Nga Federico Fubini/-Perktheu nga “Corriere della Sera”, Eugene Merlika/
Kishte më shumë se dhjetë vjet që Bashkimi Evropian kërkonte një rol ndërkombëtar, të cilin këto ditë në Davos dha prova që e gjeti. Së paku që nga 2009 politikëbërja n’Evropë kishte qënë sinonim i të kërkuarit marrëveshje për të mbarështuar krizën e fundit: në fillim atë financiare, pastaj të euros dhe të bankave, më pas të migrantëve, Brexit e së fundi valës sovraniste. Të qënit evropeistë kishte përfunduar në mbrojtjen apo rindërtimin e Status quo. Evropeistët ishin bërë konservatorët dhe reaksionarët e historisë. Ishin rritur në idenë se ishin trashëgimtarë të iluminizmit e të përparimit, ndërsa gjëndeshin të ngujuar si elitë e palosur në mbrojtje të sistemit. Siç duket nuk do të jetë më kështu. Parmbrëmë në Davos Paolo Gentiloni, komisari i ri i BE-së, i shprehur nga Italia, e përmblodhi në një fjalë të mençur ndryshimin e atmosferës: “Kur nipi im më pyet se çfarë bëj në Bruksel, un përgjigjem: bëj Green New Deal”.
Evropa ka pushuar të shuajë zjarre e të mbrojë të shkuarën. Tashmë mbron t’ardhmen: don të përgjysmojë ndikimin e saj ndotës në dhjetë vite e t’i çojë në zero shpërhapjet e pastra të gazit karbonik në tridhjetë. Mbi të gjitha, në një botë të shënuar nga shemëria ndërmjet Shteteve të Bashkuara e Kinës, don të eksportojë prirjen e saj, duke detyruar dy mbifuqitë t’a ndjekin e mbas tyre të tjerat ekonomi të mëdha. Ursula von der Leyen, gjermania që ka marrë drejtimin e Komisionit ka lënë të shihet një shkrepëtimë ashpërsie në Davos: meqë pakësimi i shpërndarjeve do të thotë në vitet e ardhëshme shtim të shpenzimeve industriale, ka thënë, Evropa do të verë taksa në importin e mallrave nga ata Vende që do të vazhdojnë të bëjnë beleg në ulje duke prodhuar në mënyrë ndotëse. Von der Leyen e ka quajtur “Carbon Adjustment Border Tax”, por është një deklaratë e njëanëshme lufte tregtare n’emër të mjedisit. Kush nuk përshtatet, së paku në teori, do të hasë në ledhet e BE për eksportet. Është e pamundur të mos jesh në një mëndje me një pjesë të madhe të rrugës së hapur nga von der Leyen. Shkenca nuk lë dyshime mbi faktin se ngrohja globale është një kërcënim i vërtetë.
Mbetet për të kuptuar nëse Evropa do të jetë në gjëndje t’a mbështesë synimin e saj brënda një sistemi global, të përmbledhur pikërisht në Davos nga një shprehje e Donald Trump-it mbi homologun e tij kinez, presidentin Xi Jinping: “Un jam për Amerikën, ai është për Kinën, por pavarësisht nga kjo ne e duam njëri tjetrin”. Trump-i dhe Xi janë dy udhëheqës kombëtaristë, të dy të prirur për të shpërthuer caqet institucionale të fuqive të tyre përbrenda dhe pushtetin e njëanshëm të Vendeve të tyre në botë. Trump-i dhe Xi shohin një sistem ndërkombëtar të themeluar mbi G2, pra mbi ata të dy. Ekonomitë e tyre janë përgjegjëse për rreth 45 % të shpërhapjeve të CO2 çdo vit (29 % vetëm Kina), kundrejt 9 % të BE. Dhe pengesat projektit evropian janë tashmë të dukëshme: SHBA kanë dalë jashtë marrëveshjes së Parisit mbi klimën; konferenca e fundit e OKB në lidhje me të (Cop 25) dështoi; dhe në Davos dërgata e Pekinit ka shpjeguar, privatisht, çmimin e përshtatjes nga ana e Kinës: një pakësim të treguesit të rritjes prej 2% në secilin prej katër viteve t’ardhëshme, një mundësi e papranueshme për një regjim, gjithënjë e më shumë të bazuar mbi kultin e personalitetit të Xi Jinping-ut. Edhe në konferencën e pritme të OKB-së mbi klimën, në dhjetor rrezikohet një tjetër mos sukses.
Von der Leyenit nuk i mbetet veçse të hapë një luftë tregtare “të gjelbër” kundër Kinës e mbase edhe Hindisë. Por BE duhet të bëjë menjëherë llogaritë me pasojat: me mbishtesat tregtare të larta e të përherëshme të prodhimit për eksport, tashmë një çekuilibër kronik, Gjermania, Italia dhe zona euro në përgjithësi varen sot për gati gjysmën e prodhimit industrial nga pjesa tjetër e botës që thith eksportin e tyre. Nëse Evropa do të ngrinte sot “taksat e gjelbërta” kundër Vendeve që ndotin më shumë, hakmarrjet e Pekinit e të Shtëpisë së Bardhë do të arrinin menjëherë e do t’a çonin atë në rënie ekonomike. Mjedisi është po, prirja e re e Bashkimit. Por për t’a ndjekur deri në fund, ai duhet të lirohet nga vartësia kronike dhe përjashtimore nga eksportimi industrial për t’u rritur. Do të kishte qënë një revolucion historik, si ai për klimën.
“Corriere della Sera”, 26 janar 2020 E përktheu Eugjen Merlika