





-Kosova plot dhembje të madhe për jetët e humbura dhe të gjitha pasojat nga tërmetet në Shqipëri, mobilizim për ndihma, 28 Nëntori pa festime e me shumë nderime Flamurit Kombëtar Shqiptar ngritur në kulme e maja e që mbushë edhe sheshet me valimet kuqezi/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 28 Nëntor 2019/ Në Kosovë ka plot dhembje të madhe për jetët e humbura dhe të gjitha pasojat nga tërmetet në Shqipëri, derisa vijon grumbullimi dhe dërgimi i ndihmave materiale e financiare, si dhe pritja e të pastrehëve nga zonat e prekura, edhe sot në një ditë që është për t’u festuar 28 Nëntori, por që nuk festohet, vetëm nderohet e lartësohet Flamuri Kombëtar ngritur në kulme e maja e që mbushë edhe sheshet me valimet kuqezi.
Në sheshet e Prishtinës e qyteteve tjera të Kosovës janë ngritur pika grumbullimi për ndihmat, të cilat mund të dorëzohen në kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Prizren, e prej atje u kalohen autoritetve të Shqipërisë, sipas një vendimi të njoftuar nga qeveria kosovare pas një mbledhje të jashtëzakonshme.
Sot ka nisur sistemimi i të zhvendosurve nga Shqipëria edhe në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman, në Prizren, ku në mbrëmje shkojnë në vizitë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Në mobilizimin për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme për strehim të shtetasëve të Shqipërisë të prekur nga tërmetet, Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman e ka siguruar Policia e Kosovës, ndërsa Agjencia e Emergjencave ka dërguar ekipin adekuat, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prizrenit janë kujdesur për ekipet mjekësore primare dhe sekondare, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar ekipet adekuate për menaxhim të zhvendosjes, Shoqëria civile dhe qytetarët në koordinim me Komunën e Prizrenit kanë ofruar ushqim dhe materiale të tjera të nevojshme.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ janë në përkrahje të vazhdueshme në koordinim dhe në ndihma.
Në Kosovë, ndryshe nga ky 28 Nëntor 2019 pa manifestime festive, dita e madhe e gjithë shqiptarëve festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante nga Shqipëria. Në vitin 1968, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, është festuar edhe me demontrata të fuqishme gjithëpopullore në kërkimin e të drejtave kombëtare dhe edhe viteve tjera drejt pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i pavarësisë shqiptare.