• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

PAS KUVENDIT “VATRA” PUBLIKON STRUKTURAT DREJTUSE

January 30, 2020 by dgreca

Pas konsultimeve gjatë dhe pas Kuvendit të kryetarit të ri z. Elmi Berisha, i zgjedhur në mënyrë unanime nga delegatët, u përcaktuan strukturat drejtuse të Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm. Ekzekutivi i Vatrës është konceptuar me strukturë të departamenteve, ku çdo zv. President drejton njërin prej departamenteve. Bie në sy ardhja e emrave të rinj si në kryesi ashtu edhe në Këshillin Drejtues,  që drejton Vatrën deri në Kuvend. Vetëm në kryesi, përfshi zv.presidentët, janë 12 emra të rinj, ndërsa në Këshill janë 41 emra të rinj. Në strukturat drejtuse të Vatrës është rritur numri i femrave(ç’ka mbetet prioritet pas Kuvendit), po ashtu ka më shumë emra studuesish me grada shkencore . Dukuria tjetër pozitive është tërheqqja ne keto struktura te nje grupi qe vijne nga shtresa e te perndjekureve politik, te lindur ne kampet e internimit. Vetem ne Kryesi jane tre te tille. Vatra mbetet e hapur  për të gjithë ata që duan të kontribuojnë nën emblemën e saj. Po ashtu Vatra u bën thirrje shoqatave të komunitetit- për të qenë më efikas në punën tonë për çështjen Kombëtare- le t’i bashkohen Vatrës duke u federuar tek ajo, pa dëmtuar identitetin e secilës organizatë.Të bashkuar do të jemi më të fortë.

Ja strukturat Drejtuse:

KRYESIA/Executive Body of the Board

    Elmi BERISHA –  President

    Agim REXHAJ- President Nderi

   – Alfons  GRISHAJ; Zv/President për çështje politike

  –  Ervin      DINE       ; Zv/President- Për çështjet inovative, integruse dhe rininë

   – Besim    MALOTA ; Zv/ President- Për çështjet organizative
   – Pashko  CAMAJ    ;Zv/President- Për Marrdhëniet me Komunitetin dhe për  Edukimin
  – Adriatik SPAHIU ; Zv/President-Për degët dhe shtimin e anëtarësive.

  – Nazo VELIU; Sekretare
   – Marjan CUBI- arkëtar

   – Zef BALAJ         ;  Anëtar

   –  Anton RAJA;   Anëtar

   –  Agustin MIRAKAJ; Anëtar

   –  Dr Skender MURTEZANI; Anëtar

   – Merita B McCormack; Anëtare
   – Marjana BULKU  ; Anëtare

   – Idriz  LAMAJ        ; Anëtar

   –  Ibrahim KOLARI ; Anëtar
    – Sokol  BEJLERI   ; Anëtar

Mark MRNACAJ; Anëtar

    – Milaim TAHIRI ;   Anëtar

   – Mondi  RAKAJ  ;   Anëtar

   – Zudi KARAGJOZI;  Anëtar

   – Dalip   GRECA    ;  Anëtar

   KESHILLI/ Board of Directors

1- Sabit BYTYÇI- Kryetar i Këshillit

2- Albina Gjergji- Këshilltare për mediat dhe marrdhëniet me publikun

3- Dr. Paulin Marku(Këshilltar për Arsimin, Kulturën dhe çështjen Kombëtare)

4- Dr. Sokol Paja- Këshilltar për mediat dhe marrdhëniet me publikun)

5- Agim Aliçkaj

6- Astrit Gjonpali

7- Arben Zeqiri

8- Ali Lushnja

9- Alban Hoti

10- Adnan Merovci

11- Angjelina Nika

12- Besnik Rexhvelaj

13- Bashkim Musabelliu

14- Bardh Tomaj

15- Çezar Ndreu

16- Kol. Dritan Demiraj

17- Dr. Arjeta Ferlushkaj

18- Dritan Haxhia

19- Dem Balidemaj

20- Bedri Lita

21- Eduart Aranitasi

22- Erion Bardhi

23- Eduard Haxhia

24- Frederik Ndoci

25- Franc Anton Dodaj

26- Fero Gjonbalaj

27- Av. Harry Metuku

28- Av. Ylli Cakani

29- Gezim Nika

30- Gjok Deçkaj

31- Gjergj Ivezaj

32- Gjok Lulaj

33- Hysen Ulaj

34- Henry Gjonbalaj

35- Ilir Cubi

36-Ilirjan Blloshmi

37- Ismer Mjeku

38- Isuf Spahiu

39- Kujtim Porja

40- Klarent Novaku

41- Lek Mirakaj

42- Lumo Cungu

43- Liridona Malota

44- Luz Thaçi

45-Lek Perlleshi

46- Nazmi Berisha

47- Muhamet Omari

48- Marko Kepi

49- Mehmet Kadria

50- Mhill Velaj

51- Mhill Gjuraj

52- Medi Hoxha

53- Ndrece Gjergji

54- Prend Qeta

55- Paulin Mrnaçaj

56- Rafaela Prifti

57- Ramiz Muja

58- Ramadan Gashi

58-Simon Qafa

59 – Sejdi Husenaj

60- Syl Ramushi

61- Sali Haxhibrahimi

62- Sokol Selmani

63- Shpresa Gallo

64- Shaqir Salihu

65- Shkumbin Tetaj

66 – Tonin Mirakaj

67- Thanas Gjika

68- Ylli Dosku

69- Valentin Lumaj

70- Xhafer Berisha

71- Xhafer Aga

Gazeta DIELLI

Editor-Dalip Greca

Editore për Gjuhën angleze-Rafaela Prifti

   KRYETARËT E DEGËVE/Chapter Presidents

— Kryetartë e degëve Janë pjesë të Këshillit-

1- Queens -NY- Dr. Skënder Murtezani

2-  Michigan –     Mondi Rakaj

3- N. Florida-      Adriatik Spahiu

4- Tampa-Clearwater- Tasim Ruko

5- S.Florida Kolec Ndoja

6- Orlando- Florisiana Ahmetaj

7- Hudson Valley- Simon Qafa

8- Toronto   – Tony Sufaj

9- Hartford-CT- Milaim Tahiri

10- New Jersey- Adem Manellari

11- Worcester – Sek. Thanas Gjika

Filed Under: Featured Tagged With: Vatra-Strukturat Drejtuse

Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit

January 29, 2020 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

Shumë flitet, sidomos kohët e fundit, për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë kohës së luftës dhe vihet në dukje kryesisht “besa shqiptare” dhe qëndrimi jo armiqësor i qeverisë dhe regjencës shqiptare të kohës ato që bënë të mundur atë shpëtim. Të vësh “besën shqiptare” dhe qëndrimin jo armiqësor të qeverisë dhe regjencës shqiptare të kohës si të vetmet premisa për shpëtimin e hebrenjve, është njëlloj sikur të thuash se gjermanët u larguan nga Shqipëria në fund të vitit 1944, sepse e humbën luftën me partizanët dhe u dëbuan prej tyre! Një trajtim i tillë i historisë së hebrenjve më duket tejet i thjeshtëzuar dhe i mangët dhe rrjedh, përveç të tjerave, edhe nga njohuritë e pakta të studiuesve për ato çka ndodhën në vende të tjera me hebrenjtë gjatë asaj kohe. Në studimin tim ende të pa botuar “Antisemitizmi – nga zanafilla te Holokausti”, jam munduar ta trajtoj më gjerë këtë çështje dhe të vë në dukje shkaqe të tjera të rëndësishme që ndikuan në atë që ndodhi në Shqipëri në atë kohë me hebrenjtë. Më poshtë po jap të plotë atë që shkruaj në këtë studim për këtë çështje:

Ndonëse në Shqipëri u futën ushtritë gjermane, hebrenjtë nuk iu dorëzuan gjermanëve. Me përjashtime të rralla, ata u mbrojtën nga shteti dhe populli shqiptar. Shqipëria u bë i vetmi vend ku numri i hebrenjve pas lufte rezultoi të ishte më i madh se i atyre para lufte, si pasojë e ardhjes në këtë vend të hebrenjve nga vende të tjera ku jeta e tyre rrezikohej.

Si u bë e mundur që ndodhi kjo shfaqje humane në një nga vendet më të pazhvilluara të Europës ku hynë ushtritë gjermane? Arsyet mund të kenë qenë të shumta, por mendoj se ndër kryesore, përveç asaj që ne theksojmë më shumë, “besën shqiptare” dhe, kohët e fundit, edhe veprimet dashamirëse të shtetit shqiptar, pa dashur të zvogëloj guximin dhe mikpritjen e atyre shqiptarëve të thjeshtë që i strehuan dhe i mbrojtën që, padyshim, kanë një meritë të madhe, si dhe veprimet e shtetit shqiptar që duhen patjetër lëvduar e përshëndetur, mund të kenë qenë edhe këto:

Së pari, për çudi, ndryshe nga ç’bënë në vende të tjera, e vërteta është se në Shqipëri gjermanët nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe regjistrimit, grumbullimit dhe deportimit të hebrenjve për në kampe të shfarosjes, madje ka qëlluar edhe që kanë kapur hebrenj dhe i kanë liruar. Shqipëria kishte numrin më të vogël të hebrenjve kundrejt vendeve të tjera dhe kjo mund të ketë qenë një arsye e fortë e mos kushtimit të vëmendjes së veçantë problemit hebre. Sipas statistikave gjermane të vitit 1941, në Shqipëri banonin rreth 200 hebrenj, por gjatë luftës kaluan e ndenjën në vendin tonë hebrenj nga vende të tjera që e ngritën shumë numrin e tyre. Statistika të sakta për numrin e tyre dhe për kohën e qëndrimit në Shqipëri nuk ka.

Në Shqipëri, gjermanët, nuk bënë ndonjë përpjekje, siç bënë në vende të tjera, as për të regjistruar, grumbulluar e deportuar homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait, e  romët shqiptarë, natyrisht, jo se kishin ndonjë respekt për ta, por se ishin pakica fare pa rëndësi.

Duhet kujtuar këtu, se në Hungari, ku kishte një numër të madh hebrenjsh dhe shteti refuzoi t’i grumbullonte dhe t’i deportonte, në fund të luftës, kur dështimi nazist ishte krejt i qartë, nazistët dërguan aty Ajhmanin për t’u marrë me deportimin e tyre, ndërsa kryetarin e shtetit hungarez, “kolaboracionistin”, “bashkëpunëtorin”, Horti, që nuk bashkëpunoi për këtë çështje, e arrestuan dhe e çuan në Gjermani.

Së dyti, nga të gjitha vendet e pushtuara nga gjermanët, Shqipërisë i ishte lejuar  udhëheqja shtetërore vendase më e pavarur prej tyre. Ishte vetëm prania ushtarake gjermane në Shqipëri që e bënte vendin të konsiderohej i pushtuar. Regjenca e krijuar në kohën e pushtimit gjerman si dhe qeveria e saj nuk ishte antisemite dhe nuk ndërmorën asnjë veprim në dëm të hebrenjve. Gjermanët bënë një kërkesë formale për regjistrimin e hebrenjve, por shteti shqiptar jo vetëm nuk i regjistroi dhe nuk dorëzoi lista të hebrenjve, jo vetëm nuk i grumbulloi ata në një vend të caktuar, por i lajmëroi ata pak hebrenj që ndodheshin në Shqipëri me forma të ndryshme që të largoheshin nga qytetet dhe të gjenin strehë nëpër fshatra. Udhëheqja shqiptare e kohës konsideroi kërkesën naziste si një ndërhyrje në të drejtën e saj për të qeverisur vendin si e pavarur por, duhet pranuar se edhe udhëheqja shqiptare nuk pati ndonjë shtrëngim të madh, siç patën udhëheqjet në shtetet e tjera për të dorëzuar hebrenjtë. Në Shqipëri nuk dolën kurrë ligje antihebreje as nga drejtuesit e saj dhe as nga gjermanët, siç dolën në vende të tjera dhe as nuk iu kërkua hebrenjve të qepnin në rroba Yllin e Davidit. Kështu, duke mos pasur një shtet që t’i kërcënonte dhe një pushtim gjerman që, ndryshe nga si veproi në vendet e tjera, nuk bëri ndonjë përpjekje të organizuar për të mbledhur dhe deportuar hebrenjtë, shqiptarët nuk patën as frikë e as ndonjë shtrëngesë të madhe për të mos i mbajtur hebrenjtë. Nuk ka asnjë raport të ndonjë kërkimi shtëpi më shtëpi në Shqipëri për gjetjen e hebrenjve, siç pati në vende të tjera dhe as ndonjë raport të dënimit të ndonjërit për fshehje të hebrenjve. Në Shqipëri nuk pati as ndonjë proklamatë që të njoftonte shqiptarët që, nëse do të gjendeshin në shtëpitë e tyre hebrenj të fshehur, të zotët e shtëpisë do të pushkatoheshin. Në vende të tjera, sidomos në Poloni, por edhe në Greqi, këto proklamata ishin të zakonshme.

Së treti, para lufte qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimit në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, thirrje të cilën e përsëriti edhe gjatë luftës kur ndodhej në Angli, kryesisht me qëllim që të fitonte përkrahjen e komunitetit të fuqishëm ndërkombëtar hebre. Gjatë pushtimit italian, duke filluar nga viti 1939, as vetë Italia e as qeveria shqiptare e asaj kohe, as nuk përhapën kulturën antisemite dhe as nuk vunë në zbatim ligje antisemite. Italia e Musolinit nuk vuri në zbatim ligje antisemite as në Itali e as në vende të tjera të pushtuara prej saj. Kështu, Shqipëria nuk kishte njohur antisemitizëm.

Së katërti, populli shqiptar nuk ishte fetar në kuptimin e vërtetë të fjalës, ashtu siç nuk është edhe sot. Edhe ata pak që e mbanin veten për fetarë, dinin vetëm disa rite të fesë së tyre dhe nuk dinte as historinë e as filozofinë e feve të ndryshme. Duke mos qenë fetarë, shqiptarët nuk kishin edhe ndonjë ndjenjë, shtysë apo urrejtje me bazë fetare kundër hebrenjve, ashtu siç pati në popullsitë e vendeve të tjera, ku shtysa fetare ishte shumë e fortë. Mungesa e besimit fetar të shqiptarëve iu shërbeu hebrenjve për t’u mbrojtur dhe u shërbeu edhe vetë shqiptarëve për t’u krenuar sot.

Së pesti, shqiptarët, kur nuk kanë ndonjë arsye të fortë për t’i urryer, kanë për të huajt admirim dhe e shtrinë mikpritjen e tyre hera herës më tepër edhe nga ç’është e nevojshme. Për shqiptarët, hebrenjtë ishin “jabanxhinj” që duheshin ndihmuar.

Së gjashti, hebrenjtë në Shqipëri nuk kishin asnjë ndikim e as ndonjë rëndësi në planin politik a fetar ndërkombëtar. Në Shqipëri hebrenjtë nuk kishin komunitete të bashkuara dhe të organizuara fetarisht, siç kishin në shtete të tjera. Ata nuk kishin ndonjë person apo grup udhëheqës, nuk kishin lidhje organizative me hebrenj të vendeve të tjera, nuk kishin sinagoga, nuk kishin shkolla fetare apo qendra kulturore hebraike, nuk kishin varreza të veçanta.

Së shtati, në Shqipëri nuk kishte ndjenja naziste. Në Shqipëri nuk kishte individë nazistë. Këtu kishte individë progjermanë, por jo nazistë. Në Shqipëri nuk u krijuan parti apo organizata naziste apo pronaziste, siç u krijuan në shumë vende të Europës si, për shembull, në Rumani, në Hungari, në Slovaki e në vende të tjera, madje edhe në Angli u krijua parti naziste, Kështu, UngariHungari  për pasojë, nuk pati asnjë grup të organizuar shqiptar që të ngacmonte hebrenjtë, apo të ndihmonte a të nxiste gjermanët në kapjen e tyre.

Së teti, numri i paktë i hebrenjve në Shqipëri dhe gjendja e tyre ekonomike, nuk i la shteg konkurrencës së tyre më vendasit, ashtu siç ndodhi në vende të tjera, ku shpesh vendasit e panë në mënyrë pozitive asgjësimin e hebrenjve prej gjermanëve, sepse u lehtësohej konkurrenca. Po ashtu, numri i vogël i hebrenjve në Shqipëri dhe pasuria e tyre jo e madhe, nuk i bënë shqiptarët lakmues të pasurisë së tyre, siç ndodhi në vende të tjera ku, pikërisht për të përvetësuar pasurinë e tyre, sidomos atë të patundshmen, i dorëzuan vetë hebrenjtë te gjermanët.

Së nënti, gjermanët arritën në Shqipëri 3-4 vjet pasi kishin pushtuar pjesën më të madhe të Europës dhe kishin bërë kërdinë me hebrenjtë e këtyre vendeve. Deri në këtë kohë, ata kishin likuiduar pjesën më të madhe të tyre, ndërsa në Shqipëri, nuk patën filluar ende. Shqipëria e pati ushtrinë gjermane për pak më shumë se një vit. Edhe koha e paktë në dispozicion dhe problemet e tjera shumë më të mëdha që po përjetonte Gjermania në këtë periudhë, mund të kenë ndikuar në vëmendjen e paktë që ajo i kushtoi hebrenjve në Shqipëri.

Duhet shtuar këtu edhe se, jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj, gjatë kohës së komunizmit, kur Shqipëria ndër tre armiqtë kryesorë, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Vatikanit, kishte Izraelin, ajo nuk persekutoi kurrë hebrenj mbi baza etnike apo fetare. Gjithashtu duhet shtuar se, ndërsa në vendet e tjera të parët hebrenj që iu dorëzuan gjermanëve për t’i vrarë ishin hebrenjtë jo vendas, për shembull, qeveritë franceze dhe bullgare, rezistuan në dorëzimin e hebrenjve vendas, por bashkëpunuan me nazistët për arrestimin e hebrenjve të huaj që kishin vajtur në ato vende, në Shqipëri u mbrojtën pikërisht edhe këta dhe këta përbënin dhe numrin më të madh të hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri në atë kohë.

Sido që të kenë qenë arsyet, mos kapja e hebrenjve nga nazistët në Shqipëri, marrja e tyre në mbrojtje nga shqiptarët pa u kërkuar asnjë shpërblim, Shqipërisë i jep nder dhe e vendos atë shumë përpara vendeve që konsiderohen të qytetëruara. Megjithatë, qëndrimi zyrtar shqiptar i sotëm për këtë çështje është shumë i vagët. Asnjë memorial nuk është ngritur në asnjë vend të Shqipërisë për shqiptarët që i shpëtuan dhe për hebrenjtë që shpëtuan.

Harney Sarner në librin e tij “Shpëtimi në Shqipëri”, botuar në vitin 1997, ndërmjet të tjerash, shkruan se gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbreti Zog në mërgim në Britaninë e Madhe, i propozoi udhëheqjes hebraike në Britani një plan për sistemimin e 50000 familjeve hebreje në vendin e tij pas lufte. Ai e paraqiti Shqipërinë si një vend të pasur me njerëz të varfër dhe të varfër me njerëz të pasur. Ai tha se në Shqipërinë një milionëshe, mund të jetonin lehtë pesë milionë njerëz. Ai premtoi që çdo njërës prej 50000 familjeve hebraike që do të shkonin në Shqipëri, do u jepej nga një fermë e vogël nga tokat e shtetit. 

Irene Grunbaum, hebreje, në librin e saj autobiografik “Shpëtimi përmes Ballkanit”, pasi përshkruan përvojën e vet gjatë peripecive të shpëtimit nga nazistët, thotë për Shqipërinë:

“Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin. Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. Autoritetet tuaja i mbyllën të dy sytë, kur qe e nevojshme, për t’i dhënë popullit të varfër e të persekutuar edhe një shans për të mbijetuar më mizoren e të gjitha luftërave.

Shqipëri! Ne i mbijetuam tmerrit, në saje të humanizmit tënd. Ne ju faleminderit”.             Nju Jork, janar 2020             

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva- hebrenjte ne Shqiperi-Holokausti

KRYESIA E OSBE-s – PËRGJEGJËSI E PROVË DINJITETI

January 29, 2020 by dgreca

-“Detyra dhe dinjiteti para çdo gjëje tjetër”/-LACORDAIRE (1802 – 1861) Prift domenikan francez/

Shkruan: Eugjen Merlika/

            Viti që mbyll dhjetëvjeçarin e dytë të mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit, me gjasë do të mbetet ndër më të shënuarit e më të rëndësishmit e pas komunizmit shqiptar. Kjo si përsa i përket zhvillimeve politike të Vendit, si përsa i takon marrëdhënieve të tij me botën e jashtëme. Janari, që në fillim të tij, pati një lajm të mirëpritur për të gjithë shqiptarët kudo ku janë: Shqipëria mori Kryesinë e rradhës të një organizate ndërkombëtare për gjithë rrjedhën e këtij viti.

            Është hera e parë në historinë tonë që vërtetohet një dukuri e këtillë. Për të hasur në një ngjarje afërsisht të këtillë duhet të kthehemi në vitin 1464, kur Papa Piu II u vu në krye të ushtrive të bashkuara të një pjese t’Evropës, në Ankona të Italisë, për t’u imbarkuar për në Durrës e për t’i besuar zyrtarisht kryetrimit të Arbërisë komandën e Evropës në luftën për të zbrapsur sulmet otomane mbi kontinentin e krishterë. Fatkeqësisht kreu i Vatikanit u sëmur dhe ndërroi jetë në Ankonë, më 14 korrik 1464, dhe kështu u shua shpresa e Arbërisë për të patur një pjesë t’Evropës në krah të saj në luftën e pabarabartë me perandorinë më të fuqishme të kohës e, ndoshta, për të ndryshuar fatin e saj, por edhe historinë e gadishullit nën prijësinë e saj. Mbas 14 vitesh të asaj ndodhie Shqipëria e Ballkani do të bëheshin pjesë e perandorisë osmane, do të dilnin nga historia e vërtetë e një bote në të cilën për shekuj të gjatë kishin qënë protagonistë absolutë.

            Sot jetojmë në kohë krejtësisht të ndryshme, tepër larg epokës së lavdisë arbërore që u pasua nga shekuj dhimbjeje kombëtare, me pasoja dramatike për ecjen e Vendit drejt përparimit. Jetojmë në kohë ndërlidhsinash dhe ndërvartësish ekonomike, sigurie, kulturore, kryesisht ndërmjet Vendeve t’Evropës. Rëndësia e marrjes së kryesisë së OSBE-s do të jetë m’e dukëshme në fundin e këtij viti, kur të bëhet bilanci i veprimtarisë s’asaj kryesie, që nuk duhet të jetë vetëm një ushtrim i thjeshtë kompetencash, në krye të një Organizate prej 57 shtetesh, por duhet gjithashtu të nxjerrë në pah aftësinë tonë si komb e si shtet për të dhënë ndihmesën në proçeset përbashkuese të botës bashkëkohore.

            Viti që lamë pas, mund të quhet me të drejtë ”annus horribilis” i jetës sonë shtetërore: jo vetëm se u mbyll me një fatkeqësi natyrore të shkallës së parë, pasojat e së cilës duan kohë, mjete financiare e vullnet të ndershëm për t’u shëruar plotësisht, por edhe për ecurinë, apo më mirë ngërçin që ndaloi politikën shqiptare të plotësonte detyrat e saj kushtetuese. U desh tërmet i stërmadh me pasojat e tij, për të fashitur sado pak kundërshtitë e ndezura mes shqiptarëve të politikës e për të nxjerrë në dukje detyrimin e përbashkët kundrejt njëri tjetrit.

            Për të qënë të vetëdijshëm se cila është përgjegjësia e jonë si shtet, n’ushtrimin e fuksionit kryesues të kësaj organizate botërore, duhet të mbajmë parasysh se cila është veprimtaria e saj, fuksionet e synimet e saj, zyrat, komisionet e tematikat e larmishme që trajtohen prej saj. OSBE është një “instrument themelor për paraalarmin, për ndalimin e konflikteve, mbarështimin e krizave dhe rindërtimin e mëpasmë të gjëndjeve të luftës në rajone”. E krijuar në fillim si KSBE (Konferenca mbi sigurinë dhe bashkëpunimin n’Evropë), që u mbajt më 3 korrik 1973 në Helsinki të Finlandës, Vëndet themeluese i vunë vetes detyrën e uljes së tensioneve n’Evropën e ndarë në dy blloqe kundërshtare. Më 1 gusht 1975 u nënëshkrua “Akti përfundimtar”, ku ftilloheshin një sërë parimesh politike që duhej të respektoheshin nga shtetet pjesëmarrës në marrëdhëniet e ndërsjellta e kundrejt qytetarëve të tyre.

            Fatkeqësisht politika e verbër, kryeneçe dhe errësuese e Shqipërisë së Enver Hoxhës e la jashtë atë nga ky tubim Vendesh të Lindjes e të Perëndimit evropian. Nuk mund të pajtohej me parimet e asaj konference një Vend ku flitej vetëm për luftë (imagjinare) kundër gjithë botës imperialiste e revizioniste e për luftë të vërtetë kundrejt një pjese të qytetarëve të vet. Është mirë të kujtohen më shpesh nga historianët, që vazhdojnë të sheqerosin diktaturën, dëmet e mëdha që pësoi Shqipëria nga politika donkishoteske e tekat mizore të një kaste të paditur që qeveriste jashtë të gjitha rregullave e vlerave njerëzore, duke u fshehur mbas ”mbrojtjes së parimeve të marksizëm-leninizmit”. I bukur “nacionalizëm”, që ndonjë kalemxhi i vjetër apo i ri, sot valëvit duke i a veshur tiranit si një ndihmesë kombit, ishte ai i veçimit nga bota e i mbajtjes së marrëdhënieve me grushte njerëzish, të panjohur krejtësisht në Vendet e tyre, vetëm se mbanin etiketën e parapëlqyer të udhëheqjes mesjetare të Tiranës.

            Ndryshoi krejtësisht gjëndja me tjetërsimin e sistemit. Më 19 qershor 1991 “jetimja e Evropës” u pranua me dashamirësi n’atë organizatë si anëtarja e 35 e saj. “Tani, me demokratizimin e Shqipërisë Evropa u bë më e plotë”, shprehej CNN atëherë, në lajmin që njoftonte ngjarjen.

            Veprimtaria e OSBE-s ndahet në tre sektorë themelorë ose, siç përdoret rëndom, në tre “përmasa”: e para është ajo politiko – ushtarake, e dyta ekonomiko – mjedisore dhe e treta njerëzore. E para merret me vështrimet ushtarake të sigurisë, si kontrolli i armatimeve, mbrojtja e kufijve, lufta kundër terrorizmit e siberkriminalitetit. E dyta interesohet kryesisht për temat e energjisë, të zhvillimit ekonomik e të mjedisit, mbi mbarështimin e rezervave ujore e natyrore, mbi mbrojtjen e ekosistemit etj. E treta i kushtohet tematikave të shtetit të së Drejtës, të mbrojtjes së të drejtave njerëzore dhe lirive themelore, të lirisë së shtypit, të të drejave të pakicave etj.

            Në këtë kuadër programatik e qëllimor veprojnë tre institucione të pavarura: Zyra për Institucionet Demokratike e të Drejtat e Njeriut (ODIHR), me qendër në Varshavë; Përfaqësia për Lirinë e Medias, me qendër në Vjenë dhe Komisariati i Lartë për Pakicat Kombëtare, me qendër në Hagë.

            Kryesia që ka mandat njëvjeçar ka përgjegjësinë e veprimtarisë ekzekutive t’Organizatës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, me mandat trevjeçar, kryen funksionet e përfaqësuesit dhe ndihmësit të Kryetarit në detyrë. Sekretariati me qendër në Vjenë, siguron mbështetjen administrative dhe vepruese t’Organizatës. Organi i zakonshëm, i caktuar për Këshillimet politike dhe proçesin vendimmarrës është Këshilli i Përhershëm, në të cilin marrin pjesë përfaqësuesit e emëruar të të gjithë shteteve. Me pak fjalë, kjo është organigrama, funksionimi dhe synimet e punës së OSBE-s, në kryesinë e së cilës, për gjithë vitin 2020 është Vendi i ynë. Këtë nder që na bëhet, me këtë detyrë që na ngarkohet, duhet të mundohemi t’a kryejmë më së miri, sepse ky rast mund të ndihmojë në përmirësimin e përfytyresës së përgjithëshme të Shqipërisë n’arenën ndërkombëtare e kryesisht n’Evropë. Në nivel të marrëdhënieve politike brënda Vendit, është mirë që të kthehemi në një standart normal, duke zhvilluar pa ndrojtje dialektikën mes forcave të ndryshme, por pa nxitur artificialisht tensionet e mundëshme të politikës. Një hap mbrapa i të gjithë përbërësve të saj, shumicës qeverisëse, opozitës jashtëparlamentare, Kryesisë së Shtetit, do t’ishte mjaft i dëshiruar për të dhënë përshtypjen e një Vendi normal. Në rolin e ri Shteti shqiptar vihet në qendër të vëmëndjes e ka nevojë të domosdoshme të paraqitet si i tillë, për të fuqizuar besimin e të tjerëve e për të bërë të mundur thyerjen e tabusë historike të mosmarrëveshjes së shqiptarëve me njëri tjetrin që, fatkeqësisht, ne e ushqejmë çdo ditë me veprime nga më të ndryshmet.

            Rolin më të rëndësishëm në këtë kuadër duhet t’a luajnë organet qeveritare dhe përfaqësuesit e tyre në kryerjen e detyrave përkatëse, por ata kanë nevojë të ndjejnë edhe mbështetjen e gjithë Vendit në shpatullat e tyre, siç duhet të ndodhë gjithmonë kur bëhet fjalë për të dhënë përfytyresën e Atdheut në botën e madhe. Për ata është e domosdoshme një kah i fuqishëm përgjegjësie e urtësie profesionale, një vullnet i madh e një pregatitje e lartë. Duhet vetëdijesimi i plotë se kanë mbi shpatulla një detyrë aspak të lehtë, por plotësisht të realizueshme, se suksesi i tyre është sukesi i Shqipërisë. Në këtë drejtim është e nevojshme edhe një dozë, sado e vogël idealizmi, e aftë të shumfishojë vullnetin dhe përkushtimin ndaj detyrës.

            Jashtë motivimit të brëndshëm, mendoj se aktorët kryesorë të veprimtarisë shtetërore, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, duhet të ndihmohen nga një skuadër njerëzish kompetentë deri në shkallën më të lartë. Kjo bëhet e nevojshme sepse vëllimi i punës, me problematikat e 57 Vendeve antare dhe rreth njëzet të tjerëve që kërkojnë të hyjnë e marrin pjesë në mbledhjet si vëzhgues, është i një sasie të madhe dhe e një larmie të pazakontë. Vetëm inventarizimi i këtyre problematikave, studimi i tyre e përpjekja për t’i vënë në rrugën e zgjidhjes, kërkon zotimin e shumë njerëzve në lartësinë e detyrës nga përgatitja intelektuale dhe nga shtati moral.

            Në gjëndjen e sotme të të diplomuarve shqiptarë në universitetet e zgjedhura të botës, gjatë këtyre tridhjetë viteve, nuk duhej të përbënte një pengesë aktivizimi cilësor i një grupi pune që t’i përgjigjej plotësisht kërkesave të kësaj veprimtarie. Por, duke mbajtur parasysh kriteret, krejtësisht politike e jo meritokratike, që trashëgimia e mendësisë komuniste e tregëtare ka arritur t’i bëjë zotëruese në ngritjen në përgjegjësi të kuadrove në vitet e kalesës, duke qënë të pranishëm çdo ditë në shfaqje mangësish të theksuara në nivelin kulturor e profesional të përfaqësuesve të jetës politike dhe administrative të Vendit, lind dyshimi se kryesia e rradhës së OSBE-s mund të lerë për të dëshiruar.

            Meqë detyra që kemi marrë përsipër më 9 janar nuk mund e nuk duhet të rrezikohet nga mangësi të kësaj natyre, sepse është tepër i rëndësishëm sendërtimi i saj për të gjithë shqiptarët, mendoj se një këshillë modeste për t’a shikuar problemin me sy kritik e kërkues, duke u përpjekur që të aktivizohen njerëzit më t’aftë në botën shqiptare e jo vetëm në nomenklaturat e partive, nuk do t’ishte e padobishme.

            Kjo gjë mendoj se i shërben prestigjit dhe emrit të mirë të Shqipërisë e, si e tillë, është detyrë e çdo shqiptari që i don sinqerisht ato vlera, t’u a sugjerojë qeveritarëve të Vendit të tij.             Janar 2020                

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika-Kryesia e OSBE-se-Prove Dionjiteti

PSE NUK E PËRMENDET ROLI UNIK I KOL BIB MIRAKËS PËR SHPËTIMIN E HEBRENJËVE?

January 29, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë.  Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Mbrendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri, duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria — duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve.  Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë.  Ka ardhë koha që edhe emëri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, “Righteous Among theNations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

24/01/2017 Analiza

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.  

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.  Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë së asaj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.  Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”

Kol Biba do të falënderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Politike Tagged With: Kol Bib Mirakaj-Hebrejte ne Shqiperi-Frank shkreli

KUVENDI I VATRES NE VESHTRIMIN E NJE DELEGATI

January 29, 2020 by dgreca


Nga Qamil S. Dardhankodra -Delegat Ii deges se Torontos-Kanda ne Kuvendin e Vatres-Detroit, 19 Janar 2020/
Më 19 janar 2020 në Detroit SHBA u mbajt Kuvendi Zgjedhor i “Vatrës”. Të pranishëm qenë delegatët nga të gjitha degët e saj që janë në SHBA si dhe nga dega e Torontos nga Kanada. Mikpritëse qe dega e Detroitit e cila u bani delegatëve nji pritje të shkëlqyeshme. Mysafirët u vendosën në hotelin e z. Mynyr S. Nazifi, i cili kishte përgaditë nga nji shportë dhuratash dhe nga nji flamur për çdo vatran. Kuvendi u mbajt në lokalet e Teqes së baba Rexhepit e cila qe lëshue falas për “Vatrën”. Kuvendi filloi punimet rreth orës 10, në fillim u intonue hymni shqiptar dhe ai amerikan, mbasandej punimet e Kuvendit i uruen dhe i bekuen kryefetarët; i zoti i shtëpisë baba sheh Pashai dhe imzot Ndue Gjergji, nga kisha shqiptare e këtushme “Zoja Pajtore”. Mungoi hoxha nga xhamia e këtushme për të cilin më thanë se ka shumë vjet që nuk vjen në manifestime të këtilla – më erdhi shumë keq. 
Qenë dy pika të rendit të ditës; zgjedhja e kryetarit të ri dhe disa plotësime statutore me gjithë telashen që nxori dega e qytetit të Vashingtonit. Për kryetar të “Vatrës” ishin dy kundërkandidat dhe që të dy nga Kosova, njeni nga Gjakova tjetri nga Mitrovica. Drohej nga ndonji përqarje, të gjithë folësit që dolën në foltore thanë që duhet të fitojë “Vatra” dhe që nga ky vend të mos dilet me ndonji përqarje. Mbas përshëndetjeve dhe urimeve të rastit filluen diskutimet për disa ndryshime e plotësime statutore, këtu u ngrit tensioni bukur shumë tue i falënderue disa zhurmaxhive e poteraxhive saqë drejtuesi u kërcnue se njenin prej tyne do ta nxirrte jashtë. Këto ndryshime u tejkaluen dhe u lanë për nji herë tjetçr.
Dy kandidatët për kryetar i paraqitën vizionet e tyne për punën që do të banin në krye të “Vatrës”, mbasi filluen pyetjet dhe përgjigjjet, kandidati z. Agim Rexha u tërhoq. Edhe kjo pikë që ishte dhe dukej mjaft e ndieshme kaloi me pak zhurmë – u zgjodh kryetari i ri Elmi Berisha nga Gjakova, ndërsa Agim Rexha u zgjodh kryetar nderi, meqë kryetari i deritashëm kaloi në amshim. Vuna re se në mesin e delegatëve nuk ishte askush nga Maqedonia, kjo me brengosi thellë. Kishte delegatë nga Mali i Zi, Kosova madje edhe nga Çamëria. Punët kaluen pa ndonji telashe ma të madhe, nji delegat më tha se na ndihmoi bekimi kryetarëve dhe fakti se u mbajt mbledhja në vend të shejt. Për teqen e babes Rexhep kisha ndëgjue shumë – ishte ma shumë objekt patriotik sesa fetar. Aty qenë fotografitë e rilindasve kombtarë, aty e pashë Isa Boletinin e Adem Jasharin, atdhetari i madh baba Rexhep ishte fotografue me të madhin Fan Noli, Antony Athanas, etj. Më bani përshtypje nji fotografi e NMT mbretit Zog bashkë me 4 kryetarë fotografue në Pallatin mbretnor: qenë dy priftërij njani katolik e tjetri ortodoks, nji hoxhë dhe nji sheh. Faik Knica, Fan Noli e mbreti Zog dhe dr. Rugova qenë kokat ma të mençme të derisotme.
Kur filloi të shqyrtohej disidentllaku i degës së Vashingtonit zhurma përsëri filloi megjithatë kjo degë u përjashtue nga “Vatra”. Kryetari i deritashëm Dritan Mishto nji njeri tepër i zoti kishte vendosun të mos kandidohej sepse disa e kishin marr nëpër gojë ngase prindi i tij (nga Elbasani) paska qenë komunist, se paska dhanë urdhna për kështu e ashtu, etj. Të gjithë folësit i kërkuen falje z. Mishto edhe unë i kërkova falje në emën të degës së Torontos, unë mendoj se kemi ba mëkat të madh ndaj tij dhe se edhe 30 vjet  “Vatra” nuk do të ketë kryetar me aftësi të tillë. Në vazhdim z. Mishto paraqiti raportin mbi punën dyvjeçare, shihej se ky njeri asht i denjë për ndonji punë në diplomaci, ndërsa pjesën e sulmit dhe akuzës e kaloi me disa thanie të Platonit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Qamil S.Dadhankodra-Kuvendi I vatres

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT