• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

NË EMËR TË POPULLIT NUK MUND TË DËNOJNË VARRMIHËSIT E TIJ

May 8, 2020 by dgreca

Nga Pëllumb LAMAJ/

Legjenda e burgjeve komuniste ,shembëlltyra e misionarit të revoltave të perjetshme,fytyra e vetemohimit që mohoi diktaturën komuniste me guximin e tij drejt vetflijimit, drita që ngjallte shpresë kur gjithshkah rrethohej nga terri,klithmat dhe frika Xhelal Koprencka ( i riu) lindi në Koprenckë Skrapar në një familje me tradita e kontribut kombëtar.Gjyshi i tij Xhelal Koprencka ( Plaku) ishte Firmëtar i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë dhe zëvendës ministër i luftës në shtetin e parë të krijuar.Pas ardhjes në pushtet të bandës bolshevike të Tiranës,emri tij jo vetëm që u fsheh nga historiografia sllavokomuniste ,por u quajt një familje reaksionare dhe i biri Samiu bashkë me të shoqen Nerfuzen u dënuan me burg politik.

Xhelal Koprencka i (riu ) u lind në 1932 dhe në moshën njëzet e pesë vjeç në 1957 arrestohet e dënohet me shtatë vjet e gjashtë muaj për bisedë arratisje sipas ligjit komunist. Pikërisht këtu do të marrë rrugë kalvari dhe odiseja e Martirit që mbeti i skalitur në kujtesën kolektive e atë historike duke u ngjitur në altarin e kombit.
U arrestua dhe u dënua pesë herë. Arrestimi i fundit ndodhi brenda burgut me 23 shkurt 1979 dhe nëpërmjet një gjyqi të shpejtë e të inskenuar në datën 9 Maj do të dënohej me vdekje, pushkatim me të vetmin faj se i kishte drejtuar një letër diktatorit dhe udhëheqjes së lartë komuniste të shtetit.U akuzua për tradhëti të lart si organizotar i grupit nacionalist që kishte si qëllim rrëzimin e pushtetit popullor.Pjestar të tjerë të grupit u dënuan me nga njezet e pesë vjet burg.

Dënim me vdekje do tu jepej dhe dy gazetarëve të tjerë që kishin mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik Vangjel Kokomanit dhe Vangjel Lezho, të cilët dhe ata i kishin nisur një letër diktatorit dhe udhëheqjes së lart të shtetit 

Në emër të popullit je i arrestuar – ju drejtuan hijenat e kuqe, kur e arestuan para një sheshi ku mblidheshin të burgosurit e që ne e quanim sheshi i kurbanëve, pasi këtu bëheshin arrestimet para se të ridënoheshin.

Jo në emër të popullit – ju drejtua me zë të lart ë me kokën lart Heroi Koprencka- Në emër të armiqëve të popullit.

Ai iku krenar,me kokën lart përball togës së egzekutimit dhe hijenave të kuqe që vinin vërdall i bindur se e kishte kryer misionin e tij……dhe kishte lënë prapa qindra e mijëra bashkëvuajtës….. 

Fatkeqësisht pas viteve 90 u mendua se krimet dhe autorët e tyre do dilnin para drejtësisë, por kjo jo vetëm nuk ndodhi,përkundrazi në pushtet mbetën përsëri pjella e kriminelëve, por këtë rradhë e ndihmuar dhe nga disa ”antikomunistë” që kishin qenë nëpër burgje e internime.

Ai iku me shpresën e patundur se një ditë e drejta dhe pafajësia do të triumfonin mbi pushtetin e krimit dhe për fat të mirë, nuk e provoi zhgënjimin e kësaj bote të padrejtë sikundër ne të pasmit. 

Edhe sot nuk tregohet vendi i egzekutimit.Edhe sot legjenda e qëndresës dhe vetmohimit në burgjet komuniste nuk ka një varr e le më pastaj një pllakë monument apo rrugë e institucion që të ketë emrin e tij, ndërkohë ata që e denuan me vdekje dhe e egzekutuan janë gjallë e bëjnë një jetë lluksi e pjella e tyre është në pushtet.
Portertin dhe pavdekësinë e tij unë e skalita dhe ja dhashë botës shqiptare në dokumentarin Spaçi ,Simbol i Qëndresës antikomuniste.

Ata të burgosur që u bën pjesë e qeverive neokomuniste që i lanë pushtetin njëra tjetrës jo vetëm e harruan,përkundrazi u turrën të marrin dekorata e teneqera për veten e familjarët duke ju vën emrat e tyre rrugëve e institucioneve..

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!
Mjerë ai popull që nuk nderon heronjte e tij!

Filed Under: Histori Tagged With: Koprencka, Ne emer te Popullit, Pellumb Lamaj

KTHIMI NË “NORMALITET” NUK DO TË JETË “NORMAL”

May 8, 2020 by dgreca

Shkruan: DR. PASHKO CAMAJ/*

Para disa ditësh, në kalendarin vjetor shënuam kalimin në muajin maj, e së bashku me të edhe në një fazë të re të pandemisë së koronavirusit, në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Në të gjithë vendin, dyqanet e vogla, restorantet dhe bizneset e tjera ngadalë kanë filluar të rihapen. Më se gjysma e shteteve kanë lehtësuar kufizimet e tyre në shëndetin publik, në një mënyrë apo tjetër, kurse shumë shtete të tjera janë në përgatitje, për të ndjekur këtë proces së shpejti.

      Fillimi i kësaj faze të re nuk do të thotë se rreziqet e pandemisë janë evituar, apo ndryshuar rrënjësisht. Shumë, por jo të gjitha pjesët e vendit, të paktën janë larguar nga një “fazë akute e urgjencës” për momentin. Tani ne shohim një angazhim drejt përpjekjes për të dalë me strategji që lejon njerëzit të rifillojnë pjesërisht mënyren e tyre të vjetër dhe normale, duke minimalizur rrezikun. Në vazhdimësi kërkohet një mënyrë për të ngadalësuar përhapjen e virusit, që gjithashtu na lejon të ruajmë shëndetin në përgjithësi, por dhe atë mendor e financiar. Gjëja më e sigurt për të bërë, nëse mund ta menaxhojmë, mbetet gjithnjë qëndrimi në shtëpi, por tani është koha kur – ndryshe nga 6-7 javët e kaluara, njerëzit, në disa pjesë të vendit mund të konsiderojnë me kujdes, duke rivendosur disa aktivitete jo-thelbësore, pasi të vlerësojmë mirë rrezikun e ekspozimit, për veten dhe të tjerët. 

          Një nga çelësat kryesor për të relaksuar disa nga kufizimet është testimi i saktë diagnostik për sëmundjen, por sasia e testimit që duhet të bëhet vazhdon të jetë një sfidë për shumë shtete. Do të nevojitet një zgjerim i konsiderueshëm i testeve, pajisjeve mbrojtëse personale dhe furnizimeve të tjera mjekësore, për punonjësit e shëndetit publik, për të arritur nivelin e testimit dhe mbikëqyrjes, të nevojshme për të rihapur vendin. Përveç testimit, gjurmimi i kontaktit të individëve pozitiv, do të jetë thelbësor për ngadalësimin e përhapjes se virusit.

       Qeveritë lokale dhe shtetërore tani po fillojnë të na paraqesin një listë të gjërave që përsëri mund të bëjmë. Por pyetja është a duhet t’i bëjmë? Për shkak se pjesë të ndryshme të vendit, do të vazhdojë të jenë, në faza të ndryshme të shpërthimeve të Covid-19, në përgjithësi nuk ka po-ose-jo përgjigje që vlejnë per mbare vendin. Në përgjithësi, është më mirë nëse gabohet me kujdesin e tepruar. Por ka udhëzime që mund të na ndihmojnë të mendojmë për sigurinë e aktiviteteve të përditshme. Rihapja nuk do të thotë që të gjithë duhet të jemi përsëri afër njëri tjetrit. Gjashtë gjurma nuk janë një distancë magjike përtej së cilës gjithçka është e sigurt, prandaj, sa më larg, aq më mirë.

          Në mënyrë të ngjashme, masat fillestare për të cilat është folë nga fillimi, që zvogëlojnë rrezikun e përhapjes së virusit, janë ende shumë të nevojshme. Pra, të vazhdohet me larjen e duarve rregullisht dhe tërësisht. Të vazhdohet me trajtimin e duarëve me mjete dezinfektuese, me mos-prekjen e fytyrës, me perdorimin i maskave, nëse distancimi shoqëror mund të mos jetë një opsion, dhe qëndrimin në shtëpi për të sëmurë, kur nuk ka nevojë për kujdes mjekësor. 

Përdorimi e një lloj mbrojtjeje të fytyrës (maskë) kur distancimi social mund të mos jetë e mundur, është diçka që duhet llogaritur për një kohë të gjate. Edhe pse maska mund të mos e parandalojë plotësisht ekspozimin, veçanërisht nëse virusi pulverizohet pas teshtitjes ose kollës, ajo do të parandalojë piklat e mëdha (që mund të përmbajnë viruse) nga hyrja në zonën tonë të frymëmarrjes.

Ndërsa liderët tanë politikë në të gjithë vendin japin mesazhe të ndryshme në lidhje me rrezikun që paraqet koronavirusi, të paktën është e qartë se këto masa paraprake do të mbeten te rëndësishme për një kohë të gjatë – me siguri deri sa të zbulohet një vaksinë, ose derisa të infektohen mjaft njerëz që të zhvillojnë imuniten ndaj Covid-19. Pra, kur i konsiderojmë aktivitetet tona, veçanërisht ato në ambiente të mbyllura, siç janë zyrat, duhet të jemi vigjilentë dhe të bëjmë çmos për të ruajtur distancat dhe të praktikojmë një higjenë të mirë. Kur janë në pyetje aktivitetet në natyrë dhe tubime e ndryshme, është mirë të mos afrohemi shumë me persona që nuk jetojmë. Mbajtja e një distance duhet te jetë një ‘ligj’ i parë dhe i mirë për të praktikuar. Tani për tani, kjo do të jetë “normale e re”. Ndoshta është e panevojshme të thuhet, rregullat e distancës sociale do të jenë norma për një kohë të gjate. 

Duhet ta dijmë se ne nuk do të jemi në gjendje ta eleminojmë rrezikun ne tërësi, por mund të bëjmë shumë për ta ulur atë në një nivel të pranueshëm. Flluska në të cilën kemi jetuar në javët e kaluara, do të zgjerohet dhe ajo do të perfshijë dhe njerëz me të cilët nuk kemi jetuar, pranadaj të vazhdojmë të kemi kujdes!

Pak lajme të mira në mbyllje: Përpjekjet globale për të zbuluar një vaksinë kundër sëmundjes të koronavirusit kanë përparuar me një ritëm të paparë, duke synuar të ndalojnë përhapjen e pandemisë. Sot, e gjithë elita shkencore në botë janë në përpjekje të mëdha për të zbuluar një vaksine për të imunizuar njerëzit kundër Covid-19. Këto përpjekje të shumta janë duke dhënë rezultate shpresëdhënëse. Ne mundemi dhe duhet ta kontribuojmë pjesën tonë, për të qëndruar të shëndetshëm, ndërsa me padurim presim ‘ndërruesin e lojës’ në luftë kundër këtij armiku të padukshëm, vaksinen kundër Covid-19, që do të përfundojë në mënyrë efektive këtë pandemi botëror dhe do të na sjellë përsëri në botën tonë normale!

*Autori është Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr.Pashko Camaj, Kthimi ne normalitet

GREQIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN HELEN

May 8, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e doktor Vasil Llajo mjekut shqiptar anestezist- reanimator në Athinë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

HUMANIZMI I DR.VASIL LLAJO: Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner….

SITUATA NË SHTETIN GREK 

Sipas doktor Vasil Llajos mjekut shqiptar anestezist- reanimator që punon në Athinë, pacienti i parë në Greqi, ose pacienti zero, u detektua në datën 26 shkurt në qytetin e Selanikut. Prej asaj dite u shtri pothuaj në gjithë territorin e saj. Shumica e rasteve të para të shënuara mendohet se kanë lidhje me personat që kishin udhëtuar në Itali dhe me pak me një grup udhëtarësh në Egjypt dhe Israel. Duke ndjerë rrezikun e përhapjes së shpejtë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit publik shpallen si masë të parë anullimin e festimeve të karnavaleve dt.27 shkurt në qytete të ndryshme. Deri në dt.10 Mars ishin regjistruar 89 raste me Covid -19. Në dt. 10-11 Mars u njoftua mbyllja e fluturimeve ajrore ndërkombëtare për qytetaret duke lënë vetëm pak linja ajrore për riatdhesim ose shërbime shtetërore të domosdoshme. Në dt.12 Mars u njoftua vdekja e parë. Atëherë u vendos mbyllja e shkollave në të gjitha nivelet dhe në dt.13 Mars u shpall mbyllja e shumë aktiviteteve, pra “lockdoun “. U mbyllën kështu të gjitha kafenet, baret, qendrat tregëtare, muzeumet, restorantet, qendrat sportive dhe të atletikës, palestrat e stërvitjeve, qendrat e gjimnastikës personale etj. Më 16 Mars u vendos dhe ndërprerja e aktiviteteve dhe shërbesave fetare. Mbeten të hapura vetëm dyqanet e bukës, supermarket, farmacitë, qendrat diagnostikuese dhe disa shërbime të tjera. U vendosën masa të rrepta kufizuese në qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik ose privat. Marrja e masave kufizuese shumë herët, më shpejt se vendet e tjera të komunitetit europian mendohet se është një nga arsyet e resultateve të arritura në përballimin e pandemisë, duke e futur Greqinë në vendet “model” duke marrë vlerësime mjaft pozitive nga opinioni europian dhe më gjërë. Në dt.19 Mars qeveria greke shpalli dhëniën e një pakete ndihmëse financiare për përballimin e situatës prej 10 billion euro. Deri në dt. 23 Prill numri i rasteve ishte në rritje me një kurbë “crescendo”. Pas kësaj datë kjo kurbe u horizontalizua dhe nga fundi i Prillit, rreth dt.28-29, filloi rënia e saj. Deri me dt.3 Maj u shënuan 2.626 raste të prekura nga Covid -19. Numri i vdekjeve arriti në 144, mbi 55 % ishin meshkuj dhe mosha mesatare 74 vjeç. Shumica e tyre i takonte pacientëve me risk të lartë, pra ata që kishin sëmundje kronike të mëparshme. Duke parë se numri i rasteve të reja në ditët e para të muajit Maj ishte në rënie dhe shumë i vogël, Qeveria Greke vendosi lehtësimin e masave shtrënguese. Kështu duke filluar nga dt. 4 Maj hiqet kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik dhe privat.

SI PARAQITET E ARDHMJA NË GREQI

Do lejohet hapja e disa aktiviteteve ku shërbehet me kritere të caktuara për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe rrezikun e përhapjes së virusit. Nuk lejohet akoma hapja e hoteleve dhe aktiviteteve turistike. Turizmi, si një degë kruciale e ekonomisë greke ka pësuar një goditje sinjifikative që do të dojë muaj të rikthehet në gjendjën e mëparshme. Në dt. 11 Maj do hapin aktivitetin e tyre dhe restorantet, baret etj por në ambientet e jashtme ose “take aëay”. Mendohet mbas dt. 15 qershor të fillojë hapja e hoteleve turistike. Theksohet vazhdimisht ruajtja e masave kundër rrezikut të përhapjes si mbajtja e distancës fizike mbi 2 m, mbajtja e maskave në ambjente të shërbimeve apo transporteve publike, supermarket dhe kudo që presupozohet prezenca e mbi 4-5 vetave. Parashikohet një ecuri e mirë e kurbës së të prekurve duke ngelur në shifrat e sotme ose ndoshta me një rritje të lehtë pas heqjes së masave kufizuese, por me shpresën e rënies në ditët në vazhdim. 

SHQIPTARËT NË GREQI

Shqiptarët në Greqi janë pjesë integrale e shoqërisë greke dhe si të tillë i janë nënshtruar në mënyre ekuivalente masave të marra. Janë ndërgjegjesuar se marrja dhe respektimi i masave shtrënguese është pjesë e interesit publik për mbrojtjen e njerëzve. Ata kanë përfituar nga masat e ndihmës ekonomike të shpallura nga qeveria si çdo qytetar tjetër.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT

Unë si mjek do të këshilloja të jemi akoma të kujdesshëm me këtë lloj pandemie, pavarësisht ritmit gradual në rënie të kurbës së infektimeve. Nuk duhet të neglizhojmë akoma kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve. Të vazhdojmë të respektojmë akoma regullat e higjienës personale, të distancimit fizik dhe mbajtjes së maskës në fytyrë sipas kritereve të vendosura nga organet e shërbimit publik shëndetësor. Virusi qarkullon dhe do vazhdojë të qarkullojë ndoshta për shumë kohë. Akoma nuk ka të dhëna të plota për këtë kohë. Flitet për muaj ndoshta dhe vite. Por skenarët do të jenë optimistë me zbulimin e vaksinës. Mund të themi se shenjat e para të optimizmit duken me përdorimin për qëllime terapeutike të medikamentit Remdesivir. Opinioni mbarë ndërkombëtar është duke ndërtuar strategjitë e nevojshme për përballimin dhe kufizimin e përhapjes së këtij virusi. Me optimizëm po ju them se të gjithë bashkë në unitet do ta kalojmë dhe këtë provë të vështirë.

HUMANIZMI I DOKTOR VASIL LLAJO

Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner. Ky ishte një ndihmë simbolike sipas doktor Vasil Llajos në shenjë mirënjohjeje e respekti ndaj mjekeve dhe personelit tjetër mjekësor që ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës ndaj virusit SARS CoV-2 në Shqipëri. Doktor Vasil Llajo ka punuar deri në viti 1992 si mjek Anestezist-Reanimator pranë klinikës së Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” Tiranë dhe më pas nga 1993 u zhvendos në Greqi dhe mbrojti Diplomën e Mjekut dhe filloi punë si Anestezist në Spitalin “ KAT” Athinë. Në vitin 1995 rikthehet në Tiranë duke hapur Qendrën e parë private diagnostikuese, ku përfshihet dhe laboratori Intermedica. Në vitin 2010 doktor Vasil Llajo hapi Laboratorin mjekësor në Prishtinë – Kosovë të quajtur “Tirana Lab” ndërsa nga vitin 2016 ka hapur në Athinë një qendër diagnostikuese “Premium Lab”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Vasil Llajo, Greqi, shqiptaret, Sokol Paja

COVID-19 NË BRUKSEL DHE SHQIPTARËT NË BELGJIKË

May 8, 2020 by dgreca

Gazetarja Ledja Canaj rrëfen nga karantina për gazetën Dielli, Brukselin e izoluar, bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja/

Ledja Canaj ne studio.

Brukseli nuk është më si më parë. Kryeqyteti belg nuk është me dinamik. Kryeqendra institucionale europiane i ngjan një zbraztie të trishtë, të zymtë, të vakët. Covid-19 ka shëndërruar qendrat më të mëdha europaine në sheshe boshe që të ngjallin një trishtim të madh. Kudo ka frikë e panik. Jetohet me të panjohurën nëpër këmbë. Motori financiar i Brukselit është prerë, nuk ka më qarkullim, nuk ka më konsum, nuk ka më evente, maratona, apo koncerte. Universitet jane mbyllur, shkollat pjesërisht janë hapur sot, spitalet i kanë anuluar të gjitha konsultat dhe i kanë dhënë përparësi vetëm urgjencave, fluturime pothuaj nuk ka fare, udhëtimet me tren janë të limituara, institucionet Europiane nuk gëlojnë më nga diversiteti që hasje dikur. Duket se Europa ka marrë një goditje të fortë që do duhet kohë e gjatë për rimëkëmbje. Kjo pandemi botërore ka ka shkundur të gjitha shtetet dhe institucionet e vendeve të eurozonës sidomos. Më shumë se kriza e tanishme duket se të trishton e nesërmja që sdihet si do të jetë. Pasiguria është rritur kudo. Brukseli të plogështon edhe më shumë, kur mendon se sa shqiptarë janë në kampe refugjatësh në këtë periudhë. Sa e sa të tjerë jetojnë në menyrë ilegale dhe burim financiar kanë pasur vetem një punë në të zezë(pastrim apo ndertim) të tillë ka shumë, që janë me fëmijë e nuk e paguajnë dot më qeranë por në këto ditë karantine i janë drejtuar kishës për të marrë disa ushqime bazike. Nuk mungojnë dhe rastet kur disa prej bashkëatdhetarëve tanë e kanë humbur luftën me Covid -19, trupat e tyre gjenden ende në morg sepse amaneti ka qenë të varrosen në Shqipëri. Kjo pandemi botërore ka helmuar shumë zemra, dhe ka shokuar shumë të tjerë. Dikush më shumë, dikush më pak, të gjithë jemi të humbur nga kjo kohë e ngecur, nga kjo kohë e çmendur, nga ky vit i trishtë dhe i brishtë.   

Bruksel.

Gazetarja shqiptare Ledja Canaj punon dhe jeton prej 4 vitesh në Bruksel, Belgjikë. Pas një eksperience të gjatë në median vizive në Tiranë, në shtator të vitit 2016 Ledja zhvendoset në Belgjikë ku iu dha mundësia të moderonte në Radion Jehona e Shqipes-Bruksel. Më shumë se kenaqësi, është përgjegjësia që të lind në atë radio e cila fillimet i datojnë që në 20 shkurt të vitit 1986 tregon për Diellin Ledja Canaj. Një zë i lirë që artikulonte Shqip, në mes të Europës, e në një Shqipëri teresisht të mbyllur nga regjimi komunist. Të gjithë e dimë sfidën që mbartin ato vite. Veç këtij angazhimi në Radio për të promovuar gjuhë e kulturë –shqipe në Belgjikë, Ledja punon me kohë të plotë në një Organizatë Belge me staf Internacional. Quhet SeTis, laboratori i përkthyesve dhe mediatorëve kultural. Aty janë rreth 80 përkthyes nga e gjithë bota dhe shërbejnë në gati 47 gjuhë të ndryshme. Ata janë prezent kryesisht në të gjitha institucuonet shtetrore (gjykata, burgje, zyra pune, shkolla, spitale etj). Përpara datës 13 mars, ditë kur u komunikua nga Qeveria Belge–lockdoun, jeta jonë, aktiviteti ditor, interesat ndryshuan menjëherë shpjegon Ledja. Ajo na tregon jetën që dikur bënte përpara mbylljes në shtëpi. “Unë kisha një ditë të ngarkuar me 4-5 takime pune çdo ditë gjatë orarit 09:00-17:00, më pas merrja vajzën nga shkolla e çoja në Conservatuar e Brukselit-Balet Klasik. Ato 90 minuta /3 herë në javë i shfrytëzoja për të marrë pjesë në një seminar, aktivitet libri, arti apo sporti. Pas orës 19:00 hynim në banesë, e aty fillonte gatimi e përgatitja për ditën tjetër. Ditën e shtunë ia dedikoja fëmijëve Shqiptare të ardhur apo të lindur në Belgjike, për të transmetuar tek ta rëndësinë që ka gjuha e nënës në zhvillimin dhe formimin e personalitetit të tyre. Pra çdo të shtunë, 16:00-18:00. Në “Muntpunt” Biblioteka Nerlandofone, në qendër të Brukselit me fëmijët recitonim poezitë Mitrush Kutelit, Dritero Agollit e të gjithë autorëve që janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Projekti vullnetar quhet “Festivali Fjalës Artistike”, një mundësi shumë e mirë për ta përfshirë në “Meetup” dhe komunitetin Shqiptar. Dita e dielë është e radios 15:00 – 17:00. Por sigurisht që përpara se të dalësh në transmetim live e kur dëgjohemi në FM dhe internet, numri dëgjueseve është mbi 3000, të duhet dhe të mbledhësh informacion të përshtasësh të ftuarit me aktualitetin apo me çështjet me të rëndësishme për gati 70.000 shqiptare që jetojnë në Belgjikë. Çdo veprim ka qënë vrapim, ritmin ta imponon jo vetëm lëvizja e kryeqytetit por edhe injoranca që të duhet të mësosh e të vraposh tre herë më shumë se vendasit (sepse ti i thua vetes që nuk ke kohë të rritesh bashkë me fëmijën, por ke detyrime si prind) dhe duhet thënë se kjo sakrificë për fëmijët ne na identifikon kudo ku ndodhemi si popull, në Belgjike, Itali, Gjermani apo Amerikë. Duhet të mësosh gjuhën, kulturën, zakonet dhe filozofinë e vendit ku ke zgjedh ta nisësh nga zero gjithçka. Prandaj për ne të huajt që nuk jetojmë me të ardhura të trashëguara por që çdo ditë duhet të punojme për ta siguruar ekzistencën kjo pandemi na ka impaktuar jo vetëm të tashmen por dhe të ardhmen e afërt. 

Filed Under: Featured Tagged With: Ledja Canaj, Sokol Paja

LE VOLTAIRE (1911) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL QEMALIN NË KOSTANDINOPOJË MBI REVOLTËN E MUNDSHME NË SHQIPËRI

May 8, 2020 by dgreca

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Maj 2020/

“Le Voltaire” ka botuar, të mërkurën e 8 marsit 1911, në faqen n°3, intervistën e Ismail Qemalit në lidhje me zhvillimet asokohe në Shqipëri dhe Turqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Letër nga Turqia-Intervistë me Ismail Qemal Beun-Drejtuesin e Partisë Liberale të Moderuar /

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

Kostandinopojë, 27 shkurt. – Dje takova lsmail Qemal beun, deputetin e Vlorës (Shqipëri) dhe kreun e partisë liberale të moderuar. Ai do të jetë një nga deputetët e parë shqiptarë që do të flasë sot për buxhetin. Pas raporteve të shumta në gazetat evropiane për një revoltë të ardhshme në Shqipëri, mendova se do të ishte interesante të njihnim mendimin e njeriut shumë kompetent Ismail Qemali.

-Unë nuk e di, u përgjigj ai, se çfarë thonë gazetat perëndimore për çështjen e një revolte të afërt në Shqipëri. Asgjë nuk mund të sugjerojë për momentin një lëvizje kryengritëse midis popullatës sonë. Nëse kontrabanda e armëve praktikohet në rajonet tona, është ajo që është në të gjitha vendet, dhe jo siç do të donin ta tregonin ! Personalisht, nuk kam asgjë për të thënë në lidhje me Shqipërinë, pasi gjithçka është e qetë atje.

– Por flitet për dy pretendentë për fronin shqiptar…

– Kjo është një shaka, sepse nuk ka asnjë pretendent që ka të drejtë froni; ata që propozohen si të tillë janë aventurierë.

– A ka shumë nga ju në Parlament për të përfaqësuar Shqipërinë ?

– Rreth 27, nga të cilët vetëm 4 të krishterë; pjesa tjetër e deputetëve janë myslimanë.

— Sa ndarje gjeografike ka vendi juaj ?

— Shqipëria është e ndarë në Shqipërinë veriore dhe atë jugore. Ka myslimanë dhe të krishterë, katolikë dhe ortodoksë por të gjithë janë shumë të bashkuar, ndryshe nga seç ndodh në vendet e tjera. Bashkatdhetarët tanë kanë ruajtur zakonet e tyre të vjetra, sepse depërtimi i ndikimeve të jashtme është i vështirë, duke pasur parasysh konfigurimin e vendit; u është kushtuar shumë rëndësi disa incidenteve në kufi me Malin e Zi, si dhe disa grabitjeve. Fakte të ngjashme përsëriten në të gjitha kufijtë, por ne nuk flasim për to. Madje, këto telashe do të vihen në rregull : Na është thënë se Bedri Pasha, vali i Shkodrës së Shqipërisë, dhe gjenerali malazez Iancovitch (Jankoviç) kanë rënë dakord për masat që duhen marrë për të parandaluar incidentet në kufi; delegatët turko-malazezë do të takohen së shpejti për të hedhur themelet përfundimtare të kësaj marrëveshje.

Ndërsa i fola lsmail Qemalit për heshtjen e disa prej kolegëve të tij në lidhje me shtypin e huaj, ai u përgjigj mjaft shpejt (ashpër) :

 “– Shikoni, ditën e kaluar, në dalje të Parlamentit (Dhomës), papritmas një gazetar gjerman më pyeti : “Çfarë mendoni për dorëheqjen e Talaat beut ? Shkoni ta pyesni, u përgjigja.”. A mendoni se kisha vullnet të keq në përgjigjen time ? Në asnjë mënyrë. Nuk ka heshtje të qëllimshme (të dëshiruar), pasi ne, përfaqësuesit e kombit, nuk i dimë shkaqet e dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm. Na ka mbetur, ashtu si të vdekshmit më të përulur, të bëjmë supozime. Gjithçka ndodh midis këtyre zotërinjve, Turqve të Rinj të Komitetit, të cilët e shohin të arsyeshme që të na mbajnë jashtë zhvillimeve.

Konceptimi qeverisës i Komitetit më bën për të të ardhur keq, por ne nuk mund të bëjmë asgjë në lidhje me të, pasi e shohin të arsyeshme të na lënë jashtë vendimeve të tij.

Ne nuk kemi asnjë vullnet të keq ndaj shtypit të huaj, por situata shumë delikate e politikës sonë na detyron të jemi të kujdesshëm.”

Intervista jonë mbaroi dhe mund të them se pakënaqësia e bashkëbiseduesit tim nuk ishte për mua diçka e çuditshme. Të shumtë janë ata që përshpërisin kundër regjimit aktual, si midis njerëzve ashtu edhe ndër intelektualëve, dhe, megjithë deklaratat optimiste të qeverisë, një informator i paanshëm duhet të dëgjojë (marrë parasysh) fjalët e opozitës.

A. DE ROCHEBRUNE

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT