• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

PANDEMIA DHE ELEMENTET E SAJ

May 30, 2020 by dgreca

NGA ANILA SHALA/

P- padukshmëri/

Jeta ka ironi të shumta, të cilat kur ndodhin na tronditin dhe na fusin në mendime të thella, ku gjejmë veten duke bërë pyetje filozofike. Ngacmojmë ndërgjegjen tonë, e cila nuk harron edhe nëse vetëdija jonë po; i bëjmë presion mendjes duke i shtruar pytje, përgjigjet e së cilave jo vetëm që nuk i gjejmë në mendjen tonë, por as në libra, media e portale të shumta. E viti 2020 na shkaktoi një ngjarje historike, një luftë botërore moderne, një pandemi, që tundi botën dhe të gjitha sferat e saj. Por shtrohet pyetja, nga kush u shkaktua kjo pandemi?

Kjo situatë u shkaktua nga padukshmëria. Padukshmëria e virusit, pika e tij e fortë e dobësia jonë., që doli të jetë paradoksale. Veçori kjo e tij që rriti numrin e pasojave në njerëz e në veprimtaritë e tij. Qëndrojmë të mbyllur duke soditur bukuritë e natyrës dhe nuk shohim asgjë të pahijshme. Përkundrazi shohim një bukuri mahnitëse, që i ka munguar natyrës me vite e disa nga ne nuk e kanë përjetuar kurrë këtë bukuri. E pse mos të dalim? Asgjë nuk po shohim, asgjë të dyshimtë nga e cila të frikësohemi e të fshihemi nga ajo. Mirëpo, këtu është qëllimi që ka armiku ynë. Nuk shihet, nuk vërehet prezenca e tij deri sa ai të na pushtoj. Nuk kemi armë për ta mposhtur, është më i fortë se sa shpikjet tona e paramendimet tona për të. Kështu që duhet të fshihemi nga ai duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona duke u shkëputur nga jeta jonë normale në mënyrë që mos të përballemi me të, sepse fitorja ndaj tij është skeptike. E pasi që jemi në shtëpi me shumë kohë të lirë, na bie në mend edhe një pyetje tjetër. A kemi vrasës tjerë të padukshëm në jetën tonë? Armiq që na sulmojnë pak e nga pak çdo ditë, e ne i shpërfillim dhe nuk ndërtojmë as muret mbrojtëse e as nuk punojmë për t’i mposhtur ata. 

Këta janë të ndryshëm për secilin, andaj është përgjegjësi e secilit të filloj betejën e tij ndaj tyre, kurse tani duhet të luftojmë armikun tonë të përbashkët e të padukshëm me armët e vetme, të cilat i kemi në duar.

A- ambicie

Ambicia është një dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të bërë diçka me vlerë, e cila do të ndihmonte personin që e posedon dhe e shfrytëzon atë për zhvillime pozitive. Arritjet e fituara nga ato zhvillime jo vetëm që e ndihmojnë atë individ, por edhe komunitetin në të cilin ai ndodhet. Ky synim po kërkohet të posedohet e të fitohet gjatë situatës në të cilën gjendemi, por kjo ndodhi të jetë e vështirë, sepse është zvogëluar lista e burimeve të cilat na inspirojnë e na ofrojnë gëzim. Tani priremi të jemi vetëm euforik, jemi produktiv për disa momente, bëjmë një listë të mbushur të gjërave, të cilat duam t’i bëjmë mirëpo shumë pak prej tyre përmbushen. 

Disa kemi vendosur që të pushojmë, sepse këtë kohë të lirë nuk do ta kemi ndoshta asnjëherë. E disa të tjerë mundohemi të shfrytëzojmë këtë kohë për të bërë gjëra sa më produktive. Por prapë se prapë tek të dy palët mungon dëshira e zjarrtë për të implementuar planet që kemi, mungon energjia optimiste e ditëve të zakonshme, sepse është e vështirë që në një presion nga lajmet dhe ngjarjet e fundit të kemi një qëndrim optimist. 

Mbi të gjitha duhet provuar të gjitha mënyrat që ndjenja e të qenurit ambicoz të rikthehet tek ne në mënyrë që të kalojmë më shpejt ditët që na kanë mbetur e pastaj të fillojmë jetën e normalitetit të ri. Pasi që të gjitha gjërat kanë ndryshuar dhe po vazhdojnë ende të ndryshojnë.

N- ndryshueshmëri

Si qenie njerëzore kemi tendencë të shpërfillim të mirat, që na rrethojnë dhe përqendrohemi tek sendet negative. Gjithashtu harrojmë edhe të jemi mirënjohës për shumë gjëra, kurse u kushtojmë kohë e rëndësi aktiviteteve e ngjarjeve të shumta vlerat e të cilave janë edhe më të përkohshme se relativiteti. Nëse ne kemi si parim ligjin e këtij të fundit nuk e besoj se do të kemi shumë probleme në jetë, por fatkeqësisht edhe këtë e harrojmë. E pastaj pasojat vijnë dhe jo gjithmonë jemi të aftë të përballemi me to.

Në rastin tonë ishte pandemia arsyeja e rikujtimit të shumë personave, vlerat e përgjegjësive, të cilat i kemi harruar si pasojë e jetës dinamike, por edhe neglizhencës sonë. E tani armiku jonë duke na mbyllur shumë lehtë e shpejt na tregoi se mund të humbasim lehtësisht më të dashurit tanë, pasurinë tonë dhe shumë gjëra të tjera. Kështu që, çdo veprim i yni luan rol dhe lë gjurmë edhe nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat dhe ndikimin e atyre veprave. Këtë ndryshueshmëri të rutinës sonë e shkaktoi kjo situatë në të cilën nuk gjendet vetëm vendi ynë, por e tërë bota dhe vazhdimisht priten ndryshime. Qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, që përfshin sektorë të shumtë nga të cilët varet mbijetesa e popullsisë, por edhe zhvillimi i shtetit. Pastaj kemi ndryshimet në sistemin edukativo-arsimor, sfidë me të cilën njerëzimi nuk është përballur asnjëherë me këto përmasa. Pra, çdo gjë ka marrë kthesa dhe rrugë të ndryshme. E ndryshime ka edhe në gjendjen emocionale të njerëzve. Ata këtyre ditëve mësuan përsëri se çfarë është me vlerë në jetën e tyre e çfarë jo, çka meriton përkushtim e nga çka duhet të heqin dorë. 

E sot më shumë se kurrë na tregoi se si duhet të kemi një ndryshueshmëri për të mirë. Duke i qëndruar njëri tjetrit pranë, duke ndihmuar që të tejkalojmë këtë sfidë, sepse vetëm njëri tjetrin kemi tani. Të tjerat ikin më shpejt, e njeriu për të mbrojtur veten nga vetmia, që e ka mangësi e ka frikë nga ajo i duhet qenia e tij. I duhet një njeri tjetër të flas, të shpreh mendime dhe të kaloj kohë me të. Fundja, jemi qenie humane dhe tani erdhi koha që ta dëshmojmë atë më së miri.

D- dobitë 

Si çdo ngjarje me të cilën është ballafaquar njeriu edhe kjo në të cilën po kalojmë tani ka anën e saj pozitive dhe negative. A nuk është ashtu edhe për çdo gjë në këtë jetë? Është thënë shumë moti në një proverb kineze se çdo e mirë ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë. Madje ndoshta edhe është bërë klishe duke u përsëritur vazhdimisht, por a ndalemi ndonjëherë të logjikojmë dhe të mendojmë më shumë rreth filozofisë që përmban. Duket një fjali e thjeshtë, por në fakt mban në vete shumë enigma dhe kuptime.

Me anën negative të ngjarjeve aktuale jemi njohur dhe po u bëjmë ballë çdo ditë. Megjithatë në mënyrë që t’ia lehtësojmë vetes luftën me betejën që po mbizotëron duhet të kujtojmë dhe të mundohemi të gjejmë sado pak dobi të cilat ajo po i ofron. Ndoshta edhe duket absurde se si të kërkojmë përfitime nga e gjithë kjo. Prapë se prapë duhet të mundohemi, sepse është në të mirën tonë. Dobi e kësaj pandemie është koha e lirë, që ajo po na ofron e ndoshta nuk do ta kemi më, prandaj është zgjidhje e jona se si dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë kohë. Duke kaluar kohë me familje, duke u mbushur me energji, e cila do të na duhet pas kësaj dhe duke punuar në arritjen e planeve tona afatgjate. Dhe nuk janë vetëm këto, ka edhe shumë mënyra tjera se si mundemi të kalojmë ditët, vetëm dallon se për çfarë jemi të interesuar dhe çfarë kemi për synim. Disa nga përfituesit më të mëdhenjë janë natyra dhe qeniet e saj; bimët e shtazët. Pas shumë konferencave e organizimeve të shumta, të cilat u zhvilluan në gjithë botën për qëllim të eleminimit të ngrohjes globale dhe reduktimit të veprimtarive njerëzore që shkaktojnë pasoja të dëmshme botës së gjallë. Tani i erdhi koha natyrës që të marrë veten, të rikthej energjinë dhe bukurinë e saj. Të bëhet përsëri shtëpi për shumë bimë e shtazë, të cilat çdo ditë po rrezikoheshin nga veprimet tona të pamenduara. Por nuk është natyra e vetmja, sepse kjo është një dobi zingjirore. Ajo shkon në hallka – hallka dhe secili përfiton, e në këtë rast edhe ne do të përfitojmë së shpejti nga natyra. Përfitime këto që do të sjellin ndryshime pozitive në lëmi të ndryshme globale.

Prandaj, duhet të kemi një qëndrim realist ndaj këtyre ndodhive dhe t’i shohim ato në perspektiva të ndryshme, sepse kur të dalim nga kjo pandemi do të filloj jeta normale. Por një jetë normale e re për të gjithë, pasi që asgjë nuk do të jetë si më parë. 

E- empatia

Empatia është aftësia për të kuptuar ose ndjerë atë që një person tjetër po përjeton, domëthënë aftësia për ta vendosur veten në pozicionin e tjetrit. Rëndësia e të qenurit empatik është shumë e madhe dhe mungesa e saj ka ndikuar në mospërmisimin e shumë ngjarjeve në botë, gjithashtu edhe në pengimin e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë. Efektet pozitive të empatisë janë: nxitja e ndjenjave të mira, pozitive, nxitja e shëndetit dhe mirëqenies fizike e emocionale, shërimi i problemeve të dhimbshme psikologjike, zgjidhja më e lehtë e konflikteve dhe shumë dobi tjera, që ndihmojnë mënyrën e jetesës. Pra, mund të themi se empatia është gjithmonë me rol, mirëpo është veçanërisht e rëndësishme gjatë një krize të shëndetit publik. Praktikimi i empatisë gjatë pandemisë COVID-19 jo vetëm që hap mendjen për atë që po përjetojnë të tjerët, por gjithashtu mund të sigurojë një lidhje sociale që mund të ndihmojë në luftimin e ndjenjave të izolimit. 

Gjatë një ngjarjeje, e cila ndodhet në një shkallë të gjërë, është e rëndësishme të mbajmë mend se të gjithë jemi në këtë luftë së bashku, se ajo çfarë kemi është vetëm njëri-tjetri. Duhet të mendojmë për të tjerët dhe të mos harrojmë të kërkojmë ndihmë nëse na nevojitet. E gjithashtu edhe të dhurojmë ndihmë në bazë të mundësive dhe kushteve që kemi, sepse në këto raste edhe ndihma më e vogël vlenë dhe ka peshë të madhe. Për këtë arsye duhet të kërkojmë mënyra se si të ndihmojmë, qoftë edhe duke qenë një bashkëbisedues me dikë, pasi që gjendja jonë psikologjike gjatë situatave të tilla nuk është stabile dhe mund të sfidohemi me çrregullime të shumta. Qoftë hormonale, të gjumit, shëndetit mendor dhe fizik, po ashtu edhe çrregullime të mënyrës së të jetuarit. Prandaj edhe në ngjarje të tilla, komunikimi zë një vend të madh në përmisimin e gjendjes aktuale.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për të mbështetur të tjerët është thjeshtë të qëndrojmë në shtëpi dhe t’u përmbahemi udhëzimeve nga organet kompetente. Të dëgjojmë të tjerët, të përfshihemi në akte shërbimi, sepse këto janë strategjitë që mund të ndihmojnë në ndërtimin e empatisë. E si përfundim empatia dhe mirëkuptimi janë pjesa kritike e dhembshurisë dhe më e rëndësishmja e veprimit. Prandaj të përpiqemi të jemi sa më empatik në mënyrë që të përfitojmë jashtëzakonisht shumë përmes sjelljeve tona.

M- meditimi

Meditimi është çelësi për hapjen e dyerve të ekzistencës. Ai ështe gjendje e jo-mendjes, e vetëdijes së pastër, por pa asnjë përmbajtje. Ai është njëra prej mundësive dhe zgjidhjeve më të mira që mund të praktikoj njeriu në mënyrë që të përfitoj në shumë sfera të jetës.  E kryesorja që të krijoj një transformim në veten dhe jetën që jeton përmes mënyrave të shumta të meditimit. Të drejtohet nga hyjnorja, por së pari duhet ditur ç’është meditimi e pastaj çdo gjë tjetër vjen në mënyrë të natyrshme. Arti i meditimit është si të veprojmë fuqishëm. Si t’i heqim qafe mendimet dhe si të shndërrojmë në vetëdije energjinë, e cila rrymon si mendim. 

Mendja jonë është gjëmb, i cili shkakton dhimbje të shumta me mendimet e saj të pafunda, ku me raste janë mendime skeptike, pesimiste e cinike. Sidomos gjatë situatave të ngjashme me atë në të cilën ndodhemi, sepse triumfon e panjohura dhe ajo është gjithmonë frikësuese. Meditimi sjellë shumë përfitime për shëndetin tonë fizik, mendor dhe emocional. Ai shëron njëkohësisht mendjen dhe trupin nëpërmjet gjendjes së qetësisë. Disa përfitime fizike të meditimit janë rregullimi i tensionit të gjakut dhe përmisimi i frymëmarrjes si pasojë e rritjes së sasisë së ajrit në mushkëri. Personat që praktikojnë meditimin ndihen më mirë, më të qetë dhe kanë më shumë vetkontroll. Gjithashtu edhe reaksionet kimike në trup që lidhen me stresin janë më të vogla, kjo e fundit ndikon në zvogëlimin e ankthit. Përfitime tjetra nga meditimi janë qetësimi i mendjes, rregullimi i humorit, zhvillimi i memories dhe reduktimi i depresionit. Kohëve të fundit shumë mjek këshillojnë pacientët e tyre të meditojnë kur kanë probleme të llojeve të ndryshme, sepse është një terapi alternative që ndihmon njerëzit të ekuilibrojnë gjendjen fizike, psikologjike dhe emocionale.

Të gjitha këto anë pozitive të meditimit do të luanin një rol të madh për personat, të cilët janë duke e praktikuar ose do të praktikojnë këtyre ditëve. E sidomos ditëve të fundit, në këtë kohë pandemie ku hulumtojmë vazhdimisht zgjidhje të ndryshme në mënyrë të arritjes së një qetësie shpirtërore dhe kur jemi gjithmonë të ekspozuar nga numri i madh i lajmeve në media, të cilat jo gjithmonë janë të vërteta. Dhe meditimi është zgjidhja jonë e duhur në mënyrë që të dalim nga kjo betejë e fortë dhe të gatshëm për të filluar jetën tonë të re. Meditimi është ilaç, prandaj harroni problemet tuaja dhe thjesht hyni në meditim dhe pastaj do vëreni rezultatet.

I- inovacioni

Inovacioni është një ide e re, pajisje efektive ose proces, që mund të shihet si aplikimi për zgjidhje më të mirë, që ofron mundësi për plotësimin e kërkesave të reja dhe nevojave aktuale të tregut. E gjithë kjo realizohet përmes produkteve, shërbimeve, teknologjive dhe ideve efektive, që janë të aplikueshme për qeverinë, tregjet e ndryshme dhe shoqërinë në përgjithësi. Viteve të fundit me zhvillimin e teknologjisë dhe pjesëmarrjen e saj në përditshmërinë tonë është bërë më vitale rëndësia e inovacionit. Për këtë arsye çdo kompani mundohet që përmes inovacionit t’u ofroj klientëve produkte më të reja dhe të sofistikuara, ku përmes kësaj metode jo vetëm që ndihmon ato kompani të përfitojnë financiarisht, por u ndihmon edhe klientët të përfitojnë. Pasi që përmes atyre pajisjeve mund të kryejnë shërbime të shumta, të cilat nuk kanë mundur t’i kryejnë më parë ose të ndihmojnë në kryerjen më efektive dhe të shpejt të shërbimeve.

Gjatë pandemisë inovacioni ka ndikuar në kalimin e saj në mënyrë më të lehtë, duke ofruar alternativa të shumta në degë të ndryshme për të zëvendësuar procese, të cilat nuk mund të zhvillohen gjatë kësaj kohe. Gjithashtu të ndihmoj në parandalimin e krizave si në aspektin ekonomik ashtu edhe në fushën e edukimit dhe fushat e tjera esenciale. Nëse nuk do të ekzistonte teknologjia në këtë situatë do të vështirësohej jeta e njeriut. Përmes inovacionit është zhvilluar mësimi online në të gjithë botën me anë të platformave të shumta. Kjo ka ndihmuar që nxënësit dhe studentët të përfundojnë vitin e tyre akademik edhe pse në një mënyrë ndryshe, të mos humbasin mundësinë e shkollimit, që është parësore për ta. Mënyra e tillë e të zhvilluarit të mësimit është përcjellur me sfida të mëdha e sidomos në vendet ku mungon pajisja me mjetet teknologjike, përveç kësaj kanë pësuar ndryshime dhe çrregullime metodologjia e të mësuarit dhe vlerësimit. Mirëpo, duhet të kemi një qëndrim pozitiv drejt kësaj, sepse në qoftë se nuk do të kishim këtë mundësi do të shkaktohej një kaos më i madh pasi që do të ndërronte e gjithë ecuria e zhvillimit të këtyre proceseve. Sa i përket ekonomisë, përmes zhvillimit të teknologjisë, disa kompanive dhe bizneseve u është mundësuar që përmes platformave të avancuara online të shesin produktet e tyre. Kjo ka ndihmuar që edhe klientët të mos mbesin pa ato produkte apo të blejnë artikuj të tjerë, gjithashtu ka ndihmuar që ato biznese të mos pësojnë humbje të madhe financiare dhe të zhvillojnë biznesin e tyre përmes këtyre platformave.

Përveç përfitimeve të lartpërmendura, inovacioni teknologjik ka shfaq një ndikim të madh në rutinën tonë gjatë qëndrimit në shtëpi. Nëpërmjet filmave, librave online, serialeve dhe rrjeteve të shumta sociale, që kanë pasur një rëndësi të madhe në argëtimin dhe përmisimin e disponimit tonë. Duke mos harruar edhe seminarët dhe eventet e ndryshme edukative e kulturore të zhvilluara në platformat online. Për ta përmbyllur, inovacioni ka qenë njëri prej faktorëve kyç që ka ndihmuar në përballimin e kësaj sfide dhe po vazhdon ende të ndihmoj në pakësimin e pasojave të saj. Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm të shfyrtëzojmë përfitimet nga ai në mënyrën më të mirë të mundshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anila Shala, Elementet, Pandemia

DIASPORA…”NJË QEVERI E BASHKUAR NE MERGIM”?!

May 30, 2020 by dgreca

….nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare?

– Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë….

Nga Astrit Lulushi/DIELLI/

Në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, Shqipëria ishte e uzurpuar. Njerëzit prisnin çlirimin dhe në këtë rast, kush pret, merr atë që tepron ose s’merr hiç fare. Në fund nuk mbeti gjë për të marrë dhe shqiptarët iu nënshtruan zgjedhës së re, duke iu kthyer përsëri karakterit të dikurshëm (bë sikur bën, bëjmë sikur bëjmë), duke veshur maskën e indiferencës për të bërë lojën e sunduesit, që, me mashtrime të kombinuara me dhunë, kontrollon çdo aspekt të jetës në vend, si dikur PP.
Kjo parti Pune sot Socialiste, e cila u la në skenën politike shqiptare vetëm falë mëshirês a mirësisë së popullit për të shmangur luftën civile, vazhdon si dikur të diktojë çdo ditë e më shumë – duke lënë njerëzit të ndiejnë se janë pak më shumë se skllevër në sistemin që lejuan të rimëkëmbet – urtësia u muar për dobësi. Vetëm më të mirët ishin në gjendje të shkëputeshin, dhe jo pa përpjekje të konsiderueshme.
Por, nëse kryeministri është në gjendje t’a drejtojë vendin me anë të FB — pse Diaspora të mos krijojë një ‘Qeveri virtuale të bashkuar në Mërgim’ që do t’i bënte sfidë qeverisë së Tiranës dhe ndërkombëtarëve t’u kërkonte të rishikonin politikat e tyre ndaj kësaj province fanare? Qeveria ka frikë nga një nismë e tillë, prandaj edhe ka krijuar një ministri të veçantë të Diasporës, sepse përpiqet t’a pengojë duke e përçarë atë. Pa gjykata, me parlament një-partiak, popull të zemëruar dhe polici jashtë kontrollit, vendi po shkon drejt një protektorati.
Nëse Diaspora thotë se është e organizuar, ajoduhet tē marrë edhe përgjegjësi — Ishte një Diasporë që krijoi një shtet, Izraelin. Përndryshe, duhet ta quajmë veten thjesht ‘të ikur’ dhe që nuk i perkasim më atij vendi – – ‘Diasporë’ është emër i madh që i vëmë vetes.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, diaspora, Qeveria ne Mergim

INSTITUTI POLAK I STUDIMIT TË KRIMEVE TË KOMUNIZMIT LISTON NË 100 VIKTIMAT MË TË SPIKATUR NË BOTË SHTJEFËN KURTI

May 30, 2020 by dgreca

Gazeta”DIELLI”- Instituti Polak “Kamynski” i Studimit të Krimeve të Komunizmit , midis dhjetra miliona  të vrarëve nga regjimet komuniste , liston në 100 viktimat më të spikatur nga tërë bota , SHTJEFËN KURTI .  

JA TEKSTI QË I REFEROHET PRIFTIT TË LUMNNUAR TË KISHËS KATOLIKE DOM SHTJEFËN KURTI:

” Prift dhe i Lumnuar i Kishës Katolike. I arrestuar me 1946 për shkak të dërgimit të një letre Papës, ku e informoi atë për persekutimin e Kishës. Dënimi me vdekje i tij u ndryshua më vonë në 20 vjet burg. Me 1963 ai është liruar nga dhënia e amnistisë, u arrestua sërish më 1967 për shkak se rezistoi deri në fund sekularizimit të një ndërtese të Kishës Katolike dhe u dënua pastaj me punë të detyrueshme. 

U arrestua prapë më 1970 për arsyen e vetme se fshehtas kishte pagëzuar një fëmijë me ritet e katolicizmit. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga një skuader speciale pushkatimi me 20, nëntor 1971. “

Filed Under: Featured Tagged With: 100 viktamat e Komunizmit, Don Shtjefen Kurti, Institutionalization Polak, me te spikatur ne bote

Distancë Shoqërore, Mbulesë Fytyre- Apo të Dyja Bashkë?

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan Dr. Pashko CAMAJ/

Nenkryetar i Vatres/

Në dy muajt e fundit, kemi dëgjuar fjalë dhe fraza të reja që me siguri do të mbesin me ne për një kohë te gjatë. Fjalë sikurse ‘covid-19’, ‘rrafshimi i kurbës, ‘antitrupt’, ‘imuniteti’ dhe shumë të tjera, janë bërë pjesë e fjalorit tonë të përditshëm. Ndërsa fillojmë fazën e re të kthimit në aktivitete “normale” të përditshme, vazhdojmë praktikat që ndihmuan në uljen e rrezikut në nivele të pranueshme, në radhë të parë. Në këtë shkrim, do flasë edhe për dy fraza të reja, më të cilat e kemi pasuruar fjalorin tonë: “distancim shoqëror” dhe “mbulesë e fytyrës”.  Këtu janë disa informacione të rëndësishme që të gjithë mund t’i përdorim ndërsa vazhdojmë të luftojmë këtë armik të padukshëm.

Ç’ka është distanca shoqërore? 

Kjo është distanca fizike midis individëve, për të evituar rrezikun nga piklat e pështymës, që mund të transmetohen nga një person në një tjetër. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), distanca e duhur për parandalimin e transmetimit të Covid-19 në 6 këmbë (1.8 metra).

Mbulesat e fytyrës: 

Mbulesat e fytyrës mbulojnë hundën dhe gojën dhe zvogëlojnë ndjeshëm transmetimin e piklave në sipërfaqe, ose në një individ tjetër. Ato përfshijnë maska të gradës mjekësore deri në maskat shtëpiake. Po mësojmë se transmetimi viral, përmes të kolliturit, teshtitjes ose të folurit (veçanërisht të folurit me zë të lartë) janë mjetet kryesore të transmetimit. Pra, ndërsa vazhdojmë me larjen e duarve dhe higjenën, mund të kemi mbrojtje shumë më të mirë duke vazhduar distancimin shoqëror dhe duke përdorur mbulesa të fytyrës. Së bashku, këto  zvogëlojnë mundësinë e ekspozimit në radhë të parë, por edhe nëse ekspozohemi, ato zvogëlojnë ‘kohën’ dhe ‘përqendrimin’ e ekspozimit. Kjo do të thotë, ne mund të ndahemi shumë më mirë, nëse ekspozohemi 10 pikave që përmbajnë viruse, në vend të 1000 prej tyre!

Ekzistojnë dy lloje të mbulesave mbrojtëse: 

Maska të nivelit mjekësor dhe mbulesa jo-fromale apo ‘shtëpiake’ të fytyrës. Maska të nivelit mjekësor përfshijnë maska kirurgjikale dhe respiratorë N-95. Maska kirurgjikale për fytyrën përdoren për të bllokuar grimcat e mëdha dhe pikat qe nxirren gjatë frymëmarrjes (në ajër kur dikush kollitet ose teshtit). Maska të frymëmarrjes N-95 janë të dizajnuara për të filtruar tymin, grimcat e vogla dhe viruset e ajrit. Ndërsa, mbulesat jo-formale të fytyrës përfshijnë maskat të ripërdorshme, shami dhe shalle që përdoren në të njëjtën mënyrë si një maskë kirurgjikale, për t’ju mbrojtur nga grimcat e mëdha dhe pikat e frymëmarrjes. Sidoqoftë, këto lloj mbulesash mbrojtëse duhet të pastrohet ndërmjet përdorimeve dhe në përgjithësi nuk përdoret në një mjedis mjekësor. Gjithnjë, lani duart para dhe pas përdoroimit, pasi mund të ketë viruse ose bakterje të dëmshme në sipërfaqen e saj. 

Pak shkencë lidhur me transmetimin përmes ajërit: 

Studimet e fundit sugjerojnë që mbulesat e fytyrës shkurtojnë distancën e udhetitimi te pikave qe lagohen nga një person me më shumë se 90%. Ndërsa mbulesat e fytyrës nuk filtrojnë piklat në të njëjtën mënyrë si maskat N-95, ato rekomandohen tani si një mënyrë efektive për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, veçanërisht në mesin e personave që kanë virusin, por janë asimptomatikë.

Në Fund:

Mbulesat për fytyrë si maskat kirurgjikale, respiratorët N-95, si edhe mbulesat e fytyrës të bëra në shtëpi mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të përhapjes së viruseve. Mbani në mend se mbulesat jo-mjekësore të fytyrës janë efektive vetëm kundër përhapjes së virusit, nëse vazhdoni të merrni seriozisht masa për distancimin shoqëror dhe higjenën. Pra, përgjigjja në pyetjen nga fillimi është: vazhdoni me të dyja, me distancimin shoqëror, si një praktikë e mirë për të na mbajtur të sigurt, por nëse mundeni, plotësojeni atë dhe me përdorim te mbulesës së fytyrës.

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, Dstance shoqerore, Mbulese fytyre

PIKTORI FERDINAND PACI-80 VJETORI I LINDJES

May 30, 2020 by dgreca

FERDINAND PACI (1940 – 1975)/

Shkruan:Fritz Radovani/Dielli/

Në 80 vjetorin e lindjes…

Oborri i shkollës Pedagogjike e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë me Ferdinand Pacin e, ma vonë si piktor të rijë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me dashtë artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori  po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesor Simoni, na fliste e na kshillonte…Na po përgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk dij asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit… 

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 80 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia. 

Në shkollën pedagogjike Ferdinandi ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. 

Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit. 

Ferdinandi mbas shumë përpjekjesh e nderhymjesh e nga ana e prof. Vladimir Janit, ma në fund, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme hyni në Institutin e Lartë të Arteve. 

Atje u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme… 

Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur unë hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…

Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht. Ferdinandi ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.  

Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?” 

…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!

Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë! 

Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 45 vjet ma parë…

Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. 

FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane! 

Ai ishte një zambak i bardhë i qytetit të Shkodres…Se, ashtu kishte edhe Shpirtin e Tij..

Në shenjë kujtimi ia kushtoj këta pak rreshta në këte 80 vjetor…

Melbourne, 30 Maji, 2020. 

Filed Under: Featured Tagged With: 80 vjet, Ferdinad Paci, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT