• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

Bashkimi i një diaspore përfshin vetëdije emocionale dhe përgjegjshmëri qytetare

February 6, 2020 by dgreca

NGA Dr. DRITAN DEMIRAJ/

Dinamika e brendshme e atdheut dhe e diasporës luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet midis të dyve. Bashkimi i një diaspore përfshin vetëdije emocionale dhe përgjegjshmëri qytetare. 

Diaspora shqiptare ka ruajtur lidhjet kulturore, patriotike dhe shpirtërore me trojet e tyre. Shtetit shqiptar i mungon njohja e duhur se kush janë shqiptaro-amerikanët, çfarë kanë kaluar dhe çfarë arritjesh dhe ndikimi kane ne ditet e sotme. 

Detyrimet dhe kontributet e komunitetit shqiptaro-amerikan për trojet etnike shqiptare kanë qenë të shumta. Diaspora shqiptaro-amerikane ka përdorur aftësitë, lidhjet dhe burimet e tyre për të mbështetur Shqiperinë, Kosovën, shqiptaret ne Maqedoni dhe Mal te Zi në te kaluaren dhe janë të gatshëm ta bëjnë këtë me çdo mundësi edhe në ditët e sotme.

Në të kaluarën janë arritur disa suksese por potenciali i kontributit te komunitetit shqiptaro-amerikan për në trojet shqiptare është ende i pashfrytëzuar. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka potencialin të jetë një urë lidhëse mes të dyve kombeve, një ambasador kulturor, politik dhe intelektual i Shqiperisë në SHBA. 

Edukimi kulturor, perëndimor, arsimor dhe shtetformues i diasporës është çelësi i rolit të saj si një urë kulturore midis dy kombeve. Sot kjo diaspore eshte e gatshme të ndihmojë trojet shqiptare për çdo gjë që i kërkohet me ekspertizë ne shume fusha per funksionimin siç duhet te shtetit ligjor e demokratik ashtu siç jeni dhe Ju te nderuar oficerë amerikano-shqiptare te zbatimit te ligjit dhe të sigurise ne kete shtet te modelit të parë te demokracise boterore. 

Sipas meje patriotizëm është vetëm kur njerëzit i vënë idetë e tyre në punë. Dashuria juaj për vendin tuaj është vetëm përkushtimi Juaj për të perfaqësuar sa më me dinjitet punën dhe prejardhjen Tuaj.

Problemet që lidhen me veprimet e shtetit shqiptar vazhdojnë të ushqejnë ankesën gjithëpërfshirëse të shqiptaro-amerikanëve që shteti shqiptar na kujton “vetëm kur i duhemi” për të promovuar qëllimet e saj. Kjo gje do te kercenonte organizimin dhe solidaritetin e organizmit te diaspores. Zëra, qëndrime dhe qasje të ndryshme hasen brenda çdo diaspore. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan mund të luajë një rol diplomatik më aktiv si aktor kryesor i shoqërisë civile, jo duke qene nje shtojce e qeverisjes së sotme te diskretituar ndërkombëtarisht, por si nje partneritet midis tyre. 

Në një vend të qeverisur ekstremisht keq, ku kryeministri drejton me trafikante droge, ku gjithe pasuria e vendit i jepet vetem 10 personave, ku denohen vetem varfanjaket dhe opozita, ku trafiku dhe kultivimi i droges rritet 1200 % brenda vitit, ku ne mes te Europes behen zgjedhje moniste, ku cdo dite vendi zbrazet nga rinia, ku policia ngarkon skafet me thaset e droges se trafikanteve, ku ministrat e brendhsem drejtojne trafikun e droges, etj roli dhe pergjegjesia e diaspores eshte shume e madhe. 

Por mund te pyesni te dashur bashkekombas a ka shprese? 

Sigurisht qe po. Çdo perfaqesues i larte i opozites se bashkuar qe ka vizituar SHBA-te ka dhene nje mesazh te qarte dhe shpresedhenes. Kete ftese ne vazhdimesi e ka bere dhe e ka deklaruar dhe ne disa takime z. Basha por dhe ne disa takime qe kam qene prezent e ka theksuar me seriozitet edhe znj Kryemadhi. Te dy keta drejtues te opozites e kane vene ne dukje potencialin e madh te diaspores, duke e ftuar ate me shume seriozitet te perfshihet ne politiken e ardhshme dhe te kontribojne ne reformat e ardhshme ne Shqiperi. 

Kur zemërimi rritet, mendo për pasojat. Do ta mbyllja kete status me nje thenie te Winston S. Churchill: 

“Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin është si një njeri brenda në kovë, që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza”. “I contend that for a nation to try to tax itself into prosperity is like a man standing in a bucket and trying to lift himself up by the handle.”. 

Vellezer te diaspores shqiptare amerikane! 

Sot me shume se kurre qe vendi eshte kthyer ne narkoshtet dhe po rreshqet drejt diktatures, kemi pergjegjesine qe te pergjegjesohemi, te punojme me shume per te bere me demokratik dhe me te sigurte shtetin e enderruar nga Rilindasit tane te medhenj dhe jo nga keta bandite pa dinitet, pa shtetesi dhe komb qe drejtojne sot. 

Rroftë Shqiperia etnike.

Rroftë Populli Shqiptar ne te gjithe trojet etnike.

Rroftë Diaspora Shqiptaro-Amerikane dhe kontributi i çdo shqiptari qe na kane bere krenar sot dhe mot. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Dritan demiraj-Bashkimi i Diaspores

KUR PRESIDENTI REGAN DHE ZONJA E PARE PRITEN NENE TEREZEN

February 6, 2020 by dgreca

-KUSH MENDOI PER SHQIPNINE?/

Nga Fritz RADOVANI/

PLOT 35 VJET…Presidenti Ronald REAGAN me 2 Qershor 1985, në Shtëpinë e Bardhë, i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”. 

Në vitin 1985 kujtoj një dishka shumë interesante për një President të ShBA, që kam pa në TV. U tregue sesi atë ditë Presidenti Reagan dhe zonja e Tij Nensy kishin pritë në shtëpinë e tyne të pushimit Nanë Terezen. Ishte momenti kur Nanë Tereza po delte nga rezidenca e Tij… Erdhi një veturë tek dera e shtëpisë, që kishte dy tri kambë shkalla. Presidenti i dha dorën Nanë Terezës dhe zbriti ato dy kambë shkallë, hapi derën e mbapme të veturës dhe me dorë në dorezën e derës priti derisa zonja Nensy, po perfundonte përshndetjen me Nanë Terezen. Kur Nanë Tereza u nda dhe arriti tek dera e veturës, dera vazhdonte me kenë prap e mbajtun nga Presidenti Reagan, trupi i madh i të cilit ishte përkulë në shenjë nderimi ndaj Shqiptarës Nanë Tereza.., dhe me një buzqeshje të Tij sa dashamirëse aq edhe të sinqertë, i bani nderimin e fundit tue i mbyllë derën dhe tue qendrue gatitu derisa makina iku dhe nuk u pa ma… 

Jam i sigurt se Presidenti Reagan në mbrendsinë e vet ndryente dishka misterioze

“Perandoria e së keqes” shkatrrohet simbas porosisë së Presidentit të ri: “Me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë. Fjala e Tij historike mbyllej: “Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

Popujt e dikurshëm të Europës plakë mendonin vetëm dy fjalë: “Bukë e Frikë”! 

Vetëm Presidenti Ronald Reagan asht Ai Burrë që arriti me njohë të fshehtat e diktaturës komuniste; ishte Ai që mendoi që në vitin 1956 kur ishte artist në Holivud, për Lirinë e këtyne vendeve që ishin nën atë diktaturë barbare e shfarosëse të njerzimit, tue formue “Shoqninë për Lirinë e vendeve të robnueme nga diktatura komuniste”. 

Historia e Presidentave amerikanë të mbas Luftës së Dytë ka dy ngjarje të ngjashme dhe shumë interesante, që përkojnë njena me tjetrën. Presidenti i madh Xhon Kenedi, porsa rrezikoi ekzistencen e komunizmit e filloi hapat për eleminimin e tij, me 22 Nandor 1963, vritet me atentat. Historia vazhdon rrugën e saj e nënshkrueme nga Rusvelti në 1945.

Presidenti Reagan, porsa merr postin e Presidentit amerikan me 20 Janar 1981, i 40 –ti i ShBA, plot 69 ditë mbrapa u gjuejt me gjashtë plumba dhe mori një plagë mjaft të randë. Ai shpëtoi për mbrekulli. Mbas pak ditësh ishte në Shtëpinë e Bardhë, në tavolinën e punës… Fëtyra e Tij e zverdhun buzëqeshi … Bota e marrakotun nga atentati gëzon!

Kjo ngjau pikërisht me dy Presidentët që rrezikonin kenjen e komunizmit në Botë. Ishin dy Presidentët amerikan që nuk u pajtuen asnjëherë me robnimin komunist të Jaltës…

                                    DY BURRA KOLOS…

Si sot kujtoj: Janë këta dy njerëz të mëdhaj per të cilët më kanë rrigue lotët pa e kuptue pse, kur unë kam ndigjue vdekjen e Tyne… Për Presidentin amerikan Ronald Reagan, si

dhe për Papen Gjon Pali II…

Teologët e mëdhaj të Botës shpesh përsërisin një thanje: “Krishti me 12 Apostuj, ka ndryshue një Epokë”.., dhe Ajo, sot quhet Epoka mbas Krishtit…

Mbas 20 shekujsh janë prap 12 shkronja “Ronald Reagan” që kanë shpetue në Botë mbarë njerzimin nga rrenimi i pandalshëm prej komunizmit barbar e shkatrrimtar! 

Edhe kjo quhet “Koha mbas ramjes së komunizmit…” 

Ishte viti 1911, kur Shqipnia zgjohej nga gjumi i randë i robnisë turke dhe me 6 Prill 1911, Dedë Gjo Luli ngrinte Flamurin e Gjergj Kastriotit në Deçiq…

Ishte viti 1911 atëherë kur në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, me datën 6 Shkurt, ka le një “meteor” në Tampico, Illionis, dhe askush nuk besoj se mujti me parashikue se çfarë do t’i sillte kjo foshnje mbarë njerzimit! Po shembej një perandori e madhe robnuese otomane, dhe pa i dalë ende shpirti ndër grahmat e fundit mbi germadhat e saj, mbarë Bota u çue me ndertue “selitë”e veta, me emnat e rij plot drita kandilash e vezullime shpatash, bajonetash, helmetash, spaletash e fronesh.., ku “lufta për pushtet personal” në një kohë rekord, arriti e zbuloi diktaturat ma të mnershme që ka mujtë me pa dhe me provue njerëzimi ndër 20 shekuj. 

Ishte një Botë që po çthurej, sa moralisht, aq edhe mendsisht. Kujtoni sot sa dritdhanëse ishin ata shtete ku u shfaqen ato diktatura dikur, aq u errësuen e i sollën Botës terror, frikë, pasiguri, vrasje dhe gropa vorrezash të përbashkëta në tri lufta që u zhvilluen prej tyne vetem mbrenda 70 vjetësh, nga viti 1914 e deri.., kur “Muri i Berlinit” .., një nga shemtimet ma të mëdha Europjane të kohës “moderne” ra me datën 9 Nandor 1989. 

Mbas Luftës së Parë dhe të Dytë Botnore, njerëzimi mburrej me “vorrezat” e miljona të vramëve që i sollën “Lirinë”, ndërsa pjesa ma e madhe e tij, bash mbi vorrezat e “dëshmorëve të Lirisë”, vendosi “diktaturën komuniste” të tipit stalinjan sovjetik. Mbas popullit rus në vitin 1917, që humbi përjetësisht madhështinë e tij, në fundin e vitit 1944 e deri në kapitulimin e Japonisë dhe mbas 1949, me triumfin e komunizmit në Kinë, pjesa ma e zhvillueme e dy kontinenteve të Europës dhe të Azisë, u rroposën në humnerën komuniste. Nën krismën e armëve të “fitores” mbi fashizmin dhe nazizmin, në Shkurt të 1945, atëherë kur Rusvelti dhe Stalini përqafoheshin tue i futë njenitjetrit ndër xhepa “copat e letrave” me emnat e shteteve që bane kurban në Jalta, “pa i pa” Çërçilli.., nuk zgjati shumë dhe filloi “Lufta e Ftohët”, e pafund, që ende sot nuk mbërrijë me kuptue këtë epitet, që i vuni Bota, gjoja e qytetnueme dhe e lirë! Ajo u nda në dy blloqe… 

Në mes të këtyne, ishte “perdja e hekurt”, me të vërtetë “e ftohtë”, që mbështetej mbi “piramidat” kufitare të shteteve që rreshtoheshin mbas saj në dy krahët. 

Sejcila anë terhiqte me tela me ferra me sigurue mos ramjen e tyne që ishte ngarkue me miljona kw. rrymë elektrike në piramidat e shemtueme të ndamjes së shteteve.  

I vetmi vend ku ndërpritej kjo “perde e hekurt” ishte “Muri i Berlinit”, një shëmtim komunist mbi të cilin valvitej “flamuri i marksizem – leninzmit stalinjan fitimtar”, që ishte simboli i “lirisë sovjetike”, me të cilin Nikita Hrushovi, renditi veten diktator “modern” mbas luftave okupuese me tanket e stampueme me drapen e çekan, që marrshuen mbi popujt heroikë të Budapestit e ma vonë të Pragës. Miljona e miljona njerëz zvarriteshin të uritun nën tanket e robnisë komuniste, që parakolonin në paradat e dhunës e të vdekjes para tribunave të diktatorëve.., në ato ditët e “festave të çlirimit”. Shqiptarët, mbasi vrasin e shfarosin njenitjetrin, shpallin edhe një luftë vëllavrasëse, me të cilen diktatori Enver Hoxha siguron përjetsisht atë kolltuk të flliqun, mbi ma shumëse 450.000viktima të vramë, të zhdukun dhe të masakruem, ndaj të cilëve shpallë edhe “luftën e kllasave” për shfarosjen edhe të mbasardhësve të tyne.., ndoshta krejt e veçantë dhe e pashpirt si në asnjë vend tjetër komunist të Europës Lindore. Mendja e njeriut vjen dita e ditës tue zvoglue vizionin e saj… Shpresat e Popullit sa vinin e shuheshin…

Presidenti Reagan ndër shfaqjet e para të Tija në TV, kujtoj një ide që pat shpjegue në lidhje me rritjen e aftësisë që ShBA, në të ardhmen, duhej të dominonin mbi BS në garën me “Luftën e yjeve”… Kuptohet që për mue ishte dishka krejt e panjohtun, por më çuditi mendimi gjenial i Tij, që në opinjonin botnor ky President vinte nga skenat e filmave kaubojës.., dhe, fliste për dishka që shumë kujt i dukej një aventurë e një “artisti” ma shumë sesa projekt i një Presidenti, madje, edhe i SHBA. 

Vetem kur i madhi Ronald Reagan ka thanë: “Regjimet që janë mbjellë me bajonetë dhe janë kultivue  vetëm me diktaturë, nuk lëshojnë rrajë!” Filloi ngjallja e shpesave tona!

Reagan shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme: “Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm: Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë: 

Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilat do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne”.

SA MILJON NJERËZ PYESIN SOT: 

Sa popuj fituen Lirinë…me 9 Nandor 1989…

Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”… 

Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije…në kërkim të Lirisë…

Sa kampe shfarosje u shpërthyen njëherë e përgjithmonë…

Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh e mjerimi…

Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue shfarosjen….

Sa hetuesë mbetën pa “punë” aty ku u vendos demokracia…

Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi …

Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së kllasave”…

Sa mija e mija njerëz filluen me marrë frymë lirisht…

Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga sigurimi…

Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin…

Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem…

Sa miljon njerëz bijnë me fjetë pa frikë se i troket dera natën…

Sa miljon njerëz filluen me kuptue fjalën “Liri”….

Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz… 

Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin…

Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë…

Sa miljon vetë sot adhurojnë emnin RONALD REAGAN…Miljona e miljona vetë ndër shekuj…do të kujtojnë me respekt “12 shkronjat Ronald Reagan” …

Shpëtimtarin e madh të njerëzimit nga “rilindja” e komunizmit barbar e gjakatar …

Melbourne, 4 Shkurt 2020.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz Radovani-Kush mendoi-per Shqipni

KOSOVA, QEVERIA E RE DHE PRITSHMËRITË

February 6, 2020 by dgreca

Nga Asllan BUSHATI/

Zgjedhjet e fundit në Kosovë (siç dihet tashmë), u provokuan nga Serbia me propagandën dhe votën kundra pranimit të saj (Kosovës)  në Interpol. Veprim ky, që pasoi ngritjen e taksës  për mallrat serbe  që hynin në Kosovë në qindpërqind.  Kësaj “dogane“ të re, Serbia ju kundërpërgjigj me akuzat në Hagë ndaj  ish Kryeministrit Ramush Haradinaj. Dorheqja e tij e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohëshme ku VV-ja dhe LDK-ja  u radhitën të parat. Tashmë nuk dihet, por mbetet të mësohet, në se Serbia u kënaq apo u hidhëru nga nisma që mori.

Parë nga këndshikimi i interesave të qytetarve të Kosovës, provokimi i zgjedhjeve të parakohëshme  qe i mirpritur. Kjo erdhi veç të tjerave edhe  nga që lidershipi AAK e PDK, pati një qeveri të stërmadhe e jo shumë efikase dhe duke reflektuar hapur mos përputhje qëndrimesh  midis  Kryeministrit e Presidentit  për probleme madhore si: kufinjt, minishengeni, raportet me Serbinë etj, zgjedhjet ishin zgjidhja më e mirë.

Ndryshimet që erdhën me votën e 6 tetorit 2019-të, u mirpritën, por gati sa nuk humbëm durimin  me bisedimet tre muajshe midis VV-së dhe LDK-së për gjetjen e një kompromisi për programin dhe drejtuesit e rinj. Sido që të jetë, pas një kohe kaq të gjatë, moduli u gjet, qeveria u kriju, program i saj u publiku dhe u miratu me 66 vota në Parlament.

Por, për të patur një tablo më të qartë për situatën, le ta shohim problemin nga disa aspekte të veçanta  dhe pastaj në mënyrë përgjithsuese. 

Kryeministri Albin Kurti, erdhi në krye të qeverisë  nga të qënit vetëm opozitar, por me  një përvojë jo të vogël në politikën kosovare dhe me asnjë “baltosje” nga flatrat e pushtetit ekzekutiv. “Kostumi  VV-së” ka qenë shumë i lirshëm për të, nëpërmjet të cilit ai ka bërë kritika pakufi, ka hedhur  ide për konsum politik e publik, ka replikuar ashpër me këdo e ndonjëherë edhe dhunshëm. Por “kostumi i tanishëm” kryeministror, i qepur me ndihmën e  LDK-në dhe me stilin e sotëm ndërkombëtar, e bën atë të jetë më i kujdesëshëm gjatë lëvizjeve se çdo sforcim mund ta çoje ne grisjen e “kostumit”. Pra, këtej e tutje  mendoj se do të shohim një Albin tjetër, më brenda  kornizave, me më pak idealizma dhe më praktik. Dëshirojmë e shpresojmë të jetë i suksesshëm dhe të  mos na zhgënjejë.

Personalisht  nuk i njoh Zv.kryeministrat dhe Ministrat e emruar, por me aq sa më lejon shtypi dhe miqt e mi të ngushta nga Kosova, më duket se Zoti Kurti, ka gjetur  një zgjedhje të pranueshme. Do të kisha patur shumë dëshirë që Ministria e Brendëshme dhe e Drejtësisë të ishin nga VV-ja, sepse vota publike u është dhënë atyre për luftën kundër korrupsionit dhe ndëshkimin e të mëdhenjëve. Po ashtu edhe arsimi mund të ishte drejtuar nga ndonjë autoritet akademik.

Lidhur me programin  politik të  paraqitur, ka shumë gjëra që duhet të merren pak me rezerva. Më konkretisht ai së pari do të ballafaqohet me Serbinë për taksën  njëqindpërqind ndaj saj. Dhe për këtë Kurti është  shprehur(citoj): “Pra ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore bilaterale e ky është reciprociteti. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe lëvizja Vetëvendosje edhe zonja Osmani edhe unë, pra mbi 60 për qind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë praktikisht me parimin e reciprocitetit”. Ky citim nw gjykimin tim është sa  evaziv dhe jo shumë i qartësuar.

Zoti Kurti thotë se do ti rishikojë të 37 marrveshjet e arritura me Serbinë dhe pastaj do tu qaset  bisedimeve. Por i dërguari i posacëm i Presidentit Trump Zoti Richard Grenell  insiston që konflikti i hapur me Serbinë të mbyllet sa më shpejt, ashtu sic u mbyll së fundi  ai Greqi-Maqedoni e Veriut. Ky insistim amerikan lidhet me faktin se ata duan një Gadishull Ilirik pa problem në mënyrë që të merrem me vijën e parë të frontit: Ukrahinë, Turqi, Siri, Irak , Gjiu Persik. Në këto kushte Zoti Kurti do të jetë bashkpunues e bashkveprues me amerikanët, apo do të jetë neglizhent ndaj kërkesave të tyre? Në se kjo e fundit ndodh, atëherë ai firmos  shpejt vetvrasjen politike. Pra është koha për: shkurt, qartë e shpejt.

Por në formulën shkurt, qartë e shpejt, LDK-ja nuk mendohet të jetë  patericë e Zotit Kurti. Ajo duke patur shumë eksperiencë në qeverisje, është  e kujdesëshme në lëvizjet në  “fushat e minuara”. Shtojmë këtu edhe një opozitë që është shumë e ashpër e refraktare e cila  do të përpiqet që të shfrytzojë cdo mundësi për ta penguar qeverisjen e re.

Zoti Kurti ka lëvruar idenë e padisë kundër Serbisë për gjenocid kundër popullit të Kosovës. Kjo është një gjë shumë madhore dhe shumë e rëndësishme. Por, Kosova aktualisht nuk është antare e OKB-së  dhe si e tillë ajo nuk ka mjetet e duhura ligjore ndërkombëtare që  ta lëvrojë një nisëm të tillë. Në këto kushte a do tja besojë ai (Albin Kurti) këtë nismë SHBA-së për ta shpalosur më tej në se gjykohet e arsyeshme prej tyre? Në se SHBA-ja nuk e përkrah idenë e gjenocidit, por si kompensim parashtron ndonjë zgjidhje tjetër ose sic mund të jenë: dëmshpërblime të pjesëshme a ndonjë formë tjetër. Si do të veprojë Zoti Kurti? Mbetet për tu parë. 

Për të shkuar në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, Zotit Kurti do ti duhet që më përpara të “ndërtojë “ unitetin brenda radhëve kosovare. A do të jetë ai në gjendje ta ndiellë e ta përfshijë  opozitën në opsionet e tij, në një kohë që ajo nuk është cliruar akoma nga sindroma e pushtetit? Le të presim?!

Për të shtruar probleme  sic  ka bërë në VV si: bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë, simbolet e përbashkëta, clirimi nga “kushtetuta e Ahtisarit”etj,  as nuk mendoj se  do të ceken  e jo më të lëvrohen. Por megjithatë le të shohim.

Ekspertët e ekonomisë, mendojnë se programi ekonomik  i Qeverisë Kurti ka mjaft skepticizëm. Por nga ana tjetër mbështetësit e Zotit Kurti thonë se bankat në Kosovë janë bërë të pashpirta. Atyre ju interesojnë vetëm fitimet dhe aspak punësimi e niveli i mirqenies së kosovarëve. Ata janë këthyer  si të thuash në kartele (duke vepruar jashtë kërkesave dhe  ofertës së tregut), madje në shumicën e rasteve  janë bërë pengesë zhvillimi. Në këto kushte thotë Zoti Kurti dhe përkrahësit e tij, zgjidhja është krijimi i Fondi Kombëtar të Zhvillimit i cili do të krijojë mundësinë e dhënies së kredive të buta dhe afatgjata. Ky mekanizëm do të hap vende të reja pune, do të ul inflacionin, do të ul informalitetin në ekonomi dhe do të rrisi mirqenien dhe prosperitetin. Shumë populiste është kjo si ide, por mbetet për tu parë në praktikë. 

Lufta për ckapjen e shtetit  nga kapja, është një ide e pëlqyer  në pamje , por a disponohen mekanizmat ligjor, institucional  e praktik për ta bërë  një gjë të tillë? A ka raporte të mirmenduara  midis shtetit të së drejtës  dhe procesit të zhvillimit të ckapjes. Kjo e fundit do të jetë një proces  kushtetues e ligjor i paanshëm, apo një armë kundër kundërshtarve politik? Disi e paqartë, por mbetet për tu parë.

Si përfundim. Kemi përpara një koalicion qeverisës (një pakt taktiko-politik), me një parti të qendrës majtë VV dhe një të qendrës djathtë LDK. Përafrimi në programin e përbashkët duket i kopsitur, i mirmenduar dhe në një përqindje të madhe i besueshëm.

 Kryeministri me stafin e tij, përgjithsisht  janë njerëz të formuar në fushat përkatëse, me integritet dhe besueshmëri për të udhëhequr  punët e Kosovës në katër vitet e ardhëshme. Shpresojmë e dëshirojmë se cdo gjë do të shkojë mirë e më mirë. 

Zotit Albin Kurti dhe shtetarëve pranë tij, dëshirojmë tju japim një këshillë miqësore (në se dëshirojnë ta marrin parasyshë): Mos u korruptoni, mos u bëni rrogozë para të huajve , por në të njejtën kohë, në cdo moment duhet të rikujtoni se  amerikanët  janë shtetformuesit e Kosovës. Pa SHBA nuk ka Kosovë e as shtet të pavarur. Ne diaspora shqiptaro-amerikane kemi qenë në krahun tuaj kur filluat luftën për clirim, jemi sot pranë jush dhe do të jemi edhe në të ardhmen, por lutemi mos na zhgënjeni.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllan Bushati-Prtishmerite- e Qeverise Kurti

NJË HISTORI ENDE E HAPUR

February 6, 2020 by dgreca

Nga Beppe Severgnini-“Corriere della Sera”, E përktheu Eugjen Merlika/

            Mungojnë pak orë nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, në të cilin kishte hyrë më 1 janar 1973. Bën një efekt të çuditshëm, por ky është çasti në të cilin emocionet  lihen  mënjanë e provohet të arsyetohet. Të gjithë: evropianët e kontinentit dhe evropianët e ishullit. Madje, të ishujve: sepse Irlanda në këtë ndodhi ka një pjesë jo të vogël. 

            Në votimet për Brexit,  23 qershor  2016, është shkruar e thënë shumë, ndoshta tepër. U duk se ishte një zgjedhje e shtyrë, një përzjerje mëndjemadhësie, bezdie dhe malli, e melmyer me njoftime të këqia. Por demokracia nuk i përjashton ndjenjat: ajo votë duhet të respektohet. Pasuan tre vite e gjysmë të pazakontë, të melmyera me bisedime, inate, mosmarrëveshje dhe kurthe parlamentare: një provë paefektshmërie që ka habitur, zhgënjyer e sikletosur vetë anglezët. Më 12 dhjetor 2019, votimi përforcoi në qeveri konservatorin Boris Johnson, i cili Brexit-in e kishte bërë flamur. Përshtypja është se votuesit nuk po e shtynin dot më e deshën të mbyllej sa më shpejt kjo histori.

            Por a është e mbyllur historia? Jo akoma, edhe se dy data përfaqësojnë po aq gurë themeli. Kjo e sotmja, 31 janar 2020: Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Evropian, simbas asaj që ishte përcaktuar në nenin 50 të Traktatit themelues. Data e dytë është 31 dhjetori 2020, kur do të mbarojë periudha e kalesës, gjatë së cilës MB dhe BE duhet të bëjnë një marrëveshje të re që do të rregullojë marrëdhëniet në çdo sektor (nga doganat tek transporti, nga imigracioni tek të drejtat e punonjësve, nga financa tek siguria, nga industria tek peshkimi).

            Boris Johnson nuk don përzgjatje dhe ka arritur të miratojë nga Dhoma e Komuneve një ligj që i ndalon ato. Për të mbyllur hesapet ka lënë Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët evropian: nuk është pak.

            Nuk kuptohet se si njëmbëdhjetë muaj të jenë të mjaftueshme për një traktativë kaq të gjërë e të ndërlikuar: Comprehensive Economic and Trade Agreement (Ceta) ndërmjet BE dhe Kanadasë, që ka eliminuar 98 % të tarifave, ka marrë shtatë vjet bisedimesh. Në rast të mungesës së marrëveshjes (no deal), marrëdhëniet ndërmjet MB e BE do të sendërtohen nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO). Kjo do të thotë: tarifa, kuota, çmime dhe një makth prapavije. Mendoni shkëmbimet tregtare: sot Mbretëria e Bashkuar eksporton në Bashkimin evropian shërbime për 30 miliard euro, por importon mallra për 100 miliardë. Portet e Doverit dhe Calais-ë e të gjithë aeroportet britanike do të ktheheshin në një rreth ferri.

            Por nuk do të duhet të punohet vetëm mbi rregullat. Prirjet e qëndrimet janë po aq të rëndësishme. Në këtë ditë historike – së paku njëherë cilësori nuk është retorik – duhet të pyesim veten: hendeku politik dhe psikologjik ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër t’Evropës a është i paracaktuar të zgjerohet? Në rastin e një plasjeje në mur i vemë një copë xham: nëse ai thyhet fillojmë të shqetësohemi. Në rastin e Brexit do të duhet të përdorim të tjerë tregues. Për shembull të vëzhgojmë gjuhën e të folurit. Do të jetë interesante të kuptohet kur do të përdoret në Britaninë e Madhe shprehja “the Europeans” për të treguar qytetarët e Bashkimit Evropian. Asnjë referendum nuk mund të ndryshojë gjeografinë dhe historinë. Britanikët dalin nga një organizatë ndërkombëtare, jo nga një vënd në të cilin janë protagonistë prej shekujsh. Ishin, janë e do të mbeten evropianë. Shpresojmë t’arrijnë t’a kuptojnë.

            Dhe ne evropianët e kontinentit, dhe irlandezët, kemi detyra e përgjegjësi. Duhet të shmangim melmimin e  Brexit-it me shpirtligësi: nuk do t’ishte e dobishme e nuk do t’ishte e drejtë. Ngasja për të ndëshkuar anglezët është dhe shpiegohet: në katër vitet e fundit tonet dhe argumentat e përdorura kundrejt Bashkimit kanë qënë herë herë të papëlqyeshëm. Dhe është e mundëshme që gjatë bisedimeve, që do të jenë të ngutëshme, duke mbajtur parasysh kohët e shtrënguara, do të lindin tensione të tjera. Duket, pothuajse e sigurtë, që qeveria britanike do të përdorë vetësigurinë bankare dhe levën fiskale për të tërhequr investitorë dhe kapitale me çfarëdo prejardhjeje (më shumë se sa ka bërë deri tani). Kjo rrezikon të acarojë Brukselin dhe të tjerat qeveri evropiane.

            Periudha që i paraprin një ndarjeje është gjithmonë më e vështira, si për njerëzit ashtu edhe për kombet. Por ndarja, në rastin e Brexit tashmë është kryer. Të ruajmë qetësinë e, nëse do të jetë e mundur, edhe buzëqeshjen: do t’a bëjë jetën më të lehtë për të gjithë.

            Kundërshtarët janë tjetërkund. Në Britaninë e Madhe jetojnë, e do të vazhdojnë të jetojnë miqtë tanë. Dhe shumë prej nesh.

            “Corriere della Sera”, 31 janar 2020      E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Beppe Severgnini-Corriere della Sera-Eugjen Merlika

MËSIME NGA DAVOS: BE GJEN ROLIN NDËRKOMBËTAR QË KËRKONTE PREJ DHJETË VITESH

February 6, 2020 by dgreca

Nga Federico Fubini/-Perktheu nga “Corriere della Sera”, Eugene Merlika/

Kishte më shumë se dhjetë vjet që Bashkimi Evropian kërkonte një rol ndërkombëtar, të cilin këto ditë në Davos dha prova që e gjeti. Së paku që nga 2009 politikëbërja n’Evropë kishte qënë sinonim i të kërkuarit marrëveshje për të mbarështuar krizën e fundit: në fillim atë financiare, pastaj të euros dhe të bankave, më pas të migrantëve, Brexit e së fundi valës sovraniste. Të qënit evropeistë kishte përfunduar në mbrojtjen apo rindërtimin e Status quo. Evropeistët ishin bërë konservatorët dhe reaksionarët e historisë. Ishin rritur në idenë se ishin trashëgimtarë të iluminizmit e të përparimit, ndërsa gjëndeshin të ngujuar si elitë e palosur në mbrojtje të sistemit. Siç duket nuk do të jetë më kështu. Parmbrëmë në Davos Paolo Gentiloni, komisari i ri i BE-së, i shprehur nga Italia, e përmblodhi në një fjalë të mençur ndryshimin e atmosferës: “Kur nipi im më pyet se çfarë bëj në Bruksel, un përgjigjem: bëj Green New Deal”.

            Evropa ka pushuar të shuajë zjarre e të mbrojë të shkuarën. Tashmë mbron t’ardhmen: don të përgjysmojë ndikimin e saj ndotës në dhjetë vite e t’i çojë në zero shpërhapjet e pastra të gazit karbonik në tridhjetë. Mbi të gjitha, në një botë të shënuar nga shemëria ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës, don të eksportojë prirjen e saj, duke detyruar dy mbifuqitë t’a ndjekin e mbas tyre të tjerat ekonomi të mëdha. Ursula von der Leyen, gjermania që ka marrë drejtimin e Komisionit ka lënë të shihet një shkrepëtimë ashpërsie në Davos: meqë pakësimi i shpërndarjeve do të thotë në vitet e ardhëshme shtim të shpenzimeve industriale, ka thënë, Evropa do të verë taksa në importin e mallrave nga ata Vende që do të vazhdojnë të bëjnë beleg në ulje duke prodhuar në mënyrë ndotëse. Von der Leyen e ka quajtur “Carbon Adjustment Border Tax”, por është një deklaratë e njëanëshme lufte tregtare n’emër të mjedisit. Kush nuk përshtatet, së paku në teori, do të hasë në ledhet e BE për eksportet. Është e pamundur të mos jesh në një mëndje me një pjesë të madhe të rrugës së hapur nga von der Leyen. Shkenca nuk lë dyshime mbi faktin se ngrohja globale është një kërcënim i vërtetë.

            Mbetet për të kuptuar nëse Evropa do të jetë në gjëndje t’a mbështesë synimin e saj brënda një sistemi global, të përmbledhur pikërisht në Davos nga një shprehje e Donald Trump-it mbi homologun e tij kinez, presidentin Xi Jinping: “Un jam për Amerikën, ai është për Kinën, por pavarësisht nga kjo ne e duam njëri tjetrin”. Trump-i dhe Xi janë dy udhëheqës kombëtaristë, të dy të prirur  për të shpërthuer caqet institucionale të fuqive të tyre përbrenda dhe pushtetin e njëanshëm të Vendeve të tyre në botë. Trump-i dhe Xi shohin një sistem ndërkombëtar të themeluar mbi G2, pra mbi ata të dy. Ekonomitë e tyre janë përgjegjëse për rreth 45 % të shpërhapjeve të CO2 çdo vit (29 % vetëm Kina), kundrejt 9 % të BE. Dhe pengesat projektit evropian janë tashmë të dukëshme: SHBA kanë dalë jashtë marrëveshjes së Parisit mbi klimën; konferenca e fundit e OKB në lidhje me të (Cop 25) dështoi; dhe në Davos dërgata e Pekinit ka shpjeguar, privatisht, çmimin e përshtatjes nga ana e Kinës: një pakësim të treguesit të rritjes prej 2% në secilin prej katër viteve  t’ardhëshme, një mundësi e papranueshme për një regjim, gjithënjë e më shumë të bazuar mbi kultin e personalitetit të Xi Jinping-ut. Edhe në konferencën e pritme të OKB-së mbi klimën, në dhjetor rrezikohet një tjetër mos sukses.

            Von der Leyenit nuk i mbetet veçse të hapë një luftë tregtare “të gjelbër” kundër Kinës e mbase edhe Hindisë. Por BE duhet të bëjë menjëherë llogaritë me pasojat: me mbishtesat tregtare të larta e të përherëshme të prodhimit për eksport, tashmë një çekuilibër kronik, Gjermania, Italia dhe zona euro në përgjithësi varen sot për gati gjysmën e prodhimit industrial nga pjesa tjetër e botës që thith eksportin e tyre. Nëse Evropa do të ngrinte sot “taksat e gjelbërta” kundër Vendeve që ndotin më shumë, hakmarrjet e Pekinit e të Shtëpisë së Bardhë do të arrinin menjëherë e do t’a çonin atë në rënie ekonomike. Mjedisi është po, prirja e re e Bashkimit. Por për t’a ndjekur deri në fund, ai duhet të lirohet nga vartësia kronike dhe përjashtimore nga eksportimi industrial për t’u rritur. Do të kishte qënë një revolucion historik, si ai për klimën.

            “Corriere della Sera”, 26 janar 2020       E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: mesime nga Davosi-Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT