• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

O bashkohuni e rrëzojeni, o boll u ankuat

July 23, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Florida

Tani radhën e protestave e kanë ata të klubeve të natës. Por pak kush po i dëgjon. Megjithatë ata dolën. Madje edhe e shanë me libër shtëpie Edi Ramën. Dhe në protestë ishin po vetëm ata. Nuk iu bashkua kush. Çdo kush ka hallin e vet. Kanë nge violinat e natës. Kështu të përgjigjen të tjerët. Kështu ndodh në Shqipëri. Ju kujtohet besoj. E nisën studentët, në kapërcyellin e dimrit 2018-2019 por nuk iu bashkua kush. E para opozita u distancua sikur studentët po ankoheshin për një qeveri alienësh. Madje me mjeshtri u përdorën edhe ca grupe studentësh që një e më dy thoshin se nuk janë protesta politike por ekonomike. Megjithëse dëmet më të mëdha ekonomike vinë nga revanshet politike apo e thënë troç, nga tekat e politikës. Shembullin më të freskët keni faturën tashmë të depozituar prej 109 milion eurosh karshi një televizioni a investitori të huaj. Dhe ta besosh që një brez që merret drejtpërdrejtë me studimet të injoroj këtë, pra faktin që kanceri ekonomik zë fill nga politika, është e dhimbshme, po ja që ndodhi në Shqipëri. Plot 3 vjet protestuan artistët e teatrit kombëtar, nuk iu bashkua kush. Kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Kështu thoshin. Veç tek-tuk ca shfaqje më shumë show për tregun e politikës se sa fitore për mos cenimin e të drejtës civile mbi vlerat kulturore dhe historike. Po kaq vite kishin edhe një grup qytetarësh që protestonin për prishjen e banesave, për shkak të ndërtimit të një unaze. Ishin viktima të informalitetit në tregun e dyndjeve, a në vrullin trojeve të xanuna. E megjithatë askush nuk iu bashkua. I njëjti avaz, kanë ngenë ata, kemi halle të tjera. Protestuan fermerët, i derdhën bidonat me qumësht faqe botës, në kryqëzime rrugësh, para kamareve. Ua hapën spontet rimorkiove të zetorëve mezhdave të parcelave ku hodhën çfarë prodhuan, ku e kishin e nuk e kishin, trangullin, qepën, pataten, domaten. Por kush nuk ua vuri veshin. E kanë ngenë ata, mirë ua bëjnë, i kanë çmimet në stratosferë. Pse qeveria u thotë të mbjellin të gjithë domate? Ja kjo është shoqëria jonë, të gjithë për vete e asnjë për shoqërinë. Pasi shoqëria nuk është vetvetja. Tanimë po protestojnë këta të klubeve të natës. Dhe qeveriu është po aq ironik sa ishte me ata të teatrit, me ata të studimeve, me ata të domateve etj. Të gjithë bëjnë sehir njëri-tjetrin. Kurse gjallesa puplon, kërcënon me sy, nënqesh, i bënë dhe ata përballë të gajasen me batutat e tij. O dilni të gjithë, o mos u ankoni grupe-grupe se shtatëdhjetë qeveri të ndërrohen në rajon, shtatëdhjetë breza të kalojnë, Edi Rama nuk ikën. Nuk ka për të ikur kurrë me votë. Kurrë me afera marrëveshjesh, madje është koha më brutale, më ironike, kur debatohen marrëveshje me individë listash deri tek broshura themeltare e shtetit. Po ju nuk doni ta kuptoni. Vazhdoni se edhe shtatëdhjetë vjet të tjerë do ta shani Edin me libër shtëpie, veç ama ai në qeveri e ju ankonjës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, o boll u ankuat, Rrëzojeni

EKONOMIA SHQIPTARE NËN EFEKTIN COVID-19

July 23, 2020 by dgreca

Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja, Profesor në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, Tiranë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ekonominë shqiptare dhe betejën ekonomike të shtetit shqiptar në përballje me Covid-19. Me Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

EKONOMIA SHQIPTARE NËN EFEKTIN COVID-19

Ekonomia e Shqipërisë në periudhën afatmese të shkuar 2017-2019 ka patur rënie të GNP-së. Rritja në përqindjeje e GNP-së nga viti në vit në këtë trevjeçar të fundit ishte 3.8% në vitin 2017; 4.1 % në vitin 2018; dhe 2.9% në vitin 2019. Konstatojmë në vitin 2019 rritjen negative karahasuar me vitin 2018 dhe 2017. Njëkohësisht Shqipëria në këtë vit shënoi rritjen më të vogël në rajon. Ndër shkaqet që ndikuan në këtë tkurrje ishte fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në këto rrethana Shqipëria e nisi vitin 2020 me ekonominë më të dobët në Ballkan. Pa mbaruar tremujori i parë i vitit 2020 dhe konkretisht në kohën kur pritej përthithja e fondeve nga donatorët (nga mbi 100 shtete) për të rindërtuar apo rikthyer dëmet e tërmetit shkatërrues të një viti më parë, Shqipëria dhe gjithë bota u godit nga fatkeqësia me natyrë biologjike coronavirusi Covid-19, i cili në kohë rekord arriti përmasat e pandemisë. Në teorinë e riskut fatkeqësitë natyrore studiohen si ngjarje me pasiguri subjektive, që do të thotë nuk mund të parashikohen apo nuk mund t’iu matet propabiliteti i ndodhjes, por pasi ato ndodhin llogariten pasojat (dëmet). Kështu vendet e Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkura të Amerikës u gjendën të papërgatitura. Kësisoj, për të mbrojtur jetët e njerëzve lidershipi i secilit vend u fokusua tek karantinimi. Por shumë shpejtë kjo strategji transformoi “pandeminë njerëzore Covid-19” në “pandemi ekonomike Covid-20” për ekonomitë e tyre dhe gjithë ekonominë botërore.

APLIKIMI I PAKETAVE FINANCIARE

Si të gjitha qeveritë edhe ajo shqiptare filloi aplikimin e paketave financiare, kjo e bazuar në Helicopter Money të Milton Friedman. Ekspertë të ekonomisë shqiptare (Prof. Selami Xhepa, Prof. Arben Malaj, Dr. Zef Prençi etj.) e quajtën hap pozitiv por të pamjaftueshëm. Mendojmë se pamjaftueshmëria duhet të analizohet në vlerë (sasia monetare), në kohë dhe në strukturë. E fillojmë nga kjo e fundit për të arritur tek e para. Struktura aktuale e ekonomisë shqiptare është e bazuar në shërbimë (63.5%), bujqësi (21.6%) dhe sektorin industrial (14.9%). Parë në aspektin kohor injektimi i parave në ekonomi duhet të vazhdojë, sidomos sot në fushën e turizmit. Ky sektor është në ditët më të zymta të saj. Dhe së fundi në aspektin e sasisë monetare, paketat duhet të ishin e duhet të jenë më të shëndosha finaciarisht. Injektimin e paketave më të majme financiare e mbështesim në faktin se ekonomia shqiptare në dekadën e fundit ka patur rritje modeste dhe inflacion të moderuar. Në terma makroekonomik kalkulimi i injektimit të parave në ekonomi duhet të jetë deri në atë nivel ku inflacioni të mos shkojë dyshifror. Ekonomia shqiptare është nga më të dëmtuarat nga efekti i pandemisë Covod-19 dhe konstatojmë se masat financiare të marra nga qeveria nuk kanë qenë të majftueshme. Për të minimizuar efektet negative të pandemisë në vazhdimësi duhet të vijojë trajtimi fiskal dhe injektimi i parave sipas sektorëve prioritarë të ekonomisë. Këto paketa financiare duhet të jenë të mirë studiuara në tre dimensione: sasi monetare, kohë dhe strukturë. E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë me ekonomi të mbrojtur është financimi i sasisë monetare në paketa periodike deri në kufirin ku inflacioni të mos bëhet dyshifror. Doza e injektimit financiar duhet të ndihmojë kërkesën e konsumatorit dhe të sigurojë vijimësinë e bizneseve të shërbimit me fokus turizmin. Sot turizmi është në disporpocion të oferës me kërkesën. Oferta e këtij sektori është me kapacitet të plotë, ndërsa kërkesa (frekuentimi nga kunsumatorët) është në pikun më të ulët të saj.

COVID-19 DËMTOI MË SHUMË SHTETET ME EKONOMI MË TË DOBËT

Duke përfunduar theksojmë se gripi apo sëmundja dëmton më shumë njërëzit me shëndet më të dobët edhe pandemia Covid-19 dëmtoi më shumë shtetet me ekonomi më të dobët. Me pak fjalë parashikohej që ekonomia e Shqipërisë do të ishte më e dëmtuara. Të tilla kanë qenë parashikimet e institucioneve ndërkombëtar (FMN, BB, BERZH etj.) dhe të kopmanive private prestigjoze të vlerësimit të situatave të tilla si Standard & Poor’s e Moody-s. Nga këto instiucione intervalet e tkurrjes së ekonomisë shqiptare parashikohen nga 5% e deri në 9%. Ndaj masat fiskale dhe paketat financiare të qeverisë shqiptare duhet të sfidojnë parashikimet pensimiste, që ekonomia e vendit të kalojë nga mbijetesa në vijimësinë normale.

Filed Under: Politike Tagged With: efekti i COVID-19, Ekonomia shqiptare

Një peng nderi për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel

July 23, 2020 by dgreca

NGA MAL BERISHA-

Hyrje/

Këto ditë, pas një karriere 32 vjçare si anëtar i Dhomës së Përfaqësusve në Kongresin Amerikan, miku i shtrenjtë i shqiptarëve, Kongresmeni i njohur Hon. Eliot Engel, nuk pati sukses rizgjedhje ne primaret e Partisë së tij Demokratike Amerikane. Ai largohet nga Kongresi pasi ka mbajtur dy vitet e fundit postin e Kryetarit te Komisionit të Marrdhënjeve me Jashtë.

Engell largohet duke lënë një trashëgimi të pashembullt në politikën amerikane, ndërsa për ne Shqiptarët, si një mik i rrallë dhe i shtrenjtë ndoshta për shumë kohë edhe i pa zevendësueshëm. Në nderim te kontributit te tij, i kushtova këtë shkrim me respektin më të thellë.

Miq të mëdhenj të Shqipërisë

Historia e shqiptarëve në Ballkan është e mbushur plot me  ngjarje, tragjedi, humbje dhe fitore. Por duhet thënë se në  udhëtimin e vështirë  të  kombit tonë kemi qenë me fat pasi gjithmonë kemi patur përkrahës të huaj të cilët na janë gjetur në momentet  më kritike.

Kur kthejmë kokën pas,  na vijnë ndër mend emra të njohur të të huajve të cilët na kanë parë me simpati, kanë shkruar për ne, kanë ndihmuar për zgjidhjen e çështjes tonë kombëtare, madje ka prej atyre që na e  kanë kushtuar jetën deri në sakrificë. Lordi Bajron e bëri të njohur në tërë botën anglo – saksone trimërinë e shqiptarëve në veprën e tij aq të dashur: “Udhëtimi i Child Haroldit”. Hymnizimi i virtyteve shqiptare prej tij në atë kohë u bë frymëzim për rilindjen kombëtare shqiptare. Benjamin Disraeli, me veprën “Naltësimi i Iskanderit” iu referua heroit tonë kombëtar që e bëri të njohur vendin tonë në një kohë aq të vështirë. Veprat e “Mbretëreshës së Malsorëve”, Edith Durham, ngritën në këmbë fuqitë e mëdha dhe i mësuan se kush janë dhe çfarë përfaqësojnë shqiptarët në Ballkan. Ishte nje hebre kroat, Milan Shuflaj që i kushtoi jetën studimeve mbi shqiptarët, dhe që e pagoi me kokë për shkak të kundërshtive serbe ndaj popullit shqiptar, të cilët i morën jetën.  Reverendi Charles Telford Erickson i kushtoi  jetën dhe familjen Shqipërisë dhe luajti një rol shumë të rëndësishëm në bindjen e Presidentit Willson për mbrojtjen e Shqipërisë. Ishte vetë Presidenti Willson  që e mbrojti ekzistencën e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919. Politikani anglez, koloneli Aubrey Herbert, loboi aq shumë bashkë me Lordin Robert Cecil për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe antarsimin e saj në Ligën e Kombeve. Amerikano – hebreu Herman Bernstein u  dashurua me shqiptarët dhe Mbretërinë  e tyre të  viteve ’30 – të si Ambasador i ShBA ve në Tiranë. Kjo listë do të ishte shumë e gjatë po ta vazhdoja dhe më çon pashmangshmërisht tek një emër  i cili meriton të shënohet me gërma të arta në altarin e miqve më të mirë të kombit tonë, si tribun i lirisë së gjysmës së popullit tonë – atij në Kosovë.

Është Kongresmeni Amerikan Eliot Engel. Karriera e gjatë e tij politike është e lidhur prej afro tre dekadash me çështjen shqiptare. Që atë ditë kur në derën e zyrës së tij trokiti një djalë simpatik nga Kosova, mbi të tridhjetat, i quajtur Harry Bajraktari, jeta e tij u lidh me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Atë ditë Harry i rrëfeu kongresmenit rreth tragjedisë së popullit të vet. I tregoi për luftërat, përpjekjet, mundimet, dëbimet, vrasjet, ekzekutimet, shfarosjen, persekutimin, margjinalizimin, aparteidin, madje edhe për një farë forme të Hollokuastit që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Ai i foli për Besën Shqiptare dhe mbrojtjen e hebrejve nga shqiptarët gjatë asaj periudhe, por që tani po e përjetonin vetë shqiptarët. Ai takim kishte peshën historike të një ngjarje që do të lidhej  me zgjidhjen e vetë fatit të një populli. Harry Bajraktari po i spiegonte dramën e popullit të vet një njeriu që dëgjonte me vemendjen më të madhe, një biri të një familje hebraike që i kishte përjetuar të gjitha këto në kurrizin e vet.

Që prej asaj dite, lidhja e Harry Bajraktarit me Kongresmenin Engel ishte e tillë që do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi fatin e popullit të Kosovës. Eliot Engel, me durimin dhe qetësinë e tij, i ndihmuar edhe nga shumë senatorë e kongresmenë të tjerë, miq të shqiptarëve si Robert Dole, Damato, Tom Lantosh, Benjamin Gilman, John McCain e shumë të tjerë, arritën që çështjen e Kosovës ta fusin në agjendën e politikës së jashtme amerikane. Ndarja me vijë të kuqe që Presidenti Bush, i vjetri,  i bëri kufirit të Kosovës me Serbinë në vitin 1992 do të kërkonte patjetër ndihmën e Kongresmenit Engel për tu zbatuar disa vjet më vonë nga Presidenti Clinton. Dhe kjo ndihmë erdhi gjithnjë në rritje, falë ndërgjegjes së lartë humane të kongresmenit dhe njohjes që ai arriti t’i bënte Presidentit Clinton dhe administratës së tij mbi këtë çështje. Sa më shumë shtohej shtypja dhe persekutimi i satrapit Milosheviç ndaj shqiptarëve, aq më shumë intesifikohej puna e miqëve të shqiptarëve në Washington për t’i dhënë fund kësaj tragjedie që pësonte një popull i pafajshëm dhe turpit që pllakoste mbi botën e civilizuar. Në këtë dualitet të madh, veprimtaria e kongresmenit ishte qenësore pasi ishte  në ballë të të gjitha këtyre përpjekjeve. Kështu u arrit deri tek ndërhyrja ushtarake, çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës. Kongresmeni Engel, edhe pse është një demokrat,  iu bashkua republikanëve në mbështetje të Presidentit Bush, i riu, për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, kongresmeni e mbante një sy edhe në Shqipëri ku ndiqte me vemendje zhvillimet atje. Kështu ai u bë njëri ndër njerëzit më të dashur dhe më të adhuruar për shqiptarët kudo që jetojnë.

Falë zotëri Harry Bajraktarit, kam pasur nderin, privilegjin dhe kënaqësinë të takohem shumë herë me Kongresmenin Engel. Përherë kam dëgjuar prej tij fjalën e urtë të një burri të matur me shqetësimin për mbarëvajtjen e punëvë të shqiptarëve në Ballkan. Ai flet me simpati për shqiptarët dhe deklaron hapur se  ishte takimi me Harry Bajraktarin  që e nxiti të merrej me çështjen shqiptare. Kur mësova për historinë e popullit tuaj e më pas për vlerat familjare, traditën, besën, mikpritjen, rrespektin midis brezave, bujarinë, mëshirën dhe dhimbjen për të vuajturit, gjeta shumë gjëra të ngjashme me ato të racës prej nga e kam prejardhjen, ndjeva një thirrje të brendshme për t’i kontribuar kësaj çështje.

Sa herë takohem me kongresmenin ndjej se marr me vete një pasuri të madhe shprese dhe besimi tek e ardhmja e vendit dhe kombit tonë. Më ka qëlluar që në mes të darkës me të në Washington, atë ta thërrasë Presidenti Amerikan në telefon dhe ta mbajë thuajse një orë duke biseduar me të për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane. Me tu kthyer në tavolinë, ai me modestinë e rrallë që e karakterizon e vazhdoi bisedën aty ku e kishte lënë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë edhe pse kishte biseduar me njeriun më të fuqishëm të globit: Presidentin Amerikan, Barack Obama.

Në shtatorin e vitit 2016, kongresmeni dhe miku i tij Harry Bajraktari u shpallën qytetarë nderi të Lezhës. Ishte një ditë e bukur sa për ata aq edhe për qytetin. Fjalimi i kongresmenit brenda në Memorialin e Heroit Kombëtar Skënderbeg ishte një thirrje për bashkim të shqiptarëve si një herë e një kohë nën Gjergjin tonë te madh.

Një njeri aq i rëndësishëm reflektonte një modesti dhe thjeshtësi të tillë sa të ndjeheshe se ishe pranë një miku me të cilin ndan vlera dhe gjëra të përbashkëta shpirtërore.

Në një mbrëmje të shoqatës së grave shqiptare në New York, “Motrat Qirjazi”, në  Tetorin e vitit 2018, zonja e kongresmenit, Pat Engel deklaroi publikisht: “Unë jam shqiptare”. Ajo pasi foli shumë për shqiptarët, Kosovën, Harry Bajraktarin dhe rrethin e tij të afërt familjar përfshirë zotëri Rrustem Gecin, iu kthye fillimit të bisedës dhe tha: “Po ju kujtoj edhe nje herë se Elioti dhe unë ndjehemi shqiptarë, pasi prej jush, shqiptarëve, kemi mësuar shume, kemi marrë aq shumë dashuri, frymëzim dhe kemi parë aq shumë vlera të rralla njerëzore.”

Me datën 30 Prill 2019 pata rastin të ndiqja seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan, drejtuar nga Kongresmeni Engel, tashmë në postin e Kryetarit të këtij Komisioni, për dhunën seksuale të ushtruar ndaj grave në Kosovë nga falangat serbe të Milosheviçit.

Në verën e vitit 2019, autoritetet lokale të Tropojës dhe Gjakovës i vunë emrin e Kongresmenit Engell, rruges që fillon ne Fierze dhe përfundon në Punashec.

Ajo rrugë në të vërtetë simbolizon kontributin e kongresmenit ne të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar.

Serioziteti më të cilin kongresmeni, pas njëzet vjetësh  e ktheu vemendjen amerikane tek çështja e Kosovës, të bënte të mendoje dhe të bindeshe se më çfarë miku të vërtetë kishim të bënim dhe sa me fat jemi që e kemi atë!

Falemnderit i nderuar Kongresmen Engel!

Filed Under: Featured Tagged With: Eliot Engel, Mal Berisha, Peng Nderi

KONGRESISTI PATRICK MALONEY FTOI KRYETARIN E VATRËS NË WASHINGTON

July 22, 2020 by dgreca

-Kryetari i Vatrës tha për gazetën DIELLI se Kongresisti Maloney premtoi se do të qëndroi fuqishëm në anën e shqiptarëve të Kosovës-

-Kongresisti  Patrick Maloney e ftoi kryetarin e Vatrës në Washington për të diskutuar rreth problemeve të Kosovës-

Kongresisti  Patrick Maloney(NY-18) të premten me 17 korrik 2020  vizitoi bizneset e vogla në Wappingers Falls. Ai u ndal dhe bisedoi me biznesmenët e zonës së tij elektorale nr 18. Kjo vizitë në Wappingers Falls ishte ndalesa e katërt në turneun e tij në rrethet historike të Luginës Hudson. Ai shoqërohej nga kryetari i bashkisë Wappingers Falls, Matt Alexander. Qëllimi i turneut ishte diskutimi i sfidave për rihapjen e bizneseve që ishin të mbyllura për shkak të Pandemisë së koronavirusit. New Yorku, tha ai, ka marrë goditjen më të madhe gjatë pandemisë dhe bizneset e vogla janë goditur shumë rëndë.  U diskutua për daljen nga kriza që ka shkaktuar Pandemia dhe për rrugët e ndihmës me fonde federale.

Rep. Maloney bëri një vizitë edhe në Patsy’s Pizzeria, pronë e z. Berisha, e cila u hap me 17 korrik. Gazeta lokale”Southern Dutchess News” në numrin e 22 korrikut i kushtoi  dy shkrime vizitës të Rep. Maloney. Në faqene  parë të saj publikohej fotografia ku kongresisti,i shoqeruar nga kryetari i bashkise, bisedonte me Elmi Berishën dhe Anton Rajën, si dhe një fotografi ku paraqitet familja Berisha.

Një artikull më vete i kushtohej historikut të restorantit Patsy’s Pizzeria, pronë e z. Berisha. Gazeta përshkruan historikun e restorantit dhe tregon se si familja Berisha investoi pasi bleu ndërtesën dhe bëri rinovime.Pizzeria e Patsy është dinastia kryesore e padiskutueshme e picave të Nju Jork-ut.E nisur nga legjenda Pasquale Lancieri, Patsy’s Pizzeria ndjek origjinën e saj prej më shumë se një shekull.

Kongresistit Maloney i tërhoqën vëmendjen fotografitë e ekspozuara në restorantin Patsy’s Pizzeria ,ku Berisha ishte në fotografi me ish presidentin Bill Klinton. Maloney tregoi se ka qenë pranë Presidentit Bill Klinton, kur u morën vendime të rëndësishme për Kosovën dhe vazhdon të jetë në krahun e Kosovës.

Biseda rreth Kosovës ishtë me interes për kongresistin dhe për kryetarin e Vatrës.U fol gjatë rreth situatës së tanishme në Kosovë  dhe qëndrimet e Washingtonit rreth dialogur Kosovë-Serbi.

Kryetari i Vatrës tha për gazetën DIELLI se Kongresisti Maloney premtoi se do të qëndroi fuqishëm në anën e shqiptarëve të Kosovës sepse kjo është ajo çfarë ai beson personalisht. Kryetari i Vatrës dhe kongresisti Maloney u pajtuan se Amerika nuk ka asnjë aleat më të mirë se Shqiptarët në rajon dhe se gjithëmonë do të jemi në miqësi të përhershme me njeri-tjetrin.

Kongresisti premtoi se së shpejti do të takohej me kryetarin e Vatrës në Washington për t’i diskutuar nga afër problemet e Kosovës dhe qëndrimet e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, KONGRESISTI PATRICK MALONEY

Pak mbi Etruskët

July 22, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Shkruan: Astrit Lulushi/Dielli

Kur Roma u themelua, sipas Plutarkut, Romuli solli etruskë nga Toskana, të cilët përhapën mes banorëve zakone e shkrime të shenjta, dhe i mësuan romakët t’i respektonin si të shenjta. Fillimisht, ata hapën një gropë depo në formë rrethi në qëndër të Romës. . . ku depozituan frytet e para të të gjitha prodhimeve që mund të përdoreshin sipas nevojës; çdo romak solli një pjesë të vogël të sendeve a prodhimeve të vendit nga kishte ardhur. Këtë llogore me rezerva të çfarëdollojshme, romakët e quajtën me fjalën etruske “mundus”, sepse u jepte njerëzve mundësi në rast nevoje. Rreth ‘mundus’ romakët ndërtuan Romën që ndikoi gjithë Botën (Mondo). Mundus, në qendër të çdo qyteti Etrusk, hapej thellë në tokë, dhe mbulohej me kapak nga një gur i madh, i quajtur “guri i shpirtrave”, i cili hapej vetëm në ditët kur të vdekurit lejoheshin të ngjiteshin mes të gjallëve, ose në kohën kur frutat e parë depozitoheshin për perënditë si ofertë korrjesh. Dy rrugët kryesore të qytetit kalonin në këtë vend, duke e ndarë zonën në lagje. Ky plan i rrjetit të rrugëve kishte një kuptim fetar; pasqyronte pamjen se si etruskët e shihnin universin. Etruskët besonin se qielli ishte i ndarë në katrorë. Sipas Etruskëve, shpjegon Plotarku, në veri, në pjesën më të lartë të qiellit ose në majën e qiellit, banonte kryeperëndia, Tinia ose i Tij. Ana lindore e qiellit ishte mirësia. Ana perëndimore ishte më pak e favorshme, këndi veriperëndimor i qiellit ishte më pak me fat nga të gjithë. Etruskët i konsideronin të domosdoshme kërkimet në qiell për planet e tyre. Kështu, qielli ndahej në 16 pjesë me një kuptim akulti për secilën.

Etruskë e bëjnë njeriun të mendojë. Aq shumë i dhanë njerëzimit sa edhe vetë u shuan. Me përjashtim të disa mbishkrimeve, fizikisht asgjë prej tyre s’ka mbetur. Për origjinën e qytetërimit etrusk që përfshiu Italinë perëndimore në periudhën e herëshme të kulturës së hekurit ekzistojnë tre hipoteza;

Ata ishin autoktonë a indigjenë që kishin jetuar gjithmonë në Etruria; etruskët u shpërngulën nga brigjet e Egjeut si grup emigrantësh nga Lydia e Anadollit; etruskët ishin pellazgë nga Thesalia, që kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Itali. Kjo besohet të ketë ndodhur kur rajoni u mbush me të ardhur të rinj helenë e ilirë dhe pellazgët që mbetën u asimiluan.

Romakët mësuan, huazuan dhe trashëguan shumë nga etruskët, përpara se t’i zhduknin si entitet kulturor e politik.

Ndër të tjera, elementët etruske mbijetuan në gjurmë e simbole; Toga romake filloi si veshje ceremoniale etruske, shufrat e lidhura të argjendit ishin për pastrim, dhe sëpata ishte një simbol i fuqisë mbretërore. Veshja zyrtare e pushtetarëve etruskë ishte e kuqe, ngjyrë që romakët e përvetësuan; ndërsa mes shqiptarëve është edhe sot një emblemë mbretërore e flamur. Romakët trashëguan edhe “triumfet” a parakalimet a paradat që pasonin një fitore, dhe betejat e gladiatorëve që kënaqnin etjen për gjak të njerëzve.

Bota e etruskëve është më shumë misterioze dhe e paarritshme se ajo e Egjiptit, Mesopotamisë, Kretës ose Mikenës. Fatkeqësisht, Etruskët nuk mund të na flasin drejtpërdrejt. Livy, historian, thotë se Romakët studiuan letërsinë etruske, duke marrë gjithça prej saj. Mbishkrimet me shkronja të ngjashme me greqishten, edhe mund të lexohen dhe shqiptohen, por ato vështirë se kuptohen. Romakët janë më shumë fajtorë, sepse pasi mësuan shumë nga Etruskët, praktikisht i zhdukën si entitet, dhe në fund e fshinë kujtesën e tyre. Etruskët vazhdojnë të jenë popull enigmatik. Pothuajse të gjithë historianët e lashtë besonin se ata erdhën nga Lydia, në Azinë e Vogël, dhe shumica e studiuesve ndoqën Herodotin. Në shekullin V pes, ati i historisë, shkroi se rreth vitit 1200 pes, Lydia u prek nga një uri e madhe, dhe pasi e duroi krizën për shumë vite, mbreti Lydian (qē baba kishte Atyin) e ndau popullin në dy grupe dhe hodhi short se cili grup të qëndronte dhe cili të emigronte. Grupit që udhëhiqej nga djali i tij, Tyrrhenus i ra shorti për të emigruar. Kështu ai zbriti në bregdet në Smyrna, ndërtoi anije, dhe lundroi në kërkim të jetës më të mirë diku tjetër. Tyrrhenus në krye të njerëzve të tij kaloi në më shumë vende, gjurmët e ndalesave mund të duken sot në emra vendbanimesh të lashta si Tyrrenei, Tiranë e Toskë, e ndoshta Teheran. Më në fund ata mbrritën në Umbria në veri të Italisë. Herodoti, i saktë në aq shumë raste, këtë histori e tregon si legjendë.

Dionisi i Halikarnasit, i cili jetoi në shekullin I të erës sone, rreth 500 vjet pas Herodotit, e vuri në dyshim këtë shpjegim, dhe prej asaj kohe deri sot studiuesit janë përçarë, disa thonë se Etruskët janë pasardhësit e një populli lindor që zgjodhi Italinë perëndimore për të jetuar, dhe ata që thonë se Etruskët mund të jenë një racë indigjene por me influencë nga lindja. Mosmarrëveshja vazhdon; historianët sot e kanë bërë çështjen edhe më rrëmujë, duke thënë se, Etruskët nuk ishin as grekë e as romakë, ata ishin lindorë në ndjenjë, por jo në origjinë.

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Pak mbi Etruskët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT