• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

KOSOVA DHEMBJE E NDIHMA PËR SHQIPËRINË, 28 NËNTORI PA FESTIME

November 29, 2019 by dgreca

-Kosova plot dhembje të madhe për jetët e humbura dhe të gjitha pasojat nga tërmetet në Shqipëri, mobilizim për ndihma, 28 Nëntori pa festime e me shumë nderime Flamurit Kombëtar Shqiptar ngritur në kulme e maja e që mbushë edhe sheshet me valimet kuqezi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 28 Nëntor 2019/ Në Kosovë ka plot dhembje të madhe për jetët e humbura dhe të gjitha pasojat nga tërmetet në Shqipëri, derisa vijon grumbullimi dhe dërgimi i ndihmave materiale e financiare, si dhe pritja e të pastrehëve nga zonat e prekura, edhe sot në një ditë që është për t’u festuar 28 Nëntori, por që nuk festohet, vetëm nderohet e lartësohet Flamuri Kombëtar ngritur në kulme e maja e që mbushë edhe sheshet me valimet kuqezi.

Në sheshet e Prishtinës e qyteteve tjera të Kosovës janë ngritur pika grumbullimi për ndihmat, të cilat mund të dorëzohen në kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Prizren, e  prej atje u kalohen autoritetve të Shqipërisë, sipas një vendimi të njoftuar nga qeveria kosovare pas një mbledhje të jashtëzakonshme.

Sot ka nisur sistemimi i të zhvendosurve nga Shqipëria edhe në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, në Prizren,  ku në mbrëmje shkojnë në vizitë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Në mobilizimin për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për strehim të shtetasëve të Shqipërisë të prekur nga tërmetet, Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman e ka siguruar  Policia e Kosovës, ndërsa  Agjencia e Emergjencave ka dërguar ekipin adekuat, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prizrenit janë kujdesur për ekipet mjekësore primare dhe sekondare, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar ekipet adekuate për menaxhim të zhvendosjes, Shoqëria civile dhe qytetarët në koordinim me Komunën e Prizrenit kanë ofruar ushqim dhe materiale të tjera të nevojshme.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ janë në përkrahje të vazhdueshme në koordinim dhe në ndihma.

Në Kosovë, ndryshe nga ky 28 Nëntor 2019 pa manifestime festive, dita e madhe e gjithë shqiptarëve festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante nga Shqipëria. Në vitin 1968, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, është festuar edhe me demontrata të fuqishme gjithëpopullore në kërkimin e të drejtave kombëtare dhe edhe viteve tjera drejt pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i pavarësisë shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-Pa fetse-Dhimbje-Ndihma

As kanceri nuk na ka mundur dhe nuk na ka ndarë

November 28, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk kam fjalë ta risjell se çfarë ndjeva, se nga erdhën ato gulçe gjoksi kur dëgjova zërin e një zonje nga Peja, e mira po luftonte me kancerin, këtë virozë shekullore që po na bren për së gjalli. E bukura ajo jepte 50 euro në ndihmë të të dëmtuarve në Shqipëri. Ishte pensioniste, vlera monetare mujore që merrte qe 75 euro, ajo jepte 50. Kërkonte medoemos të ndihmonte Shqipërinë, nevojtarët, ata që zemërdridhur nuk i zinte syri pikën e gjumit. Bash atë fije fryme thellova e thashë para ekranit se as kanceri nuk po na mund dot, as kanceri nuk po na ndanë dot. Megjithatë na ka ndarë e mundur, na ka vënë përtokë politika, vemja e ndyrë.

Nuk e di se si ta shpjegoj këtë mospërputhje shekujsh mes esnafit dhe njerëzve a shoqërisë sonë? Por një gjë është e qartë që informaliteti i deritanishëm qeverisës dëshmoi se sa i pamundur është një shtet i korruptuar jo vetëm ekonomikisht e ushtarakisht por edhe shpirtërisht. Nuk i kushtonte asgjë duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i opozitës të ishin ulur bashkë në gjendje emergjence për të dhënë një mesazh bashkëkohor atë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit. Të jeni të bindur se dhimbja do të dobësohej me okë. Por nuk e bën, thumbojnë njëri-tjetrin megjithëse dështimi është pronë e tyre.

Ta shpif kur shikon se si një kryeministër kërcënon publikisht mediat që sipas tij keq informojnë. Kanë nga një jetë vet që keq informojnë e keq qeverisin dhe nuk i ka kapur asnjë lloj bir ligji, egjithatë kërcënojnë. Ka kaq vjet që bën si i do mender bytha e megjithatë asnjë fije floku nuk i është prekur. Eshtë kohë paniku dhe një qeveritar i korruptuar nuk e kupton dot se i çfarë rëndësie është një apartament i blerë me gjakun e fëmijës emigrant, një apartament të cilit i ka fluturuar faqja e murit dhe ka mbetur ashtu gërmadhë. Nuk ka si ta kuptojnë se nuk e kanë këtë përvojë. Përvoja e tyre është tjetër, ajo e kopjativit që e bën 3-shin 8 dhe se ka problem të të blej një apo dy apartamente. Nuk e ka përvojën e gjakut të dhënë, por të shushunjës që pi gjak. Nuk janë paratë e tia, janë të buxhetit, baxhellos ku nuk ka mbetur gojë shtetari pa u pështymosur. Mirëpo shefi i qeverisë kërcënon dhe u tregon gishtin atyre që tashmë prej ditësh rrinë aty e nuk mund të largohen. I do ekranet të pohojnë çfarë do ai. Megjithëse nuk e kupton dot atë që ka fjetur përjashta, nuk ka mundur të bëjë dush si ai, nuk ka ngërënë mëngjes të ngrohtë si ai, por ka dërrmuar trutë gjithë natën duke kalkuluar se çfarë do bëj me plasaritjet, me gërmadhat, me të humburit etj. Të thotë supe mbledhur se nuk ka ardhur kërkush të më pyesi. Kush të më thotë se do e ruajmë ne. Kërkush të më thotë që është e pabanueshme ose e banueshme dhe unë të filloj ta meremetoj vet, etj. Pastaj atë refrenin e të të lëshuarit shqiptar që dhëntë Zoti e qeveri vë dorë, edhe pse e di se qeveria e tij nuk as Zot as fe. Në fakt ai informaliteti 30 vjeçar nxorri blof një shtet të kalbur që kurrë nuk e kuptoj demokracinë si bashkëpunim dhe balancim pushteti, por një Un kokëfortë që vetëm do t’i shkoj e tija. Se nëse sot do ishin të gjithë të unifikuar, i gjithë faktori politik, me siguri që dhe grupet e shërbimeve civile do ishin më të shumta. Sepse nuk ka asnjë diksutim që edhe mes forcave politike opozitare, brenda apo jashtë parlamentit ka me shumicë specialistë a vullnetarë që duan të angazhohen. Por askush nga njëshat nuk e hedh hapin, askush. Në distancë shpallin dhimbje me ca fytyra fallco dhe fjalë thumbuese karshi njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, tjetër gjë ndodh mes shqiptarëve, vrapojnë t’i ofrojnë diçka njëri-tjetrit, nuk kanë mëri, nuk kanë zemërata, nuk kanë kokat mënjanë, japin edhe në frymën e fundit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-As kanceri nuk na ka mundur dhe nuk na ka ndarë

28 NENTOR DITELINDJA-KUJTOJMË VATRANIN, ISH ARKËTARIN E VATRËS DHE FOTOGRAFIN E SHQUAR GJON MILI

November 28, 2019 by dgreca

– Me rastin e 115 Vjetorit të Lindjes, 28 Nëntor 1904-28 Nëntor 2019

Ne Fokus: – Fotografimi i- WATERGATE  SCANDAL-PROTAGONISTËT E SKANDAIT  FOTOGRAFUAR  DHE BOTUAR NGA  MILI NË  LIBRIN E TIJ “SAM ERWIN” –

NGA QEMAL  AGAJ/ * Dielli-numer special 28 nentor 2019           

Vitet e fundit kam prezantuar fotografin tonë të shquar dhe anëtarin e VATRËS, Gjon Milin.                                                                    

Lindur në Korçë, e kaloi fëmijërinë dhe rininë e herëshme në  Rumani. Pas mbarimit të shkollës së mesme në kolegjin e njohur, San Lazar, Bukuresht, në 1923, sponsorizuar nga dajua i tij, Koço Çekani, erdhi në Amerikë dhe filloi studimet për inxhinieri elektrike në Massachusets Institute of Technology.

Porsa mbërriti në Amerikë njihet me eruditin e shquar, Faik Konica, që si kujton Mili, ‘’ Jo shumë kohë pas mbërritjes time në Amerikë në 1923 në kërkim të karierës në inxhinieri, u prita ngrohtë nga Faik Konica, një bashkatdhetar i moshuar. Një shkrimtar i shquar dhe intelektual i mprehtë, Konica u përpoq të zgjeroj interesimin tim për artet, sidomos në kinematografi, të cilën Ai aq shumë e pëlqente dhe e konsideronte një formë arti të veçantë.’’ Njohja  me Faik Konicën solli lidhjen me shoqërinë VATRA dhe antarësinë aktive në veprimtaritë e saj.

Pas 10 vjet pune si inxhinier elektrik në fushën e kërkimeve për ndriçim në kompaninë Westinghouse , i apasionuar pas artit të fotografisë  ndërron karierë dhe fillon si fotograf për revistën  LIFE, bashkëpunim që vazhdoi për 40 vjet, deri në fund të jetës së tij, 1984.

Në këtë përvjetor të lindjes mendoj t’a kujtoj artistin e shquar në një subjekt pak të përmendur, – angazhimet e tij si fotograf në ngjarjet politike të kohës.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore solli një frymëmarrje në Europë dhe Amerikë. Entusiazmi në jetën civile u shoqërua me aktivitete politike, një rishikim për atë që ndodhi, ndëshkim për shkakëtarët dhe masa për të mos u përsëritur më. Inisiativa e parë e fuqive ndërluftuese ishte Konferenca e Paqes në Paris, 10 Tetor, 1946.  Mili angazhohet nga LIFE të mbuloj këtë veprimtari. Këtu fotografon edhe përfaqësuesin e Republikës së posaformuar të Shqipërisë, Enver Hoxha duke folur në podiumin e Konferencës me uniformë ushtarake, fotografi kjo që botohej me krenari në shtypin komunist, por asnjëherë nuk u përmend emri i autorit. Për komunistët, të fotografoje për një revistë amerikane, ishje agjent i imperializmit.

Pas kësaj, Mili ju kushtua fotografimit të artistëve më të shquar të kohës si: Picasso, 1949, ku imazhet e tij duke vizatuar me dritë të vogël në vend të një laps , ngelen kurora e Milit si fotograf. Muzikantin e shquar Pablo Casals në mërgim në Prade në Jug të Francës, në një kohë shtrirje prej 1949 deri 1966, kur muzikanti ndërroi jetë. Dramaturgun Irlandes  Sean O’Casey, 1953. Kompozitorin Igor Stravinski,  në 1957 në Angli, në 1958 në Venecia dhe 1959 në Hollywood.

Do të kalonin 15 vjet që Mili të angazhohej përsëri në një ngjarje politike që tërhoqi  vëmendjen e gjithë botës, gjyqi i kriminelit të luftës, Eichman, në Israel, 1961. Mili ishte i vetmi fotograf që u lejua të fotografonte Eichman në rutinën e tij të përditëshme në burg. Fotografitë e kriminelit, botuar në librin e tij, Photographs & Recollections, dhe LIFE, 14 Prill, 1961, janë një fotogazetari rrënqethëse.

I tërhequr pas ngjarjeve të veçanta të kohës, në 1973, Mili i kërkoi shefit të tij, të fotografonte Watergate hearings. Pse ishte Mili aq i interesuar të dokumentonte këtë ngjarje politike? –  Ishte  një ngjarje politike  e papritur? Që në fakt ishte. Hera e parë në histori, që një president ishte i përfshirë në një skandal politik kundër oponentit të tij në këto përmasa. – I shtytur nga misteri si filloi, si vazhdoi dhe si do të përfundonte?  Ishin këto dhe diçka tjetër, e shprehur qartë nga  Benjamin Cawthra në librin e tij, Blue Notes in Black and White. ’’ Në 1973 Mili i kërkoi  editorit të LIFE SPECIAL REPORTS , John Loengard të mbulonte ‘Watergate hearings’, një kërkesë që Loengard e lidhi me preokupacionin e Milit për liritë qytetare dhe demokracinë.’’

W A T E R G A T E   S C A N D A L.

Çështja Watergate, skandali më tronditës politik dhe kushtetues në vite, filloi në 17 Qershor, 1972, në Washington D.C. Partia Demokratike në Watergate, një kompleks hoteli, apartamentesh dhe zyrash, kishte ngritur në katin e gjashtë të kompleksit, qendrën për fushatën elektorale midis Presidentit Nixon dhe Demokratit, George Mc. Govern. Pesë njerës, të njohur formalisht si, ‘’The White House Plumbers,’’planifikuan të instaloninaparate përgjues të rregjistronin bisedat në zyrën e kryetarit  të Democratic  National Commitee, DNC,  dhe të kërkonin nëpër kabinete për  dokumenta që mund t’ju interesonin për fushatën presidenciale.

Koha ka treguar se për të rrëzuar një president bazuar në fakte të pakundërshtueshme, por nganjëherë të shtytura nga hakmarrje politike,  merr  vite thurje  planesh, investigime dhe përpjekje kolektive të organizuara.  Por ja që ndodhka  dhe më thjeshtë,  një polic duke patrulluar rrugëve gjatë shërbimit,  në orën dy të natës diktoi lëvizje të dyshimta në kompleksin  Watergate  dhe lajmëroi qendrën, që arritën të arrestonin pesë persona. Kështu filloi ajo që mbahet mend si skandali më tronditës politik dhe konstitucional në SH.B.A. dhe që detyroi Presidentin Nixon të jap dorëheqjen.

 Fillimisht të dyshuarit u arrestuan si hajdut ordiner. Gjatë investigimit, rezultoi që hyrja në një zyrë specifike,  atë të Chairman, Lawrence O’Brien, të D.N .C.,  5.000 dollarë në kartmonedhat  100 dollarshe që i gjetën grupit, vegla dhe ekuipmente elektronike në një dhomë të hotelit që kishin rentur me emra  të pa-identikuar, tregonin se ishte një konspiraci e organizuar.

SI  DOLI  ÇESHTJA  NË  DRITË.

Një informant misterios qeveritar, i njohur për dekada vetëm si, ‘’Deep Throat,’’ menjëherë  kontakton gazetarët e Washington Post, Carl Bernstein dhe Bob Woodward. Me shumë kujdes për të mos u diktuar, u siguroi  burime që çuan gazetarët në publikimin e ngjarjes jo si një vjedhje ordinere, por me qëllime politike.  Dy ditë më vonë,  19 Qershor, 1972, gazetarët botuan në Washington Post  në faqe të parë një artikull ku  ekspozuan identitetin  e kryetarit të grupit, Mc.Cord , kordinator i komitetit për zgjedhejen e Presidentit  Nixon. Lajmi ishte sa i papritur aq dhe sensacional. Në javët që pasuan, Woodrward,  me informacionet që e furnizonte i ashtuquajturi, ‘’Deep Throat,’’ në një garazh  nëntokësor  të abandonuar, kultivoi  një nga burimet më konfidenciale dhe të bujshme  në historinë e gazetarisë. 

Informanti i ashtuquajturi ‘’Deep Throat,’’ zbuloi identitetin e tij në 2005. Mark Felt – ky zyrtar i F.B.I. dhe i brendshëm në Shtëpinë e Bardhë  gjatë viteve të Watergate, u bë më i famshmi  burim informacioni në gazetari.

 Bob Woodward dhe Carl Bernstein,  të njohur si simpatizant të Partisë Demokrate, fituan çmimin Pulitzer në gazetari.

P R O T A G O N I S T Ë T   E   S K A N D A L I T   F O T O G R A F U A R D H E   B O T U A R    N G A    M I L I   N Ë    L I B R I N    E    T I J” S a m   E r w i n”, (1896 – 1985)

Edhe pse Shtëpia e Bardhë  mohoi çdo lidhje me çështjen Watergate, Senati me evidenca bindëse, në Shkurt, 1973, votoi  unanimisht, 77 me 0, për krijimin e Komitetit për  Aktivitetin e Fushatës Presidenciale. Senatori Demokrat nga North Carolina , Sam Erwin, I njohur për humorin e tij, u zgjodh  si Kryetar i Komitetit të investigimit të  Watergate – Scandal.Zëvendës Kryetar i Komitetit  ishte Howard H. Baker, Republikan nga Tenesi, që u bë i famshëm për pyetjen që goditi në thelb të çështjes: ‘’Çfarë  dinte  Presidenti  dhe kur e mori vesh? ’’

Në 28 Mars 1973, Sam Ervin  përpara  dhjetra fotografësh dhe për herë të parë në një seancë të kësaj natyre, përpara kamerave televizive në mbarë Amerikën, godet çekanin e drurit, humbet humorin  dhe fillon të lexoj deklaratën: ‘’Ne po e fillojmë këtë seancë në një atmosferë tejet të rënduar.Çështjet godasin drejtë në themelet e demokracisë tonë. Nëqoftëse këto lidhje vërtetohet të jenë të vërteta, ato që ata kërkonin të vidhnin nuk ishin argjendari, të holla, apo të tjera pronësi të qytetarëve të Amerikës, por diçka me më shumë vlerë – trashëgimia e tyre më e çmuar, e drejta për zgjedhje të lira. Që nga ajo ditë një ndjenjë  pabesie  është  përhapur mes popullit tonë dhe është detyra kushtetuese e këtij Komiteti të lehtësoj këtë frikë dhe të stabilizoj atë mbi të cilën kjo frikë është përhapur.’’

Si  Kryetar i I Komitetit të Senatit për investigimin, Erwin fitoi statusin e një person me integritet të lartë që nuk bën  kompromis. Kur është kritikuar se ishte shumë i ashpër, ai është shprehur:  ‘‘Unë jam thjeshtë një  ‘country  lawyer’ dhe nuk di mënyra të stërholluara komunikimi. Unë  e bëj atë vetëm në mënyrën time.’’

H. D.  H a l d e r m a n.

Chief of Staff  në administratën e Presidentit Nixon, i njohur si ‘’Gate keeper of the Oval Office.’’  U bë figurë e njohur në hetimin e skandalit Watergate kur investiguesit zbuluan bisedën e regjistruar gjatë një takimi me Presidentin  në Shtëpinë e Bardhë. Në një nga shiritat, e ashtuquajtura,’’Smoking Gun,’’ që mungonin  18 inch inçizim dhe që më vonë u zbulua, përfshihej një  bisedë kompromentuese e tij me Presidentin në të cilën Nixon urdhëron  Halderman të bisedonte me cilindo dhe t’a bënte të qartë sa e rëndësishme ishte të mos flisnin, po ashtu për shfrytëzimin e C.I.A., që ishte në mbështetje të Presidentit, t’i jepnin drejtim tjetër çështjes  dhe të bënin presion mbi F.B.I., t’a raportonin atë thjeshtë si një  vjedhje të kategorisë së tretë. Ndërkohë që skandali po merrte përmasa, Nixon e detyroi  Halderman të jepte dorëheqjen në 30 Prill, 1973. Në përpjekje për të mbuluar skandalin Watergate, u gjykua dhe dënua me 18 muaj burg, për dëshmi të rreme, konspiraci dhe për Obstraction of Justice .

J o h n  W.  D e a n.

Një nga këshilltarët kryesor të Presidentit Nixon në vitet  1970-1973. Dean nuk kishte dijeni për çfarë po ndodhte deri në momentin që çështja u bë publike. Pas disa muajsh, pasi e kuptoi që edhe ai ishte i implikuar në një çështje që mbahej fshehur ilegalisht, pati guximin t’i thotë Presidentit se, një kancer po zhvillohej në Presidencë…  Pas kësaj Nixon e shkarkoi atë nga detyra.

 Dean u tha investiguesve dhe prokurorëve të shtetit se i kishte diskutuar aspektet e mbulimit të çështjes Watergate me Presidentin rreth 35 herë gjatë periudhës Janar –Prill të atij viti, duke e bërë atë të parin zyrtar të administratës që e akuzoi Nixon të përfshirë direkt në skandal dhe në përpjekjet për t’a mbuluar atë dhe të vetmin që bëri një deponim të ndershëm.

Në 25 Qershor, 1973, ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë filloi dëshminë  përpara Komitetit me frazën e famshme: ’’Unë fillova t’i them Presidentit se një kancer  po zhvillohej në presidencë dhe i thash Atij se është e rëndësishme që ky kancer të hiqet menjëherë , sepse po zhvillohet më vdekje-prurës çdo ditë dhe vetë Presidenti do të vritej një ditë prej tij.’’

Dean ishte një nga zyrtarët e parë të administratës që nxori në shesh implikimin e Nixon dhe të tjerëve zyrtarë gjatë dëshmisë së tij përpara Komitetit të Senatit gjatë ’’ Watergate hearings.’’ Ai u ngarkua për Obstruction of Justice  dhe u dënua me katër muaj burg.

The  Record – Breaking  President.

Me këtë titull libri voluminos, ‘’ T I M E . The Illustrated History of the World’s Most Influential Magazine’’ prezanton Richard Nixon.

Nixon ka qën publikuar në kopertinën e TIME më shumë herë se çdo tjetër dhe ishte i vetmi president të zgjidhet nga TIME dy herë brenda vitit ,’’Man of the Year.’’ Po ashtu ishte i pari udhëheqës  shteti  të satirizohet  në kopertinë. Për herë të parë u botua në TIME, në Gusht, 1952, koha kur u zgjodh si kandidat për zëvendës president nga Dwight D. Eisenhower. Në 10 Nëntor, 1952, së bashku me presidentin fitues, u botua përsëri në kopertinën e TIME, dhe kështu vazhdoi për 61 herë, t’a bëj atë personin më të botuar në kopertinën e revistës.

Në  zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, kandidon nga Partia Republikane kundër oponentit të Partisë Demokratike, John F. Kennedy. Rezultati dihet, me një numur  shumë të ngushtë votash,  Kennedy u zgjodh President.

 I njohur për idetë e tij anti-komuniste dhe kur lufta në Vietnam  ndën presidencën e  Demokratit  Lyndon Johnson, ishte kthyer në një katastrofë, në 1968, Nixon  fiton zgjedhjet duke u bërë kështu Presidenti  i  37-të i SH.B.A. Shquhet në arritje të fuqishme  në politikën e jashtme si, uljen e tensionit me Rusinë dhe Kinën, përfundimin e luftës në Vietnam dhe armë-pushimin  në Lindjen e Mesme.

Në vitin 1972, rizgjidhet president  kunder kandidatit  Demokrat, George Mc Govern me një rezultat të jashtëzakonshëm, fitoi në 49 shtete nga  50, me  520 vota elektorale kur oponenti fitoi vetëm  17, duke e bërë kështu të parin president me kaq diferencë votash.

Por këto suksese u venitën në më pak se dy vjet e gjysëm  kur shpërtheu skandali  Watergate, që solli shpartallimin e administatës, ku 28 nga nëpunësit e tij të dënohen ose të paditen për shkelje të ligjeve. Kur evidenca kundër tij po rritej, dhe senatorë kryesor i thanë se janë vota mjaftueshëm për Impeachment, Presidenti ju drejtua kombit në 9 Gusht, 1974 dhe njoftoi dorëheqjen e tij në televizion.

‘’Mirëmbrëma,’’ tha Nixon, ‘’Kjo është e 37-ta herë që unë j’u kam folur nga zyra ime, ku aq shumë vendime kam marrë, që i kanë  dhënë formë historisë së vendit…Unë do të jap dorëheqjen nga presidenca efektivisht nesër në mesditë.’’

Ky ishte ‘’THE END ‘’ i Presidentit  më të adhuruar nga media  Amerikane. Këtë moment ka fiksuar  Mili me aparatin e tij.

Një ditë më vonë, 10 Gusht, 1974, Gerald R. Ford, tashmë President, u betua përpara një populli  të traumatizuar duke thënë:’’Tmerri i gjatë i kombit tonë mori fund.’’ Nuk kaluan as 30 ditë si Ford mori Presidencën, e fali ish bosin e tij nga të gjitha akuzat, duke i dhënë atij të gjitha të drejtat për t’u kthyer në jetën civile pa asnjë koseguencë.

K O M E N T :

Një nga aftësitë e Milit si fotograf është se ai nuk priste për të ashtuquaajturin Moment Deçiziv, ai ekrijonte atë. Ai është i njohur në pregatitjen e një seance fotografike, si rasti me Picasso-n dhe me Watergate hearings, që po prezantoj në këtë shkrim. Këndvështrimi i kapur nga Mili është i veçantë. Ai nuk qëndroi sa më pranë dëshmitarit, si veprojnë zakonisht fotogazetarët në këto raste. Mili e ka kapur momentin nga larg dhe në një kënd-vështrim nga lartë për të kapur një shtrirje më të gjerë të audiencës.. Drita e përqëndruar në tavolinë dhe mbi dëshmuesin, të lenë përshtypjen se ky është personi dhe ky është momenti që do hedh dritë mbi çeshtjen që për dy vjet qëndron si hije mbi jetën politike në Amerikë. Errësira që shpërndahet në të dy anët e sallës me kupolë të lartë, e bëjnë më dramatik momentin. Në pritje, Mili shkrep aparatin në çastin e duhur, që zakonisht nuk zgjat më shumë se tre sekonda,’’ YES I DO.’’

Burimi i informacionit.

-Gjon Mili  –  ‘’Photographs & Recollections’’,  1980.                                                                                                                                                                                                       

– TIME- The Illustrated  History of the  World’s  Most  Influential  Magazine , nga  Norbert Angeleti / Alberto Oliva, 2010.                                                                                                                                                       

–  FAILURES OF THE PRESIDENTS,  nga Thomas J. Craughwell, 2008.

*Me shume fotografi i gjeni fb dielli vatra

Filed Under: Opinion Tagged With: Qemal Agaj- Sot ditelindja-Gjon Mili- Waregate scandal

KY 28 NËNTOR NUK ËSHTË SI TË GJITHË TË TJERËT, POR…

November 28, 2019 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/
Shqipëria jonë dhe Kombi ynë shqiptar po kalojnë ditë të vështira. Ky 28 Nëntor, fatkeqësisht, nuk është si të tjerët më parë.   Shumë familje shqiptare po veshen në zi në këtë festë kombëtare, ndërsa një hije e rëndë ka renë mbi të gjitha trojet tona.  Këtë 28 Nëntor nuk ka kengë e valle dhe pothuaj askujt prej nesh nuk i qeshet buza. 
 
Vërtetë se ky 28 Nëntor — Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës më të shenjtë në kalendarin historik të shqiptarëve — këtë vit nuk është një ditë gëzimi, por nuk duhet të jetë as një ditë dëshprimi e pa shpresë.   Por, ama duhet të jetë një ditë reflektimi, për të gjithë e sidomos për ata në krye të Vendit dhe të Kombit.   Ndonëse Shqipëria dhe Kombi shqiptar po kalojnë ditë të vështira, si rrjedhim i goditjes së rëndë të tërmetit, humbjes së jetëve që nuk këthehen më, të plagosurve, të cilëve të gjithë iu urojmë shërim të shpejtë, dhe dëmeve materiale të cilat mund të zevëndosen shpejt, kollaj dhe pa ndonjë problem — Shqiqpëria dhe Kombi ynë, gjatë historisë, kanë kaluar ditë edhe më të vështira, por të parët tanë kurrë nuk e humbën shpresën, mbi të gjitha shpresën në vetveten dhe shpresën në Zotin.
 
Atyre askush dhe asgjë nuk mund t’ua hiqte nga zemra shpresën as dëshirën dhe as vullnetin e tyre për ringjalljen e Kombit, për realizimin e endërrës shekullore që u arrijt nga një grusht burrash të zgjedhur të Kombit me 28 Nentor, 1912,të cilët në krye me plakun e mençur Ismail Qemalin ngritën në Vlorë Flamurin e Gjergj Kastriotit -Skenderbe, Flamur i cili për mbi 400-vjetë mbeti i palosur në fshehtësi.  Atë ditë, sot 107 vite më parë, ata u betuan se pa marrë parasyshë vështirsitë e çfardo natyre qofshin, të mbrendshme dhe të jashtme, Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skenderbe nuk do të ulet kurrë më nga shtiza e tij.
 
Ç’është ky betim, ç’është kjo besë e dhënë.  Besa, kjo fjalë që nuk ekziston në asnjë nga gjuhët e tjera, kjo Besë që është ndër të parat cilësi të Kombit shqiptar.  Në kohë të vështira, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit rreth Gjergj Kastritotit – Skenderbe, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit në Lidhjen e Prizrenit, me ketë Besë u lidhën me 28 Nentor 1912, burrat e Kombit që shpallën Pavarësinë Kombëtare nga zgjedha otomane pas pothuaj 500-vjetësh. 
 
Siç thashë më lartë, ky 28 Nëntor, fatkeqisht, nuk është ditë gëzimi, por nuk duhet të jetë as ditë dëshpërimi – por duhet që, patjetër, të jetë një ditë reflektimi, nga të parët e këtij Kombit sot.   Ky tërmet ka shkundur themelet e shumë ndërtesave, pallateve e shtëpijave duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe ka lënë pa strehë qindra familje shqiptare.  Burrat dhe patriotët e vërtetë dallohen në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira.   Këto janë ditë të vështira për të gjithë shqiptarët kudo gjëndemi, por veçanërisht, për viktimat e këtij tërmeti dhe familjet e tyre në Durrës e Tiranë por edhe në zona të tjera.  Në ditë të vështira si ky 28 Nëntor, burrat e vërtetë të Kombit nuk gëzohen, por as nuk dëshpërohen dhe as nuk dorëzohen, por reflektojnë!
 
Ndërtesat dhe pallatet e shembura nga tërmeti, jam i bindur, do të ndërtohen së shpejti.  Udhëheqsit e vërtetë reflektojnë në këtë ditë të shenjtë të Pavarësisë!  Reflektojnë që me fjalët dhe me sjelljet e tyre, ndërsa merren me përballimin e kësaj tragjedie të përkohëshme, të mos bëhen shkaktarë të shkatërrimit të asaj NDËRTESE TË MADHE, që e quajmë Shqipëri.  Ashtu si gjatë historisë, edhe kësaj rradhe u bën thirrje të gjithëve, ajo BESA Shqiptare: për një bashkim mendimesh e qëllimesh, për realizimin dhe çimentimin e vërtetë të objektivave kombëtare të përcaktuara nga Burrat e 28 Nëntorit të vitit 1912 në Vlorë.   
 
Po e përfundoj këtë shënim modest me një amanet, që deri diku përputhert,situatën — mjaft aktual të Mehdi Frashërit, drejtuar shqiptarëve kudo, me rastin e 39-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1951 në Romë, (përballë problemeve të asaj kohe midis shqiptarëve), një thirrje aktuale kjo edhe sot, me rastin e këtij 28-Nëntori: 
 
”Shqiptarë dhe Shqiptarka…Harroni gjithë mëritë dhe grindjet.  Lidhni Besën simbas zakonit shqiptar për shpëtimin e Atdheut.  Indipendenca shqiptare ka pasur idealet e veta të cilat janë zhvillimi i vendit tonë nga çdo pikëpamje, për me ua mbërrijt popujve të Perendimit më të përparuar, në Drejtësi dhe në Liri dhe për me plotësue aspiratat kombëtare.   Si popull ilirian, natyra na tërheq nga Oksidenti. Ndjekja e ideologjive të ardhura nga stepet e Siberisë dhe të Rusisë, prej ku kanë dalë Attila dhe Gengish Khani, nuk e shpjen Vendin tonë veçse në rrënim.”   
 
Mehdi Frashëri e ka përfunduar mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në vitin 1951, në fillim të Luftës së Ftohtë, me rastin e 39-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke i cilësuar fjalët e tija, drejtuar gjithë shqiptarëve, si të “sinqerta, pa ambicje dhe pa prapamendime”.  
 
Pikërisht, në këtë frymë është edhe ky mesazh modest i imi me rastin e këtij 28 Nëntori që, fatkeqsisht, është ndryshe nga të kaluarit, si përfundim i tërmetit të rëndë që goditi Shqipërinë – jo për gëzim, por as për dëshpërim.  Por, është një thirrje modeste e një shqiptaro-amerikani për reflektim, sidomos në kohë të vështira si kjo tragjedi.   Është një thirrje vëllazërore e një shqiptaro-amerikani, i cili me mend e me zemër vuan për ju dhe me ju këto ditë të vështira –ashtu si të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës — por që, njëkohësisht, edhe beson se nepërmjet bashkimit dhe respektit për njëri tjetrin, midis shqiptarëve, Shqipërinë e presin ditë më të mira.  Është radha e juaj që jeni në krye të Vendit sot, që me BESË e fjalë nderi, me respekt dhe bashkpunim me njëri tjetritn, të shkruani faqe të arta në kapitullin e radhës të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin, në muajt dhe vitet e ardhëshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli- Ky 28 Nentori-Ndryshe

107 vjetori i pavarësisë bën bashkë Presidenicën dhe Qeverinë Shqiptare

November 28, 2019 by dgreca

–-Presidenti Meta: Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori është të shërojmë plagët e Tërmetit-/

Presidenti Ilir Meta e kryeministri Edi Rama, kanë qenë bashkë në sheshin Pavarësia në Vlorë në kuadër të aktivitete të 107 vjetorit të pavarësisë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Meta tha se nderimi më i mirë që mund ti bëjmë këtij 28 nëntori është të vijojmë të angazhohemi për të shëruar plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar nga ky tërmeti i 26 nëntorit.

“Sot nuk eshte nje dite per te festuar, por eshte nje dite per te nderuar Flamurin Kombetar. Nderimi më i mirë që mund ti bëjmë këtij 28 nëntori është të vijojmë të angazhohemi për të shëruar plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar nga ky tërmet dhe të jemi sa më pranë familjeve që kanë humbur të afërmit, për të përballuar dhimbjen por edhe të shohim me besim te e ardhmja që mënyrë që të gjithë të fillojnë jetën normale.

Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë, për cështjet më të rëndësishme të vendit, por sot e në këto raste duhet të jetë dhe do të jetë si asnjë herë tjetër, edhe në jetën e përditshme, për të përmbushur një mision që nuk i jemi afruar ditët e fundit, sic është ai i anëtarësimit në BE.” u shpreh Meta.

Filed Under: Kronike Tagged With: Vlore-28 Nentor -Qeveri-Presidence

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT