• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

Marko Kepi kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut midis zgjedhësve në Staten Island

January 29, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/*Përfaqësues nga shoqatat shqiptaro amerikane u mblodhën në qendrën “Eagle” në Staten Island për të mbështetur fushatën elektorale të kandidatit për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut z.Marko Kepi.Z.Marko Kepi është President i organizatës “Rrënjët Shqiptare” një lider në Diasporë dhe një marins amerikan, i cili i ka zgjedhësit e tij në Staten Island dhe në zonën Bay Ridge, Brooklyn. 

Në këtë tubim mori pjesë kongresisti amerikan z.Michael Grimm, kryetari i fushatës së Marko Kepit i cili përshëndeti të pranishmit dhe i ftoi të gjithë pjesëmarrësit që të mbështesin kandidaturën e Marko Kepit një djalë plot perspektivë dhe me vizion për të ardhmen në Amerikë.  Kongresisti Grimm tha se ka mjaft prej shqiptarëve zgjedhës që nuk janë regjistruar dhe si të tillë e vështirësojnë fitoren e Marko Kepit.  Kandidati për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut z.Marko Kepi me plot kulturë dhe mirësi midis të tjerash tha se në Staten Island dhe në Brooklyn janë 30. 000 zgjedhës, por shumë prej tyre nuk janë të regjistruar.  Dita e votimit është përcaktuar të jetë në datën 23 qershor.  Prandaj duhet të vinë të regjistrohen dhe të plotësojnë një formular që është nga shteti i Nju Jorkut dhe këto do të jenë konform me ligjin e zgjedhjeve.  

Ekipi i fushatës për zgjedhjen e Marko Kepit po punon me të gjitha mundësitë për të regjistruar zgjedhësit dhe për ta çuar më tej punën gjer në fitore të tij.

Udhëheqëit e shoqatave dhe aktivistë të dalluar të Komunitetit shqiptar si Dash Miftari, Uk Gjonbalaj, Sali Bollati, Ylber Pilku, Igli Xhaja, etj folën para kamerave të TV “Alba Life” për të mbështetur birin shqiptar Marko Kepin.   Pjesëmarrëit u shpërndanë duke marrë me vete detyrat e ndryshme për të ndihmuar Marko Kepin dhe për ta çuar këtë djalë shqiptar në Parlamentin e Nju Jorkut.Së shpejti do të sjellim kronikën e përgatitur për këtë tubim nga TV “Alba Life”, New York

28 Janar, 2020,Staten Island, New York

*Per me shame fotografi shine ne FB Dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Zylo-Kandidati Marko Kepi-Staten Island

KINE-Rritet numri i të vdekurve nga virusi

January 29, 2020 by dgreca

  • Statistika: Kanë vdekur 132 njerëz derisa 5.974 raste janë konfirmuar si të infektuar. Rreth 9,200 raste të dyshuara të sëmundjes së frymëmarrjes po monitorohen./

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë bëri të ditur se nga virusi i ri kanë vdekur 132 njerëz derisa 5.974 raste janë konfirmuar si të infektuar. Rreth 9,200 raste të dyshuara të sëmundjes së frymëmarrjes po monitorohen, tha autoriteti shëndetësor qeveritar, në një deklaratë më 29 janar.

Dhjetëra raste janë konfirmuar edhe jashtë territorit të Kinës, përfshirë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe gjetkë në Azi.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara tani tejkalon atë të SARS-it, një tjetër sëmundje e organeve të frymëmarrjes që vrau më shumë se 600 njerëz në të gjithë botën më 2002-2003.Simptomat e llojit të ri të koronavirusit përfshijnë ethe, kollë dhe pengesa në frymëmarrje. Autoritetet kanë mbyllur qasjen në 17 qytete në provincën Hubei, ku besohet të jetë origjina e virusit.

Të huajt kanë filluar të largohen nga krahina e goditur nga virusi ku janë bllokuar më shumë se 50 milionë njerëz.

Organizata Botërore e Shëndetit e ka njohur shpërthimin e virusit si një emergjencë kombëtare, por ende nuk e ka shpallur atë si një emergjencë ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kine-Virusi-132 te vdekur

POETJA QË ZBULON TË FSHEHTAT E SHPIRTIT

January 29, 2020 by dgreca

–Esse-analizë rreth librit poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes ERMIRA MITRE KOKOMANI/

Shkruar nga Raimonda Moisiu/
Filozofia e Plato-s se poezia qëndron më afër të vërtetës jetësore se historia dhe se poetët shkruajnë vargje të ndjeshme e të mënçura, të cilat ndoshta edhe vetë ata nuk i kuptojnë, nënkupton atë se poetët janë përherë në kërkim të enigmave të shpirtit njerëzor në udhëtimin e trishtë e të bukur të jetës. Vetë poezia, e cila është po aq e vjetër sa edhe gjuha që njerëzimi flet, është “kopështi” me aromën shpirtërore dhe njerëzore, me aromën e dashurisë që flet nëpërmjet vargut apo fragmentit, dhe kush e ndjen atë, ka ndjerë jetën dhe etjen për ta jetuar e prekur dhimbjen e bukur, -dashurinë njerëzore, ku secili prej nesh ndjehet poet. Por cila dhe si do të ishte bota pa poezinë? Ajo do të ishte një botë pa frymëmarrje, pa jetë, -mendoj unë! 
Poetët paraqesin botën shpirtërore dhe atë të përtejme në pafundësi të zbukuruar me vargje e fjalë poetike, për ta kuptuar e për ta përjetuar të vërtetën e raportit të shpirtit midis së kuptueshmes dhe mistereve, që nga e bukura, dhimbja, malli, dashuria, tragjedia, jeta e vdekja, në vend të lotëve për të përballuar dhimbjet e vogla, trishtimin dhe vuajtjet e mëdha, deri te harmonia dhe mërzia e gjendjes shpirtërore në të përditshmen njerëzore. Poezitë këndoheshin shpesh në lashtësi, dhe njerëzimi sot është i rrethuar nga këngë lirike që aspirojnë poezinë.
 “Graviteti i Shpirtit” titullohet vëllimi poetik i poetes, publiçistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani. Titulli i referohet një metafore të goditur poetike që lidhet thellësisht me gjëndjen shpirtërore dhe  ngazëllen efektshmërinë e krejt qënjes njerëzore, duke sjelle kontrastet midis jetës e artit. Vëllimi poetik i Mitres prezantohet në dymbëdhjetë cikle me tituj prekës dhe frymëzues, përmbledhje poetike lirike dhe alegorike, e hirshme dhe e maturuar, ku spikatin ndjeshëm; dashuria, malli, brenga, mërgimi, shpresa, dhëmbshuria, magjia e natyrës, dhimbja, dashuria prindërore, dëshpërimi, gëzimi, mbijetesa, jeta dhe vdekja, por që Mitre ka arritur të na japë mjeshtërisht simbolikën e lidhjes së fortë mes krijesave natyrore e njerëzore me lirinë e shpirtit, momentin poetik nga njëra anë, gjëndjen emocionale dhe natyrën njerëzore nga ana tjetër.
“Rrugëtojmë, /në shtigjet e maleve të thepisura me dëborë, /mbi supet kanë hedhur heshtjen gri, /mikpritja është bërë gur, /e oxhaku lëngon tymin që mungon, /e kujt i është dhimbsur më shumë jeta, /…” 
Poetja Mitre komunikon lirshëm dhe mjeshtërisht, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror ashtu siç e ndjen, duke përdorur metafora të goditura dhe të sofistikuara; shtigje, male të thepisura, dëborë, heshtje, mikpritje, gur, oxhak, tym, jeta, – dhe vetëm në disa vargje poetja na jep fuqinë e mesazhit të poezisë në përzgjedhjen e fjalëve që mbajnë të tendosur litarin shpirtëror. Njeriu i ndjeshëm përshtat mendimet me gjërat që e rrethojnë, ndërsa poeti bën të kundërtën, ai përshtat sendet që e rrethojnë më mendimet e tij.
Poetja Ermira Mitre Kokomani dëshiron të komunikojë e lirë, duke u shprehur me ton melankolik, ajo  “hidhet” drejtpërdrejt në veprim, duke na rrëfyer historinë mbas, e cila është teknikë mjaft e pranuar në ditët e sotme në poezi; “Rrugëtojmë, /skllevër të rinj të shekullit modern, /në epokën e skllavërisë me ngjyrë të bardhë, /ndoshta gaboj, /skllavëria moderne nuk ka ngjyrë, as shpirt, /riciklon perandorë e sulltanë, /që na kanë marrë për skllevër e ushtarë, /ata që na thërrasin me përcmim “shqiptarë”,/e në celuloid si piratë e vrastarë.”/
Strofa e mësipërme është klithmë e shpirtit të përçmuar, sa metaforike aq edhe objektive. Lexuesi e kupton fare mirë se çfarë kërkon të shprehë shpirti i poetes, megjithëse ende ka një mister për të. Në këtë strofë vargjet funksionojnë mirë së bashku duke krijuar melodinë e gravitetit të shpirtit dhe poetja e tërheq lexuesin më tej me fjalët inkurajuese dhe shpresëdhënëse: “aty ku klithma jote e parë, /derdhi lot gëzimi, /aty ku balta jetën ndjell e mbjell dashurinë e shpirtit. / 
Më pas Mitre krijon çifte vargjesh dhe standarde të metaforave të drejpërdrejta, të cilat poetja i përdor për të ilustruar intensitetin e kultit e të reflektimit: “Të mbetur apo të ikur, /skllevër të vetflijimit, /lidhur e zgjidhur, /nga zinxhirët e padronëve të rinj të integrimit.”
  Në poezitë e ciklit të titulluar “…Shpresojmë.” tre të tilla sikundër; “Të Sotmen Jetoj”, “Ëndrra”, dhe “Bjeshkët e Namuna”, tituj tejet intrigues, vihet re përdorimi i fjalëve “veshur” me dëshirat jetësore në një kuptim të dyfishtë; “i përballjes së dickaje” me ndjenjë, mall, brengë, dhe melodinë e trishtimit; “Jam mbret i ndjenjës, i mëndjes, /i fjalës që them, i farës që mbjell, i foshnjës që sjell, / i ujit që pi, i perlës që nga guaska e detit nxjerr, /i frutit i mjaltit, i gurit, i drurit,/jam mbret i zjarrit që në vatër ndez,/ të sotmen shijoj,/e nesërmja enigmën në prehër të më sjellë.” 
Poetja tregon mjeshtërisht aftësinë dhe kujdesin e saj për metaforën. Ajo krijon imazhe ilustruese që janë sa origjinale, aq edhe të kuptueshme. Mitre, si poete e di fare mirë që poezia të dalë e maturuar dhe e arrirë, metafora duhet të përdoret enkas për ta argumentuar kuptimin, jo vetëm si një formë perceptimi. Edhe një herë, Mitre përdor aliteracionin si një krahasim të rrallë, me sens të mrekullueshëm dhe të maturuar. Mënyra se si vargu “Të sotmen jetoj”, është ide brilante, pasi imazhi që ajo krijon më pas është tejet këmbëngulës dhe unik. Së bashku me metaforën shoqëruese; “si gurë tespije në dorë të tij rrotullohem”, poetja mjeshtërisht ngulit imazhin dhe mesazhin në mendjen dhe përfytyrimin e lexuesit.
Vargjet në vijim i referohen fillimit të poezisë “Ëndrra”,  -“E ruaj ëndrrën si hirin e mbetur, /prej mishit, prej kockës të djegur, të tretur,/” -poetja shprehet se ëndrra është pjesë esenciale e jetës së njeriut, është mendimi dhe veprimi, është pasioni dhe forca, është qëllimi, besimi dhe vendosmëria, materia dhe forma, është pikërisht shpirti që nuk zhbëhet, edhe atëherë kur mendon se jeta të është thërmuar, djegur e tretur në hi.
 “Jam ëndrra më thotë, jemi bashkë të dy, /ti më ndjek mua dhe unë të ndjek ty, /ngado që të vijmë, ngado që të shkojmë, /unë edhe ëndrra përjetësisht udhëtojmë.” 
Përmes strofës së fundit poetja Mitre e personifikon ëndrrën, dhe na përforcon bindjen se njeriu e jeton vërtet jetën e tij vetëm duke vënë në veprim intelektin e imagjinatën, për të depërtuar në misteret e universit, apo për të zbuluar ngjashmëritë e papritura të tij, e më pas duke i realizuar ato vizione që burojnë prej zbulimeve, përmes vullnetit dhe veprimeve të qëllimshme. Një njeri pa ëndrra do të ishte si një zog me krahë të thyer që nuk mundet të fluturojë hapësirave që i ofron imagjinata. Ndaj dhe poetja na kujton me optimizëm se ëndrra është një bashkëudhëtare e përjetshme e njeriut, është promotorri që e bën atë të jetë një qënie e mundshme për të vepruar e ndryshuar vazhdimisht, veten dhe ambientin që e rrethon. 
Te poezia me titull “Bjeshkët e Namuna”, trajtimi i kohës dhe hapësirës shihet në perceptimin e gjeografikes ku vetë fjalët- bjeshkët, të namuna, gurë diamanti, fanar deti, Luli i Vocërr, fluturim, etj, shprehin kuptimin metaforik, filozofik e shpirtëror dhe klima që krijon poetja për ta bërë imagjinatën poetike të kuptueshme dhe ndjesore. Poetja Mitre vargëzon mes ndjenjës dhe ndjen përmes mendimit të saj, kombinon intensitetin lirik me atë dramatik, lirizëm pikëllues dhe melankolik të qartë e të qetë në varg, origjinalitetin që i buron së brendëshmi nga ndjenjat e emocionet që vetë poetja mbart; “të mblidhnim ëndrrat e braktisura, /si luledelet në Bjeshkët e Namuna, /të mblidhnim ato shikime të pafajshme/të shpirtrave të etur, /që klithnin papushim trishtimin, / “. 
Dhe kur brenda gjen element thellësisht filozofike dhe psikike në ide, atëhere fabula poetike merr rolin e saj aktiv, meditues dhe vajtuese i dyzuar; të vetvetes e të të tjerëve, nga e përgjithshmja që i përket secili prej nesh, përjetime si pjesë e jetës. 
“Në gropëzat e syve, mbanin dy gurë diamanti, /dy pupilat, fanarë deti në mbrëmje, /shikimet ëndrra të pashkruara/në pentagramet e Bjeshkëve të Namuna, / rrinin të varura në dritë shprese, –  poetja shprehet qartshëm nga ekzistenca në mos ekzistencë, nga e dukëshmja në të padukshmen, që vetëm poeti mund ta kuptojë e shikojë në zemrën e gjërave dhe forcon interesin për natyrën njerëzore me brengat, krenarinë dhe parandjeshmërinë rreth së ardhmes së largët, barazi kjo që stimulon të tashmen e paqëndrueshme; “Ëndërrojmë shpresën që një ditë,/kur të zgjohemi mëngjeseve me dritë,/të shikojmë ish-Lulërit e Vocërr,/të na përshëndesin nga parashuta në fluturim,”.
 Poetja lufton me të shkuarën e tyre apo atë historike, dhe e vë atë në funksion të pohojë kujtimet e të shkuarës; mallin, dhimbjen, dashurinë, luftën për ekzistencë, nostalgjinë, identifikimin e realitetit dhe gjithcka që ekziston në marrëdhenien humane dhe intensifikon aspiratën e saj drejt të mirës e së bukur në gjithcka që na rrethon.
Mitre me pjekuri të mendimit filozofik dhe artistik, na jep konceptimin harmonizues të identitetit dhe emocioneve poetike, depërton në vetidentifikimin original dhe delikatesën femërore; “trumcaku veshur me krenarinë e tij, /është e vetmja frymë që më bën shoqëri.”,– poetja na tregon lidhjen e saj midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, vetëdijes, dhimbjes e dashurisë njerëzore; “Botë e ngatërruar, /edhe një trumcak më ka sfiduar,/ në gjoks mbaj ende mbështjellë, /një ndjenjë të pështjelluar.”,- për nga forca dhe struktura e vargut me rimë e muzikalitet, poetja na zbulon imtësira psiko-analitike, lidhjen e fortë të natyrës poetike me veten dhe rolit metaforik midis tyre. 
Edhe në ciklet e tjera Mitre pohon që në fillim lidhjen e saj me njeriun (lexuesin) dhe hisen e njëtrajtëshme me objektet që e rrethojnë, -“Vrazhdësi e mjerë por që drithëron shpirt, /në cilën ulkonjë zure rrënjë e u ngjize? /në cilën tribu vure shtat e u rrite? /cila ninullë ulërimë të fali, /piskamë për shpirtrat që dënon së gjalli?”
Poetja Mitre prodhon kompleksitetin pafund të dëshirës, përvojave jetësore, rrugën e vuajtjeve, të dhimbjes dhe dashurisë, ajo eksploron në paditurinë e të njohurës e së panjohurës, me pavarësinë e botës shpirtërore të brendëshme e të jashtme; “Hapi sirtarin e zemrës, /gjeti diamantin blu të dhimbjes, /sirtari i zemrës nusëronte, /diamantë dhimbjeje qëndisur, /dashuria tymnajë zhgënjyese, /djegur e përzhitur,/-klithmë shpirti ndaj dhunës verbale dhe fizike, jetës dhe mbijetesës; “klithma e ulërima iu përplasën në fytyrë,/në agoni iu tredh shpirti i saj i dlirë,/plot dhimbje.” 
Poetja përmes një gjuhe të guximshme dhe plot muzikalitet shpreh
kompleksitetin e një vargu përvojash, idesh dhe ndjenjash emocionale të shfaqura si kurrë më parë në poezi; “Kush je ti? /Ah po,/ti je përbindëshi me fytyrë të egër njeriu,/që ajo gabimisht fole të ngriti në gji.”
Vizioni thelbësor i poetes vë në sprovë epërsinë e realitetit shpirtëror e fizik me anë të figurave letrare të ndërthurura me kuriozitetin e mendimit artistik dhe filozofik.  
“Pesë kontinentet kanë veshur, /fustanin hartë të grisur, /rreckosur, baltosur, irnosur, /bota zgjohet në histeri, /fytyrë shprishur, /flokë shpupurisur.”
Packa se nuk e njohin njëri tjetrin, poetja identifikon bashkëjetesën e shpirtrave të ekzistencës njerëzore brenda heshtjes dhe errësirës të hartës së grisur dhe të copëtuar, ndërkohë që bota zgjohet në histerinë e mëkatarëve, fajtorëve dhe bashkëfajtorëve të majmur nga injoranca, absurdi dhe babëzia në turravrapin e shprishur e të shpupurisur të kohës. Mitre ka shndrruar fabulën poetike në strukturë medituese dhe vajtuese, marrëdhënien humane të bashkëvuajtësve ngarkuar me barrën e dhimbjes, revoltës dhe klithmës për qetësi e paqe.Identifikimi me këtë realitetit dhe me gjithcka që ekziston shfaqet fuqishëm në vargjet: “Historia njerëzore, /një cirk me të njëjtat skena, /por me xhonglerë të rinj,/
Poetja nënkupton ndryshimet rrënjësore dhe aspekte të vecanta që po ndodhin në botën e sotme; krisma, luftë, urrejtje, zemërim, përplasjet e gardheve të hartës së grisur, teksa vetë ajo dhe bota përreth jetonjë të përditshmen njerëzore, midis së kuptueshmes, sfidave dhe mistereve të jetës. Ndërkohë poetja mjeshtërisht na i paraqet me ndërrthurjen e vargut tradicional me atë bashkëkohor, teksa na bën të kuptojmë akoma më mirë botën psikologjike dhe veçmas lotët e fëmijëve; “miliona lot fëmijësh të pafajshëm, /nuk e shuajnë dot, /zjarrin e lakmisë për supërfuqi.”,  – Mitre përsëri identifikon ndikimin e kotësisë sociale teksa aspiron paqen, dashurinë respektin, harmoninë dhe shpirtin fëminor nëpër damarët e poezisë, ajo na flet me gjuhën e ndjenjës, indinjatës, dhëmbshurisë dhe tejet këmbëngulëse: “Merrma kockën bëma gur në vend të tij të rëndojë,/gur e kockë ta ngrejë kështjellën, mëncuri të pagëzojë;/Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba,/shtegun e tij mban shtegëtari, po të jetë e drejtë bota;/Merrmë dorën bëma hartë, që të mbajë pesë kontinente,/githërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj jete!”
Poetja gjendet midis kontrastit intrigues të guximit për të jetuar dhe guximit për të mbijetuar, interpretuese e dhimbjes e dashurisë njerëzore, fatit të botës dhe të njerëzve që e rrethojnë, duke protestuar ndaj pafuqisë së grafikës së kohës dhe shenjtërisë së shpirtit të murosur në muret social–politik të kohës.  Janë ndjenjat më elementare, të cilat poetja i unifikon në lidhje e ide të përbashkëta me instrumentin e mrekullueshëm të modestisë në kohë e hapësirë, jep shpresa për paqe dhe ditë më të mira; “Jashtë, jashtë tokës sime amë, /bijtë e tu bekuar me dashurinë e bardhë, /mbi barkën e Noes do t’i ngarkoj, /shpëtimi, fashë dashurie plagët t’i shërojë.”
Meditime poetike lirike e filozofike, me timbër original, estetik dhe emocional, ku dallohet qartë ndjenja e dashurisë, bukuria fizike dhe shpirtërore që përfshijnë dhjetra poezi të Mitres; “Dashuri Nëne”, “Engjëllorja ime”, “Foli me shpirtin”, “Beso në të Vërtetën Biri im”,  “Indiferenca”, “Humbja”, “Foshnja e Braktisur”, “Muza”, “Polifoni Pas Vdekjes”, “Dashuri e Parë”,etj, janë fabula me tema e subjekte të goditura, kujdesin psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, si nga ana figurative, gjuhësore, dhe letrare. Poetja ndërton alternativën me stilin e saj të guximshëm dhe imagjinativ, duke ruajtur diskursin mes vargjeve, fabulës dhe ideve: “që me ëndrra të bukura çdo mëngjes na zgjon, /dora jote mbi flokët, /përkëdhelja e nënës që shpirti na e kërkon, /Dashuria jote/veladoni i artë që na mbështjell e na mbron.”–  Mitre potretizon psikiken dhe rolin që luajnë idetë e meditimit poetik me mjeshtëri artistike e filozofike, gjithmonë në kërkim të gravitetit të një shpirti të lirë, duke vrarë drojën dhe të keqen në emër të dashurisë njerëzore. Perceptimi i afiniteteve realë e të paanshëm mes vargjeve; “Të kujtoj ty ëngjëllorja ime, /lotët me puthje të ëmbla m’i fshije, /plagët në gjunjë me dashuri m’i lidhje, /buzëqeshja jotë kokëfortësinë ma zbuste, /zemrën e njomë me ngrohtësi ma mbushte.”-e mundëson kështu poeten në mënyrën më ideale dhe njerëzore jo vetëm të pohojë trajtat dhe dukuritë madhështore të epërsisë së shpirtit, por  ajo hyn brenda në  shpirtin njerëzor dhe zbulon bukurinë dhe të  fshehtat e tij.  
Kjo përmbledhje e vecantë artistike e titulluar “Graviteti i Shpirtit”, zotëron origjinën e frymëzimit poetik të Mitres, si një mediatore mes dy botëve; botës së brendëshme hyjnore dhe botës njerëzore, një poete që bën kompromis pafundësisht me larminë dhe në varësi të përjetimeve jetësore dhe shpirtit njerëzor dhe i shëndrron ato në forcën e vargut të artit poetik; “Adelia, shpresoj që të nesërmen të zgjohesh, /një grua nënë plot forcë e mëncuri, /krijuesit të madh përulësisht t’i drejtohesh, /me shpirtin e ngjizur me besim e dashuri.”  
Poetja Mitre mbart fort atë -dashurinë- si shpëtimtaren e botës njerëzore. 
Mitre modulon marrëdhënien mes gëzimit dhe hidhërimit në të përditshmen njerëzore, duke kontrastuar mes jetës dhe humbjes së njerëzve të saj të shtrenjtë: “Prej vitesh mbi plagë lotin kam vënë, /e me vargun lotin e fshij, / përjetë do ta këndoj e shkruaj këtë këngë, /për ty o Ëngjëlli im”– nëpërmjet lotit e ngarkesës emocionale të patjetërsueshme, me të gjitha dimensionet shpirtërore dhe dualitetit të polaritetit të dhimbjes e humbjes, jetës e vdekjes.
“Natën me hënë në dritare qëndroj, / lart sytë i hedh me kërshëri, /në pafundësinë yjore ty të kërkoj, /të të përkëdhel, të të marr në gji.”, -Poetja përdor forcën e vargut  si instrument për të përballuar dhimbjen dhe forcën e dhëmbshurisë e dashurisë njerëzore, emocionin e brishtë e trishtues, ku ndjeshmëria analoge i jep kuptim kurajos e dashurisë eternale për birin e saj.
Vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes, publiçistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani, reflekton qartshëm se poezia e saj është një poezi që shikon imtësisht në zemrën e përvojave jetësore me ngrohtësinë, butësinë, brishtësinë e delikatesën femërore, mirëkuptimin, mirësinë, dashurinë, dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Poezia e Mitre-s konsolidon mendimin në dobi të natyrës njerëzore, lartëson shpirtin e lirë, intensifikon aspiratën dhe frymëzimin, në kërkim të së mirës dhe të bukurës në gjithçka që na rrethon, dhe ka tendencën që të shohim më qartë elementët më thelbësore e të domosdoshme të jetës mes humanes e dashurisë njerëzore.
Nga Raimonda MOISIU
Janar 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Raimonda Moisiu-Graviteti-Ermira Mitre Kokomani

Kryeparlamentari Konjufca flet ne Samitin e Brukselit

January 29, 2020 by dgreca

–
Kosovo Assembly Speaker, Glauk Konjufca, addressed the Western Balkans Speakers` Summit in Brussels, hosted by the European Parliament President David Sassoli /

Kryeparlamentari Konjufca iu drejtohet pjesëmarrësve në Samitin për Ballkanin Perëndimor, në Bruksel /

Parlamenti Evropian ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, po merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel. 

Gjatë këtij Samiti, të organizuar dhe kryesuar nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, përpos kryeparlamentarit Konjufca, po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefat e grupeve politike të Parlamentit Evropian, si dhe reporterët e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në punimet e këtij Samiti, ndër çështjet kryesore që po diskutohen janë: bashkëpunimi parlamentar dhe e ardhmja e Evropës, me theks të veçantë  procesi i zgjerimit të saj.

Duke iu drejtuar pjesëmarrëseve të këtij Samiti,  kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës,  Konjufca,  pasi falënderoi Presidentin Sassoli për iniciativën e mbajtjes së këtij Samiti, dhe përkushtimin e tij ndaj perspektives evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera theksoi: “ Ne në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë rëndësinë e Projektit Evropian. Qysh prej përfundimit te luftërave të viteve 90, procesi i Integrimeve Evropiane e ka drejtuar shoqërinë tonë drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Shoqëria jonë ka ndërtuar institucione të pavarura, media pluraliste dhe shoqëri civile aktive”.

Në vijim të fjalës së tij, kryeparlamentari Konjufca, para të pranishmëve nënvizoi suksesin e procesit të  zgjedhjeve në Kosovë, dhe u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit, Kosova  së shpejti do të ketë edhe Qeverinë e re.

Duke folur për vendin tonë dhe sfidat që e përcjellin atë në rrugëtimin  drejt integrimeve evropiane, kreu  Kuvendit Konjufca u shpreh: ”Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian. Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Konjufca, dhe nënvizoi po ashtu se, është shumë zhgënjyese për qytetarët e Kosovës ndjenja e të qenit të izoluar.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeparlamentari Konjufca, foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se e kuptojmë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja. Lidhur me këtë ai deklaroi se Qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ai po ashtu foli edhe për pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re. Kryeparlamentari Konjufca, vlerësoi  dhe tha para të pranishmëve se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, përkatësisht integrimin e shteteve të Ballaknit Perëndimor, kreu i Kuvendit të Kosovës, Konjufca, vlerësoi:” Ne inkurajojmë hapjen e negociatave sa më parë të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne besojmë se Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë qellim”.

Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari Konjufca tha: “Dëshiroj të falënderoj Parlamentin Evropian që ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor. Unë plotësisht e kuptoj që nuk jemi në një kohë të lehtë për Evropën për të besuar në fuqinë e Unionit të zgjeruar, por, besimi në gjërat e duhura në kohëra të vështira është ajo që e dallon një përfaqësues shteti të guximshëm nga politikani oportunist”, vlerësoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

***

Konjufca in Brussels – Kosovo will have a new government soon

Kosovo Assembly Speaker, Glauk Konjufca, addressed the Western Balkans Speakers` Summit in Brussels, hosted by the European Parliament President David Sassoli

Opening his remarks by thanking the organizers of the summit, Kosovo’s Speaker, Konjufca, underscored the importance of the European integration process for the region, stating “We, who come from the Western Balkans, know the importance of the European Project very well. Ever since the end of the wars in the late 1990s, the European integration process has guided us toward democracy and economic development. Our society has built independent institutions, pluralist media and active civil society.” He touched on the challenges facing the country in the European integration journey. 

“Despite the signing of the Stabilization and Association Agreement, no progress has been made towards the country’s member status. The dialogue for visa liberalization began 96 months ago, yet up to date we remain the only country with no visa-free regime,” Konjufca said. In reference to the dialogue with Serbia, Assembly Speaker noted that Kosovo fully understands the importance of having good neighborly relations with Serbia and that the new government will take important steps in this direction. In his address at the Brussels Summit, he stated that Kosovo will soon have a new government. 

Filed Under: Rajon Tagged With: Konjufca-Kryeparlamentari I Kosoves-Bruksel

SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË SOLIDARIZOHET ME AGRON TUFËN

January 29, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli /Kanë kaluar pothuaj dy muaj nga koha që Agron Tufa, shkrimtar, poet, publicist dhe ish-Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, kërkoi strehim politik në një vend të Evropës, për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij, si rrjedhim i veprimtarisë së tij për denoncimin e krimeve të komunizmit – kërcënime këto ndaj sigurisë dhe jetës së tij dhe ndaj familjes së tij, gjë që ai ka denoncuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.  Për rastin e Agron Tufës dhe familjes së tij, kam shkruar më heret, si një rast tragjik që tregon se Shqipëria e sotëme nuk dëshiron të ballafaqohet me të kaluarën e saj komuniste as të reflektojë për krimet e asaj periudhe.  E them këtë me –rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist në Auschwitz, një shembull nhga I cili mund të mësojmë po të duam –një rast ky që mbarë bota e kujtojë si një përvjetor reflektimi dhe betimi që ato krime të mos ndodhin kurrë më!  Deutsche Welle përmendi me këtë rast se si nipi i Rudolf Hess, komandanti të kampit të Auschwitz-it, Rainer Hess po përballet sot me të kaluarën e familjes së tij.  Rainer Hess rrëfen historinë e tmershme të familjes së tij dhe flet se si tani ai po angazhohet në edukimin e brezave të rinjë, me qëllim që ata të mësojnë nga  ajo e kaluar e tmershme dhe tragjike. 

Vërtetë është tragjik fakti që në Shqipërinë e 30-vjet pas shëmbjes së komunizmit në Evropë, një shkrimtar i njohur, njëkohësisht edhe një zyrtar shteti, i cili kryesonte një ent shtetëror, i krijuar në bazë të një ligji të Kuvendit të Shqipërisë me mandatin që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto me mandatain për të, “vërë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”.  

Për kryerjen e detyrës së tij me përgjegjësi morale, politike dhe akademike, ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa dhe familja e tij kërcënohen fizikisht, madje edhe nga persona në detyra përfaqsuese të shtetit shqiptar – në një përpjekje që mund të quhet zyrtare, për ta hequr qafe dhe për t’i mbyllur gojën Agron Tufës, por edhe për të frikësuar të tjerët, nëqoftse përpiqen të prekin atje ku nuk duhet.

Analistët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e kanë shikuar rastin e Agron Tufës si një vendim të qartë se Shqipëria, jo vetëm nuk e ka në mend të ballafaqohet me të kaluarën komuniste, por vendimi i vështirë i Agron Tufës për të kërkuar azil politik në Evropë, pasqyron gjithashtu edhe gjëndjen e vështirë në të cilën gjëndet liria e fjalës dhe liria e shtypit, por edhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, në Shqipëri.  Për këto dy fakte nuk është për tu çuditur, pasi në Shqipëri është treguar shumë pak entuziazëm për tu ballafaquar me të kaluarën dhe liria e shtypit ka qenë gjithmonë nën presion zyrtar, sidomos aktualisht gjëndet përball “paketës anti-shpifje”, ligjit të qeverisë Rama, i cili sipas analistëve të mbrendëshëm dhe të jashtëm, kufizon qartë lirinë e shtypit dhe fjalën e lirë dhe cenon rëndë të drejtat bazë të njeriut në Shqipëri. 

Por gjëja që habit vërejtësit, ishte dhe vazhdon të jetë heshtja e autoriteteve shqiptare si dhe mungesa e reagimeve nga ente të tjera shqiptare, përfshirë edhe penat e njohura të botës shqiptare — se një shkrimtar i njohur si Agron Tufa detyrohet të largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhej të shqetësonte të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë, por edhe ata që çmojnë jetën e njeriut si të shënjtë dhe që duan lirinë për veten dhe për të tjerët.  Për ndryshe, në çfarë vlerash morale dhe të drejtash demokratike besojmë ne si komb, nëqoftse nuk solidarizohemi me fatin e Agron Tufës!?

Unë nuk e kuptoj këtë mungesë reagimi ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut, përfshir një pjesë të madhe të medias shqiptare, megjithëse kërcënimet ndaj Agron Tufës, si rrjedhim i denoncimit të tij i krimeve të komunizmit, është në të vërtetë një kërcënim dhe sulm serioz ndaj ushtrimit të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit për të gjithë. 

Jo se kanë munguar krejtësisht fjalët në mbështetje të Agron Tufës, por e vërteta është se nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shprehur zemërimin e nevojshëm ndaj një mase të tillë ekstreme për një njeri të njohur të letrave. Largimin, detyrimisht, të Agron Tufës nga Shqipëria — si pasojë e kërcënimeve dhe frikësimeve nga njerëz në nivele të larta përgjegjësie—ma kujtojë një njoftim që më erdhi në postën elektronike nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, për një aktivitet që do të mbahet këtë fund jave, me 1 Shkurt, 2020 në Kolegjin Monroe në Nju Jork, në mbështetje të Agron Tufës.  Shoqata në fjalë e cilëson këtë veprimtari si një, “Akt mbështetjeje dhe solidariteti ndaj kolegut tonë, poetit dhe shkrimtarit të njohur, Z. Agron Tufa, i cili u detyrua të linte atdheun bashkë me familjen”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin për komunitetin shqiptar në Amerikë të lëshuar nga Kryesia e Shoqatës me Kryetar Mhill Velaj shprehet mbështetja e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë për Agron Tufën si dhe nevoja për të qenë afër Z. Tufa dhe familjes së tij në këtë kohë të vështirë për ta: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e shikon një akt të domosdoshëm për t’i qëndruar pranë, të paktën moralisht, cilitdo shkrimtar që përndiqet, përgjohet, kërcënohet dhe persekutohet për shkak të detyrës apo pikëpamjeve të tij politike”, thekësohet në njoftimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.  Në njoftim thuhet mëtej se, “Ky aktivitet solidariteti do të përqendrohet në diskutime, lexime tregimesh të shkurtra, si dhe recitime poezish të zgjedhura, të autorit A. Tufa.

Aktiviteti do të zhvillohet në adresën:

Monroe College 2501, Jerome Avenue,

Bronx, NY, 10458 
Kryesia e Shoqates se Shkrimtareve
Kryetari
Mhill VELA

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Mhill Velaj me ish Kryetarin e Shoqatës, Adnan Mehmeti

Duke vlerësuar aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, që organizohet në fund të kësaj jave në Nju Jork, shqiptarët vullnet mirë kudo gjithnjë bëjnë pyetjen — edhe dy muaj pasi Agron Tufa u detyrua të kërkonte azil politik në Evropë për arsye të detyrës:  Ku është dhe pse heshtë Shteti?  Pse heshtë opozita? Pse heshtë media dhe organizatat jo-qeveritare, sidomos ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës, për një shkrimtar të njohur si Agron Tufa?  Kësaj liste mund t’i shtojmë edhe ndërkombëtarët: Ku jeni ju përfaqsues të Perëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni ndaj një fenomeni të tillë?  Ku janë akademikët shqiptarë dhe shkrimtarët e mëdhej, mbrenda dhe jashtë? Nesër mund tu vijë radhe ju që të detyroheni të kërkoni azik politik, nëqoftse në ushtrim të fjalës së lirë ofendoni ndonjë pushtetar!  Një papërgjegjësi kjo e tmershme morale dhe kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!  Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet. Për më tepër, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror dhe familjes së tij.  Deri kur më kështu! 

Megjithkëtë, unë jam i bindur se Agron Tufa nuk do të dorëzohet para kërcënimeve as frikësimeve, përkundrazi ai do të vazhdojë të dëshmojë edhe më shumë dhe më lirisht për krimet e komunizmit dhe për ata shërbetorë të atij regjimi që ende mbajnë detyra të larta në pushtet, madje që bëjnë edhe ligjet në Shqipërinë “demokratike” dhe në Shqipërinë anëtare të NATO-s, që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian.  Por çka është edhe më e rëndësishme është pyetja nëse Agron Tufa dhe të tjerë si ai do të kenë mbështetjen tonë – sot dhe në të ardhmen — për guximin dhe vendosmërinë e tyre për të thënë të vërtetën për atë periudhë të errët të historisë kombëtare.  Urimet e mia Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për këtë nismë sa humane aq edhe kulturore e kombëtare!

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Shoqata e Shkrimtareve-Agron Tufa

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT