• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

HISTORIA NUK DUHET NDRYSHUAR

May 20, 2020 by dgreca

         -Me rastin e 170 vjetorit të kishës së Sinicës në rrethin e Devollit-/

                                                    Nga Fuat Memelli-Boston/Dielli/

NJË HOMAZH DHE…  /

Si shumë vite të tjerë,  edhe sivjet desha të jem në Shqipëri në muajin maj. E preferoj këtë muaj , jo vetëm se është më i freskët e plot gjelbërim, por edhe sepse më 20 maj në vendlindjen time, Sinicën e Devollit, festohet Dita e Shën Kollit. Festojnë aty si një familje e madhe të krishterë e myslimanë, shprehje e harmonisë fetare që karakterizon këtë fshat. Mblidhen atë ditë jo vetëm sinicarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe në emigracion. Shkoj me kënaqësi në ketë ditë, pavarësisht se nuk i përkas fesë orthodokse. Kufijtë e fesë ndër vite janë shkërmoqur në fshatin tonë. Sigurisht unë respektoj edhe fenë myslimane të cilës i përkas, shkoj edhe në xhami kur më jepet rasti, por nuk harroj se ne vijmë nga krishtërimi. Në fund të fundit të gjithë kemi një Zot. Ashtu si pesë vjet më parë, edhe sivjet pa ndërhyrë aspak në punët e kishës, desha të kontribuoj sado pak në pjesën e festës që zhvillohet pas meshës në oborin e shkollës. Desha të përgatis një fletëpalosje për 170 vjetorin e saj, por më pengoi virusi i famshëm.

Me ndihmën e piktorit Robert Guci që jeton në Tiranë përgatita këtë konkardë ( stemë) të cilën desha ta bëj në 200-300 kopje, për t’ja dhënë gjithë pjesëmarrësve si dhe miqve të sinicarëve. Edhe kjo dëshirë nuk u realizua, prandaj po e postoj këtu, për t’i uruar gjithë sinicarëve: gëzuar 170 vjetorin e kishës së fshatit! Në këtë kohë virusi, dita e Shën Kollit dhe 170 vjetori i kishës, nuk do festohen ashtu si do dëshironin sinicarët. Nuk do festohet si 5 vjet më parë në 165 vjetorin e saj, ku mernin pjesë rreth 250 veta; ku e ndezi atmosferën orkestra e Bilishtit; ku kërcyen si shqiponja fëmijët e Ansamblt të Devollit; ku me mbështetjen e Jovan Themelit u përgatit një fletëpalosje për Sinicën; ku së bashku me Marijon Panon përgatitëm e dhamë 27 dëshmi Mirënjohje për priftërinj që kishin shërbyer aty si dhe besimtarë që kanë kontribuar për kishën; ku përgatitëm 300 stema me mbështetjen e biznesmenit Jorgo Braholli. Por, ato tashmë i përkasin të kaluarës. Ndoshta një herë tjetër do organizohet edhe më bukur. Sidoqoftë, ky përvjetor le të jetë si një homzh për sinicarët që kontribuan për ndërtimin e asaj kishe nga më të bukurat në Devoll; për të gjitha ata që e mbajtën gjallë kishën; për priftërinjtë që kanë shërbyer aty si At Nikolla Pine e At Simon Tytymçe të ndarë nga jeta si dhe një mirënjohje për At Viktor Konomin, që shërben sot aty.

…DISA MENDIME SE KUSH E NDËRTOI ATË KISHË

Në këtë përvjetor, desha të sjell edhe disa mendime se kush e ka ndërtuar kishën e Sinicës. Në rubrikën “Fshatrat e Shqipërisë” të Televizionit Top Channel, para disa javësh u përgatit një emision edhe për Sinicën. Jo vetëm ai grusht  fshatarësh që jeton aty, por edhe të tjerët e vlerësuan, pasi iu shtua edhe një filmim tjetër fshatit , krahas dokumentarit të përgatitur një vit më parë ”Sinica- e bukura e Devollit”. Pyetjes së gazetares se kush e ka ndërtuar kishën e Sinicës, sinicari që shërben aty, iu përgjigj :” Kishën e Sinicës e kanë ndërtuar grekërit”. Të them të drejtën dyshova për këtë fakt, pasi nuk e kisha dëgjuar më parë. Ndoshta sinicari që e tha atë mendim, mund të jetë nisur nga ndonjë mbishkrim që është aty në greqisht, por siç dihet Turqia atëherë nuk e lejonte përdorimin e shkrimit shqip. Për të vërtetuar dyshimin tim, bisedova me disa sinicarë në Shqipëri dhe emigracion. Asnjëri prej tyre nuk e mbështeste idenë se kishën e kanë ndërtuar grekërit. Një prej tyre ishte Thoma Ketri, me profesion doktor, inleketual sinicar me emër, i cili prej disa vjetësh jeton në Detroit të Amerikës. Ja ç’më tha ai: “Gjyshi im, Ilua, ka qënë epitrop në kishën e fshatit ndërsa babaj Petraqi, ka psallur aty tok me Andon Dimashin, ndërsa Petraq Prifti psallte me Kristaq Agon. Epitrop kanë qënë edhe Kole Caknaqi, Ilo Karamelo dhe Jovan Joxhe. Gjyshi dhe babaj më kanë treguar se me shpenzimet e sinicarëve, kishën  e kanë ndërtuar ustallarë nga Kolonja, të cilët e punonin mirë gurin si dhe plloçën. Ata janë ndihmuar edhe nga muratorë të fshatit, pasi kishte të tillë. Me që muret ishin të trashë mbi një metër, nuk i ngopnin dot me ujë. Për këtë fshatarët e morën ujin me korita nga Kollovozi dhe e çuan deri ku ndërtohej kisha. Në muret e saj është hedhur edhe vezë e kozinë ( lesh dhije) për t’i forcuar. Një bllok te hyrja e kishës si dhe pllaka e pagëzimit, janë marë nga Nikolica. I kanë sjellë burrat e fshatit me branë të tërhequr me qe. Për këtë u zgjerua rruga në disa vënde, për të cilën ndihmuan edhe fshatarë nga Arza. Unë nuk kam dëgjuar nga gjyshi dhe babaj që kishën e Sinicës ta kenë ndërtuar grekërit”, përfundon Thoma Ketri.

Niko Dimashi, ish pedagog në Universitetin e Elbasanit, sinicar me emër edhe ky, thotë :”As unë nuk kam dëgjuar nga babaj  që kishën e Sinicës ta kenë ndërtuar grekërit. Babai im Andoni, ishte shumë I lidhur me kishës dhe psallte aty. Sinicarët kanë paguar për ta ndërtuar atë kishë. Ndoshta mund të ketë patur ndonjë usta nga Greqia, por nuk mund të themi se e kanë ndërtuar grekërit”. 

Për të njëjtin problem pyeta edhe Perikli Panon, me profesion ekonomist, i cili është një sinicar tjetër  i nderuar. Ai më tha:”Për ndërtimin e kishës  është punuar disa vjet. Në fillim pa u marë uji nga Kollovozi, gratë e fshatit viheshin në rradhë nga lumi deri te kisha për të çuar ujin. Te kisha jonë spikat gjërësia e madhe e mureve si dhe akustika e veçantë. Unë nuk kam dëgjuar që kishën e Sincës ta kenë ndërtuar grekërit. Di që të parët tanë kanë paguar për ndërtimin e saj”, theksoi Peroja. Në biseda me fshatarë, unë kam dëgjuar se për për ndërtimin e kishës kanë ndihmuar edhe bashkëfshatërt myslimanë. 

Për ta aktualizuar problemin e kishës, po ndalem te mendimi i dhënë qysh vitin e kaluar nga sinicari Albert Hysolli, me profesion ndërtues që punon e jeton në Greqi, por që nuk e harron Sinicën. Pas kontrollit që i ka bërë kishës, ai thotë se në disa pjesë të saj ka probleme dhe duhet ndërhyrë. Me kontributin e sinicarëve në Shqipëri dhe emigracion, por edhe të Mitropolisë Korçë apo edhe të bashkisë se Devollit, le të ndërhyet për mos e lënë këtë problem pas dore.

NË VEND TË MBYLLJES

Tek shkruaj këto rradhë për ndërtimin e kishës së Sinicës, i vetmi qëllim është që mos shtrembërohet e vërteta. Grekërit janë fqinjët tanë dhe populli shqiptar e ai grek gjatë historisë, kanë dhënë e marë me njëri-tjetrin. Politika dhe feja kanë ndërhyrë. Me Greqinë na lidhin shumë fije të përbashkëta. Veçanërisht pas viteve ’90, bashkëpunimi me të është shtuar shumë. Mijra emigrantë shqiptarë punojnë e jetojnë aty. Midis tyre ka edhe plot sinicarë si Albert Hysolli, Koço Tahiri, Stavri Pano, Koço Karamelo, Jorgjie Ago, Stefan Themeli, Ladi e Petrit Muçi, etj. Pra, fijet që na lidhin me atë popull janë të shumta, por historia është histori dhe nuk duhet ndryshuar.

  • Per Fotografi shihni ne Facebook, dielli vatra

Filed Under: Kulture Tagged With: Fuata Memelli, Kisha e Sinices

Bojkena Selmanaj, infermjerja qe kujdeset per pacientet me covid me probleme me veshktat

May 20, 2020 by dgreca

Flet per Diellin Bojkena Selmanaj, infermierja në reaminacionin e spitalit të Memorial Sloan Kettering ne Manhattan, New York/

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Zonja Bojkena Selmanaj është infermiere në reuminacionin e spitalit të Memorial Sloan Kettering ne Manhattan, New York.

Vdekja e infermieres koleges sonë ka dhembur pak më ndryshe. Kemi luftuar ditë e netë pa pushim me javë të tëra për ta shpëtuar, por smundi t’ja dalë dot. Ajo punonte si infermjere dialize duke u kujdesur për pacientë të sëmuë me covid që kishin probleme me veshktat dhe drejtonte makinerinë që pastronte gjakun e tyre. Burri i saj i ishte lutur te mos shkonte në punë gjatë kësaj periudhe, por ajo si çdo infermjere tjetër qe nuk dorëzohet kundra asgjëje vazhdoi të punonte cdo ditë. Por fatkeqësisht u largua nga kjo botë e rrethuar nga infermiera dhe doktora të maskuar nga koka në këmbë si aliena, pa u përshëndetur me bashkështorin dhe vajzat e saj, pa u dhënë lamtumirën e fundit.

Në këtë kohë të Luftës botërore nga Coronavirus që po kalojmë cila është  detyra juaj nëspital për t’i shërbyer popullit amerikan?

Fillimisht dua t’ju falënderoj për këtë intervistë. Eshtë kënaqësi dhe nder per mua të ndaj me ju eksperiencën time në punë me luftën kundra koronavirusit. Detyra ime është të kujdesem për pacientë shumë të sëmurë, të cilët të prekur nga virusi luftojnë me vdekjen cdo ditë. Une punoj turnin e natës dhe e marr punën në orën 7:30 të mbasdites deri ne 7:30 të mëngjesit. Si infermiere në reuminacion, unë zakonisht kujdesem në nje shift 12 orësh për 1 ose 2 pacient varur nga gjëndja e tyre. E filloj ditën e punës duke marrë raportin nga infermierja e ditës. Më pas vesh përparësen, maskën N95, mbi të dhe maskën kirugjikale, syzet, mburojën e fytyrës dhe futem në dhomë. E vizitoj pacientin nga koka te këmbët, duke fillur të dëgjoj tingujt e mushkërive, tëzemrës, e të zorreve me stetoskop. Shikoj me kujdes të vecantë ventilatorin, dhe të gjitha makineritë e tjera qe ndihmojnë ne mbajtjen e  pacientit gjallë. Administroj ilacet e duhura të shkruara nga doktorët; monitoroj rrahjet e zemrës, tensionin, frymëmarrjen, temperaturën cdo orë dhe sigurohem që cdo shenjë jete është në numrat e duhur. Dy herë gjaë turnit, përpiqem të gjej pakez kohë të marr në telefon familjen me facetime dhe lejoj tu flasin pacientëve pavarëisht se ata jaë në koma. Shumicën e rasteve, unë jam e vetjma punonjëse spitali që jam në dhomen e pacientit gjatë turnit 12 orarësh. Në kohët normale kur nuk kishim pacienëtë infektuar me virus, futeshim në dhomë cdo orë për të lëvizur pozicionin e pacientit, praktik e cila ndihmon për të parandaluar plagët e trupit që krijohen nga qëndrimi në të njejtin pozicion për kohë të gjatë. Por tani për të mbrojtur dhe ne veten, futemi në dhomë sa më pak, vetëm kur duhet. 

Cili është shqetësimi juaj kryesor si infermiere kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Shqetësimi më i madh për mua këto kohë ka qënë frika e infektimit me virus. Cdo ditë qe shkoj në punë i lutem zotit të më bëj të forë dhe imune kundra virusit. Kam shumë frikë të sëmurem vetë, dhe të infektoj prindërit apo motrat. Për më tepër më vjen shumë keq për familjen e pacientëve qe kan të afërmit në spital dhe jaë të ndaluar të vijë ti vizitojë. Më thyet zemra akom më shumë për pacientët që në kohë kaq të vështië ndodhen të vetëm në spital, pa pasur pranë të dashurit e tyre tu mbajë dorën dhe tu japin kurajo të vazhdojë të luftojë. Prandaj përpiqem t’u qëndroj afër pacientëve të mi, u flas shpesh herë, jua shtrëngoj dorën fort per t’i dhënë sado pak shpresë…U shkruaj fjalë kurajuese në dritaren e dhomës me shpresën që kur te zgjohen t’i lexojnë ato fjalë dhe të kuptojë që nuk janë aty vetëm. Por jemi ne që po luftojnë bashkë me ta cdo ditë.  

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do te jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Në fillim ishim të gjitë shumë të frikësuar. Frika më e madhe ishte nga panjohuria e këtij virusi. Cdo ditë nxirnin protokolle të reja, trajtime të reja. Ndiheshim tamam sikur ishim të dërguar në luftë të papërgatitur, pa armë mbrojtëse, pa imunacion. Nuk jemi mësuar të mos dimë shumë rreth një sëmundje. Zakonisht jemi shumë te përgatitur per cdo rast qe na vjen në spital. Por kësaj here ishte ndryshe. Doktorat, infermieret, menaxheret e spitalit ishin të gjithë të paditur për cka na priste. Kemi qarë perpara dhe pas pune me frikën se të gjithë do sëmureshim dhe do ishim nje viktimë tjetër e këtij virusi vdekjeprurës. Por frika s’mundi te më ndalonte luftën e palodhshme. Kam shkuar ne punë madje dhe ditët që nuk isha e caktuar për të punuar, për të ndihmuar stafin sepse shumë infermierë u sëmurën. 

Mund të na tregoni një ndër episodet e dhimbshme që keni pasur këto kohë ne spital?

Një nga historië më prekëse që më ka ndodhur gjatë kësaj periudhe ka qënë humbja e një infemiereje nga lufta me virusin. Kemi humbur shumë pacientë nga ky virus, dhe cdo humbje jete dhëmb shumë, por vdekja e infermieres sonë ka dhembur pak më ndryshe. Kemi luftuar ditë e netë pa pushim me javë të tëra për ta shpëtuar, por smundi t’ja dalë dot. Ajo punonte si infermjere dialize duke u kujdesur për pacientë të sëmuë me covid që kishin probleme me veshktat dhe drejtonte makinerinë që pastronte gjakun e tyre. Ishte 65 vjece dhe shumë e kujdeshme me ushqimin dhe fizikun e saj. Burri i saj i ishte lutur te mos shkonte në punë gjatë kësaj periudhe por ajo si çdo infermjere tjetër qe nuk dorëzohet kundra asgjëje vazhdoi të punonte cdo ditë. Mendonte se ishte imune ndaj ketij virusi. Fundja, kishte luftuar kundër kancerit ne vitin 1989 dhe e kishte mundur ate sëmundje të tmerrshme. Prandaj dhe këë virus se kishte fare frikë. Por fatkeqësisht u largua nga kjo botë e rrethuar nga infermiera dhe doktora të maskuar nga koka në këmbë si aliena, pa u përshëndetur me bashkështorin dhe vajzat e saj, pa u dhënë lamtumirën e fundit. Në orët e fundit më kishte afër mua. Qava me të dhe unë, i thashë se vajzat, bashkëshorti, shoqëria dhe ne ishim të gjithë krenarë për luftën që ajo me aq madhështi luftoi. Ato momente kuptova se jeta është vertetë e shkurtër dhe vdekja është e shpejtë. Prandaj jeto cdo minutë me dashuri dhe lumturi pranë njërëzve që të do dhe të bëjnë të lumtur. 

Keni pasur pacientë shqiptare në spitalin tuaj?

Kam pasur pacient shqiptarë disa herë më perpara, por gjatë kësaj periudhe të infektuar me koronavirus s’kam pasur asnjë akoma. Gëzohem shumë kur kam pacient shqiptar. Kur nuk jam unë infermierja e caktuar për atë pacient, kërkoj me cdo mund të më ndërrojnë detyren që të kujdesem vete për pacientët shqipar. Unë gjithmon jap maksimumin tim për cdo pacient, por kur kujdesem për një pacient te gjakut tim, është pak me ndryshe, luftoj pak më fortë, thyej ca rregulla për t’i bërë të ndihen si kur janë në spital shqiptar dhe jo në vend të huaj.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si infermiere?

Ndihem shumë krenare për punën që Ministria e Shëndetësisë, doktorat dhe infermierët shqiptar kanë bërë në Shqipëri duke qënë se rastet në Shqipëri kanë qenë shumë te pakëta krahasuar me shtetet e tjera të Evropës. Kjo tregon se shqiptarët i kanë respektuar rregullat e distancimit social. Më ka bërë  krenare ne vecanti dërgimi i infermierëve shqiptarë në Itali. Do doja shumë të isha dhe unë një ndër ata infermjerë. Por duke qënë se New Yorku ka qënë epiqendra e virusit, duhet të qëndroja dhe luftoja për qytetarët të prekur këtu. Ndihem shumë e lumtur dhe krenare për veten që kam një profesion të tillë që më jep mundësinë të jem pjesë e frontit luftarak kundra këtij virusi. 

Mendoni se ky virus do te zhduket së shpejti?

Unë thjesht lutem dhe shpresoj që virusi të zhduket. Në spitalin tim rastet e njerëzve të infektuar janë pakësuar, por askush nuk e di c’të pret në ditët ne vazhdim. Mesazhi im për të gjitë ata që lexojnë këtë intervistë është të vazhdojnë të jenë ende vigjilent dhe praktikojnë distancimin social, veshjen e maskës në vendet publike dhe larjen e shpeshë të duarve. 

Si i ngjitët shkallët e karrierës për të arritur këtë sukses në Amerikë?

Ka qënë një rrugë shumë e veshtië për të arritur këtu ku jam sot. Arma ime më e fortë ka qënë mbështetja e familjes, vecanërisht e mamit. Cdo sukses timin ja dedikoj nënës time. Gjithmonë më inspiron që mundem të arrij gjithcka në jetë. “Asgjë në këtë botë nuk është a pa arritshme nëse ke pasion dhe punon fort” – më thotë gjithmonë. I besoj verbërisht fjalët e saj sepse e kam vërtetuar duke arritur gjithcka c’kam dashur dhe ëndërruar deri më sot. 

E kishit ëndërr te punonit në shëndetësi?

Jo, në fakt kur isha e vogël isha më shumë e dhënë pas artit dhe kërcimit. Shkruaja shumë poezi dhe kam publikuar librin tim të parë në moshën 12 vjecare. Endrra për t’u bërë doktoreshë lindi kur shoqja ime e ngushtë, Denisa Pirra u diagnostikua me kancer. I premtoja shpesh asaj se do gjeja një menyrë ta sillja në Amerikë, pikërisht te spitali ku punoj sot për ta kuruar. Fatkeqësisht ajo vdiq para se unë të vija në Amerikë. Qe prej atij momenti i premtova vetes që do shkoj në Amerikë, do studjoj mjekësi dhe do jem pranë njerëzve që luftojë me kancerin dhe unë do luftoj bashkë me ta në cdo hap të betejës. Rrethanat e asaj kohe, më detyruan që të vazhdoja shkollën e infermierisë fillimisht. Edhe pse jam shumë e lumtur me profesionin e infermjerisë këtu në New York, ëndrra për te të qenë doktoreshë nuk m’u shterr kurrë. Madje duke punuar këto gjashtë vjet pranë doktorave, pasioni për vazhdimin e mjekësië më është shtuar më tepër. Tani jam duke punuar si infermiere dhe duke vazhduar studimet për t’u futur në shkollën e mjekësisë. Shpresoj që një ditë mund të realizoj ëndrrën për te cilën erdha në Amerikë. 

Kur keni ardhur në Amerikë?

Kam ardhur në Amerikë në vitin 2007 si studente dhe kam vazhduar vitin e fundit të gjimnazit në Seattle, WA State duke jetuar në një familje amerikane. Mbas diplomimit të gjimnazit lëviza në New York City me dy motrat e mia ku fillova dhe shkollen e infermierisë. Prindërit u bashkuan me ne mbas katër vitesh. Tani jetojmë të gjithë bashkë në Staten Island. 

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

(dita e 53-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

19 Maj, 2020

New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Bojkena Selmanaj, Keze Kozeta Zylo

SHQIPTARËT NË MAQEDONINË E VERIUT DHE LUFTA E SHTETIT MAQEDON NDAJ COVID-19

May 20, 2020 by dgreca

Arjeta Raufi mjeke pediatre pranë Spitalit Klinik të Tetovës, rrëfen Maqedoninë e Veriut në përballjen ndaj Covid-19, intervistë ekskluzive për gazetën Dielli New York, dhënë gazetarit Sokol Paja./

SITUATA E COVID-19 NË MAQEDONINË E VERIUT 

Maqedonia e Veriut është ballafaquar me situatën e pandemisë së COVID-19, si çdo vend tjetër në botë. Rasti i parë i evidentuar si i infektuar u paraqit më Shkurt të vitit 2020, nga udhëtarë të kthyer nga Italia. Më pas, raste të tjera vazhduan me virozën e lartpërmendur në qytetin e Dibrës duke u përhapur gradualisht nëpër qytetet e tjera deri në atë masë sa që brenda dy muajsh arriti në numër afro 1800 raste të të infektuarvr me COVID-19. Situata më tej vazhdoi në marrjen e masave të qeverisë së Maqedonisë së Veriut në menaxhimin më të mirë të gjendjes së krijuar nga COVID-19, me qëllim të evitimit të ngarkesës së sistemit shëndetësor për një vend me kapacitetete të kufizuara për përballimin me COVID-19, siç është Maqedonia e Veriut.

MASAT QË MORI QEVERIA MAQEDONASE 

Duke përcjellur me kujdes situatën e krijuar, qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nga dita e parë ka ndjekur dhe monitoruar me seriozitet situatën, duke përcjellur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me politikat ndaj sëmundjes ngjitëse COVID-19. Konkretisht, së pari prej datës 19 Mars 2020, Maqedonia e Veriut vendosi gjendje të jashtëzakonshme, me të cilën u akorduan politikat për ndalesën e lëvizjes së lirë të qytetarëve, ndërprerjen e procesin edukativo-arsimor, mbylljen e të gjitha bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha, mbylljen e qendrave tregtare, dhe të ngjashme. Këto masa të qeverisë mundësuan karantinimin e qytetarëve, sipas orarit të caktuar të lëvizjeve të grupmoshave të ndryshme, që me këtë të parandalojnë infektimin dhe mbrojtjen në masë të qytetarëve. 

Masa tjera të qeverisë parashikuan mbylljen e kufirit dhe lëvizjeve jashtë shtetit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke anulluar fluturimet nga dhe drejt shtetit. Për çdo qytetar të mbetur jashta kufijve të shtetit, Ministria e Jashtme organizoi agjenda të veçanta fluturuese drejt Maqedonisë së Veriut, për të cilët me arritjen në aeroportin e Shkupit, apo në vendkalimet kufitare të shtetit, praktikohej karantinim 14 ditor i udhëtarëve. Pas një intervenimi të tillë, është menduar të prevenohet përhapja e infeksionit duke vazhduar më tej me masat tjera edhe më të rrepta të izolimit të qytetarëve. Për javët e fundit të Majit (konkretisht me 12 Maj 2020), Ministri i Shëndetësisë vlerëson se gjendja në shtet me COVID-19 është më stabile dhe pret stabilizim të mëtutjeshëm. Andaj Komisioni për Sëmundje Infektive ka dorëzuar propozim-plan deri te qeveria, për lehtësimin gradual të masave, i cili do të realizohet në tre etapa të caktuara. 

SHQIPTARËT NË MAQEDONINË E VERIUT 

Në lidhje me pandeminë, situata e shqiptarëve raportohen në kuadër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Mediet kanë paraqitur raste të shumta të kthimit të shqiptarëve në vend duke iu nënshtruar politikave të caktuara të karantinimit. Për shqiptarët në vend, në kontekste tjera ekonomiko-sociale, janë në pritje të rihapjes së punëve të bizneseve të shumta të nivelit të ulët dhe të mesëm. Sfidat e rihapjes së punëve në vend janë të ndryshme, si krizat me kompensimin e punëtorëve, kredimarrja, subvencionet etj, për të cilët më detajisht janë të parapara në politikat e qeverisë, të kumtuara shpesh nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave të Maqeodnisë së Veriut. Gjithashtu, Maqedonia e Veriut është në pritje të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në fund të Qershorit, të cilat nëse mbahet sipas planit të paraparë, do të pozicionojnë edhe pozitën e mëtejme të votuesve shqiptarë dhe partive shqiptare në vend. Duke marrë parasysh që gjendja e jashtëzakonshme është zgjatur deri në fillim të muajit Qershor, rihapja e Maqedonisë së Veriut pritet të bëhet përgjatë muajve Qershor dhe Korrik të vitit 2020. Këtu sugjerimet e qeverisë janë për hapje graduale të bizneseve, kufijve, fluturimeve, udhëtimeve jashta dhe për brenda shtetit dhe të ngjashme. Edhe pse saktësisht nuk kanë datë të përcaktuar, rihapja do të varet nga sugjerimet e Ministrisë së Shëndetësisë për situatën e COVID-19 në shtet. 

E ARDHMJA E COVID-19 NË MAQEDONINË E VERIUT 

Që nga rasti i parë i paraqitur dhe regjistruar me COVID-19, për javet në vijim kurba ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe ka pasuar me regjistrim të rasteve të reja në kontinuitet. Numri më i lartë i të të infektuarve në nivel ditor është regjistuar me 14 Prill 2020, ku Maqedonia e Veriut kishte numër të infekutarish 107 raste për ditë. Më pas kurba e të infektuarve është stabilizuar duke mbajtur një numër ditor të infektuarish me rënien më të ulët në 5 të infektuar me variacione ditore deri në maksimum 36 raste.Prej rasteve të paraqitura deri më datë 16 Maj 2020, 25,2 përqind (452 persona) janë hospitalizuar, ndërsa rastet tjera kanë qenë në mjekim shtëpiak, apo vetëizolim, me pasyra të lehta klinike apo asiptomatike. Në lidhje me komorbiditetet, te 547 raste (30,5 përqind) janë regjistruar sëmundje kronike të tipit kardiovaskular, diabet, sëmundje kronike pulmonare, sëmundje kronike të veshkëve dhe 78 raste me sëmundje të tjera kronike. Prej rasteve të raportuara, janë 251 raste të infektuarish në mesin e punonjësve shëndetësor (14 përqind). Të dhënat e mësipërme janë huazuar nga Instituti për Shëndet Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut – përmbyllur deri më datë 16 Maj 2020. Në përmbyllje të raportimit me datë 17 Maj 2020, numri i përgjithshëm i të të intektuarve në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1792 raste, nga to 1293 të shëruar, 101 raste të vdekjeve dhe 398 të rasteve aktive të të infektuarve. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Jemi tejet të lumtur që shqiptarët në Shtetet e Bashkuara kanë rastin të përfitojnë nga botimet dhe angazhimet e palodhshme të stafit të gazetës “Dielli”. Gazeta “Dielli” paraqet vazhdën e sakrificës dhe vetmohimit të intelektualëve shqiptarë të shoqatës gjithëshqiptare në Shtetet e Bashkuara  – “Vatra”. Për kohën kur ka nis veprimin shoqata “Vatra”, në fillet e shekullit të njëzetë, e deri më sot i është përgjigjur me plot ndërgjegje kombëtare aktualiteteve të çështjes shqiptare në vend. Meqë me histori të gjatë, moral të lartë dhe ndërgjegje të thellë në mbarëvajtjen çështjeve të ndjeshme të kombit shqiptar, sot gazeta “Dielli” dhe stafi i saj paraqesin mishërim të kësaj rruge shekullore të kontributit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuaratë Amerikës. Urojmë që lexuesit e gazetës “Dielli” dhe shqiptarët kudondodhshin të mos kursejnë suportin ndaj botimeve si dhe të çdo aktivitieti të saj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Arjeta Raufi

A L B TV USA, 20 VJET – 20 MAJ 2000 – 20 MAJ 2020 

May 20, 2020 by dgreca

FALENDERIM
 I Z. GANI VILA, DREJTORIT TË TELEVIZIONIT TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS, GANI VILA – ME RASTIN E 20 VJETORIT/

Të nderuar shqiptaro-amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,të nderuar emigrantë kudo që jetoni nëpër botë,të nderuar bashkëatdhetarë që jetoni në trevat tona etnike.Kam kënaqësinë,nderin dhe priviligjin të ndaj me ju sot gëzimin dhe krenarinë pa kufi që me rastin e 20 vjetorit tëTelevizionit të Shqiptarëve të Amerikës,ALBTVUSA, t’ju falenderoj Ju për suportin që i keni dhënë dhe vazhdoni t’i jepni për 20 vjet këtij televizioni. 

Në radhë të parë më lejoni t’ju përcjell një falenderim dhe një mirënjohje të veçantë të gjithë shikuesve të programeve tona që trasmetohen në Comcast dhe në Paketat 24 orë live në Shqip TV dhe Tv Alba.Ndjekja e programeve tona nga ju të nderuar shikues është suporti më i madh që na keni dhënë në këto 20 vjet trasmetim në Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës. 

Vërejtjet, sygjerimet dhe kritikat tuaja si gjithmonë edhe në të ardhmen do të jenë ndihmat më të vlerësuara nga ana e jonë dhe ju premtojmë së edhe në dekadën e tretë që sapo hymë jo vetëm që nuk do t’ju zhgënjejmë, por do të ndertojmë një strukturë më të pasur programore,për të gjitha shresat,moshat dhe nevojat që ju do të keni. 

Falenderojmë gjithashtu të gjithë biznesmenët e komunitetit shqiptar në Amerikë, veçanërisht në Michigan, për bashkëpunimin e suksesshëm duke reklamuar në programet tona bizneset tuaja.Reklamimin e biznesit tuaj në ALBTVUSA ne e vlerësojmë shumë,ndaj krahës elementeve të ndërsiellta të biznesit ,bashkëpunimi ka qënë dhe është një suport i rëndësishëm për ne.Prandaj ju premtojmë se bashkëpunimi ynë edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë profesional dhe shumë i 

suksesshëm. Më këtë rast ftojmë të gjitha bizneset shqiptare që të reklamojnë e të bashkëpunojnë me ALBTVUSA,pasi interesi është përbashkët jo vetëm për ne,por i rëndësishëm edhe për kombin shqiptar. 

Një falenderim të veçantë ju bëj të gjithë bashkëatdhetarëve që edhe pse nuk kanë patur interesa personale e lidhje biznesi, vazhdimisht e kanë ndihmuar dhe suportuar moralisht dhe materialisht Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës.Këtu do të veçoja biznesmenin Agim Lumani, pronar i kompanisë Form G.Tech në Michigan i cili gjithmonë i është gjendur pranë ALBTVUSA-së në momentet më të vështira.Vlerësimi,besimi dhe ndihma që JU të nderuar bashkëatdhetarë i keni dhënë ALBTVUSA-se ka qënë jo vetëm thjeshtë një ndihme,por edhe një obligim për të punuar më me përgjegjesi në interes të komunitetit tonë. 

Vlerësoj maksimalisht bashkëpunimin e mirëkuptimin me institucionet fetare shqiptare në emigracion dhe në vëndlindje,bashkëpunimin me Federatën Pan Shqiptare Vatra si dhe me të gjitha shoqatat dhe organizatat që veprojnë në SHBA e në vendlindje. 

Do të falenderoj të gjithë intelektualët në komunitet që vazhdimisht i janë gjendur pranë ALBTVUSA-s me mendime,ide,vrejtjet,kritika dhe me angazhimin e tyre kanë ndihmuar në rritjen e nivelit profesional të emisioneve tona. 

Po ashtu falenderoj çdo person dhe institucion të të gjitha niveleve për bashkëpunimin me ALBTVUSA për këto 20 vjet me shpresë se bashkëpunime të suksesshme do të kemi edhe në të ardhmen. 

Një falenderim special me rastin e 20 vjetorit ju takon të gjithë artiststëve shqiptarë në diasporë dhe në vëndlindje që me krijimtarinë e tyre,më këngë, më humor,me filma etj na kanë pasuruar programet tona me vlera të traditës,të zakoneve dhe të progresit shqiptar. 

Falenderim i veçantë i takon gjithë stafit të mbrekullueshëm të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës që punon pa u lodhur aktualisht pranë këtij televizioni,në studio,në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,në Shqipëri,në Kosovë ,në Maqedoni dhe në Tuz të Malësisë së Madhe, për përkushtimin që kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë vazhdimisht në kryerjen e detyrave në gazetari,në filmime,në redaktime,montazh, në marketing,në mardhëniet me publikun,ruajtjen e arkivit si memorje e gjallë e komunitetit,duke sjellë për shikuesit me përgjegjësi,korrektësi e profesionalizëm programe bashkëkohore që janë skalitur në memorien e shikuesve. 

Pa punën tuaj me dashuri, pa punen tuaj me përkushtim,pa punën tuaj me sakrifica,pa punën tuaj të kualifikuar,profesionale dhe të moralshme, ju them me bindje të dashur bashkëpuntorë,se nuk do të kishim një ALBTVUSA në këto nivele e ndoshta nuk do të festonim as 20 vjetorin. 

Ju keni qënë dhe jeni suksesi i ALBTVUSA-së.
Faleminderit juve dhe familjeve tuaja që ju kanë mirëkuptuar,ju kanë suportuar dhe ju kanë toleruar gjatë viteve orar dhe pa orar e që së bashku kemi përballuar volumet e punës në ALBTVUSA.
Së bashku kemi përjetuar gëzime,kënaqësi e suksese,por edhe vështirësi e pengesa të shumta,të cilat i kemi përballuar gjithmonë si një familje.
Të dashur miqtë e mi; Rafael Floqi,Valentina Vila,Ilir Myftari,Astrit Kalibaqi,Beqir Sina,Agim Blloshmi,Kastriot Vila,Gjokë Dukaj,Dijana Dukaj,Jola Rexho,Lidia Balaj,Kolë Vasili,Fation Bobrati dhe të gjithë bashkëpuntorët e tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm gjatë dy dekadave në ALBTVUSA-së,unë Gani Vila që nuk ngopem kurrë me punë,që shpesh veç ju kritikoj,sot është dita dhe obligimi im shpirteror miqtë e mi t’ju them se ju dua shumë dhe do t’ju jem mirënjohës gjithë jetën për misionin e madh që kemi marë. 

Të dashur bashkëatdhetarë shqiptarë, kudo që jetoni nëpër botë,suksesi i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës është pjesë e suksesit tuaj,ndaj së bashku të urojmë: “ Gëzuar ALBTVUSA- 20 Vjetorin “.
Urime,suksese dhe në përvjetorë të tjerë. 

*Drejtori Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës Gani Vila 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 20 VJET -ALB TV USA, Gani Vila

PËRKUJTOHEN DITËT E QËNDRESËS ANTIKOMUNISTE NË SHKODËR, SPAÇ E QAFË BAR

May 20, 2020 by dgreca

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në një intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare VATRA, New York, deklaroi: “Të dënohen krimet e komunistëve dhe komunistët që janë ende në pushtet” /

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Drejtësi dhe Paqe dhe Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni përkujtimi në Shkodër, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë, në nder të qëndrestarëve ndaj regjimit komunist. Takimi u zhvillua pranë memorialit që i kushtohet të njëjtës ditë, në nder e respekt të të gjithë shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. Në data 20-21-22 maj për çdo vit përkujtohen “Ditët e Qëndresës“ antikomuniste në Shqipëri. Ky është një aktivitet që synon të përkujtojë qëndresën antikomuniste të popullit e kombit shqiptar gjatë diktaturës. Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë  u shpreh se “Kemi zgjedhur datat 20 dhe 21 maj që janë edhe fillimin e dy revoltave antikomuniste nga më të guximshmet të  burgosurve politike në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit që tronditet themelet e reagimit komunist. Kemi zgjedhë Shkodrën së pari se ka një memorial dinjitar kushtuar qëndresës sonë antikomuniste dhe si një nga qytetet e krahinat ku qëndresa ndaj komandimit ishte dhe është më e fortë se kudo në Shqipëri. Nga kryengritja e Malësisë, Postribës deri tek hedhja në erë bustit të Stalinit dhe maskara komuniste e 2 prillit janë me qindra ngjarje mijëra protagoniste martirë të pushkatuar, të burgosur, internuar, vrarë në kufi për shkak të qëndresës ndaj diktaturës më gjakatare në Evropë”- shpjegoi z.Çika.   

DEDIKIM PËR QËNDRESTARËT

Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë “ditët e qëndresës i kushtohen të gjithë shqiptareve që i qëndruan diktuarës  në mënyra nga më të ndryshmet duke sakrifikuar për ketë veten e familjen. U kushtohet të vrarëve me dhe pa gjyq, të burgosurve politike, të internuarve sidomos atyre të kampeve të shfarosjes në Tepelenë, Kamëz, Krujë etje, të dëbuarve politikë, kulakëve dhe të gjithë të tjerëve që pësuan forma nga më të ndryshme persekutimi. Përkujtojmë me respekt nënat, gratë e vajzat që me sakrificë përballuan të persekutimin duke ndjekur në burgje bijtë e bijat e burgosura, vëllezërit e burrat e tyre ndërkohë që me mundim e nën presion  duhet të ushqenin e edukonin fëmijët që jo në pak arrestuar u vdisnin nga vuajtjet e uria të gjitha këto, vetëm e vetëm pse nuk iu përkulën të keqes me të madhe të popullit e kombit tonë, komunizmit. Slogani jonë është: Ne nuk harrojmë. Dhe në këto ditë ne kujtojmë krimet e komunizmit dhe drejtojmë gishtin tek autorët e tyre që jo vetëm nuk u ndëshkua kurrë por edhe janë në pushtet në nivelet më të larta të tij”. 

KRIMINELËT E DIKTATURËS ENDE NË PUSHTET

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë lëshoi alarmin për kriminelët komunistë që ende bëjnë drejtësi në 30 vite demokraci. Ai bëri thirrje për hetime dhe pastrime prej komunistëve të sistemit drejtësisë, qeverisë dhe hallkave të tjera të administrimit të pushtetit në Shqipëri. “Në parlament në qeverie, drejtësi, siguri kombëtare e civile etje. Të bindur që nëse nuk do të ketë drejtësi shpirtrat e martireve tanë nuk do të mund të qetësohen por edhe për faktin së autorët e krimeve të komunizmit ende në pushtet mund dhe vazhojnë të kryejnë krime duke përdorur pushtetin shtetëror ne e  theksojmë mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit si problemin më të madh historik e aktual të vendit. Demokraci, liria, prona të tjera të drejta themelore të njeriut janë fiktive e të kërcënuara vazhdimisht deri sa autoret e shkeljes së tyre dje dhe sot janë jo vetëm të pa ndëshkuar por edhe në pushtet”- u shpreh Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë. 

TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Dënimi i krimeve të komunizmit është shëndërruar në një betejë pa kthim për antikomunistët shqiptarë. Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë: “Fatkeqësisht çdo përpjekje jonë juridike për të dënuar krimet e komunizmit është bllokuar nga drejtësia drejtuesit e së cilës janë në konflikt interesi pasi ata vetë ose prindërit e tyre autorë krimesh të komunizmit. Prokuroria ka bllokuar hetimin disa kallëzimeve penale për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ku mund të përmend Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike dhe ndaj ish drejtorit të Burgut të Qafë Barit Edmond Caja. Në këto kushte beteja jonë ka qenë dhe mbetet poetike, mediatike e historike pa asnjë kompromis me komunistët persekutorë. Ne në këto ditë përkujtojmë martirët tanë dhe këmbëngulim që ata të jenë modelet  e brezit të ri dhe jo kriminelët e njeriu i ri që u imponon si model shkolla dhe propaganda në Shqipëri. Nderim në jetë të jetëve qëndresës sonë antikomuniste dhe martirëve tanë” – deklaroi z.Çika.

MEMORIALI…

TË MOS HARROJMË TË SHKUARËN

Voltana Ademi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër në aktivitetin për “Ditët e qëndresës”, mbajti këtë qëndrim institucional: “Ditët e Qendresës” në Shkodrën simbol të antikomunizmit, simbol të përballjes me diktaturat dhe neodiktaturat. Një vit nga kthimi i një borxhi për të persekutuarit dhe të përndjekurit, një vit nga vendosja e Memorialit kushtuar persekucionit dhe sakrificave të shkodranëve e shqiptarëve në 45 vite diktaturë. Në fund të një viti të vështirë për Shkodrën e Shqipërinë, që sot rrezikohen më shumë se kurrë në këto 30 vite të humbasin atë çfarë kanë arritur me shumë sakrifica e mund: Lirinë dhe Demokracinë. Sot, një ditë simbol dhe si thirrje për bashkim për të mos harruar të shkuarën, që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shkodër e Shqipëri jo si ajo që përjetuam ne. Përpjekja e nisur në 1990-ën me etërit, duhet të vazhdojë me largimin e bijve për të zhbllokuar edhe rrugën tonë drejtë Europës së Bashkuar” – përfundoi Ademi.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Cika, Qafe-Bari, Sokol Paja, Spaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT