• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

Senati miraton kandidatin e Presidentit Trump për drejtor të agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës

June 5, 2020 by dgreca

Nga Katherine Gypson/ Zeri i Amerikes/ Senati amerikan miratoi të enjten kandidatin e Presidentit Donald Trump për të drejtuar USAGM, agjensia federale që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe entitetet e tjera ndërkombëtare të transmetimit.

Me një votim 53-38 në vija partiake, Senati i kontrolluar nga republikanët miratoi regjisorin konservator të dokumentarëve Michael Pack për të kryesuar USAGM për një mandat tre vjeçar. Emërtimi i zotit Pack ka qenë në shqyrtim për dy vjet, i lënë pezull pjesërisht për shkak të shqetësimeve të demokratëve në lidhje me pretendimet e përfitimeve të dyshuara financiare në bizneset e tij.

Përmes kompanisë së tij Manifold Productions, Inc., zoti Pack ka shkruar, drejtuar dhe realizuar dokumentarë të shumtë, shumë prej të cilave janë transmetuar në kanalin PBS. Ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Konservator Claremont dhe ka mbajtur poste në Institutin Kombëtar për Shkencat Humane dhe Korporatën për Transmetimin Publik. Ai ka punuar gjithashtu në projekte filmike me ish-këshilltarin strategjik të Presidentit Trump dhe bashkë-themeluesin e kompaninsë Breitbart News, Stephen Bannon.

Pack ka përvojë të mëparshme me agjencinë amerikane të transmetimeve, pasi kishte shërbyer si drejtor i WORLDNET, rrjetit global satelitor të Agjencisë Amerikane të Informacionit që u bë njësia televizive e Zërit të Amerikës.

“Ky njeri është i kualifikuar në mënyrë unike për të mbajtur këtë pozitë,” tha të enjten Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, James Risch. “Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme – të gjithë duhet të shikojnë dokumentarin më të fundit që bëri për Gjykatën e Lartë- një punë e shkëlqyer. Ka pasur një betejë politike për të për më shumë se dy vjet dhe sot është momenti i së vërtetës.”

Në seancën e tij për konfirmim shtatorin e kaluar, zoti Pack sqaroi shqetësimet se ai do të përpiqej të impononte një paragjykim politik për agjencitë USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës, e cila është e mandatuar me ligj, të jetë objektive dhe e ekuilibruar në raportimin e saj.

“E gjithë agjensia mbështetet në besimin se gazetarët janë të pavarur, se asnjë ndikim politik nuk u tregon atyre se si të raportojnë lajmet dhe çfarë të thonë. Pa këtë besim, mendoj se agjensia është minuar plotësisht,” i tha Pack komisionit.

Me emërimin e zotit Pack në dukje i penguar në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Presidenti Trump muajin e kaluar shprehu zhgënjimin për vonesat, duke thënë se kjo po bëhej për shkak të pengesave të demokratëve. Presidenti më parë kërcënoi të detyronte Kongresin të shtynte punimet për të nxitur miratimin e kandidaturës së tij.

Megjithë njoftimet se marrëdhëniet e biznesit të zotit Pack ishin objekt i një hetimi nga Prokurori i Përgjithshëm i Qarkut të Kolumbia, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e zotit Pack më 20 maj, me një votim sipas vijave partiake 12-10, dhe më pas e dërgoi atë në Senat për miratim përfundimtar.

Në atë kohë, Senatori Risch tha se komisioni ishte i përgatitur të mos e merrte në shqyrtim emërimin “nëse departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, apo Departamenti i Drejtësisë do të kërkonte një gjë të tillë. Kjo nuk ka ndodhur”.

Demokratët thonë se emërimi vendos precedent të gabuar

Senatori Bob Menendez nga Nju Xhersi, anëtar i lartë i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se votimi i fundit për emërimin e zotit Pack rrezikon rolin historik këshillues nga Senati për kandidatët e propozuar nga presidenca për nga mënyra se si u nxitua votimi, pa një pamje të plotë të marrëdhënieve të biznesit të zotit Pack.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të qarkut të Kolumbias tha se ka hapur një hetim për të parë nëse Pack ka përdorur në mënyrë të paligjshme fonde nga organizata e tij jofitimprurëse, Public Media Lab.

“Unë e di që presidenti ka folur publikisht dhe privatisht për dëshirën e tij të madhe për të konfirmuar z. Pack, me çdo kusht,” tha senatori Menendez të enjten. “Kundërshtimet që unë kam ngritur sot dhe kam ngritur prej muajsh nuk janë të natyrës politike ose partiake. Ato kanë të bëjnë me pyetjen më themelore dhe kritike – a është i aftë të shërbejë Michael Pack? A duhet të konfirmohet ai ndërsa është nën hetim dhe pasi ka qenë i pandershëm me Senatin dhe agjencinë e taksave IRS? “

Senatori Mendez detajoi pyetjet e demokratëve të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, duke pohuar se Pack kishte “keqinterpretuar marrëdhëniet mes organizatës së tij jofitimprurëse dhe kompanisë së tij fitimprurëse në agjencinë e taksave IRS.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë shqetësimet e demokratëve, duke thënë se, “Presidenti qëndron në mbështetje të zotit Michael Pack dhe është i zhgënjyer, por jo i habitur, që demokratët që nuk bëjnë asgjë, kanë vendosur edhe një herë të hedhin baltë politike mbi përvojën e pastër të një nëpunësi publik.”

Kompania e zotit Pack, Manifold Productions, Inc., mori miliona dollarë grante nga organizata e tij jofitimprurëse, tha Menendez. Megjithatë ai vazhdimisht ka deklaruar në IRS se nuk ka patur marrëdhënie mes të dyjave, kur në fakt ai drejtoi të dy entitetet. Menendez tha se zoti Pack ende nuk ka korrigjuar informatat e gabuara të dhëna në IRS dhe para Komisionit në lidhje me statusin e deklarimeve të tij tatimore.

Menendez tha se zoti Pack nuk i kishte ofruar komisionit dokumentet e kërkuara që detajonin marrëdhëniet mes organizatës jofitimprurëse dhe biznesit të tij, duke pretenduar se informacioni ishte sensitiv.

“Interesat e biznesit të tij janë aq të ndjeshme sa që senatorët e Shteteve të Bashkuara që shqyrtojnë informacionet më të ndjeshme të klasifikuara, nuk mund t’i shohin ato të zotit Pack,” tha Menendez.

Zëri i Amerikës nuk mori përgjigje ndaj një kërkese për koment nga zëdhënësi i zotit Pack.

Qëndrimi editorial i Zërit të Amerikës

Javët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve të Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Trump tha: “Zëri i Amerikës drejtohet në një mënyrë të tmerrshme. Ai nuk është Zëri i Amerikës. Është e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett mbrojti misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve të financuar nga qeveria amerikane në një deklaratë muajin e kaluar.

“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha ajo.

“Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e audiencës sonë prej 280 milionë njerëzish në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende të botës e shohin punën tonë të besueshme,” shtoi ajo.

Senatori Menendez tha në Senat përpara votimit përfundimtar të enjten se lidhja me audiencën e huaj varet nga mbrojtja e agjencisë nga ndërhyrjet politike.

“Njerëzit në mbarë botën i shohin produktet e të gjitha rrjeteve dhe përfituesve të granteve si burime të besueshme të lajmeve ashtu si ka nxjerr në pah kjo pandemi,” tha ai.

“Është absolutisht kritike që çdo person në këtë pozicion të mbajë një mur të fortë ndarës mes punës së rrjeteve të tij dhe ndërhyrjeve politike, ndikimit nga Shtëpia e Bardhë apo ndonjë tjetër.”

USAGM mbikëqyr pesë rrjete të transmetimit civil të SH.B.A.-së, të cilat përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë (RFE / RL), Zyrën e Transmetimit të Kubës (OCB), Radion Azia e Lirë (RFA), dhe stacionet në gjuhën arabe në televizion Alhurra dhe Radio Sava e Rrjeteve të Transmetimit të Lindjes së Mesme (MBN).-Kortezi-Zeri i Amerikes-

Filed Under: Analiza Tagged With: Kandidatin e Presidentit Trump, Katherine Gypson, Senati miraton

Në SHBA përkujtohet George Floyd

June 5, 2020 by dgreca

Aktivistët e të drejtave të njeriut, politikanë dhe personalitete tjera u mblodhën më 4 qershor për të përkujtuar George Floyd, 46-vjeçari afrikano-amerikan, vdekja e të cilit, derisa ishte nën arrest të policisë, ka nxitur një valë protestash për drejtësinë racore në Shtetet e Bashkuara.

Organizimet përkujtimore për Floyd, do të mbahen për gjashtë ditë ne tre shtete, tha avokati i familjes Floyd. 

Disa nga protesta për vdekjen e Floydit kanë qenë të dhunshme, me zjarrvënie dhe plaçkitje, por protestat më të qeta u zhvilluan më 3 qershor pasi prokurorët në Minesota akuzuan tre oficerë të tjerë të policisë dhe ngritën një akuzë të re, më të ashpër kundër Derek Chauvin, policit kryesor të përfshirë në këtë rast.

Chauvin tani përballet me akuzën për vrasje të shkallës së dytë, dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Më parë ai, u akuzua për vrasje të shkallës së tretë për të cilën parashihet dënimi deri në 25 vjet.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison ka thënë më 3 qershor se tre zyrtarë policorë, Tou Thao, 34-vjeçar, J. Alexander Kueng, 26-vjeçar, dhe Thomas Lane, 37-vjeçar, janë akuzuar për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje, andaj janë lëshuar fletarrestet për secilin prej tyre.

Në njoftimin për akuzat e reja, Ellison i quajti protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Floyd-it si “dramatike dhe të domosdoshme”, duke u zotuar se do të kërkonte drejtësi për Floyd.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, gjithashtu mbrojti të drejtën e amerikanëve për të protestuar, duke e quajtur atë “të shenjtë”, por tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kishte udhëzuar atë, të mos kursente asnjë përpjekje për të siguruar që të mos ketë dhunë.

Si ndodhi vdekja e Floyd? 

Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur “të lutem, nuk mund të marr frymë” dhe “mos më vrit”.

Protestat filluan në Mineapolis, por shumë shpejt ato u zgjeruan në shumë qytete të SHBA-së, përfshirë Uashingtonin, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin , ku protestuesit u kanë vënë flakën veturave të policisë dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve.

Presidenti Trump më 30 maj e quajti vdekjen e George Floyd një “tragjedi të rëndë” që e ka mbushur vendin me zemërim dhe pikëllim, por ai tha se administrata e tij nuk do të tolerojë që demonstratat të shëndrrohen në dhunë.(Kortezi Radio Europa e Lire)

Filed Under: Featured Tagged With: perkujtohet, SHBA

Qeveria e Kosovës miratoi Programin qeverisës 2020–2023

June 5, 2020 by dgreca

-Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive/

PRISHTINË, 5 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e mbajtur sot, e miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale.

Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës.

Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive. Objektivat themelore të Qeverisë janë:

  1. Beteja për ta mposhtur pandeminë dhe
  2. Rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.

Krahas këtyre objektivave, Qeveria do të ketë prioritet:

  1. Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;
  2. Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;
  3. Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;
  4. Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;
  5. Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;
  6. Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për mbështetje financiare në vlerë prej 25,000.00 € (njëzet e pesë mijë euro) për ndihmë familjes së Agon Musliut, që humbi jetën tragjikisht  më datë 3 maj 2020 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e caktuar si Hapësirë karantine.Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm. Tejkalimi sipas këtij vendimi rritet përkohësisht deri në tetë (8) për qind, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar ulet përkohësisht deri në tre (3) për qind. Kërkesa për këtë ndryshim bëhet pasi që Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2020 ndikohen nga situata e krijuar nga pandemia globale “Covid-19”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Programi 2020-23, Qeveria Hoti

PSE PARTIVE POLITIKE NË SHQIPËRI NUK U INTERESON VOTA E DIASPORËS?

June 5, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA / DIELLI/

Vota e emigrantëve ka qenë ndër premtimet më të bujshme në fushatat elektorale të forcave politike shqiptare në tranzicionin politik 30 vjeçar. Edhe pse është pemtuar sa herë ka pasur zgjedhje, prapë se prapë, përfaqësimi i diasporës ka mbetur në vend numëro. Partitë në Shqipëri kanë bërë marrëveshje dhe emigrantët kanë mbetur gjithmonë të papërfaqësuar. Shqiptarët në diasporë kudo ku jetojnë e punojnë, një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tyre jetësor ia kushtojnë atdheut. Komuniteti shqiptar bashkohet dhe organizohet në shoqëri patriotike, kulturore, historike, atdhetare, sportive e muzikore. Shqiptarët investojnë familjarisht në shkolla shqipe, në organizata kulturore e patrotike duke e mbajtur të ndezur zjerrin e atdhedashurisë të pasardhësit e tyre.Votën e emigranteve shteti shqiptar e ka detyrim dhe borxh moral të përjetshëm. Shteti shqiptar e ka për detyrë si çdo detyrë tjetër shtetërore që të garantojë të drejtën e votës të gjithë shtetasve shqiptarë jashtë atdheut. Pra çdo shqiptar që mban një pasaportë shqiptare, që ka mbushur moshën e për të votuar, që nuk ka hequr dorë nga nënshtetësia, që gjendet në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që ka aftësi dhe zotësi për të vepruar ka të drejtën kushtetuese të ushtrojë vullnetin e tij politik. E drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, e garantuar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Republikës dhe ligjet e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar e ka detyrim të panegociueshëm ofrimin dhe garantimin e të drejtës së votës shqiptarëve kudo gjenden jashtë kufijve territorialë shtetërorë. 

Pse partive politike nuk u intereson vota e diasporës?

Partitë Politike në Shqipëri nuk janë aspak të interesuara që shtetasve të tyre tu mundësojnë të drejtën e shprehjes së vullnetit politik me anë të votës. Partitë politike nuk e duan votën e diasporës pasi këtë votë: nuk e kntrollojnë dot, nuk e manipulojnë dot, nuk e shantazhojnë dot, nuk e blejnë dot. Liderët shqiptarë duan ushtarë të bindur, jo personalitete dhe individualitete që dalin kundër urdhërit të kryetarit të partisë. Kryetarët kontrollojnë gjithçka e vendosin për gjithçka. Një personalitet me kulturë oksidenti nuk do të mund të qëndronte gjatë në një mjedis politik orjentalist.Elektorati shqiptar në kohë zgjedhjesh është nën një presion të jashtëzakonshëm. Partia në pushtet kryesisht dhe ato që pretendojnë të vijnë kërcënojnë elektoratin me asistenca, bursa, kempe, heqjen e familjarëve nga puna, vërsulje mbi shpinë të strukturave shtetërore, ulje në detyrë, transferim në detyrë, e deri në shkarkime masive si pasojë e mos mbështetjes së forcës politike në pushtet. Fushatat karakterizohen me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënimi. Zgjerimi i votës e bën pushtetin që të mos e ketë nën kontroll sjelljen e elektorarit dhe opozitës i jep një mundëësi më shumë që të përqafojë të pakënaqur. Partia në pushtet sa herë ka zgjedhje futet më e avantazhuar në betejë, ka administratën që e shtrëngon me anë të presionit, kontrollit, shantazhit e kërcënimit, ka frymën e krijuar e trashëguar prej qeverisjes disa vjeçare, ka buxhetorët që varen direkt prej financimeve të qeverisë, ka faktorin diplomatik dhe kryesisht shumicën e mediave në mbështetje. Një interferim nga jashtë pozitës kryesisht i prish mozaikun zgjedhor dhe kalkulimet për pushtet. Vota e diasporës do ta bënte pushtetin më të përgjegjshëm dhe opozitën më reale në premtimet e saj. Përfshirja e diasporës do rriste nivelin e përfaqësuesve në institucione. Diaspora do e zgjeronte alternativën politike dhe shtetformuese. Kontributi i diasporës do ishte jetik për vendin pasi vitet e fundit nga Shqipëria si pasojë e keqqeverisjes janë larguar specialistët më të mirë: mjekë, infermjerë, arkitektë, inxhinjerë, mësues, ekonomistë etj. Çdo shtetas shqiptar në diasporë, nëse një ditë shteti shqiptar do vihej në shinat e vlerave dhe të meritokrcisë, nuk do e mendonte dy herë kthimin për të kontribuar në Atdhe. Me qëllim që Shqipëria të mos shpopullohet kombëtarisht dhe intelektualisht, pikë së pari ajo duhet tu mundësojë votën shtetasve të saj anëmbanë globit. Vota e diasporës është detyrim ligjor e patriotik i panegociueshëm.  

Filed Under: Politike Tagged With: nuk u intereson, Pse Partive Politike, Sokol Paja, Vota e Diaspores

Edhe një aktore nga Kosova pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

June 5, 2020 by dgreca

-Ilire Vinca ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, e 25-ta nga Kosova/


Prishtinë, 5 Qershor 2020- Gazeta DIELLI/ Aktorja e njohur kosovare Ilire Vinca është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës në një njoftim të dërguar.

 Ilire Vinca ka një karierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.



Ajo u bë e njohur edhe si aktorja e parë që mori pjesë në Berlinale me filmin ‘Falja e Gjakut’ në 2011, pastaj edhe me filmin ‘Burrneshat’ në 2015 poashtu në Berlinale. ‘Zana, ‘Pranverë e paharruar në fshatin e harruar’, ‘Gardhi’, dhe ‘Martesa’ janë disa nga filmat e fundit kosovar ku luan Ilirja.

“Përderisa kufinjtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit” u shpreh aktorja kosovare Ilire Vinca. Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Ilire Vinca është anëtarja e 25-të nga Kosova që bëhet pjesë Akademisë Evropiane të Filmit.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilire Vinca, Pjese e Akademise Evropiane te Filmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT