. Më parë se të marrësh një rol përgjegjësie duhet të vërtetosh se ke arritur ndonjë përfundim. Për të mbarështuar copa të Vendit, së paku në Itali, jo. Në të vërtetë kriteret e zgjedhjes dhe marrjes në punë janë gjithënjë të njëjtët: shoqërizimi, besnikëria vetiake, leverdia e ndërsjelltë. A është një kërcënim për demokracinë të mëtohet se duhen kërkuar cilësi të meritës e të kompetencës më parë se t’i jepen çelsat e një ministrie, të një krahine, të një bashkie?

            Në qeverinë e sapo lindur, një nga postet më të rëndësishëm është ai i gruas së parë ministër të Infrastrukturave dhe Trasportiit, Paola de Micheli, 44 vjeçe. Dikasteri do të duhet të bashkërendojë investime tashmë të financuara me 35,5 miliardë euro gjatë viteve 2016 – 2033, Tav (trasporti i shpejtësisë së lartë) përfshirë. Paola de Micheli ka marrë diplomën në Shkenca Politike më 2001. Që nga 1998 deri në 2003 ka drejtuar një kooperativë bujqërish që prodhonte konserva domatesh, në luftë me shemërinë kineze, të mbyllur për likuidim të detyrueshëm administrativ me 5.399.771 euro humbje. De Micheli e kishte lënë atë detyrë, por gjykata e Piacenzës i vuri një gjobë prej 2000 eurosh. Padija ishte se ishte shpërndarë në treg mall i ruajtur keq. Në gjykimin ajo doli e pafajshme. Për tre muaj shkoi si këshilltare në Urumçi, në Kinë, atdheu i domateve kineze. Më vonë u emërua komisare e jashtzakonshme për rindërtimin mbas tërmetit. Pak rezultate, por faji është gjithmonë i normave kapistër.

            Roberto Speranza, me doktorat në histori, pa pasë punuar kurrë në shëndetësi para se të hynte në politikë, bëhet ministër i  Shëndetësisë; Teresa Bellanova, ministre e re e Politikave bujqësore, sindikaliste, me shkollë tetëvjeçare; Enzo Amendola, ministër për Çështjet evropiane, maturë liceu shkencor, karrierë e gjitha në politikë. Në legjislaturën e parë të mbasluftës (1949 – 1953) 91 % e deputetëve italianë ishin të diplomuar. Sot janë pak më shumë se 69 %. Matteo Salvini ka qënë jashtë kursit për dymbëdhjetë vite në Universitetin e Milanos, pastaj e la.

            Fabiana Dedone, 35 vjeçare, diplomë në Drejtësi, me një kurrikulum “praktikante avokate e aftësuar për patronazhet”, asnjë “funksion apo veprimtari biznesi apo profesionale”, të deklaruar në Dhomën e deputetëve më 17 maj 2017. I është besuar gjigandi i ministrisë së Thjeshtimit. Para saj e njëjta ministri i kishte takuar dentistit legist Roberto Calderoli, dhe Marianna Madias, e diplomuar në Shkenca politike dhe në moshën 34 vjeçare ministre: “Sjell si prikë mungesën e përvojës sime” tha. Po të kishin lindur në Francë do të kishin ndjekur”Shkollën e Madhe” ose Shkollën Kombtare të Administratës: e themeluar më 1945 nga De Gaulle, 10.645 të regjistruar më 2016. Kujdeset për zgjedhjen e kuadrove politikë, ekonomikë e administrativë, furnizon pjesën më të madhe të “grand commis”, të drejtuesve të partive e të përbërësve të qeverive; katër presidentë Republike, tetë kryeministra e sekretarë Shteti, edhe Macroni. Hyhet nëpërmjet konkurseve, nga 18 vjeç e mbrapa janë tashmë të futur në mekanizmat e zgjedhjes.

            Britania e Madhe ka shkolla si Instituti i qeverisë vendore, që formon mbarështuesit e llogarive publike dhe shëndetësisë. Gjermania shkollën e Kehl, 70 % gra qe studiojnë administratë publike dhe që nga regjistrimi bëhen funksionare të paguara. Në Finlandë kuadrot formohen në Institutin e administratës publike, që përfshin të gjitha ministritë. Në Danimarkë, Qendrat për vlerësimin e kompetencave vetiake formojnë personelin e administratave publike në të gjithë nivelet. Edhe n’Itali është Shkolla Kombëtare e Administratës, e themeluar më 1957, varet nga Këshilli i ministrave. Ndërmjet kurseve të fundit të studimit janë: “ Si të hartohet plani i parandalimit të korrupsionit”, “Zyra e shtypit dhe lidhja me mediat”, “Ekspertë në protokolle dhe cerimonialë”. Shkolla lëvdohet  për shkëmbime të ndryshme ndërkombëtare, edhe se jo të gjithë në nivel shumë të lartë. Dërgatat e fundit të pritura në vizita zyrtare janë: Instituti kinez i Chengdu-it, Kolegji kombëtar i Pakistanit, komuneja e Namyangju (Koreja e jugut), Instituti diplomatik i Gjeorgjisë, akademia Ho Shi Min e Vietnamit. Ja mund të fillohej të çohej kjo shkollë në lartësinë e modeleve evropianë të përmendura më sipër. E makari me detyrimin për të kaluar nëpër to, më parë se të mbarështojnë gjënë publike.

            Corriere della Sera, 5 shtator 2019           E përktheu Eugjen Merlika

            Shënim i përkthyesit

            Autorët e këtij shkrimi janë dy gazetarë të njohur në median italiane. Milena Gabanelli (1954) është një gazetare freelance, veçanërisht në fushën e hetimit gazetaresk në televizionin dhe shtypin e shkruar. Ka qënë e dërguar e tyre në shumë zona të nxehta të botës si ish Jugosllavia, Kamboxha, Vietnami, Birmania, Afrika e Jugut, Nagorni Karabak, Somalia, Çeçenia etj. E famëshme për emisionin “Report” në Rai 3 (1997 – 2016), konsiderohet si një nga gazetaret më të guximshme për të trajtuar larminë e temave të realitetit italian me një objektivitet të theksuar, pavarësisht bindjeve të saj vetiake.

            Luigi Offeddu është një gazetar në Corriere della Sera që nga viti 1995. Më parë kish punuar tek “Il giornale” i thirrur nga Indro Montanelli, të cilin e ndoqi në përvojën e shkurtër në “La voce”. Ka punuar si korespondent nga Moska në vitet e para 90-të e më vonë në Ballkan, në Hungari, Jugosllavi e Rumani. Aktualisht është i dërguar i Corriere-s në Bruksel e trajton çështjet evropiane në një gamë të gjërë, nga ekonomia tek imigracioni, mjedisi e politikat shoqërore. Ka botuar disa libra nga 1984 e këndej.

            Ky shkrim trajton një problem shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Italinë por, në përmasa të ndryshme, për të gjithë Vendet e botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Dukuritë  që autorët e shkrimit (është kuptimplotë fakti që ka dy të tillë) paraqesin, duke marrë shkas nga jeta politike e Vendit të tyre, kryesisht në lidhje me formimin e qeverisë së re që mori votbesimin këto ditë, janë të rënda e shqetësuese: një ministër i Jashtëm me një mungesë të theksuar përgatitjeje kulturore, ministra të tjerë pa asnjë përvojë të veçantë pune në dikasteret ku emërohen, ministra pa diploma e studime të kryera, sigurisht që paraqesin një kuadër aspak qetësues për jetën administrative të shtetit italian.

            Duke vënë theksin mbi këto shrregullime të politikës, autorët shtrojnë çështjen e formimit intelektual e profesional të klasës drejtuese dhe administrative, duke u ndalur në përvojat më të përparuara të Evropës si ato të Anglisë, Francës, Gjermanisë, apo Vendeve veriore.

            Edhe tek ne, kërkesa për të patur një shkollë të posaçme të formimit të kuadrove, në të cilën përzgjedhja e studentëve duhet të jetë shumë e rreptë dhe e bazuar krejtësisht mbi aftësitë vetiake, të vërtetuara në konkurset për pranim, një institucion mësimor të shkëputur plotësisht nga kthetrat e politikës e të ngritur mbi kritere të përvojave më të mira në nivel botëror, do të ishte një mjet shumë i dobishëm për të vendosur t’ardhmen e shtetit shqiptar në themele sigurie.

            Por fakti që në gati tre dhjetëvjeçarë të kalesës së sistemit, çuditërisht, asnjë drejtues politik apo ministër arsimi nuk ka paraqitur një projekt të tillë na forcon bindjen se ende në synimin e politikës, meritokracia nuk përbën një domosdoshmëri, e tillë që të ushqejë shpresën për një Shqipëri më cilësore në raport me botën që na rrethon e në të cilën dëshirojmë të kemi vendin e merituar.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Nje shkolle-per administratore publike- Eugjen Merlika

UN INTERNATIONAL PEACE DAY

September 21, 2019 by dgreca

The International Day of Peace (“Peace Day”) is observed around the world each year on 21 September. Established in 1981 by unanimous United Nations resolution, Peace Day provides a globally shared date for all humanity to commit to Peace above all differences and to contribute to building a Culture of Peace. The theme of the 2019 Peace Day is Climate Action for Peace. 
This year is particularly significant: It is the 20th Anniversary of the UN Resolution on the Programme of Action on a Culture of Peace. 
UN Secretary General, Antonio Guterres, delivers his 100-day countdown to the International Day of Peace message every year on 21 September:

The United Nations calls on all nations and people to put down their weapons and reaffirm their commitment to living in harmony with one another.  Today, as we mark the 100-day countdown to the next International Day of Peace, I invite global reflection on this year’s timely theme.

“Climate Action for Peace” brings a clear message: the global climate emergency is a threat to security and stability. As coastal areas and degraded inland areas are becoming uninhabitable, millions of people are being forced to seek safety and better lives elsewhere. With extreme weather events and disasters becoming more frequent and severe, disputes over dwindling resources risk fueling climate-related conflict.   

Last month, I visited the South Pacific and saw the challenges being endured by those on the frontlines of this existential danger.  But it is not just remote islands whose future is in jeopardy.  What is happening there is a sign of what is in store for all humankind.  Urgent climate action is a global imperative.

To mobilize the ambition we need, I am convening a Climate Action Summit on 23 September, at UN Headquarters in New York. I have asked world leaders to come with concrete and realistic plans to rapidly accelerate action to implement the Paris Agreement, and to make a pivotal shift toward a cleaner, safer and greener future.  In this endeavor, they will be backed by the passionate voices of young women and men around the world, who understand their future is at stake.

This is the battle of our lives, and a race against time. We can win — and we must.  Solutions are in our hands: tax pollution, not people; stop subsidizing fossil fuels; stop building new coal plants by 2020; focus on a green economy, not a grey economy. I count on your continued support as we strive to build a world where we can live every day in harmony with the environment and with each other. (Rafaela Prifti)

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-UN INTERNATIONAL- PEACE DAY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT