• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

Thirrje Vatranëve: Të Bashkohemi në nji Kuvend…

January 7, 2020 by dgreca

– Me drejtësi, matuni, dhe përgjegjësi/

Nga Mithat Gashi*/

Vatra po tejkalon nji gjendje krize. Në gjuhen shqipe kemi nji shprehje, “Çdo e keqe e bjen edhe nji të mirë,”dhe lshpresojmë që kjo e keqe do të na bjere nji të mirë. Fjala kineze për krizë na jep nji përshkrim shprese.  Për të shkrue fjalën “KRIZË”, kinezët përdorin karakteret e fjalëve “RREZIK” dhe “MUNDËSI”, dhe në këtë kontekst, po parafrazojmë nji thanje t’presidentin amerikan John F. Kennedy: Në nji krizë, jemi të vetëdijshem për rrezikun, por duhet t’pranojmë mundësinë.

Kriza dhe Mundesitë për Mirëvajtjen e Vatrës

Gjate 100-e-sa-vjetëve, Vatra ka tejkalue kriza të ndryshme, por antarët e saj, me mundime dhe sakrifica, kanë gjetë mundësitë për vazhdimësine e kësaj organizate.  Gjendja e krijueme asht kjo: Kemi dy rryma të cilat kanë thirrë që të bahen dy kuvende të Vatrës, nji me 19 janar 2020 në Michigan, dhe nji me 25 prill 2020 në New York.  Sejcila palë paraqet arsyet e veta. Në nji krah janë vatranët që krijuen Komisionin 5 Tetor 2019 dhe në krahun tjetër janë vatranët që mbështesin Kryesinë, së cilës i kaloi mandati në qershor të 2019-tës. Ata që mbeshtesin Kryesin dhe Kuvendin e 19 janarit thonë që Komisioni asht i paligjshëm. 


Çfarë i shtyu vatranët për të krijue Komisionin 5 Tetor 2020? 

    Janë shum faktorë që ndikuen në krijimin e Komisionit Vatra. Po përmendim vetëm disa: 

1) Vendimet e Kryesisë pa konsultë dhe aprovim nga Këshilli Drejtues: Si u morën vendimet e Kryesisë gjatë këtyne dy vjetëve të fundit?  Këshilli Drejtues asht organi vendim-marrës ma i naltë mbas Kuvendit. Këshilli Drejtues gjatë dy vjetëve e gjysë asht mbledhë vetëm dy herë. Kanunorja e Vatrës kërkon që Keshilli të mblidhet gjashtë herë në vit dhe amandamentet e kanë katër herë në vit.

2) Vatra duhej të kishte Kuvend Pune në vitin 2018. Kuvendi i punës do të kishte delegatët të cilët do të propozonin dhe do t’merrnin vendime për planet njivjeçare të Vatrës. Kryesia do të vepronte simbas planeve dhe udhezimeve të Kuvendit.  Pse nuk u thirr Kuvendi i Punës? Kryesia vendosi të punoje në krye të vet, pa u konsultue, dhe pa marrë aprovimin e antarëve të saj. 

3) Pse nuk u thirr Kuvendi zgjedhor në 2019? Tue mos thirrë Kuvendin në 2019, Kryesia lejoi skadimin e mandatit të saj, dhe ndikoi që vatranët të krijojne Komisionin 5 Tetor 2019. 

4. Kryesia nuk i denoi shkeljet e Kuvendit të 2017. Në atë Kuvend, kredencialet e delegatëve nuk u verifikuen me korrektësi. Disa kryetarë degësh i ngritën antarësitë e degëve të tyne në minutën e fundit për të shtue numrin e delegatëve. Ende sot nuk dihen të gjith emnat e 73 delegatëve që morën pjesë në ktë Kuvend. Ma vonë u muer vesh që kishte delegatë të cilët ishin antarësue në Vater para nji viti, dhe kishte delegatë që kishin emigrue ne SHBA para 8 muejsh. Simbas Kanunorës, delegati duhet të jetë të paktën dy vjet antar i Vatrës. 

Për hirë të harmonizimit dhe të mirëvajtjes së Vatrës, Kryesia e kishte obligim që t’distancohej nga këto shkelje.

5. Kryesia dhe Keshilli Drejtues nuk u aprovuen nga Kuvendi.    

Pikat 1, 2, dhe 3 janë të mjaftueshme për ta ba Komisionin 5 Tetor 2019 të ligjshëm.  Antarët e Vatrës kanë të drejtë me u aktivizue kur diçka asht e padrejtë. Tue u bazue ne konceptin e të drejtave naturale, njerëzit nuk kanë qendrue duerkryq. Jane aktivizue.  Po t’i hedhim nji sy Deklaratës së Pavarësisë së Amerikes, do të shohim që Thomas Jefferson, përpiluesi e kësaj deklarate, i influencuem kryesisht nga filozofi anglez, John Locke, një pjesen e të drejtave natyrore të njerëzve dhe marrëdhëniet me qeverinë, thekson që asht detyre e njerezve që ta ndryshojë ose shfuqizojë nji qeveri, dhe të krijojë një qeveri të re, kur ajo nuk i mbron të drejtat e popullit qe ka premtue me qeverisë. Mandej, neni 18 i Kanunores ban fjale per thirrjen e mbledhjes se Komisionit (Keshillit Drejtues) dhe Amendment 11-e ban fjale per zavendsimin e kryetarit. Autorët e Kanunores i kanë pasë parasyshë këto parime kur e kanë hartue nenin 18 të saj, që ban fjale per të drejtën e katër antarëve me  kërkue thirrjen për nji mbledhje ekstraordinare.

Ç’ndodhi mbas krijimit të Komisionit Vatra? 

Antarët e Komisionit Vatra me daten 6 tetor 2019 i drejtuen nji letër Kryesisë dhe i kërkuen takim. Teksti i letrës ishte: “Me date 5 tetor 2019 në Bronx, New York City, një grup vatranësh nga Këshilli Drejtues i VATRES, nga Keshilli i të urteve dhe kryetare degësh të VATRES u mblodh dhe krijuan një Komision që kërkon takimin me Kryesinë e Vatrës me datë 20 tetor në ora 11:00 AM në selinë e Vatrës. Ju lutemi konfirmoni takimin me 14 Tetor 2019.” Kreysia nuk pranoi takim. Komisioni deklaroi daten e Kuvendit me 25 prill 2020 në New York, dhe që antarët e ketij Komisioni do të merren me pregatitjen e Kuvendit.  

Vendimi i Kryesisë me 11 dhjetor 2019 mbolli faren e ndamjes së Vatrës

Pak kohë mbasi Komisioni caktoi daten qe Kuvendi do te mbahet me 25 prill 2020, me 11 dhjetor 2019, Kryesia deklaroi që do të bahet Kuvendi me 19 janar 2020 në Michigan.  Pra Kryesia: 1) Nuk organizoi Kuvend Pune ne 2018; 2) nuk mblodhi Keshillin Drejtues dy here ne vit; 3) Nuk bani Kuven ne 2019; 4) Nuk pranoi te ulet dhe të bisedojë me Komisionin qe vatranët krijuen me 5 tetor, dhe 5) Caktoi nji datë tjetër për Kuvend.  Vendimi ne piken 5 asht praktikisht akt drejt krijimit të dy Vatrave, tue zyrtaruzue keshtu perçamjen e fillueme qyshë në kuvendin e 2017ës.

Antaret e Komisionit Vatra jane: Sergio Bitici, Ahmet Giaffo, Ahmet Hoti, Dr. Nexhat Kalici, Kris Kirka, Dr. Elton Mara, dhe Armin Zotaj. Antarët e Kryesise jane: Zef Balaj, Sokol Bejleri, Tom Beno, Marjana Bulku, Marjan Cubi, Besim Malota, Dritan Mishto, Agim Rexhaj, Adiratik Spahiu, Nazo Velu, dhe Dr. Skender Murtenzani (i cili deklaroi me ane t’nji e maile që ka dhanë doreheqje nga Kryesia, dhe propozoi nji date tjetër për Kuvend). 

Shmang’ja e Rrezikut dhe Mundesitë për Bashkim në nji Kuvend

    Për t’organizue nji Kuvend të nji organizate që ka disa degë, si asht Vatra, duhet kohë. Kryesia ka deklarue Kuvendin e saj me 19 janar në Michigan, pra mendon që do të organizoje nji Kuvend mbrenda nji mueji.  Nëse asht e vërtetë që mund te bahet organizimi mbrenda nji mueji, at’herë pse Kryesia nuk e organizoi Kuvendin e Punës në vitin 2018? Pse nuk e organizoi Kuvendin zgjedhor në pranver apo verë të vitit 2019?  

Mundesitë për t’u bashkue nën nji Kuvend me datën 25 prill 2020 janë të mundëshme. Antarët e Komisionit që përbahen prej shtatë vetëve e kane lanë nji derë hapun në mbledhjen që kanë ba me 21 dhjetor 2019 në Newburgh, që këtij Komisioni t’i shtohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe të bashkpunojnë për t’organizue Kuvendin me 25 prill 2020, apo po të bien dakord të caktojnë nji datë tjetër. 

Po të jetë qellimi që të bahet nji Kuvend i rregullt, ç’të keqe ka që Kuvendi të organizohet nga Komisioni? Ç’të keqe ka që këtij Komisioni t’i bashkohen edhe 2-3 vetë të tjerë dhe te punojnë se bashku mbrenda harmonisë kombëtare për te vû Vatrën në hullinë që meriton? 

Për t’ju shmangë rrezikut të ndjamjes në fraksione sot apo n’të ardhmen, Vatrës i duhen antarë të drejtë, punëtorë, dhe drejtues degësh të devotshëm. Vatrës nuk i duhen kryetare degësh të papërgjegjëshem, të cilët nuk janë në gjendje të dërgojnë listat dhe regjistrimet e degëve me rregull. Nuk i duhen kryetar degësh që manipulojnë, dhe publikisht genjejnë duke deklarue se filani ka qenë antarë i degës time për 5-6 vjet, ku dihej qe ajo degë nuk i kishte gjashte vjet që ishte formue. Vatrës nuk i duhen drejtues degësh që nuk aplikojnë kanoren në zgjedhjen e delegateve në Kuvend.  Vatres nuk ibduhen drejtues qe ç’fuqizojne amandamentet qe vatranet kane aprovue gjate nji shekulli. Vatres nuk i duhen kryetarë që kërkojne me ba ura nderlidhese me agresoret fqinjë, kur urave u mungojne kambët. Kur Greqia t’u jape të njajtat te drejta shqiptareve ne Greki që kanë grekofonet ne Shqipni, atehere kemi vû bazat për ura.

Vatrës i duhen njerëz te ndershëm dhe punëtorë. Vatres i duhen drejtues vizionarë.  I duhen njerëz që janë të përkushtuem për të mirën e Komunitetit dhe të Kombit. Njerëz të tillë do t’a fusin Vatrë në hullinë e historisë së saj.   

Mithat Gashi asht antare i Vatres qe në vitin 1990. Ka mbarue studimet pas-universitare në Columbia University School of International Affairs dhe doktoraturën në Fordham University.

***

3 Shenim nga Editori

Shënimi i Editorit: 1- Dr. Skënder Murtezani nuk ka dhënë dorëheqje nga kryesia e Vatrës. Një deklaratë e tij për dorëheqje u bë në Komisionin e Përgatitjes së Kuvendit, i cili nuk nuk ka tager për të miratuar dorëheqje.Kjo iu tha z. Murtezani, i cili u mirëkuptua dhe u sqarua. Dr. Murtezani nuk mundi të merrte pjesë në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë me anëtarët e Këshillit, ku u mor vendimi për Kuvendin e Michiganit, por Ai ia delegoi votën e vet nënkryetarit Agim Rexhaj.Nuk ka akt zyrtar të dorëheqjes dhe pagesat dhe Listat e anëtarësisë së degës së Queensit janë dorëzuar në Vatër, 100 anëtarë.Dega e Queensit eshte dalluar per aktivitete ne vazhdimesi dhe kryetari i saj Dr. Myrtezani, duhet pergezuar qe gjene kohe te merret me Vatren. Veprimtarite e deges jane ndjekur nga Kryetari i vatres dhe jane pasqyruar nga Gazeta DIELLI.

2-  Komisioni i 5 Tetorit duhet të sqarojë masën e vatranëve se ku e mbështesin ata vetshpalljen e këtij Komisioni? Nëse, pas 6 muajësh vetshpallet një tjetër Komision i 6 apo 7 tetorit, a nuk krijohet precedent për të ardhmen e Vatrës? Kushtetuta e Vatrës nuk e njeh këtë lloj praktike në 107 vite egzistencë. Parktika e Vatrës njeh ndëshkime për ata që dalin jashtë qëndrimit zyrtar, sic ishte përjashtimi i degës së Westchester-it me kryetar Nick Markolaj në vitin 2013, pro jo krijime komisionesh të tipit të 5 tetorit,  nga grupe të pakënaqurish. Kuvendit i kanë dhënë mbështetje shumica e degëve.Si praktikë demokratike vendos shumica, por me votë, jo me sharje e kërcënime.

3- Deri tani i kanë thënë”PO” Kuvendit dhe kanë dërguar pagesat e anëtarësisë për dy vitet:

1- Jacksonville-Florida

2- Tampa -Clearwater-Florida

3- Hudson Valley-NY

4- Queens, NY

5- South Florida

6-Hartford CT

7-Michigan

8- Toronto

9- Qendra

 Vendi për bashkim është KUVENDI.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mithat Gashi-Thirrje Vatraneve-Bashkimi

PËRSE TRUMP-I URDHËROI SULMIN KUNDËR SULEJMANIT? DY SKENARËT

January 7, 2020 by dgreca

Nga MASSIMO GAGGI/

           


“Corriere della sera”, 4 janar 2020 – E përktheu Eugjen Merlika/

“Loja ka ndryshuar”. Ministri i Mbrojtjes së SHBA, Mark Esper, e kishte thënë pak orë më parë se vrasja e Kasem Sulejmanit, duke lajmëruar se, përballë planeve të reja të sulmit të Iranit kundër SHBA, Washingtoni do të ishte përgjigjur me veprime ushtarake të parakohëshme. Por askush nuk mund të merrte me mënd se Donald Trump-i, presidenti që arriti të zgjidhej duke premtuar se do t’a nxirrte Amerikën nga luftërat, do të guxonte të asgjësonte një personazh që Bushi dhe Obama as që e kishin përceptuar për t’a goditur. Presidenti amerikan na ka mësuar me ndryshime të menjëherëshme, por këtë herë veprimi është aq i stërmadh sa që shkon shumë më përtej lojës së paparashikueshmërisë së Trump-it dealmaker. Skenarët që mund të ndillen janë në thelb dy. I pari është ai i veprimit të vendosur mbasi është marrë vesh se gjenerali që, prej njëzet vitesh është regjizori i të gjithë veprimeve të dhunëshme të zbatuara nga forcat filo-iraniane jashtë, që nga Siria në Irak, duke kaluar nëpër Liban e Gaza, po përgatisnin veprime edhe më mizore kundër objektivave amerikane. I vetëdijshëm se sidoqoftë viktimat amerikane do të ishin, presidenti ka vendosur të kundërveprojë më parë, për të mos u dukur  si një drejtues që e kalërojnë ngjarjet. Shpreson se, duke asgjësuar një strateg që të gjithë – aleatë e kundërshtarë – e quajnë të pazëvendësueshëm e të pashembulltë, aftësia sulmuese e regjimit, shpejt a vonë, do të pakësohet: mbrëmë ka pohuar se ka vepruar për t’i dhënë fund një lufte, jo për t’a filluar. Duhet të ketë peshuar shumë edhe rrethimi i ambasadës amerikane n’Irak në prag të Vitit të ri, që ka risjellë në mëndjen e Trump-it makthin e 1979; qytetarë të SHBA pengje të revolucionarëve shiitë, një episod që ai gjithmonë e ka quajtur një njollë turpi për Amerikën.

            Skenari i dytë është ai i një shtimi dramatik të tensionit ndërkombëtar i nxitur për të bërë të përfundojë në plan të dytë proçesi për shkarkimin. Senati duhej të kthehej në një gjykatë ditët e ardhëshme, por drejtuesi i tij, republikani Mitch McConnell, bëri me dije dje se kjo pjesë e Parlamentit javën e ardhëshme do të merret me diçka tjetër: një raport tepër i fshehtë mbi krizën iraniane. Ndërthurja e këtyre ngjarjeve, në një farë mënyre, kujton skenarin e përshkruar, pak mbas skandalit Lewinsky që çoi në shkarkimin e Bill Clintonit, në filmin “Seksi dhe pushteti”. Ajo komedi “e zezë” mbi një luftë të stisur të kurdisur për të ndihmuar rizgjedhjen e një presidenti, kujtohet vazhdimisht në këto orë në Washington edhe sepse Trump-i, shpesh i paditur se bën politikë sikur të ishte në një realitet televiziv, në 2011 e akuzoi më shumë se një herë Barack Obamën, që shikonte rrezikun e një humbjeje në zgjedhjet presidenciale, se donte të rifitonte miratime duke hapur një konflikt me Iranin.

            Por skenari i parë është shumë më i besueshëm, edhe se njëri nuk përjashton tjetrin: sigurisht gjëndja shpirtërore e një Trump-i që ndjehet i rrethuar edhe se e quan pushtetin e tij pothuajse të pakufizuar ka patur peshën e tij. Por hapa të ndryshme të tij në të shkuarën – që nga fillimi i tërheqjes nga Siria tek heqja dorë në çastin e fundit për hakmarrjen amerikane mbas rrëzimit të një droni të SHBA për të mos krijuar një spirale të vështirë për t’u kontrolluar – bëjnë të besohet që presidenti nuk e ka patur të lehtë të jepte urdhërin për të asgjësuar Sulejmanin.  Atëherë mund të pyetet jo vetëm përse e ka bërë, por edhe mbi çfarë të dhënash është bazuar dhe si i ka llogaritur rreziqet: e dinte se gjenerali, drejtues i një fuqie paraushtarake që ka udhëhequr shumë sulme terroriste, është edhe një personazh tejet popullor në Iran, madje ikona kulturore e qëndresës kundrejt embargos nën të cilën Vëndi është vënë prej dhjetëvjeçarësh? Nga kush është këshilluar tani që të gjithë personazhet më të njohur që kanë patur poste në Shtëpinë e Bardhë apo në Pentagon, janë larguar apo përzënë? John Bolton, këshilltari për çështjet ndërkombëtare i pushuar nga puna pak muaj më parë si luftënxitës, dje ka qënë i pari që ka përgëzuar presidentin. Dhe secretari i shtetit, Mike Pompeo, regjizor i përzënies së tij, dje i është përgjigjur ashpër ministrit të Jashtëm francez duke pohuar se pa Sulejmanin bota është më e sigurtë.

            Pompeo dhe Trump-i nuk mund të mos e dijnë se Teherani do të kundërveprojë egërsisht dhe që kjo mund të shpjerë në një spirale të pakontrollueshme. Robert Malley që ka qënë në krye të tryezës së Lindjes së Mesme në Shtëpinë e Bardhë të Barack Obamës, ndoshta zmadhon kur e quan sulmin me drone në aeroportin e Bagdatit një shpallje lufte. Por pasojat do të jenë të rënda në nivel ndërkombëtar dhe të brëndshëm, duke mbajtur parasysh se demokratët janë tërbuar – dhe shumë të trembur – për kalërimin e Kongresit. Biden e padit Trump-in se ka hedhur një llokum dinamiti në një fuçi baruti. Nancy Pelosi kërkon një raport të hollësishëm mbi atë që ka ndodhur dhe mënyrën me të cilën presidenti mendon t’a mbarështojë krizën. Përgjigja e parë ka qënë përçmuese: Trump-i ka lëshuar një tweet të një komentuesi të së djathtës që, kryetarit të senatorëve demokratë Chuck Schumer që ankohej për mungesë informacioni Kongresit, i është përgjigjur se të informohej ai ishte njësoj sikur të informoheshin iranianët. Trump-i do të godasë ashpër edhe në planin e brëndshëm, por duhet të ketë lëvizur mbi të gjitha për të parapritur sulme të reja duke mbajtur para sysh fantazmën e Jimmy Carter-it: “Jemi pranë jush, nuk mund t’a merrni me mënd sa. Jemi gati” e kishte kërcënuar pak ditë më parë drejtuesi i Quds Force.

            “Corriere della sera”, 4 janar 2020       E përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Massimo Gaggi-Eugjen Merlika-Trump-Sulejmani

Ortodoksë e myslimanë së bashku në festën e hedhjes së kryqit në Berat…

January 6, 2020 by dgreca

????????????????????????????????????

Nga Berati Sulo Gozhina/
BERAT-Temperatuar e ulët nën zero si dhe një cipë e hollë akulli e endur në syprinën e ujit të Osumit, nuk kanë tutur të rinjët që janë përqëndruar pranë ujërave të akullta në pritje të hedhjes së kryqit. Po në këtë ditë feste që tashëm prej shumë shekuj është kthyer nga më populloret dhe në vençanti në qytetit 2400 vjecar të beratit ku fetë nuk kanë të ndar në festa të till, pranë dy brigjeve të lumit janë mbledhur banor të qytetit  e të rrethinave të tij për të parë nga afër hedhjen e kryqit.  Si nga hera në orën 10.00, mbi urën e Goricës kanë mbritur At, Petraq Simësia i shoqëruar nga disa priftërinjët si dhe nga kori i kishës dhe i besimtarve që këndonin këngën e pagzimit të krishtit. E ndërkohë poshtë urës janë mbi 10 djem të ndarë në grupe që presin në ujrat e ftohta të Osumit kryqit që lëshohet nga lartësia e urës nga At, Petraq Simësia. Këtë radhë fati i ka buzqeshur 42 vjeçarit Alfred Xhimitiku nga lagja Goricë e cili kap kryqin në ujërat e Osumit për të dytën herë, herën e parë në 2005dhe sot në 2020, faq që për të do të thot bekim. Ndonse në qytetin muze fetë bashkëjetojn në harmoni me njëra-tjetrën, festa e ditës së ujit të bekuar me simbolin e hedhjes së kryqit është e vetmja festë që mbleth bashkë dhe kaq shumë besimtar Ortodoks e Myslymanë për të parë nga afër këtë ritual pagan. Qindra besimtar me bekimin e imzotit dhe me peligrinazhet që shoqëronin priftërinjët e si dhe korin e kishës, për në kishën më të madhë të koduar me emrim Katedraleja e “Shën Dhimitrit”, për të vazhduar festën me këngët për kryqin dhe ndezjen e qirinjve nga besimtarë. Fitusi i kryqit së bashku me grupin e tij pas bekimit të dhënë nga Ignati e Priftërinjët  në emër të kishës i janë drejtuar portave të shtëpive në lagjet Goricë, Mangalem e Kala për të marë nga besimtarët një bekim më shumë, por ndryshe nga vite më përë këtë viti djemt që kapën kryqin kanë trokitur dhe në lagjet e tjera të këtij qytetit ku dhe janë pritur me dashamirësi. Kësaj festë që simbolizon pastërtinë e trupit dhe shpirtit dhe që zanafillën e ka që nga pagëzimi i “Jezu Krishtit”, në lumin Jordan nga Gjon Pagëzoi, i janë bashkuar veç, mijëra pjesëmarrës të ardhur nga qytete dhe rrethinat e Beratit edhe Deputeti fadil Nasufi, Prefektja Valbona Zylyftari, pushtetar local, kryetari i bashkisë Berat Edvin Demo, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetar, banorë të qytetit e të rrethinave të tij, etj. Deputeti Fadil Nasufi në një prononcim për median e shkruar  e atë vizive ka vijuar me urimin për festën dhe vit të mbarë për banorët e qytetit e të rrethinave të tij, ndërkohë që ka cituar se jo vetëm berati që është simbolli i bashkjetesës fetare, por e gjithë shqipëria ka harmoni fetare gjë të cilën e tregon edhe kjo festë. Më pas deputeti Nasufi, Prefektja Zylyftari e pushtetarët lokal   kanë kryer një vizitë në Metropolin e Qytetit ku janë pritur nga Imzot Ignati, priftërinjët e stafi i tij, po gjatë pritjes kori i kishës Ortodokse i përbërë nga fëmijë të qytetit kanë kënduar disa këngë fetare kushtuar Jezukrishtit dhe ditës së ujët të bekuar. Festën pagane të ujët të bekuar e festonim edhe në kohën e komunizmit fsheurazi festën pagane të ujit të bekuar e festonim edhe në kohën e komunizmit fsheurazi
Kryqi është hedhur në lumin Osum edhe në koheën e komunizmit. 85 vjecar Mitaq e Antoneta tapija pohuan për gazetën se pas vitit 67-të, kur u prishën kishat e xhamit dhe feja ishte e ndaluar, unë së bashku me bashkëmoshatarët fsheurazi në ditën e 6 janarit mernim disa djem dhe shkonim tek lumi në drjtim të fushës së sportit, aty me një kryq që e sajonim në moment e hidhnim në ujërat e Osumit. Njeriu që bëhej prift para hedhjes së kryqit, kryente ritet fetare të mësuara në shtëpi nga të moshuarit e më pas djemët që ndodheshin në ujrat e osumit bënin garë në uji kush ta kapte kryqin më parë. Fitusi fsheurazi në orët e vona të darkës së bashku me dy nga katër apo shokët trokisnin në familjet më të besuara dhë kryenin ritualin e festës, ndërsa në të gjitha shtëpitë ndizeshin qirinjë. Sot dita ujit të bekuar festohet nga qindra  e mijera ortodoks e myslyman, pra kjo festë është kthyer në një festë popullore ndërsa për kapjen e kryqit në lum hidhen djem nga të dy feve myslymane  e ortodokse. Mbaj mënd mirë këngën “Në kohën që u bekove o zot”, dhe në moment hapeshin portat e prisnim fitusin e kryqit në fshehtësi.  Në drekë e në darkën e 6 janarit shtroheshin tavolina dhe kryeshin vizita familjare.

Sipas biblës, festa përkon me mbrëmjen kur lindi Jezu Krishti.
Sipas biblës, kjo ditë përkon me mbrëmjen kur tre Mbretërit panë në qiellin e Bethelemit në Jerusalem, yllin i cili paralajmëronte lindjen e birit të Zotit, Jezu Krishtit. Befana festohet natën e 5 janarit apo ditën e Epifanës, një festë fetare që njihet si vizita që i bënë tre mbretërit dijetar Jezu Krishtin fëmijë. Dita e fundit e Krishtlindjes, 12 ditë pas 25 dhjetorit. Të tre mbretërit Melchiorri, Baldassarri, dhe Gasperi u nisën nga vende të ndryshme për t’i parë dhe për t’i ofruar dhuratat e tyre Jezu Krishtit fëmij. Duke u nisur nga ky fakt, kjo ditë njihet si dita e Bekimit të Zotit. Me rastin e kësaj dite organizohen mesha, të cilat shoqërohen me lutje të ndryshme, me “Bekimin e ujit”, dhe marrjen e këtij uji nga besimtarët. Për besimtarët ortodoks të sërbisë dhe të Rusisë, kjo ditë përkon edhe me ditën e Krishtlindjeve. Në lidhje me këtë festë, ka lindur shumë kohë më parë në disa vise të Italisë edhe legjenda e Befanës. Që atëherë, kjo festë është bërë festë e rëndësishme dhe e shumëpritur nga fëmijët. Befana përfaqëson një plakë të shëmtuar, e cila trëmb fëmjët me pamjen e saj, por në të njëjtën kohë ajo është, zemër mirë, sepse u jep atyre dhurata të ndryshme. Pas viteve `90-të, dita e “Ujit të bekuar”, e njohur ndryshe edhe si dita e Epifanës së Zotit, ka nisur të kremtohet edhe në Shqipëri, dhe më të veçantën se ajo festohet nga të dy komunitetet. Besimtarë të shumtë në të gjithë vendin në këtë ditë marrin pjesë në ritualin dhe meshën e përvitëshmë të “Bekimit të Ujit”, ku kryqi do të hidhet në ujë dhe besimtarët duhet ta nxjerrin nga uji. Besimtarët e pranishëm në këtë ritual marrin pak uji të bekuar për tu sjellë fëmijëve të tyre fat dhe mbarësi. Në vendin tonë, zakonisht kryqi hidhet në lum. Sipas besimit, uji i marrë në këtë ditë mund të qëndroi i paprishur në një enë përgjatë gjithë vitit, deri në 6 janarin e ardhshëm.

Shërbesa liturgjike
6 Janari është e kremtja (festa) e Theofanisë ose Epifanisë, e quajtur ndryshe në gjuhën e popullit Uji i Bekuar, është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës sonë të Krishterë Orthodhokse. Kjo festë është shfaqja e perëndisë në botë si Trini (pra një qenie e vetme në tre persona)Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë, në momentin e pagëzimit të Jizu krishtit, birit të perëndisë të bërë njeri. Të krishterët besojnë se qysh që biri i perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Në Epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, ashtu siç vet perëndia e shpalli atë në fillim, kur e krijoi botën.

Vlen të përmendet :
 – Berati qyteti i ujit të bekuar me traditën më të lashtë dhe të pandërprerë prej më shumë se 2400 vjetësh
– Ujë i bekuar, mbi 5 mij Ortodokës dhe Mysliman festoin së bashku
– 10 djem për të kapur kryqin në ujrat e ftohta të lumit Osum , fati i buzqesh 42vjecarit  Alfred Xhimitiku nga lagja Goricë
 – Urimi nga At, Simësia – Në këtë ditë të shënuar kur i dërguari i perëndisë dhe shpëtimtari i njerëzisë Jezu Krishti u pagëzua në lumin Jordan nga pagëzori Johan, do t`ju uroja të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe gjithë të pranishmëve në këtë ditë simbolike të hedhjes së kryqit në lum, paqe, mbarësi, harmoni dhe zoti i bekoftë.


Filed Under: Featured Tagged With: Sulo Gozhina-Kryqi-Uji i bekuar-Berat

Fan Stilian Noli, 6 JANAR-DITA E LINDJES

January 6, 2020 by dgreca

Me rastin e Dites se Lindjes- 6 janar të vitit 1882-2020/

Fan S. Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare.

Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, të cilat i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit“Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.

Në këto vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të.

Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27 vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston.

Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këte vend në prani të princit Vilhelm Vid.

Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920 . Ai u bë figurë udheheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë.

Gjatë gjashtë muajve ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara.

Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar.

Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene. Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimerinë…dhe kordhën e tyre…”.

Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me arme kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike.

Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim. Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit.

Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji ; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj.

Noli vdiq në Florida. SHBA,në 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare. Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

KRONIKE, JETA PERMES DATAVE

Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njeh Faik Konicën[3] Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.

Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: Fan S Noli-6 Janar-Dita e Lindjes

Pothuaj letargji në Durrësin e pastërmetit

January 6, 2020 by dgreca

Shënime disaditore nga Shpend Sollaku Noé/

Pa zbritur ende nga trageti, sikur të mos kisha parë lajmet tronditëse për tërmetin e 26 Nëntorit, Durrësi do të më shfaqej me normalitetin e dikurshmëm të sezonit të ulët.

Deri në lënien pas të nënkalimit tek Ura e Dajlanit, asgjë nuk më jepte një input të hyrjes në thellësinё e tragjedisë. 

Më mjaftuan pak qindra metra drejt plazhit, sidoqoftë, për të ndërruar mendim. Së pari prej sipërfaqeve bosh anës rrugës, në të majtë e në të djathtë, atje ku dikur ishin ato hotele që morën edhe shumë jetë njerëzish, apo që pas sizmës së madhe mbetën shembullime të shëmtuara të Kullës së Pizës. Në vend të gërmadhave te tyre – sheshe të pastruara nga çfarëdolloj mbeturinash të rrënimit. Duken si terrene të pёrgatitura për lulishte. Ku shkuan gjithë ato copëza tullash, betoni, hidrosanitaresh, druri? Si iu arrit të zhvendoseshin në një kohë të tillë rekord? Bie në sy shpejtësia spastrimit, kur dihet se si zvarrisen gjërat në Shqipёri. Pyetjet tronditëse që lindin vetiu: A u morën ekspertёt aq sa duhet me shkaqet e vërteta të rrëzimit të këtyre objekteve? A u bënë siç duhet ekspertizat? A nuk duheshin izoluar gërmadhat derisa magjistratura të kish aq elementë sa mjaftojnë për të përballuar një proces të gjatë për vrasje me dashje? A nuk do të ketë më nevojë prokuroria për vendgjarjet e krimit? Sikur avokatët të kërkojnë që të thellohen hetimet, ku do të gjenden provat për t’u thelluar? Janë kaq të pёrpikta dëshmitë e mbledhura deri tani për një gjyq që parashikohet të jetë mjaft kompleks? Ku janë tashmë mbeturinat e gërmadhave? A janë të ruajtura? 

Shpallja mbret e dyshimit është më se normale, sidomos për ne që vijmë nga vende në të cilat, të paktën fillimi i hetimeve, bëhet me shumë më tepër skrupull.

ATT-Agjensia telegrafike e taksistëve: V. D. jashtë shtetit

Në katër ditët që u ndodha në Durrës, u përpoqa ta bredh më këmbë atë qytet dhe periferitë e tij. Atje ku distancat për t’u arritur ishin të pamundura, mora taksi. Për të kursyer kohën por edhe makinën time, me të cilën më është e vështirë të endem nëpër trafikun kaotik shqiptar, që i bindet vetëm ligjit të imponimit me forcë. Përparësinë atje nuk e ka ai që respkton kodin rrugor, por ai që futet me dhunë, sidomos tek rrethoret. Megjithatë nga të gjithë taksistët (të rregullt, apo kontrabandë që m’u desh të ndërroj) mësova diçka të re. Pasi ata dinë gjithmonë, pothuaj gjithçka ndodh në një qytet të rrëmujshëm në të cilin je i detyruat t’i thërresësh, sidomos nëse po ia mbath larg atdheut në të cilin të ndjekin.

Ai taxi driver, i datës 29 dhjetor, që më bëri xhiron e fundit sidomos deri tek Kulla e çarë e kalasë së Durrësit, betohej se një ditё më parë kish pikasur në aeroportin e Rinasit ish kryebashkiakun e Durrёsit, – Dako – që po çante ferrën me avion. Jo, i thashë taksistit, nuk mund të jetë e mundur, pasi ai duhet të jetë në dispozicion të prokurorisë, si dhënës i lejeve të dyshuara të ndërtimit në Durrës. Eee, unë e pashë me sytë e mi, nguli këmbë taksisti. Dhe unë: Në kësi rastesh tërhiqet pasaporta për të mos i dhënë mundësinë të dyshuarit për krim të rëndë tё “arratiset”. E mirë e, ma pret ai, si për të më mbyllur gojën. Unë ngul këmbё: Ai vetë, Dako, duhej të kish ndejtur në Durrës, për të sqaruar rolin e tij në organet ligjore, apo për t’u mbrojtur më mirë. Mbase kthehet, i jap fund argumentit me gjemba unë. Mbase kthehet. Duke uruar vërtet me vete që të mos ketë ikur! 

Vetvetiu më shkon mendja tek ata që deri tani nuk janё marrë në pyetje. Ata nëntë të pandehur që i kanë i kaluar gjyqit duken tek-tuk peshq të vegjël, jo gjithmonë përgjegjës të spikatur të spekullimit. V. D. duhet të ish marrë në pyetje të paktën si person që ka dijeni të plota për ndërtimet, pasi shumë e kanë pohuar që pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij nuk mund të jepej asnjë leje ndërtimi. 

Shumё persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndër ta edhe ndërtues pallatesh tashmë të pabanueshëm. Nuk qe e mundur më parë t’u tërhiqej pasaporta, për të mos patur mundësinë të largohen në mënyrë legale? 

Unë vij vërdallë nëpër Durrës dhe përpiqem të kuptoj, në mes anktheve të shumta, pse taksisti ma la takimin te fillimi i rrugës Kristaq Rama. Më provokon nervat? Apo është fis me të dhimbsurin Havzi Nela? E kam nga anët e mija, më pohon. Nga të mijat nuk besoj të ketë ndonjë me emër rruge, i them. Ah, më thumbon. Shih pak më tej: rruga Iljaz Reka. E pastaj, Iljazi nuk ka qenë lushnjar. Po, e vërtetë, po vdiq si sekretar i parë i Lushnjes. Çfarë heroizmi të ketë bërë andej nga ju, më thotë. Asnjë, i them, me sa di vdiq nga infarkti. Pse ai K. Rama ka qenë hero? Jo, ç’ne, më thotë taksisti. Por ka qenë babi i kryeministrit. Këtë e dija, i thashë, dhe ky emër, K. R., nuk ka lidhje me tërmetin. Ka ore ka, se përndryshe pse do t’i shkonte pas kryeministrit Dakua ynë? Thua nuk ka qenë ai qё i ka venë emrin asaj rruge? E pastaj, e ndërpres. Pastaj ndoshta kërkon pak mirënjohje ishi i shkretë, më përgjigjet. 

Merru me tёrmetin, i them vetes, pasi, nëse i hyn emrave të rrugëve, të institucioneve e të tjera mbroçkullash si këto, do të të duhet një punë disavjeçare për t’i ndryshuar. Sidoqoftë nuk më rrihet pa supozuar se një farë lidhjeje të Dakos (apo të të barasvlershmëve) me “dashurinë” e pamasë të kryeministrit për Durrësin, duhet ta gjej edhe në emrin e të atit. Ç’thua more, i them vetes, prandaj i shkonte prapa Edvinit edhe në vizitat e pastërmetit ky Dakoja? Çfarё i kanë premtuar kësaj radhe autoritetet durrsake, nëse dalin pa lagur: një stadium të ri me emrin e surrelasit?

Dredharakët e zakonshëm në veprim

Si në të gjitha tragjeditë apo luftërat, dikush nxiton gjithmonë të përfitojë. Leku në kësi rastesh është sheshit, mjafton të zgjatësh dorën. Ndërsa qeveri, shoqata e individë ulërasin për gjetje ndihmash, ata, dredharakët e suksesshëm, rrëmbejnë ç’të mundin. Nuk e kam fjalën pёr ata të fëlliqur që duhet t’i adresonin ato ndihma drejt më nevojtarëve, por që i devijojnë drejt sepeteve të tyre. Të tjerë më ranë në sy kësaj here, por që nuk janë më pak të fëlliqur se të parët. Duke përfituar nga mundësia që ofron qeveria për t’u paguar qeranë nëse gjejnë vetë ndonjë sistemim, në pritje të riparimit të shtëpisë së tyre të dëmtuar, apo të ndërtimit të banesave të reja, këta zvarranikë, pasi kanë marre lekët për qeranë, rikthehen të banojnë në shtepitë e rrezikuara prej tёrmetit, pa kërkuar fare një apartament tjetër për të cilën kanë marrë ndihmën për qeranë. Këta tipa janë popull, jo ndërtues, jo inxhinierë apo arkitektë e dhënës lejesh ndërtimi. 

Popull janë edhe ata që, për të riparuar shtëpitë të financuara nga shteti, morën në dorë një çekiç apo varè dhe nisën të thyejnë tulla e parmakë në pallatet e tyre. Dhe nuk ishin pak. Djemtë e papunë që vinin vërdallë nëpër pallatet e plazhit mund të të shoqëronin në shumë pallate, në të cilët kuptohej qartë që thyerja nuk ishte vepër e dhunës së tërmetit. 

Të tjerë dinakë – ndërtuesit – i fshinë menjëherë pas lëkundjes së madhe gjurmët e plasaritjeve. Mbulimi i atyre krisjeve më gëlqere ose pak allçi apo llaç ishte gjeja më pak e kushtueshme. Këtë e bënë jo vetëm ata që kishin pallate të mbaruar së ndërtuari dhe gati për shitje, por edhe të tjerë që, të trembur prej kërcёnimeve me burg të kryeministrit, nxituan të fshijnë gjurmët e krimit. 

Në këtë grup dredharakësh të rrezikshëm bëjnë pjesë edhe ata ndërtues apo pronarë pallatesh që nuk mundën t’i fshihnin shkatërrimet, pasi shumë të dukshme dhe e pamundur të zhdukeshin më një retushim. Pallatet e tyre, sidomos brenda, ishin bërë fërtele-fërtele. Ose u kishin mbetur në këmbë vetёm kollonat, ose duhet të pastronin muret e krisura pa mundësi riparimi. Ndonjë prej tyre kish nisur të riparonte (rindërtonte) me paratë e veta. I trëmbur prej burgut?

Rrathët vlerësues të shpresës apo të ankthit si edhe përgjumja e ambientit 

M’u desh t’i bredh më këmbë lagjet e Durrësit, për të krijuar një ide sa më të plotë të dëmit të pësuar nga tërmeti. 

Ajo që më ra më shumë në sy ishte se pakkush ose askush ishte duke punuar për riparimet. 

Dikush – sipas dëshmitarëve duhet të kenë qenë specialistë vendas e të huaj – fatin e ndërtesave e kish përcaktuar me vizatimin e ca rrathëve në një vend të dukshëm, zakonisht tek hyrjet e pallateve.

Ata me rrethin e kuq (që duheshin shembur) nuk munda t’i shoh, pavarësisht se thoshin që bëheshin të paktën shtatëmbëdhjetё. Kush e di se ku i ishin fshehur syrit tonë. Ata me rreth të gjelbër (të paprekur prej tërmetit) ishin pothuaj të pagjendshëm ose kishin “harruar” t’ua shënonin statusin. Pjesës më të madhe që munda të vërej i ishin vënë rrathë blu pranë dyerve të poshtme, që do të thoshte se kishin nevojë për riparime, por që nuk ishin në rrezik shembjeje, pra mund edhe të banoheshin.

Çfarë më çuditi më shumë ishte se mjaft pallate të damkosur me rrathë blu m’u dukën të rrezikshëm. Banorët e tyre i kishin përzënë? Apo kishin ikur vetë, pasi nuk ishin në favor të rrethit blu? Sa i saktë është kriteri i zbatuar pёr klasifikimin me ato rrathë?

Pavarsisht prej rrathëve, kur do të fillojnë punimet për riparimet? Kush do të jetë pika e referimit për riparuesit? Pasi shumica e pronarëve të parë, dmth ndërtuesit, apo edhe administratorët e caktuar po prej tyre, kanë çarë ferrën. 

Kulla antike në mëshirën e fatit 

Ndërsa fotografoja kullën e kalasë të shqyer prej tërmetit, i pari shqetësim që më përcëlloi mendimin ish: Si është e mundur që nuk e kanë rrethuar zonën edhe pas kaq ditёsh? Si nuk kanë vënë një roje? Një pjesë e mirë e materialit të rrëzuar kish rënë mbi rrugën e asfaltuar dhe asgjë nuk i pengonte makinat të kalonin mbi rrënojat. Në të gjithë botën e qytetëruar jo vetëm që vendngjarja duhej të ishte izoluar, por do të kish nisur klasifikimi edhe i një cope tulle apo guri, për të filluar restaurimin me vetë materialet e kullës – e vetmja mënyrë e pranueshme për të mos i prishur origjinalitetin. Sa do të rezistojnë ato rrënoja të gjendura përdhe?

“Adriaktik”- kur hoteli përpiqet t’i ngjajë detit të cilit i ka marrë emrin.

Zbrita në Durrës në paraditen e datë 26 dhjetor, prej një trageti të nisur nga Ancona. 

Të gjeja një hotel për të qenë edhe jashtë rrezikut m’u bë e vështirë. 

Je i marrë, më tha dikush. E kush zë hotel tani, të gjithë kanë frikë!

Mosfrekuentimi i hoteleve të mëshiruar nga tërmeti ishte vetëm njëri prej aspekteve të rrënimit ekonomik në vazhdim të Durrësit, kapitulli më i dhimbsur pas humbjes së jetëve. 

 Përzgjedhja ime ra mbi njërin prej tyre vetëm sepse ishte afër shtëpisë që kam në plazh. Quhet “Adriatik Hotel”. Por nuk u pendova aspak. 

Një qetësi e pazakontë ndër koridore më konfirmonte lajmin e anullimit të mjaft prenotimeve për shkak të tërmetit. Unë isha i lodhur dhe vetëm ditën tjetër fillova të mendoj se mund edhe të ndieja ndonjë lëkundje tjetër. Asgjë nuk ndodhi, të paktën nga ato sizma që i përceptojnë shqisat tona. Ta kem patur këmbën kaq të mbarë? 

Për t’u ndodhur mirë në një ambient aq afër shtëpisë më dhanë një dorë edhe personeli i këtij hoteli me një arkitekture si ato që mua më pëlqejnë. Ua kisha vënë re njerëzillëkun në ndërmejtësinë e prenotimit që kur kërkova për herë të parë kontakt virtual me ta. Atje i bashkangjita përshtypjet e para me ato reale dhe i përforcova drejt pozitives. Me një imazh të qetë e jelekët popullorë, në reception të priste buzëqeshja dhe korrektesa e Eneidës dhe Anjezes. Në banak – Sara dhe Erta dhe në sallë Dajana, Envi dhe Arditi me një buzagaz prej zotërinjsh të krijonin një atmosferë “si në shtëpinë tënde”. Kjo përshtypje përforcohej edhe nga pjatat me përmbajtje lokale. Vetëm pak orë para check out-it mund të vihem në kontakt edhe me drejtuesen kryesore të resortit, general manager Nevila Dudaj. Kërkova të di prej saj diçka rreth pasojave të tërmetit në aktivitetin e tyre. Ajo më konfirmoi anullimet menjëherë pas ngjarjes së rëndë kombëtare. Por edhe rifillimin e prenotimeve në ditët që frekuentoja atë hotel. Nuk dëshironte ta thoshte, por unë e mësova nga të tjerë që, pas sizmës së madhe Adriatik Hotel kish strehuar dhe ushqyer 50 nevojtarë, qysh prej 28 nëntorit deri më 25 dhjetor. “Adriatiku” kish asistuar me ushqim pothuaj të përditshëm fillimisht të 240 personat e  strehuar në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit. 80 prej tyre, të mbetur akoma në atë manastir, vazhdojnë të mbahen me ushqim po prej “Adriatikut”. Edhe tavolina e Vitit të Ri atyre iu afrua bujarisht prej këtij rezorti. Asistenca për ta do të vazhdojë deri sa edhe personi i fundit i strehuar atje të ketë gjetur një sistemim tjetër. Të pavarur prej “Adriatikut”, që m’u duk se i ngjante shumë emrit me të cilin e kishin pagëzuar.

Shpend Sollaku Noé,

apartamenti i të cilit ishte shënuar me një rreth blu, por që nuk kish dëmtime serioze, siç i kishin shumë blu të tjera. 

Foto janë të tijat. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-Durresi pas termetit-Letargji

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT