• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

TE MUZEU HISTORIK DHE TE FAMILJA QELESHI NE WORCESTER

November 20, 2019 by dgreca

DY GËZIME NË NJË DITË: TE MUZEU HISTORIK DHE TE FAMILJA QELESHI/

NGA THANAS L. GJIKA/

          Ishte e shtunë pasdite, 9 tetor 2019, Mikail Shollës dhe mua na u desh të merrnim pjesë në dy gëzime. Te familja Qeleshi për të uruar për ditën e emrit të z. Mihallaq dhe te Muzeu Historik i qytetit Worcester MA. Shkuam së pari te muzeu ku ishin mbledhur shumë shqiptaro-amerikanë, punonjës të muzeut, zyrtarë të Town Hall, etj. Takimin e kishin kërkuar zotërinjtë Greg Stefo dhe Frank Shkreli për të parashtruar planin për hartimin e historikut të komunitetit shqiptaro-amerikan të Worcester-it dhe fshatrave përreth. Komuniteti ynë në kvtë qytet ka një histori mbi 100 vjeçare dhe sot numëron mbi 20.000 anëtarë, por deri më sot nuk ishte marrë një nismë e tillë. Kurse komuniteti armen ai polak, grek, etj kanë libra me historikë dhe albume të ndryshme. Jemi prapa, por si thotë populli: më mirë vonë sesa kurrë.

          Në ekranin e sallës shfaqeshin foto të vjetra nga komuniteti ynë. Në një anë ishin tryezat me ëmbëlsira, pije freskuese, ujë, etj. Së pari u luajtën disa valle prej grupit “Vallet tona”, i cili ka 12 vjet që funksionon nën drejtimin e korreografit Dhimitër Demiri. Më tej iu dhuruan muzeut $ 1,000.00 ndihmë prej buxhetit që u krijua prej Festivalit Shqiptar në qershor. Më tej u shtrua ideja se si mund të krijohet një grup pune për të mbledhur materialet dhe historikët e familjeve të komunitetit. Pas zotërinjve Stefo dhe Zdruli foli drejtori i muzeut, z. Bill Wolace, i cili falenderoi për dhuratën dhe premtoi se ndihma e muzeut do të jetë e vijueshme derisa të perfundojë kjo nismë me vlerë. Më tej folën dhe disa pjesëmarrës të tjerë si z-nja Konstantina Lukas, Donna Colorio, etj…

* * *

          Pasi u larguam prej muzeut, Mikaili me makinën e tij na shpuri te shtëpia e z. Mihallaq Qeleshi, i cili sipas zakonit të besimtarëve ortodokë e feston çdo vit ditën e emrit, dmth ditën e Shenjtit Mikail. Korçarët ortodoksë edhe këtu në Amerikë e festojnë ditën e tyre të emrit. Shën Mikailin e festojnë të gjithë ata që kanë emrin e tij në format Mihal, Mihallaq, Mikail, Miha, Milo, Michael. Familja Qeleshi e mban derën hapur disa ditë për urim, por të shtunën e parë ajo e feston me gosti. Atë mbrëmje kjo familje fton edhe priftin, i cili e fillon festën me falenderimin e Zotit dhe me bekimin e ushqimeve. Miqtë e shokët venë sipas dëshirës, pa iu bërë ndonjë ftesë.

          Mihallaq Qeleshi dhe bashkëshortja e tij Efi janë një çift për t’u marrë shembull për jetën familjare dhe shoqërore. Ata dallohen midis nesh për biznesin e suksesshëm Coffee Mug, 286 Southbridge Street, Auburn MA, për anëtarësi të rregullt në kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme shoqërore, për ndihmën e pakursyer që japin rregullisht gjatë ditëve të Festivalit Shqiptar që organizon komuniteti ynë pranë kishës, për prodhimin e rakisë që e konsumon me shokë e miq, etj. Familja e tyre është një familje e bekuar me dy vajza të martuara. Secila prej tyre ka nga dy vajza njëra më e bukur e më e zgjuar se tjetra. Si thotë populli, kjo familje është si bletë e plotë. Midis pjesëtarëve të saj vlon puna, studimi, dëfrimi, respekti njerëzor. Shtëpia e Qeleshëve në Auburn MA është e madhe me dy hyrje, në njërën jeton Mihallaqi dhe Efi në tjetrën vajza e madhe Mariola me dhëndrin amerikan dhe dy vajzat e tyre. Vajza e vogël Adelaida e martuar me shqiptar dhe jeton në shtëpi më vete.

          Te shtëpia e Qeleshëve arritëm pak kohë pasi darka kishte filluar. Te hyrja na dhanë mirëseardhjen zonja Efi me vajzat. Bëmë urimet e rastit: “Gëzuar ditën e Shën Mikailit” dhe pasi mbushëm pjatat me ushqime të gatuara prej të zotëve të shtëpisë dhe dekoruar prej vajzave, shkuam te tavolina e madhe ku ishin ulur miqtë me bashkëshortet: Guri dhe Mariana Galloshi, Milo dhe Irma Treko, Mark dhe Sendy Dionis, Ben dhe Viola Çika, Gjergji dhe Raimonda Kote. Kurse dhëndurët (njëri quhet Mike) me shokët e tyre, meqenëse nuk dijnë të këndojnë këngët korcare ishin shtruar te livingroomi i Mariolës. Mihallaqi na ofroi pijet dhe na i mbushi gotat sipas dëshirave tona. Një moment interesant kishte ndodhur para se të vinim ne. Meqenëse Atë Mark Doku nuk kishte pasur mundësi të vinte për ta hapur e bekuar gostinë, këtë ceremoni e kishte kryer vetë Mihallaqi me mbesën e madhe Briele. Ata kishin falenderuar Zotin dhe kishin bekuar bukën dhe ujin e darkës, në kohën që gramafoni jepte liturgjinë Ati Ynë.

          Kur u ulëm te tavolina, doktor Guri Galloshi po tregonte ca historira nga koha kur kishte punuar tetë vjet në fshatrat e Kuksit. “Ato vjet më janë dukur si internim, sepse fshatarët ishin shumë të varfër e të prapambetur dhe unë bashkë me ta bëja një jetë plot mungesa.” – tha ai dhe vijoi: “Fshatrat që mbuloja unë ishin në një luginë ku gjatë dimrit kishte vetëm 5-6 orë diell. Respekti i fshatarëve më prekte, më vinin gjithnjë në krye të tavolinës, bashkë me shokët e pushtetit dhe drejtorin e shkollës. Malësorët sipas zakonit, nuk ankoheshin për dhimbjet e vogla dhe vinin te mjeku kur sëmundja kishte përpoaruar, kjo ma vështirësonte punën, po ata nuk e merrnin parasysh.”

          “Ajo jetë të bëri mirë të kaliti, prandaj këtu në Amerikë po punon nga dy punë dhe

nuk do të dalësh në pension, po vijon të punosh me qejf” –  i tha Milo Trekua.

          “A more Milo, ia preu Guri, unë po punoj nga dy punë sepse fëmijët i kam studentë dhe duhen ndihmuar për shpenzimet e shkollës. Më duket se nuk më ka lezet jeta po të mos sakrifikoj për shkollimin e tyre” – e mbylli doktori fjalën e tij…

          Miltua filloi të tregonte nga vuajtjet e tij si kryetar kooperative në disa fshatra malore të rrethit Librazhd, ku populli, po ashtu jetonte në varfëri ekstreme. “Në ato fshatra banorët ishin jo vetëm të varfër e injorantë, por dhe dembela. Eh ç’ hiqnim për t’i nxjerrë në punë!”

          “Fukarallëku, injoranca dhe dembellëku shkojnë bashkë.” – tha Mihallaqi dhe u ngrit e shkoi te një tavolinë e vogël ku kishte një gramafon. Vuri një pllakë me këngë korçare të vjetra. Në sallë u bë qetësi. Zëri i korrit kumbonte…

          “E gjeni dot cili korr i ka kënduar këto këngë? – pyeti ai dhe kur pa se ne mblodhëm supet, sqaroi: “Ky ka qenë korri i burrave të Usterit (Worcesterit). E ruaj këtë pllakë si gjë të rallë… Kur erdha këtu e arrita gjallë Rafail Xhorxh-in (George), një drenovar që këndonte për merak. Zëri i Rafaelit zotëronte mbi të gjithë. Vajza e tij, Linda, është martuar me dibranin e kulturuar, Bashkim Paçuku, këngëtar shumë i talentuar.”

         “Po po e njohim Bashkimin, thashë unë, por na vjen keq që komuniteti ynë nuk e mban afër. Ta kishte komuniteti grek ose ai Hebre, do ta kishte shfrytëzuar këtë këngëtar dhe do ta kishte popullarizuar si meriton. Ne e kemi lënë, si i lemë shpesh herë njerëzit e shquar e të talentuar. Bashkimi ka në shtije disa DVD me këngët e tij, po asnjë nga ne nuk ia ka blerë dhe gjatë ditëve të festivalit nuk i vemë në shitje. Ju u qatë për fshatarët e Kukësit e të Librazhdit, se ishin pa kulturë por në çdo drejtim ne shqiptarët, si në atdhe dhe në diasporë nuk shquhemi për kulturë e për vlerësimin që duhet t’u bëjmë njerëzve që shquhen realisht. Ne shkojmë pas miqësive dhe njohjeve. Edhe drogimi komunist nuk na ka dalë ende. Shikoni Fjalorin Enciklopedik Sqiptar, aty gjen plot zëra për njerëz që i shërbyen regjimit diktatorial që dështoi me turp dhe nuk gjen intelektualë e veprimtarë të shquar të diasporës.”

          “Ej, ç’ po bëni ju, ndërhyri e zonja e shtëpisë, vetëm muhabet, ngrehuni e mbushni pjatat se i keni boshatisur. Po ti Mihallaq humbe pas muzikës, mbushjau gotat, se dhe ato janë bosh.”

          U ngritëm të gjithë dhe pasi i mbushëm pjatat për së dyti, kur u kthyem i gjetëm gotat plot. Mihallaqi na i kishte mbushur, dikujt me verë dikujt me raki, sipas llojit të gotave që kishim. Filluam të hanim, por i zoti i shtëpisë nuk e zgjati muhabetin, ia mori këngës “Një ditë shkova nga Drenova”, dhe ne të tjerët e ndoqëm. Vijuam me këngë të tjera karakteristike korçare.

          Nostalgjia për vendlindjen na mbushi me mall. Na dukej vetja se ishim atje…

          Ben Çika kur mbaruam këngët u ngrit e tha: “Mos na lini pa e fiksuar këtë gosti të bukur në foto.” Dhe mbesa e madhe erdhi me vrap. Pasi hipi mbi një karrike, na porositi të zinim vendet dhe e shkrepi aparatin.

          Të gjithë i kishin bashkëshortet, vetëm unë me Mikail Shollën jo. Kur shkuam në shtëpitë tona u kërkuam grave të falur dhe premtuam se vitin tjetër nuk do të shkonim të festonim te Qeleshët Shën Mikailin pa ato….

Filed Under: Featured Tagged With: Thanas L.Gjika- Familja Qeleshi-Muzeu Historik-Worcester

DIKTATURA E SHUMICËS NDAJ PAKICËS SHQIPTARE NË MAL TË ZI

November 20, 2019 by dgreca

                                                Frank Shkreli/

Ja ndodhi përsëri.  Ndalohet, gjobitet dhe dëbohet një shtetas i Shqipërisë nga Policia e Malit të Zi sepse valviti flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Festivalin vjetor të Gështënjave në rajonin e Krajës, af;r Ulqinit.  Them flamurin shqiptar dhe jo flamuri i Shqipërisë, megjithëse është edhe i Shqipërisë, sepse për shqiptarët kudo, në trojet e veta shekullore dhe anë e mbanë botës kudo që gjënden në diasporë – ky flamur është i tyre — i të GJITHË SHQIPTARËVE kudo qofshin.  Ky është flamuri i Arbëreshve të Italisë, ky është flamuri i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë dhe e shqiptarëve në Çamëri.  Është flamuri i shqiptarëve të shpërndarë anë e mbanë botës, në Evropën Perëndimore dhe lindore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada e deri në Australi e Argjentinë, e madje edhe e shqiptarëve në Ukrainë dhe kudo që janë 10- shqiptarë që bashkohen për të festuar – aty valvitet flamuri i të gjithë shqiptarëve pa dallim shtetësie, pa asnjë pengesë, me përjashtim të Malit të Zi.   Aty na qenka kundër ligjit që të valvitet flamuri shqiptar nga shqiptarët autoktonë prej mijëra vjetësh, në ato vise arbërore.    

Mediat vendase si Ulqinionline dhe ato ndërkombëtare si Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle raportuan rastin e sportistit Irfan Domnori nga Shqipëria. Ai kishte marrë pjesë  një javë më parë në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës dhe gjatë festivalit ka shpalosur dhe ka valvitur flamurin shqiptar. Disa burime njoftojnë se Domnori ishte i vetmi që valviti flamurin shqiptar në atë festival, gjë të le të kuptpohet se autoritetet malazeze kanë frikësuar  dhe kërcënuar tanimë popullatën vendase shqiptare se përdorimi i flamurit shqiptar në festivale të tilla mund të sjellë pasoja të rënda për ata që bëjnë një gjë të tillë.   Për këtë akt “antiligjor” të Z. Domnori, Policia e Malit të Zi e ka ndaluar duke e marrë në pyetje për “krimin” që ka bërë në territorin malazez, e ka dënuar me një gjobë prej 300-eurosh dhe i ka ndaluar hyrjen e tij në Mal të Zi për një periudhë një mujore.   Akuza zyrtare ndaj shtetasit shqiptar Domnori është se, sipas autoriteteve malazeze, ai na paska, “shkelur ligjin mbi rendin public” duke valëvitur flamurin e Republikës së Shqipërisë, një vepër kjo që kërcënon edhe paqën në vend, sipas autoriteteve malazeze.  Megjithëkëtë, nuk thuhet se si valvitja e flamurit shqiptar nga një shqiptar nga Shkodra, kërcënoi rendin publik dhe paqën në vend gjatë atij festivali!

Ajo që e bën këtë akt të Policisë Malaleze ndaj një shqiptari edhe më shqetsues është fakti se sipas radios gjermane Deutsche Welle (DW) shqip ky nuk është rasti i parë.  Ka pasur se raste të këtij lloji nga kombësi të tjera që kanë ndodhur në Mal të Zi por sipas radios gjermane, askush nuk është dënuar as gjobitur.  Ajo përmend një rast specifik.  Sipas DW Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi në mes të gushtit se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të Zi.   E para u njoftua kundër organizatorëve të koncertit humanitar “Për Kosovën e Metohinë tonë”, që u mbajt në Herceg Novi.   Ministria pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi.   Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në lumin Cijevni afër Tuzit, sepse atje ishin vendosur vetëm flamuj shqiptarë, por jo edhe malazezë, sipas DW.

Por, as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm “kërcënime boshe”, njofton DW në gjuhën shqipe.  Sidoqoftë, duket se grupet e ndryshme në Mal të Zi kanë probleme me përdorimin e simboleve të tyre – si rrjedhim edhe i paqartësisë së ligjeve në fuqi — por fatkeqësisht, sipas të gjitha të dhënave, janë shqiptarët në atë vend, ata të cilët e pësojnë më keq për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.

Ndonëse aktorët politikë shqiptarë në Mal të Zi duket se bënë pak zhurmë në lidhje me ketë situatë, në këtë ndërkohë nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar nga vendet fqinje dhe mike të Malit të Zi – dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova të cilat e kanë për obligim kombëtar të ruajnë flamurin kombëtar dhe të mbrojnë identitetin e shqiptarëve– ndaj dënimit të Irfan Domnori, vetëm e vetëm se valviti flamurin shqiptar në një festival kulturor në Ostros të Krajës.   Ishte vetë Irfan Domnori që vuri në dukje për median mungesën e mbështetjes nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.   “Më ndaloi policia, më kërkoi dokumentat dhe më pas më çuan fillimisht në komisariat e më pas në gjykatën e Tivarit.  Atje më thanë që është e ndaluar me ligj të mbahet flamuri shqiptar dhe më vunë gjobë 300 euro dhe të mos të hyj në Mal të Zi për 30 ditë.   Unë i thashë ju e dini, por ju ftoj në Shkodër të pini edhe një kafe, ju si trupë gjykuese, e merrni edhe flamurin tuaj Malazez, e keni me pa që nuk keni asnjë problem.   Për mu kjo nuk është normale po aq më thanë.   Na edhe Mali i Zi jena shtete në NATO, nuk duhet me ndodh kjo.   Duhet me reagu shteti apo instancat tjera, por në fakt këtu nuk ka reagu askush me thanë të drejtën.   I vetmi që është interesuar për këtë rast është numri dy i kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu”, është shprehur, Irfan Domnori në reagimin e tij për mediat.

U takon autoriteteve të Republikës së Malit të Zi që të sqarojnë ligjet e vendit të tyre mbi përdorimin e simboleve kombëtare në atë vend në përputhje me ligjet evropiane dhe ndërkombëtare mbi pakicat dhe u takon autoriteteve vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, përfshirë edhe përdorimin — pa pengesa dhe pa kushte — të simboleve të tyre kombëtare, përfshirë flamurin shqiptar – ashtu siç ndodhë në çdo vend anëtar të NATOs dhe më gjërë, e sidomos në një vend që aspiron gjithashtu të bëhet edhe anëtar i Bashkimit Evropian, siç është Mali i Zi.

Shqiptaro-Amerikanët me origjinë nga trojet shqiptare në Mal të Zi janë të shqetësuar nga mënyra se si sillen autoritetet malazeze me bashkombasit e tyre atje, përfshirë rastin e fundit të shqiptarit Irfan Domnori.   Shqiptaro-amerikanët dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë mbështetur, madje edhe në qarqet politike amerikane, shkëputjen e Malit të Zi nga ish-Jugosllavia, si dhe antarësimin e Podgoricës në NATO, me shpresën se shqiptarët në Mal të Zi, nën këto rrethana të reja gjeopolitike, do të trajtoheshin pak më mirë së në të kaluarën, për të mos thënë se shpresonim se do të trajtoheshin barabar me të tjerët, në një vend që thotë se e ka përcaktuar të ardhmene tij drejtë perëndimit.  Rasti i Irfan Domnorit, fatkeqësisht, tregon se mbetet shumë për tu bërë nga autoritetet malazeze në mbështetje të të drejtave të pakicës shqiptare atje nga shumica sllave, për të justifikuar mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë Malit të Zi, në përpjekjet e tija për pavarësi dhe për integrimin e Podgoricës në organizmat euro-atlantike, përfshirë antarësimin në NATO. 

Fatkeqsisht, trajtimi i deritanishëm i shqiptarëve autoktonë nga autoritetet e Malit Zi duket më shumë si një diktaturë e shumicës ndaj pakicës.   Alexis de Tocqueville në kapitullin “Tirania e Shumicës”, në librin e tij të njohur, “Demokracia në Amerikë”, e shikonte tiraninë e shumicës ndaj pakicave politike, shoqërore dhe kombëtare si një kërcënim të “vazhdueshëm ndaj demokracisë”.  “Shumica jo vetëm që i miraton ligjet, por ajo edhe mund t’i shkeli ato kollaj”, ka shkruar Tocqueville.  

Nuk është e nevojshme të shikojmë larg në histori që të bindemi se keqtrajtimet më ekstreme dhe krimet më çnjerzore ndaj pakicave janë bërë nga diktaturat fashiste dhe komuniste të shekullit të kaluar.  I tillë ishte edhe projekti i diktatorit komunisto-nacionalist serb Sllobodan Millosheviç për të krijuar “Serbinë e Madhe” nepërmjet spastrimit etnik nepërmjet shpërnguljses së detyruar, përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 10,000 shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë – për tu ndaluar vetëm nga sulmet ajrore të NATO-s –një fushatë kjo që njihet si njëra nga ndërhyrjet më efektive ndërkombëtare në mbrojtje të një pakice kombëtare nga synimet djallëzore të një diktature të shumicës.

***

Captions: 1- Irfan Domnori me flamurin shqiptar (krahas flamurit të Malit të Zi në sfond) në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës — I ndaluar, i gjobitur dhe i dëbuar si i “rrezikshëm” për rendin dhe qetësinë publike në Mal të Zi, sipas autoriteteve malazeze.  Foto nga Ulqinionline

2- Pamje nga njëra prej paradave vjetore të shqiptarëve të Nju Jorkut, kur rrugët e këtij metropoli të madh këthehen në ngjyrat Kuq e Zi – ashtu siç bëjnë dhjetëra kombësi të ndryshme që jetojnë në Amerikë.  Jo vetëm që nga shprehje krenarie për prejardhjen e tyre nuk kërcënohet as rendi as paqja në Amerikë!  Përkundrazi, shfaqje të tilla inkurajohen nga autoritetet amerikane, në të cilat shpeshëherë edhe ata vet marrin pjesë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Mali i Zi- Diktatura e Shumices

NATO në Kosovë dhe Kosova në NATO

November 19, 2019 by dgreca

-Në prani të Admiralit Amerikan James Foggo – komandant i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli, në Prishtinë zhvillohet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it – forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë/

-Presidenti Thaçi: Zhvillimi i FSK-së do të thotë se një ditë, në një të ardhme të afërt, do të realizohet aspirata jonë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por që edhe Kosova të jetë në NATO, si dhe të kontribuojmë për paqen në tërë botën/

PRISHTINË, 19 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 20 vitesh në pranverën 1999,  prej sot ka komandant të ri Gjeneralmajorin Michele Risi.

Ushtaraku Italin mori detyrën nga bashkëkombasi – Gjeneralmajori Lorenzo D’Addario në ceremoninë e ndërrimit të komandës paraditën e sotme në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it  “Film City”, në Prishtinë.

Ceremonia e sotme u zhvilla në prani të Admiralit Amerikan James Foggo – komandant i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli.

Vitin e kaluar ceremonia e ndërrimi të komandës së KFOR-it është zhvilluar në në 28 Nëntor, deri kur komandant, prej një viti, ishte gjeneralmajor Salvatore Cuoci.

Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it,  komandanti i parë ishte gjenerali britanik Michael Jackson.

NATO në Kosovë dhe Kosova në NATO në një të ardhme të afërt është aspirata që u ritheksua edhe në ceremoninë e sotme, ku morën pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, si dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e kandidat për kryeministër të Qeverisë së re, Albin Kurti.

Nga ambasadat-prania ndërkombëtare në Kosovë mes pjesëmarrësve në ceremoni ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.

PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA ASPIRON TË JETË ANËTARE E NATO-s 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, sot, tha se ndonëse është ceremoni që në shikim të parë duket e njëjtë, në fakt çdo vit sjellë diçka të re.

 “Risia e parë që sjellë është një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it, NATO-s në përgjithësi, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Risia e dytë është zgjerimi i bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, që dëshmohet me raportet për të arriturat e vazhdueshme, veçanërisht në bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dhe risia e tretë është hapi i madh drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit e ka falënderuar për punën e bërë komandantin e deritashëm të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin D’Addario.

 “Angazhimi juaj ka sjellë më shumë paqe, më shumë siguri dhe kjo ka ndikuar në jetë më të mirë për çdo qytetar të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i dëshiruar mirëseardhje komandantit të ri, gjeneralmajorit Michele Risi.

Presidenti Thaçi ka thënë se edhe pas 20 vjetësh prezencë në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë një prej organizatave që gëzon besimin më të madh të qytetarëve.

 “Ky besim i madh nuk është aspak i rastësishëm. Por, është i krijuar falë punës profesionale, të paanshme dhe të suksesshme, që ushtarët e KFOR-it e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Suksese jo vetëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës, të hapësirës ajrore të Kosovës, por veçanërisht për sukseset në përkrahjen e Kosovës nga brenda. Këto suksese janë ndihma që ofrohet çdo ditë, për çdo komunitet, në tërë Kosovën, ndihma për shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare dhe mediat në vendin tonë. Besimi, bashkëpunimi, përkrahja, toleranca, bashkëjetesa, multietniciteti, paqja, janë vlera mbi të cilat është ndërtuar miqësia në mes të KFOR-it dhe çdo qytetari të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se çdo komandant i KFOR-it është angazhuar për ndërtimit e një komunikimi sa më të mirë me qytetarët, sepse vetëm përmes komunikimit të mirë përçohen fuqishëm mesazhet e paqes, pajtimit dhe bashkëpunimit, duke treguar se të gjithë kemi përgjegjësi për ta forcuar paqen dhe për ta ndërtuar një jetë më të mirë në tërë rajonin tonë.

 “Sukseset tona të përbashkëta në fakt e bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshëm KFOR-in. Reduktimi i vazhdueshëm i trupave të KFOR-it në Kosovë është treguesi më i mirë për sukseset që kanë arritur ushtarët dhe udhëheqësit e KFOR-it. Këto suksese janë arritur edhe falë bashkëpunimit të ngushtë me mekanizmat vendorë të sigurisë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se nga bashkëpunimi i mirë është krijuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale dhe shumetnike, e cila është në shërbim të çdo qytetari të Kosovës.

Ai ka shtuar se zhvillimi i FSK-së do të thotë se një ditë, në një të ardhme të afërt, do të realizohet aspirata jonë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por që edhe Kosova të jetë në NATO, si dhe të kontribuojmë për paqen në tërë botën, me punën tonë dhe me shembullin tonë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari- NATO-KOSOVA-Admirali James Foggo

Gërrvërret në raportet me Kosovën

November 19, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Në studiot e Tiranës ka zënë vend një gërrëvërre a një xhelozi habi në lidhje me pritjen që shqiptarët e Kosovës u rezervuan anglezëve në ndeshjen e fundit në grup. Madje ka nga ata që pohonin se u dukej e pakuptimtë e cilësonin si delir duke pretendetuar se Anglia do t’i toleronte në rezultat, mirëpo ua rrasi. Shikoni çfarë logjike, po e presim Anglinë fairplay dhe ajo na toleron?! Kjo për shqiptarët e Kosovës, apo kosovarët siç thonë ata. Logjikë e analistëve të trashur nga nginja e përnatshme, nga dalja orë e pa orë. Kurse gazetave ca të tjerë shtojnë se si nuk panë në rrugët e Prishtinës një flamur kuq e zi, por vetëm ato të Anglisë?! Dhe se ndeshjen mes Shqipërisë dhe Francës nuk e shikonin të transmetohej gjëkundi etj. Në fakt radiotelevizioni kombëtar i Kosovës e ka transmetuar drejtpërdrejtë, se aty e ndoqa edhe vet për shkak të cilësisë në transmetim në raport me atë të televizionit shqiptar. Pa u futur tek ceremonia e hapjes që qe një skandal, një shpifësirë në realizim. Dhe kjo ka domethënien se nuk ia njohim cakun hapave, jemi pjesë e asaj kulture zhurmë. Logjikisht pas ecurisë, sidomos pas humbjes në Çeki ndeshja e Kosovës me Anglinë nuk kishte asnjë vlerë veç faktit të kënaqësisë që të luash karshi atyre që shpikën futbollin. Në raport me Shqipërinë, Kosova bëri mrekullinë dhe zhvilloi një fazë për tu mbajtur mend, për më tepër kur shumë prej nesh mezi prisnin ta shihnin. Një Kosovë që shtrihej në fushë dhe aplikonte një futboll cilësor e bashkëkohor, pa shumë veprime individuale dhe me shpirt gare etj. Por jemi te gërrvërret dhe një mllef prej provincialësh që habiten për Kosova u mbulua nga flamuri i bardhë me kryqin e kuq dhe plot falënderime për Anglinë. Kosova ka në asht një mirënjohje kombëtare karshi Anglisë dhe me të drejtë. Kjo është e shkuara jo e largët, por plot 20 vjet, periudha e bombardimeve të amerikanëve dhe Natos. Ishte kryeministri anglez i kohës, Tony Blair që bëri presion mbi Amerikën dhe Naton për ndërhyrje tokësore, madje dha urdhër që forcat angleze të zbarkonin në Kosovë, sidomos pas gabimeve të njëpasnjëshme nga bombardimet, si në burgun e Dubravës më 1999. Siç u vërtetua më vonë në pretekstin e bombardimeve, ku u vranë 17 civilë, numri real ishte 99 me shumicë dërrmuese shqiptarë, por këta nga mizoritë e spastrimeve etnike. Si me thënë rrëmujë është le të vrasim sa të mundim. Ishte pikërisht ky moment kur Tony Blair apo Anglia gatiti një formacion me 50 mijë ushtarë specialë për ndyërhyrje tashmë tokësore. Fill pas kësaj edhe aleatët por edhe Amerika u shtrënguan të bëjnë të njëjtën gjë. A ka të drejtë Kosova të t’i jetë mironjëhese Anglisë, pa diskutim sepse në nga ato ditë reprezalshjen numri i të vrarëve apo të zhdukurve do të ishte më i madh. Kësisoj shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën e Zotit të t’i jenë mirënjohës Anglisë. Dhe po me të drejtën e Zotit rrugët e Prishtinës mbuluan faqet e para të webeve ndërkombëtare. Sa për dijeni në ato vite shteti amë Shqipëria ishte akoma në kaosin e 97-tës, brenda një vetvrasje civile dhe nuk kishte se si t’i kushtonte vëmendje luftës në Kosovë. Madje me depot e hapura bënin tregti me shqiptarët e Kosovës, ku bandat e zonave nuk pirdhnin për asnjë lloj amëshimi kombëtar veç xhepave. Edhe ai pak suport si nga e djathta apo e majta nxiti një luftë meritash të karakterit porvincial se kush bëri më shumë, por e vërteta ishte se Shqipëria bëri një vrimë ujë deri sa u përfshi në një luftë të ashpër brenda llojit. Një luftë që asnjë emër tjetër nuk i shkon veç ai i absurdit kolektiv. Atëhere përse gërrvërremi ne me Kosovën? Thjesht se jemi megallomanë, kurse në raport me ne shqiptarët e Kosovës janë më europianë, pavarësisht një doze otomaniste. Shqiptarët e Kosovës janë më luajal në raport me demokracinë dhe lirinë, kurse ne jemi të marrë peng. Jemi smirëzinjë se po atë mbrëmje luhej në Tiranë Shqipëri Francë. Edhe kjo një ndeshje pa interes, veç për statistika. Por inaugurohej stadiumi i ri dhe show tiranas duhej të kishte mbushur Prishtinën etj., naivitet. Show tiranas ishte për ibret kur thoshin të parët, e për më tepër në një qendër tregtare që zhduku çdo vlerë nga historia e sportit, me një kosto marramendëse. Ndërkohë kur Kosova po pritet të rehabilitoj nga themelet bash në Mitrovicë një stadium kombëtar me kapacitet 32 mijë spektator me vlerën monetare 14 milion euro. Shqiptarët harxhuan 75 për të nxjerrë një stadium me tre anë, se ana ballore duket si ato radiot Bandsuper të kohës së komunizmit, ato që vinin nga Kina e largët. Shikojeni projektin e stadiumit të Mitrovicës që të kuptoni sharmin e olimpizmit me ato tegjeve industriale të Tiranës sonë. Edhe kaq mund të mjaftojë për të dalluar diferencën mes nesh dhe sharmit të shqiptarëve të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Gërrvërret- në raportet- me Kosovën

LAMTUMIRE KAMPION!

November 18, 2019 by dgreca

Shuhet ish Kampioni i mundjes klasike dhe Pishtari i Demokracisë, Artur Kreka//

Nga Raimonda MOISIU& Dashamir TOPÇIU/   

Në dt. 15 Nëntor 2019-ë, shkoi përjetësisht në Amëshim, njeriu, sportisti i mirë, antikomunisti, demokrati i vërtetë në ideal, vlera dhe personalitet, biri guximtar dhe trimi korçar, Artur Kreka, në një moshë realtivisht të maturuar dhe të re.

Ikja e parakohëshme e Turit, është tronditje,  tragjedi dhe dëshpërim i thellë për familjen, njerëzit e dashur që e rrethonin, se humbën njeriun e tyre të dashur e të shtrenjtë.

Por, jo vetëm!

Ikja  e këtij miku, njeriu të mrekullueshëm dhe sportisti të talentuar e të shkëlqyer përcolli impaktin  emocionues të trishtë dhe të dhimbshëm, te të gjithë ne miqtë e fëmijërisë lindur e rritur në një lagje, te publiku sportdashës korçar dhe komuniteti i sportit shqiptar të mundjes klasike, të njohur e të panjohur ane-kënd Shqipërisë, veçmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik, shok, bashkëudhtarë të kauzës sportive, qytetare dhe demokrate në udhëtimin e bukur e të trishtë të jetës.

Origjina, familja dhe talenti i një Kampioni në mundje  me emër.

Artur Kreka, ka lindur në vitin 1961-ë, në lagjen  nr. 8-ë, në lagjen e vjetër dhe e njohur historikisht si Lagjja e Iljas Bej Mirahorit të  Madh, themeluesit të xhamisë 600 e ca vjeçare dhe të Korçës moderne. Është pinjoll i familjes së dëgjuar Kreka,  një familje e thjeshtë tradicionale dhe autoktone korçare, e njohur jo vetëm si punëtorë të thjeshtë, por edhe  kanë  spikatur ndjeshëm në arësim, kulturë dhe sport. Mbasi mbaroi arësimin e hershëm, Arturi vuri re se kishte dhunti e pasion për sportin e mundjes, kjo edhe si rezultat i fizikut të tij shtatlartë dhe me parametrat e një sportisti. 

Sporti korçar, ka patur suksese në disa disiplina, por në mundje ata që spikatën numëroheshin me gishtat e dorës. Karriera e tij si mundës ka nisur herët, në moshë fare të re dhe fillesat sportive të Arturit janë të lidhura ngushtë me pasionin dhe dhuntinë e tij për sportin e mundjes klasike. Ndoshta ishte edhe nxitja nga dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, por edhe  ambienti, rruga dhe mëhalla e njohur e Radanecit, aq popullore, unike e vitale, që e nxitën, frymëzuan, dhe e  bënë  si rrallëkush djaloshin korçar të njihte vetëm progres në sportin e mundjes klasike të  Klubit Korçar. Ja si na tregonte Arturi në bisedat që bënim shpesh me të:

“Ne fëmijët e kësaj lagje, shkonim si grup për t’u stërvitur në palestër. Ishim djem të rinj, dhe fiziku ynë i fuqishëm kujt nuk i pëlqente!’

Kur nisi stërvitjen e rregullt në vitin 1974  me të rinjtë, dhe me dy vëllezër më të rritur që ushtronin sportin e mundjes, askush nuk e kishte imagjinuar se si Arturi do të ngjitëte shkallët e karreriës e të  suksesit aq  shpejt. Me inteligjencë, përkushtim dhe forcë fizike  arriti rezultate të shkëlqyera si një prej mundësve më të mirë të tapetit korçar të viteve ’80-’90-ë. 

Me ndihmesën dhe këmbënguljen e çmuar të vëllëzërve të tij dhe trainerit që ai e vlerësonte shumë, Vaskë Mandro, – Artur Kreka shumë shpejt u kthye në Kampionin e Mundjes Shqiptare, duke bërë historinë e mundjes, me  shumë tituj e vlerësime të merituara në evenimente kombëtare e ndërkombëtare për të rinjtë e të rriturit. Artur Kreka arritur në nivelet më të larta të këtij sporti duke u ndeshur me ikona  të mundjes klasike, sikundër: Paulin Merla, Paulin Stërkaj, Fidel Ylli dhe vëllezërit Dhelpra.

“I vetëm si sportist, e kam mbajtur në kategorinë e parë Skënderbeun në sportin e mundjes” -veçonte  ndër kujtimet e tij, kampioni Artur Kreka.

I shpallur pesë herë rresht kampion në Kupën e Republikës në vitet 1981-ë-1986-ë, dhe dy herë kampion individual. Dhe nuk kishte se si të mos i jepej titulli Mjeshtër Sporti.

Vlerësimet vazhduan edhe me titullin Emblema e Artë e Qytetit, dhënë nga Këshilli Bashkiak i Korçës. Karakteri dhe Personaliteti i Turit sa vinte e rritej, maturohej si simboli i njeriut të mirë me bonses, human e fisnik, miku i dashur dhe i mirë i   të gjithëve, symbol i njeriut të Pathyeshëm  dhe Sportisti i Shkëlqyer.

Mbështetës i flaktë aktivist i paepur   që në fillimet e lëvizjes demokratike, Arturi u rreshtua në krah të liderit historik të demokratëve, Dr. Prof. Sali Berisha, dhe po i tillë, i qëndroi  besnik deri në fund të jetës së tij.

Artur Kreka ndoqi rrjedhën e jetës si demokrat, por pa i hedhur poshtë miqtë, të majtë. Kur vjen fjala për mundësin me të cilin ka konkuruar, Fidel Yllin, gjithshka e përmblidhte në një lloj sentence; “Opozitarë në sport, opozitarë në politikë, por vëllezër në jetë”.

Artur Kreka do të mbetet në memorjen e korçarëve e shqiptarëve jo vetëm si Legjenda e Mundjes Klasike por edhe Heroi i revoltës antikomuniste në Korçë dhe  nismëtari i rrëzimit të  monumentit të diktatorit. Ai ishte Kryetar i Shoqatës Antikomuniste “20 Shkurti” në Korçë. Ai i vuri shpatullat Partisë Demokratike, jo vetëm që me  themelimin e saj, si nismëtar dhe organizator në qytetin e tij të lindjes, Korçës, por edhe në ditët e saj më të vështira. Artur Kreka mbetet  Heroi i demkracisë shqiptare, Kampionit të mundjes  nuk i mungon as titulli Pishtar i Demokracisë, i dhënë respektivisht nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Dr.Prof. Sali Berisha. E ka fituar atë si një nga sfidantët  dhe protagonistët, e përmbysjes së Shtatores së Enver Hoxhës në Qytetin e Korçës.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kampionit e Pishtarit të Demokracisë, të ndjerit Artur Kreka.

Me ndarjen nga jeta të Artur Krekës, komuniteti i sportit të mundjes korçare dhe atij shqiptar, humbën një prej kampionëve të padiskutueshëm ndër vite, teksa kolegët e tij në mundje do ta kujtojnë me respekt, në momente homazhi, malli, mungese, dhimbje, dashuri, mirënjohje e admirim, për njeriun

e mirë dhe të maturuar, mikun, sportistin e talentuar e të shkëlqyer, Mjeshtërin e Sportit, dhe Kampionin në mundje që u shëndrrua në tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave njerëzore, sportive, qytetare dhe idealin e demokracisë. Ai ngriti lart emrin e Klubit Skënderbeu dhe të Korçës në dekada. Shprehën ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social dhe në shtypin shqiptar, personalitete politike,  demokratike dhe historikë, nga të majtë e të djathtë, miq të fëmijërisë, kolegë të mundjes, tifozë, sportdashës, bashkëqytetarë korçarë dhe  të njohur e të panjohur për ndarjen nga jeta të Legjendës së Mundjes Klasike dhe Pishtari i Demkracisë, të ndjerin Artur Kreka.

Arturi ishte një miqtë më të mirë të liderit historik demokrat Dr.Prof. Sali Berishës. Ja si u shpreh dr. Berisha: “Ngushëllim! Një kampion dhe demokrat i falktë do na mungojë përgjithmonë! Artur Kreka nuk është më! Miq, sot u nda nga jeta Artur Kreka, Pishtar i Demokracisë, një ndër demokratët e parë dhe të përkushtuar që bëri gjithçka për Degën e PD-e në Korçë. Ai ishte gjitashtu Kryetar i Shoqatës “20 Shkurti” në Korçë, dhe ish-Kampion Kombëtar për shumë vite në  mundje klasike. Mirënjohje të thellë për kontributin e Arturit dhe ngushëllimet më të ndjera, familjes e miqëve të tij. Ngushëllime!sb”.

Ndërsa, ish-trainieri i Turit, që e stërviti me të rinjtë e të rriturit, dhe pjesëmarrës në funeral, Vaskë Mandro shprehet:

“Është tejet e vështirë të flasësh në këtë moment të dhimbshëm, sepse ngjarja tashmë ka ndodhur dhe e keqja na erdhi. Humbëm një njeri të dashur e të shtrenjtë, Korça ka humbur një Mjeshtër dhe Legjendë të mundjes klasike. Veç legjendës, ne humbëm njeriun e mirë e të urtë, më të mirin e të gjithëve, humbëm Kapitenin e ekipit  me plot gojën, i cili në të gjitha aktivitet nderonte Korçën dhe mbrojti titullin Mjeshtër i Sportit për dekada. U prehtë në Paqen e Amëshuar, aty ku prehën Legjendat!” “Ngushëllime njerëzve të dashur të tij për humbjen që patën -jo vetëm ata- por dhe komuniteti sportiv Korçar,  sepse u nda nga jeta një nga Legjendat e mundjes Korçare dhe Kombëtare. I përjetshëm qoftë kujtimii tij!- flet mes  dhimbjes e trishtimit,  Teodor Vaso, legjenda dhe ikona e Futbollit Shqiptar.

“Arturi u nda nga jeta para kohe. E trishtueshme. Ta kujtojmë për kontributin e tij pasionant në fillimet e demokracisë. Ngushëllime familjes, u prehte në paqe”. Me këto fjalë shprehu ngushëllimet e përzëmërta, Gjergji Gjinko.

Ndërsa Ndriçim Spahiu shprehet:“Jemi shumë të pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-mundësit Kampion të ekipit të Korçës, Artur Kreka. Familja humbi njeriun e dashur dhe sporti humbi një mik dhe sportist të shkëlqyer. Arturi do të mbahet mend gjatë tek i gjithë komuniteti i mundjes. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

 Bajram Shtylla, një figurë e nderuar dhe spordashës veteran i sportit korçar, shprehu ngushëllimet familjes Kreka për humbjen e parakohëshme të njeriut të shtrenjtë të tyre, si dhe sportit të mundjes, për humbjen e  kampionit të saj!”

Eljas Guri, ish-mundës dhe koleg i Arturit ushëtoi nga Shkodra për të marrë pjesë në funeralin e të ndjerit e mes dhimbjes për ikjen e kolegut të tij ndër vite tha: “Për ne ka kenë një sportist i madh, nji shok i mirë, që na iku dhe u nda parakohe nga jeta. Arturi ka kenë ndër djemtë ma të mirë që ka pasë Korça e Shqipëria, në sportin e mundjes. Një jetë sportive e gjatë që i kena hangër djersën njër-tjetrit, dhe kërkush nuk e kuptoi sa e kemi dashur njëri-tjetrin në sport, ani pse  mund ta kemi humbur apo fituar ndeshjen mes nesh, por miqësia e simpatia nuk humbi kurrë. Ngushëllime familjes dhe dashamirësve  të sportit të mundjes!

Ndërsa Bes Pirani, edhe ky një ish- mundës dhe koleg u shpreh se Tur Kreka ka kenë nje djalë i mirë dhe i shkëlqyeshëm, ka arritur rezultate të mira për ekipin korçar, e kam pasur  shok, mik e vëlla të mrekullueshëm.

Risa Minai, ish- mundës tha se ata kanë erdhur enkas një grup si Shoqata e Mundjes nga Shkodra e Tirana për të nderuar dhe për t’i dhënë lamtumirën  në banesën e fundit; një njeriu të mirë e  të shkëlqyer që i ka dhënë Korçës dhe gjithë Shqipërisë.  

Humbja e tij është dhimbje e madhe për familjen e Shoqatën e Mundjes Shqiptare. Na ka hidhëruar shumë dhe do të na mungojë.

Ritvan Bode ish-Sekretari I Përgjidhshëm PD-e, në fjalën fjalën e tij ngushëlluese, mes të tjerave theksoi se:”.. ikja e Turit  është një humbje e madhe dhe e dhimbëshme për familjen, por edhe për ne miqtë e shokët e tij. Me Turin jam njohur nëpërmjet politikës djalë me besë, guximtar dhe  i pathyeshëm në idealin e bindjen e tij demokratike. Për mua, që kam punuar një kohë të gjatë me të, si një njeri që diti të përballet me vështirësitë e kohës dhe  t’u japë kurajo të tjerëve, i pathyer në bindjet dhe në aspiratat e tij. Do të mbetet i përjetshëm kujtimi i tij.”

“Vdekjes askush në botë, nuk mund t’ia ndalë lirinë,
si mace e zezë vjen, të prêt rrugën, ditë a natë
kur ta ka gjetur derën, e shqyen atë me forcë,
të ndryshkurat mendeshe këndojnë të kobshmen serenatë…
Prehu në Paqen e Amëshur miku i fëmijërisë, Mundësi dhe Sportisti i mirë, Njeriu dhe Qytetari Fisnik me Shpirtin Ideal të nië Demokrati të Vërtetë, Artur Kreka..
Të Qoftë Dheu i lehtë në Korçën tënde që TI e doje, respektoje dhe e krenoje aq madhërishëm ne Sport, Jetë e Qytetari! Ngushëllime! Pranë Familjes KREKA -Raimonda & Familja. Me largimin e Artur Krekës  mundja korçare dhe shqiptare ka humbur kampionin e madh të tapetit, familja njeriun e tyre të shtrenjtë, miqtë, njeriun me zemër të madhe dhe politika ka humbur Pishtarin e Demokracisë.

Postcriptum

Shkrimi u realizua nga;

Raimonda MOISIU SADE

Shkrimtare & Gazetare e Pavarur, SHBA

Dashamir TOPCIU

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT