• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

KËSHILLË OPOZITËS PARLAMENTARE: GJENI NJË RRUGË QË T’I SHËRBEJË TË ARDHMES SË SHQIPËRISË!

March 4, 2020 by dgreca

– Pas vitit 2013-të sistemi i rregullave të demokracisë së brendëshme, kushtetutshmëria e shtetit ligjor, janë  tronditur rëndë, janë në disekuilibër, janë  zhbërë. /

– Balanca midis pushtetit ekzekutiv, legjislativ e gjyqsor është prishur se të gjitha pushtetet janë përqëndruar tek ekzekutivi (thënë shkurt tek Edi Rama). Hapsira kushtetuese e ligjore që u takon opozitës ,Presidentit, medias e shoqërisë civile  është ngushtuar me ligje të njëanëshme si në  shteteve autokratike etj./

NGA ASLLAN  BUSHATI/

Të nderuar deputetë opozitare;

Në gjykimin tim, çdo qytetar i thjeshtë i Republikës Shqipërisë (qoftë bari në mal , në mes të Tiranës apo emigrant në Amerikë, si unë), duhet të jetë i përgjegjshëm për detyrimet që ka para atdheut si person. Kurse një deputet, vetkuptohet se ka përgjegjesi  shumë më të madha, për veten dhe masën e njerzve që përfaqson (qoftë edhe përfaqsim i kontestuar).

Të nderuar deputetë, ju jeni dëshmitar (siç do shqiptar tjetër), që përballë syve tanë po ndodhin gjëra  madhore që mund të emërtohen si “shkatrrimi i Shqipërisë”. E them këtë sepse lindshmëria është më e ulta e të gjitha kohrave, kurse emigrimi vazhdon pa  ndalim që nga fillimvitet nëntëdhjetë, por vitet e fundit me një intensitet shumë të lartë. Me këtë ritëm ka rrezik që pas tridhjetë viteve në Shqipëri të mos ketë më shqiptar.

 Pas vitit 2013-të sistemi i rregullave të demokracisë së brendëshme, kushtetutshmëria e shtetit ligjor, janë  tronditur rëndë, janë në disekuilibër, janë  zhbërë.  Vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese për të thënë fjalën fundore se çfarë është kushtetuese e  çfarë është  jokushtetuese. Nuk ka Gjykatë të Lartë dhe sipas medias, sasia e dosjeve në pritje për shqyrtim është me mijëra, e për pasojë  zgjidhja e problemeve të qytetarve mund të llogaritet me vite.

Çeshtja e pronës nuk ka shanse të zgjidhet, as tani e as në një të ardhme të afërt. Madje vendimet e gjykatave ndërkombëtare mund ti hapin Shqipërisë  deficitin e një superborxh të ri, për njëzet- tridhjetë vitet e ardhshëshm me vendimet e gabuara që janë marrë për tjetërsim prone deri tani.

Shëndetsia e arsimi janë  në degradim  e sipër, sa nga largimin në emigracion (i personelit të specializuar për këto fusha)  e sa nga  mungesa e investimeve  dhe  mbi të gjitha për politikat qeverisëse  rrumpallë të  Edi Ramës.

PPP-të, koncesionet, neopotizmi në ankande, politikat fiskale të padrejta  e lejimi i përqëndrimit të  sasisë më të madhe të të ardhurave në  një numër prej gati dhjetë personash  afër qeverisë, ka asfiksuar ekonominë dhe  ka mbyllur derën perspektives për biznesin e vogël,  brezin e ri, fëmijët e tanishëm, ashtu edhe për breznitë e  ardhëshme .

Balanca midis pushtetit ekzekutiv, legjislativ e gjyqsor është prishur se të gjitha pushtetet janë përqëndruar tek ekzekutivi (thënë shkurt tek Edi Rama). Hapsira kushtetuese e ligjore që u takon opozitës ,Presidentit, medias e shoqërisë civile  është ngushtuar me ligje të njëanëshme si në  shteteve autokratike etj.

Gjithë kjo katrahurë është  bërë stresuese për njerzit e thjeshtë, bizneset, intelektualët e vecanërisht për rininë.

Përgjithsa më lart, të nderuar deputetë të opozitës parlamentare, po përmend Zonjën  Hajdari, Zotin Murrizi, Zotin Lita.. etj, deri tek më i fundit,  ju bëj thirrje publike si qytetar, si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare , si intelektual i fushës ushtarake, si emigrant e si opinionist në shtyp,  lutem të merrni  një vendim shumë të rëndësishëm si më poshtë:

Së pari: ditën që do të miratohet paketa e reformës zgjedhore, menjëherë pas votimit, dorzoni mandatin e deputetit. Me këtë veprim do ti bëni  më së pakti një të mirë së ardhmes duke shpejtuar zgjedhet e parakohëshme dhe do të rifitoni një pjesë të reputacionit të humbur.

Së dyti: situatën në Shqipëri,  duhet të vetdijësoheni se do ta rregullojnë , vetëm e vetëm shqiptarët. Ata  do të mundësojnë  vendosjen në baza kushtetuese e ligjore  të cdo gjëje. Mos prisni ndonjë gjë nga qielli.

Mbetem me shpresë se thirrjen time, do ta  mirkuptoni, për të  gjetur një rruge  që mund ti shërbejë të ardhmes së Shqipërisë.

Me shumë respekt për Ju.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, thirrje

NAIM ABAZI: I THOSHA VETES DIKUR-SI MUND TA PREK VATRËN SHQIPTARE TË AMERIKËS?

March 4, 2020 by dgreca

ARTISTËT E SHQUAR NAIM ABAZI DHE MIHRIJE BRAHA VIZITUAN VATRËN DHE URUAN KRYETARIN ELMI BERISHA/*

Artistët e shquar Naim Abazi dhe Mihrije Braha ishin të Martën me 3 Mars 2020 në selinë e Vatrës për të uruar mikun e tyre, Kryetarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha.

Naim Abazi gjatë kësaj vizite u shpreh:  I thosha vetes dikur: Si ta prek Vatrën, si ta vizitoj Vatrën Shqiptare, këtë Kështjellë, ku u farkua Kombi shqiptar dhe nga ku foli Shteti i munguar kur rolin e tij e luante Vatra. Jam rritur me emrin e Vatrës tonë të dashur që në fëmijëri. Dhe ja sot, me 3 mars 2020 jam këtu dhe më pret miku im, kryetari i saj i ri, i pari shqiptar i Kosovës në Fortesën shqiptare të Amerikës. Ndjehem fort mirë në këtë Kështjellë, ku ruhen 108 vite histori kombëtare….Sot këtu po më këndon shpirti në atë sloganin”Lum Ti Moj Shqipëri Thash’/ Gjithë Vatranët kur i pashë…”

          Le të rroj Vatra bashkë me veprën e saj , me mendimin shqiptar dhe le të bekohet Gjaku shqiptar këtu në Tokën e Lirisë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët! Respekt në jetë të jetëve Vatrës dhe vatranëve!

Këngëtarja Mihrije Braha tha se ndjehej e lumturuar që po prekte historinë e Vatrës. Më lejoni, u lut ajo, që të fotografoj dhe të marr me vete pjesë të historisë tonë Kombëtare! Faleminderit për pritjen!

Kryetari Berisha i falenderoi miqëtë e tij artistë për nderin që i bënë Vatrës dhe atij personalisht duke ardhru në Shtëpinë e Vatranëve. Shkurtazi kryetari i Vatrës u prezantoi mysafirëve Vatrën e  pas Kuvendit të 19 Janarit 2020, vatrën e shekullit XXI, duke u ndalur në të ardhmen e saj, nën mandatin e tij 2 vjecar.

Editori i Dielli shpalosi para mysafirëve fragmente nga historia e Vatrës dhe e Diellit. Gjatë vizitës së mysafirëve kryetari i Vatrës shoqërohej nga nënkryetari Ervin Dine, anëtarët e kryesisë Anton Raja, Zef Balaj, arkëtari Marjan Cubi, anëtari i këshillit Gëzim Nika etj. Gjatë pritjes ishin të pranishëm edhe dr. Adem Sinani dhe dr. Naim Dedushaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Naim Abazi

Po, sa mbialeanca iu duhen shqiptarëve në Ballkan?!

March 3, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr. Mehdi Hyseni/

Ne me kroatët jemi në aleancë që nga shekulli XII, si dhe kemi të njëjtën gjenezë ilire. Ndaj, nuk na duhen kurrfarë aleancash të reja, sepse  kemi mirëbesim dhe e njohim shumë mirë njëri-tjetrin (edhe në luftëra mbrojtëse, edhe në paqe, edhe në shkencë, edhe në kulturë  edhe në art etj.). Sa i respektojmë dhe sa i duam kroatëtë, këtë e dëshmuam me pushkë në një front të përbashkët në luftën mbrojtëse kundër agresorit të përbashkët  çetniko-fashist serb për çlirimin, për pavarësimin dhe për  lirinë e Kroacisë (1990-1995).

*** Praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare ka provuar se, krijimi i aleancave ndërshtetërore bëhet në kushte dhe në rrethana shumë specifike dhe të jashtëzakonshme, kur rrezikohet sovraniteti territorial i ndonjë shteti, ose kur për hir të interesave hegjemoniste dhe kolonialiste vjen në shprehje përputhja e interesave  gjeopolitike, strategjike dhe ushtarake e disa shteteve. 

Shumë çudi e madhe, në kohë paqeje, politika dhe diplomacia e jashtme e Shqipërisë me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Jashtëm Gent Cakaj në krye, po nxitojnë për lidhje aleancash me ballkanikët, mirëpo, në kohë lufte, kur digjej Kosova dhe 2 milionë gjysmë shqiptarë, Shqipëria nuk pati pranuar të hynte në Aleancën ushtarake me UÇK-në për ta mbrojtur Kosovën nga terrori dhe gjenocidi i Serbisë (189-1999), e tash po duaka  “aleancë sepeciale” me Kroacinë, kinse për ta “zbatuar njëfarë strategjie të përbashkët”, gjoja për ta frikësuar Serbinë. Mirëpo, nuk ka pse të formohet aleanca me Kroacinë, kur Shqipëria është  në Aleancë me Serbinë.

Megjithatë, i lutem Zotit, që ajo farë “strategjie e përbashkët” të mos e prek Kroacinë, se do ta gjente i njëjti fat sikurse Kosovën më  1999, që e lanë në zjarin dhe në gjenocidin e Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Objektivi parësor i politikës së jashtme strategjike të Kosovës-ADEMRIMI NË OKB, jo në aleancat  e moçaleve ballaknike  antishqiptare !

Pranmdaj, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, duhet ta refuzojë  propozimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, kinse për formimin e një alence të re me Kroacinë, sepse nuk është koha e krijimit të aleancave, të antantave dhe të pakteve ballkanike, por aderimi i Kosovës në OKB, në Aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian (BE). Ky duhet të jetë objektivi parësor strategjik nacional dhe shtetëror  i politikës dhe i diploamcisë së Republikës së Kosovës.

Për më tepër, Kosova nuk duhet të aderojë në asnjë aleancë, JASHTË AMERIKËS, NATO-s dhe BE-së.

Si mund të hyjë Kosova në një aleancë me Shqipërinë, qoftë kur është fjala edhe për Kroacinë, kur Shqipëria tanimë ka hyrë në aleancën e quajtur  Minishengeni Ballkanik  me Serbinë dhe me Maqedoninë e Veriut?

-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta pengojë iniciativën e minsitrit të Jashtëm Gent Cakaj për hyrjen në aleancë të Shqipërisë dhe të Kosovës me Kroacinë.

Aleancat krijohen vetëm kur shteti rrezikohet nga ndonjë agreson dhe invadim i huaj

Mirëpo, hëpërhë as Kosova e as Shqipëria nuk  kërcënohen nga një ivadim i tillë, sepse janë të mbrjtura nga Amerika dhe nga Aleanca e Atlantikut Verior-NATO.

Prandaj, as minishengeni i Ramës, as iniciativa propozuese e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj për hyrjen në aleanca me shtetet ballkanike, nuk duhet pranuar as Kosova e as Shqipëria, sepse janë të dëmshme për interesat naconale komplementare  me aleatët evro-perëndimorë të tyre.

Kosova ka pasur nevojë për ALEANCËN E MADHE HISTORIKE ME AMERIKËN DHE ME NATO-n, sepse u rrezikua nga agresioni dhe gjenocidi i Serbisë. Kështu që, kjo aleancë evro-perëndimore ishte plotësisht e pranueshme edhe nga shqiptarët; e ligjshme edhe nga  Amerika, edhe nga OKB-ja, edhe nga NATO-ja (1999), sepse shpëtuan 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga masakrat dhe nga gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Mirëpo, sot, shqiptarëve  nuk iu nevojiten kurrfarë minialeancash e as mbialeancash me vendet ballkanike, sepse, tanimë  janë në ALEANCË me AMERIKËN, me NATO-n dhe me BE-në. Ndërkaq, çdo aleancë tjetër e Shqipërisë dhe e Kosovës me shtetet rajonale, është një zero e madhe dhe, një gabim i pariparueshëm politik, diplomatik, strategjik, kombëtar dhe shtetëror. Me një fjalë, JASHTË ALEANCËS EVRO-PERËNDIMORE, të gjitha minialeancat e tjera hibride ballkanike të shqiptarëve, janë  “dushk për gogla” sa për të tretur energji të kotë (duke harxhuar para të buxhetit, për të shetitur poshtë-lart nëpër “metropolet” e aleanacave ballkanike, kinse nëpër “samite me interes të përbashkët strategjik”?) dhe për të shteruar burimet dhe mjetet ekonomike dhe fiannciare,duke u shpërqëndruar nga interesat, nga bashkëpunimi dhe nga bashkëveprimi reciprok strategjik afatgjatë me Amerikën, me NATO-n dhe me BE-në.

Pse  aleancë mbi aleancë me Kroacinë, kur Tirana dhe Zagrebi, tanimë që nga viti 2009 janë në Aleancën e Atlantikut Verior-NATO-n dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Pse  aleancë mbi aleancë, kur Kroacia është anëtare e BE-së, dhe, së shpejti pritet që edhe Shqipëria, do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian sikurse Kroacia?

Gjithashtu, pse aleancë mbi aleancë ballkanike si Aleanca  e Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore) e kryeministrit Edi Rama, dhe, tani, së fundi nga  “polli” ideja, edhe  për një alancë mbialeancë: Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, të “dizajnuar” nga ministrii i Jashtëm, Gent Cakaj,  gjë që kjo iniciativë absurde dhe naïve  është përgjigje direkte (gjoja alternativë)  Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore) të “arkitektit” Edi Rama, mbase Aleanca  (Shqipëri, Kosovë, Kroaci), do të jetë e pranueshme për strategjinë politike dhe diplomatike shtetërore të Republikës së Kosovës, në krahasim me hedhjen poshtë të Minishengenit Rama-Zaev-Vuçiq (2019).

Kjo farë iniciative naïve dhe komike, është bërë sa për të bërë cirk dhe lojëra të pakufijshme me diplomacinë e  Tiranës dhe të Prishtinës, gjoja për ta pajtuar Edi Ramën me  përfaqësuesit zyrtarë të Kosovës, domethënë, se në këtë mënyrë perfide alladiplomatike, ata të lëshojnë pe, dhe të pranojnë strategjinë antikombëtare dhe antishtetërore të Minishengenit Ballkanik  serbomadh.

Gjithashtu, ata liderë politikë dhe diplomatë shqiptarë  (Edi Rama dhe  Gent Cakaj… etj. me aleancat e  tyre) që shohin ëndrra në diell për të krijuar aleanca të reja  me shtete ndryshme balkanike, keq mashtrohen se  do të mund të zbatojnë  ndonjë “ojektiv unik strategjik” JASHTË OBJEKTIVAVE DHE KORNIZAVE  GJEOSTRATEGJIKE  të Aleancës së NATO-s, të  Uashingtonit ,  sepse Shqipëria si anëtare e tyre nuk ka asnjë shans që të zbatojë ndonjë “strategji të përbashkët” speciale me Kroacinë, ose me ndonjë vend tjetër rajonal, JASHTË ALEANCËS   EVROPIANE PERËNDIMORE.

         Aleancat e vendeve të vegjël janë një zero në skenën e marrëdhënieve politike ndërombëtare

Në kuptimin e zbatimit të rregullave, të normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare  dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara derisa një shtet ka marrëdhënie normale dhe miqësore diplomatike(de fakto dhe de jure) me një shtet tjetër, sikur që është rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës me Kroacinë,  nuk ekziston kurrfarë arsye, që të “lodhet aq shumë” ministri Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, duke propozuar një Aleancë të re ndërshtetërore me Kosovën dhe me Kroacinë,  kinse “për t’i thelluar marrëdhëniet dhe për t’i zbatuar objektivat e përbashkëta strategjike”.

-Pse atfarë “thellimi të marrëdhënieve” mes dy vendeve, nuk ka paska mundësi që ta bëjnë ambasadat në Tiranë dhe në Zagreb, por, sipas G. Cakajt, po u dashka një  aleancë jashtë protokollit të marrëdhënieve ndërshtetërore diplomatike mes Shqipërisë dhe Kroacisë, apo mes Shqipërisë dhe Serbisë, siç është aleanca e “Minishengenti Ballkanik”?!

-S’ka çfarë të “thellohen” , as të ngushtëhen e as të zgjerohen marrëdhëniet  Tiranë-Prishtinë-Kroaci jashtë rregullave, normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, duke krijuar ALEANCA dhe MINISHENGENE  të copëtuara dhe të shemtuara ballkanike, që të kujtojnë historinë e hidhur të ALEANCAVE dhe të ANTANTAVE  SLLAVE, që sollën luftërat ballkanike (1912-1914),  Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), ku më së keqi pësuan shqiptarët dhe Shqipëria Etnike ngase u copëtuan, u ankesuan dhe u kolonizuan me gjencid nga shtetet fqinje sllave me ndihmën e fuqive të mëdha të Evropës.

Shqiptarët duan shkolonizim dhe bashkim, jo alenaca dhe mbialeanca të tandemit Rama- Cakaj !

Mirëpo, kryeministri Edi Rama dhe Gent Cakaj duan aleanca edhe me Serbinë, edhe me Maqedoninë, edhe me Kroacinë. –Pse gjithë këto aleanca me ballkanikët?!

Ja, edhe inicijativa më e re e  Gent Cakajt (ministër i Jashtëm i Shqipërisë: “Pas bisedave me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Goran Grlië-Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës”. (https://www.kosova-sot.info/lajme/448714/themelohet-aleanca-kosove-shqiperi-kroaci-ndash-cakaj-tregon-per-takimin-e-pare/).

Çfarë absurdi,  “për të thelluar marrëdhëniet dhe për bashkëpunim, duam aleancë  me Kroacinë”?!

-Po, atëherë, çfarë roli po luakanë ambasadat  në Tiranë dhe në Zagreb?!

-JO, jo, nuk kemi nevojë për aleancë  të re me Kroacinë, sepse shqiptarët  janë në lidhje të lashtë historike aleatore dhe miqësore me kroatët, që nga Republika e Dubrovnikut (1358). Kështu që, sot, në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, nuk  ekziston kurrfarë arsyeje për lidhjen e ndonjë Aleance të Re me Kroacinë, sepse me shekuj jemi pranë njëri-tjetrit, duke qenë se kemi një gjenezë të përbashkët ilire  (histori, kulturë, shkencë, art etj.).  

Prandaj, kjo “filozofi matematikore” e G. Cakajt, disa shekuj, është  e vonuar dhe jashtë kohe. Mirëpo,  është “interesante”, se përputhet me diplomacinë e kryeministrit të vet, Edi Rama, i cili e ka futur Shqipërinë në Alencën e Minishengenit Ballkanik me Serbinë dhe me Maqedoninë Veriore (2019).

-Pse tash, MBIEALEANCË me Kroacinë?

– Në sa aleanca, do ta fusni Shqipërinë?

–Kjo strategji  e hyrjes në shumë aleanca, është plotësisht e gabuar dhe e dëmshme si për inetresat vitale kombëtare, ashtu edhe për ato shtetërore, kur dihet se Shqipëria është në ALEANCË ME AMERIKËN, ME NATO-n DHE, NDOSHTA, NESËR EDHE ME BASHKIMIN EVROPIAN.

Vetëm në këtë sfond aleator dhe të partnerizmit amerikan dhe evropian perëndimor,  politika dhe diploamcia e  Shqipërisë dhe e Kosovës, mund ta realizojnë strategjinë e tyre të përbashkët, e jo kurrsesi në minialeanca rajonale dhe ndërajonale qoftë me Serbinë, qoftë me Kroacinë, qoftë me Greqinë, qoftë me Maqedoninë, apo me Malin e Zi.

Sipas ministrit Cakaj, qëllimi i formimit të kësaj Aleance të re (Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci) qenka “ Thellimii i marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimi i objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”. (Po aty, “Kosova Sot”).

Mirëpo, Kosova dhe Shqipëria si anëtare e NATO-s kanë  marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi  me Republikën e Kroacisë si anëtare e NATOs dhe e BE-së (politikë, ekonomi, tregti, diplomaci, kulturë dhe shkencë).

Prandaj, është nonsens diplomatik të kërkohet ndonjë  “lidhje speciale”, apo aleancë me Kroacinë tonë mike shumëshekullore, kur dihet se Shqipëria ka marrëdhënie  normale dhe të shkëlqyera diplomatike me Republikën e Kroacisë.

 –Çfarë aleance e re nevojitet në këtë rast?

– Gjoja  për “thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve…” !?

– Po, de fakto dhe de jure këto marrëdhënie diplomatike ekzistojnë mes Tiranës dhe Zagrebit, qëkur Shqipëria e ka njohur Republikën e Kroacisë (1992).

–Çfarë ka këtu, të “thellohet më shumë” , (madje, edhe të lidhet  njëfarë aleance me Kroacinë!?) në kuptimin e  zhvillimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet  Shqipërisë dhe Kroacisës sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

-Vërtet, nëse kemi parasysh rëndësinë dhe prioritetin e vënies në jetë të objektivave  strategjike afatgjata kombëtare dhe shtetërore të  Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan, atëherë, as Shqipëria e as Kosova nuk kanë asnjë arsye, që të aderojnë në aleanca  me asnjë shtet tjetër ballkanik, sepse, tanimë  ndodhen në aleancat e tyre-Amerikën dhe NATO-n (1999-2020).

Prandaj, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca nuk duhet të pranojë një propozim të tillë naiv dhe absurd të homologut të tij në Tiranë, Gent Cakaj, sepse ka për qëllim pajtimin  dhe riafrimin e kryemiistrit Edi Rama me qeverinë e Kosovës, duke qenë se ia pat huqur me krijimin e aleancës së Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore), me ç’rast u vetizolua nga Kosova.

Shqiptarët nuk janë superfuqi si Amerika, që të krijojnë aleanca në mbarë botën

Ne, duhet t’ia dimë hallin vetes, si dhe t’i kemi parasysh obligimet dhe përgjegjësitë që i kemi ndaj partnerëve tanë, siç janë Amerika, NATO-ja dhe BE-ja, të mos thyejmë qafën nëpër disa aleanca  mini , apo makro shengene ballkanike, sepse kjo është vetëm bjerrje kohe, që nuk shpie në Evropën Perëndimore, por vetëm në  stagnimin dhe në fundosjen shekullore të “ujërave  të amullta” ballkanike.

Realisht, derisa shqiptarët kanë hyrë në aleancë me Amerikën, me NATO-n dhe, po pretendojnë të hynë edhe në BE, është e absurde, qesharake, iracionale dhe krejtësisht e panevojshme  që të shumëfishohen aleancat e  Shqipërisë dhe të Kosovës, përkatësisht të  shqiptarëve në Ballkan.

Shqipëria e as Kosova nuk kanë nevojë për Aleancë të re me Kroacinë, sepse gjenezën dhe fatin e kanë të përbashkët që nga shekulli i mesjetës

Derisa Shqipëria dhe Kroacia janë aleatë të NATO-s, si dhe të Amerikës, nuk ka asnjë nevojë që Shqipëria dhe Kosova, të lidhin Aleancë të re me Kroacinë, sepse historikisht dihet që shqiptarët dhe kroatët kanë pasur lidhje të ngushta bashkëpunimi dhe kanë bashkëjetuar me shekuj, që nga themelimi i Republikës Raguza (Dubrovniku) më 1358 e deri më sot në dekadën e dytë të shekullit XXI). Këtë afërsi, mirëbesim dhe miqësi me popullin kroat, së fundi e vërtetoi edhe pjesëmarrja e qindra shqiptarëve në luftën mbrojtëse të Kroacisë kundër Serbisë agresore dhe gjenocidale (1990-1995).

Prandaj, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë pse të lidhin “aleancë të re” me Kroacinë, sepse ne  jemi në aleancë dhe miq  me kroatët shumë shekuj më parë.

Pra, shikuar historikisht, shqiptarët dhe kroatët , jo vetëm që kanë pasur, por edhe sot kanë pikëpjekje afrie dhe bashkëpunimi kulturor,  shkencor, politik, diplomatik, ekonomik e tregtar, mbase shumica pej tyre kanë edhe të njëjtën gjenezë ilire sikurse shqiptarët . Këtë të vërtetë historike me veprat e tij shekncore, e dëshmoi edhe akademiku dhe shkencëtari kroat me prejardhje shqiptare, Aleksandar Stipçeviq, ilirolugu më i shquar në Ballkan.

Sa më sipër, Shqipëria dhe Kosova, realizimin e  objektivave dhe të interesave të tyre gjeostrategjike, gjeopolitike , gjeoekonomike, të zhvillimit, të mbrojtjes, të sigurisë, të bashkëpunimit, të paqes dhe të mirëbesimit reciprok me Kroacinë mike, duhet t’i kërkojnë në kuadrin e partneritetit dhe të bashkëpunimirt me të  në BE, në NATO, në OKB, në OSBE dhe në Amerikë, si faktori më relevant   aleator dhe miqësor i shqiptarëve në Ballkan.

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCAT

MBROJTJA E KUSHTETUTËS APO FUNERALI I SË DJATHTËS

March 3, 2020 by dgreca

NGA VALENTIN LUMAJ/

Kushdo që ndoqi mitingun madhështor të Metës në Bulevardin e Dëshmorëve, ka ndjesinë se gjërat po ndryshojnë. Nuk është e vështirë te kuptosh se “rrjedha e lumit” po shkon në “mudhirin” e LSI-së

Erdhën qindra e mijëra nga ana e anës, ashtu siç ju servir, në mbrojtje të Kushtetutës. Jam i bindur, sikurse mund të jeni edhe ju, që një pjesë e mirë e tyre as nuk e dinë egzakt se ku u shkel Kushtetuta. Shume të tjerë as nuk e kanë atë merak. Dua të them që shumica e tyre ishin qytetarë të sfilitur, të dërmuar nga keq-qeverisja, nga mashtrimet dhe varfëria. Në atë miting pati LSI-stë me bindje, apo më se shumti nga këta, punonjës administrate të emëruar në mënyra koruptive ndër vite nga LSi-ja. Pati edhe socialiste që me të drëjte ndihen të braktisur dhe që tek Meta shohin një socialist më të mirë se Rama. Por që shumica e tyre ishin demokratë.  Po demokratët çfarë kërkonin në mitingun e Metës? Mbrojtjen e Kushtetutës? Une nuk mendoj ashtu. Demokratët janë të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar. Ata, së bashku me kryetarin e tyre Basha, shpresën e kanë tek Meta. Pa Metën ata janë në opozitë përgjithmonë. Në qoftë se ky nuk është nje truk PS-LSI, atëherë i bie që Meta po i shfrytëzon me persosmëri dobësitë e të dyja partive të mëdha, dështimin e qeverisë realizimin e premtimeve dhe të integrimit nga njëra anë dhe dështimin e opozitës në misionin e vet nga ana tjetër. Ai po luan kartën e viktimës, të drejtit, te pastrit. Ai po e kryen detyrën e Presidentit, de-jure në mbrojtje të Kushtetutës, por de-fakto po fuqizon partinë e tij, po e rrit elektoratin me prurje te reja nga e djathta, po vetë-pastrohet nga akuzat e hershme per korrupsion, po ashtu po ju tregon nderkombëtarëve se ka mbështetjen e gjerë të popullit dhe është i paprekshëm.

Me flamurin Amerikan në dorë, nuk po kërkon mbështetjen e SHBA-ve, por të shqiptaro-amerikanëve. Janë të dukshme influenca dhe lobimi i LSI-së në popullatën shqiptare të Amerikës. Nuk ishte rastësi kur Meta në miting tha: ”ju lutem qetësi se po na dëgjojnë shqiptarët e Amerikës, VATRA dhe njerëzit tanë atje”. Le të prononcohet Vatra se kush janë njerëzit e Metës në Vatër. Unë si vatran, kam qenë dhe jam që Vatra duhet ta ruajë integritetin e saj apolitik, dhe e vetmja politike e saj duhet të jetë çështja kombëtare. Aq më tepër Vatra nuk duhet të bashkëpunojë apo mbështesë asnjë parti të majtë shqiptare përderisa ato akoma nuk kanë deklaruar dhe kryer ndarjen shpirtërore nga Partia Komuniste e Punës nga e cila derivojnë. Dikush mund te thotë se kjo ishte një mbeshtetje ndaj Presidentit dhe jo LSI-së. Unë ju përgjigjem se megjithëse z. Meta thotë se nuk është Kryetar i LSI-së dhe znj. Meta (Kryemadhi) thotë se nuk është Zonjë e Parë, në një cift, burrë dhe grua nuk kanë gjë të ndarë, cfarë është e burrit është edhe e gruas dhe anasjedhtas. Kush e lexon ndryshe të lexojë pak më shumë.

            Nga ana tjetër, LSI-ja me kryetare Znj. Meta(Kryemadhi), me look-un e ri të saj, jo vetëm fizionomik, por më së shumti të komunikimit të hapur e të drejtëpërdrejtë, të demaskimit të qeverisë socialiste, me ekulencën shpirtërore dhe fetare të shprehjes që ta ka ënda ta dëgjosh dhe në premtimet e saj, po ngjall një shpresë dhe një frymë të re në popullatën e mbetur në Shqipëri por edhe në Diasporë. Deri këtu gjithcka në rregull, nuk kam ndonjë ankesë per ta. Ne fund te fundit kam zili për njerëzit që punojnë dhe i përgëzoj: Shumë bukur z. dhe znj. Meta. Bravo ju qoftë. Më në fund rilindja socialiste po vjen nëpërmjet jush. I vetmi problem është se unë si djathtë (dhe shumë të tjerë si unë) nuk perfaqesohem nga LSI-ja sado joshëse t’i keni ofertat. Ne botëkuptimin tim e ardhmja dhe prosperiteti i Shqipërisë do të vijë nga e djathta.

Ndërsa në botën përëndimore po triumfon e djathta, Shqipëria jonë mbetet socialiste, me Partinë Socialiste dhe Levizjen Socialiste që ka gjasa të bëhet parti e dytë për nga madhësia. Partia Demokratike dhe e djathta ndodhen në ditët e tyre më të vështira. Në shtatë vitet e fundit të qeverisjes famekeqe Rama, shtresa e ndjeshme e shoqerisë, studentët, intelektualët e rinj dhe masa punëtore, shpresat i varen tek Partia Demokratike, e cila denoncoi në cdo rast, dhe mbas qindra rasteve, pati qindra arsye që ta rrëzonte këtë qeveri-bande kriminelësh dhe hajdutësh të paskrupullt. E vërteta është se ajo dështoi totalisht në këtë mission. Dalja nga parlamenti pa një plan startegjik, dhjetra mitingjet e saj madhështore dhe retorika e pafund e denoncimeve nuk prodhoi asgjë. Qeveria ndihet më e sigurtë se në ditën sajë të parë.

Partia Demokratike është në rënie të lirë.  E djathta shqiptare nuk perfaqësohet sot as në parlament e as në rrugë. Kjo pikiatë nuk filloi por kulmoi dje në mitingun e Metës. Ajo ka filluar qysh nga dalja e PD-së nga shtrati i saj ideologjik si parti konservatore, që mbështet të drejtën e pronës dhe lufton politikat socialiste të zhvillimit. Problemet me rikthimen e pronës, mungesa e një plani të mirfilltë për zhvillimin në stabilitet të biznesit te madh, apo qasja revolucionare e marrjes së pushtetit, nuk kanë të bëjnë shumë me një parti që pretendon se perfaqëson shtresat e djathta.  Vlerat morale, cilesitë dhe idealet  mbi të cilat u krijua kjo parti, sot janë të padukshme. PD ja dhe PS-ja për nga ana e programeve dhe politikave dhe demokracise së të brendshme ngjasojnë si veza me vezë, duke bërë që qytetarët të mos e ndiejnë dallimin, dhe kalimi nga njëra parti tek tjetra të bëhet mbi bazë përfitimesh dhe jo bindjeje apo ideje. Po ashtu rënia e PD-së vazhdoi me mungesen e demokracisë së saj të brendshme. Qënia demokratike e një partie fillon nga funksionimi i demokracisë së brendshme të saj. Ndërsa Berisha dha një shembull të mirë demokratik me dorëheqjen mbas humbjes, Basha la një shije të keqe mbas humbjes së dyfishtë dhe rizgjedhjes me 99% të votave si kryetar i PD-së. Kjo dhe aspekte të tjera si përzgjedhja e deputeteve nepermjet listave paraprake dhe jo konkurencës individuale të drejtpërdrejtë, krijon nje imazh totalitar më shume se demokratik.

Në historikun e 90 viteve të fundit të partive politike, suksesi kryesor i tyre ka qenë mbijetesa nëpërmjet krijimit te kultit të individit. Hoxha, Berisha, Nano, Rama dhe tashmë edhe Meta me këto daljet e tij spektakolare, kanë krijuar kultin e tyre unik, ndërsa Basha nuk ka arritur akoma të sajojë “unin” e tij të veçantë si lider i masave disa-milionëshe. Lidershipi i dyzuar Berisha-Basha, i pari nëpërmjet kontrollit të partisë si pasojë e inercisë së drejtimit shumë vjecare të saj, dhe i dyti nëpërmjet konjukturave të reja sipas stilit të tij,  rezultuan se nuk funsionon si duhet. Njëri duhet të marrë drejtimin i lirë nga tjetri.  Ndoshta një rikthim i Berishës qoftë edhe i përkohshëm në krye të PD-së, me një strategji të re integruese për shtresat e djathta, mund të ishte një zgjidhje më e mirë se çfarë është sot.

Ne fund te fundit, sido te jetë situata ne PD, shtresat e djathta duhet të rezistojnë fort, të riorganizohen dhe të gjejnë vetveten. LSI-ja dhe Meta nuk duhet të jenë destinacioni i tyre. E kam fjalen per familjarët dhe farefisin e të vrarëve dhe të pushkatuarve? A e mbani mend si jetuan, si dhe përse vdiqën? Mos e harroni gjakun e tyre?

E kam fjalën per të persekutuarit, të burgosurit, të internuarit, mos e harroni kërrbacin komunist? Unë nuk kam pasur të burgosur apo pushkatuar në familje, por prapë e ndiej dhimjen. Mbani mend se Meta dhe LSI-ja janë produkt i Partise Socialiste, e mbijetuar nga dekompozimi i Partisë së Punës? Mos harroni se Meta nuk ka kërkuar falje për krimet e partisë së tij origjinale.

E kam fjalen per studentët, a shohin ata më larg se tek hunda e vet? Si mund të ngriheni në greva për tarifa dhe të fleni gjumë për të ardhmen tuaj. Mbas diplomimit, sfida juaj e vertetë  duhet të jetë puna dhe vënia në shërbim të vetes dhe vendit tuaj nëpërmjet profesionit tuaj, por në fakt është sigurimi biletës së ikjes përfundimtare! Në vend që e ardhmja juaj të jetë një realizim i ëndërrave tuaja të sotme, ajo çfarë po bëni dhe çfarë nuk po bëni sot, është një kërcënim i sigurtë i së ardhmes tuaj. Pse o popull shqiptar nuk po na jep prapë studentë dhe gjimnazistë si ata te viteve ’90, por po na jep këta “viça pa brirë” të demokracisë që zbuten me përkëdhelje.

Sa keqardhje që Partia Demokratike, dikur fituese me 70% dhe e perfaqësuese e këtyre shtresave vitale të djathta, sot nuk krijon më frymë. Bashkë me frymën ka vdekur dhe shpresa se Shqipëria do të bëhet një vend i qytetëruar dhe me dinjitet si gjithe Evropa. NUK ËSHTË NAMI KUR SHPRESËN E VRET PUSHTETI, POR E KEQJA ËSHTË KUR SHPRESEN E VRET VETË OPOZITA.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbrojtja e Kushtetutes, Valentin Lumaj

DËSHMI FISNIKËRIE SHQIPTARE

March 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Këto ditë në gazetën “Dielli” on line dhe në portalin Voal.ch u botua një shkrim i shkurtër me titullin: “E pyeta Kol Bibën nji herë”. Autori i atij shkrimi është Dr. Gjon Buçaj, ish kryetari i organizatës “Vatra” në SHBA. Shkrimi bën fjalë për një bisedë që, shumë vite më parë, autori kishte zhvilluar me z. Kol Bib Mirakaj, një personalitet i njohur politik i Shqipërisë para komuniste dhe autor i një vëllimi kujtimesh historike me titull “Vetvrasja e një kombi”, një nga veprat më të mira, në mos më e mira e publicistikës shqiptare që i referohet periudhës e ngjarjeve të zhvilluara në Shqipëri gjatë luftës së Dytë botërore.

            Shkrimi sjell për lexuesin një episod të thjeshtë por shumë kuptimplotë, që lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së pushtimit italian, atë të shpëtimit të hebrenjve. Është një ngjarje e mbajtur në frigorifer nga historia zyrtare e periudhës së komunizmit, e zbuluar aty këtu nga dëshmitë e ndryshme dhe nga studimet e kryera mbi atë temë mbas rënies së regjimit. Ajo hyri në historiografinë e këtyre viteve të kalesës, e trajtuar nga studjues të ndryshëm, kryesisht Shaban Sinani, Mergim Korça etj.

 U përvehtësua nga politika që u bë e vetëdijshme nga njohja dhe vlerësimi i dukurisë nga vetë shteti i Izraelit, se shpëtimi i hebrenjve ishte një faqe e ndritur e historisë shqiptare. Por megjithatë, në gjithë këta vite, studimet për atë dukuri historike nuk janë të thelluara, mbasi ka munguar vullneti i plotë për të bërë të njohura e botuar tërësinë e vëllimit të dokumentave arkivore që pohojnë të vërtetën historike. Është kalëruar teza se dukuria ishte diçka spontane e shpirtit bujar të shqiptarëve, që u shfaq fuqishëm në vitet e luftës në të cilën në gjithë Evropën u dërguan në kampet e vdekjes rreth 6 milion hebrenj, me pak përjashtime, ndoshta ajo më e rëndësishmja ishte pikërisht Shqipëria.

            Dr. Gjon Buçaj tregon në shkrimin e tij se si, në verën e vitit 1943, ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare, Z. Kol Bib Mirakaj, kishte ndërhyrë në vetë të parë, me një përfundim të arritjes së qëllimit, për të shpëtuar nga vdekja, një tregtar hebre nga Vlora, njërin prej vëllezërve Levi, që ishte arrestuar nga SIMI italian. Ministri ishte vënë në dijeni nga  përfaqësuesi i Komunitetit hebraik pranë Qeverisë, (një institucion për të cilin nuk kemi dëgjuar asnjëherë të flitet nga historiografia komuniste) Leo Thür, dhe vëllai i të arrestuarit për veprimin e SIMI-t italian. Arrestimi ishte bërë nën njoftimin që i kishte ardhur organit se Levi i kishte dhënë një shumë të mirë parash komunistëve, të cilët i kishin djegur njërin nga dyqanet që ai kishte familjarisht në Vlorë. Koloneli italian kishte kërkuar nga familja 12.000 napolona flori.

            “Ata mund t’i jepshin paret, por kush mund të besonte se megjithate nuk do t’a ekzekutojshin.

            Kol Biba u spiegoi se, tue qenë nën okupimin ushtarak italian , qeveria nuk ka fuqi veprimi mbi ushtrinë, por megjithate premtoi se do të merrte masat e mundëshme dhe u kishte thanë të vijshin përsëri të nesërmen, në orën 6 të mbramjes. Mbas takimit, ministri kishte dërgue dy kabllograme në Vlorë, njenin prefektit e tjetrin federalit, të cilët  kishin konfirmue se faktet ishin ashtu si ia kishin përshkrue Thürr dhe Levi. Të nesërmen, Kol Biba thërret kolonelin italian në zyrë i thotë se “Ju mbani t’arrestuem nji qytetar shqiptar dhe unë kërkoj që t’i dorëzohet menjiherë qeverisë shqiptare.” “Kush asht i arrestuemi?”, kishte pyetë koloneli dhe kur ndigjon emnin e Levit, ai përgjigjet me arrogancë, më kambë gati me dalë përdere: “Ai asht arrestue sepse ka dhanë pare komunistave dhe nesër n’ora 6 të mëngjesit do të ekzekutohet!” Ministri shqiptar ia kishte këthye me ton të fortë: “Ti e pushkaton nesër n’orën 6, por unë do të hypi në aeroplan në orën 9 për Romë dhe do t’i referoj Musolinit se e ke ekzekutue pse nuk të kanë dhanë 12.000 napolona ar!” Kjo e ftofi kolonelin, i cili e ndryshoi tonin: “Shkëlqesë, por për dobinë e të dy palëvet……”. Kol Biba i kishte thanë se për dobinë e të dy palëvet ai e donte qytetarin shqiptar të dorëzuem në zyrën e tij mbrenda ditës! Ashtu edhe u ba.

            Kur Leo Thürr dhe vëllau i të burgosunit erdhën në orën 6 të mbramjes, befasia me gëzim ishte e kuptueshme, kur u takuen me të burgosunin që tashma ishte në dorën e qeverisë shqiptare, që do të thoshte edhe se jeta e tij ishte e shpëtueme. Por befasia edhe ma e madhe, ngarkue me emocion të thellë, ishte kur Kol Biba u tha se ai tash ishte i lirë dhe mund të shkonte me ta në shtëpi.

            Të nesërmen të dy vizitorët i vijnë Kol Bibës në zyre për të tretën herë, por kësaj rradhë për t’a falënderue. Ai u kishte thanë se kishte ba vetëm detyrën dhe mbas nji bisede të shkurtë, i kishte përcjellë te dera me premtimin se hebrejt në Shqipni do të kishin mbrojtjen nga qeveria si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kur asht këthye te tavolina e punës, ka vërejtë se kishin harrue nji valixhe dore. I ka thanë rojes me i thirrë të vijnë me e marrë, por kur janë këthye i kanë spjegue se nuk e kishin harrue valixhen dhe se aty ishte nji “falënderim” për shpëtimin e jetës së Levit. “Po çka asht ai falënderim?” i kishte pyetë dhe kur i kishin spjegue për shumën në franga ar që ishte në valixhe, ai e kishte marrë si ofendim. “E kuptoj gjendjen tuej shpirtnore, se përndryshe do t’u akuzojshim për tentativë korrupsioni”. Kot u munduen me u arsyetue se ai e kishte shpëtue jetën e njeriut të tyne pa kurrfarë premtimi paraprak, dhe se ata, si hebrej, e kishin obligim shpërblimin dhe mirënjohjen dhe se kjo ishte e vetmja mënyrë e mundun për ta me e nderue obligimin e tyne moral, e tjera. Mbas zemrimit në fillim, ministri asht zbutë dhe i ka ftue të ulen, ka porositë kafe dhe ka zhvillue nji bisedë të qetë me ta, u ka spjegue se për ate ishte shpërblim i madh dhe i mjaftueshëm shpëtimi i jetës së Levit.”

            Ky është tregimi i z. Gjon Buçaj, që sjell fjalë për fjalë atë që i kishte treguar Z. Kol Bib Mirakaj. Episodi vlen të komentohet e të diskutohet sepse paraqet disa këndvështrime të trajtimit të dukurisë e, së bashku me dokumenta zyrtarë, të botuara në ndonjë organ të shtypit të këtyre viteve, dëshmon se cili ka qënë vërtetë roli i ish Ministrit Mirakaj në këtë rast, por edhe i gjithë administratave shqiptare të kohës së luftës, në shpëtimin e hebrenjve. Sjellja e ish Ministrit dëshmon karakter të fortë shqiptari malësor, burrëri, zgjuarsi, guxim, dinjitet, ndershmëri vetiake e profesionale, një integritet moral shëmbullor, që na përkëdhel ndjenjën e krenarisë kombëtare, kur mendojmë se dikur Shqipëria kishte të tillë burra në drejtimin e saj. Vlen të theksohet edhe një tjetër fakt, se këtë episod të lëvdueshëm për cilindo shtetar, të cilitdo Vend të botës, Kol Bib Mirakaj nuk e përmend fare në kujtimet e tij. E hedh mbas krahëve, duke e quajtur si një kryerje detyre të thjeshtë, e gjen shpërblimin moral vetëm në faktin se ka shpëtuar një jetë njeriu.

            Madje për të plotësuar kuadrin e kësaj familjeje të nderuar të Malësive shqiptare, autori i shkrimit pohon se simbas monografisë “Halim Spahia” të prof.dr. Nuri Bashotës, vërtetohet se edhe Pashuk Bib Mirakaj, i vëllai i ish Ministrit, përmendet për ndihmesën e tij për “trasferimin e shumë familjeve hebreje, në mënyrë të organizuar dhe tejet sekrete dhe me emra krejt të tjerë, me automjetet e firmës “Vllaznit Spahija”, prej Kosove e në Shqipni e përtej…”. Por si shpërblim të kësaj vepre madhore që do të mbetetpërjetë një kurorë e ndritëshme mbi kryet e Shqipërisë, në kujtesën demokratike të njerëzimit, Shqipëria komuniste i quajti “tradhëtarë” ata atdhetarë, i degdisi për një jetë të tërë familjet e tyre në kampet e internimit e në burgjet e  errta të diktaturës.

            Krahas admirimit që mund të ndjehet nga kushdo që beson në vlerat tradicionale të popullit shqiptar, kur mëson këto shfaqje fisnikërie të së shkuarës, nuk mund të ndihet keq kur sheh se sot shtati moral i politikanëve është bërë një nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare, që ka një të katërt shekulli që përballohet me një korrupsion gjithënjë në rritje e me lindjen e një klase të re pasanikësh që përbëjnë pjesën më të madhe t’atyre që kanë si profesion politikën dhe mbarështimin e shtetit e te institucioneve të tij.

            Shëmbuj të tillë fisnikërie shqiptare, që na vijnë nga e kaluara, duhet të shërbejnë jo vetëm për t’a njohur më mirë të vërtetën historike, të tjetërsuar plotësisht nga historiografia e 80 viteve të fundit, por edhe për t’i dhënë vëndin e duhur në kujtesën historike të kombit, atyre që i shërbyen atij me të gjithë fuqinë e personalitetit të tyre, që buronte nga respektimi i thellë i vlerave më fisnike të trashëguara të popullit të tyre, në çaste tepër të vështira epokash të hershme pa asnjë përfitim vetiak.

                                                                                                Mars 2020       

Filed Under: Politike Tagged With: deshmi fisnikerie, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT