-Në prani të Admiralit Amerikan James Foggo – komandant i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli, në Prishtinë zhvillohet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it – forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë/
-Presidenti Thaçi: Zhvillimi i FSK-së do të thotë se një ditë, në një të ardhme të afërt, do të realizohet aspirata jonë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por që edhe Kosova të jetë në NATO, si dhe të kontribuojmë për paqen në tërë botën/
PRISHTINË, 19 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 20 vitesh në pranverën 1999, prej sot ka komandant të ri Gjeneralmajorin Michele Risi.
Ushtaraku Italin mori detyrën nga bashkëkombasi – Gjeneralmajori Lorenzo D’Addario në ceremoninë e ndërrimit të komandës paraditën e sotme në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it “Film City”, në Prishtinë.
Ceremonia e sotme u zhvilla në prani të Admiralit Amerikan James Foggo – komandant i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli.
Vitin e kaluar ceremonia e ndërrimi të komandës së KFOR-it është zhvilluar në në 28 Nëntor, deri kur komandant, prej një viti, ishte gjeneralmajor Salvatore Cuoci.
Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it, komandanti i parë ishte gjenerali britanik Michael Jackson.
NATO në Kosovë dhe Kosova në NATO në një të ardhme të afërt është aspirata që u ritheksua edhe në ceremoninë e sotme, ku morën pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, si dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e kandidat për kryeministër të Qeverisë së re, Albin Kurti.
Nga ambasadat-prania ndërkombëtare në Kosovë mes pjesëmarrësve në ceremoni ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.
PRESIDENTI THAÇI: KOSOVA ASPIRON TË JETË ANËTARE E NATO-s
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, sot, tha se ndonëse është ceremoni që në shikim të parë duket e njëjtë, në fakt çdo vit sjellë diçka të re.
“Risia e parë që sjellë është një hap tjetër në thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it, NATO-s në përgjithësi, dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Risia e dytë është zgjerimi i bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës, që dëshmohet me raportet për të arriturat e vazhdueshme, veçanërisht në bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Dhe risia e tretë është hapi i madh drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në tërë rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit e ka falënderuar për punën e bërë komandantin e deritashëm të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin D’Addario.
“Angazhimi juaj ka sjellë më shumë paqe, më shumë siguri dhe kjo ka ndikuar në jetë më të mirë për çdo qytetar të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke i dëshiruar mirëseardhje komandantit të ri, gjeneralmajorit Michele Risi.
Presidenti Thaçi ka thënë se edhe pas 20 vjetësh prezencë në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë një prej organizatave që gëzon besimin më të madh të qytetarëve.
“Ky besim i madh nuk është aspak i rastësishëm. Por, është i krijuar falë punës profesionale, të paanshme dhe të suksesshme, që ushtarët e KFOR-it e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Suksese jo vetëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës, të hapësirës ajrore të Kosovës, por veçanërisht për sukseset në përkrahjen e Kosovës nga brenda. Këto suksese janë ndihma që ofrohet çdo ditë, për çdo komunitet, në tërë Kosovën, ndihma për shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare dhe mediat në vendin tonë. Besimi, bashkëpunimi, përkrahja, toleranca, bashkëjetesa, multietniciteti, paqja, janë vlera mbi të cilat është ndërtuar miqësia në mes të KFOR-it dhe çdo qytetari të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se çdo komandant i KFOR-it është angazhuar për ndërtimit e një komunikimi sa më të mirë me qytetarët, sepse vetëm përmes komunikimit të mirë përçohen fuqishëm mesazhet e paqes, pajtimit dhe bashkëpunimit, duke treguar se të gjithë kemi përgjegjësi për ta forcuar paqen dhe për ta ndërtuar një jetë më të mirë në tërë rajonin tonë.
“Sukseset tona të përbashkëta në fakt e bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshëm KFOR-in. Reduktimi i vazhdueshëm i trupave të KFOR-it në Kosovë është treguesi më i mirë për sukseset që kanë arritur ushtarët dhe udhëheqësit e KFOR-it. Këto suksese janë arritur edhe falë bashkëpunimit të ngushtë me mekanizmat vendorë të sigurisë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se nga bashkëpunimi i mirë është krijuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale dhe shumetnike, e cila është në shërbim të çdo qytetari të Kosovës.
Ai ka shtuar se zhvillimi i FSK-së do të thotë se një ditë, në një të ardhme të afërt, do të realizohet aspirata jonë që jo vetëm NATO-ja të jetë në Kosovë, por që edhe Kosova të jetë në NATO, si dhe të kontribuojmë për paqen në tërë botën, me punën tonë dhe me shembullin tonë./b.j/