• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit

January 29, 2020 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

Shumë flitet, sidomos kohët e fundit, për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë kohës së luftës dhe vihet në dukje kryesisht “besa shqiptare” dhe qëndrimi jo armiqësor i qeverisë dhe regjencës shqiptare të kohës ato që bënë të mundur atë shpëtim. Të vësh “besën shqiptare” dhe qëndrimin jo armiqësor të qeverisë dhe regjencës shqiptare të kohës si të vetmet premisa për shpëtimin e hebrenjve, është njëlloj sikur të thuash se gjermanët u larguan nga Shqipëria në fund të vitit 1944, sepse e humbën luftën me partizanët dhe u dëbuan prej tyre! Një trajtim i tillë i historisë së hebrenjve më duket tejet i thjeshtëzuar dhe i mangët dhe rrjedh, përveç të tjerave, edhe nga njohuritë e pakta të studiuesve për ato çka ndodhën në vende të tjera me hebrenjtë gjatë asaj kohe. Në studimin tim ende të pa botuar “Antisemitizmi – nga zanafilla te Holokausti”, jam munduar ta trajtoj më gjerë këtë çështje dhe të vë në dukje shkaqe të tjera të rëndësishme që ndikuan në atë që ndodhi në Shqipëri në atë kohë me hebrenjtë. Më poshtë po jap të plotë atë që shkruaj në këtë studim për këtë çështje:

Ndonëse në Shqipëri u futën ushtritë gjermane, hebrenjtë nuk iu dorëzuan gjermanëve. Me përjashtime të rralla, ata u mbrojtën nga shteti dhe populli shqiptar. Shqipëria u bë i vetmi vend ku numri i hebrenjve pas lufte rezultoi të ishte më i madh se i atyre para lufte, si pasojë e ardhjes në këtë vend të hebrenjve nga vende të tjera ku jeta e tyre rrezikohej.

Si u bë e mundur që ndodhi kjo shfaqje humane në një nga vendet më të pazhvilluara të Europës ku hynë ushtritë gjermane? Arsyet mund të kenë qenë të shumta, por mendoj se ndër kryesore, përveç asaj që ne theksojmë më shumë, “besën shqiptare” dhe, kohët e fundit, edhe veprimet dashamirëse të shtetit shqiptar, pa dashur të zvogëloj guximin dhe mikpritjen e atyre shqiptarëve të thjeshtë që i strehuan dhe i mbrojtën që, padyshim, kanë një meritë të madhe, si dhe veprimet e shtetit shqiptar që duhen patjetër lëvduar e përshëndetur, mund të kenë qenë edhe këto:

Së pari, për çudi, ndryshe nga ç’bënë në vende të tjera, e vërteta është se në Shqipëri gjermanët nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe regjistrimit, grumbullimit dhe deportimit të hebrenjve për në kampe të shfarosjes, madje ka qëlluar edhe që kanë kapur hebrenj dhe i kanë liruar. Shqipëria kishte numrin më të vogël të hebrenjve kundrejt vendeve të tjera dhe kjo mund të ketë qenë një arsye e fortë e mos kushtimit të vëmendjes së veçantë problemit hebre. Sipas statistikave gjermane të vitit 1941, në Shqipëri banonin rreth 200 hebrenj, por gjatë luftës kaluan e ndenjën në vendin tonë hebrenj nga vende të tjera që e ngritën shumë numrin e tyre. Statistika të sakta për numrin e tyre dhe për kohën e qëndrimit në Shqipëri nuk ka.

Në Shqipëri, gjermanët, nuk bënë ndonjë përpjekje, siç bënë në vende të tjera, as për të regjistruar, grumbulluar e deportuar homoseksualët, dëshmitarët e Jehovait, e  romët shqiptarë, natyrisht, jo se kishin ndonjë respekt për ta, por se ishin pakica fare pa rëndësi.

Duhet kujtuar këtu, se në Hungari, ku kishte një numër të madh hebrenjsh dhe shteti refuzoi t’i grumbullonte dhe t’i deportonte, në fund të luftës, kur dështimi nazist ishte krejt i qartë, nazistët dërguan aty Ajhmanin për t’u marrë me deportimin e tyre, ndërsa kryetarin e shtetit hungarez, “kolaboracionistin”, “bashkëpunëtorin”, Horti, që nuk bashkëpunoi për këtë çështje, e arrestuan dhe e çuan në Gjermani.

Së dyti, nga të gjitha vendet e pushtuara nga gjermanët, Shqipërisë i ishte lejuar  udhëheqja shtetërore vendase më e pavarur prej tyre. Ishte vetëm prania ushtarake gjermane në Shqipëri që e bënte vendin të konsiderohej i pushtuar. Regjenca e krijuar në kohën e pushtimit gjerman si dhe qeveria e saj nuk ishte antisemite dhe nuk ndërmorën asnjë veprim në dëm të hebrenjve. Gjermanët bënë një kërkesë formale për regjistrimin e hebrenjve, por shteti shqiptar jo vetëm nuk i regjistroi dhe nuk dorëzoi lista të hebrenjve, jo vetëm nuk i grumbulloi ata në një vend të caktuar, por i lajmëroi ata pak hebrenj që ndodheshin në Shqipëri me forma të ndryshme që të largoheshin nga qytetet dhe të gjenin strehë nëpër fshatra. Udhëheqja shqiptare e kohës konsideroi kërkesën naziste si një ndërhyrje në të drejtën e saj për të qeverisur vendin si e pavarur por, duhet pranuar se edhe udhëheqja shqiptare nuk pati ndonjë shtrëngim të madh, siç patën udhëheqjet në shtetet e tjera për të dorëzuar hebrenjtë. Në Shqipëri nuk dolën kurrë ligje antihebreje as nga drejtuesit e saj dhe as nga gjermanët, siç dolën në vende të tjera dhe as nuk iu kërkua hebrenjve të qepnin në rroba Yllin e Davidit. Kështu, duke mos pasur një shtet që t’i kërcënonte dhe një pushtim gjerman që, ndryshe nga si veproi në vendet e tjera, nuk bëri ndonjë përpjekje të organizuar për të mbledhur dhe deportuar hebrenjtë, shqiptarët nuk patën as frikë e as ndonjë shtrëngesë të madhe për të mos i mbajtur hebrenjtë. Nuk ka asnjë raport të ndonjë kërkimi shtëpi më shtëpi në Shqipëri për gjetjen e hebrenjve, siç pati në vende të tjera dhe as ndonjë raport të dënimit të ndonjërit për fshehje të hebrenjve. Në Shqipëri nuk pati as ndonjë proklamatë që të njoftonte shqiptarët që, nëse do të gjendeshin në shtëpitë e tyre hebrenj të fshehur, të zotët e shtëpisë do të pushkatoheshin. Në vende të tjera, sidomos në Poloni, por edhe në Greqi, këto proklamata ishin të zakonshme.

Së treti, para lufte qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimit në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, thirrje të cilën e përsëriti edhe gjatë luftës kur ndodhej në Angli, kryesisht me qëllim që të fitonte përkrahjen e komunitetit të fuqishëm ndërkombëtar hebre. Gjatë pushtimit italian, duke filluar nga viti 1939, as vetë Italia e as qeveria shqiptare e asaj kohe, as nuk përhapën kulturën antisemite dhe as nuk vunë në zbatim ligje antisemite. Italia e Musolinit nuk vuri në zbatim ligje antisemite as në Itali e as në vende të tjera të pushtuara prej saj. Kështu, Shqipëria nuk kishte njohur antisemitizëm.

Së katërti, populli shqiptar nuk ishte fetar në kuptimin e vërtetë të fjalës, ashtu siç nuk është edhe sot. Edhe ata pak që e mbanin veten për fetarë, dinin vetëm disa rite të fesë së tyre dhe nuk dinte as historinë e as filozofinë e feve të ndryshme. Duke mos qenë fetarë, shqiptarët nuk kishin edhe ndonjë ndjenjë, shtysë apo urrejtje me bazë fetare kundër hebrenjve, ashtu siç pati në popullsitë e vendeve të tjera, ku shtysa fetare ishte shumë e fortë. Mungesa e besimit fetar të shqiptarëve iu shërbeu hebrenjve për t’u mbrojtur dhe u shërbeu edhe vetë shqiptarëve për t’u krenuar sot.

Së pesti, shqiptarët, kur nuk kanë ndonjë arsye të fortë për t’i urryer, kanë për të huajt admirim dhe e shtrinë mikpritjen e tyre hera herës më tepër edhe nga ç’është e nevojshme. Për shqiptarët, hebrenjtë ishin “jabanxhinj” që duheshin ndihmuar.

Së gjashti, hebrenjtë në Shqipëri nuk kishin asnjë ndikim e as ndonjë rëndësi në planin politik a fetar ndërkombëtar. Në Shqipëri hebrenjtë nuk kishin komunitete të bashkuara dhe të organizuara fetarisht, siç kishin në shtete të tjera. Ata nuk kishin ndonjë person apo grup udhëheqës, nuk kishin lidhje organizative me hebrenj të vendeve të tjera, nuk kishin sinagoga, nuk kishin shkolla fetare apo qendra kulturore hebraike, nuk kishin varreza të veçanta.

Së shtati, në Shqipëri nuk kishte ndjenja naziste. Në Shqipëri nuk kishte individë nazistë. Këtu kishte individë progjermanë, por jo nazistë. Në Shqipëri nuk u krijuan parti apo organizata naziste apo pronaziste, siç u krijuan në shumë vende të Europës si, për shembull, në Rumani, në Hungari, në Slovaki e në vende të tjera, madje edhe në Angli u krijua parti naziste, Kështu, UngariHungari  për pasojë, nuk pati asnjë grup të organizuar shqiptar që të ngacmonte hebrenjtë, apo të ndihmonte a të nxiste gjermanët në kapjen e tyre.

Së teti, numri i paktë i hebrenjve në Shqipëri dhe gjendja e tyre ekonomike, nuk i la shteg konkurrencës së tyre më vendasit, ashtu siç ndodhi në vende të tjera, ku shpesh vendasit e panë në mënyrë pozitive asgjësimin e hebrenjve prej gjermanëve, sepse u lehtësohej konkurrenca. Po ashtu, numri i vogël i hebrenjve në Shqipëri dhe pasuria e tyre jo e madhe, nuk i bënë shqiptarët lakmues të pasurisë së tyre, siç ndodhi në vende të tjera ku, pikërisht për të përvetësuar pasurinë e tyre, sidomos atë të patundshmen, i dorëzuan vetë hebrenjtë te gjermanët.

Së nënti, gjermanët arritën në Shqipëri 3-4 vjet pasi kishin pushtuar pjesën më të madhe të Europës dhe kishin bërë kërdinë me hebrenjtë e këtyre vendeve. Deri në këtë kohë, ata kishin likuiduar pjesën më të madhe të tyre, ndërsa në Shqipëri, nuk patën filluar ende. Shqipëria e pati ushtrinë gjermane për pak më shumë se një vit. Edhe koha e paktë në dispozicion dhe problemet e tjera shumë më të mëdha që po përjetonte Gjermania në këtë periudhë, mund të kenë ndikuar në vëmendjen e paktë që ajo i kushtoi hebrenjve në Shqipëri.

Duhet shtuar këtu edhe se, jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj, gjatë kohës së komunizmit, kur Shqipëria ndër tre armiqtë kryesorë, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Vatikanit, kishte Izraelin, ajo nuk persekutoi kurrë hebrenj mbi baza etnike apo fetare. Gjithashtu duhet shtuar se, ndërsa në vendet e tjera të parët hebrenj që iu dorëzuan gjermanëve për t’i vrarë ishin hebrenjtë jo vendas, për shembull, qeveritë franceze dhe bullgare, rezistuan në dorëzimin e hebrenjve vendas, por bashkëpunuan me nazistët për arrestimin e hebrenjve të huaj që kishin vajtur në ato vende, në Shqipëri u mbrojtën pikërisht edhe këta dhe këta përbënin dhe numrin më të madh të hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri në atë kohë.

Sido që të kenë qenë arsyet, mos kapja e hebrenjve nga nazistët në Shqipëri, marrja e tyre në mbrojtje nga shqiptarët pa u kërkuar asnjë shpërblim, Shqipërisë i jep nder dhe e vendos atë shumë përpara vendeve që konsiderohen të qytetëruara. Megjithatë, qëndrimi zyrtar shqiptar i sotëm për këtë çështje është shumë i vagët. Asnjë memorial nuk është ngritur në asnjë vend të Shqipërisë për shqiptarët që i shpëtuan dhe për hebrenjtë që shpëtuan.

Harney Sarner në librin e tij “Shpëtimi në Shqipëri”, botuar në vitin 1997, ndërmjet të tjerash, shkruan se gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbreti Zog në mërgim në Britaninë e Madhe, i propozoi udhëheqjes hebraike në Britani një plan për sistemimin e 50000 familjeve hebreje në vendin e tij pas lufte. Ai e paraqiti Shqipërinë si një vend të pasur me njerëz të varfër dhe të varfër me njerëz të pasur. Ai tha se në Shqipërinë një milionëshe, mund të jetonin lehtë pesë milionë njerëz. Ai premtoi që çdo njërës prej 50000 familjeve hebraike që do të shkonin në Shqipëri, do u jepej nga një fermë e vogël nga tokat e shtetit. 

Irene Grunbaum, hebreje, në librin e saj autobiografik “Shpëtimi përmes Ballkanit”, pasi përshkruan përvojën e vet gjatë peripecive të shpëtimit nga nazistët, thotë për Shqipërinë:

“Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin. Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. Autoritetet tuaja i mbyllën të dy sytë, kur qe e nevojshme, për t’i dhënë popullit të varfër e të persekutuar edhe një shans për të mbijetuar më mizoren e të gjitha luftërave.

Shqipëri! Ne i mbijetuam tmerrit, në saje të humanizmit tënd. Ne ju faleminderit”.             Nju Jork, janar 2020             

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva- hebrenjte ne Shqiperi-Holokausti

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT