• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

Virus në çdo gjë

April 16, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Çdo gjë përhapet, është në ajër. Njerëzit që e kapin atë, ndryshojnë veten dhe të tjerët. E vërteta është se të gjithë jemi të aftë për çdo gjë, të mirë a të keqe. Nuk duam të besojmë se është e vërtetë, por është. Nëse doni të mos prekeni nga të ftohurit ose gripi, si do të bënit? Do të qëndronit larg njerëzve me ftohje dhe rrufë.
Njeriu i mikluar në një rreth shtypës do të marrë medoemos zakonet e shtypësit. Nëse dëshironi humbjen e peshës, bëni të njëjtën gjë: kaloni kohë me njerëz që kanë humbur peshë. Është shumë më efektive sesa të përpiqesh ta bësh vetë, veçanërisht nëse askush rreth teje nuk e ka këtë sëmundje “Më thuaj se me cilin rri, të them se kush je”.
Nëse dëshironi që ekipi juaj të “kapë” rezultate cilësore, lëreni të stërvitet me ekipe që vazhdimisht prodhojnë cilësi. Kur doni të krijoni një zakon, mendoni se kush e ka, ndërveproni dhe “kapni” zakonin e tyre, sepse është shumë më vështirë që një zakon ta fillosh nga e para.
Shkenca zbulon se njeriu i transmeton zakonet si sëmundjet, ose shërimet.
Lënia e duhanit dhe humbja e peshës përhapen përmes rrjeteve si sëmundjet. Shumë ndryshime të tjera të sjelljes funksionojnë në mënyrë të ngjashme.
Nëse udhëhiqni, ju ndryshoni sjelljen tuaj dhe të të tjerëve, për mirë a keq.
Me fjalë të tjera, njeriu është qenie shoqërore dhe i përgjigjet sugjerimeve sociale. Përpjekja për të ndryshuar sjelljen vetëm përmes forcës së vullnetit, rrallëherë funksionon në plan afatgjatë. Vullneti jep. Sjellja e re ngjit, bëhet e natyrëshme.
Mendoni për sjelljet që keni tani. Ndoshta disa zakone që ju pëlqejnë janë marrë nga miqtë dhe bashkëmoshatarët, dhe pastaj ua kaluat të tjerëve. Ndërveproni me njerëzit me sjellje që dëshironi dhe mbani larg njerëzit me zakone që nuk dëshironi, dërgojini në karantinë, si dikur Cezari dërgonte gjeneralët e tij në Sarandë, pasi ktheheshin nga luftrat në vende të largëta ku mund të kishin marrë ndonjë virus. Ata pushonin në Sarandë, lloj eufemizëm për Karantinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Koronavirus

NEW YORKU DHE SHTETET VERILINDORE DO TË HAPPEN ME 15 MAJ

April 16, 2020 by dgreca

*Edhe pse SHBA raportoi sërish mbi 2 mijë viktima (dje 2,658), New Yorku për herë të parë raportoi të enjten shifrën më të ulët, 606 viktima nga 888 ditën e mërkurë,- rënia e dytë nën 700 vdekje ditore në nëntë ditët e fundit.

  • Për guvernatorin Cuomo gjendja është plotësisht në kontroll.Ai tha se spitalet në mbarë shtetin janë poshtë shifrës 18,000 për herë të parë. E njëjta vlen edhe për pranimet dhe intubimet e kujdesit intensiv.
  • De Blasio: Unë ia bëra të qartë Presidentit Trump se qyteti i tij i lindjes, New Yorku, ka nevojë për të!

          -The Washington Post: Dëshmi të reja që kanë dalë tregojnë se koronavirusi që po shkatërron globin mund të ketë shpëtuar nga një laborator i paisur në Wuhan, Kinë, ku studiuesit po kryenin eksperimente të rrezikshme të sëmundjes virale…

Nga Dalip Greca

New York, 16 prill- 2020- Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijonë që të përjetojnë dhimbshëm ofensivën kundër COVID-19 me shifra të larta të infektuarish dhe të vdekurish.Ndodhi, ashtu siç ishte parashikuar, mesi i prillit paraqiti një tablo të zymtë të betejës kundër koronavirusit.Dita e sotme, e enjte 16 prill, dha këtë tablo: 26 mijë e 826 të infektuar të rinj(dje, e mërkurë- 30 mijë e 187- numri i përgjithshëm 674 mijë e 215), numri i viktimave në tërësi 34 mijë e 475(vetëm ditën e enjte 606),ndërsa numri i pacientëve të shëruar kap shifrën e mbi 57 mijë pacientë, në gjendje kritike janë 56 mijë e 587.

Po New Yorku dhe shtetet përreth? 

    Pas një dyluftimi të zgjatur të Guvernatorit Cuomo me Shtëpinë e Bardhë për autoretin dhe kopetencat mes federalit dhe shteteve, pas replikave dhe kundëreplikave të Kryebashkiakut de Blasio me presidentin Trump për statistikat e New Yorkut për numrin e viktimave, guvernatori zgjati mbylljen e bizneseve jo thelbësore në New York deri më 15 Maj(Presidenti ka rekomanduar 1 Majin), ashtu siç deklaruan edhe disa shtete të tjerë të Verilindjes si New Jersey, Connecticut etj.

Cuomo tha të enjten se ka vendosur mbylljen e shtetit, për bizneset jo thelbsore, deri më 15 maj, duke komentuar se hapi tjetër do të merret në përshtatje me situatën,të dhënat dhe në konsultim me  specialistët e fushave.

Cuomo komentoi se 606 persona humbën jetën ndaj virusit në 24 orët e fundit në New York. Ky është një sinjal pozitiv, që tregon ulje, është rënia e dytë nën 700 vdekje ditore në nëntë ditët e fundit, tha ai.

Shteti i New York-ut raportoi 226 mijë e 347 të infektuar në total(të enjten 26 mijë e 826), numri i viktimave në total 16 mijë e 251( 606 të enjten).

NYC ka regjistruar më shumë se 11 mijë e 477 viktima nga COVID-19 në të pesë bashkitë, ku Queensi vijon të prijë me mbi 36 mijë të infektuar, dhe mbi 3 mijë e 532 viktima, Brooklyn mbi 31 mijë  e 279 të infektuar dhe 3 mijë e 519 viktima, Bronxi 25 e 638 të infektuar dhe 2 mijë e 513 të vdekur, Manhattan 15 mijë e 538 të infektuar e 1 mijë e 527 të vdekur etj…

Në fakt pat një përplasje mes Albany-së dhe Washington-it, që erdhi pasi presidenti Trump tha se New Yorku shtoi ditën e djeshme më shumë se 3 mijë të vdekur në statistika,të cilat nuk ishin raportuar më parë. Dukej se debatet përqëndroheshin mes të raportuarëve të vdekur në spitale dhe atyre që vdiqën nëpër shtëpi, apo disa të tjerë në shtepitë e kujdesit të pleqëve, të cilët më parë nuk pasqyroheshin në statistikat shtetrore. New Yorku, duke shtuar zërin”vdekje të mundshme nga COVID-19” shtoi shifrat duke nënkuptuar se qytetarët e paraportuar vdiqën ose nga koronavirusi ose nga shkaqe të ndësjellta të shkaktuara nga ai.

Gjatë azhurnimit të tij të fundit, guvernatori tha se Njujorkezët do të duhet të vazhdojnë distancimin social edhe pse shteti e ka nën kontroll virusin e padukshëm, që ai e krahasoi me një bishë të egërsuar.

Për guvernatorin gjendja është plotësisht nën kontroll. Ai tha se spitalet në mbarë shtetin janë poshtë shifrës 18,000 për herë të parë gjatë kësaj jave. E njëjta vlen edhe për pranimete reja dhe intubimet e kujdesit intensiv.

Guvernatori tha se niveli i infeksionit në shtetin e Nju Jorkut tash është 0.9 përqind, bazuar në faktin se sa njerëz infekton personi i infektuar.Në Wuhan të Kinës, ku ishte origjina e virusit, niveli u ul në 0.3 përqind.

Cuomo tha se në 30 ditët e kaluara, mbi 500,000 njujorkezë janë testuar për koronavirusin në të gjithë shtetin.”Këto janë disa nga politikat më ndryshuese të jetës që qeveria ka nxjerrë ndonjëherë,” tha Cuomo, dhe përsëriti urdhërin e një dite më parë: Qëndroni në shtëpinë tuaj, mos prekni një person tjetër, vendosni një maskë! Ai pranoi se këto janë politika të vështira, por ato duhet të zbatohen,sepse kjo është gjëja e duhur.

   Guvernatori Cuomo theksoi rëndësinë e urdhërit ekzekutiv për të mbuluar fytyrën, i detyrueshëm për të gjithë, që nga mosha 2 vjeç e lart.Mbajtja e maskave u është përcjellë të gjithëve, përfshi operatorët dhe pasagjerët e sistemeve të transportit publik e privat.

***

Nga ana e tij kryebashkiaku de Blasio komentoi buxhetin e luftës, siç e quajti.Kryetari i bashkisë tha se qyteti është duke humbur 7.4 miliardë dollarë të ardhura nga taksat, që  ai i përshkroi si një “shifër tmerruese”.Gjithësesi për kryetarin e bashkisë rëndësi parësore e buxhetit mbetet siguria dhe mirëqenia e njujorkezëve gjatë betejës me koronavirusin.

        Kryetari i bashkisë tha se foli me Presidentin Donald Trump të Mërkurën në lidhje me tablonë e zymtë të buxhetit dhe komentoi se qyteti nuk do të jetë në gjendje të rikuperohet pa ndihmën federale.

“Unë ia bëra të qartë presidentit, qyteti i tij i lindjes ka nevojë për të,” tha De Blasio….. Kjo është thirrja ime, ndihmoni qytetin e Nju Jorkut, z. President!. 

Ndër shkurtimet drastike të buxhetit të njoftuara nga kryebashkiaku janë të ardhurat  e munguara nga pishinat në natyrë të qytetit. 

Kryebashkiaku tha se ende nuk është marrë një vendim nëse plazhet publike të qytetit do të jenë të hapura.

***

Duke filluar nga Persidenti Trump në SHBA dhe në Botë po flitet gjithmonë e më shumë se COVID-19 është produkt i një laboratori në Wuhan të Kinës. Dëshmi të reja kanë dalë që koronavirusi që po shkatërron globin mund të ketë shpëtuar nga një laborator i paisur në Wuhan, Kinë, ku studiuesit po kryenin eksperimente të rrezikshme të sëmundjes virale, që çuan në pandemi.

Në mars të vitit 2018, SHBA dërgoi përfaqësues diplomatik në Institutin e Virologjisë Wuhan, të cilët lëshuan dy kabllo diplomatike “të ndjeshme” për masa të papërshtatshme të sigurisë në laborator, njoftoi The Washington Post, duke cituar burime të inteligjencës.

Kablloja e parë paralajmëroi eksperimentet e kryera në laboratorin e koronavirusit në lakuriqë përfaqësonin një rrezik të një pandemie të re, sipas raportit.

Kablloja, e shkruar nga dy zyrtarë të ambasadës amerikane-Kinë, informoi se ekziston një “mungesë serioze e teknikëve dhe investigatorëve të trajnuar siç duhej për të operuar me siguri këtë laborator…

Laboratori në Wuhan po merrte ndihmë nga organizatat amerikane, përfshirë një laborator në Degën Mjekësore të Universitetit të Teksasit, por kablli diplomatik sugjeroi që SH.B.A. duhet të sigurojë mbështetje shtesë sepse hulumtimi ishte shumë i rrezikshëm.

Kabllimet diplomatike kishin për qëllim të jepnin alarmin për kushtet e sigurisë në laborator – dhe zyrtarët e ambasadës po bënin thirrje për më shumë mbështetje të laboratorit për të ndihmuar në rregullimin e problemeve të tij, – kanë thënë burimet për gazetën The Waashington Post.

Gazeta shkrtuan se nuk ka asnjë provë që të provojë që koronavirusi është prodhuar në mënyrë laboratorike- por kjo nuk përjashton mundësinë që aksidentalisht virusi shpëtoi nga Instituti i Virologjisë Wuhan ose nga një laborator tjetër i ngjashëm në qytetin kinez.

Presidenti Trump është pyetur në lidhje me mundësinë në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të Mërkurën dhe tha se SHBA po hetonte origjinën: “Gjithnjë e më shumë po dëgjojmë historinë … ne po bëjmë një ekzaminim shumë të plotë të kësaj situate të tmerrshme,” tha ai.

Fox News të Mërkurën tha se zyrtarët e administratës besojnë se shpërthimi ishte shkaktuar nga një eksperiment në një laborator të Wuhan-it.

Burimet që folën për Fox News thanë se ka të ngjarë që pacienti zero, që punonte në laborator ,dhe ishte infektuar atje, e ka përhapur atë në popullatën e qytetit.

Një gjë që është e qartë, burimet i thanë kanalit të lajmeve Fox News, se ka një përpjekje të bashkërenduar midis zyrtarëve kinezë për të mbuluar gjurmët se virusi shpëtoi prej pakujdesisë nga laboratori.

Zyrtarët vendas treguan një treg, ku  supozohet se u shfaq virusi – por burimet i thanë Fox se tregu kurrë nuk shiste lakuriq. 

E gjitha kjo, ka të ngjarë që është përpjekje për të larguar fajin nga laboratorët në Wuhan, thanë burime Fox.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u shpreh të mërkurën në mbrëmje se SHBA po punojnë në këtë drejtim.

“Ajo që ne dimë është se ky virus ka origjinën në Wuhan, Kinë. Ne e dimë se ekziston Instituti i Virologjisë Wuhan, vetëm disa kilometra larg nga vendi ku ishte tregu, “tha ai.

“Ende ka shumë për të mësuar. Ju duhet të dini që qeveria e Shteteve të Bashkuara po punon me zell për ta zbuluar këtë, “shtoi ai.

Instituti i Virologjisë Wuhan u ngrit në 1978 pasi një seri institucionesh të tjera kërkimore në qytet u bashkuan për të formuar laboratorin aktual, sipas webfaqes së tij në gjuhën angleze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, dalip greca

Sabit Bytyçi, në Amerikë, dërgon vaj për rreth 1 mijë familje, në Tropojë

April 16, 2020 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/

1.
Edhe kjo kohë pandemike, e fatkeqësisë natyrore “Covid-19”, i ka dëshmue edhe një herë tjetër atdhetarët e humanistët e vërtetë, si shqiptaro-amerikani i njohur Sabit Bytyçi në Nju Xhersi – kryetari i Këshillit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” në Amerikë, donatori i sotëm me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, në vendlindjen e tij.


Kjo është e dyta dërgesë humanitare e Shqiptarëve të Amerikës për Tropojën e tyre, pas asaj shembulldhënës të biznesmenit humanist Harry Bajraktari, personalitet i shquar shqiptaro-amerikan (me origjinë të hershme tropojane, nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”) me 25 tonë miell për 1 mijë familje.
Këto ndihma ma shumë se vlerën e tyre monetare e gjendjen përkrah në këtë fatkeqësi natyrore globale, sjellin e përcjellin dhe një mesazh të madh që vjen nga Amerika- mike e aleatja ma e madhe e shqiptarëve, që bijtë e saj në brezni genetike e të larguem me dekada e shekuj, në mbi 7 mijë km. largësi tokësore e oqeanike, në kontinent tjetër, mendojnë e ndihmojnë në kohë e raste të ndryshme vendlindjen e tyre e të të parëve të tyre.

2.
Shqiptaro-amerikani Sabit Bytyçi (Bitici), donatori i 16 prillit 2020, me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, është nga Veliqi i fisit e i krahinës së sojshme të Bytyçit, djali i tretë i një burri të fismë e zemërmadh- i të ndjerit Adullah Avdia, është një nga “Katër Vllaznit Bytyçi” në Amerikë, janë të shquar për atdhetari kombëtare e bujari shqiptare, të mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Rajonin Ballkanik Shqiptar. Dr. Ibrahim Rugova i cilësonte Vllaznit Bytyçi, si “miqtë e mirë të Kosovës” (1991), dr. Sali Berisha si “një krenari shqiptare…”( 2017), Azem Hajdari thoshte shpesh “janë si shqiptarët e mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit”, etj.


Sabit Bytyçi është një shqiptar me tradita e vlera të larta njerëzore, një vatran i kahershëm dhe i gjithkohshëm, që për aktivitetin e kontributet e tij me devotshmëri vatrane e zgjodhen tani së vonit në detyrën e lartë të Kryetarit të Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra”.
Sabit Bytyçi, prej nga dekada ’80-’90 e shek. Kaluar, njihet e çmohet si një ndër miqtë e mirë të Presidentëve Shqiptarë dr. Rugova e dr. Berisha dhe i personaliteteve të tjera shqiptare në Amerikë e në Rajonin Ballkanik Shqiptar.
Sabit Bytyçi, ndër vite e dekada, i ka miq të afërt disa senatorë e kongresmenë amerikanë, shumë zyrtarë të lartë të DASH, etj. tek të cilët, sëbashku me miqtë e tij shqiptaro-amerikanë, kanë lobuar mirë e shumë për Kosovën, për Shqipërinë, etj.
Familja e atdhetarit e biznesmenit humanist mbi 70 vjeçar, Sabit Bytyçi në Nju Xhersi të Amerikës, sëbashku me bashkëshorten e tij, Hatixhe Bytyçi, me dy djemtë Ilirin e Mentorin e vajzën Doruntina, kanë dhanë në vazhdimësi dituni, kohë e pasuni të tyne monetare e materiale për kombin shqiptar, për çështjen kombëtare shqiptare, për kulturën, letërsinë, artin e shtypin shqiptar, etj., shpesh herë dhe për vendlindjen, siç është dhe ky donacioni ma i fundit me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Bashkinë e Tropojës, në këtë fatkeqësi natyrore “Covid-19”.

Filed Under: Featured Tagged With: SABIT BYTYÇI, Tropoje

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjes e radhës

April 16, 2020 by dgreca

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga kryeparlamentarja dr. Vjosa Osmani.

Pikë e rendit të ditës e kësaj mbledhjeje ishte procedimi për mendim në Qeveri i nismave ligjore: Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, të iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani dhe mbështetur nga pesë deputetë, si dhe Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19” dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, të iniciuara nga GP i PDK-së.

Në mbledhje u zhvilluan diskutime të gjera lidhur me raportin midis Qeverisë dhe Kuvendit, në rrethana pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, e rrjedhimisht edhe për dërgimin e iniciativave ligjore për mendim në Qeveri nga ana e Kuvendit dhe marrjen e përgjigjes nga ana e saj.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani, theksoi se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e potencon rolin themelor të Kuvendit që të rregullojë me ligj të veçantë kufizimin e të drejtave e të lirive të njeriut në kohë pandemie. Prandaj, sipas saj, Kuvendi duhet ta ndërmarrë një hap të tillë sepse është në interes të shëndetit publik. 

Ajo ka theksuar se pavarësisht mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, Kuvendi është funksional, ndaj duhet ta ushtrojë kompetencën thelbësore të tij, që është ligjbërja. 

Në fund të mbledhjes, anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve që ishin të pranishëm u dakorduan që Kryetarja e Kuvendit së  shpejti t`i takojë shefat e grupeve parlamentare që të tentojë sërish të harmonizojë qëndrimet në lidhje me arritjen e konsensusit për procedimin e mëtejmë të tri nismave legjislative.​

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryesia e Kuvendit

Lamtumirë Luis Sepúlveda Calfucura! –Humbi betejen me COVID-19

April 16, 2020 by dgreca

(Shkrimtari kilian që do të lexojë histori dashurie në Parajsë…)/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot humbi betejen me Coronavirusin kinez, Covid 19 shkrimtari dhe gazetari i shquar kilian Luis Sepúlveda Calfucura (4 tetor 1949 – 16 prill 2020) 

Shkrimtari kilian Calfucura ishte një kundërshtar i rrepte  i regjimit diktatorial të Augusto Pinochet -it, ai u burgos dhe u torturua nga diktatura ushtarake gjatë viteve 1970.

Sepúlveda ishte autor i librave me poezi dhe tregime të shkurtra; përveç gjuhës se tij amtare, ai foli edhe anglisht, frëngjisht dhe italisht. Në fund të viteve 1980, ai pushtoi skenën letrare me romanin e tij të parë, “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” 

Një nga thëniet që më pëlqen më shumë është:

“It’s very easy to accept and love those who are like us, but to love someone different is very hard.” Që përkthehet: “Është shumë e thjeshtë të pranosh dhe të duash ata që janë si ne, por të duash dikë ndryshe është shumë e vështirë.”

Pas grushtit të shtetit kilian të 1973-it i cili solli në pushtet Gjeneralin Augusto Pinochet ai u burgos për dy vjet e gjysmë dhe më pas fitoi një lirim me kusht përmes përpjekjeve të degës gjermane të “Amnesty International” dhe u mbajt në arrest shtëpiak.

Ai arriti të shpëtojë duke u fshehur për gati një vit. Me ndihmën e një shoku që ishte drejtues i ekskluzivitetit të Aleancës në Valparaíso ai ngriti një grup qe interpretonin dramat dhe që u bë fokusi i parë kulturor i rezistencës. Ai u rikthye përsëri ku iu dha një dënim i përjetshëm (më vonë e zvogëluan në njëzet e tetë vjet) për tradhti dhe përmbytje.

Ai shkoi në Hamburg në Gjermani për shkak të admirimit të tij për letërsinë gjermane (mësoi gjuhën në burg) veçanërisht romantikët si Novalis dhe Friedrich Hölderlin dhe punoi atje si gazetar që udhëtonte gjerësisht në Amerikën Latine dhe Afrikë sipas Wikipedias.

Në 1982, ai erdhi në kontakt me Greenpeace dhe punoi deri në 1987 si anëtar i ekuipazhit në një nga anijet e tyre. Ai më vonë veproi si koordinator midis degëve të ndryshme të organizatës.

Në 1988 ai fitoi cmimin “Tigre Juan” për romanin e tij “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” dhe në 2009 ai fitoi Premio Primavera de Novela për romanin e tij “Hija e asaj që ishim.”

Më 1 mars 2020, ai u konfirmua si njeriu i parë në rajonin e Asturias të Spanjës që u infektua nga COVID-19. Deri më 11 mars, u raportua se Sepúlveda ishte në gjendje kritike, se ai ishte në gjendje kome të induktuar me frymëmarrje të asistuar për shkak të dështimit të shumëfishtë të organeve në një spital të Oviedo.  Ai vdiq më 16 prill për shkak të coronavirusit kinez.

Ai shkruajti rreth 20 romane, kronika, histori dhe libra për fëmijë.

Po sjellë një paragraf nga romani i famshem:  “Plaku që lexon histori dashurie”

Nga mosrespektimi i tyre ndaj pyllit të shenjtë të Amazonës, Antonio zhytet ne mjetin e shkatërrimit të njeriut të bardhë – armë – në lumë, duke mallkuar të gjithë ata që kanë komplotuar të shkatërrojnë Amazonën. Duke u ndier i turpëruar dhe i padenjë për të mos pasur zgjidhje tjetër përveçse të vriste “kafshën madhështore”, Antonio kthehet në fshat, në mënyrë që të mund të jetë vetëm dhe të rifillojë të lexojë tregimet e tij të dashurisë. Libra të tillë e ndihmojnë atë të harrojë mizoritë e njerëzimit, zemrën e tij të thyer dhe hapësirën e paqartë që zë midis burrit të bardhë dhe burrit të lindjes në një botë të plaçkitur.

“Ai shpesh dëgjoi që mençuria vjen me moshën, dhe ai priste, duke besuar se kjo mençuri do t’i sillte atë që donte më shumë; kjo aftësi shërbeu për të udhëhequr kujtimet e tij dhe të mos bjerë në grackat që ata shpesh i vendosnin për të.”

Duke lexuar romanin “Plaku qe lexon histori dashurie” ndjen se historia përsëritet si me personazhin e tij të dashur Antonion që nuk e përballoi dot luftën me shkaterrimtarët e pyllit të shenjtë të Amazonës.  Shkrimtari kilina humbi betejën me Corona virusin kinez që ka marrë mijëra jetë njerëzish përfshi dhe Luisin.  Ai iku duke qetësuar shpirtin e tij për të lexuar histori dashurie në Parajsë atje ku e ka vendin kjo racë shkrimtarësh.

(dita e 32-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

16 prill, 2020

New York 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Luis Sepúlveda Calfucura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT