• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

SHBA, NUMRI I VIKTIMAVE NGA COVID-19 IA KALON VIKTIMAVE TË 11 SHTATORIT 2001

March 31, 2020 by dgreca

New York,31 Mars 2020-/ Numri i vdekjeve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkuar në 3.376, sipas agjencive shëndetësore të shtetit dhe të qarqeve – më shumë se numri i njerëzve që vdiqën në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. 

Në sulmet e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat që humbën jetën në kullat binjake në New York arritën shifrën 2,752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.

Vdekja e parë e lidhur me koronavirusin amerikan u raportua më 29 shkurt 2020 në shtetin Uashingtonit. Numri i vdekjeve në rrafshin kombtar ka vazhduar të rritet, edhe pse shtetet dhe bashkitë po aplikojnë rregulla të forta dhe po zbatojnë masa të rrepta për distancimin social në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

   Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se virusi mund të vrasë nga 100.000 deri në  200,000 njerëz në Amerikë, madje edhe “nëse i bëjmë gjërat, pothuajse perfekt. “

       Në 24 orët e fundit Spanja duket më e dëmtuara nga virusi vdekjeprurës. Spanja raportoi 849 vdekje të reja ditën e martë, periudha më e keqe kjo 24-orëshe, ndërsa në shkallë vendi shifra e viktimave ka shkuar në 8.118. Italia, e cila ka një lloj zbutje në 24 orëshin e fundit deri më tani në total ka raportuar një numër më të lartë kombëtar të vdekjeve në të gjithë Botën, me më shumë se 11.500.

Numri i konfirmuar i infeksioneve në të gjithë botën vazhdon të rritet, duke arritur deri të Martën në 809,608 dhe me 39.545 viktima, siç u raportua të Martën me 31 Mars.

Zyrtarët e Shëndetit të Sh.B.A kanë paralajmëruar amerikanët që të jenë të vetdijshëm për përkeqsimin e situatës para se kjo betejë të arrijë fundin.

         Deborah Birx, koordinatorja e koronavirusit në Shtëpisë e Bardhë, i tha Televizionit NBC News të hënën se rreth 200,000 amerikanë mund të vdisnin në pandemi edhe… “nëse i bëjmë gjërat mirë, pothuajse në mënyrë të përsosur”.

Presidenti Trump deklaroi të Dielën se udhëzimet federale për të vazhduar distancimin shoqëror do të vazhdojnë deri në fund të prillit,edhe pse ai më parë tha se shpresonte që vendi të funksiononte si zakonisht deri në Pashkë, me 12 Prill. Ai tha se tani pret që vdekjet e lidhura me koronavirusin të arrijnë kulmin në keto dy javë.

Përgatit:Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: COVID-19-11 Shtatori 2001

SHBA PËRGATITEN PËR NJË BETEJË TË VËSHTIRË

March 31, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca/

New York 30 Mars 2020- Më shumë se 1 milion amerikanë janë testuar deri tani, tah Presidneti Trump. Masa mbrojtëse po vijnë duke u përmirësuar, por ofensiva e COVID-19 nuk ka të ndalur. Më shumë se 3,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Sh.B.A dhe më shumë se 163,400 raste janë të konfirmuara në të gjithë vendin, sipas Universitetit Johns Hopkins.

New Yorku vijon të mbetet epiqendra e Pandemisë. Guvernatori Andrew Cuomo lëshoi një thirrje mbarëkombëtare për mjekë dhe infermierë për t’u bashkuar me ato që ai i quajti “linjat e para” të luftës kundër virusit.

Virginia, Maryland, Arizona dhe Tenesi lëshuan urdhra për qëndrimin në shtëpi të hënën, duke iu bashkuar 28 shteteve të tjera. Tri nga çdo katër amerikanë tani u është thënë të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Presidenti Trump përcaktoi 30 prillin si afatin e distancimit shoqëror.

Amerikanët janë të ndërgjegjshëm se beteja me Coronavirusin do të jetë e gjatë dhe dhimbshme. Presidenti Trump i ka parapërgatitur amerikanët se numri i viktimave, sipas parashikimeve, do të jetë mbi 100 mijë,ndërsa numri I të infektuarëve do të kapë miliona, por ajo c’ka po përjetoi NYC të hënën,edhe pse më e keqja nuk ka kaluar ende, ishte e trishtë. Qyteti përjetoi një vdekje për çdo 2.9 minuta nga koronavirusi, në një shtrirje kohore të tmerrshme gjashtë-orëshe.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në New York City u rrit në 914 të hënën pasdite, shifër e arritur në gjashtë orë të tmerrshme, ku ikën nga kjo jetë 124 pacientë të infektuar, sipas përllogaritjeve një vdekje çdo 2.9 minuta.

Nga një raportim i orës 10:30 të mëngjesit nga Bashkia, pesë bashkitë kishin regjistruar 36.221 raste të konfirmuara nga infektimit me COVID-19, me 790 vdekje në total, të konfirmuara.

Por deri në orën 4:30, numri i rasteve kishte shkuar në 38.087 – ndërsa vdekjet u ngjitën tek shifra 914, sipas raportit të Bashkisë.

Nga më shumë se 38,000 raste, 7,741 pacientë, ose rreth 20 përqind, ndodhen të shtruar në spital.

Queens-i mbetet rajoni më i goditur me shifra në ngjitje dhe të diferencuara nga bashkitë e tjera, duke regjistruar 12,756 raste të infektuar, ose pak më shumë se një e treta.

Brooklyn-i, mbanë vendin e dytë, me 10.117 raste; 27 përqind të shifrës totale të NYC,  më pas vjen Bronksi me 6,925; 18-përqind të shifrës totale, Manhattan  me 6.060; 16-përqind dhe Staten Island me 2.140; gjashtë përqind.

Kërcimi i tmerrshëm i së hënës pasoi të Dielën në të cilën u regjistruan 98 vdekje.

Gjatë një konference shtypi të hënën në mëngjes, Guvernatori Andrew Cuomo raportoi se Shteti i New York-ut ishte goditur nga 66 497 të infektuar nga Koronavirusi, me 1.218 vdekje.

FDA ka aprovuar një plan të administratës Trump për të shpërndarë miliona doza të ilaçeve anti-malariale në spitalet amerikane, duke thënë se ia vlen rreziku për të provuar trajtime për të ngadalësuar sëmundjen në pacientët me sëmundje serioze.

           *** 

USNS Comfort ankorohet në New York

– Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, që mbërriti në Per 90 në Manhattan në orën 10:42 am, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00 për ata që nuk ruajnë distancën 6 feet.

           Anija spitalore USNS Comfort mbërriti në New York të hënën në mëngjes për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

        Anija e dërguar të Shtunën nga Presidenti Trump nga Stacioni Detar Norfolk në Virxhinia, mbërriti në Pier 90 të Manhattan në 10:42 të paradites të sotme dhe turmat kureshtare u vërsulën për të parë nga afër pa respektuar distancat e rekomanduara nga ekzekutivi.

       Anija ka një kapacitet prej 1.000 shtretërve dhe për këtë situatë është shumë e nevojshme, pasi infeksioni i COVID-19 vazhdon të tendosë kapacitetet e spitaleve.

       Guvernatori Andrew Cuomo paralajmëroi ardhjen e përforcimeve, duke përcjellë një video të xhiruar nga një anije e Policisë së Shtetit në Nju Jork, që shoqëronte Komfortin prej 70,000 tonësh.

” USNS Comfort sjell në Nju Jork 1.000 shtretër spitalorë aq shumë të nevojshëm”, ka thënë Cuomo.

Comfort është i pajisur me 12 salla operacioni dhe ka një staf të plotë mjekësh, infermierësh dhe specialistësh mjekësorë.

Sipas komenteve pritet që Comfort të trajtojë pacientët me lëndime dhe sëmundje të tjera, duke cliruar shtretërit spitalorë të qytetit për ata që kanë më shumë nevojë për to.

Cuomo ka thënë se NYC do të kërkojë të paktën 140,000 shtretër spitalore.

Guvernatori ka urdhëruar spitalet në mbarë vendin që të rrisin kapacitetet e tyre për një minimum prej 50 përqind, ndërkohë që qeveria federale ka ndihmuar me Javits Center, që ka një kapacitet me 1 mijë shtretër.

Ndërkohë, një organizatë e ndihmës ungjillore e krishterë të Dielën ngriti tendën e parë në kuadër të 14 të tillave që do të përbëjnë spitalin fushor në lëndinën Lindore të Central Parkut, me kapacitet 68 shtretër.

Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00

Turmat injoruan rregullat e mbajtjes së distancës sociale të Nju Jorkut dhe mbushën anën perëndimore të Manhattan të hënën, 30 Mars, për të parë anijen spitalore të marinës amerikane, që ka mbërritur për të dhënë ndihmën e nevojshme për koronavirusin.

Njerëzit qëndronin krah për krah, madje bënin edhe fotografi pranë USNS Comfort ndërsa u tërhoqën në Pier 90 pranë Rrugës West 50 rreth orës 10:40 të mëngjesit. Disa tundnin flamuj amerikanë dhe të tjerë u afruan ngjitur me njëri tjetrin pranë skelës.

Të paktën një duzinë policësh të NYPD qëndronin pranë dhe fillimisht nuk i shpërndanë kalimtarët, duke i lënë kureshtarët të bënin fotografi.

Nga ana e tij kryebashkiaku ka paralajmëruar se shkelja e rregullave do të ndëshkohet. De Blasio ka thënë se Njujrokezët që injorojnë urdhrat nga zyrtarët e qytetit për të ruajtë distancën 6 feet mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh.

“Qëllimi është vetëm t’i bëjmë njerëzit që të respektojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të gjithëve,” tha de Blasio për NY1 të hënën në mëngjes.

Spitali lundrues u dërgua në Nju Jork për të lehtësuar spitalet e tejmbushur nga pacientë të prekur COVID-19. Më shumë se 1.000 njerëz në shtet kanë vdekur nga virusi, tha guvernatori Andrew Cuomo të hënën nga Spitali Javits Center, i cili tani është duke u përdorur si një spital fushor.

Cuomo përshëndeti USNS Comfort në një mesazh të hënën në mëngjes, duke shkruar se ardhja e anijes “do të mbahet mend”. “Kapaciteti spitalor që shtojmë tani do të shpëtojë jetë,” shkruajti guvernatori, duke shtuar: “Zoti e bekoftë New York-un”. USNS Comfort ëhsët para në New York për herë të fundit me rastin 11 shtatorit tragjik. Më pas Cuomo dha një konferencë shtypi.

Filed Under: Analiza Tagged With: 30 mars, COVID-19

ARMËPUSHIM….

March 30, 2020 by dgreca

  PËR NJË “ARMËPUSHIM” POLITIK NË BOTËN SHQIPTARE, PËRBALLË LUFTËS SË VËRTETË BOTËRORE KUNDËR KORONAVIRUSI/

NGA FRANK SHKRELI/

Javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) Antonio Gutierres bëri thirrje për një armëpushim global, me qëllim që bota të përqendrohet në atë që ai e cilësoi si, “luftën tonë të vërtetë”, kundër koronavirusit, armikut të përbashkët, i cili tani po kërcënon mbarë njerëzimin.

“Shpërthimi i koronavirusit ilustron marrëzinë e luftës” dhe konflikteve, tha udhëheqësi i organizatës botërore.  “Kjo është arsyeja pse sot po bëj thirrje për një armëpushim të menjëherëshëm global, në të katër anët e botës.  Ka ardhur koha që t’u jepet fund konflikteve të armatosura dhe të pëqendrohemi të gjithë së bashku në luftën për shpëtimin e jetëve tona”, është shprehur Antonio Gutierres.  Shefi i OKB-së nënvijoi faktin se koronavirusi (COVID-19) nuk dallon njerëzit që prek për nga kombësia, etniciteti, as nga ndryshimet dhe dallimet midis popujve dhe individëve, por i sulmon të gjithë, pa dallim dhe pa mëshirë.  Antonio Gutierrez u bëri thirrje palëve në konlikt, që të tërhiqen nga konfliktet dhe të lënë mënjanë armiqësitë dhe mosbesimin ndaj njëri tjetrit.  Ndalimi i konflikteve kudo qoftë, është gjëja për të cilën familja njerëzore ka nevojë sot më shumë se kurrë, për të luftuar këtë sëmundje që po shkundë botën, ka thënë Antonio Guitierrez.

Thirrjes së Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara për një armpushim global dhe për ndalimin e konflikteve në mbarë botën, iu bashkua edhe Papa Françesku i cili, ditët e fundit, bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet, përballë kësaj murtaje.  “Shpresoj që lufta jonë e përbashkët kundër koronavirusit të na kujtojë dhe të na bindë për nevojën e madhe për të forcuar lidhjet tona vëllazërore, si anëtarë të një familjeje njerëzore”, ka thënë Papa, duke thekësuar se “Veçanërisht, shpresojmë që lufta kundër koronavirusit të frymëzojë një angazhim të ri për mënjanimin e konflikteve në radhët e udhëheqësve të vendeve dhe të palëve të ndryshme të botës, të përziera në konflikte”, duke thekësuar se, antagonizmat dhe ndryshimet që shkaktojnë konflikte midis palëve dhe individëve, “duhet të zhduken nepërmjet dialogut dhe përpjekjeve konstruktive për pajtim dhe për paqë midis individëve dhe vendeve, është shprehur udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike, Papa Françesku.

Mesazhi i Shefit të OKB-së dhe Papës, për ndalimin e konflikteve dhe për armpushim në këtë kohë, i është drejtuar udhëheqësve të vendeve të botës — pothuaj 180 gjithsejt prej tyre — të prekura nga koronavirusi.  Por duke lexuar mesazhet e tyre, domosdo, “gjuha shkon ku të dhëmb dhëmbi”, atje tek klasa politike shqiptare dhe tek konfliktet e tyre të fundit për pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë – e sidomos në Kosovë, këto ditë me rreximin e qeveris Kurti — madje edhe në këtë periudhë kur bota është e përqendruar në luftën kundër përhapjes së koronavirusit. 

Në vend që në këtë moment të kemi bashkim dhe solidaritet në radhët e klasës politike shqiptare, përballë luftës kundër koronavirusit, siç bëjnë thirrje Shefi i OKB-së, Antonio Gutierres dhe Papa Françesku — sidomos në Prishtinë, por pa përjashtuar edhe Tiranën zyrtare, gjatë kësaj kohe është arritur, fatkeqësisht, kulmi i konflikteve politike – konflikte këto që çuan, kohët e fundit, në rrëximin e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurtit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  Në vend që qeveria e re prej vetëm pesë javësh e Kryeministrit Kurti të përballej me mobilizimin e shoqërisë për t’iu përgjigjur kësaj krize serioze shëndetësore për kombin dhe për botën, e njëkohësisht të minimizonte efektet e kësaj sëmundjeje të rëndë në ekonominë dhe në jetën e përgjithshëme të vendit –ajo qeveri është rrëzuar në momentin më të papërshtatshëm për Kosovën, duke i shkaktuar vendit edhe një traumë të rëndë politiko-ekonomike, mos ndoshta edhe më të keqe për stabilitetin, sigurinë dhe paqën afatgjatë të vendit — përveç sëmundjes së pamëshirëshme të koronavirusit.

Është vështirë të thuhet se cila krizë, më në fund,do  të ketë pasoja më të rrezikshme për Kosovën, ajo e koronavirusit a po rreziku i përbrendshëm, i shkaktuar nga rrëximi i qeverisë Kurtid he nga konfliktet politike të pafund, për të cilat njihet klasa politike shqiptare.  Unë e thashë para disa ditëve, në një shkrim modest,se diçka nuk është në rregull me politikën shqiptare në Prishtinë dhe se kjo nuk ishte koha të rrëxohej qeveria e Kryeministrit Kurti.  Kriza aktuale politike në Prishtinë, tregon gjithashtu se diçka nuk është në rregull as me politikën e Tiranës zyrtare karshi Kosovës, se me politikën kombëtare, në përgjithësi, jo se jo.  Për më tepër,  jam dakort gjithashtu edhe me Kongresmenin e njohur amerikan dhe mbështetësin e vjetër të çështjeve shqiptare, sidomos Kosovës, Eliot Engel, se si përfundim i veprimtarive të fundit i të dërguarit të Presidentit Trump për Kosovën, ambasadorit, Richard Grenell – diçka nuk është në rregull as me politikën amerikane, të kohëve të fundit, karshi Kosovës.

Diçka nuk shkon këtu! Dikush në Prishtinë dhe në Tiranë duhet të japë llogari se si kemi ardhur deri tek ky lamsh, të cilit është vështirë t’i gjëndet filli, përsa u përket marrëdhënieve të shkëlqyeshme të deritanishme midis Shteteve të Bashkuara me Kosovën.  Kosova gjëndet përballë një situate pothuaj apokaliptike si shtet i pavarur e sovran.  Shtetet e Bashkuara, që dikur flisnin me një zë të fuqishëm në favor të Kosovës, tani kanë dy përfaqsues zyrtar, që  në sipërfaqe duket sikur nuk ndjekin aspak një politikë të bashkrenduar: njëri përfaqsues i Shtëpisë Bardhë e tjetri i Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe disa zëdhënës të tjerë amerikanë të cilët nuk duhej të flisnin fare për Kosovën.  Të pakën, publikisht, këta gjithnjë shprehen si mbështetës të Kosovës, megjithëse deklaratat e tyre, nganjëherë kontradiktore, janë gjithnjë e më vështira t’u besojmë. 

Situata është edhe më keq me marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Brukseli ka në krye të politikës së jashtme një individ që në të kaluarën është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës dhe i cili vjen nga një vend që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.  Për më tepër, kohët e fundit, duke venë një qershi mbi tortën e marrëdhënieve me Kosovën, BE-ja ka propozuar një përfaqsues të posaçëm për të ashtuquajturin dialog Kosovë-Serbi.  Edhe ai, si bosi i tij që e ka përzgjedhur në atë post, është një mohues i pavarësisë së Kosovës dhe rrjedh nga një vend i BE-së, që gjithashtu nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.  

Por ka edhe më keq, Tirana zyrtare, nepërmjet Kryeministrit të vendit, që dikur fliste në emër të Kosovës me mburrje dhe patriotizëm, ndërsa herë tjera hidhte gurin e fshihte dorën në këtë drejtim, tashti kemi vetëm heshtje nga shteti amë për ato që po ndodhin me Kosovën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. 

Kam drojë se dëmi është bërë dhe më e keqja që mund të ketë ndodhur nuk ka më këthesë.  Kini venë re gjtihashtu se edhe Beogradi e Moska zyrtare heshtin për gjëndjen e krijuar politike në Kosovë.  Rusia dhe Serbia me bashkpuntorët e tyre në radhët e shqiptarëve dhe me miqët e tyre ndërkombëtarë e kanë hedhur Kosovën në kurthë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – ashtu siç u duhet dhe ku e duan:të përçarë dhe të ndarë brenda vetes dhe të izoluar ndërkombëtarisht! 

Si rrjedhim, Kosova dhe mbarë shqiptaria, nuk i ka pasur kurr më keq punët në këto 30-vjet post-komunizëm!  Si rrjedhim dhe para se të keqësohen punët edhe më tepër, është e nevojshëm një reflektim i përmasave kombëtare dhe një këthim prej 180 gradësh.  Uroj që në këtë periudhë lufte kundër koronavirusit, të përfillni thirrjen e Shefit të OKB-së dhe Papës, për bashkim dhe solidaritet vëllazëror me shpresën se lufta kundër koronavirusit do t’ju frymëzojë për një angazhim të ri për mënjanimin e konflikteve.  Që në vend të konflikteve politike të pafund – për hir të atij populli të vuajtur –të merreni me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar, përfshirë krizën aktuale të koronavirusit.   Koronavirusi nuk njeh PDK, LDK, Vetvendosje, Parti Socialiste, Parti Demokrate e ku ta dijë unë se sa dyzina partishë të tjera.  Ky është momenti që kërkon bashkim dhe solidaritet, pikëspari midis shqiptarërve me njëri tjetrin, por edhe më gjërë.  Nuk mund të presim që faktori ndërkombëtar të jetë i bashkuar me një qëndrim për fatin e Kosovës dhe të Shqipërisë, kur vetë shqiptarët janë të ndarë e të percarë për të ardhmen e vet.  Nuk është për t’u habitur pra, që sjelljet e ndërkombëtarëve me Kosovën dhe me Shqipërinë, thjeshtë, reflektojnë atmosferën politike të grindjeve të pafund, në radhët e klasës politike të dy shteteve shqiptare!

Filed Under: Analiza Tagged With: Armepushim

HESHTJA ËSHTË FSHEHTËSI E ZANAFILLËS

March 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Don Robert KOLA/

Njeriu përmes heshtjes përmbledh mrekullinë e krijesës në gjirin e vet. Çka bebëza e syrit është për shikimin, heshtja është për mahnitjen. Heshtja është bebëza e mahnitjes. Në gjirin e heshtjes mahnitja bëhet e tejdukshme. Heshtja denjësohet vetëm në gjirin prej nga buron fjala. Poeti është edhe gjiri i fjalës. Fjala: “falë heshtjes bëhet mbretëreshë e qenies njerëzore.”[1]

Mishërimi i aktit të heshtjes kryhet dhe përkryhet vetëm përmes hirit të Hyjit. Hiri i heshtjes është i ngjeshur me misteret e Hyjit dhe përshkon qenien e njeriut me vrushkujt e dritës që shpërthen në mahnitje, siç këndon poeti:

Heshtja është hiri i Hyjit,

ngrohtësi e pashuar dashurie

e ngjeshur me misteret e Tij,

që nëpër qiell e tokë 

përhapet me shkëlqimin e yjeve

të qëndisur me bardhësi resh –

gjakim i ëndrrave të etura;

është joshje që nuk resht,

kërkim i skajeve të thellësive

që të robërojnë me prirje të pafundësisë,

ujëvare ndriçuese e vrushkujve

ngjizur dhe me penjtë e errësirës:

dallgëzim i vijueshëm i shpirtit –

përshkuar nga drithërima rrëzellitëse.[2]

Besëlidhja me hirin e Hyjit mbahet edhe përmes heshtjes. Kjo besëlidhje e heshtjes është e heshtur si vetë hiri i saj, e ngjeshur me dritën e mistereve të Tij. Antifona në Tetëditëshin e Krishtlindjes, i këndon misterit të hirit të heshtjes që zbret nga froni mbretëror i Hyjit, në të cilin qëndron gjithë plani i shpëtimit: “Cum enim quietum silentium contineret omnia.” (krahs Ur 18, 14-15)

Fshehtësia e heshtjes është fshehtësi e zanafillës. Heshtja i përket zanafillës dhe është fshehtësi herake. Ajo qëndron në pamjen e saj zanafillëse dhe është si vetë natyra e hirit të saj: gjithmonë zanafillore. “Përmes heshtjes, në çdo çast njeriu mund të gjendet në zanafillë. Kur është i lidhur me heshtjen, njeriu jo vetëm që merr pjesë në zanafillën e saj, por gjendet edhe në zanafillën e çdo gjejë.”[3]

Heshtja nuk përfshihet duke e gjurmuar atë, por duke u gjurmuar prej hirit të saj. Ajo është si hiri i pëllumbeshës në plasat e shkëmbit, siç këndon Kënga e këngës. Qëndron në plasat e shkëmbit dhe është thjesht aty vetëm për të shfaqur fytyrën në gjithë shkëlqimin e bukurisë dhe fjalën me plot ëmbëlsim (krhs Kk 2, 14). “Fjala duhet të mbetet e lidhur me heshtjen nga ku shpërthen. Është veçantia e qenësisë njerëzore që fjala të kthehet kah heshtja, është pikërisht vetia e qenies së njeriut të kthehet mbrapa drejt vendit nga ku vjen heshtja. Fjala e njeriut nuk është e përcaktuar vetëm nga e vërteta, por edhe nga mirësia: përmes mirësisë së zemrës fjala i kthehet zanafillës. Është e rëndësishme që përmes mirësisë fjala të jetë e lidhur me heshtjen, sepse në këtë mënyrë, çdo fjalë veç mban në vetë dhe natyrën e saj: zotërimin ndaj mirësisë. Në fjalën e lidhur me heshtjen më të lartë banon mirësia më e thellë.”[4]

Heshtja është prehër i fjalës. Në prehrin e heshtjes fjala bëhet vatër e mirësisë. Shën Benedikti, duke e cilësuar heshtjen si “taciturnitas,” që nënkupton dashurinë ndaj heshtjes, që përbën edhe shpirtin e jetës murgjerore, porosit se heshtja dhe dëgjimi i përket nxënësit: “tacere et audire discipulum convenit.” (Bendikti, Regula 6). 

Heshtja nuk improvizohet. Çdo vegël për të mbërritur heshtjen është “kitsch” i heshtjes. Sikur ka në art “kitsch,” ka edhe “kitsch” në heshtje. Heshtja është aty ku të qenit shfaqet. Më shumë ka heshtje në lojën e një fëmijë, në përqafimin e dy të dashuruarve, në përkëdheljen e nënës, në fytyrën e rrudhur të një të varfëri, në vallen e fluturimit të shpendëve, në sythin e lules që bulëzon. Me një fjalë, aty ku thjesht shfaqet krijesa është heshtja. Heshtja nuk është shurdhësi ndaj krijesës, por është hapje zanafillore ndaj saj. Asgjë nuk e kërcënon heshtjen e njëmend, sikur pandehma e panteizmit që ngulfat dhe ngulfatet në shurdhësi ndaj rendit të krijesës. “Panteizmi është mospërfillje pikërisht ndaj gjithësisë; është rrënjësisht plogështia rrënjësore që të pranojë tërë njëmendësinë e kësaj bote. Duke e humbur fijen absolute që i lidh gjërat e kufizuara në mes tyre, që i jep secilës kuptimin e saj dhe të vërtetën e saj, panteizmi i kthehet domosdoshmërisht përfytyrimit të kësaj bote relative duke bërë prej saj një hyj. Ndaj edhe fytyra e misterit, kthehet vetëm në tymnajë. Panteizmi perëndimor, i cili dora – dorës rrëshqet në kultin drejt botës materiale dhe të ndjeshmërisë, i mban për iluzion gjërat e shpirtit, ndërsa panteizmi oriental, i përqendruar në botën e brendshme të shpirtit, e mban vetëm për joshje mikluese botën e ndjeshme dhe të dukshme. Çdo panteizëm në pandehmat e veta teorike për të hyjnizuar botën, mbaron në gjymtim të krijesës.”[5]

Aty ku mohohet krijesa, mohohet edhe heshtja. Asgjë nuk i kundërvihet heshtjes sikur qëllimi. Qëllimi është sajim. Sajesa qëndron vetëm për të joshur. Flaka e saj është të yshturit për të joshur sa më shumë dhe sa më shumë josh, aq më e pa pangopur bëhet. Bile, duke ngrenë bëhet edhe me e uritur. Joshja është pangopësi e pangopur. Heshtja nuk është joshje e qetësisë, por është rrokje e njëmendësisë. 

Heshtja s’ka qëllim. Trajta e saj është virgjërore, siç është drita. Jo pse është e paprekshme, por sipas vetë natyrës së saj ontologjike është plotësi e plotë. Nuk kërkon asgjë, thjesht është. Ajo qëndron në trajtën e saj. Trajta e heshtjes e shquan thelbin dhe përmbajtjen e saj. 

Pikërisht për këtë heshtja bëhet tërheqëse për krijuesit: për poetin, mistikun, kompozitorin. Krijimtaria e tyre bëhet tërheqëse falë trajtës e cila shquhet dhe shquan përmbajtjen dhe thelbin e krijimit të tyre. Ato falin një dritë zanafillore, mbase mbajnë në vete një heshtje virgjërore të plotësisë që plotëson, sa herë që shfaqen. Janë të mbjella në heshtje dhe mbjellin heshtje.

Hiri i heshtjes nuk është privilegj vetëm i krijuesve. Me siguri, heshtja e mbjellë nga veprat e tyre është mahnitëse, por fryti i saj mblidhet vetëm në përsosjen e përmbushjes në “Amen-in” e pambaruar të Lavdisë së Hyjit, që do të përfshijë mbarë krijesën. “Heshtja është fshehtësia e botës që do të vijë.”[6] Kremtimi i veprave të Mbretërisë së Hyjit është duvaku nusëror i heshtjes, që fal Dritën e Zanafillës dhe Zjarrin transfigurues të Apokalipsës. Përmes heshtjes bëhet e tejdukshme drita e Zanafillës: “Në heshtjen e Hyjit është heshtja e Zanafillës, e krijesës dhe e fillimit, që rishtazi shfaqet.”[7] Në heshtje është i përmbledhur edhe Zjarri i Apokalipsës, që shfaq “tokën e re dhe qiellin e ri.” (Zb 21, 1) 

Heshtja është duvaku i endur nga drita e Zanafillës dhe Zjarri i Apokalipsës, që tejfiguron krijesën në shkëlqimin e Mbretërisë hyjnore. Lavdia e Hyjit është kurora dhe kurorëzimi i krijesës. Psalmtari i cili thur këngën e lavdeve që është frymëmarrja e lirisë së krijesës, duke kundruar misterin e Hyjit në heshtje, heton se ajo është lavdërim për Hyjin: “Tibi silentium laus.” (Ps 64, 2). 

Heshtja është vesë e hirit të heshtur, përmes të cilës thuret dhe epikleza e lavdisë së Hyjit me rrahje të pashqyrtueshme, mu në zemrën e krijesës. Heshtja është balsami shugurues i krijesës, e cila e thur krijesën me Dritën e Zanafillës dhe me Zjarrin e Apokalipsës. 


[1] H. E. MUÇA, Nga “Prushi i bukurisë” tek hiri i “Syve të heshtjes,” në: A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, Vëll. 3, Shtëpia Botuese Faik Konica – Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019, f. 133. 

[2] A. N. BERISHA, Sytë e heshtjes, f. 95.

[3] M. PICCARD, Il mondo del silenzio, Servitium 2014, f. 24.

[4] M. PICCARD, Il mondo del silenzio, f. 37.

[5] G. THIBON, Il tempo perduto, l’eternita trovata, D’Ettoris Editori 2018, f.35t.

[6] ϹЄРAФІM СAРOBСКИ, Пророk љyбaви божије, Бeoгрaд 2007, f. 51.

[7] F. MANNS, Simboli biblici, Chirico 2013, f. 65.

Filed Under: Opinion Tagged With: Don Robert Kola, Heshtja

USNS Comfort ankorohet në New York

March 30, 2020 by dgreca

– Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, që mbërriti në Pier 90 në Manhattan në orën 10:42 am, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00 për ata që nuk ruajnë distancën 6 feet.

           Anija spitalore USNS Comfort mbërriti në New York të hënën në mëngjes për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

        Anija e dërguar të Shtunën nga Presidenti Trump nga Stacioni Detar Norfolk në Virxhinia, mbërriti në Pier 90 të Manhattan në 10:42 të paradites të sotme dhe turmat kureshtare u vërsulën për të parë nga afër pa respektuar distancat e rekomanduara nga ekzekutivi.

       Anija ka një kapacitet prej 1.000 shtretërve dhe për këtë situatë është shumë e nevojshme, pasi infeksioni i COVID-19 vazhdon të tendosë kapacitetet e spitaleve.

       Guvernatori Andrew Cuomo paralajmëroi ardhjen e përforcimeve, duke përcjellë një video të xhiruar nga një anije e Policisë së Shtetit në Nju Jork, që shoqëronte Komfortin prej 70,000 tonësh.

” USNS Comfort sjell në Nju Jork 1.000 shtretër spitalorë aq shumë të nevojshëm”, ka thënë Cuomo.

Comfort është i pajisur me 12 salla operative dhe ka një staf të plotë mjekësh, infermierësh dhe specialistësh mjekësorë.

Sipas komenteve pritet që Comfort të trajtojë pacientët me lëndime dhe sëmundje të tjera, duke çliruar shtretërit spitalorë të qytetit për ata që kanë më shumë nevojë për to.

Cuomo ka thënë se NYC do të kërkojë të paktën 140,000 shtretër spitalore.

Guvernatori ka urdhëruar spitalet në mbarë vendin që të rrisin kapacitetet e tyre për një minimum prej 50 përqind, ndërkohë që qeveria federale ka ndihmuar me Javits Center, që ka një kapacitet me 1 mijë shtretër.

Ndërkohë, një organizatë e ndihmës ungjillore e krishterë të Dielën ngriti tendën e parë në kuadër të 14 të tillave që do të përbëjnë spitalin fushor në lëndinën Lindore të Central Parkut, me kapacitet 68 shtretër.

Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00

Turmat injoruan rregullat e mbajtjes së distancës sociale të Nju Jorkut dhe mbushën anën perëndimore të Manhattan të hënën, 30 Mars, për të parë anijen spitalore të marinës amerikane, që ka mbërritur për të dhënë ndihmën e nevojshme për koronavirusin.

Njerëzit qëndronin krah për krah, madje bënin edhe fotografi pranë USNS Comfort ndërsa u tërhoqën në Pier 90 pranë Rrugës West 50 rreth orës 10:40 të mëngjesit. Disa tundnin flamuj amerikanë dhe të tjerë u afruan ngjitur me njëri tjetrin pranë skelës.

Të paktën një duzinë policësh të NYPD qëndronin pranë dhe fillimisht nuk i shpërndanë kalimtarët, duke i lënë kureshtarët të bënin fotografi.

Nga ana e tij kryebashkiaku ka paralajmëruar se shkelja e rregullave do të ndëshkohet. De Blasio ka thënë se Njujrokezët që injorojnë urdhrat nga zyrtarët e qytetit për të ruajtë distancën 6 feet mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh.

“Qëllimi është vetëm t’i bëjmë njerëzit që të respektojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të gjithëve,” tha de Blasio për NY1 të hënën në mëngjes.

Spitali lundrues u dërgua në Nju Jork për të lehtësuar spitalet e tejmbushur nga pacientë të prekur COVID-19. Më shumë se 1.000 njerëz në shtet kanë vdekur nga virusi, tha guvernatori Andrew Cuomo të hënën nga Spitali Javits Center, i cili tani është duke u përdorur si një spital fushor.

Cuomo përshëndeti USNS Comfort në një mesazh të hënën në mëngjes, duke shkruar se ardhja e anijes “do të mbahet mend”. “Kapaciteti spitalor që shtojmë tani do të shpëtojë jetë,” shkruajti guvernatori, duke shtuar: “Zoti e bekoftë New York-un”. USNS Comfort ëhsët para në New York për herë të fundit me rastin 11 shtatorit tragjik. Më pas Cuomo dha një konferencë shtypi.

Përgatiti:Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, USNS Comfort

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT